Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anonymous
Musafir
Vizitor

Tradhëtia ndaj gjuhës shqipe Empty Tradhëtia ndaj gjuhës shqipe

23rd March 2008, 04:03
Tranzicioni i tejzgjatur shqiptar ka ndikuar jo vetëm në politikë, ekonomi, karakter, por edhe në huazimet gjuhësore.

Tendencat e huaja gjithnjë kanë bërë vend në territorin shqiptar. Duke qenë një vend i vogël, strategjik, gjithnjë të huajt kanë plaçkitur kulturë dhe kanë lënë zakone të prapshta dhe një mënyrë të shprehuri që thellë- thellë, nuk i përket rrënjëve tona. Kosova ka jetuar gjithnjë nën represionin serb dhe si e tillë, është munduar ta ruajë gjuhën e saj shqipe në thelbin e saj,  duke ruajtur të folurën më të kulluar që i përket gegërishtes së vjetër . E tek të kujtohet fjala – shitore - të duket shumë larg fjala –market -, dhe një cungim i bukur i fjalëve krijon një origjinalitet dhe bukuri gjuhe nëse ne themi –domosdoshmëri- kosovarët thonë –domosdoja-, përveç-përpos, fëmija-fëmiu, i arritur-i përmbushur.  Por sigurisht një shqipeje të kulluar i janë kthyer dhe shkrimtarët më të modës si dhe  kokat e arta të letërsisë, që kanë qenë gjithnjë fanatikë ndaj përdorimit të gjuhës së tyre të mëmës si një xhest atdhetar dhe një detyrë për t’ia transmetuar brezave të mëvonshme. Një pjesë e madhe artistësh të penës ndërmjet tyre dhe të rinjtë i janë kthyer dialektit me shumë përkushtim. E nëse do citonim një poezi të Ledia Dushit do kuptonim gjithë bukurinë e gegërishtes:

Kanë mbarue kumbllat; vera asht rrëzue n’përrue…Jam kthye n’mal…Mbramja m’varet n’shpinë, zjermi del prej kështjellash…Asht festë…Ndër drita varun n’qiell, kryet tem i vdekun.

Por sigurisht nuk është qëllimi ynë të flasim në këtë tendencë vetëm për letërsinë, por për të gjitha sferat e jetës shqiptare. Fjalë të reja kanë  zënë vend në gjuhën e përditshme të komunikimit, ndërkohë që letërsia ështa shumë më e kujdesshme.


E teksa ka nisur të jetë një përshëndetje shumë e modës fjala -Tung- shkurtim i –tungjatjeta- herë pas here të zë veshi funde bisedash si: hajt pra ciao, ose :okey, paçim! Një miks gjuhësh që duket pak e habitshme, por që është  një mënyrë e re së foluri. Dhe njerëz në moshë madhore  i dëgjon  të shqiptojnë këto përshëndetje. Nën ndikimin e telenovelave në gjuhën portugeze vajzat e vogla që adhurojnë Zhaden kanë nisur të përmendin pas çdo fraze allah allah! Dhe Hola! Një modë së foluri prej  Orienti.
Anonymous
Musafir
Vizitor

Tradhëtia ndaj gjuhës shqipe Empty Re: Tradhëtia ndaj gjuhës shqipe

23rd March 2008, 04:04
Nëse padashur do hysh në mënyrën se si të rinjtë përshëndeten, patjetër që do keqkuptohesh me fjalët. Ja disa shprehje: Hë mi Lace! Që do të thotë : Hë mi parazite, njeri që e vret kohën kot. Ej bobi! Që në gjuhën e adoleshentëve përkthehet Hë more boss, rob me pare. Hë figure ç’kemi! Që do të thotë që je shumë i njohur nga të tjerët për bëma. Ose: Hë tipi! Përkthehet, je shumë gazmor. Përdoren dhe fjalët patok, rosak, derrkuc e shumë epitete kafshësh që padyshim lidhen me ngjashmërinë e formës së trupit, të fytyrës apo ecjes. Kjo është gjuha e adoleshentëve shqiptarë. Një gjuhë që padyshim do ndryshojë dhe nën ritmin e kohës do mbetet veç një kujtim i shkuar.


Por ndërsa lojërat e moshës bëjnë të vetat, përdorimi i fjalëve të huaja ka zaptuar shtresën e lartë të shoqërisë. Elita, fut këtu dhe politikanët, ose përdorin një gjuhë të pakuptueshme ku frazat dhe terminologjitë mbizotërojnë, ose bien kryekëput në hulli mendimesh, që i çojnë dhe të tjerët në qorrsokak. Duke sjellë një hendek të madh mes politikës së tyre të pakuptueshme dhe popullit të thjeshtë. Karakteristikë e Parlamentit shqiptar është përdorimi pa fund i frazeologjisë së rënduar me sofizma . Por ndodh një fenomen i çuditshëm. Kur sherret janë pikante dhe ndoshta nga më të vështirat, pra në momentet më delikate të karriges së tyre funksionare, me shumë dashuri politikanët i kthehen gjuhës së popullit duke i nxjerrë dhe me tepri nga bagazhi i tyre . Beni i Xhikes u bë për një kohë të gjatë lajtmotivi i bisedës së njerëzve. I kujtonte të gjithëve zhargonin e lagjes. Shumë herë këta të fundit në kulmin e kontradiktave të mendimit nuk kanë turp të shqiptojnë dhe fjalë të ndyra që janë kundër etikës së komunikimit. Por, fundi i fundit jemi shqiptarë dhe siç thotë Dritëroi, nuk ndjehemi rehat nëse nuk ulërijmë për të nxjerrë marazin tonë dhe nuk shqiptojmë ndonjë fjalë të ndyrë ose ngrejmë dorën.


Vetëm një pjesë e madhe intelektualësh që e duan veten e tyre, që vlerësojnë më shumë se gjithçka atdheun ku kanë lindur, bëjnë maksimumin e tyre për të gjetur fjalë që kanë një tingull të bukur në shqip. Sigurisht që meritën e madhe e kanë përkthyesit e mëdhenj si Shvarc, Nonda, Varfi që nëpërmjet përkthimit të perlave të letërsisë kanë qëndisur gjuhën shqipe. Pa harruarr këtu dhe shkrimtarët e mëdhenj që nga Naimi, Kadare, Dritëroi, Xoxe që rrëmojnë në thesarin e popullit për të gjetur kryevepra. Një fjalë shqip që populli e ka krijuar me shumë mençuri tingëllon vlerë dhe respekt për ta futur në gjuhën e mendimit dhe të shprehjes. Le të bëjmë disa krahasime djalë i ri -djalë riosh, nëse do thoshe -e vetme- s’mund ta krahasosh me fjalën popullore –kallogre-, ose sprapsem - zbyth. Populli ruan thesare të mahnitshme, puse, ku dija njerëzore është grumbulluar me aq shumë mund.
Anonymous
Musafir
Vizitor

Tradhëtia ndaj gjuhës shqipe Empty Re: Tradhëtia ndaj gjuhës shqipe

23rd March 2008, 04:05
E megjithatë, modërat e reja që kanë nisur të duken dhe në emërtimet e rrugëve, duket sikur i bën indiferentë njerëzit realë. Fenomeni i kujtesës së një populli nuk mund të ndryshojë shpejt. Janë disa monumente, disa vende me emër që do mbeten jetë e mot. Siç janë pazari i vjetër, Flora, rruga e Elbasanit, rruga e Kavajës, Tirana e Re e shumë emra toponime që lidhen me kujtesën e një populli dhe nuk mund të zhduken kollaj.


Por huazimet nuk mund të frenohen nga askush. Sepse është koha e globalizimit të gjithçkaje. Dhe fundi i fundit kanë hyrë shumë.

Mjafton vetëm një shëtitje rreth 15 katëshit. Do të zënë sytë tituj dyqanesh dhe baresh si London, Firenze, Biznes Shop, Internacional, Chaplin, Piazza, Athina, Akropoli, Carlsberg, Manhatan, e shumë emra të tjerë qytetesh nga filli i botës në fund të saj, që emërtojnë bare e dyqane. Disa prej pronarëve kanë jetuar në ato vende dhe duket se i sjellin kujtimin duke emëruar biznesin e tyre. Ndërkohë që restorantet popullore mbajnë tituj pak të çuditshëm por që japin ngrohtësinë e familjes Tymi, Xha Rrema, Oxhaku, Devolli, Korça, Përmeti, Ali Pasha, Tepelena, Vjosa, Kashta, Tirona, Oxhaku, Tetovarët e shumë të tjera. Emri, sipas biznesmenëve zgjidhet nga luksi. Nëse bëhet fjalë për një dyqan të shtrenjtë duhet të jetë patjetër me emër të huaj, ndërkohë që ato të dorës së lirë kanë emër shqiptar. Një lloj padrejtësie që ia bëjmë vetes dita ditës. Sepse duhet të kemi parasysh që të huajt do na vlerësojnë siç duhet vetëm kur ne të jemi vetvetja, të kemi gjuhën tonë, traditat tona.
Anonymous
Musafir
Vizitor

Tradhëtia ndaj gjuhës shqipe Empty Re: Tradhëtia ndaj gjuhës shqipe

23rd March 2008, 04:05
Por shumë gjëra ne na shpëtojnë, ndoshta nga dëshira e madhe që kishim për të qenë si bota. Para disa ditësh një plak ishte duke i treguar një histori familjare nipërve të tij. Dikush nga fisi i tij i kish ardhur për vizitë në shtëpi. Quhej Mahmut. Fëmijët e tij, atëherë të vegjël nuk e njihnin, por kur dëgjuan këtë emër filluan të kakariseshin në të qeshura që s’mbaronin. Dëgjon dhe miku dhe i thotë të zotit të shtëpisë: Përse qeshin fëmijët. I zënë ngushtë plaku që atëherë kish qenë rreth 35 vjeç i thotë pak me turp:qeshin për emrin tënd. Po kush ta ka vënë more derëzi dhe i nis dhe atij kukuritja. Më pas gjithçka kthehet në shaka. Në kohët e shkuara prindërit të kushtëzuar nga kushtet ekonomike dhe zakonore, derdhnin tek e ardhmja e tyre një dëshirë për të frenuar vullnetin e Zotit për shumë fëmijë. Sose, Mbarime, Mjaftoni, kanë qenë emra që janë krijuar nga dëshira për të mos bërë fëmijë tjetër dhe që ishin rrjedhojë e varfërisë që kish pllakosur ekonominë shqiptare. Emra të tij vihen shumë rallë në ditët e sotme, vetëm në nderim të ndonjë gjysheje që nuk jeton më, duke marrë një rrokje dhe duke e modernizuar. Meqë përmendëm punën e emrave, në ish kohën e diktaturës shumë fëmijëve që lindnin u vihej emri i diktatorit dhe i fëmijëve të tij. Një gjë që ndodh në gjithë diktaturat e botës. Tre vjet më parë kur u rrëzua diktatori i irakut dhe.... mbi 50 mijë veta ndërruan emrin e tyre. Quheshin Sadam. Një mentalitet që fundi i fundit pikaset në të gjitha vendet e botës.


Por emrat e bukura shqipe janë shumë si Flutura, Shpresa, Bajame, Pranvera, Shega, Fatime, që i përkasin një brezi që do zhduket pa u ritransmetuar. Ndërkohë që emrat Gëzim, Bashkim, Urim, Përparim, Alban, duket sikur përdoren më shumë në Kosovë sesa në Shqipëri. Tendenca e shqiptarëve është t’i vënë emra të huaj fëmijëve të tyre, duke menduar se janë shumë internacionalë dhe kuptohen nga të gjithë. Emra si Alba, Stela, Keti. Luis e shumë amerikanizma, italianizma, greqizma kanë pushtuar listën e thërritjes së emrit nëpër shkolla. Kjo tendencë është akoma më e madhe në vendet ku shqiptarët kanë emigruar. Por sigurisht dhe ky është një shtrembërim që i bëjmë vetes, thjeshtësisht pa e kuptuar.

Një mendimtar i madh ka thënë që, bota është një fshat i madh, ku të gjithë pak a shumë ngjajmë me njëri tjetrin. Na ndan vetëm e shkuara, kultura që paraardhësit na kanë transmetuar dhe do i trashëgojmë në të ardhmen. Shumë gjëra do ndryshojnë në të ardhmen. Por një gjë është e sigurt: koha do filtrojë modërat, por jo shqipen e kulluar. Ajo është pasaporta jonë, gjaku i jetës shqiptarëve në shekuj... Për atë gjuhë duhet të luftojmë të gjithë.

 
Shkruan: Albert Zholi
Anonymous
Musafir
Vizitor

Tradhëtia ndaj gjuhës shqipe Empty Re: Tradhëtia ndaj gjuhës shqipe

25th March 2008, 02:59
Gjuha shqipe është gjuha më e vjetër në botë.
Sponsored content

Tradhëtia ndaj gjuhës shqipe Empty Re: Tradhëtia ndaj gjuhës shqipe

Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi