Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Kristaq Shabani
Kristaq Shabani
Anëtar i vjetër
Anëtar i vjetër
Regjistruar : 19/11/2015
Postime : 733
Points : 1430
Reputacioni : 5
Medalje Medalje2 Medalje3
http://www.pegasiworld.com

Bilbili qëmtoi nektarin ... Empty Bilbili qëmtoi nektarin ...

14th June 2016, 11:19
Bilbili qëmtoi nektarin ...
 
Dr. Hekuran A. RAPAJ, Sekretar  për Shkëmbimin Universal të Vlerave, i LNPSHA “PEGASI” ALBANIA, Anëtar i AKADEMISE ALTERNATIVE PEGASIANE
Recensë per librin ”Ç‘këndokan këta biblilë?...” të këngëtarit Vasil Çuri (Vaska)
 
Dëshira për të shkruar diçka mbi bilbilin e këngës perlë popullore përmetare, dhe më gjerë; më ka lindur prej shumë kohësh, që kur njoha nga afër trashëgimtarin dhe përcjellësin e traditës së shkëlqyer të muzikës tradicionale popullore përmetare, Vaskë Çurrin, në Lidhjen Ndërkombëtare të Poetëve, Artistëve dhe Shkrimtarëve Ndërkombëtarë, “PEGASI” Albania. Kjo Lidhje, është e vetmia armatë e fuqishme, përfaqësuese dinjitoze mbarëkombëtare e shkrimtarëve dhe artistëve, si dhe e personaliteteve të shkencës dhe kulturës shqiptare...
Së pari,  për Vaskë Çurrin nuk mund të shkruash si për një këngëtar virtuoz, por edhe si një këngëmbledhës popullor, qëmtuar e zgjedhur mjaltin e poezisë dhe këngës lirike përmetare. Kur u përballa me një punë të jashtëzakonshme të traditës popullore të zonës së Përmetit, provova një ndjenjë emocionale realiteti. Kjo hapësirë zgjerohet e thellohet në përballjen aktuale, ku mjaft vlera kombëtare të historisë, të kulturës, folklorit, polifonisë etj., më e pakta, po keqinterpretohen nga amatorë dhe, me e keqja, manipulohen për ego, apo për qëllime të ndryshme nga dashakeqësia.
Në këtë kompleksitet, jo fort të këndshëm, dhe me hapësirë të ngushtë pune, vështirë është mbledhja dhe, aq më tepër, përmbledhja e folklorit popullor. Midis mbledhësve e studiuesve folkloristikë të këngës shqiptare, tashmë , një “Thimi Mitko përmetar”, nxënësi i të mëdhenjve, Mentor Xhemalit e Laver Bariu, erdhi në ambientet tona, i qetë, i qeshur, plot dashuri, më i rritur, por më shumë i rinuar. Mirëserdhe, zemërbehari Vaskë Çurri!
Në këtë përmbledhje”Ç‘këndokan këta biblilë?...” me autor Vaskë Çurin, redaktor Prof. Kristaq F. Shabani, u vendosa përballë autobiografisë kolosale shumëmozaikshe të këngës tradicionale përmetare. Vaskë Çuri, me këtë përmbledhje, na sjellë risi vlerash.
Së dyti, Vaska është lindur dhe rritur në ambientin e një familjeje me tradita të pasura patriotike,  lidhur fort me traditën e muzikës popullore përmetare. Këto zinxhirë të ADN-së, nuk mund të mos e shtrinin, pjellmimin lule më lule, për vendin e tij të dashur, Përmetin dhe për tërë Shqipërinë. “Marrose djemtë,/ m’i shushate fare,/Thëllëzë e Dhëmbelit, Vajza përmetare./ “Hidhu dhe përdridhu, /do ta shohësh vetë,/ Bilbili i Përmetit, s’është aq i qetë”. (Thëllëzë e Dhëmbelit). Pa tjetër, që mrekullia folkloristike përmetare i ka kumbuar ëmbël në zemër, në shpirtin, në veshin e janë bërë një me ekzistencën dhe frymëmarrjen e tij që në rininë e hershme. Si një këngëtar i afirmuar kombëtarisht, i paepur në përcjelljen e vlerave për dashamirësit dhe ndjekësit e muzikës popullore, kudo që jetojnë në Evropë dhe përtej oqeanit, afirmohet edhe në këto vlera: në çështjen e metodës së kërkimeve e përzgjedhjes folkloristike -lirike. Me anën e këtij botimi, Vaskë Çurri i palodhur, atdhetar i veçantë, vendosi një gur të rëndë në themelet e çështjes folkloristike përmetare e mbarëkombëtare. “Rri mendohem për Shqipërinë,/Sytë e mi me lot janë mbushur...” (Malli  për Atdhe, shkruar prej Tij).
Së treti, Puna kolosale e disa viteve mund të krahasohet me atë çfarë kanë bërë institucionet e kulturës e të traditës popullore, të cilat, për fatin e zi, i ka zënë gjumi. Në këtë përmbledhje, të nektarizuar me ajkën e polenit përmetar, ai ka ruajtur të pasur gjuhën popullore të vendlindjes, duke na dhënë një fushë të blertë mbushur me lulëzimin lirik, ku çdo lule flet me gjuhën dhe prezencën e vet. “Thëllënxë e bukur në shkëmb, o thëllënx-o,/Kur dëgjova zërin tënd,/Shastisa, mbeta në vend...” (Thëllënxë e bukur në shkëmb).
Së katërti, Botime folkloristike janë bërë edhe nga të tjerët. Vaskë Çurri kapërcen renditjen tradicionale dhe na fut në lapirintet e këngës popullore, në lule, në trëndafila e në pemë. “Ç‘u ngrit lulja  në mëngjes,/Duke larë sytë e zes/Ç‘i ra baçes mes për mes,/Këput trëndafil me vesë./Po ç’i do lulja trëndafilat-ë...” (Ç‘u ngrit lulja  në mëngjes). Ai na mahnit me shumicën e luleve-këngë, na jep oreks, na fal dashuri dhe liri për të vepruar, udhëtuar, kënduar e zgjedhur. Vaskë Çurri me origjinalitetin tipik, që e karakterizon, ka shpalosur natyrën, karakterin, intelektin, profesionalizmin dhe gjenezën e tij. Ai është tradicionalisht shpirtërisht përmetar, i pandryshuar. “Njeriu në këtë botë, /Me një gotëzë raki,/Zë një mik e ka për kokë/Dhe mbaron punën e tij./Dhe vera është e  mirë, /Po vera thjesht prej rrushi, /Pa e kthej, me një dëshirë/Dhe të çel, të skuq  si rrushi”. (Kënga e rakisë).
Së pesti, Vaskë Çurri nuk  e mendon veten jashtë mjedisit jetësor të gurrës popullore, ambientit të lindjes, rritjes dhe punës. Këngët e mbledhura varen tërësisht nga rrethanat e këtij ambienti dhe imtësisht të lidhura me vlerën që gjallon e që e rrethon. Në syrin e ndjenjën e një folkloristi çurian, jeta e vlerave të këngëve: “Në penxheren tënde”, “Moj sorkadhja qafëgjata”, “Po bie dëbora”, “Hajde, lepurushe”, “Çeli manushaqja, s’bëra me shëndet”, “Ti , moj thëllëzë, thëllëzë e malit”, etj., vazhdon pandërprerë. Brenda këtij mjedisi, mjeshtri i muzikës, bën kombinimin dhe vlerësimin e vlerave shpirtërore, ndërsa  qarkullimi dhe rrjedhja e energjive brenda vetvetes, i jep origjinalitetin: “Ti , moj thëllëzë, thëllëzë e malit,/Bere merak nja dy djem,/Të të puth nishanin e ballit,/Kam frikë  se më rrëfen”, si dhe “O, ç’po bie dëbora,/ Mbuloi fushë e pemë,/Zgjohu, moj çupë e bukur, hape penxherenë”.
Së gjashti, Këtë proces në folklorin lirik të Përmetit e lartëson dashuria. Le të përpiqemi të përfytyrojmë jetën njerëzore pa dashuri? Dashuria njerëzore dhe seksuale ngelen pjesë e personalitetit të sjelljes sonë shoqërore, njerëzore, kombëtare e individuale; pjesë e emocioneve të jashtëzakonshme dhe i qëndrimeve tona. Karakteri individual i Vaskës është rrjedhje e identitetit qytetar përmetar. “Të pres mike,  mu në lëmë,/Të themi, ç’nuk kemi thënë,/Meraqet t’i zëmë me radhë,/Zgjuar do rrimë një natë”. (Të pres mike). Dashuria dhe karakteri emocional i saj shpërthejnë, marrin jetë, kur personaliteti njerëzor merr pjekurinë në kuptime të reja për njerëzit, veçanërisht, për njerëzit e seksit tjetër. “Shamiverdha  në përrua,/Hapi krahët m’u lëshua./Unë me vrap iu vërvita/Gushë e faqe ia rrufita. /Pa le kur vajta te cica, /Shamiverdha rica-rica,/Drithërima thashë se vdiqa,/Falë zotit, unë kolisa”. (Shamiverdha).
Natyra, karakteri, ambienti, shpirti lirik dhe human i Vaskë Çurrit, nuk mund t’i shmangej kësaj gjinie të lirikës përmetare, si një e veçantë, e sinqertë, e drejtpërdrejtë e me shije, siç janë ata. “Kur më shkon sokakut,/më shkon porsi flutur,/More syri bukur…/E hollë, e gjatë, mesin e këputur”. (Kur më shkon sokakut....).
Ai jep një tablo të tërësisë së sjelljeve dhe qëndrimeve të gjinive të ndryshme në konceptualitetin e përshtatshmërisë qytetare përmetare në respekt për njërin gjini ose tjetrin. “Ballin tënd, si shesh mejdani/Moj aman, aman,/Vetulla jote si gajtan,/Syri yt si një filxhan,/Hunda jote si qiri,/Faqja jote si hajmali/Buza jote si kuti,/Gusha jote farfuri,/Trupi yt si selvi,Moj aman, aman!”. (Ballin tënd, si shesh mejdani). Ku, në cilën vepër poetike është shkruar më qartë se kaq bukuria vajzërore?
Së shtati, Secilës palë i mësohen rregulla sjelljeje të përshtatshme, brenda shoqërisë përfaqësuese për të dashurën/rin e tyre të veçantë. “Do të marr  për nuse, O moj lepurushe, /O vetullshkruar, O moj sy  larushe, Zemrën ma mbushe”. (Hajde, lepurushe). Vaska i nxit, që t’i përfshijë këto sjellje në mënyrat e tyre të jetesës, duke kaluar shkallë-shkallë, deri në formimin e familjes e normave kulturë në respekt të njëri-tjetrit. Madje, vëmendshmëria dhe kujdesi për atë që do, arrijnë deri në xhelozi. “Nerënxë, të pata thënë,/moj Nerënxë:/“Mos mbush ujë në çezmën tënë,/Se atje ta kanë zënë,/Nja dy djem, nja dy çapkënë/Pa puthur faqet s’të lënë.” (Nerënxë, të pata thënë), dhe “Sa herë në ditë,/m’i ndërron fustanet,/Herë vesh të kuqtë, e herë vesh të bardhët…”. (Në  dritare mo,j më trongëllite). Përmetarët e kanë dashur dhe e duan dashurinë. Arti i dashurisë ngelet një forcë me kahje drejt së ardhmes, drejt pavdekësisë. Vaskë Çurri e qytetaria përmetare e përfaqësojnë denjësisht këtë.
Së teti, Konceptimi i trashëgimisë kulturore, përbërë nga vlerat përfaqësuese të Vaskë Çurrit dhe të ambientit shoqëror të tij, jepen në respekt të normave që ndiqen dhe nga të mirat emocionale të traditës popullore që trashëgohet. Vlerat janë ideal abstrakt, ndërsa normat janë parime të përcaktuara, rregulla që njerëzit  i respektojnë. Normat përfaqësojnë “atë që duhet bërë”, por edhe atë që “nuk duhet bërë”. Qenia besnik ndaj shoqërisë, familjes, ndaj një partneri në martesë, është një vlerë e shtuar që spikat këtë përmbledhje. Vaskë Çurri një familje me tradita, një bashkëshort dhe prind shembullor, nuk mund ta anashkalonte pa vëmendje këtë fakt tradicional.
Normat e sjelljes në martesë na jepen përmes ngjyrimeve emocionale, si burrat duhet të sillen farefisit, ndaj njëri - tjetrit, ndaj dashurisë, krushqisë, ambientit etj. “Të rrita, o moj, të bëra kaq, /O bijë e vogël, o moj e mamasë!/Të rrita, o moj,  me gjithë babanë,/O bandilli,  o ta rrëmbeu sevdanë!” (Të rrit, të rrita). “Në baçen tënde, mbiu një qershi/ Falma, nëma, falma synë zi!/Hajde ta mbledhim bashkë të ëmblën qershi,/Që ta forcojmë më shumë këtë dashuri.”(Në baçen tënde mbiu një qershi). Kultura popullore jepet nëpërmjet mjaft referencave tradicionale për gjithë mënyrën e jetesës së anëtarëve të shoqërisë, te të veshurit; me shami të verdhë, ndjenjë respekti dhe përkujdesjeje, me fustan me gurë pëndë - pëndë, me lule, jeleku me kopsa, me hajmali e me gurë etj.  
Shkojmë te zakonet, kur në  dritare trongëllit me lezet dora me byzylykë e vashës shumë të vogël, që kërkon bandillë, te martesa, te trajtimi e jeta familjare; ku nepërka belhollë goditet në nxitim nga i shoqi. Mirësjellja e kultura e trashëguar familjare me shumë bukuri paraqitet në faljen që kërkon, deri në mallkim, në tharjen e dorës së tij, sepse nuk kishte qëllim vrasjen dhe as përbuzjen. Një apel ballafaques, për familjen e sotme shqiptare, e cila, tërësisht, është tronditur, deri në themeli. Bashkëshorten,  vajza e mrekullueshme përmetare, i dashuri zemrës e krahason atë me hënën, që kur ajo del, ulen malet. Mesazhe të tilla qytetërimi përcillen deri tek mënyra e të punuarit, ceremonitë plot respekt e mirësjellje, kur i dashuri i kërkon një gotë verë balukeprerës, shfrytëzimi i kohës, por dhe tek objektet tërheqëse që përdoren, lyerja e flokëve me borzilok, guna, sënduku etj. Shoqëria përmetare del se është një sistem marrëdhëniesh reciproke që lidhen midis njerëzve. Kultura dhe shoqëria nuk mund të ekzistojnë pa njëra tjetrën.
Së nënti,  Gjenetika kërkimore e Vaskë Çurrit, përcakton mënyrën e grumbullimit dhe gjithë natyrësinë e lirikës popullore përmetare, kalimin e kësaj kulture nga kujtesa popullore drejt realitetit konkret, te vetvetja dhe te fëmijët. Ky genëzim ngelet bazë trashëgimore. “Ta dish sa të dua, nuk bëj shaka,/Të të marr për dore, apo do në kra?”/“A more bandill, ore të më ruash,/Tani që më more, bëmë çfarë të duash,/Vetëm amanet, mos trego, mos thuash”. Populli nuk këndon thatë, por jep të gjallë për trashëguesin e vet, e përcjell tek ne, bashkëvepron me mjedisin, i jep karakterin e vëzhgueshmërisë së personalitetit të vet. Një pionier, bashkëpunëtor dhe udhëtar me mjaft elita të kulturës, me rrezatim mbarë kombëtar, sjellja e Vaskës, është rezultat i këtij ambienti prej shoqërisë dhe traditës familjare-përmetare, mjedisit të papërsëritshëm të qytetarisë përmetare.
Së dhjeti, Gjuha rrjedhëse popullore është ruajtur me kujdes në mënyrën shkencore folkloristike e gramatikore, si një mjet komunikimi, qartësisht i saktë nga tradita te lexuesi, te kompozitori, te këngëtari, e mbi të gjitha, te vetë zemra e popullit. E gjithë kjo, nëpërmjet lirshmërisë dhe ngjyrësimit metaforik të mesazheve të dërguara nga kultura popullore. Pa këtë, nuk mund të gjykojmë qytetarinë e të shkuarës, nuk mund të japim koncepte për të tashmen dhe nuk mund të ndriçojmë të ardhmen. Një përcjellje e tillë e këngëve në  përmbledhjen “Ç‘po këndokan këta bilbilë?...” është tërësisht e mahnitshme. Ky sistem i rregulluar nga përvoja artistike e kulturore e Vaskë Çurrit dhe i redaktuar nga Prof.  Kristaq  F. Shabani, është përdorur konceptualisht i saktë, në përshtatje dhe në lidhje organike midis gjuhës popullore dhe sintaksës gramatikore.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi