- Amelia
- Regjistruar : 02/01/2008
Postime : 909
Points : 1463
Reputacioni : 59
Fituesi i tenderit për reklamën në "The Economist" u paracaktua
22nd January 2016, 06:55
Dokumentet e zbuluara nga BIRN tregojnë që Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, AIDA, e ka mbajtur procedurën e prokurimit për përzgjedhjen e kompanisë prodhuese të ‘reportazhit reklamë’ një ditë përpara se revista të dërgohet në shtypshkronjë për t’u shtypur. The Economist i tha gjithashtu BIRN se reklamat nuk certifikohen nga gazetarët e saj.
Vendimi i qeverisë shqiptare për t’i paguar një kompanie britanike marketingu 36 milionë lekë për prodhimin e një reklame, në formë reportazhi të botuar në revistën The Economist, ka shkaktuar çudi në Tiranë.
Partia Demokratike në opozitë është ankuar që artikulli-reklamë i botuar në revistën prestigjioze Britanike, thurte lavde për qeverinë dhe jo për vendin si dhe e ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për shpërdorim të parave publike.
“Vetëlavdërimi 8 faqesh i Edi Ramës, është padyshim më i shtrenjti në historinë e këtyre viteve, dhe u ka kushtuar shumë taksapaguesve shqiptarë,” tha në një konferencë për shtyp përfaqësuesja e Partisë Demokratike, Grida Duma.
Në përgjigje të akuzave të PD-së, qeveria u ankua që vetëm në Shqipëri ndodhte që një parti opozitare të akuzojë qeverinë përse promovon vendin dhe kërkon të nxisë investimet e huaja.
“”The Economist”, si një prej revistave më prestigjioze dhe me lexueshmëri më të lartë në shkallë botërore, nuk mund të publikojë asnjë informacion që nuk është i vërtetë, që nuk është i verifikuar dhe që nuk është shkruar nga gazetarë të certifikuar të saj,” u shpreh qeveria nëpërmjet një komunikimi për shtyp.
“Në numrin special të kësaj reviste që do të shpërndahet në Samitin e Davosit, promovimi i Shqipërisë është një mundësi e shkëlqyer për të tërhequr investime të huaja të rëndësishme në Shqipëri, që krijojnë më shumë vende të reja pune, nxisin turizmin dhe prodhimin vendas,” shtoi ajo.
Akuzat e ndërsjellta midis partive politike për marrëdhënien me median dhe ndikimin mbi të, qoftë kjo kombëtare apo e huaj, nuk janë gjë e re në Tiranë. Por megjithatë, dokumentet e zbuluara nga BIRN tregojnë që jo vetëm përmbajtja e artikullit të ‘The Economist’ ka qenë e debatueshme, por edhe procedura e prokurimit e ndjekur nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, AIDA. (Kliko këtu për të lexuar shkrimin reklamë të publikuar te The Economist)
Reklamë vs Reportazh
Me datë 13 janar 2016, AIDA publikoi në faqen e saj të internetit një ftesë për oferta të drejtuar medias ndërkombëtare, ku kërkohen ofertues për një publikim për Shqipërinë në një revistë të huaj me fond limit prej 36 milionë lekësh. (Kliko këtu për të parë njoftimin e AIDA)
“Qëllimi i këtij publikimi është të krijojë një dialog për investime në Shqipëri dhe ta kthejë Shqipërinë në rekomandim kryesor për investime të huaja,” shkruhet në ftesën për oferta me negocim.
“Publikimi duhet ta paraqesë Shqipërinë si një lider të reformave në rajonin e Ballkanit. Një numër prej 5000 kopjesh të revistës duhet të shpërndahen në Forumin Ekonomik Botëror të 46-të në Davos, midis datave 20-23 Janar 2016,” shton dokumenti.
Edhe pse qeveria pretendon se ‘reportazhi’ i botuar në revistën The Economist është shkruar nga gazetarët e saj, në ftesën për oferta me negocim të botuar nga AIDA bëhet e qartë që titulli i publikimit është përzgjedhur nga agjencia e investimeve shqiptare.
“Publikimi duhet të jetë një reportazh prej 6 faqesh mbi Shqipërinë, një kombinim teksti dhe fotosh që hedhin dritë mbi biznesin në Shqipëri. Titulli i publikimit: ‘Shqipëria- udhëheq me reforma në rajonin e Ballkanit’” shkruhet në dokumentin e titulluar, “Ftesë për oferta, Economist.”
E kontaktuar nëpërmjet telefonit, revista The Economist i tha BIRN nëpërmjet një zëdhënësi që stafi i saj editorial nuk ngatërrohej kurrë me reklamat.
“Ne nuk para kemi reklama në formë reportazhi, por reklamat janë të paguara nga markat dhe të shkruara nga ato, kështu që nuk ka ngatërrim të stafit editorial, ” tha zëdhënësja e revistës për BIRN.
Fituesi i paracaktuar
Në datën 16 janar, nëpërmjet një njoftimi për shtyp Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes njoftoi që revista The Economist në numrin e saj të fundit ka botuar një artikull prej tetë faqesh për Shqipërinë.
“Artikulli, i realizuar nga Quantum Productions, e përshkruan vendin si lider të reformave në rajonin e Ballkanit, ndërsa bën një prezantim të zhvillimeve kryesore të ekonomisë shqiptare në dy vitet e fundit, reformat e ndërmarra, sektorët potencialë, klimën e biznesit dhe atraksionet për investime apo turizëm,” thotë ministria në njoftimin e saj.
Më poshtë ajo shton se pjesë e artikullit janë intervistat e realizuara me Kryeministrin z. Edi Rama dhe disa Ministra të Kabinetit qeveritar; Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë dhe përfaqësues të sipërmarrjes.
Është e paqartë se kur është përzgjedhur kompania Quantum Productions për prodhimin dhe shpërndarjen e reportazhit reklamë në The Economist.
Megjithatë, e qartë është që kompania Quantum Productions nuk është përzgjedhur nëpërmjet ftesës për oferta të botuar me 13 Janar nga AIDA, në të cilën thuhet se “komisioni i ngarkuar për të ndjekur procedurën e prokurimit do t’i hapi ofertat në datën 13.01.2016”.
Sipas zëdhënëses së The Economist, revista shkon në shtypshkronjë çdo ditë të enjte, që do të thotë që botimi në të cilën është publikuar dhe reportazhi reklamë për Shqipërinë është shtypur ditën e Enjte, 14 janar 2016.
Është e paqartë se kur e ka gjetur kohën AIDA të lidhte kontratën më Quantum Productions dhe kjo e fundit që të prodhonte reportazhin për Shqipërinë për revistën, gjë që ngre hije dyshimi që fituesi i tenderit ishte i paracaktuar.
I kontaktuar nëpërmjet telefonit, drejtori i AIDA, Genti Beqiri, nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN për një koment mbi tenderin. Pyetjeve specifike mbi tenderin nuk iu përgjigj as këshilltari për media i kryeministrit Endri Fuga.
Ndryshe nga Fuga dhe Beqiri, një përfaqësues i kompanisë Quantum Productions i tha BIRN që shkrimi ishte prodhuar në datën 14 janar dhe i ishte dorëzuar revistës për botim me 15 janar.
“Ne kemi një grup shkrimtarësh që mund t’i mbyllin këto punë shumë shpejt,” tha zëdhënësi i kompanisë përmes telefonit.
Sipas një vendimi të qeverisë të datës 7 janar, kompania që do të shpallej fituese nga tenderi i AIDA-s do të paguhej 2 milionë lekë, ndërkohë që 4 milionë lekë do të paguhej për konceptimin dhe zhvillim e përmbajtjes së reportazhit. Ndërkohë pjesa tjetër prej 30 milionë lekësh do i paguhej revistës The Economist, ku përfshihet dhe pagesa për 1,500 kopje të personalizuara të revistës me logon e Shqipërisë, si dhe tatimi në burim prej 15%.
I shtyrë të shpjegonte se si e kishte realizuar reportazhin në një periudhë 24 orëshe, zëdhënësi i Quantum Productions tha që shumë gjëra kompania i kishte marrë të gatshme nga qeveria.
“Nuk e kemi intervistuar kurrë kryeministrin Edi Rama, por citatet e tij na janë dhënë të gatshme,” u shpreh ai.
“Ne e bëmë shkrimin dhe gjithçka brenda 24 orëve, por ne nuk paguhemi për punën e bërë në 24 orë, por për reklamimin e mundësive të investimeve në Shqipëri për qindra-mijëra lexuesit e The Economist,” përfundoi ai. / Besart Likmeta -BIRN
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi