Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Admin
Admin
Administrator
Administrator
Regjistruar : 25/12/2007
Postime : 5043
Points : 2624
Reputacioni : 226
Medalje Medalje2 Medalje3
http://www.zeriyt.net/

Manushi: Humori im vjen nga drama Empty Manushi: Humori im vjen nga drama

26th December 2007, 23:43
Violeta Manushi

Manushi: Humori im vjen nga drama

Blerina Goce

Edhe këtë radhë u shfaq si një nënë. Nuk ishte plaka Nicë te "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", as Ollga tek "Zonja nga qyteti", por nëna shqiptare që vuan për fëmijën e vet. Energjike si dikur, Violeta Manushi, edhe pse në moshë të thyer, arriti të sjellë një interpretim vital tek "Streha e të harruarve". " Si asnjëherë tjetër, në momentin kur unë u ngjita në skenë më rrihte zemra më fort. Publiku më ka mbajtur gjallë, ai nuk të harron, por të duartroket, të jep energji dhe emër", thotë në një intervistë për "Tirana Observer", aktorja Manushi. "Nëse do krahasoj emocionet që kam pasur në fillimet e mia në teatër, pikërisht atëherë kur unë isha e paformuar profesionalisht, kjo forcë emocionesh u përjetua edhe tek "Streha e të harruarve", shton ajo.
Çfarë ndjesish provon artistja Violeta Manushi, kur pas kaq vitesh heshtje, ngjitet në skenë në Teatrin Kombëtar?
U lidha me skenën qysh në moshë të re dhe nuk mund të shkëputem dot pa menduar dhe pa vuajtur për atë. Gjatë viteve të tranzicionit u ndjeva e këputur. Mbas 13 vjetëve, me regjisorin Kiço Londo mora pjesë në komedinë "Profesioni më i vjetër", në rolin e një prostitute që vdes në skenë nga varfëria. Më vonë mora pjesë në një dramë, satirë të shkruar nga Ruzhdi Pulaha, ku rolin e gjyshes e kishte ndërtuar për mua. Çdo rol që kam interpretuar ka bërë që të bie në dashuri me të. Për hir të roleve kam sakrifikuar edhe nga jeta ime private. Tashmë u angazhova në pjesën e Ruzhdi Pulahës "Streha e të Harruarve", ku pata rolin e një nëne, të cilës i ka ikur vajza pa e pyetur me një shok që ka njohur, por ai e ka nxjerrë prostitutë. Shfaqja u dha me rastin e 60-vjetorit të Teatrit Kombëtar dhe vazhdon të jepet përsëri.
Ndonëse ke kaq vite në skenë dhe në sheshet e xhirimit, ç'kujton nga fillesat drejt rrugës së artit?
Kur u ngjita në skenë kam qenë 20 vjeç. Rinia ime është në kohën e Zogut. Me qenë se punoja tipografe, që andej u thirra për të luajtur në teatër. Por kuptoja se të punosh në një institucion të tillë duhet të kesh kulturë. Shumë gjëra më mungonin, por kishte artistë që vinin nga lëvizja amatore si Loro Kovaçi e Pjetër Gjoka, por kishte edhe nga ata që kishin mbaruar shkollë si Andon Pano. Isha shumë e ndrojtur, se jam rritur me varfëri të paparë. Ka pasur raste që kam ngrënë drekën me pak lakër dhe kripë. Ishte viti 1945, kur po festohej 1 Maji. Artisti Gaqo Avrazi drejtonte Ansamblin e Ushtrisë. Do të luhej një dramë e shkurtër "Ankimi" e Viktor Eftimiut. Na morën nga tipografia 10 vajza. Unë s'ua mbusha syrin fare, sidomos regjisorit Sokrat Mio, i cili kishte mbaruar Akademinë e Arteve jashtë shtetit. Ai ia vuri syrin njërës prej vajzave, por ajo ishte shumë e ndrojtur. Edhe unë fshihesha prapa vajzave dhe thosha ishallah s'më provon mua të luaj…. Por kur dola në skenë fillon tragjikomedia ime. Skena mu duk si varrezë, sepse skenat atëherë i ndërtonin origjinale. Dëgjova: "Shpejt profesor se ka ardhur qeveria"?!.. Unë sa dëgjova këto fjalë ia mbatha me vrap, por më kapën dhe më ulën me zor. Kur filloi të hapet perdja duke bërë kër..kër, më bërtisnin fillo, fillo, dhe unë hiç. Seit Boshnjaku, i cili luante rolin e Qahjait i thanë: "Vepro". Seiti më qëllon fort me kamxhik dhe unë u hodha përpjetë se filloi të më dhembë shumë shpina nga kamxhiku e fillova të qaj nga dhimbjet. Por për çudinë time salla duartrokiste. Pas mbarimit më kërkonin, por unë hodha shaminë e kokës në qoshe të skenës dhe dola. Ata më takuan dhe më uruan. Një vit të tërë më kërkuan për në teatër. Vëllai im, Llambi Manushi, ma mbushi mendjen. Më 1 prill të vitit 1946 fillova punën në Teatrin Kombëtar.
Përse të pëlqen humori?
Unë humorin e kam nga jeta. Humori del nga drama e personazhit. Kam luajtur në shumë drama e tragjedi, përveç komedive që janë tepër në natyrën time. Ka pasur raste që kam interpretuar tri role në një dramë. Drama e parë ka qenë "Nëna e tradhtarit". Them se dramën e kisha më të lehtë se komedinë. Në drama kam luajtur shumë nëna si: Nicën apo Sofën.
Vite më parë ke luajtur në komedinë "Zonja nga qyteti". Si e ke përjetuar rolin e Ollgës?
Desha të them se kur shkrimtarët dhe dramaturgët shkruajnë për artistët nderojnë veten dhe artistët. "Zonja nga qyteti" është shkruar për mua. Unë s'e njihja fare Ruzhdi Pulahën, por një ditë e pashë të dilte nga radioja ku punonte si gazetar, ku shkonte nëpër rrethe e ndiqte edhe problemet e gruas. Kështu kishte ndjekur problemin e një nëne që shoqëronte vajzën e vet në fshatin që e kishin çuar me punë. "Kam shkruar një komedi për një zonjë nga qyteti, por kjo do të inskenohet po e luajte ti rolin e zonjës", më thotë Ruzhdiu, "pasi te kjo komedi jam mbështetur te ti si figurë", vijoi ai. Unë iu përgjigja se do ta punoja me respektin më të madh. E mora komedinë, e lexova dhe të them të drejtën, rashë në dashuri me të.
A do të vazhdojë të luajë në skenë dhe në sheshet e xhirimit artistja Manushi?
Me kohë kam shfaqur dëshirën që të vdes në skenë. Kjo do të jetë një nga ëndrrat e mia. Unë iu dedikova skenës kur u lidha me të që në moshë të vogël. Mua shtëpi mu bë skena, familje kolektivi, dhe fëmijë mu bënë rolet e mia. Dua që shpirti të më mbetet në skenë, përpara atij publiku që më admiron.

Pasaporta

Emri: Violeta
Mbiemri: Manushi
Ditëlindja: 5 mars 1926
Vendlindja: Korçë

U ngjit në skenën e Teatrit Popullor në vitin 1946, ku ka interpretuar mbi 100 role në teatër dhe mbi 30 role në kinematografi. Ka interpretuar në rolin episodik në filmin "Tana", por dhe Ollgën te filmi "Zonja nga qyteti", ku ka shkëlqyer. Me këtë rol u nderua me medaljonin e dytë të filmit shqiptar. Po në lartësinë e duhur artistike ka qenë edhe në interpretimin e filmave të tjerë si: "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", "Plagë të vjetra", "Zemra që nuk plaken", "Përtej mureve të gurta", "Një shoqe nga fshati", "Përse bien këto daulle", "Orët e Kremlinit", "Profesioni më i vjetër", "Streha e të harruarve" etj.

TO - Qershor 2005
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi