Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Amelia
Amelia

Regjistruar : 02/01/2008
Postime : 909
Points : 1463
Reputacioni : 59
Medalje Medalje2 Medalje Green

Kënga e Gjergj Elez Alisë. Empty Kënga e Gjergj Elez Alisë.

12th February 2016, 21:34
Kënga e Gjergj Elez Alisë.

Më lart ka një prezantim të heronjve Muji dhe Halili, dhe ndoshta kjo temë do të pasurohet më tej. Le të flasim pak për figurën e Gjergj Elez Alisë. Sipas folkloristit të madh shqiptar Qemal Haxhihasani “ky hero, që gëzon një popullaritet të gjerë në epikën tonë heroike, nuk ka ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me cetën e Mujit e të Halilit, prandaj është marrë edhe si personazh i një nëncikli më vete në kuadrin e këngëve të kreshnikëve.” (Q.H. në Folklori shqiptar, Tiranë 1977 f.76). Si në rastin e këngëve rreth Mujit dhe Halilit, kënga e Gjergj Elez Alisë u botua në “Visaret e Kombit” (Vëll.II, Tiranë 1937 f.42). Të gjitha këto materiale ribotoheshin nga Instituti i Folklorit në “Folklori Shqiptar II Epika Legjendare” (Tiranë 1966). Material me vlerë është edhe studimi i Fatos Arapi “Këngë të mocme shqiptare” (Tiranë 1986). Një artikull i Fatos Arapit në lidhje me motivin e Vëllaut të vdekur (Kënga e Halil Garrisë/Kënga e Dhoqinës/Kënga e Kostandinit e Garentinës). Ky artikull po jepet më poshtë :

Të dhëna burimore

Gjergji (Shën Gjergi) ishte një burri i shenjtë, një dëshmor fetar, i cili u lidh me kultin e krishterë, por për biografinë e tij nuk dihet gjë me siguri. E qartë është vetëm se emri Gjergj (Georg, George) u përhap në Evropë. Më vonë, në kohën e mesjetës, Gjergji në shumë vende u bë një figurë legjendare. Ai u paraqit si një kalorës, i cili vra një dragua dhe me aktin e tij të trimërisë e shpëtoi jetën dhe nderin e një princeshe. Lidhjet midis Gjergjit dëshmor fetar dhe Gjergjit kalorës janë të pasigurta. “Kënga popullore shqiptare “Gjergj Elez Alija” dhe shumica e varianteve të saj nuk kanë asnjë element të përbashkët me legjendën kristiane për Shën Gjergjin.” (Sadri Fetiu: Aspekte krahasimtare të këngës popullore “Gjergj Eliz Alija” në “Kultura popullore” nr 2/1980 f. 95)

Në Suedi Gjergi, nën emrin Sankt Göran (Shën Gëran), u bë i njohur përmes një skulpture që gjindet në Kishën e Madhe të Stokholmit. Kjo skulpturë, me trimin, princeshën dhe dragoin, u krijua midis viteve 1484 dhe 1488 nga skulptori gjerman Bernt Notke, i thirrur në Stokholm nga pushtetmbajtësi Sten Sture i vjetër për këtë projekt. Simbolika kuptohet lehtë: Princesha (Suedia) shpëtohet nga kthetrat e dragoit (Danimarka) nga kalorësi trim (Sten Sture). Disa vite më përpara suedezët kishin fituar mbi danezët në një betejë afër Stokholmit, dhe Suedia kishte mbrojtur pavarësinë e vet pas disa vitesh unioni me Danimarkën.

Në Angli Shën Gjergji u bë shenjtor kombëtar dhe lëvizja e vëzhguesve (Scouting) e ka zgjedhur Gjergjin si simbolin e saj.

Do të përqëndrojmë vëmendjen te kënga e Gjergj Elez Alisë. Sipas të gjitha gjasave, pra, ajo nuk ka asgjë të përbashkët me legjendën kristiane për Shën Gjergjin. Nga ana tjeter kjo këngë ka përhapje ndër popujt e Gadishullit Ballkanik, ose më mirë të themi subjekti në variante të ndryshme gjendet te rumunët, serbët, kroatët, maqedonët dhe bullgarët përgjithësisht me emrin Bolani Dojçin. Te grekët dhe turkët kënga është e panjohur.

Diçka për variantet kryesore të këngës.

Në variantin shqiptar Gjergj Elez Alia, një malësor, ka nëntë plagë të rënda mbi trup dhe dergjet në shtratin e vdekjes. Shumë ka luftuar kundër shtypësve të huaj; nënë e babë e kanë vdekur, por motra e Gjergjit kujdeset për të natë e ditë te kryet. Dhe në këtë situatë një baloz i zi, një trim i prapë, ka dalë prej detit. Ky baloz rrënon e shkatërron vendin, duke prerë gjithë trimat që kanë guxuar t’i dalin në shesh të luftimit. I ka ardhur radha Gjergjit. Ai duhet të luftojë për nderin e shtëpisë dhe të motrës.
Ai e urdhëron të motrën që të shkojë dhe t’i mbath gjokun (kalin) e luftës te nallban-probatini. Po ky tregohet njeri i mbrapshtë, se i lyp vajzës “faqet e sytë”. Vajza i përgjigjet atij rëndë me fjalë dhe niset e bie në derë të nallban-jaranit (kumbarës). Ky ia mbath kalin mirë e bukur e të nesërmen Gjergji i del në shesh të burrave bajlozit të tmerrshëm.
Trimat në fillim hakërrohen me fjalë, pastaj nis një dyluftim nga më të egërit, dhe Gjergj Elez Alia më në fund del fitimtar – ai ia pret kryet armikut. Ai kthehet në shtëpi, thërret përreth tij fshatarët, u fal atyre gjithçka ka nga pasuria e vet dhe u lë amanet të motrën. Por pikërisht në atë çast kur ai përpiqet ta përqafojë motrën për herë të fundit, që të dyve u pushojnë zemrat në kraharor, dhe vëlla e motër vdesin të përqafuar. Fshatarët hapin një varr të gjerë e të gjatë dhe i varrosin ata ashtu siç janë të pushtuar njeri me tjetrin. Dhe u mbjellin tek kryet në shenjë jete një bli. (Njeriu kthehet në drurë – mbeturinat e totemizmit primitiv).

Në variantin maqedonas një “harap i zi” ka dalë në fushat e Selanikut dhe ka ngritur shatoret e tij të bardha. Ai merr nëpër këmbë nderin e njerëzve dhe i ka vënë vendit një haraç të rëndë. Harapi kërkon çdo ditë nga një nuse të re e çdo mbrëmje nga një vashë me të cilat bën dashuri dhe pastaj i vret. I ka ardhur radha Angjelinës, së motrës së Dojçinit të sëmurë. Duke fshirë avllinë ajo qan dhe i derdh lotët breshër. I vëllai e sheh dhe e pyet se ç’ka. Motra i tregon të vërtetën: “Erdhi radha ime, mua do të më marrin.” Dojçini e porosit të motrën që të shkojë tek Ymer Biçakçiu dhe të mprehë shpatën e mejdanit që ka nentë vjet që nuk punon dhe është ndryshkur. Ymeri i kërkon vajzës “sytë e zez” dhe Angelina duke qarë largohet prej tij. Kthehet në shtëpi dhe i tregon të vëllait se ç’i ka ndodhur. Ky e urdhëron që ta lerë aty shpatën e pamprehur e të marrë kalin e të shkojë te nallbani Mitro Pomerjançe për ta mbathur. Por edhe nallbani i kërkon Angjelinës “fytyrën e bukur, si dielli i kthjellët”. Dhe vajza qan dhe kthehet përsëri në shtëpi me gjokun e pambathur. Atëherë i vëllai i sëmurë kërcen në këmbë dhe i thërret së motrës: “Shko e merr armët e ftohta dhe çoja Pletikosa Pavles (“flokëgërshëtuari Pavel” – figurë në disa këngë të sllavëve të jugut) që t’i lajë.” Vajza bën ashtu siç i thotë i vëllai, por edhe armëlarësi i kërkon asaj “shtatin e hollë si një kallam deti.”
Çupa kthehet në shtëpi duke qarë e lebetitur: “As miq e as vëllezër besnikë / Ata janë që të gjithë turq të pabesë.” Atëherë Dojçini i armatosur por me armë të pamprehura, me kalin e pambathur niset e shkon në qytetin e Selanikut. Pasi vret Harapin e zi kthehet prapa e në rrugë e sipër u pret kokat Ymer Biçakçisë, Mitre Pomerjançit dhe Pletikosa Pavlit. Me të ardhur në shtëpi ai kërkon që të vijnë priftërinjtë e shenjtë, i ndezin qirinjtë dhe heroi jep shpirt.

Në variantin serb trimi quhet Xherxhelezi, person negativ dhe i dorës së dytë, kundërshtar i hidhët i heronjve protagonistë të tyre të krishterë.

Në këngët boshnjake Xherxhelezi ( d,m.th.me emrin si në këngët serbe) është një mejdanxhi i sulltanit.

Kjo mjafton për të treguar se as këngët serbe, as ato boshnjake, kanë asnjë përqasje me heroin e këngës shqiptare, i cili është simbol vetëmohimi për lirinë e vendit dhe mbrojtjen e nderit të familjes.

Elementet e këngës shqiptare dhe ato të këngëve sllave.

Prof. Eqrem Çabej - më i madhi lingvist shqiptar - ka vënë në dukje rolin dhënës të poezisë popullore shqiptare ndaj poezisë sllave. Ndër elementet më me rëndësi thekson Profesori, janë emrat tripjesësh të heronjve Gjergj Elez Alia, Gjeto Basho Muji, Dezdar Osman Aga etj. Këta emra vazhdojnë të jetojnë edhe sot në emrat e banorëve të Veriut: Ded Gjo’ Luli, Prel Memë Ujka etj.

Sadri Fetiu (Prishtinë) thekson se ne kemi shumë arsye që Këngën e Gjergj Elez Alisë ta konsiderojmë si bazë më të hershme të këtij motivi në letërsinë popullore shqiptare. Së pari, pohon Sadri Fetiu, kjo këngë është shënuar në Nikaj të Malësisë së Veriut, mu në zonën që studiuesit e epikës legjendare e kanë vështruar si trevë të truallit të kësaj epike ndër shqiptarë. Mandej, kënga në strukturën e vet poetike dhe kompozicionale përmban elemente të veçanta arkaike dhe rrin shumë afër baladave shqiptare, që trajtojnë tematikën problemore të raporteve të caktuara familjare.

Në këngët sllave, me këngën maqedonase si varianti më me rëndësi dhe sigurisht më afër burimit, elementet fetare dhe kishtare janë të dukshme. Sipas legjendës fetare kristiane, të kushtuar Shën Dhimitrit, ky e mbrojti Selanikun dhe ka trajta të ngjashme si figurë me legjendën e Shën Gjergjit. Në këngën shqiptare elementet fetare gati mungojnë, me përjashtim të përfytyrimeve shumë të lashta me mbjelljen dhe tharjen e blirit mbi varrin e heroit si dhe me paraqitjen e shpendit, qyqes, në fund të këngës. Nxirret përfundimi se protagonisti sllav ka më shumë të përbashkët me Shën Gëranit në Kishën e madhe të Stokholmit, që përmendet në fillim të studimit, se sa me Gjergj Elez Alinë në këngën shqiptare.

Konteksti historik i këngës së Gjergj Elez Alisë është i lidhur me rrezikun që shqiptarëve u vinte gjithmonë nga deti. Sadri Fetiu bën vërejtje se ky fakt mund të na çojë në përfundime të gabuara, sepse sulmet nga deti kanë qenë realitet gjatë një pjesë të madhe të historisë shqiptare. Sadri Fetiu përcakton këtë hapësirë kohore – që nga kolonizimi helen deri te koha e Bizantit dhe të sundimtarëve të anzhuve dhe të Venedikut. Mua më ka tërhequr pikërisht fjala ‘baloz’ dhe fakti se ky luftëtar erdhi nga deti. Këtu kemi të bëjmë me fjalën latine baiulus, fjalë që u përdor edhe në kohën bizantine, ndërsa me titullin bailo shënoheshin sundimtarët e Venedikut.

Kjo fjalë është shumë kuptimplotë, sepse në kohën e kryqëzatave (1096-1204) porti i Durrësit kishte rëndësi të jashtëzakonshme dhe dihet se mjaft nga pjesëmarrësit e kryqëzatës – të përdorim fjalët e historianit Edwin E. Jacques (Shqiptarët vëll. I) - ishin “turma kalorësish e fanatikësh, shenjtorësh dhe barbarësh” të cilët “frymëzoheshin nga motive sa të ulëta aq edhe të larta, si urrejtja, aventura, plaçkitja, shpëtimi dhe çlirimi i vendeve të shenjta.”

Na lind pyetja në lidhje me balozin: A kemi të bëjmë me një individ të veçantë, me një personifikim të një grupi ose një trillim pa lidhje me realitetin? Variantet ndër sllavët janë pa dyshim të krijuara shumë me vonë, sepse “harapi” ose “arapi” është një fjalë turke, që me siguri ka ardhur në Ballkan pas periudhës së pushimit turk. (E. Çabej: Studime etimologjike II A-B Tiranë 1976 f. 60-61). E gjejmë p.sh. te Buzuku (1555).

Në fund të kapitullit të sotëm do të shifni disa detaje që ka kënga e Gjergj Elez Alisë, dhe të cilët mungojnë në këngët për Dojçinin. Sadri Fetiu jep në studimin e tij disa prej atyre që janë më karakteristike:

1. Dialogu midis Gjergjit dhe së motrës në këngën shqiptare nuk përmban asnjë element të formulave të zakonshme epike. Ky dialog është i gjallë dhe dramatik. Fillon me monolog e, në pjesë të veçanta, gërshetohet përsëri me të dhe përfundon me porosi e urdhëra, që heroi i drejton motrës për t’ia përgatitur kalin për dyluftim. Dialogu midis Gjergjit dhe bajlozit fillon dhe përfundon me ironi; edhe në këtë rast nuk kemi asnjë element të formulës epike.
2. Dialogjet ndërmjet motrës dhe dy nallbanëve kanë elemente të formulave, por në rastin e dytë (kur motra bisedon me nallban-jaranin) formula shndërrohet si ligjeratë e drejte në pajtim me gjendjen shpirtërore të motrës. Episodet e nallbanëve në këngën shqiptare nuk i determinojnë veprimet e mëvonshme të heroit.
3. Në këngën “Gjergj Elez Alia” nuk përshruhet fare figura e jashtme e bajlozit.
4. Kënga shqiptare përfundon me një epilog, i cili si shtojcë e veçantë e zgjidhjes së veprimit, përmban në vetvete tërësinë e një poezie që artistikisht paraqet fuqinë kulmore të shprehjes poetike të artit popullor.
5. Motivacioni i këngës “Gjergj Elez Alija” është mjaft kompleks. Kjo këngë ndërtohet mbi një sistem motivesh, disa prej të cilave janë të afërta ose të ngjashme me motivet e baladave të vjetra shqiptare. I këtillë është motivi i dashurisë ndërmjet motrës dhe vëllait, pastaj ai i vdekjes dhe i respektit memorial të heronjve si dhe motive më të imta siç ështe kulti i armeve.
Amelia
Amelia

Regjistruar : 02/01/2008
Postime : 909
Points : 1463
Reputacioni : 59
Medalje Medalje2 Medalje Green

Kënga e Gjergj Elez Alisë. Empty Re: Kënga e Gjergj Elez Alisë.

12th February 2016, 21:34
Kënga e Gjergj Elez Alisë.

1-12
”Trim mbi trima ay Gjergj Elez Alija!
Qe nand’ vjet nand’ varra në shtat m’i ka!
Veç nji motër nat’ e ditë te kryet,
ja lan varrat me ujt e gurrës nandvjeçe,
ja lan varrat me ata lott e syve,
ja terë gjakun me ata flokët e ballit,
shtatin vllaut ja shtërngon m’ruba të nanës,
n’petka t’babës trupin ja hijeshon,
armët e brezit ja rendon mbi krye!
Sa herë trupin motra p’e tërnueke,
Dhimbn e varrëve vallaut krejt e harrueke,
dhimba e motrës dekun n’tokë e lëshueke!“

Shënim:
Bie në sy menjëherë stili solemn dhe krenar, një krenari shumë e disiplinuar që nuk lejon teprime as në formë, as në përmbajtje. Fjalët „trim mbi trima“ përcakton karakterin e Gjergjit. Motër e vëlla jetojnë në varfëri: Motra përdor disa ruba të nanës dhe petka të babës për të lidhur plagët e të vëllaut. – Numri nëntë është konsekuent në variantin shqiptar, ndërsa në variantin maqedon (sipas Fatos Arapit) ky numër përdoret vetëm në vargun 51. – Shumë e dukshme në tërë poemën shqiptare është dashuria vëlla-motër, një dashuri tronditëse që bën vëllanë të harrojë dhimbjet e vdekjes dhe shqetësimet për fatin e motrës kur ai nuk jeton më. Për shqiptarët e ditëve tona është me rëndësi të kujtojnë këtë lidhje vëlla-motër si një traditë burimore në kundërshtim me ato tradita negative me ngjyrim fetar sipas të cilave gruaja është një „tepricë", tradita që cimentojnë epërsinë e burrit mbi gruan...

13-20
„Â dalë zani e paska marrun dhenë,
se ’i baloz i zi â dalë prej detit,
Trim i prapët e belagji qi ish’ kanë,
Ja ki’ qitun dheut nji rreng të randë:
”Tim për tim kah një dash të pjekun,
tim për tim kah një vashë me ja djergun,
ditë me ditë kah nji kreshnik me premun,
javë për javë kah një krahinë me djegun!”

Shënim:
Haraçi që kërkon balozi, dhunuesi i huaj, është i prerë dhe i tmerrshëm. Ai ka si synim të nënshtrojë totalisht territorin e pushtuar, të shfrytëzojë pa mëshirë të mirat e vendit dhe të poshtërojë njerëzit, duke shkelur sa më rëndë mbi jetën dhe nderin e tyre. Këto rreshta kanë një forcë të jashtëzakonshme shprehëse, ato tregojnë lakuriq gjendjen e hatashme të popullit të robëruar.

21-32

”Edhe Gjergjit rendi te i ka ardhë,
me lot faqet trimit m’iu kanë mbushë.
Erzi i shpisë qysh lshohet n’dorë t’balozit?!
Ja ka nisë e motra e po bërtet,
krejt me lot Gjergjin p’e loton:
-Po qysh mordja, o vlla, me na harrue?
Nanë e tatë kah kalben për nan bli,
trupi i vllaut vorrue qe nandë vjet në shpi,
trupi motrës n’dorë t’balozit t’zi?!
Qysh s’u shemka kulla me na xanë,
qysh s’u kthyeka shpija n’nji muranë,
me t’pshtue erzin, mori e zeza nanë!”

Shënim:

Themeli i shtëpisë shqiptare ishte i ndërtuar mbi trekëndeshin Besa – Ndera – Burrnija. Dhe tani kjo shtëpi ishte në rrezik; a do të shkatërrohej bile themeli? Brengosja dhe dëshpërimi i të dyve duhet parë në këtë kontekst. Kush do të mbronte nderin e shtëpisë kur prindërit janë të vdekur, kur vëllau që nëntë vite dergjet në shtrat dhe motra është mbetur e pambrojtur dhe do të lëshohet në dorë të balozit?


33-73

Dy copësh zemra djalit iu ka da,
Dy sytë në ballë motrës ja ka lshue,
Dy rigë lot për faqe te i kanë skhkue.
Dy fjalë kullës djali ja ka fjakrue:
-He, ju u nxisha, mori sarajet e mija,
me lymashk u mbloshi n’fund e n’krye,
brevë e gjarpën paçi motër e vëlla,
pikët ndër shtroje kaq shpejt qysh m’i lshuet?!
- Jo, more vlla, lum motra, i ka përgjegjë,
t’ka lodhë jermi e s’po di ç’je kah folë;
se përjashta shi nuk asht tuj ra,
sytë e motrës po t’pikojnë, more vlla!

Qatherë Gjergji dorën ja ka shtërngue,
mirë po e limon me ato duert e shtatit,
mirë po e kqyrë me ata dy sytë e mallit!
Kurr ma themshim djali s’i ka folë:
- Amanet, mori motër, pse po kan?
Zemrën dysh, mori motër, pse ma dan?
Që nandë vjet, qi trupi â tu m’u kalbë,
Gjergji i yt tjetër pushim nuk ka,
veç si gjethi i ahit n’log t’shullanit.
A thue s’pate me ngranë e me pi?
A t’la keq ty vllau për veshë e mbathë?
A mos t’u randue, ndoiherë me fjalë,
motërzezës vallau me iu mërzitë,
huj për burrë ndoshta qi me t’ra?

Sa mirë motra vllaut po m’i përgjegjë,
dorën e vllaut tu balli e paska vndue;
- Amanet ku je, mori njomëzëja e ahit,
po e kaq fort, thue, jermi t’ka ngushtue?
Hisha gjallë në dhe, n’t’u martue motra!
Mjaft kam pasë, o vlla, me ngranë, me pi,
mjaft kam pasë me veshë edhe me mbathë,
kurr ma randë se sot ti folë nu’ m’ke!
Tjetër babë nuk kam, as tjetër nanë,
amanet, more vlla, mos m’pasë randë,
për nji dert qi sot po due me t’kajtë!
Qysh s’u njom ky shtat qe nand’ pranvera?
Si s’u mkamb ky trup me dal’ tu dera?
Si s’u tha kjo motër, thafa-e vera?
Po un’ balozit qysh i shkoj tu dera?


Shënim:
Këtu s’ka nevojë për shumë komente, kënga flet për vetveten. Vetëm duhet theksuar me ç’farë gjalleri dhe dashuri flasin motër e vëlla me njeritjetrin. Në këtë dialog nuk ka shabllone (mjaft forma të ngurtësuara ekzistokan në poezinë popullore në përgjithësi). Kjo bisedë motër-vëlla ka ngjyrën e freskët të jetës, të emocioneve njerëzore. Në fjalët e Gjergjit dhe të motrës dëgjojmë shqetësimet e tyre për vatrën, shtëpinë, dhe kujdesin e tyre për njeri-tjetrin. Uria, sëmundja dhe hallet e tjera të jetës mund të durohen – por motra në duart e balozit do të thotë thjesht mynxhyrë!
Amelia
Amelia

Regjistruar : 02/01/2008
Postime : 909
Points : 1463
Reputacioni : 59
Medalje Medalje2 Medalje Green

Kënga e Gjergj Elez Alisë. Empty Re: Kënga e Gjergj Elez Alisë.

12th February 2016, 21:35
74-104

Braf në kamb’ por djali konka çue:
- T’e marrsh gjogjun, motër, të mejdanit,
fill n’gjytet me te, motër, të m’bijsh
e t’më shkojsh tu nallban probatini.
Fal’ me shndet, thuej, Gjergji të ka çue,
me ma math’ me petkoj prej tumakut,
me m’ia u shti thumbat-o prej çelikut,
se n’mejdan balozit due me i dalë.
S’u gjegj gjogun vllathi me ta mbathë,
Hypi atit, bjeri n’der’jaranit.

E në sheher çika konka ra
Edhe â shkue tu nallban probatini.
- Puna e mbarë të kjoftë, more kumbar!
- Të mbarë paç, ti mori vasha e largë!
- Falëmeshhndet ty Gjergji të ka çue,
me ma mbathun gjogun mirë e mirë,
me ma vndue patkojt-o prej tumakut,
me m’ja shti thumbat prej çelikut,
se n’mejdan balozit due me i dalë!
Mbrapshtë po folë aj nallban probatini:
- Për n’m’i falsh, moj vashë, dy sytë e ballit,
ta kam pshtue vlla-Gjergjin prej mejdanit,
e baj gjokun me fjurue si era!

Se me idhnim çika e kite marrë!
-Ç’je kah thue, bre burrë, goja t’u thaftë!
Jam kanë nisë tu dera e probatinit,
qe nandë vjet, qi gjogu ksajt s’â ra,
m’ fal se ndeshkam derën e magjupit!
Se kta sy një her’ un ua kam falë
tatës e nanës qi kalben për nan’ dhe,
Gjergjit tem qi kalbet varrsh mbi dhe!

Shënim:
Nallban probatini është njëri i pabesë. Megjithëse ai është vëllami i Gjergjit, vëllau i tij sipas traditës me gjak, ai tani përpiqet të shfrytëzojë situatën për të kënaqur epshët e tij të ulëta. Duke parë bukurinë e vajzës ai e harron besën e shkruar me gjak. Dhe bukuria e motrës së Gjergjit zbulohet në botën e saj të madhe shpirtërore, në ndërshmërinë e saj, në dashurinë dhe respektin që ka ajo për të vëllanë dhe prindërit e vdekur. Propozimin e nallbanit ajo e hedh poshtë me përbuzje, duke e mallëkuar (“goja t’u thaftë!”).


105-155

Ka shkue motra tu nallban jarani:
- Fal me shndet, thot, Gjergji të ka çue,
kam orokun e mejdanit,
sa ma mir kët gjok ti me ma mbathë,
Than m’ka për patkoj prej tumakut,
me m’ia shti thumbat-o prej çelikut,
se do t’dal m’u pre me baloz t’detit.

Si për vedi gjogun e ka mbathë
Edhe n’pramje çika â dredh në shpi;
ka gjet vllan tu e pritë nën hije t’blinit.

Ça kish ba ay trimi Gjegj Alija?
“Falëmeshndet” balozit m’i ka çue:
- Me dalë heret n’at fushën e mejdanit!
Çikë për ty, baloz, nu’ m’ka qillue,
desht e vathit për ty nu’ m’janë majë,
sall nji motër, nu’ po muj me lshue,
varrët e shtatit s’â kush qi m’i lidhë!

Sa ka nisun drita me zbardhë majet,
N’fushë të mejdanit trimat konkan dalë.
Keq me fjalë trimat shoshojnë po rrekin:
- P’a prej vorrit, Gjergj, ti konke çue...?
Pse me m’qitë, bre burrë, n’ket fushë t’mejdanit?

Sa mirë trimi i ka përgjegjë balozit:
-Të lumt goja, baloz, mirë po thue!
Qe nandë vjet qi kam marrë rrugën e vorrit,
Pak pa mrrijtë baloz, ti m’ke dredhue.
M’ke lypë motrën para se mejdanin,
m’ke lypë berret para se çobanin
e jam dredhë n’ket log për me t’kallxue,
se ne t’parët nji kanu na kanë lanë:
“Armët me dhanë përpara e mandej gjanë,
kurr balozit motrën mos m’ja dhanë,
për pa u pre n’at fushën e mejdanit!
Por shtërngou, baloz, se t’ka ardhë dita,
se ktu i thonë-o Gjergj Elez Ali!

E i kanë ba dy gjogjat tim me tim
e n’topuz balozi e ka shinue.
N’dy gjujt gjogu Gjergjit te i ka ra,
përmbi kryet topuzi i ka fjurue,
dymbëdhetë pash m’ledinë u ngul topuzi,
dymbëdhetë pashë përpjetë, si re, u çue pjuhni.

Atherë Gjergjit rendi te i ka ardhë.
Sa mirë trimi n’topuz qi ka dredhë,
lik përmjet balozit te i ka ra!
 trandë fusha kur â rrxue balozi!

Meiherë trimi shpatën ma ka nxjerrun,
kryet me neje trupit ja ka damun,
zhag për kambet trupin e ka ngrehun,
me gjithë at m’nji bunar e ka mbytun,
të tanë lumën gjaku e ka tërzue,
për tri vjet krejt vendin e ka qelbun.

Shënim:

Pas qëndrimit të pabesë, imoral, të nallban probatinit, na jepet si kontrast qëndrimi besnik, i ndërshëm të nallban jaranit. Gjergji i ngritur nga shtrati është gati për luftë.

Gjergji i dërgon balozit një përshëndetje të prerë: Herët në mëngjez ai do t’a presë në fushën e mejdanit. Prej atij balozi nuk do të marrë asgjë – as vajzë, as dash, as motrën.

Lufta fillon me ngacmime nga të dy palët, dhe pastaj dyluftimi jipet me ngyra të gjalla por rrëfimi vazhdon pa u thelluar në shumë hollësira, sepse ky nuk është një përshkrim lufte për argëtim. Tërë kohën kënga tregon ngjarjet me stil të përmbajtur, pa teprime.

Gjergj Elez Alia e rrëzon balozin dhe ia ndanë kryet nga trupi.
Për të theksuar se sa i urryer ka qenë balozi këngëtari na kumton: “Për tri vjet krejt vendin e ka qelbun”. Trupi i balozit ka qenë i mbushur me helm dhe vrer dhe kalbet vetëm me zor...


156-188

Qatherë trimi â nisë me dredhë tu shpija
edhe shokët të gjithë m'i ka bashkue:
- Pa ndigjoni, more shokët e mij!
Falë u kofshin sarajet e mija!
Falë u kofshin tanë paret e mija!
E u koftë falë krejt malli e gjaja e shpisë!
Amanet motra e Gjergj Elez Alisë!
Edhe shtatit trimi i paska dhanun,
motërzezën ngrykas kesh me e marrun,
të dy zemrat priherë por janë ndalun,
vlla e motër dekun paskan ramun!
Kurkuj shpirti ma mirë s'i ka dalun!
Gjamë të madhe shokët qi m'i kanë ba!
Po ja çilin nji vorr bukur të gjanë,
Vlla e motër ngrykas për me i xanë
E ‘i muranë të bukur e kanë mbarue,
vlla e motër kurr mos me u harrue.
E ‘i bli t’bukur, qi m’ja vndojnë tu kryet,
zogu i verës gjithmonë me pushue.

Kur ka nisun mali me u dushkue,
â ndalë qyqja n’muranë t’vorrit të ri,
ka gjetë blinin të tanë degash tha.
Ka flurue përmbi ‘i saraj të zi,
Ka gjetë kulmin të tanë shembë për dhe.
M’nji prezor si m’paska hypë,
ka përbe shtegtarin kah po shkon:

- Amanet, more shtegtari i malit!
N’kofsh tuj kndue ksajt, kajkën me e pushue.
N’kofsh tu kajtë ksajt, gjamën për me e xanë!
Kah kërkova gjithkund bjeshkë e m’bjeshkë,
kah verova gjithkund vrri e n’vrri,
kah mjerova gjithkund shpi e n’shpi,
kërkund s’ndesha m’Gjergj Elez Ali!

Shënim:
Gjergji mblodhi shokët e tij për takimin e fundit. Ai u dha atyre kullat, paret, gjithë mallin e gjënë e shtëpisë. Dhe amanet motrën.... Ai dinte se jeta e tij po soset.
Gjergji u hodh për të përqafuar motrën. Të dyve zemrat u pushuan përnjëherësh. Vëlla e motër ranë përdhe të vdekur. Shokët i vajtuan me gjëmë të madhe, pastaj ata hapën një varr të gjerë.
Siç theksohet në vëllimin “Epika legjendare, I”, Tiranë 1966: “Nderimi që i bëhet pas vdekjes është shprehje e nderimit dhe e mirënjohjes së gjerë shoqërore për ata që bien si burrat në fushën e nderit, për mbrojtjen e idealeve të larta njerëzore.”
Holandezët marinarë-tregtar kanë një shprehje shumë kuptimplotë latinisht: Navigare necesse est, vivere non. Shqip: “Me lundrue asht e nevojshme, me jetue jo.” Në të njejtën mënyrë mund të thuhet për mentalitetin e trimave shqiptarë: “Me mbajt besën, nderën e burrninë asht e nevojshme, me u mbajt i gjallë jo.”
Bukuria ideo-estetike e Këngës së Gjergj Elez Alisë rritet edhe më shumë kur marrim parasysh karakterin dhe pozitën e motrës. Megjithëse ajo në këngë është e paemër dhe zbaton porositë dhe urdhërat e të vëllaut, ajo ka një forcë morale dhe një qëndrim të paepur që e vendos krah për krah me Gjergjin. Ajo nuk është person sekondar, ajo deri në fund rradhitet me të vëllanë, bëhet e barabartë me të. Kujdesi i Gjergjit për motrën bazohet në dashuri, jo në frikë për një turp të mundshëm. Motra, me karakterin e saj të lartë, nuk len shteg për dyshime.
Krahasime mund të bëhen me këngën e vëllaut të vdekur (Konstandinin, Halil Garrinë). Mirëpo, motra e Gjergj Elez Alisë me pozitën e vet në këtë dramë poetike nuk ka shoqe në poezinë popullore shqiptare.
Nën bli pushonin motër e vëlla, të përqafuar në vdekje. Varri u rrethua nga një mur, një grumbull gurësh, që të mos harrohej kurrë sa shumë e kish dashur motra vëllanë dhe sa shumë e kish dashur vëllau motrën.
Qyqja, kur nisi të dushkohet mali, qëndroi mbi muranë e varrit të ri. Ajo e gjeti blirin të tharë, kulmin e kullës (sarajës) së Gjergjit të shembur përdhe. Qyqja atëherë zuri vend në një dritare, duke kënduar një përbetim shtegtarit që shkonte udhës:
Dëgjo, o shtegtar i malit! Në qofsh duke kënduar, kur të afrohesh kësaj anë, pushoje këngën tënde! Në qofsh duke qarë, kur të afrohesh kësaj ane, shtoje edhe më shumë vajin dhe gjëmën!
Dhe qyqja mbaron këngën e vet me rreshtat më të bukura në poezinë popullore botërore. Ky mbarim i mahnitshëm është një monument për rapsodin e panjohur shqiptar, i cili diku në Malësi të veriut krijoi vjersha me një bukuri të paparë:
“Kah kërkova gjithkund bjeshkë e m’bjeshkë,
kah verova gjithkund vrri e n’vrri,
kah mjerova gjithkund shpi e n’shpi,
kërkund s’ndesha m’Gjergj Elez Ali!”

Populli i përvuajtur shqiptar është një popull shumë i pasur. Thesaret që kanë shqiptarët nuk shihen nga të gjithë. Prapë jam i bindur se Kënga e Gjergj Elez Alisë, po të ishe e shkruar anglisht ose frengjisht, do të numërohej ndër xhevahirët e poezisë botërore.
Sponsored content

Kënga e Gjergj Elez Alisë. Empty Re: Kënga e Gjergj Elez Alisë.

Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi