Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Mary
Mary
Anëtar elitë
Anëtar elitë
Regjistruar : 04/02/2008
Postime : 4917
Info : a good sense
Points : 51
Reputacioni : 50
Medalje Red Medalje Blu Medalje Green
https://zeriyt.albanianforum.net

Romani i verdhë i shkrimtarit shqiptar Empty Romani i verdhë i shkrimtarit shqiptar

19th March 2008, 20:46
Romani i verdhë i shkrimtarit shqiptar
  • Nga Arta MARKU

Romani policor, ashtu si edhe letërsia rozë, duket se janë shpërfillur në një masë të konsiderueshme prej autorëve shqiptarë. Lista e titujve të librave të verdhë është pothuaj minimale. Titujt e atykëtushëm nuk munden ende ta bëjnë ekzistente këtë gjini të letërisë. Një Agata Kristi shqiptëre ende nuk ekziston këtu. Më së shumti elementë të letërsisë së verdhe mund të gjenden të shpërndara me pikatore brenda librave që nuk janë të këtij karakteri. Edhe pse mund të gjenden brenda aksh romani vrasësist, përpjekjet e hetuesve për ti zbuluar, frika apo ankthi i personazheve që përçohet te lexuesi, ato asnjëherë apo rrallëherë mund të përbëjnë boshtin e një romani policor. Kishte një viktimë, një vrasës me sjelljet tipike të tij, gazetarë që hapin rastësisht apo qëllimisht rrugën drejt zbulimit të kriminelit… te romani më i ri i Fatos Kongolit “Jetë në një kuti shkrepsesh”, por asesi nuk bëhej fjalë për një roman policor. Kishte njerëz me veshje lëkure në ndjekje të presë, të shtëna në orët e vona të natës, potencial për viktimë, letra anonime dhe dedektivë privatë të paguar për të zbuluar dorën që i kishte shkruar… te romani i fundit i Diana Culit “Një grua në kafe”, por sërish nuk kemi të bëjmë me një roman policor. E njëjta gjë mund të thuhet për librin e Virgjil Muçit, “Vejusha e dashuruar”. Aspak nuk bëhej fjalë për një roman policor edhe pse një grua, një turiste, gjendet e vrarë në një dhomë hoteli dhe hetuesit nisin punët e tyre në gjurmim të arsyeve të vetëvrasjes a vrasjes. Fundja prania e një vrasjeje a vrasësi në një libër nuk i jep atij automatikisht ngjyrën e verdhë… Nga ana tjetër, romanet e mirëfillta policore të autorëve shqiptarë, edhe nëse janë në vitrinat e librarive, të paktën nuk kanë mundur ende të “bërtasin” për tu dëgjuar nga lexuesit.

Gjithsesi, prej pak kohësh, në librari ka mbërritur një roman i një autori shqiptar, mirëfilli i verdhë. Një vrasje që duhet zbardhur, madje dy… ; një vrasës të cilit nuk duket e lehtë kryekreje t’i vihet gishti (edhe pse rrethi i kërkimit është shumë i vogël), një inspektor tipik policie që është i përfshirë tërësisht në procesin që i kanë ngarkuar duke e shpërfillur pashmangshëm jetën e tij intime… ; përqark gjithë elementët e nevojshëm apo personazhet që i krijojnë bazamentin mbi të cilin zhvillohen ngjarjet apo që i bëjnë protagonistët të lëvizin lirshëm duke u paraqitur para lexuesit si njerëz të vërtetë.
Një shkrimtar i madh, shumë i njohur ka mbërritur në Tiranë, së bashku me librin e tij të ri, i cili pritet të përpihet nga lexuesi. Gjendet i vrarë në shtypshkronjën ku po shtypeshin librat e tij që duhej të dilnin në treg të nesërmen, disa orë para nisjes së tij për në Paris, ku jeton prej vitesh pasi ka marrë edhe nënshtetësinë franceze. Në të vërtetë libri “Vdekja e fundit” i Durim Taçes, nuk ka filluar kështu. Prologu zbulon se po përgatitet një skenë dashurie. Një vajzë e re, ka gjetur një mënyrë origjinale për të protestuar ndaj mikeshave të saj të konviktit që natën flenë bashkë, apo ndaj të tjerave që përqafohen me të dashurit te dera e shkollës me të mbaruar mësimi: I ka kërkuar të dashurit të saj të druajtur të bëjnë dashuri. Por përfundimi është një përdhunim. Dhe jo vetëm. Një përdhunim me pasoja tejet të rënda.
Ky prolog në të vërtetë nuk të fut në atmosferën e krimit, apo më saktë nuk të bën të mendosh se boshti i librit është një vrasje. Përdhunimin nga vrasja i ndajnë plot njëzet vjet. Por më vonë do të zbulohet një fije e brishtë lidhjeje mes tyre.
Fillimi i vërtetë i librit policor me titull “Vrasja e fundit” i lajmëron lexuesit me një sinjal radioje: “Jam 317-a, si më dëgjon, marrje”. Policia ka hyrë në skenë… “Një i vdekur i paidentifikuar, marrje”. Sakaq ngjarja fillon e shtjellohet hap pas hapi. Eshtë romani tipik i verdhë, që aty këtu e çon lexuesin, qëllimshëm, në pistën e gabuar të zhvillimit të ngjarjeve. Papritmas duket sikur është identifikuar vrasësi. Por sigurisht kjo nuk mund të jetë kaq e lehtë. Vrasësi s’mundet të indetifikohet, veçse në faqen e fundit. Deri atëherë duhet të rrjedhin shumë ujra.

Në të vërtetë, në librin “Vdekja e fundit” mungon ankthi i lexuesit që rëndom shoqëron leximet e librave të kasaj natyre, por kureshtja qëndon në lartësinë e duhur. Lexuesi nuk ka frikë për një personazh a një tjetër që përfytyron se mund të jetë përpara vrasësit të imagjinuar. Ama tundimi për zbulimin e shkaktarit të një vrasjeje, nuk fiket. Sigurisht që edhe romani i Durim Taçes, me tu marrë në dorë, nuk mund të lihet pa i shkuar deri në fund. Këtë e ndihmon njëfarësoj edhe thjeshtësia e strukturës, sadoqë mund të duket paradoks. Nuk është një libër i rënduar me protagonistë të pafundmë që të çojnë qëllimshëm në pistat e gabuara (pa e shpërfillur këtë gjë). Nuk ka struktura paralele ose pleksje të papritura personazhesh. Këta kryesorët janë 5: i vrari, një shkrimtar i njohur; botuesi i tij; kritikja; shoferi i kësaj të fundi që duket se është diçka më shumë se një shofer; si dhe inspektori i policisë. Kaq. Mjaftojnë në rastin e librit “Vrasja e fundit” për të përbërë boshtin. Personazhet e dorës së dytë nuk mungojnë, por këta thjesht pikturojnë sfondin apo pasurojnë bazamentin mbi të cilin kanë vënë këmbët protagonistët. Sigurisht, një inspektor policie bëhet më njerëzor nëse flitet sapak edhe për jetën e tij private, nëse identifikohet e dashura e tij apo nëse miqtë e tij të afërm kalojnë një drekë në Dajt, ku ai, për shkak të punës, nuk i ndjek dot. Një shkrimtar i njohur, i cili gjendet i vdekur në një shtypshkronjë, e ka më të plotë portretin nëse vihet në kontekste të ndryshme siç është ai i ish politikanit, i ish diplomatit apo burrit që, për të përfituar nënshtetësinë franceze, nuk ka ngurruar të kryejë një martesë fiktive. E kështu, për të gjithë personazhet funksionon e njëjta llogjikë: bëhen më të vërtetë nëse nuk shkëputen nga bota.

Por le ti kthehemi boshtit të romanit: A është vrasësi brenda katërshes së protagonistëve? Sigurisht nuk mund të jetë gjithçka kaq e thjeshtë. Autori i librit i çon lexuesit sa te mendimi se vrasësi është aty brenda, sa te mendime të tjera. Eshtë detyra e autorit të një libri të verdhë. Por, nëse është në katërshe, cili prej tyre është pikërisht vrasësi? Dhe pse? A janë aq të forta arsyet, sa për të vrarë? A mund të jetë thjesht një xhelozi? Apo një gotë verë më shumë mund të çojë në veprimin fatal?
Në fund të librit, në të vërtetë kanë ndodhur më shumë se një vrasje. Dhe gjithçka është e argumentuar. Shkurt, mund të thuhet se çdo detaj i këtij libri policor është në vendin e vet, duke thurur një rrjetë e cila del në dritë më në fund.
«Vrasja e fundit», në të vërtetë nuk është një roman i përkryer policor dhe shumë i ndërlikuar, por është gjithsesi një fillim i mbarë i një rruge pothuaj të pashkelur. I ndërtuar sipas një skeme të qartë dhe të thjeshtë, ai nuk shënon mbërritjen e Agata Krsitit shqiptare, qoftë ky është një shkrimar mashkull, por është megjithatë, libri me të cilin të pasionuarit e letërsisë së verdhë do të ndjehen mirë, do ta përpijnë pa pasur aspak problemet e një tretjeje të vështirë, përkundrazi.
Kurse autori, Durim Taçe vjen për herë të tretë para lexuesit shqiptar si shkrimtar, pas librit me tregime “Fotografi i shkretëtirës” dhe romanit “Gratë e diellit”. Por lexuesit e njohin tashmë atë, si përkthyesin që ka sjellë në shqip autorë të tillë si Svevo, Moravia apo Paulo Kelhon.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi