Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Kristaq Shabani
Kristaq Shabani
Anëtar i vjetër
Anëtar i vjetër
Regjistruar : 19/11/2015
Postime : 740
Points : 1451
Reputacioni : 5
Medalje Medalje2 Medalje3
http://www.pegasiworld.com

Intervista e Dr. Hekuran A. RAPAJ, akademik ,studiues, poet, publicist   për Revistën “ The Bard”, Brazil Empty Intervista e Dr. Hekuran A. RAPAJ, akademik ,studiues, poet, publicist për Revistën “ The Bard”, Brazil

Yesterday at 21:31
Flag

 dhënë Prof. Dr.Magna Aspasia Fontenelle, akademike   
Hekuran A. Rapaj, qytetari i Shqipërisë dhe i botës, na tregoni për fëmijërinë, adoloshencën tuaj?
Vendlindja ime e dashur, Shtëpëzi i Gjirokastrës, është një vend magji natyrale. Shtëpëzi, ky ballkon i lavdishëm i Labërisë. Vendi, ku dielli vetëm lind dhe ndriçimi nuk shteron kurrë. Vend i magjishëm, ku gratë dhe burrat kuvendojnë me Zotin, me yjet dhe gjithësinë. Bashkëfshatarët e mi të dashur që nuk u shteron kurrë buzëqeshja, u lartësohet bujaria dhe dashuria njerëzore, u rritet inteligjenca dhe përkushtimi. Fëmijët shtëpëziotë në vend të ninullave frymëmarrjen e gjejnë te cicërimat e pashtershme të zogjve, blegërimat e bagëtive dhe aromat e shumëllojshmërive të luleve dhe bimëve kurative.
Mëngjesi i përpurtë në atë freski mali na zbukuronte faqet tona dhe ashtu të përgjumur, nuk lëviznim nga orkestra e cicërimave të zogjve dhe gjinkallave që në atë shpat mali ishin me shumicë. Prandaj quhet ai vend “rrëza e shpendëve”. Nën këngët e ledhatuese të nënave tona, merrnim një copë bukë me djathë, gjalpë, gjizë apo kos dhe niseshim për në shkollë.
Shkolla ishte dashuria jonë e parë, mësuesi dhe librat ishin partnerët e përjetshëm të dashurisë, dijeve dhe kulturës. Mëngjesi pranveror kishte një aromë mbytëse me mbi 70 lloje lulesh të ndryshme e bimë aromatike kuruese mjekësore. Një mrekulli natyrore, ku dhe kujdesi njerëzor ishte i jashtëzakonshëm.
Në mbrëmje prisnim me kureshtje bagëtitë që vinin nga kullota, mes për mes fshatit tim, me çobanin në krye e në fund të kopesë qeni “Gusho”. Blegërimat e bagëtive së bashku me zilet dhe këmborët ishte një sinfoni më vete. Pastaj, ato si me magji, shkëputeshin një nga një nga rreshti i madh i përbashkët dhe shkonin secila në shtëpitë e tyre, atje te kasollet me barë. Nënat, vajzat dhe nuset i prisnin gati me tenxheret (enë për grumbullimin e qumështit), për t’i mjelur ato. Dum-dumet e dybekut (pajisje prej druri që shërbente për rrahjen e qumështit) dhe nxjerrjen prej andej gjalpin, dhallin, më pastaj djathin e dhe kosin, nën  këngët e kujdesshme të gjysheve: ishte një tjetër ndjesi krijuese.
Por kishte varfëri dhe sakrifica. Prisnim, kur ndonjëri nga shokët t’i vinte një top plastik futbolli; ai vërshëllente dhe ne e kuptonim që duhej të rreshtoheshim përballë ekipit kundërshtar në fushën e futbollit. Në fund të ndeshjes, dorë për dore e qafë për qafë ktheheshim pranë vatrave tona familjare, por edhe përballë kritikave të prindërve që kishim kaluar kohën e përcaktuar. Dhe kështu fillonte orari i detyrave mësimore, mbi libra, fletore vizatime deri vonë.
 
Kur e nisët procesin tuaj letrar?
Në atë vend “ballkoni”, gjithkush që shkon për vizitë nuk ka sesi të mos përjetojë një ndjesi të çuditshme dhe një frymëzim krijues letrar që vjen vetvetiu, që del nga shpirti dhe përplaset në ngjyrat ylberike të asaj natyre plot lulëzim e ndriçim. Është vendi i tillë që dhe nata humbet dimensionin e saj ekzistencial, sepse hëna që ja lë vendin diellit, duket sikur qëndron mbi jetët tona njerëzore e na thërret në botën e mistershme poetiko-letrare. Kështu, atje që në moshë fare të njomë fillova belbëzimet e para krijuese, nëpër fleta fletoresh të shkëputura, duke bashkëbiseduar me vetveten, me shokët, familjen time që lodhesh duke punuar për të më rritur e arsimuar.
Në gjithë këtë vorbull plot nuanca ngjyrash jetësorë, vështirësi e pengesa, nuk mund të mos mendoje e të mos përshkruaje këtë ritëm jete. Isha fare i vogël, në klasën e 5-të, fiks 10 vjeç, që fillova të shkruaja poezitë, shkrimet e para për jetën në fshatin tim, për shkollën, kooperativën bujqësore, të cilat deri në klasën e tetë i botoja në gazetën “Pararoja”, organ i shtypit të rrethit Gjirokastër. Në të njëjtën kohë, më pëlqente shumë dhe karikatura, ku disa punime në karrikatura të ndryshme i dërgoja me postë në revistën e vetme prestigjioze të karrikaturave në Shqipëri, “Hosteni”, Tiranë.
Shkollën e mesme e vazhdova në Tiranë. Ishte një tjetër frymë, një tjetër kolektiv dhe marrëdhëniesh. Sa ishte krijuar një shkollë e mesme politeknike ushtarake “Skënderbeg”. Ishim mjaft nxënës të mbledhur nga të gjitha rrethet e krahinat e Shqipërisë. Ishim adoleshentë, por jeta na kish përplasur, na kishte burrëruar e lartësuar para kohe. Disiplina dhe kërkesat e larta na bënë të kujdesshëm në racionalizimin e kohës për mësim, studim, argëtim, sport dhe aktivitete të ndryshke krijuese, letrare e artistike.
Krahas sukseseve shumë të larta në mësime, në marrëdhënie me shokët dhe mësuesit, si anëtarë i këshillit pedagogjik të shkollës, nuk u shkëputa për asnjë moment nga bota ime krijuese. Në poezi po shkëlqeja, por, dhe në atë që në atë kohë quhej “kritikë letrare”. Krijimet e mia filluan të botoheshin në gazetën “Drita” i vetmi organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Shqipëri, si dhe në gazetën “Zëri i Rinisë, organ i Bashkimit të Rinisë së Shqipërisë.
Erdhën mjaft momente të bukura, ku krahas botimeve, poezitë e mia qëndronin duke freskuar herë pas here këndin letrar të asaj shkolle gjigante. Ndjehesha i mrekulluar, kur shokët më komplimentonin dhe mësuesja e letërsisë shumë më vlerësonte dhe inkurajonte.
Në këtë mënyrë rrjedha e krijimtarisë udhëtonte sigurinë e pashtershme; në vitet e së ardhmes u bë një virtyt i pashkëputësisë jetësor, oksigjeni i jetës time, dielli që po më ndriçonte shpirtin, më forconte zemrën dhe më jepte bekim për të ardhmen.
Literatura juaj lundron nëpër përvojat e jetës, apo janë ato teknike?
Veprimtaria ime jetësore, profesional, inxhinierike, krijuese, ushtarake dhe akademike është mjaft komplekse, interesante dhe, ndoshta, pak ngjashmëri mund të kem me të tjerë. Është origjina ime dhe mësuesit e mi të dashur. Është kujdesi i jashtëzakonshëm i prindërve të mi, si dhe palodhshmëria  e vullnetit dhe përkushtimi im.
Shkolla e mesme ishte shkollë teknike profesionale. Shkolla e lartë ishte shkollë ushtarake, pjesë e inxhinierisë për transportin ushtarak. Shkolla tjetër e lartë ishte universiteti për inxhinierinë mekanike. Akademia e Lartë e Mbrojtjes më përforcoi idenë akademike për sigurinë. Fakulteti i historisë dhe fiziologjisë më ngacmuan për avancimin e studimeve shkencore për marrëdhëniet ndërkombëtare e diplomaci si dhe për sigurinë ndërkombëtare. Krahas jetës dhe karrierës së shkëlqyer ushtarake, nuk ndërpreva veprimtarinë time akademike si pedagog në shkencat politike juridike dhe në marrëdhënie ndërkombëtare e diplomaci. Në dukje, dhe ndoshta ashtu ngjasojnë; mos përputhje midis profesionit tim si ushtarak dhe jetës time akademike. Në të dy momentet pata kënaqësinë të arrij nivelet e larta: si Ushtarak deri në Komandant i Brigadës Transportit dhe Drejtor i transportit në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë. Si pedagog: deri dekan i fakulteti juridik.
Biblioteka ime personale ngelet burimi i kësaj jete, si “përplasje” e të kundërtave, brenda një “kutie” të mirëdisiplinuar plot kreativitet. Fillimet  e mia: librat me poezi, tregime e romane si dhe libra shkencorë. Me kalimin e viteve, literatura tekniko-inxhinierie, mjaft monografi e jetëshkrime të njerëzve të mëdhenj që kanë bërë epokë historike në drejtimin e shteteve, të luftrave, në shkencë, politikë e letërsi etj. Një vend, aspak për t’u mos u harruar, zënë botimet mbi historinë ushtarake e të artit ushtarak botëror, të historisë së Shqipërisë dhe asaj botërore, që nga lashtësia e deri në ditët tona, libra plot kritika e vlerësime letrare, histori të kombeve e vendeve të ndryshme, të regjioneve fetare e mjaft të tjera.
Ashtu siç kam patur marrëdhëniet jetësore dhe lidhjet shkencore me punën, shoqërinë, vendlindjen, profesionin si dhe aktivitetin akademik, në këtë kohezion përputhjeje ka qenë dhe është literatura ime, biblioteka ime shumë e madhe.
Na tregoni si u futët në Akademinë Alternative Pegasiane Albania?
Është një nga momentet më të bukura, që po të më kishte ikur, nuk do t’ia falje kurrë jetës time.
Ishte fillimi i vitit 2013. Në atë kohë isha pedagog në Universitetin “Kristal” në Tiranë. Sapo kisha nxjerrë në dritë vëllimin me poezi “Fletorja e Rinisë”. Pedagogët dhe kolegët atje më detyruan që të bëja një promovim të librit, në ambientet e bukura të këtij universiteti. Gjatë asaj periudhe, kisha mjaft miq krijues, poetë dhe artistë, të cilët po më rekomandonin që të njihesha me profesor Kristaq F. Shabanin. Tregova interes si gjirokastrit, patriot i vendlindjes time, por më ngacmoi edhe fakti që profesor Kristaqi ishte president i LNPSHA  “Pegasi” Albania.
Që në takimin e parë më ngjiti si me magji impulsiviteti i tij, shpirti i gjerë dashamirës për ndihmë dhe mbështetje bashkëpunimi. Në shkëndijën e  syve të tij njoha një euridit, një krijues me plotë vlera të jashtëzakonshme në letërsi, poezi, publicitet, esest, redaktor si dhe një vizionar, si askush tjetër për promovimin e vlerave krijuese të letërsisë dhe artit kombëtar e ndërkombëtar. Ky njeri i jashtëzakonshëm, asnjëherë në qetësi, shpalosi misionin dhe programin afat-mesëm dhe afat-gjatë për LNPSHA “Pegasi” Albania dhe Akademisë Alternative Pegasiane. Kështu më lidhi ADN-ja krijuese, njerëzore dhe gjaku nervor për të çuar përpara synimet dhe objektivat e profesor Kristaqit.
Në këtë institucion krijuesish u njoha më një botë të tërë poetësh, krijuesish letrarë, artistë, studiues, shkencëtarë të fushave dhe gjinive të ndryshme, në mjaft vende të botës, të cilët me përkushtim gjithsecili në fushën e vet të krijimtarisë, përditë e më tepër marrin dhe transformojnë energjitë në mbështetje nga bordi drejtues i Akademisë Alternative Pegasiane, nga vetë i palodhuri Kristaq F. Shabani, kandidat i nominuar për çmimin “NOBËL” për Paqen në vitin 2017, nga disa institucione e organizata ndërkombëtare, si dhe nga SHBA.
LNPSHA “Pegasi” Albania është një gurrë pashtershme krijimtarie me krijues dinjitozë, që dinë të hedhin mesazhet krijues në momentet që shoqëria ka nevojë dhe i kërkon. Në këtë mori njohjesh të njerëzve të mëdhenj të penës dhe artit, kemi shpalosur vlera dhe promovime në më se 130 shtete, në mbarë globin.
Pra, që në ato momente e në vazhdimësi, dashuria me takimin e parë, tashmë është kthyer në domosdoshmëri jetike krijuese e bashkëpunuese.
Cilët shkrimtarë mendoni se e kuptojnë më shumë shpirtin e njeriut?
Veprat e mëdha krijuese i kanë mbijetuar turbullirave të kohës, sepse ngelen në kohezion me problematikat ekonomike, sociale, historike dhe politike të njerëzimit, në të kundërt, të tjerë janë harruar. Është misioni thelbësor i krijuesit t’i bjerë “bories” së alarmit, kur punët e një kombi nuk shkojnë mirë, të jetë në pararojë disa shkallë më parë për të treguar rrugën e luftës kundër së keqes, kundër varfërisë, terrorizmit, krimit të organizuar, në mospërputhje me qeveritë autoritariste, në favor të paqes e zhvillimit.
Veprat e krijuesve bashkëkohorë i paraprijnë evolucionit zhvillimor në papajtueshmëri me grabitjen e pasurisë dhe ndotjen ambientale, në shkatërrimin e vlerave tradicionale të jetesës, shoqërisë, kombit, familjes, gjuhës, arsimit kulturës, historisë e të tjera.
Shqipëria ka qenë një vend i vuajtur, i varfër dhe përherë nën sundimin luftarak të pushtuesve të ndryshëm. Kështu që, krijuesit nuk kanë shteruar asnjëherë, duke nxjerrë të vërtetën në dritën e diellit, qysh nga lashtësia, mesjeta, shekulli XX e në të tashmen. Emrat e tyre lartësohen, ndërsa vitet ikin. Të tillë si Naim Frashëri, Andon Zako Çajupi, Jeronim De Rada, Sami Frashëri, Fan Noli, Migjeni, Ndre Mjeda, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Kristaq F. Shabani, Fatos Arapi, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Pashko Vasa, Sterio Spasse, Naum Prifri, e mjaft të tjerë, ngelen një shkollë e madhe, frymëzues të vazhdueshëm për kombin shqiptar.
Na tregoni cili nga librat tuaj ju përkufizon më shumë?
Nga natyra jam pak enciklopedik. Nga vetë karakteri dhe botëkuptimi im arsimor, kulturor, si dhe nga gjithëpërfshirja profesionale dhe akademike, kamë zotëruar dhe vazhdoj krijimtarinë time duke u përfshirë në disa fusha. Kjo më ka shoqëruar në kreativitetin tim letrar dhe akademik. Për shembull:
·         Libri im “Ushtria Shqiptare ‘97” është një refleksion historik dhe dokumentar për atë periudhë dramatike që kaloi vendi im, në pranverën e viti 1997. Si rezultat i një politike absurde antikombëtare nga qeveria e atëhershme, midis mjaft të zezave që hoqi Shqipëria, një katastrofë e jashtëzakonshme ishte shkatërrimi i Ushtrisë Shqiptare.
Si ushtarak i karrierës dhe si intelektual i këtij vendi, nuk mund ta përjetoja në heshtje këtë katastrofë të së keqes për ushtrinë. Pata guximin duke vendosur në provë logjikën time reflektuese dhe intelektuale, duke qenë i pari shqiptar dhe njëkohësisht ushtaraku i parë që botova librin plot refleksione dhe dokumente të kohës.
Kam ndjerë se, Forcat e Armatosura janë një institucion politik i një lloji të veçantë duke i dhënë asaj një avantazh të dallueshëm dhe herë herë shumë më të madh mbi organizatat e tjera civile. Aktualisht, dhe herë pas here, ky botim merret në analizë pozitivisht dhe në refleksione analitike, në mediet e shkruara dhe në ato vizive, duke u vlerësuar si karakter i veçantë i ushtrisë shqiptare që mori trajtë nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm. Këta faktorë përfshijnë historinë dhe traditën e ushtrisë, të njësive të veçanta si dhe natyrën e përgjithshme të sistemit politik, kulturës politike dhe antivlerave të vetë regjimit të porsaardhur në pushtet.
·         Libri “Fletorja e Rinisë” është flutura poetike e qëndisur në jetën time adoleshente. Personalisht kam qenë një adhurues i zjarrtë i poezisë. Kaluan vite dhe rezervuari im i kujtesës së shkollës së mesme i ngjan disi atij të një frigoriferi. Kur nxjerrim prej tij një ushqim që është lënë prej kohësh aty, si fillim është i fortë dhe i ftohtë, nuk ka aromë dhe as shije. Por, pasi e vendos në zjarr, dalëngadalë ushqimi merr formën, ngjyrën dhe aromën e vet. Kështu dhe kujtimet e mia të trishta, ngandonjëherë dremisin për shumë kohë, në një nga fletët e panumërta të kujtesës. U prehën atje me vite. Pastaj, një shkëndijë në një ditë të bukur dhënë nga mbesa ime, Lea Muça, dhe ato dolën në sipërfaqe, lundruan, gurgulluan e më rrëmbyen vetëtimthi duke më çuar larg në ato momente kur mendoja se i kisha kyçur në kasafortën e jetës së shkuar.
Duke marrë e shfletuar ato fletore dhe ditarë të së kaluarës, krejt papritur, kuptova se vullneti, pasioni dhe dashuria për dije e shkencë; kjo dritë që më kishte ndriçuar rrugën time të së ardhmes akademike në vitet e fundit, nuk vinte nga vetëdija brenda qenies time, por është një pasqyrim i tërë i sakrificës, përpjekjeve që vazhdimisht, çdo ditë, muaj e vite, kisha përballuar, ëndërruar e punuar për të ngritur këtë ngrehinë.
Atdhedashuria ka qenë lajtmotivi thelbësor në këtë krijimtari, siç janë edhe lirikat për vendlindjen, për prindërit, miq, shokë, si dhe lirikat e dashurisë për vajzën, të cilat me çiltërsinë dhe pafajësinë e moshës, trokasin edhe në zemrat e lexuesit të sotëm. Këto vjersha janë ëndrrat, idealet, gjurmët e një ushtaraku të ardhshëm, të brumosur që në rini me tiparet dhe virtytet e një njeriu që e ndjen deri në gjak se nesër do të mbajë mbi supet  njoma peshën e rëndë të përgjegjësisë para Atdheut.
·         Karriera ime e shkëlqyer në Forcat e Armatosura të RSH rrjedh nga profesionalizmi im si një inxhinier i transportit ushtarak dhe i sigurisë ndërkombëtare. Kontributi im pasionuar për Transportin ushtarak ka filluar qysh herët në vitet e para të karrierës time si oficer. Isha i motivuar t’u shpjegoja gjithkujt, vartësve të mi, specialistëve dhe drejtuesve çfarë ishin të rëndësishme dhe çfarë duhej bërë për të mbajtur këtë shërbim të gjallë, të freskët, dinamik, si dhe vetë karakteri i tij në Forcat e Armatosura.
Për këtë qëllim nisa të studioja historikun e transportit ushtarak shqiptar që nga themelet e shtetit të porsakrijuar më 1912 e deri më sot. Botova volumin e parë: “Historia e Transportit Ushtarak Shqiptar, 1912-1939”, pak më vonë botova, ”Transporti në Luftën Nacionalçlirimtare Shqiptare, 1940-1945”. Janë për botim “Transporti Ushtarak Shqiptar, 1946-1972” si dhe “Organizimi i Transportit Ushtarak Shqiptar, 1973-1999”.
·         Karriera ime akademike ka qenë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomaci si dhe në fushë e sigurinë ndërkombëtare. Midis shumë gjërave të mira që kanë ndodhur në jetën time, nuk ka asgjë për të cilën unë krenohem më shumë sesa marrëdhëniet e mirëkuptimit dhe respekti i ndërsjellët, që si ura të hekurta lidhëse, kam krijuar me studentët.
Leksionet e dhëna në disa universitete mbi Praktikën Diplomatike, si dhe Konflikti Ndërkombëtar, gjetën mirëkuptimin dhe mirënjohje tek studentët, të cilët me këmbëngulje disavjeçare, më kërkuan që t’i përmblidhja në botime leksionet. Vendosa dhe fillimisht botova “Praktikë Diplomatike, Teori, Praktikë dhe Aktorë” dhe një vit më vonë botova librin tjetër “Konflikti Ndërkombëtar, Klasifikimi, Fakte dhe Aktorë” dhe ua dhashë studentëve si tekste mësimore. Këto botime janë tërësisht përpjekje personale, nëpërmjet një impenjimi të thellë në të menduar, konceptuar në radhitjen dhe gërshetimin e teorisë me praktikën, fakteve dhe aktorëve kryesorë shtetërorë e joshtetërorë, në përputhje me problematikat me ndryshme historike të kombeve dhe rajoneve.
Botimet e tjera të bëra, janë në vazhdën kompletimit të studimeve të mia të mëtejshme. Jam i kënaqur që librat e mi kanë patur respektin, mirëkuptimin dhe dashurinë e studentëve dhe lexuesve.
Këtë besim absolut e kam dhe për botimet në radhët e vijueshme të krijimtarisë si: “Mbi absurdin e mendimit”, “Psikologjia e rrugës”, një përmbledhje e recensave dhe vlerësimeve të bëra për disa autorë, profesorë, krijues dhe poetë., si dhe vazhdoj punimin e dy monografive.
Na tregoni për vendin tuaj Shqipëri. Pjesëmarrja juaj si shtetas dhe ushtarak në marrëdhëniet ndërkombëtare. A janë të rëndësishme partneritetet? A i është bashkuar Shqipëria komunitetit evropian?
Shqipëria është një vend i vogël, por shqiptarët janë një popull i lashtë, aq sa është lashtësia e kësaj bote. Prandaj, ata ndodhen kudo, në çdo pjesë të globit. Nuk ka shtet që të mos ketë në përbërje qytetarë me origjinë shqiptare. Është kjo lashtësi shqiptare si dhe tradita e mirëdashurisë njerëzore që kemi për këdo, pa dallim race, feje, kombi ngjyre apo përkatësie ideologjike, që i ka bërë shqiptarët partnerë dhe qytetarë të respektuar kudo në botë.
Shqiptarët dhe qeveria shqiptare po ndjek me kujdes, po dhe këmbëngulëse, një politikë luajale mirëkuptuese-diplomatike me vendet fqinjë: Italinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Turqinë, Malin e Zi, me shtetin më të ri Evropian, Kosovën shqiptare. Njëkohësisht, po punohet për të përmbushur të gjitha “detyrat e shtëpisë” që Bashkimi Evropian i ka caktuar qeverisë shqiptare. Është pozitivitet që aktualisht Shqipëria ka një kryeministër, Edi Rama, tepër aktiv dhe i palodhur për ta integruar Shqipërinë, atje ku e meriton: në Bashkimin Evropian. Besojmë së  shpejti...!
Karriera ime ushtarake ka qenë e niveleve të larta si dhe aktiviteti im akademik. I përkas brezit të ushtarakëve profesionistë që e duan Shqipërinë, ushtrinë dhe që punuan pa u lodhur për të integruar Forcat e Armatosura në strukturat e NATO-s. Si ushtarak kam qenë drejtues i rezervave teknike të Ministrisë së Mbrojtje, kryeinxhinier i ofiçinës së riparimit të ushtrisë, komandant i batalionit transportit, komandant i Brigadës Transportit si dhe Drejtor i Transportit në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Pjesëmarrës aktiv në disa konferenca shkencore dhe stërvitje në kuadrin e  NATOS, nga disa institute shkencore, në disa vende evropiane
Krahas karrierës ushtarake nuk e kam ndërprerë edhe aktivitetin akademik, pedagog në disa universitete në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, si dhe Dekan i Fakultetit Juridik në Prizren, Kosovë.
Lini një mesazh për lexuesin e Revistës “ The Bard”
Një mesazh mirëkuptimi: Librat që të ndihmojnë më shumë janë ato që të bëjnë të mendosh më shumë. Pra: përparësitë e kërkesave që kërkohen sigurohen nëpërmjet punës – përpunimit të mendimeve.
Revistës “ The Bard” i urojmë suksese dhe stafit të saj punë të mbarë. Revista të shumëfishojë rezultatet e përkushtimit të LNPSHA “Pegasi” Albania, bashkëpunimit të suksesshëm midis profesoreshës së nderuar Magna Aspasia Fontenelle dhe profesor Kristaq F. Shabani. Revista “ The Bard”  po njihet edhe në Shqipëri.
 
Faleminderit shumë për pjesëmarrjen tuaj.
Tiranë, më 30.09.2024
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi