Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Kristaq Shabani
Kristaq Shabani
Anëtar i vjetër
Anëtar i vjetër
Regjistruar : 19/11/2015
Postime : 738
Points : 1445
Reputacioni : 5
Medalje Medalje2 Medalje3
http://www.pegasiworld.com

Vlera në besnikërinë e përsjelljes  dhe e paraqitjes së prozës popullore, Empty Vlera në besnikërinë e përsjelljes dhe e paraqitjes së prozës popullore,

25th August 2024, 01:41
Vlera në besnikërinë e përsjelljes  dhe e paraqitjes së prozës popullore, kontribut në  përpjekjen për ruajtjen  e saj , si dhe në krijimin e  një vizioni të ri për kohën, periudhën, në të cilën u krijua kjo pasuri.
 
 
Përsiatje e shkurtër për librin“ MOTRA  E DIELLIT” prozë popullore e Prof. Bexhet Asanit  
 
Nga Prof. Kristaq F. Shabani
 
Studiuesi zellmadh, Prof. Bexhet Asani paraqitet para studiuesve, lexuesve me një vepër hulumtuese të titulluar “MOTRA E DIELLIT  (PROZË POPULLORE NGA  RAJONI I STRUGËS). Paraprakisht, duhet theksuar se, studiuesi,  qysh në fillesë të studimeve të tij,  ka qenë i pasionuar  ndaj hulumtimit  dhe kërkimit të prozës popullore.  Falë këtij synimi, ai arriti të  krijojë këtë libër interesant, ku  rrëfyesi popullor  transmeton  ndodhi, ngjarje të vyera. Të përshtypëzon fakti si studiuesi me shumë vullnet  ka grumbulluar këtë prozë, ka ruajtur  me fanatizëm dhe aftësi mënyrën  e përcjelljes së saj, duke ruajtur tërësisht elementët rrëfyes. Këtu qëndron edhe merita dyplanshe e “vjeljes” dhe e përcjelljes reale , pa deformacione. Këto tekste  sjellin prova të gjendjes së gjuhës në epoka, kohë të ndryshme si dhe, duke realizuar metodën krahasimtare,  arrihet edhe në përfundime  gjuhësore, leksikografike, sintaktore, morfologjike, semantikore e tjera.
Kjo vepër shpalos, pasqyron dhe ndriçon një krijimtari të pasur  të trevës së Strugës, e krijuar nga një botë shpirtërore, e cila tashmë  është inekzistente, por, duke e pasqyruar në vepra të tilla, merr frymë.  Qëllimi kryesor është që të tregohet si me aftësinë gojore të transmetimit është arritur deri në lartësinë e prozës së sotme popullore.
Meritë,  padyshim, e studiuesit Bexhet Asani është vijimi   edhe mbledhja e folklorit, vjelja e një pasurie popullore, e cila është  krijuar në shekuj dhe, kjo metodë efikase  e përdorur    dhe e shkruar në libra, sjell një të mirë të madhe” evidentimin e saj,  para se ajo të marrë rrugën e pashmangshme të zhdukjes, fenomen ky tronditës dhe që ndodh  gjithmonë, në rast moskushtim vëmendjeje, duke humbur kështu perla të prozës popullore .
Ndaj, duhet evidentuar fakti që, autori – studiues, Prof. Bexhet Asani, është një nga këta studiues, i cili  materialet  e mbledhura e  të grumbulluara  i ka  sistemuar ndër vite në vijueshmëri  dhe, si rrjedhojë e punës së tij sistematike,    sjell  këtë libër  me  krijime popullore origjinale. Nëpërmjet një leximi të kujdesshëm  të substratit të tyre, kjo prozë është befasuese,  është pasqyruese  e një bote  shpirtërore , e një këndvështrimi, i cili sot është inekzistent. Tipike është  se,  një pjesë e këtyre krijimeve  të befasojnë me bukurinë e tyre, mënyrën shprehëse, trajtuese dhe objektivin e “goditjes” së tyre. Gjithashtu, shprehin dhe filozofinë e jetës ekzistente, e cila ka shkallinën e saj në periudha të ndryshme jetësore.
E padiskutueshme merita për atë çka tregojnë për kohën, personazhet, lidhjet, ndërlidhjet, fenomenet prezente, format e monologimit dhe të dialogimit. Në shumë prej tyre ka rrëfime ”elegante për kohën, ka sarkazëm, humor  dhe personifikime  tipike që hedhin dritë në proceset socile të kohës. Duke e lexuar  këtë kohë me këto ndodhi e ngjarje reale, apo të krijuara mbi to, njeriu mediton dhe jeton me atë kohë  dhe  bën krahasime të ecurisë jetësore. Dallohet mirë kjo ecje, e cila klasifikohet apo emërtohet moderne. Pse duhet të paraqitet dhe të mos lejohet të zhduket kjo prozë popullore? Parasëgjithash, janë elementët e njohjes, rruga e përshkuar nga e djeshmja e largët deri në ditën e sotme, duke nxjerrë në dritë faktorë, rrugë të ecurisë, pra nga jemi nisur dhe ku kemi mbërritur... Kjo tregon sa e efektshme është  për brezat  kjo përcjellje.
Natyrisht, që lexuesi i sotëm i kësaj  proze  e ka vështirë krijimin e një përfytyrimi të qartë  për këto epoka të kaluara, që bëjnë fjalë substratet e  këtyre  pjesëzave, ndaj është i nevojshëm shpjegimi, recensionimi, biseda konstruktive për të lëshuar dritë  dhe për të përvetësuar brendinë e tyre...
Ky libër krijon atmosfera  të bindshme, zgjeron përfytyrimin, tregon dhe intelektin e asaj kohe në paraqitjen e problemeve, fenomeneve dhe jep zgjidhjet e dhëna për  situata të ndryshme. 
 
Në këtë libër  janë përfshirë 64  krijime në prozën popullore, të cilat kryesisht janë  rrëfime të shkurta, histori, anekdota, nga  Struga  dhe rrethinat e saj, të cilat shprehin katërcipërisht  urtinë popullore dhe japin këshillime po të urta për  situatat e caktuara jetësore.
Në këtë paraqitje ka histori reale  si dhe personazhe të vërteta, të njohura, por duhet evidentuar dhe theksuar se,  një  pjesë  është  krijuar nga imagjinata, fantazia  popullore, e cila me aftësinë e saj rrëfyese, ka krijuar modele  rrëfimi. Po kështu, tendenca e tyre është: Dhënia e mesazheve  jetësorë domethënës për të ndriçuar mendjet e njeriut dhe shoqërisë së kohës .
Studiuesi, në paraqitjen e kësaj proze,  ka bërë ndonjë ndërhyrje të vogël, në ndonjë rast,  për të rritur kuptueshmërinë narrative, por pa prekur strukturën dialektore,  grupin e  caktuar shoqëror.
Në këtë prozë popullore, nëse ndalesh,  gjen  fjalë të rralla, madje dhe të tilla, të cilat nuk gjenden  në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe.  Ka dhe ndonjë shpjegim përkatës, për ta bërë tekstin paraqitës sa më të shpjegueshëm. Po kështu, çdo shkrim, në fund, ka dhe personin rrëfyes, vendin, ku është marrë  dhe kohën e “vjeljes” së  materialit.
Duke u nisur  nga fakti që Letërsia gojore, ndryshe quhet edhe letërsi popullore, duhet të ritheksojmë se, kjo letërsi ka qenë  prezente në kohën, kur njerëzit akoma nuk dinin shkrim dhe lexim. Si rrjedhojë, mund të shprehemi   që, gjërat e shkruara kanë qenë të rrëfyera gojarisht.  Një metodë kjo e “të shkruarit” të lashtë. Vetkuptohet  që, kjo është  krijimtari shpirtërore, e cila na jep një pasqyrë të gjallë nëpërmjet të folurës, të  jetës shpirtërore të një populli, duke e këndvështruar atë në disa aspekte apo plane:  shoqërore, ekonomike, familjare, mitologjike, kanunore, ndërnjerëzore dhe morale, por, ndonjëherë, përdoret dhe trillimi i “thekur” i krijuar me zgjuarsi të përligjur  (zanat, orët, sibilat, etj).
Është paksa çudi  që, edhe pse njerëzit e asaj periudhe  kishin standart apo kuotë të vogël intelektuale, kanë arritur  të krijojnë një  jetë plot pasuri shpirtërore  dhe të mbushur me përfytyrim të mirë artistik.
Duke “mbretëruar” për një kohë shumë të gjatë historike, kjo prozë  nuk ka nxjerrë në pah përfaqësuesit e vet krijues, por motivimi i tyre ka qenë “anonim”.
Duke e parë këtë prozë, të paraqitur në këtë libër, me një sy analitik vërehet: optimizmi, çiltërsia, predominimi i shpresës , i së Mirës, besimi në transformim, tentativat për eliminimin  e dhimbjes, vuajtjes, skllavërimit, tendenca për lumturim, dashuri, mirësi e tjera.
Kryesorja e kryesoreve është se këta krijues të prozës popullore janë tërësisht besnikë të paraqitjes së realitetit  dhe dhënës  të kontributit  të një vizioni të ri për kohën, periudhën.
Pra, si përfundim, duhet të theksojmë se, dhe proza popullore e paraqitur në këtë libër  nga krijuesit e saj,  ka patur gjithmonë tendencën e pasurimit, e ndreqjes, e përshtatjes e plotësimit e tjera. Pra, materiali gjithmonë ka kaluar në një një proces përpunues për t’iu afruar sa më shumë realitetit kohor.
Nga  rrëfimi i parë “Bariu e gjarpri” e deri te “Kaosi dhe vëllezërit” është një “mozaik” i veçantë dhe i qenësishëm i prozës përfaqësuese popullore të Strugës e përzgjedhur prej autorit  në këtë vepër , e cila është një ndihmesë  edhe për studimin e saj në shkollat  e të gjitha rangjeve.
 
Urime autorit për këtë libër, i cili e përcjell të moçmen në të  sotmen dhe jep kontribut në mosharresë të kësaj proze në disa gjini të saj! Ky libër del në një kohë, kur LNPSHA “PEGASI” ALBANIA, ka intesifikuar përpjekjet  për një pasqyrim real edhe të prozës popullore, folklorit, por edhe të Fjalësve semantikorë,  në të gjithë hapësirën e Kombit tonë. 
 
 
Gjirokastër, korrik 2024
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi