Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Mary
Mary
Anëtar elitë
Anëtar elitë
Regjistruar : 04/02/2008
Postime : 4917
Info : a good sense
Points : 51
Reputacioni : 50
Medalje Red Medalje Blu Medalje Green
https://zeriyt.albanianforum.net

Ben Blushit--- Të jetosh në ishull Empty Ben Blushit--- Të jetosh në ishull

6th May 2008, 10:48
Të jetosh në Shqipëri

Mbi romanin e Ben Blushit, "Të jetosh në ishull"

Ilir Yzeiri

Botimi i romanit "Të jetosh në ishull", i shkrimtarit Ben Blushi, është vënë në qendër të debateve pothuajse në të gjitha hapësirat mediatike që përpunojnë opinionin publik në Shqipëri. Është rasti më spektakolar për të parë se si funksionon, si është endur dhe çfarë përfaqëson opinioni i kultivuar shqiptar, është rasti për të verifikuar edhe njëherë se mendimi apo idetë në Shqipëri, për fat të keq, nuk kanë ndryshuar, se sot hapësira publike shqiptare është një zgjatim i trishtë i mentalitetit sociologjik vulgar që u ngjiz në diktaturë dhe që vazhdon të mbulojë si një ferexhe edhe sot trutë, edhe ashtu të tharë, të pjesës dërrmuese të atyre që mediatizohen vend e pa vend dhe me të njëjtin kut, si kur diskutojnë për konfliktin në PDK, si kur diskutojnë për amendamentet kushtetuese, si kur diskutojnë edhe për një vepër letrare. Nga kjo pikëpamje, në Shqipëri, përfundimisht, nuk ekziston hierarkia e mendimit, por homogjeniteti butaforesk i analizës marksisto-demokratikase që për çdo problem ka gjithmonë edhe një zgjidhje. Romani i Ben Blushit pati meritën e madhe se i zhveshi edhe njëherë lakuriq trupat e mjerë të kasnecëve të opinionit publik të mediatizuar dhe tregoi gjithashtu edhe shkretërinë e verdhë në të cilën endemi të gjithë si në jerm, pa asnjë institucion mendimi që të na shpjegojë, të na interpretojë apo të na magjepsë edhe me kumtin e misterit, që të na thotë se jo çdo gjë mund të shpjegohet, se një vepër letrare është gjithmonë një mister, se kur gjendesh përballë saj ka gjithmonë me mijëra interpretime, ka gjithmonë edhe mistere që edhe vetë shkrimtari nuk i shpjegon dot. Kështu, përshtypja e parë që të krijohej kur shihje dhe ndiqje debatet për romanin e Blushit, ishte ajo e hallvës. Të dukej se një grup njerëzish përtypnin faqet e romanit që u binte në gurmaz si një hallvë e ngrohtë, me thelpinj arrash që ata i gëlltisnin pa përtypur. Hallva pastaj shpërndahej në shkretërinë e verdhë shqiptare dhe ti duhej të pyesje: vallë kush e gatoi këtë hallvë? Nuk e ka gatuar askush, por e kemi përgatitur të gjithë; dikush duke sjellë miellin, ndonjë duke përzier në miell arra të paqëruara dhe, për ta përzierë pastaj, të gjithë zgjodhëm hurin e madh e ia dhamë në dorë njërit dhe ai e shtiu në kazan duke e përzier herë nga e majta në të djathtë e herë nga e djathta në të majtë. Gjithë yndyra jonë e mendimit të verdhë e varfanjak është në lagështirën e dorës së atij që e vërtit këtë hu. Këtë hu ne e kemi nxitur të gjithë, herë me brohoritma e herë me plumba, që ai të vërtitej në kazanët e shpirtrave tanë me fuqi të tillë që të na përziente mirë jo vetëm trutë edhe ashtu të mpira, por edhe që të na kruante mirë fundin e mendimit apo të kazanit tonë emocional ku ziejnë emocione agresive, mendime dhe përfytyrime të ngurta. Dhe, kështu, në gjithë këta vjet, ne nuk ndërtuam dot asnjë institucion të mendimit, nuk ngritëm dot në këmbë asnjë godinë që të merrej me interpretimin dhe analizën e artit apo të letërsisë. Ndaj dhe romani i Ben Blushit, kjo ngjarje e parë kulturore në këta 18 vjet, e dëshmoi qartë shkretëtirën e verdhë dhe me pluhur të mendimit intelektual e kulturor shqiptar.



Efekti i dytë që provova kur ndiqja atë që shkruhej apo flitej për romanin e Ben Blushit ishte emocioni që kam ndier kur kam lexuar se çfarë kanë vuajtur e çfarë heqin edhe sot Khaled Hosseini, shkrimtari afgan i romanit të famshëm "Gjuetari i balonave", Orhan Pamuk, shkrimtari turk që fitoi "Nobel"-in më 2007-ën dhe, e fundit, ajo që provon e ndien Ismail Kadare sa herë që i duhet të vijë në Shqipëri. Që të tre këta shkrimtarë, secili sipas "krimit letrar" që ka kryer, janë të padëshirueshëm, të kryqëzuar e të blasfemuar në vendin e tyre. Hosseini jeton në Amerikë, por nuk mund të kthehet në Afganistan, Pamuk jeton në fshehtësi dhe me roja, madje tani së fundmi e ka braktisur Turqinë dhe jeton më shumë në Amerikë, ndërsa kur kthehet në Turqi i duhet të jetojë me roja dhe i fshehur. Kadareja sa herë që vjen në Tiranë i duhet të përgatitet që një javë më parë për fyerjet, sharjet dhe anatemimet që do të nisin si në kor gazetat e Tiranës. Ndërsa Ben Blushi, mesa duket, këtej e tutje, do të duhet të mendojë se edhe Shqipëria për të mund të kthehet në një ishull, se një pjesë e opinionit shqiptar e sheh atë si heretik dhe se hallva e mediokritetit apo e opinionit regresiv mund ta detyrojë që, ashtu si Sara e romanit, të marrë rrugën me arkën me vete. Romani i Ben Blushit zbuloi qartë se shoqëria shqiptare nuk është tërësisht perëndimore, se ne ngjajmë me rrethinat e Stambollit dhe me pluhurin e Kandaharit, se ka mbetur larg periudha e viteve ‘30 kur në Shqipëri shtypi ishte vërtet tribuna e ideve të mëdha që përpunoheshin nga mendjet më të ndritura të kombit shqiptar dhe ku asnjë debat nuk ishte tabu, ku identiteti oksidental shpallej e mbrohej me forcë. Por le të kthehemi te romani.

Alfred Glauser në analizën që u bën poezive të Hygoit, thotë se për të- Hygoin- bota është një tekst që poeti i madh e lexon duke u mbështetur në zbërthimin e katër fjalëve: zjarr, det, qiell, re. Marsel Proust në artikullin e tij të famshëm, "Contre Saint-Beuve", thotë mes të tjerash se një shkrimtar i madh dallohet nga të tjerët sepse gjuha e tij nuk ngjet me gjuhën që flasin të vdekshmit e tjerë, bashkëkombës të tij; ajo është si një gjuhë e huaj brenda gjuhës që flasin të gjithë. Kështu, thotë ai, Floberi duket se ka shkruar në një frëngjishte tjetër, "të huaj", nga ajo që përdorin francezët. Ky karakterizim i fundit është sinjifikativ për të shpjeguar se përse ndodh që një vepër krijon debat, prek publikun dhe bëhet ngjarje për ta? Po të kthehemi pak prapa në kohë, do të kujtojmë se botimi i çdo vepre të Kadaresë në diktaturë krijonte ankth, bëhej ngjarje. Pse? Ndoshta edhe pse, siç thotë Proust, shkrimtari shkruante me një gjuhë tjetër që ishte e ndryshme nga ajo që përdornin shqiptarët. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me romanin e Blushit. Aty kemi një tekst që autori e ka lexuar ndryshe, e ka shkruar me një gjuhë "të huaj", të ndryshme nga gjuha që përdorin shqiptarët. Autori duket se ka medituar gjatë për thelbin e identitetit të shqiptarëve, të ballkanasve, për natën e gjatë osmane, për konvertimin dhe si një ankth shkatërrimtar ka mbajtur me vete për shumë kohë një emër: Voskopojën. Ç‘është ky emër, ky qytet, ky ishull. Pse sot nuk është më? Çfarë do të ndodhë po të zbulohet pllaka e harrimit që mbulon këtë emër? Si nisi konvertimi? Cili ishte i pari që u konvertua? Kuptohet që gjithë këto mistere mund t‘i mbajë si ankth në shpirt vetëm një shkrimtar me kraharor të gjerë që ndien edhe afshin e një treve të gjerë që ka mbajtur dikur mijëra mite, pastaj Bizantin dhe në fund Kretën, këtë simbol ballkanik të ishullit të largimit, të ishullit të humbur tëhuajsimit, të këtij vendi që, në simbolikën ballkanike, është mjedisi ku mund të marrësh strehim jo politik, por kulturor, sa herë që guxon të zbulosh pllakën e harrimit që mbulon Voskopojën. Romani nis që në fillim me një histori që lexuesi shqiptar e ndesh për herë të parë. Në një fshat të Jugut, pikërisht aty ku në krye të pleqësisë është pinjolli i një familjeje të madhe, Arianit Komneni, një nga fshatarët ka vendosur të konvertohet, të bëhet mysliman. Ai shkon te hoxha dhe vendos që këtej e tutje të thirret Ibrahim. Të duket se zbulohet misteri i ditës së parë të ngjizjes së një vetëdijeje që do të vijë deri në ditët tona, me rite, besime e kundërshti që i hasim edhe sot. Jemi në shekullin XVIII dhe autori duke ndjekur stilin e rrëfimit të romanit modern e ka shmangur rrëfimin e jashtëm. Historia dhe personazhet që vizatohen aty janë vënë në një kaleidoskop që ndriçon ngjyrat e reflekseve të sotme. Nga kjo pikëpamje, Blushi vazhdon stilin e rrëfimit modern ku uni i shkrimtarit, tjetri dhe bota janë të shkrirë. Kadareja e solli në letërsinë shqiptare dhe është sot një nga shkrimtarët më të shquar në botë që rrëfen pa e ndarë ngjarjen nga rrëfyesi, duke i dhënë tekstit karakterin e një refleksi të thellë, në të cilin gjithkush bëhet autor, ndjehet i përfshirë dhe ka ndjesinë se po lexon një ngjarje që ndodh sot, jo një ngjarje historike. Edhe në romanin e Blushit ndërhyjnë me të njëjtën lehtësi personazhe të njohura nga historia si Ali Tepelena, i cili në përfytyrimin e shkrimtarit nuk është pashai i ndritur, por një që të ngjet me të fortët e kohës sonë, që kanë si kuptim të parë të jetës lakminë dhe epshin. I vetmi që mbetet larg është Arianit Komneni, sepse ai është ëndërr dhe atë shkrimtari më shumë e ka ndërtuar me mjegullën e ëndrrës, sesa ka ekzistuar, ai është njeriu që do të donim të gjithë të jetonte edhe sot, por ai, meqenëse është ëndërr, nuk mund të shfaqet bashkë me të gjallët e tjerë. Ndaj figura e tij është tragjike, sepse Arianit Komnenë ne jemi të gjithë nga pak, por vetëm në ëndërr. Këtë thelbin tonë të dëlirë ne e kemi vrarë dhe merita e Blushit është se ai bën përpjekje të stërmundimshme që të na e rikujtojë. Romani të duket kështu se nuk ka një ngjarje, një fillim dhe një fund. Në fakt, nga kjo pikëpamje, romani i Blushit të kujton "Mitin e Sizifit", të Kamysë. Blushit nuk i intereson një ngjarje, por i duhet ajo që ka ndodhur, i duhet të kuptojë pse është varrosur Voskopoja? Pse u shua ky ishull? Dhe për të treguar këtë mister ai endet bashkë me Arianit Komnenin në Stamboll, që të marrë eshtrat e babait. Arka dhe udhëtimi në det, pastaj takimi me Shebën, dashuria në Lesbos dhe lindja e Sarës dhe një rraskapitje e madhe në shpirt për të gjetur kuptimin e jetës me konvertim. Një endje sa në mitologji, sa në Dhiatën e Vjetër, një kërkim tragjik për të marrë vesh fatin dhe për të shpjeguar fatin e sotëm, fat tragjik që ka në altarin e flijimit Arianit Komnenin, këtë ëndërr që nuk e bëmë dot të gjallë. Ibrahimi konvertohet dhe jeta vazhdon si më parë. Ngjarjet i shtyn kërkimi i eshtrave. Sara martohet me Ibrahimin dhe fëmijët e kësaj familjeje me emrat Ali, Muhamed, Mihal me reflekset mitologjike nëpër flokë, nuk jetojnë jetën e zakonshme të fëmijëve, por luajnë rolet historike të projektimeve herë në mitologji, herë në historinë e largët e herë në historinë reale.

vazhdon....
Mary
Mary
Anëtar elitë
Anëtar elitë
Regjistruar : 04/02/2008
Postime : 4917
Info : a good sense
Points : 51
Reputacioni : 50
Medalje Red Medalje Blu Medalje Green
https://zeriyt.albanianforum.net

Ben Blushit--- Të jetosh në ishull Empty Re: Ben Blushit--- Të jetosh në ishull

6th May 2008, 10:48
vazhdimi....

Kjo përzierje e kohërave është në themel të logjikës së romanit, i cili nuk ka një ngjarje të vetme, por ka refleksin tragjik mbi shumë ngjarje dhe për t‘i lidhur ato autori ka zgjedhur një personazh ose një fat: është Arianit Komneni, i cili në fillim shfaqet si kundërshtar i vendimit të Ibrahimit për konvertim, pastaj ndërhyn Ali Tepelena që kërkon të bindë Komnenin që të lejojë Ibrahimin që ta çojë jetën me zgjidhjen që ka përqafuar. Në këto takime ndërhyjnë digresionet dhe Araniti është më shumë një imazh, një hije që gjithmonë duhet të ikë, të largohet. Ikja e tij njëherë motivohet me eshtrat dhe kërkimin e varrit të të atit. Udhëtimi i tij me arkën bosh, ku do të fuste eshtrat e të atit që të vinin e të preheshin në fshat, është një simbolikë që fsheh brenda e ruan një realitet të ri: tëhuajsimin. Pas kësaj që po ndodh, pas konvertimit të madh, ai sjell nga udhëtimi një filiz të ri, frutin e një dashurie të vonë, Sarën dhe e vendos atë në fshat, në mënyrë që ai përsëri të largohet, të ikë, në mënyrë që edhe Sara të mos ndjehet e qetë në atë vend, por edhe ajo të rritet me ankthin tragjik të largimit, gjithashtu, me arkën bosh të eshtrave. Në këto largime, në mes të tyre janë rrëfimet për atë që ka ndodhur, janë parathëniet e fatit tragjik, ndër të cilat ajo për Voskopojën është ndër faqet më të bukura të letërsisë shqiptare. Kur autori kërkon të motivojë edhe largimin e Sarës nga fshati me arkën bosh, që të gjejë eshtrat e të atit, Aranitit, të duket se ai lexon një testament, një fat të parathënë. Isaku, një pinjoll tjetër i familjes së Arianitit, është nyja që lidh rrëfimin në këtë rast. Dhe Voskopoja, shkëlqimi dhe varrosja e saj, Marin Kurila apo Sali Benishi, trembëdhjetë lagjet dhe e katërmbëdhjeta janë më shumë parathënie shkrimesh të shenjta, sesa histori. Duke vizatuar shkëlqimin dhe rënien e Voskopojës, Blushi e ka lënë fantazinë të dredhet furishëm. Rindërtimi i qytetit me akademi, me tregtarë e kisha, me taverna e poetë, me vajza e banditë dhe me një personazh fatal, Sali Benishin, që të duket se na është dërguar nga Zoti apo nga Zotërat për të na hedhur gjithmonë në djegie e shkatërrime. Voskopoja është rindërtuar jo aq për historinë, sesa për simbolikën që mbart. Në fakt historia jonë ka gjithmonë një Voskopojë të varrosur e të djegur dhe gjithmonë një Sali Benishë. Ky është fataliteti që na është parathënë mesa duket nga ndonjë tekst i shenjtë. Voskopoja ka simbolikën e arratisë, të Isakut që duhet të largohet. Arrati që të kujton fatin e shumë e shumë personaliteteve që kanë lënë e vazhdojnë ta lënë këtë vend sa herë që ai digjet. Voskopoja ka edhe simbolikën e bandës e të banditëve që vendosin të marrin në dorë fatet e këtij vendi, një simbolikë që mund të lexohet e të shfaqet në të gjitha kohërat. Në anën tjetër është demistifikimi, kjo vetëdije moderne që ka brenda dyshimin dhe shkatërrimin e miteve për heronjtë. Sipas shkencëtarëve të komunikimit, Langacker, J. P. Meunier, Piaget, etj., popujt e pazhvilluar janë në atë gjendjen e parë të fëmijës në të cilën uni, tjetri dhe bota nuk ndahen dot. Identifikimi i këtyre popujve bëhet jo përmes projektimit te tjetri, tek i ndryshmi nga unë, por te një perëndi, te një hero, te një mbret. Kjo lind kultin e adhurimit dhe të mosprekjes, kjo zëvendëson në një farë mënyre sipas sociopsikolinguistëve edhe figurën e babait. Dhe po këta shkencëtarë kur flasin për vetëdijen evropiane, pra për daljen nga qendra, sepse uni bëhet qendra, thonë se karakteristikë e kësaj vetëdijeje është ajo që në mënyrë metaforike quhet "të vrasësh babanë", në kuptimin që të heqësh projeksionin tënd mbi heroin, ta demistifikosh atë. Këtë kanë bërë gjermanët me francezët kur pushuan luftërat mes tyre për kufijtë. Ndërsa ne, popujt e Ballkanit, jemi dëshmia e gjallë e bashkëjetesës me mite dhe heronj. Ne jemi të pasigurt, të brishtë dhe dobësinë tonë e plotësojmë me forcën që kemi projektuar te heronjtë, te liderët. Blushi, pas Kadaresë, në letërsinë tonë, shfaqet si një intelektual i lirë dhe vë në dyshim gjithçka. Kjo vetëdije e re, e guximshme dhe perëndimore në një vend me mentalitet provincial e lindor, do të krijonte ilaritet, do të keqkuptohej do të zinte në befasi vetëdijen e mykur të një vendi që nuk ka institucionet e mendimit. Ndaj romani shtyhet në veprim edhe nga një personazh tjetër, nga Sara, sepse ky roman që të duket sikur nuk ka një subjekt klasik, është në fakt një vepër në të cilën ngjarjet i lidh dhe i lëviz ikja në ishull. Të gjithë ikin. Në fillim ikin për të gjetur rrënjët, por pastaj pasi i sjellin ato në vendin e tyre, ikin bijtë që të gjejnë rrënjët e baballarëve të tyre. Gjithë kjo endje bëhet në një trevë të gjerë me kisha e xhami, me konvertime e me mitologji dhe gjithë këto ikje nisin në një fshat që, në një krah ka Ali Tepelenën dhe në krahun tjetër Voskopojën e djegur, pastaj në një drejtim është Stambolli dhe në drejtimin tjetër është Kreta, është ishulli ku varrosen ëndrrat e jetës së parë, të jetës para otomane. Dhe Sara i gjen eshtrat e të atit, i merr i fut në arkë dhe arka i fluturon poshtë në det. Një metaforë e shkëlqyer që simbolizon shuarjen e ëndrrës, mungesën e asaj që ne nuk e sollëm dot deri në ditët tona. Më në fund romani është një mozaik ngjyrash dhe është shkruar me një gjuhë tepër moderne. Që artin e të shkruarit Blushi e zotëron, ne tani këtë e dinim nga përvoja e tij si gazetar, madje si një nga gazetarët më të talentuar, por që ai do të shfaqej edhe me stofin e një shkrimtari modern që e përdor shqipen me lehtësinë e një mjeshtëri, që ndërton karaktere, ngjarje, situata të cilat paraqiten me stilin e shkrimeve të shenjta, ku ngjarja nuk shpjegohet, por tregohet njolla që ajo të ka lënë, këtë na e vërteton ky roman. Kjo mjeshtëri në rrëfim ka bërë që ngjarjet, personazhet dhe ambientet të duken se janë të kohës sonë, se personazhet janë ahistorikë, sepse gjithë vepra ka vetëm një ankth: të shpjegojë pse na ndodh që, kohë pas kohe, na duhet të arratisemi në ishull, nga na ka ardhur kjo plakje në tru, ky zvetënim, kjo mpirje? Pse pra na duhet të ikim në ishull? Është e para herë që në letërsinë shqiptare na vjen një vepër që ngërthen brenda gjithë pikëpyetjet e ekzistencës sonë historike, që na zbulon si ato shtresat gjeologjike gjithë nënshtresat e pavetëdijes sonë të fjetur. Por romani është edhe një alegori, por një alegori që mund të kuptohet më mirë po të ngjitemi pak në kohë. Letërsia e arbëreshëve me De Radën në ballë krijoi metaforën e "gjakut të shprishur", Kadareja me "Nëpunësin e pallati të ëndrrave" apo "Sjellësin e fatkeqësisë" rikrijoi alegorinë e sistemit mbytës që mund të vendosej qoftë pas epokës së shprishjes së gjakut, qoftë edhe në epokën e komunizmit kur nata osmane dhe filozofia e rrënimit të jetës së tjetrit u bënë kult i një regjimi që zgjati 50 vjet. Ben Blushi i rimerr të dyja këto alegori dhe me "Të jetosh në ishull" na rrëfen alegorinë e asaj që ka ndodhur në vetëdijen tonë që nga koha e "gjakut të shprishur", pastaj edhe që nga koha e sjellësit të fatkeqësisë, për të na dhënë metaforën e ishullit, metaforën e tëhuajësimit që prodhon një vend me gjak shprishur, me Voskopojën e varrosur dhe me Sali Benishin si alegori e djegies dhe shkatërrimit. Për këtë arsye Ben Blushi shënon kthesën e parë në historinë e letërsisë shqiptare pas viteve ‘90 dhe e ngjit traditën më të mirë të kësaj letërsie në kuota të reja. Libri do të jetë ngjarje edhe në realitetin evropian dhe me këtë vepër ne ndoshta mund t‘u tregojmë përsëri evropianëve se ashtu si me Kadarenë, edhe këtë radhë letërsia është një art që lind në këtë vend ku askush nuk e kupton mirë tjetrin, por ku të gjithë nuk duan të dinë për tjetrin, pra, në një vend ku të gjithë do të ishin gati që për shkak të keqkuptimit më të vogël, të arratiseshin në ishullin më të parë.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi