Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Mary
Mary
Anëtar elitë
Anëtar elitë
Regjistruar : 04/02/2008
Postime : 4917
Info : a good sense
Points : 51
Reputacioni : 50
Medalje Red Medalje Blu Medalje Green
https://zeriyt.albanianforum.net

SIMBOLIKA E DITES SE VERES Empty SIMBOLIKA E DITES SE VERES

14th March 2008, 12:01
Simbolika e Ditës së Verës

Dr. Lekë Sokoli

Kushdo që ka kaluar këto ditë Urën e Zaranikës, për të hyrë në qytetin e Elbasanit, ka ndjerë qysh në derën e këtij “oborri-qytet” aromën e ballokumeve, si simbol i festës së Ditës së Verës. Prej vitesh 14 Marsi është shndërruar edhe zyrtarisht në një festë zyrtare. Ajo, në një mënyrë apo një tjetër, ka filluar të kremtohet kudo. Megjithatë, të paktë janë ata që e dinë se ç’përfaqëson Dita e Verës. Pra, ç’është Dita e Verës? Nga pikëpamja historike, Dita e Verës është shumë e lashtë. Është një festë pagane e kremtuar nga shqiptarët qysh në antikitet, pra para lindjes së krishtërimit. Nga pikëpamja gjeografike, ajo festohej nga mbarë shqiptarët, në qytet e në fshat, në fushë e në malësi, në atdhe apo edhe në mërgim. Fakti që kremtimi i Ditës së Verës është bërë edhe nga arbëreshët (aq sa disa autorë e kanë quajtur “festë arbëreshe”), është dëshmi e përhapjes së saj të hershme ndër shqiptarët. Prof. Mark Tirta, studiuesi i shquar i etnografisë, pra i kulturës popullore, i riteve e zakoneve të shqiptarëve dhe popujve të tjerë, tregon se përgjithësisht Dita e Verës ka të bëjë me ringjalljen, me ringjalljen pranverore të natyrës në raport me dimrin që jep shpirt. Në këtë kontekst, shpjegon prof. Tirta, ritet e kësaj natyre janë të dokumentuara të paktën prej tre mijë vjetësh. Ato janë pasqyruar në mitologji, në veprat e Homerit etj. Kemi të bëjmë, kështu me një traditë mesdhetare, për të mos shkuar më tej. Sidoqoftë, Dita e Verës ka qenë e lidhur me ditën e parë të marsit. Në antikitet marsi ishte muaj i parë i vitit. Kjo sipas kalendarit Julian. Siç dihet, në Europën Perëndimore, kalendari Julian u zbatua derisa në vend të tij u vendos kalendari Gregorian. Por në gjuhën e sotme shqipe ruhen ende gjurmë të kalendarit Julian. Duhet që viti kalendarik të fillojë me marsin që muaji i shtatë të jetë shtatori, i teti tetori, i nënti nëntori dhe i dhjeti dhjetori. Të tillë kanë mbetur emrat e tyre edhe pse, nga 15 tetori i vitit 1582, kohë në të cilën hyri në fuqi reforma gregoriane, ata janë respektivisht, muajt e nëntë, i dhjetë, i njëmbëdhjetë dhe i dymbëdhjetë. Por, siç argumenton akademiku i mirënjohur, prof. Kristo Frashëri, kalendari i vjetër i shqiptarëve është edhe më i hershëm se kalendari Julian, i cili u shpall nga Jul Qezari, në vitin 46 para lindjes së Krishtit. Dhe gjithnjë dita e parë e marsit shënonte, sikurse edhe sot, fillimin e stinës së pranverës. Ishte koha kur stinët ishin më të dallueshme nga njëra-tjetra se në kohën e sotme (ngrohja globale nuk kishte filluar ende). Njerëzit mezi prisnin që të dilnin nga dimri, të shkrinte bora, të gjelbërohej natyra, të çelnin lulet, të blegërinin qengjat, të loznin fëmijët fushave e kodrave, të gëzonin të gjithë. Shkurt, Dita e Verës simbolizonte ringjalljen e natyrës. Tradicionalisht dalja nga dimri shoqërohej me një bilanc, sidomos për gjënë e gjallë. Aq sa edhe në gjuhën e përditshme të shqiptarëve, sidomos të zonave të thella malore të izoluara gjatë dimrit, ishte bërë zakon që njerëzit të pyesnin njëri-tjetrin: “Si dole në verë?”, ose “Sa nxore në verë?” (sa bagëti?) etj. Pra “me dalë në verë” kishte kuptimin me mbijetue, me ia arrit asaj dite (Ditës së Verës). Vera simbolizonte të mirën, mbarësinë, dritën, gëzimin. Kjo, kundrejt dimrit, të egrit, kiametit, gazepit. Ja disa shprehje, si për të ilustruar këtë ide: “Asht si vera”, “Ka një djalë e një çikë si vera”, “Tu bëftë jeta verë/behar”, “Asht rritë jetim, pa verë në jetë të vet”, “Ajo punë iu ba verë” (iu pri mbarë) etj. Tradicionalisht pelegrinazhet në Ditën e Verës bëheshin në majat më të larta të maleve, në majën e Tomorrit, të Çikës, të Gramozit, të Korabit, të Dejës, Krujës, Dajtit, Gjallicës, të Majës së Hekurave etj. Kjo, për të qenë sa më afër Perëndisë së Diellit, jetëdhënësit, para të cilit luteshin për begatinë përgjatë vitit të ri. Madje adhurimin e tyre për perëndinë e tyre “Diell”, shqiptarët e përjetësuan me emrin “e diel” (sikurse anglezët), ndryshe nga popujt e tjerë evropianë, të cilët e kanë emërtuar Dita e Zotit.
Dita e Verës shoqërohej me zjarre (zakonisht dëllinjash) mbrëmjeve, në mes të fshatit, të cilët i kapërcenin burrat e djemtë, si për t’i lënë lamtumirën dimrit. Dita e Verës ishte dita e verojkave (ose veroreve). Nëse i referohemi “Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe” (viti 1980, faqe 2135), verojka ishte një gjalmë i përgatitur me fije të kuqe e të bardha që ua lidhnin fëmijëve në duar apo në qafë në Ditën e Verës (verojka, verore, nga verë). Por, siç shkruan Konica, me verore rrethoheshin edhe degët e thanave, dëllinjave, dafinave apo shelgjeve të nderura.
Në shumë raste në Ditën e Verës thureshin kurora dhe i varnin në portat e shtëpisë, për të sjellë fat. Kjo është bërë, deri vonë, edhe në Tiranë. Rezulton se Dita e Verës është kremtuar në mbarë viset shqiptare. Megjithatë, kremtimet kanë pasur nuanca të ndryshme për krahina të ndryshme. Etnologu i mirënjohur Bernardin Palaj, njohës i thellë i trashëgimisë kulturore sidomos të malësisë së Veriut, ka shkruar që në fillim të viteve ’20 të shekullit të kaluar, për mënyrën se si festohej atje Dita e Verës. Dita e Verës është festuar shumë kohë para se institucionet klerikale e, më pas, ato shtetërore të fillonin të administronin festat popullore. Si festë pagane, ajo është kremtuar që në lashtësi. Mëse një shekull më parë, kur Shqipëria ishte ende nën sundimin osman, Konica shkruante, për shembull, se “Dita e Verës është një ditë në të cilën stërgjyshërit tanë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtonin bashkë me romakët dhe grekët e vjetër, perënditë e luleve, të shelgjeve....”.
Në ç’masë Dita e Verës është një festë e mirëfilltë (mbarë)shqiptare? Të paktën në atë masë që ajo (referuar prof. Kristo Frashërit), ka qenë pjesë përbërëse e identitetit tonë etnik. Edhe nëse në disa vise ajo filloi të venitej, përsëri duhet të rigjallërohet dhe të kthehet në një festë mbarëshqiptare, mbasi është më tradicionale se të kremtet fetare. Dita e Verës, ashtu sikurse edhe Viti i Ri, është festë e të gjithë shqiptarëve, pa dallim krahine, ideje, bindjesh, përkatësish, apo besimi fetar. Por në të vërtetë kur themi Dita e Verës mendja na shkon tek Elbasani. Pse? Sepse gjatë shekujve Dita e Verës erdhi duke u zbehur. Aq sa diku ajo u harrua krejtësisht e nuk kremtohej më. Ndërsa në Elbasan ajo nuk u zbeh kurrë. Nëse Dita e Verës erdhi deri në ditët tona merita i takon kryesisht Elbasanit. Tani ajo është zyrtarisht një festë kombëtare. Por ndryshe është të festosh e ndryshe është të bësh një pushim zyrtar. Madje ndryshe është të festosh, ndryshe të ndjesh me të vërtetë. Elbasani, pra ende shumë ndryshe nga pjesa tjetër e Shqipërisë, është vendi ku Dita e Verës ndjehet dhe përjetohet në kuptimin më të plotë të fjalës. Për të kuptuar ndryshimin midis kremtimit “alla-elbasançe” të Ditës së Verës, me atë që bëhet gjetkë, nëpër Shqipëri apo ndër shqiptarë, mjafton t’u referohemi ballokumeve. Në Elbasan përgatitjet për ballokumet të bëhen me kohë. Dihet se ku do të merret mielli i misrit për to, ku do të merret gjalpi, ku do të merret sheqeri. Dihet si do të rrihen, si do të shtrihen, si do të piqen. Me ç’gradacion, me ç’ritëm kohor. Të gjithë e dinë, për shembull, se ballokumet bëhen me miell misri. Por pak e dinë se një kg miell ballokumesh del (pas një cikli sitjesh) nga 7-8 kg miell misri. Edhe sheqeri ndryshon (është i imët), edhe gjalpi... Pra recetat për ballakumet nuk funksionojnë kudo. Unë kam vrojtuar, madje prej shumë vitesh, përgatitjen e ballokumeve të Elbasanit. Dhe mund të pohoj me bindje se edhe sikur gjithçka materiale të jetë njësoj (duke përfshirë edhe profesionalizmin e atij që i përgatit), përsëri ballokumet e Elbasanit ndryshojnë. Ato kanë gjithnjë diçka më shumë. Sepse Elbasani fut një “element” plus në recetën e ballokumeve. Kjo është dashuria. Ballokumet e Elbasanit kanë brenda shumë, shumë dashuri. Sikurse vetë Dita e Verës në Elbasan është një ditë e vërtetë dashurie. Dashuri për njeriun, për natyrën, për jetën. Le të përpiqemi që t’i afrohemi Elbasanit në dashurinë që jep ai në Ditën e Verës. Sado vështirë që është.
Duke iu referuar Ditës së Verës, kësaj feste me një shije poetike të hollë e të rrallë, Konica këshillonte dhe uronte, më shumë se një shekull më parë: “Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetra të racës sonë. Nuk i bëjnë dëm njeriu, veçse sjellin një gëzim të kulluar...”. Le të urojmë, sërish me gjuhën e Konicës: “Gëzim të kulluar pastë në shtëpinë e çdo shqiptari!”.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi