Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Amelia
Amelia

Regjistruar : 02/01/2008
Postime : 909
Points : 1463
Reputacioni : 59
Medalje Medalje2 Medalje Green

Progonati, vendi i Bilbilenjve të shquar  Empty Progonati, vendi i Bilbilenjve të shquar

7th February 2016, 16:22
Progonati, vendi i Bilbilenjve të shquar

Pergatiti: Albert ZHOLI

Progonati është një fshat me emër magjik që perceptohet trimërimshëm në memorien e çdo shqiptari për mbresat e të kaluarës dhe për emrin e mirë të bijve të kësaj krahine. Progonati për qytetin e Tepelenës, për atë rrethinë labërie të mbushur me traditë dhe kulturë, përbën një kryeqytet të mendimit, trimërisë, bujarisë dhe intelektualëve të njohur, që sot janë shpërndarë në të gjithë Shqipërinë, dhe me valixhen e traditës së vendlindjes themi krenarisht se kanë pushtuar botën. Progonati shtrihet në një rrafshnaltë 900m mbi nivelin e detit. Është rrethuar nga një kurorë malesh si valltarët në dasëm dhe rrihet vazhdimisht nga erërat e perëndimit. Karakteristikë ndryshe nga shumë fshatra të Labërisë, shtëpitë janë pranë njëra tjetrës të rrethuara nga pemë (arrë e gështenja e qershi-kryesisht). Në dimër bie dëborë që u rrin kurorave të maleve si qeleshe, ndërsa vera vjen e freskët. Klima dhe uji i ftohtë të shëndetshëm kanë qenë dhe mveten dy pasuri të pandrysheushme dhe të pazvëndësueshme për vendasit.Sipas shumë historianëve Progonati është vendbanim shumë i hershëm me toponime interesante para kristiane e kristiane të hershme. Fshati interesant është rritur deri 350-400 shtëpi, e pastaj si për çudi, për shkak të migrimit dhe emigrimit, sfumohet në 70-199 shtëpi. Migrimet më masive që mbahen mend kanë qënë në Himarë, Progër-Korçë, Lazarat, Mallakastër, etj.

Në Progonat te Rrapi(!)
Labëria progresin dhe historinë e ka lidhur me rrapin në sheshin e fshatit. Kanë qenë këto pemë shekullore që kanë qenë mikpritësit e parë të të huajve, ku janë zhvilluar ngjarjet nga më historiket, takimet, betimet, luftrat, vrasjet. Në rrapin në Mashkullorë Çeçua bëri histori, në rrapin e Janinës u varën Bilbilenjtë 13-të. Në rrapet e Vlorës Selami nisi luftrat e pashoqe. Edhe në Progonat ka një rrap madhështor, me ato krahët që shtrihen në ajër sikur përqafojnë mysafirët dhe mbrojnë fshatin nga rrufetë e armiqtë. Rrapi dhe Progonati janë një trup. Ata duket se kanë lindur në një ditë. Ata duket se janë një duet magjik që janë binjakëzuar përjetësisht që nuk mund ta kuptojnë jetën pa njëri tjetrin si vëllezërit siamezë.

“Bilbilenjtë 13, vanë në litare vetë”…
E kush më shumë se progonatas të rritur në ato male mund ta ngrinte vdekjen me atë akt në pavdekës?! Kush mund të dredhë i qetë cigare para vdekjes?! Kush mund të qeshë me vdekjen si në dasmë?! . Vetëm Bilbil Shakua me shokë. Janina e ruan nga gojëdhënat si të gjallë këtë moment. Te rrapi i Janinës ata shkuan në litarë në atë mënyrë që nuk ka moment kur flitet për trimërinë anekënd Shqipërisë, Greqisë apo Turqisë të mos përmendet ky fakt unik që është përjetësuar në vargjet nga më brilantet të poetit popull. Në Janinë thonë se në atë rrap çdo vit në ditën e varjes bien rrufe, Kjo nuk është gojëdhënë shqiptare por greke. Bien rrufe në kujtim të trimave që jetën e tyre ja falën përparimit, lirisë, sepse si rrufe ishte lufta e tyre, shkrepëtimë, që kërkonte ndriçim në atë errësirë osmane.

Bilbilenjtë në këngë…
Ata ishin vërtet trembëdhjete, ashtu si thotë kënga. Në fakt ata kryenin aksione të ndryshme e sipas rastit çeta mund të arrinte edhe më shumë, nga tridhjetë në pesëdhjetë veta. Quheshin bilbilenj nga emrat e komandantëve, Bilbil Shakua e Bilbil Resuli. Ishin kryesisht të rinj të fshatrave Nivice, Rexhin, Gusmar, Progonat, Lekdush e nga zona të tjera të Labërisë. Bilbil Shakua ishte rritur jetim, djalë i vetëm. Kishte marrë pjesë në luftrat e Kurveleshit nën udhëheqjen e Tafil Buzit e të Zenel Gjolekës. Ishte i kërkuar nga turqit si hajdut e kryengritës. Kjo e detyronte të fshihej maleve nëpër stanet e çobenjve sa në Kurvelesh, Mal të Gjerë e Çajup. Odrije gryk’e Çajupit/ jatak i Birbil hajdutit. Në përgjithësi u zinin pritë karvanëve të turqve me sulme të befasishme duke rrëmbyer mallin. Në vëmendje të tyre ishin dhe agallarët e bejlerët, e për ketë ishin kthyer në të kërkuar të veçantë. Disa herë turqit kishin kërkuar t’a zinin Bilbilin gjallë a vdekur, por ky kishte mundur të çante rrethimin e të merrte arratinë. E kishin rrethuar edhe në shtëpinë e tij. Në një nga kenget më të bukura shikojme nënën që e lajmëron e kaçakun që i përgjigjet moskokëçarës: Lëri nënë mos i nga/ se do shkoj nëpër ta/ do t’i pres si lakëra Kurse në një rrethim tjetër i bënin thirrje që të dorëzohej por Bilbili përgjigjej mospërfilles duke luftuar e duke çarë rrethimin. O Bilbil kur t’a rrethosnë/ hidhi armet se t’u sosnë./ Se hedh Bilbili maxharë/ e kam fituar me pallë/ në Voshtinë kur vura zjarrë. Duke luftuar kundër taksambledhësve, postave turke e karvanëve i detyronin turqit t’i rrinin larg Kurveleshit. Sanxhakbeu i Janinës ushtronte presion mbi ushtrinë turke që të eliminoheshin këto çeta kaçakesh që ishin përhapur në gjithë Jugun. Kjo luftë epike kishte brenda edhe tradhëtinë që u bëhej këtyre kaçakëve, gje që do të sillte edhe eliminimin e tyre në fund të viteve ’60 të shekullit të XIX. Por sot mund të themi që me shtypjen e levizjes së kaçakeve do të fillonte periudha e Rilindjes Kombëtare. Kur ata luftonin Naimi ishte akoma femije e Naum Veqilharxhi kishte vdekur, ndërsa Thimi Mitko po fillonte mbledhjen e folklorit. Ishte pra një periudhë fermentimi në Shqipëri. Nëse jeta e Bilbilenjve ishte legjendare, vdekja kap maja të pabesueshme. Ishin arrestuar në një dimer të eger me borë, duke u dorëzuar në kembim të furnizimit të familjeve të tyre me buke. Shkurti ua prishi takeme/ u kish hedhur borë të rëndë. Uria arrin atë që nuk arrijnë armët. Në Janinë i çojnë të lidhur e dënohen me vdekje. Në momentin e vdekjes i kërkojnë Bilbilit dëshirën e fundit. Bilbili donte të dridhte një cigar për ta vënë në buzë. Ngrehu Bilbil hidh litarë,/ Dale bej të dredh cigarë…Gjatë varjes ngaqë mungon oksigjeni, të varurit përpiqen të hapin gojën e të nxjerrin gjuhën jashtë duke u shpërfytyruar. Nëse shtrëngon diçka në dhëmbë gjuha nuk del jashtë, dhe është kjo arsyeja për të cilën Bilbili kërkon cigare. Se s’jam çanaku me dhallë ,/Po jam Bilbili me pallë. Ndërsa ushtarët i shtynin drejt litarit në forme sfide Bilbili u thotë që mund të shkoje vetë pa u shtyrë sikurse një çanak me dhalle. Kënga e plotë tregon kështu: Tre- trembedhjetë Bilbilenjtë/ vanë Bilbilenjtë vane/ një-një nga një të trembedhjetë
va-vanë në litarë vetë / Ngre-ngrehu Bilbil hidh litarë/ Da-dale bej të dredh cigarë/ se-se s’jam çanaku me dhalle/ po-po jam Bilbili me palle.

Ismail Lesko Progonati
Rilindësi i shquar Ismail Lesko Progonati, me veprën e tij të zjarrtë patriotike në shërbim të kombit, ka hyrë në këngë dhe të zgjedhurit që hyjnë në panteonin e këngës së popullit, brezat ua përcjellin historinë në testamentin e pavdekësisë. "Ismail Lesko Progonati,/ç'i pret palla e shkel ati", i këndon populli me krenari dhe e qan po me aq dhimbje rënien e tij: "Janina te rrapi i falë/e zeza Janinë/flaka moj Janinë/vjen muzika duke qarë/bien një zabit të vrarë/Ismail Lesko Progonanë/E zeza Janinë/Flaka moj Janinë/Dhe të ëmës kur i thanë/Lidhi duart dhe vu vajnë/mos ma thoni këtë fjalë/se Ismailë e kam të gjallë"... Te rrapi i falë i Janinës, atje ku gjyshërit e Ismail Leskos, Birbilenjtë e famshëm kishin shkruar historinë, atje e filloi dhe e mbaroi veprimtarinë e tij patriotike dhe pinjolli i tyre i denjë, Ismail Lesko Progonati. Ai lindi dhe u rrit në truallin epik të Kurveleshit, çatia e Labërisë që në kohëra e ka gdhendur profilin e tij epik në duele të mëdha me hordhi pushtonjëse, që nga pre-historia e gjer në kohët moderne, me figura të shquara të penës e të pushkës, të mendjes e të zemrës, të tillë si Belul Toto e Çelo Picari, me Gjon Lekën, Hodo Aliun e Çobo Golemin, me Ismet Toton e Bilal Golemin etj., që s’janë vetëm të Kurveleshit e të Labërisë, por frymë e shpirtit të të gjithë kombit.

100 vjet shkolla shqipe në Progonat
Në ceremoninë e 100-vjetorit të hapjes së shkollës së parë shqipe në Progonat të Kurveleshit të Sipërm (2010), historianët dhe oratorët sollën fakte të pa publikuara më parë për historinë e mësimit të shqipes në këtë krahinë. Sipas historianëve, që në vitin1790, misionarë arbëreshë të ardhur nga Italia e Jugut fshehtas autoriteteve pushtuese osmane u mësonin banorëve të Kurveleshit dhe Himarës gjuhën shqipe, duke përdorur si libër bazë "Doktrina e Krishterë" e Budit. "Mirëpo, pavarësisht se nga kjo nismë cënoheshin interesat e pushtuesve osmanë, ajo që reagoi pranë autoriteteve qëndrore osmane ishte Patriarkana e Stambollit, që kërkoi masa ndëshkimore dhe që pas persekutimeve dhe ndëshkimeve të rrepta të administratës pushtuese turke u ndërpre mësimi i shqipes nga misionarët arbëresh", thekson ish-nxënësi i kësaj shkolle, Martin Cukalla. Nismëtare e kësaj veprimtarie ishte Shkolla e Mesme e Progonatit. Sipas dokumenatve Këto mësime të para të shqipes janë zhvilluar nga misionarët arbëresh në mjediset e kishave të Progonatit dhe Himarës, ndërsa shkolla e parë shqipe në Progonat është çelur 100 vjet më parë në mjediset e xhamisë së këtij fshati. Gjithmonë sipas historisë së paraqitur gjatë kësaj ceremonie, patriotët dhe mësuesit e parë progonatas që kontribuuan në hapjen e kësaj shkolle ishin Shaqo Buxo, Arif Toto, Hajredin Qëndro, Cane Xhufi dhe Sheh Abazi. Abetaret e para u shtypën në Janinë dhe atdhetarë si Ismail Lesko Progonati i sponsorizuan dhe i dërguan disa ditë para celjes së shkollës në Progonat. Shkolla e parë nuk mund të hapej nëse nuk do të ishte themeluar paralelisht me të klubi patriotik "Arbëria", që shumë shpejt u kthye në një "engjëll" mbrojtës për shkollën e parë ku mësuan fëmijë të ardhur edhe nga Lekdushi, Gusmari, Rexhini dhe Nivica.Vëmendjen e të pranishmëve e tërhoqën deklarimet e bëra nga politikani dhe historiani Pëllumb Xhufi me prejardhje nga kjo trevë. Sipas Xhufit, Progonati është fshati i Progonit dhe emri Progon është autentik mesjetar shqiptar që shfaqet që në shekullin XI. Progon quhet në vitin 1190 princi i shtetit të Arbërit, i të parit formacion shtetëror mesjetar shqiptar që shtrihej në krahinat midis Mati dhe Shkumbinit dhe që kishte si kryeqendër Krujën.Fise me prejardhje nga Progonati gjen sot jo vetëm në Himarë e Vuno, si Milot, Bollanot, Kasnecët dhe Dhimajt, por edhe në Frashtan e Lazarat, të cilat janë zhvendosur në kohë të ndryshme prej tij, theksoi Pëllumb Xhufi. Sipas kronikave të historianit osman Evlija Çelebiu, në vitin 1630, Progonati kishte rreth 160 shtëpi dhe ishte qendra e një krahine të tërë që përfshinte 80 fshatra të krahinës së Kurveleshit, Himarës, Kardhiqit, Rrëzomës dhe Borshit. "Me gjithë reaksionin e madh xhonturk dhe synimet aneksioniste të fqinjëve të Shqipërisë, shkolla shqipe e Progonatit nuk e ka ndërprerë për asnjë çast veprimtarinë e saj mësimore për 100 vjet me radhë, duke u kthyer në një vatër të dijes dhe diturisë së banorëve të kësaj zone", nënvizoi në përshëndetjen e tij ish-mësuesi i saj Daut Gumeni.Në kuadër të këtij përvjetori u përurua edhe një memorial kushtuar patriotëve që çelën klubin "Arbëria" dhe shkollën e parë shqipe në Progonat.

Bilbilat e “Bilbilenjve”
Grupi i Bilbilenjtë e Progonatit është një grup polifonik, i cili pason traditën e grupeve të tjera më të vjetër të zonës së Labërisë. Nën drejtimin e Vasil Zhupës, grupi ”Bilbilenjte e Progonatit ka marrë pjesë në disa veprimtari foklorike kombërare dhe ndërkombëtare në festivale të ndryshme në Shqiperi e në Kosovë. Per disa vite rresht grupi Bilbilenjte e Progonatit ka marrë pjesë në Takimet Muzikore të Dy Botëve në Kalanë e Gjirokastrës, të organizuara nga shoqata Argjiro. Bilbilenjte e Progonatit kanë marrë pjesë në Festivalin Kombëtar Folklorik të Gjirokastrës në vitin 2009, në Festivalin Nderkombetar të Teatrove në Prishtinë në vitin 2009, ku ata hapen siparin e këtij festivali, etj. Ky grup polifonik ku tradita percillet brez pas brezi solli në skenë nje atmosfere të veçante me një varg kengësh trimërie, patriotike, erotike dhe historike.

Bilbilenjtë të 13-të, por edhe të tjerë…
Askush më shumë se ky fshat ka nxjerrë nga gjiri i vetë shkrimtarë, poetë, shkencëtarë, ushtarakë, gazetarë, studiues, bisnesmenë, mësues, me tituj nga më të ndryshmit. Ata janë shumë dhe do të duhet një faqe gazete për t’i shkruar, por mund të them se për nga numri, ata mund të krahasohen me intelektualët e tre qyteteve më të mëdha të Shqipërisë. Dhe kjo sepse ajri dhe dashuria e madhe për dijen kanë krijuar breza të tërë njerëzish përfaqësuesish të këtij fshati. Përpos intelektualëve sa më lart në periudha të ndryshme historike mund të përmendim Enver Gugën, Hito Çakon, Pëllumb Xhufin, Halil Qendron, Ibrahim Ganin, Agim Shehun, Martin Cukallën, Izet Çullin, etj…

Çudi për t’u çuditur: Progonatasi Bollano dhe Bollanosi grek!...
Edhe pse vetë kam shkuar dy herë në Progonat, dhe pse babai im ka një shekull larguar nga Progonati i rrallë i bilbilenjve (në moshën 5 vjeç), kurrsesi nuk mund ta mohoj origjinën time. Përkundrazi e përcjell atë me krenari dhe emocion. Askush nuk të vlerëson kur mohon atdheun apo origjinën, ndërsa të huajt për motive të ndryshme të shfrytëzojnë momentalisht. Në periudhën e luftës në Kosovë, kur isha gazetar në Greqi, një gazetar grek i Radio “Sky” më thotë: Ju jeni nga Tepelena e Pashait, pra jeni Vorio-epiriot! Dhe unë me qetësi i thashë: Nuk kam dëgjuar ndonjë grek të ketë emrin Ali. Si qenka atëherë vendlindja e Aliut greke?! Unë jam shqiptar 24 karat, pa sheqer fare. Duke lexuar historinë e Progonatit, në rrënojat e fshatit të vogël ndodhen dhe rrënojat e gjyshërve të Pirro Dhimës si dhe të Bollanove (ish-kryetar i bashkisë Himarë). Pra Bollano, Pirro dhe unë jemi nga një fshat, veçe fisi i tyre ka ikur prej 90 vitesh më parë se babai im nga Progonati me vulë. Bollano në Himarë mësoi greqisht, gjyshërit e Pirros po ashtu, ndërsa babai im nuk shkoi në Himarë, por në Tiranë, dhe më pas në të gjitha anët e Shqipërisë. Dhe një pjesë e madhe himarjotësh kanë qenë të tillë. Bollano deklaron se himarjotët janë grekë. Pirro deklaron se është grek i lindur, ndërsa i bën thirrje dhe Ninit, futbollistit shqiptar për pasaportë greke. Tashmë e gjitha kjo histori është ildisur sipas veshjes së një pjesëze ultranacionaliste të politikës greke. Dhe Bollano-Dhima nuk janë gjë tjetër vetëm gjilpëra që përdoren për të qepur politikën e tyre dhe po harrojnë Progonatin e bukur që koha e ka ngritur në piedestal.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi