Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Kristaq Shabani
Kristaq Shabani
Anëtar i vjetër
Anëtar i vjetër
Regjistruar : 19/11/2015
Postime : 733
Points : 1430
Reputacioni : 5
Medalje Medalje2 Medalje3
http://www.pegasiworld.com

"Shpalosja e  një pasioni të  kahershëm "nga Prof. Bexhet Asani  Empty "Shpalosja e një pasioni të kahershëm "nga Prof. Bexhet Asani

18th July 2021, 14:09
FlagShpalosja e  një pasioni të  kahershëm   

           Me gjuhën dhe kulturën arbëreshe jam njohur që në bankat e shkollës së mesme. Njohuritë e mia për fatin e arbëreshëve u thelluan në Universitetin e Prishtinës. Nuk mund të gjeje profesor që nuk ligjëronte për historinë e arbëreshëve pas vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Prof. dr. Latif Berisha kishte bërë hulumtime në katundet arbëreshe të Kalabrisë. Ai kompletoi dhe në kuadër të “Rilindjes” u botua vepra e Zef Serembes. Ai pohon se poeti Zef Serembe dhe banorët e Strigarit janë me origjinë nga Struga.
           Prof. Shefqet Pllana kur ligjëronte për arbëreshët, sidomos për ciklin e këngëve të Skënderbeut, jo vetëm që i qeshte fytyra por dukej se fluturonte nga gëzimi. Në vitin e katërt të studimeve 1980 - 1981, unë isha absolvent dhe gjatë vitit bënim përgatitjet që të vizitonim arbëreshët në Kalabri dhe në Sicili. E kishim ëndërr të vizitonim fshatrat e shkrimtarëve arbëreshë si Maqin e Jeronim de Radës, Strigarin e Zef Serembes, Palac Adrianon e Gavril Dara Plakut dhe Gavril Dara të Riut, Horën e Arbëreshëve të Lekë Matrëngës në Sicili, e shumë e shumë katunde të shkrimtarëve të tjerë arbëreshë.
           Më 11 mars, 26 mars, 1 dhe 2 prill të vitit 1981 nisën demonstratat revolucionare në Kosovë dhe shpresat tona që të vizitonim arbëreshët u shuan fare. Studentët dhe intelektualët ndiqeshin këmba – këmbës: arestoheshin e burgoseshin pa mëshirë nga UDB-ja jugosllave. Të dyshuarve dhe të përndjekurve iu merreshin pasaportat. Filluan me të madhe burgosjet e shqiptarëve kudo në ish Jugosllavi, çdo i gjykuar merrte denim maksimal.
           Me zhvillimin e teknikës dhe teknologjisë kompjuterike, komunikimi u lehtësua mjaft. Me shumë intelektualë arbëreshë kam komunikuar nëpërmjet internetit dhe me disa të tjerë kam pasur takime të drejtpërdrejta në Zarë, në Strugë, në Itali, në Amerikë etj.
           Në librin studimor “Zjarri arbëror i pashuar” 2020, kam përfshirë intelektualë, studiues, shoqata të ndryshme kulturore e punëtorë arbërorë nga disa shtete si: Italia, Ukraina, Kroacia, Argjentina, Bullgaria dhe Amerika. Është vështirë që në një libër të përfshihet plejada e shkrimtarëve, studiuesve, intelektualëve dhe shoqatave arbëreshe. Në libër jam munduar që të përfshijë të gjitha shtresat shoqërore pa dallim.
             Arbërishtja është raritet kulturor dhe një gjuhë e mbyllur në vetvete që në shekullin e pesëmbëdhjetë. Për shekuj të tërë arbërishtja mbeti e pakultivuar. Merita të jashtëzakonshme për ruajtjen e gjuhës së kohës së Skënderbeut ka nëna arbëreshe dhe priftërinjtë arbëreshë, të cilët predikonin në gjuhën e thjeshtë të popullit.
             Bashkëpunimi shqiptaro – arbëresh gjithmonë ka qenë për të dëshiruar qoftë në iliri qoftë në diasporë. Vitet shatëdhjetë dhe vitetet tetëdhjetë të shekullit të njëzetë, arbëreshët dhe shqiptarët bashkë demonstronin në Nju Jork dhe në Uashington për të drejtat e shqiptarëve në ish Jugosllavi. Nëse shikohen revistat e viteve 50-60 të shekullit të njëzetë, bashkëpunimi i intelektualëve shqiptarë dhe arbëresh ka qenë mjaft i madhë. Gjysma e revistës është botuar me shkrime nga autorë shqiptarë, gjysma nga autorë arbëreshë. Sot në diasporë bashkëpunimi mes arbëreshëve dhe shqiptarëve pothuaj se nuk ekziston. Kjo vjen ngase arbëreshët e rinj janë asimiluar. Janë të rrallë ata që e ndiejnë veten arbëreshë.
              Kohët e fundit interesimi i shqiptarëve dhe arbëreshëve për bashkëpunim midis vëllezërve të një gjaku është shumë i madh. Seminari Ndërkombëtar i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare në Prishtinë i kushton rëndësi të madhe arbëreshëve. Në Tiranë është themeluar Qendra e Studimeve dhe Publikimeve Arbëreshe etj. Kohët e fundit janë binjakëzuar shumë komuna arbëreshe – shqiptare. Vizitat e arbëreshëve në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë dhe e shqiptarëve në Kalabri e Sicili janë shtuar dhe janë të ndërsjella.  
                  Të rejat dhe të rinjtë shqiptarë nuk e flasin arbërishten. Në qoftë se nuk merren masat e nevojshme për mbrojtjen e arbërishtes, ka rrezik që në një të ardhme të afërt ajo të zhduket, më vjen keq të them, do të vdesë. Të rejat dhe të rinjtë arbëreshë nuk kanë perspektivë në katundet dhe qytetet e tyre prandaj ata shkojnë të punojnë në veri të Italisë dhe në vende tjera të Evropës. Nëpër katundet arbëreshe s’ ka dyqane, barnatore, s’ ka berberë thotë me keqardhje prof. Françesko Markjano nga Spixana. Ka me dhjetëra katunde arbëreshe në Kalabri, në Sicili dhe në Italinë e Veriut që banorët e tyre e kanë humbur gjuhën arbëreshe, banorët vetëm e dinë origjinën e tyre arbërore dhe nëpër qendrat e fshatrave apo komunave qëndron krenar busti i Skënderbeut si simbol krenarie dhe si shenjë e origjinës së tyre. Vetëm kaq!
                  Prandaj nëpërmjet rrjeteve sociale u jam drejtuar arbëreshëve disa vite më parë:
                              Të dashur motra e vëllezër arbëreshë!
                 Ju keni ruajtur gjuhën e Skënderbeut, veshjet, zakonet dhe këngët popullore arbëreshe me dinjitet për 550 vjet. Tani e vetmja mënyrë që të mbrohet arbërishtja, është futja e gjuhës arbëreshe si lëndë e obligueshme në shkollat fillore dhe të mesme në ato krahina ku jetojnë arbëreshët.
                 Këtë ua mundësojnë ligjet italiane në fuqi, prandaj ju duhet të veproni sa më shpejtë që të jetë e mundur! Kam dëgjuar se një projekt të tillë e ka bërë prof. Françesko Markjano, ju lutem ndiqni rrugën e tij!
                Kjo është mënyra e vetme për ta ruajtur arbërishten nga zhdukja...!
                Me nderime
               Dr. Bexhet Asani
Veç kësaj u jam drejtuar edhe qeverive shqiptare:
       THIRRJE E HAPUR QEVERIVE SHQIPTARE!
                 Përveç disa arbëreshëve tanimë në moshë që e dine alfabetin e shqipes, kurse të rejat e të rinjtë arbëreshë si dhe të rejat e të rinjtë shqiptarët në diasporë një numër i madh i tyre nuk dinë shkrim e këndim. Ato dhe ata të cilët kanë lindur në diasporë e që mund të jenë nën moshën 45 vjeçare, po ashtu nuk e dinë alfabetin e shqipes. Atëherë qeveritë shqiptare duhet të ndjekin rrugën e prof. Ernest Koliqit sa nuk është vonë..!
                Të lindet një njeri i madh si Ernest Koliqi, i cili më 1941 dërgoi 200 mësues në Maqedoni, Kosovë dhe në Mal të Zi, të cilët i quajti 200 Pëllumbat e Parnasit. Qeveritë shqiptare duhet të çojnë mësuese dhe mësues si dhe t’ i mbledhin mësuesit arbëreshë, nga Kalabria dhe Sicilia, do të përmend disa prej tyre: Mario Massaro, Francescos. Marchiano, Gjuzepe Kjaramonte, Jaren Martide Mario Caliva (Kaliva), Giosafatte Capparelli – Malcori, Cettina Mazzei, Italo Elmo, Pasquale Bavasso, Salvatore Di Chiara e shumë të tjerë në një projekt të përbashkët e t’ ua mësojnë arbërishten - gjuhën e Skënderbeut dhe shqipen e sotme ..!
                  Vetëm në këtë mënyrë do të mbijetojnë arbëreshët edhe për shumë kohë ndryshe do t’ i gllabërojë globalizimi ata arbëreshë të paktë që kanë mbijetuar siç është i madhi Rosario Petta.Nuk mjafton që Ministri i Diasporës Pandeliu e dhe kryetari Meta të shkojnë e të fotografohen sa për sy e faqe me ta...
Qeveritë shqiptare të njëjtën gjë duhet ta bëjnë edhe me diasporën shqiptare kudo në botë!
                Thirrjet e mia të dhimbshme si duket kanë rënë në vesh të shurdhër..!
Bexhet Asani
Nju Xherzi,
Qershor 2020
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi