- Amelia
- Regjistruar : 02/01/2008
Postime : 909
Points : 1463
Reputacioni : 59
Në mes të dëshirës dhe mendimit
20th March 2018, 02:40
Artur SHOPENHAUER
Askush nuk mund të shohë përtej vetvetes. Me këtë dua të them që secili sheh te të tjerët atë çka është në vetvete, meqenëse mund të kuptohet vetëm në masën e lejuar nga inteligjenca vetjake. Nëse kjo është e një shkalle të ulët, të gjitha talentet, vlerat shpirtërore, sado të larta, nuk kanë asnjë kuptim dhe, duke u gjendur përballë individit që i zotëron, do t’u kushtohet vëmendje vetëm anëve më meskine të personalitetit të tij, dobësive të tij, mangësive të tij të temperamentit ose të karakterit, duke mos parë gjë tjetër tek ai.
Asnjë talent nuk është i dukshëm për atë, që nuk ka asnjë talent. Për njerëz që mendojnë kështu, nuk ekzistojnë dhuntitë shpirtërore, ashtu siç nuk ekzistojnë ngjyrat për të verbrit.
Vlerësimi është ngaherë një produkt i vlerës së objektit, shqyrtuar sipas aftësisë njohëse të vlerësuesit. Si rrjedhim, rrafshohemi gjithnjë në planin e atij, me të cilin jemi duke folur dhe gjithë ç’është superiore në nivelin e tij zhduket. Kështu, duke menduar se shumica e njerëzve nuk zotërojnë as shpirt, as dhunti (ndaj janë vulgarë), do të na bjerë në sy se nuk është e mundur të flasësh me ta pa u bërë, sipas rastit, po aq vulgar (gati si pasojë e një induksioni elektrik).
Kësisoj duhet të shmanget me kujdes përzierja me ata njerëz, me të cilët i vetmi komunikim i mundshëm vjen përmes partie honteuse (pjesës së turpshme) të natyrës sonë. Duhet të mësohemi që, në prani të të marrëve dhe teveqelëve, ka vetëm një mënyrë për të treguar mençurinë: mos të shkëmbesh asnjë fjalë me ta. Natyrisht, do të ndodhë shumë shpesh të gjendemi në shoqëri në të njëjtat rrethana si ai valltari, të cilin e ftuan në një kërcim të çalësh.
* * *
Fiton vlerësimin tim më të lartë, gati si të ishte një kandidat i zgjedhur mes qindrash, ai që në gjendjen e pritjes qëndron i palëvizur, pa bërë asgjë, pa u rrekur të bëjë gjullurdi me gjithçka që i bie në duar, me shkop, pirun, thika a ndonjë gjë tjetër. Ndoshta ai mendon për diçka.
Në fytyrën e shumë njerëzve lexohet dëshira, që ia ka zënë vendin mendimit. Ata kërkojnë ta kuptojnë ekzistencën e tyre duke bërë zhurmë ose, të paktën, të kenë një cigare në dorë (në një rast të tillë kjo i shërben të njëjtit qëllim). Për të njëjtën arsye qëndrojnë gjithnjë me sytë dhe veshët e hapur, duke parë e dëgjuar atë që ndodh rreth tyre.
La Roshfukoja ka vëzhguar me mprehtësi se është e vështirë të respektosh shumë një njeri dhe ta duash po aq në të njëjtën kohë. Pra, duhet të zgjedhim lirisht mes dashurisë dhe respektit për njerëzit. Dashuria e tyre është gjithnjë me interes, edhe pse në mënyra të ndryshme.
Mbi të gjitha, do ta duam dikë në masën me të cilën ai do të kufizojë kërkesat e veta në gjithë ç’ka të bëjë me shpirtin e zemrën tonë, seriozisht e pa u shtirur, dhe jo në virtyt të atij përdëllimi që zakonisht kthehet në përçmim. Në këtë çast duhet të kuptojmë shprehjen e drejtë të Helvetiusit: “Shkalla e nevojshme e shpirtit që na pëlqen, është një masë e saktë e shpirtit që ne kemi.” Ndërsa me respektin për njerëzit ndodh e kundërta: ai merret kundër dëshirës dhe prandaj është i fshehur në shumicën e rasteve. Ai na jep në intimitetin e zemrës një gëzim të madh, sepse lavdia është e lidhur drejtpërsëdrejti me vlerat tona. Kjo nuk ndodh me dashurinë për njerëzit, që është subjektive; ndërkohë që respekti është objektiv.
Megjithatë, për ne dashuria është më e nevojshme.
* * *
Njerëzit janë përgjithësisht kaq subjektivë, saqë në fund të fundit nuk interesohen për gjë tjetër, veçse për vetveten. Pra, ndodh që ata mendojnë menjëherë për vetveten në gjithçka që thuhet; sikur t’i përmendnim sado pak, do të tërhiqnim vëmendjen e tyre, duke penguar çdo mundësi për të kuptuar argumentin e vërtetë të bisedës. Dhe natyrisht, nuk ka arsye që vlen, kur preket interesi ose krenaria e tyre. Ata hutohen lehtësisht, fyhen, mërziten, pikëllohen për hiçmosgjë, sidomos kur flitet shkoqur përpara tyre, pa u kujdesur nëse është e mundur ndonjë përmendje e rastësishme jo e këndshme mes asaj që thuhet dhe të çmueshmit e deliktatit “unë”, që qëndron përballë.
Ndërsa kjo është gjithçka, të tjerat nuk vlejnë fare.
Nëse ata nuk kanë as zemër, as mendje për të kuptuar ndershmërinë dhe saktësinë e bisedës së të tjerëve, ose bukurinë, mirësjelljen dhe mençurinë e saj, në të njëjtën kohë tregojnë një ndjeshmëri të tepruar për gjithçka që mund, edhe së largu apo tërthorazi, të fyejë krenarinë e tyre meskine ose të shfaqet si e pavolitshme në një mënyrë a në një tjetër mbi të çmueshmin “unë”.
Në këtë pikë, këta janë të ngjashëm në cënueshmërinë e tyre me ata qenushët, të cilëve kaq shpesh dhe pa dashje u shkelim putrat, duke u detyruar të dëgjojmë kuisjet, ose të krahasueshëm me një të sëmurë rëndë, të mbuluar gjithandej me plagë dhe gjendra, i cili duhet të shmangë me kujdesin më të madh çdo kontakt të mundshëm me objektet e jashtme.
* * *
Disa njerëz (edhe pse arrijnë përkohësisht të shtiren), mbërrijnë deri aty sa ta quajnë një fyerje mendjemprehtësinë e treguar ose jo të fshehur siç duhet në bisedën e mbajtur me ta. Kush nuk ka përvojë në këtë drejtim, mund të mendojë sa të dojë për atë që ka thënë, duke u përpjekur të kuptojë se ç’djall ishte ai që nxiti inatin dhe urrejtjen e tjetrit, por më kot. Po kaq lehtësisht, ata i lejojnë vetes të lajkatohen e të miklohen.
Prandaj gjykimi i tyre është gjithnjë i korruptuar; flasin vetëm në dobi të partisë apo të klasës së tyre, dhe nuk janë kurrë të drejtë dhe objektivë.
Kjo ndodh sepse tek ata vullneti sundon mbi njohjen dhe e gjithë inteligjenca është vënë në shërbim të vullnetit, shërbim nga i cili nuk mund të lirohet për asnjë çast. Një shembull të qartë të subjektivizmit mjeran të njerëzve, përmes të cilit ata lidhin çdo gjë me unin e tyre dhe çdo mendim e drejtojnë përnjëherë nga vetvetja, e jep astrologjia, e cila lidh me qenien e mjerë njerëzore deri edhe lëvizjen e një trupi të gjithësisë, duke bashkuar kometat e qiellit me punët meskine të tokës. Kjo ka ndodhur në të gjitha kohërat, madje edhe në lashtësi (shih, për shembull, Stobeu, Eclog. L. I, c. 22,9).
Nuk duhet të dëshpërohemi për çdo rrenë që thuhet në shoqëri, shkruhet në libra dhe pritet mirë ose, të paktën, nuk hidhet poshtë; dhe as që duhet besuar se tanimë është një gjë përfundimtare. Duhet të ngushëllohemi me sigurinë që një çështje e tillë, pak nga pak dhe me kalimin e kohës, do të mendohet, sqarohet, ndriçohet, diskutohet dhe në fund do të gjykohet saktësisht. Kështu, pas një harku kohor të nevojshëm, që varet nga shkalla ë vështirësisë së saj, gati të gjithë do të bien dakord mbi atë që një njeri inteligjent e dinte qysh në çastin e parë. Sigurisht, në pritje duhet durim. Njeriu i zgjuar, që gjendet mes të marrëve, është i ngjashëm me atë që e ka orën në rregull në një qytet, ku kambanat që lajmërojnë kohën, bien gabim. Ai vetë e di orën e saktë, por çfarë i duhet?!
Të gjithë mbështeten në orën e qytetit, madje, edhe ata që e dinë se vetëm ky njeri e ka orën të saktë.
* * *
Njerëzit janë të ngjashëm me fëmijët, bëhen të pasjellshëm kur llastohen tepër. Prandaj nuk na leverdis të jemi shumë mirëdashës dhe të përzemërt. Përgjithësisht, një mik nuk e humbim nëse s’i japim hua, madje e humbim kur ia japim; dhe po ashtu, një trajtim kryelartë dhe shpërfillës e prish më pak miqësinë, sesa një dashamirësi e tepruar, e cila i bën miqtë të vrazhdë dhe të padurueshëm, duke përcaktuar kështu prishjen. Njerëzit nuk dinë ta vuajnë aspak idenë se janë të pazëvendësueshëm. Në zemrën e tyre lind përnjëherë përbuzja dhe mendjemadhësia. Për disa, mjafton fakti që i kërkojnë ose i trajtojnë përzemërsisht, saqë menjëherë kërkojnë të ulet koka para çdo dëshire të tyre, duke u rrekur të kapërcejnë kufijtë e mirënjohjes.
Duhet të shmanget, mbi të gjitha, çdo raport familjar me njerëz të rëndomtë. Kush fillon të mendojë se është i nevojshëm për një tjetër dhe më i dobishëm sesa ai është për të, ka përshtypjen se i është grabitur diçka dhe do të kërkojë menjëherë të hakmerret dhe të rivlerësohet.
Superioriteti në raportet njerëzore ka të bëjë me këtë: të mos kesh kurrsesi nevojë për të tjerët dhe t’ua bësh të ditur. Prandaj është e këshillueshme t’i tregosh herëpashere dikujt, burrë ose grua qoftë, që mund të bëhet fare mirë edhe pa të. Kjo e forcon miqësinë; madje, në shumicën e rasteve, leverdis të shtosh aty-këtu një pikë përçmimi, meqë, siç thotë një proverb i mprehtë italian, “Kush nuk vlerëson, vlerësohet!”.
Nëse e llogarisim shumë një njeri, është mirë ta fshehim ndjenjën tonë, sikur të ishte një krim. Nuk është e këndshme, por është e drejtë.
Vetëm qentë durojnë një familjaritet të tepruar, njerëzit jo!
Përktheu Erion Kristo
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
|
|