Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Kristaq Shabani
Kristaq Shabani
Anëtar i vjetër
Anëtar i vjetër
Regjistruar : 19/11/2015
Postime : 733
Points : 1430
Reputacioni : 5
Medalje Medalje2 Medalje3
http://www.pegasiworld.com

                                                               MAGJIA E RRUGËTIMIT JETËDHËNËS NË  SHQIPËRINË E JUGUT  Reportazh  2018  Nga Prof.  Empty MAGJIA E RRUGËTIMIT JETËDHËNËS NË SHQIPËRINË E JUGUT Reportazh 2018 Nga Prof.

4th August 2018, 17:06
                                                             
MAGJIA E RRUGËTIMIT JETËDHËNËS NË  SHQIPËRINË E JUGUT
Reportazh  2018
Nga Prof. Bexhet Asani
*
Strugë, më 11 korrik 2018
                                      “Në fund të korrikut bëhet prezentimi analitik  i librave Tuaj…”  – ishte një si urdhër i prerë i Prsidentit  të LNPSHA  “Pegasi” Albania Prof. Krisaq F. Shabanit.
Natyrisht, datat do të caktoheshin më vonë. U entuziazmova pa masë. Ishte një privilegj për mua. Këtë nder nuk e kisha dhe nuk e kam as në vendlindjen time, së cilës  i kam kushtuar katër – pesë vepra shkencore dhe letrare, copëzës së parajsës strugane. Sot e kësaj dite, nuk e zbërthej dot pse krijuesit dhe veprimtarët tjerë nuk çmohen nga rrethi, në të cilin kanë jetuar, vepruar e që kanë bërë aq shumë për të?! Dhe ka pasur të drejtë Muhamedi që la vendlindjen e tij dhe iku në Medine!… Aktiviteti kulturor do të zgjerohej në disa qytete të Jugut të Shqipërisë. Isha kureshtar se cilët qytete ishin ato!
Le të mbetet befasi më thoshte  Kristaq F. Shabani! Kërshëria ime shtohej gjithnjë e më tepër. Aktiviteti do të zhvillohet në qytetin e gurtë të Çerçiz Topullit, në Tepelenën e Ali Pashait, në qytetin e trëndafilave, në Libohovë, në vendlindjen e dy krismave të Parisit. U qartësua çdo gjë. Vetëm një hall kisha: “Ishalla nuk do të ishin temperaturat e larta! Kush do të duronte atë vapë tropikale?!... E po nuk do të ndryshojmë klimën tani!” – më përgjigjej miku im, Kristaqi.
                     - Bashkë me veprat e tua do të prezentohen edhe dy autorë nga Shkupi: poeti Sami Sherifi dhe piktori Fatmir Shatku. Po unë dua që të shfaqet edhe poema dramatike “Skënderbeu” nga aktori dhe regjisori i famshëm, Xhevat Limani, meqë është viti i Skënderbeut, – përfundoi presidenti i “Pegasit” Kristaq F. Shabani.
“ Nuk mundem t’ u premtoj asgjë, për artistin Xhevat Limanin, pa biseduar me të, sepse ai është shumë i angazhuar me shfaqjen, kudo në trojet shqiptare dhe në Evropë”.
 Të nesërmen e takoj Xhevat Limanin. I sqaroj për veprimtarinë në Jugun e tokës mëmë.
“ Për ty vij, ku të duash dhe sa ditë të duash, vetëm të shoh terminin, kur e kam të lire!...   U ngazëlleva nga përgjigjja e tij. Iu falënderova, pastaj ia çova dhe dorëshkrimin e librit më të ri.
*
Dragostunjë, më 26 korrik 2018
                             Mëngjesin e 26 korrikut, aty nga ora 8.00, temperaturat në qytetin e parajsës strugane nuk shkonin më shumë se 23 gradë celcius. Qiellit kaltërosh vallëzonin disa re, mbi majat e maleve. “Kohë ideale për udhëtim,” mendova. Vendtakimi “pa vendtakim”! Poeti Sami Sherifi dhe piktori Afrim Shatku nga Shkupi, pjesëmarrës të këtij aktiviteti kulturor të Lnpsha “Pegasi” Albania, nuk e njihnin qytetin e Strugës, aq sa duhej! Ata kishin lëne një vendtakim, por nuk ishin aty, ku thane. Pas  disa minutash i gjeta, më në fund! Koha po ikte me vrap! Rrugë të largët kishim përpara. Duhej të sistemohesha te vetura e piktorit, kështu ishte bërë “marrëveshja”! Pashë një ndjenjë nervozizmi te piktori, i cili edhe nuk kishte faj: një që nuk e kishte njoftuar moderatori i këtij turneu sa kulturor, po aq historik, dy ai e kishte ngarkuar veturën e tij “Mercedes” si mushkën me pikturat që do të ekspozonte. Ndjenja e shqetësimit se do të vonoheshim, na kishte kapluar që të gjithëve… U nisëm. Vendtakimi i dytë në Qafë Thanë me aktorin Xhevat Limanin. Shkaku i kalimit të pikturave me lehtësi… Lidhjet edhe nëpërmjet të internetit dhe të telefonit ishin të pamundshme, sepse asnjëri nuk kishte qasje në rrjetet e telefonisë!
 Kaluam kufirin, pa ndonjë vështirësi. Miqtë e mi, Samiu dhe Afrimi, shijues të pasionuar ndaj kafesë dhe tymosjes së duhanit. “Po udhëtoj me njerëz të “gabuar” ”,- mendova për një çast!
Pa të keq u thashë: “Ka mundësi të rralloni ndezjen e cigareve!? Ruani shëndetin tuaj!...”
 Afrimi, sikur më kuptoi, apo nuk ishte aq i dhënë pas tymit shtëllungë të cigares, nuk e kuptova. Samiu vazhdoi avazin e tij. Hapte xhamin e limuzinës dhe shtëllunga e tymit sa përhapej jashtë, sa futej brenda! U ndalëm në një lokal  në fshatin Dragostunjë të Librazhdit. Seç na pëlqeu ambienti. Në oborr gjendej një rrap i madh. Dy  degët e tij ishin të hapura, si krahët e shqiponjës. U ngrita e fotografova rrapin dhe e luta Samiun, më merakliun e fotografisë, që të më bënte disa fotografi. Erdhi  dhe piktori Afrim bëmë disa fotografi pa përtim,; të treve na fotografoi një klient i restorantit. Meqë në restorant kishte internet, aty për aty, i postuam në facebook. Pas ca orësh, po atë ditë, një miku im i nderuar, Bujar Çela nga Filadelfia e Amerikës, shkruante: “Mirëmëngjes nga Filadelfia, z. Bexhet Asani, së bashku me miqtë tuaj të nderuar! Meqenëse, iu paska rënë rruga të ndaloni në lagjen time, po e shijoj kafenë duke parë fotot tuaja dhe peizazhin e vendlindjes sime. Dhe do të shprehem: “Në pushimet e tua, çmallu dhe për mua!.. Ju përshëndes dhe iu uroj udhëtim të mbarë e mbresalënës!”
Me respekt, Bujar Çela, banor i fshatit Dragostunjë.
                     Aty për aty iu përgjigja: “Rrap i bukur e i rrallë! Monument natyre. Nuk e kam ditur se je nga Dragostunja e bukur. Jeni të zënë me objektin e ri të shkollës shqipe në Filadelfia se do ta bënim përurimin e librit tim më të ri “Orbita e fjalës” edhe në qytetin e mrekullueshëm të Filadelfias, te Shoqata Atdhetare Kulturore, të cilën unë dua ta quaj “Bijtë e shqipes të vërtetë!...” Faleminderit shumë!”
                      Pasi bëmë disa fotografi, te rrapi shekullor krahëshqiponjë i Dragostunjës, u nisëm për në Gjirokastrën e Argjirosë e të Çerçiz Topullit. Vendtakimi me prof. Kristaq F. Shabanin dhe aktorin Xhevat Limanin ishte te shtatorja e Heroit të Popullit, Çerçiz Topulli.
 
*
                      Arritëm në Gjirokastër. Bëmë disa fotografi te shtatorja e të madhit Çerçiz. Prof. Kristaq Shabani kishte lënë takim me prefektin e Gjirokastrës, z. Astrit Aliaj. Godina e prefekturës na la mbresa, po mikpritja e prefektit ishte e jashtëzakonshme. Bëmë disa fotografi me të. As që na vajti mendja se do ta takonim përsëri ushtarakun Astrit Aliaj. Pas përshëndetjeve të përzemërta duhej të linim qytetin e Ismail Kadaresë... Kohën  e asaj dite na kishte “ngrënë” rruga! Pa humbur kohë,  Kristaqi dha “urdhër”: - Nisemi!
 Veturat marshuan rrugicave gjarpërore për në Labovë të Kryqit. Një vend i pashkelur ndonjëherë nga ne. Manaferrat e pjekura, përreth rrugës, na bënin me sy! Nuk ndaluam.
Fshati Labovë e Kryqit me pak shtëpi dhe dukej si pa njeri! Emërtimi na dukej paksa i çuditshëm! Aty takojmë dy artistë: skulptorin – poetin, Haxhi Kallucin, mikun tim të hershëm, me origjinë nga Skrapari dhe u njohëm me poetin Petrit Nikën nga Puka, por banues në  Fier. Te lokali i ri, i cili binte erë gëlqere, i Stefan Mihës, si duket ne bëmë “inaugurimin” e këtij biznesi privat rural!... Stefan Miha  në duar mbante një libër dhe një arkiv fotografish të tij. Pasi u prezentua, ia nisi të na rrëfente për historinë e Labovës së Kryqit, që nga pellazgët, ilirët, arbërorët e gjer në ditët tona. Unë e quajta plaku i urtë. Artisti shqiptar, Xhevat Limani, i ngazëllyer nga rrëfimet e tij tha: “ Gjeta protagonistin e filmit tim më të ri!...”
 Përqafime e dolli për shëndet e jetë të gjatë për të gjithë të pranishmit, sidomos për dollibashin e nikoqirin Stefan! Stefan Miha modest, i qetë, i matur, dukej sikur fjalët i peshonte me kandar. Por skulptori, Haxhi Kalluci, ia nxori, si me darë, një ngjarje heroike e historike të tij. Në kishën mbi 1500 vjeçare të Labovës së Kryqit para ca kohësh kishte ardhur kryepeshkopi i kishës “shqiptare” në Labovën e Kryqit, me qëllim që ta mbante një meshë aty.
 – Ju meshën do ta mbani në Labovën e Kryqit, por vetëm në gjuhën e zotit, në gjuhën shqipe! – kishte folur shkurt e prerë Stefan Miha.
Kryepeshkopi i revoltuar nga ky ultimatum i mësuesit të popullit, Stefan Miha, bishtin ndër shalë dhe me suitën e tij kthehet në Tiranë, pa e mbajtur meshën!
                      Bashkë me ciceronin Stefan Miha vizitojmë Kishën e Labovës së Kryqit. Pasi na foli gjerë e gjatë për historinë dhe elementet pagane të kishës, Stefani lexonte çdo ikonë dhe deshifronte çdo shtyllë e çdo gur të kësaj kishe historike shqiptare. U përshëndetëm përzemërsisht me plakun e urtë, Stefan, duke na thënë ju jeni gjeni....
“Një vlerësim i madh për ne, o i nderuar Stefan Miha!”
 Në mbrëmje, mora vesh nga kryetarja eBashkisë  Libohovës zonja Luiza Mandi, mjeke se, Stefan Miha kishte qenë mësues i saj.
*
 Mbrëmja e 26 korrikut në Libohovë
                      Muzgu i mbrëmjes na gjeti në Libohovë. Për këtë qytet kisha lexuar dhe dëgjuar aq shumë. Seç më përfshiu një ndjenjë krenarie e atdhetarie. U ndalëm në shesh të qytetit. Një shesh i ndërtuar me shije e shumë i bukur. Një shesh, jo vetëm i bukur, por edhe i pastër. Më ra në sy një bust në ballë të sheshit. “Ti do të jesh Avni që bëre histori,”  – mendova. Dhe u nisa drejt bustit. Takimin e parë e pata me libohovasin, Avni Rustemin. E ledhatova fytyrën dhe figurën e tij të bronztë. Bëra dhe disa fotografi edhe pse nuk dilnin mirë, sepse errësira e mbrëmjes, sapo kishte filluar.
“Nuk dalin pastër,” - tha poeti Sami Sherifi!
“Le të mos dalin, bë disa fotografi, sepse, ku i dihet protokollit nesër, kemi apo s’ kemi kohë të fotografohemi...! Asgjë nuk ia lë rastit! Jam si puna e “ujkut”, vetë i mbaroj punët e mia, aty për aty!”
                     Te rrapi shekullor takohemi me kryetaren e Bashkisë së Libohovës, doktoreshën Luiza Mandi, një nikoqire e shkëlqyer tipike shqiptare. Ritakojmë prefektin e Gjirokastrës, zotin Astrit Aliaj, i cili na përshëndet me një buzëqeshje të ngrohtë. Një buzëqeshje jo karakteristike për ushtarakët!... Nën hijen e rrrapit shekullor freskohemi me nga një lëng të trëndafilit të kuq e plot aromë. Jo vetëm që na freskoi, por edhe na çlodhi, pas gjithë atij rrugëtimi të gjatë.
                Mjekja Luiza Mandi më pyet: “Si ju duket Libohova?!”
 – Këtë Avni dhe këtë histori nuk e gjen në asnjë qytet të botës, këtë rrap shekullor, këtë monument natyre nuk e gjen në asnjë vend të botës, këto burime të kristalta, këtë freski dhe këtë bukuri nuk e gjen në asnjë vend të botës. Këta njerëz mikpritës nuk i gjen në rruzullin tokësor”.
 Me siguri doktoresha u ngazëllye nga fjalët e mia, plotë miradije!
                Përgatitjet për hapjen e ekspozitës së piktorit Afrim Shatkut u bënë, sa çil e mbyll sytë. Pas sqarimit, vizitorëve nga ana e piktorit, salla e Shtëpisë së Kulturës së Libohovës, filloi dalëngadalë të mbushej. Moderatori i palodhshëm, Kristaq  F. Shabani, filloi me prezentimin e librave të mi dhe të poetit Sami Sherifi nga Shkupi. Prof. Kristaq Shabani i bëri një prezentim analitik dhe jo përurim klasik, veprave të mia: “Optika letrare”, Hyjnia e Syve” dhe librit më të ri “Orbita e fjalës”. Ndërkohë, unë pata nderin që prof. Kristaq Shabanit t’ i ndaja dy mirënjohje: një nga Konferenca shkencore, e cila  u mbajt në NEË YORK, më 13 janar 2018, dhe mirënjohjen tjetër nga Simpoziumi shkencor “Karnavalet ilire”, i cili u mbajt në Bozovcë, më 11 janar 2018. Kristaq F. Shabani në këto dy simpoziume kishte kontribuar me kumtesat e tij shkencore të mirëfillta.
Pas prezentimit të veprave, aktori Xhevat Limani artdashësit libohovas i “qerasi” me një fragment të Poemës dramatike “Skënderbeu”. Shfaqja e figurës së Skënderbeut i mahniti të gjithë të pranishmit në sallë. Duartrokitje frenetike nga publiku dhe fotografi me Skënderbeun e pjesëmarrësit e tjerë. Për grupin e krijuesve u bënë të pandashëm prefekti i Gjirokastrës Astrit Aliaj dhe ciceroni i Labovës së Kryqit, z. Stefan Miha, të cilët ishin bashkë me ne në çdo aktivitet.
*
Libohovë - Gjirokastër 27 korrik 2018
Në mëngjes duhej t’ i jepnim “lamtumirën” Libohovës së Avni Rustemit. Një gjë nuk e vërtetova dot dhe më mbeti peng në ishte e vërtetë ajo që kisha lexuar dhe dëgjuar për vajzat e Libohovës... Pas aktit heroik në Paris, vajzat e Libohovës, kur martoheshin, për pajë, merrnin me vete fotografinë e Avni Rustemit!.. Si nuk e pyeta Kryetaren e Libohovës Luiza Mondi!... Si nuk e pyeta heroin e ditëve tona, ciceronin e Labovës së Kryqit, mësuesin Stefan Mihën...?  Fotografi te busti i Avni trimit. Fotografi te Rrapi. Fotografi te krojet e panumërt. Fotografi të panumërta te sheshi i Libohovës.
                     Veturat rrëshqitën tatëpjetë Libohovës. Një ndarje e ndjeshme me këtë qytet piktoresk. Na iku koha, pa e diktuar. Mbetëm pa e vizituar Teqenë e Melanit. Duhej të shpejtonim, koha po ikte. Dyert e shtëpisë muze të shkrimtarit me famë botërore, Ismail Kadare, ishin hapur. Artdashësit gjirokastritë dhe, ndonjë turist i rastit, prisnin me padurim krijuesit nga Maqedonia.
                     Kaluam “Sokakun e të marrëve”. I them piktorit Afrim Shatkut: “Shihe këtë rrugicë me këtë emërtim!”
 Ai, paksa, u çudit, po iku me pikturat e tij, koha nuk priste, artdashësit kishin mbushur odën e burrave te shtëpia e gjeniut të letrave shqipe, Ismail Kadaresë. U sistemuan pikturat, u fol, u panë dhe filloi prezentimi i librave të mi nga Presidenti i Lnpsha “Pegasi” Albania, poeti, shkrimtari, studiuese, esteti Kristaq F. Shabani. Ecte kapitull më kapitull, duke i bërë një prezentim analitik bashkëkohor, pa u ndaluar, pa u lodhur, por njëherit edhe pa i shqetësuar, pa i mërzitur të pranishmit, duke u “ikur” me mjeshtëri përurimeve të librave demode! Këtë mund ta bëjë vetëm i palodhshmi Kristaq F. Shabanime nivelin etij shumë të lartë. Më ftoi mua për të kujtuar takimet me me më të madhin, me më të papërsëritshmin, Ismail Kadarenë, gjatë vitit 2002, në muajin maj dhe muajin tetor. Të gjithë aktivitetin e përcillnin njerëz të shquar të Gjirokastrës e të qyteteve të tjerë të Shqipërisë dhe të Maqedonisë. Si gjithmonë, artisti shqiptar Xhevat Limani, i “qerasi artdashësit” me një “meze”, siç shprehej ai. Recitoi poezinë e Ismail Kadaresë “Mall”, ashtu siç di vetëm ai, në stilin sui generis. Duartrokitje frenetike. Sami Sherifi reciton poezi nga libri i tij. Ndërkohë, Xhevat Limani vesh kostumin e ngjesh shpatën e Skënderbeut për të deklamuar një fragment nga Poema e tij dramatike “Skënderbeu”. Në odën e burrave të Ismail Kadaresë, u duk sikur Skënderbeu do të mbante Kuvendin e fundit për shqiptarët. Të pranishmit i përshëndeti znj. Arminda Mevlani drejtoresha e bibliotekës së qytetit të Gjirokastrës, të cilës i dorëzova për bibliotekën disa ekzemplarë të librave të mi. Disa ekzemplarë ia lashë bibliotekës së shtëpisë së Ismail Kadaresë. Pas saj e mori fjalën mësuesja  e Gjuhës shqipe njëherit edhe Kryetare e Degës së  Shoqatës Atdhetare “Çajupi” Oderina Ndreu, një oratore e shkëlqyer. Fjalën e mori edhe regjisori Osman Buzo, i cili tha fjalë miradije për tërë këtë aktivitet kreativ kulturor kombëtar.
Këtë aktivitet kombëtar e ndoqën : Tv “Apo”me gazetaren Jonida  Qirko, anëtare e LNPSHA “PEGASI” Albania dhe TVPSH  i Gjirokastrës me gazetare e poete Yllka Ponde, një anëtare e kahershme e Pegasit . Shtëpia muze e Ismail Kadaresë mblodhi ajkën e intelegjencës së Shqipërisë së Jugut dhe të Maqedonisë. Aktivitetin e ndoqi dhe mësuesi i popullit Stefan Miha,(kështu do ta quaja unë këtë mësues shumë të zotin), mbase do t’ i ketë mbetur hatri pse nuk e mori fjalën edhe këtu në “odën e burrave!...
                   Rrugës për në Përmet ndalojmë te përmendorja historike e Hormovës. Në pllakën e të cilës lexojmë: “Në kujtim të 217 hormovitëve, masakruar pabesisht nga bandat shoviniste greke, në mars të vitit 1914”.
Skulptori Haxhi Kalluci na shpalos idenë e tij për ngritjen e një monumenti madhështor në kujtim të të rënëve hormovitë, për t’ i bërë të pavdekshëm! Karvanit tonë kulturor duhej t’ i bashkohej edhe shkrimtarja e shquar Nexhi Hasani, por ja që ditët i ishin afruar për t’ u kthyer në Londër dhe e kishte të pamundur të pasuronte aktivitetin tonë kulturor. Na mungove Nexhi! Por më mirë që na mungove, sesa të vije me ne, ti çame e kulluar dhe të rikujtoje këto krime nga bandat greke. Lotët do të të shkonin si krua....
                   Pas drekën e 27 korrikut e kaluam në një lokal përballë fshatit Dragot. Aty për aty mendova ky fshat duhet të jetë vendbanimi i të parëve të aktorit të famshëm amerikan Sten Dragotit. Ç’ burra kanë lindur këto male që puthin qiellin?! Te ky lokal rrëzë malit ndahemi me shoqëruesit  tanë të mrekullueshëm Skulptorin dhe poetin Haxhi Kallucin dhe poetin Petrit Nika. U ndamë me mall. Dëshira jonë e flaktë ishte që të na shoqëronin gjer në Përmetin e luleve, por ja që obligimet që kishin e bënë të pamundur ardhjen e tyre në Përmet.
                   Në Përmetin e trëndafilëve, seç më zuri syri një pllakë rrëzë rrugës. Në të lexoj: “Parku Aristidh Kola”. Sa u gëzova që Përmeti, paska kujtuar pellazgologun dhe ilirologun e madh, njëherit edhe kurbanin e Kosovës, arvanitasin Aristidh Kolën.
 
*
                  Mbrëmja po afronte. Unë dhe piktori Afrim Shatku ishim mëdyshas: Të ktheheshim nga Fieri apo të shkonim nga Korça!... Kjo ishte çështja!? Poetin Sami Sherifin  e kishim neutral... Pyeta një përmetar të moshuar, sesi ishte rruga për në Korçë?
“Nuk është si nga Fieri, “ – më tha.
“Një përgjigje kjo diplomatike, – mendova. - Si t’ ia bëjmë?” - i them Afrim Shatkut.
“Nisemi nga Korça,” – tha shkurt.
Ai duhej të vendoste, vetura ishte  tij. Pa i menduar peripecitë përgjigjem: “Unë jam me ty. Po ç’ njeri jam unë!? Njeri i sakrificave”. – më përgjigjet shpirti. Xhevat Limani me bashkëshorten u nisën nga Fieri. U përshëndetëm. Këtu u ndanë rrugët tona.
                Rruga jonë gjarpëronte shtigjeve të panjohura. Aty e fitova edhe më shumë besimin te Afrimi si shofer. Kurora malesh të pafund mbi kryet tona.
“A thua udhëtojmë mespërmes Alpeve?!” - sikur fliste nëpër dhëmbë Samiu.
Mbi dy orë e gjysmë udhëtim syri nuk na zuri asnjeri, as bagëti... Si ra muzgu i mbrëmjes majë maleve gjigante, shihnim ndonjë dritë, me siguri ishin fshatra me nga tri-katër shtëpi!...
“Ku ta pimë nga një kafe!?” – tërë rrugës na shoqëroi kjo fjali e poetit Sami Sherifi.
Kafeja ishte dobësia e tij. Nuk e kuptova, sesa kafe pinte në ditë! Ngado që e shihja nëpër restorante, ai pinte vetëm kafe, nuk e di në hante ushqim apo jo?!.. S’ kemi ç’ të të bëjmë, ja s’ ka kafe nëpër këto “shkretëtira” të bukura të atdheut tonë me male... Cigares nuk ia ndau, hapte xhamin e limuzinës dhe shtëllungat e tymit ngjiteshin majë maleve...! Nga pak na qiraste edhe neve me tymin e duhanit... Unë, aty për aty, i falënderoja Samiut që “pija” tymin e cigares qelepir!...
                             Të ndalohemi këtu, të ndalohemi aty... Rrugë e ngushtë. Ku të ndalonim!? Pas tri orësh doli shenja e cila shkruante “Leskovik”.
Leskoviku në një rrypinë mali, me pak drita.
“Të ndalim, të pimë kafe, “ – tha Samiu.
Afrimi iu përgjigj: “Ku ka kafe, në këto orë të vona...?” Mua më erdhi në mendje kënga popullore: “Leskovik, o gur i thatë, sa punëtore i ke gratë...!”
 Tërë kohës kisha menduar i gjori se Leskoviku ishte ndonjë qytet i madh, qytet evrpoian. E poeti popullor e kishte thënë të vërtetën, po ku ta kuptoja unë si i ri!.... Nuk thonë kot: “I riu, si veriu!”
                           Si duket, u lodhëm ulur gati mbi tri orë.
I them Afrimit:  “Ndalojmë pak, midis këtyre pishave,”- si e kaluam Leskovikun e partisë...
Afrimi ndaloi. Unë dola dhe u largova nja 30-40 metra. Më  provokoi aroma e pishave. Dëgjoj një zë: “Bexhet!” Ishte Samiu që bërtiste.
“Çfarë u bë, Sami?”
“Mos u largo, se mund të të hajë ndonjë ujk!”
 “Po këtu s’ ka njeri, o Sami! E ku të ketë ujk...Pastaj ujku si mund ta hajë ujkun!?”
 I dhamë një të qeshur. 
Nga dritat e Limuzinës pamë me Afrimin lajthi. U  afrova të shikoja, në ishin të pjekura. Kokrrat e lajthisë ende ishin të papjekura. Rrugicave gjarpërore rrëshqitëm në Ersekë. Erseka ishte një qytet shumë i njohur për mua që si adoleshent, kur kisha lexuar romanin “Lulja e Kujtimit” të Foqion Postolit. Ngjarjet që zhvilloheshin në Ersekë, gjatë luftës për pavarësi, kishin lënë gjurmë të pashlyera në kujtesën time. Te sheshi i Ersekës kishte disa kafene, të cilat po bëheshin gati të mbyllnin orarin e punës.
“Më falni keni ekspreso?” - pyeti Samiu.
“Jo e kemi mbyllur aparatin,” – u përgjigj kamarieri. Më mirë t’ i kishte rënë Samiut, sesa që i tha se s’ kishin kafe...! Me siguri do t’ ia bënte halla Samiu..! Ora po kalonte 11 i natës. Kishim edhe për të bërë rrugë. Shohim dy policë. Një vajzë të re dhe një të moshuar. Policja m’ u drejtua: “Doni ndihmë?” “Jo,” – iu përgjigja.
Meqë hyri në bisedë i them: “Po të doni t’ u japë disa libra e t’ i lini nesër në bibliotekën e qytetit!?”
– Jemi në uniformë... Atëherë, t’ u qiras juve me nga një libër”.
Nuk më vajti mendja fare se, rrallë polic lexon... Megjithatë, policja më tha: “Ja të shkojmë te ajo bastorja e t’ i lëmë aty librat”. U dakordova.
“Lëri këto libra këtu, - i thotë nëpunësit të bastores. - Nesër do të vijë t’ i marrë Iliri,”- dhe e drejtoi dorën nga unë.
“Më fal! – i them – nuk mund të vi t’ i marr librat, tani nisemi për në Strugë”.
“ Pse Ilir e ke emrin?” – më pyeti policja.
“ Jo”.
Atëherë më sqaroi se nesër do të vinte polici i moshuar, të cilin e quanin Ilir dhe do t’ i çonte në bibliotekën e qytetit të Ersekës.
Iu falënderova përzemërsisht dhe u ndamë me policen e re e të kulturuar. Nuk e di të nesërmen nëse Iliri, polici, i çoi librat në bibliotekë apo jo...
                         As në Korçë, as në Pogradec,  Samiu nuk piu kafe. Afrimi nuk ndaloi. Nuk e di në piu në copëzën e parajsës strugane apo jo!?
*
Një udhëtim fantastik që do ta mbajmë në mend për tërë jetën. Paskemi qenë njerëz të sfidave. U nisëm të papërgatitur. Nuk morëm me vete as ushqim, as ujë...  Mirë që nuk pati defekt makina, sepse nuk e dinim sesi do të gjendeshim me ditë të tëra të humbur maleve të rrëpira të Jugut të Shqipërisë. Malli i grumbulluar me decenie për të kaluar atë rrugë të panjohur, të cilën e kishin kaluar heronjtë tanë:  Çerçiz Topulli, Mihal Grameno, Themistokli Gërmenji, Petro Nini Luarasi, Papa Kristo Negovani u shua përgjithmonë...
 
                    
 
 
                  
 
                  
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi