Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Admin
Admin
Administrator
Administrator
Regjistruar : 25/12/2007
Postime : 5043
Points : 2624
Reputacioni : 226
Medalje Medalje2 Medalje3
http://www.zeriyt.net/

Coli, Tuç Maku, Lokja, rishfaqen të harruarit Empty Coli, Tuç Maku, Lokja, rishfaqen të harruarit

29th December 2007, 17:54
Një orë filma nga Hysen Hakani për 75-vjetorin e lindjes
Coli, Tuç Maku, Lokja… Personazhe që i kemi dashur, i kemi imituar, emrat e tyre përdorur si pseudonime, rikthehen për nostalgjikët. Një ditëlindje nuk shërben vetëm për të mbledhur miqtë e për të marrë urimet e rastit, por edhe për të përjetuar momente të pakthyeshme. Kjo është festa e vërtetë për regjisorin Hysen Hakani në 75-vjetorin e lindjes. Siç ndodh rëndom në kësi rastesh, për nder të "dollibashit" flasin miqtë, sjellin kujtime, japin urime. Dikur, në moshë të re, ish-operator i Hakanit, ndërsa sot "moderator" i 75-vjetorit, është regjisori Piro Milkani ai që hap takimin. Pas tij flet bashkëkohësi Viktor Gjika, aktorja Roza Anagnosti që në vitin 1964 luante rolin e Files tek "Toka jonë". Por më shumë flasin filmat e Hakanit. Nga Arkivi Qendror i Filmit Shqiptar janë qëmtuar momentet më pikante të krijimtarisë së regjisorit, që rikthejnë në ekran filma që nuk janë shfaqur prej shumë vitesh. Jo thjesht të dalë jashtë mode në vitet e demokracisë, por edhe të anatemuar, për shkak të tematikës së tyre. Çka do ta kujtojë gjithnjë Hakanin, nuk janë vetëm filmat. Krijimtaria e tij lidhet me gjenezën e filmit shqiptar. Për rreth 10 minuta për ata që e kanë jetuar atë kohë, ofrohen momente nga xhirimet e filmit të parë shqiptarë. Aty fillon historia. Ata që kanë qenë pjesë e këtij momenti shohin veten kur kanë qenë të rinj, plot 50 vjet përpara, në vitin 1957, kur u xhirua filmi "Fëmijët e saj". Rishfaqen një nga një ata që nuk jetojnë më, Marie Logoreci, Naim Frashëri, Loro Kovaçi, Pjetër Gjoka. Për të vijuar me disa momente nga filma që para 17 vitesh përbënin "menunë e të dielës" për shqiptarët. Coli çamarrok, me pantallonat e grisura, shpërndarësi i trakteve e kapësi i breshkave të kthen në kohën e Luftës Nacionalçlirimtare, në kohën e debatikasve. Tek "Debatiku" i vitit 1961 u zbuluan "fatet" e aktorëve të ardhshëm. Vite më vonë, Roland Trebicka, në rolin e Kostës së zbehtë e të dobët, do të bëhej xhaxhi Vani gazmor. Ndërsa Shpëtim Zani, në rolin e Colit, që do na bënte të qanim sa herë e shihnim filmin, nuk vazhdoi dot më tej. Askush nuk dëgjoi më për të, por Coli do të mbetej një nga personazhet më të dashur e më të spikatur të kinematografisë. Dikur super i shfaqur, sot thuajse i harruar filmi "Toka jonë" na kthen në kohën e bajrakut dhe të bejlerëve kur historia e ndarjes së tokave është tashmë një nga temat e ditës, edhe pse sistemet kanë ndërruar.

Bardhë e zi rishfaqen personazhet mite si Lokja, Tuç Maku, Leka, apo Marashi, të interpretuar nga një trupë aktorësh të mëdhenj si Marie Logoreci, Loro Kovaçi, Roza Anagnosti, Mario Ashiku, etj. "Njësiti guerril" na hedh sërish në kohën e Luftës Nacionalçlirimtare, si temë e preferuar e regjisorit Hakani. Kush është mbi të 30-at, absolutisht e kujton shprehjen "Ktheja dhjetëshen Gjergjit", që mori përdorim të gjerë edhe në jetën e përditshme.

Në arkivën e filmave pak të shfaqur sot bën pjesë edhe "Ndërgjegjja" me aktorë Rikard Ljarjan, Roza Anagnostin, Gëzim Kamen, etj. Është ndër ata pak filma shqiptarë ku ashtu siç sugjeron edhe titulli, nuk është ngritur mbi ngjarje apo aksion dramatik, por mbi lojën e kujtesës, e përsiatjes dhe e luftës së brendshme të një heroi pasiv me shoqërinë, por nën presionin e saj.

Thuajse i panjohur është "Plaku dhe hasmi", një prodhim më i ri, që i përket vitit 1981. Na çon në 7 prill 1939, kur Italia fashiste pushton Shqipërinë. Në rolet kryesore interpretojnë Sandër Prosi, Vasjan Lami, etj.

Ky ishte përvjetori i Hysen Hakanit i realizuar në Teatrin Kombëtar. Mungoi katalogu, katalogu i parë dhe i vetëm që një krijues si Hakani ka pak shanse ta ketë, si një arkiv më dinjitoz fotografik që do sfidonte arkivën modeste personale që regjisorët e kanë hedhur me kohë në qoshet e shtëpisë.

Inva Mula ngre siparin operistik në Torino

Xhilda e Inva Mulës hap sezonin e ri operistik në Torino. Nën drejtimin e Giancarlo Cobellit dhe Renato Palumbos, vjen në skenën e Torinos më 16 janar një nga tre operat e famshme të Giuseppe Verdit, "Rigoletto" e cila do të ketë plot 14 shfaqje.

Në rolin e Xhildës së bukur dhe fatkeqe interpreton sopranoja Inva Mula. "E bukur, tërheqëse, një bijë arti, e ngjitur në skenë që në moshë të re dhe që ka arritur të interpretojë në skenat botërore më prestigjioze", - konsiderohet Inva Mula nga drejtuesit e teatrit torinez.

Mula do të ketë përkrah, baritoni Roberto Frontale me të cilin këndon sërish 8 vjet pas rivënies së fundit dhe që konsiderohet si një nga baritonët më të mirë të brezit të tij. Frontale interpreton në rolin e lolos Rigoleto.

Këngëtarë të tjerë janë tenori Roberto Sacca në rolin e Dukës së Mantovës, Riccardo Zanellato, Rossana Rinaldi, Sandra Pacheco Quinterno, Andrea Patucelli, Roberto Accurso, Antonio Feltracco e Francesco Musinu. Orkestra do të drejtohet nga Renato Palumbo, mjeshtër i repertorit melodramatik italian. Shfaqja e parë Opera do të ngjitet në skenën torineze deri në datën 3 shkurt.

a.m

Ballo në fund të sezonit

"Grand Ballo" mbyll kalendarin artistik të këtij viti në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në datën 30 dhjetor. Për të pestin vit, një natë para ndërrimit të viteve, festohet nën ritmet e valseve që nga ora 20:00 dhe vazhdon për gati tre orë. Në ndryshim nga të gjitha aktivitetet e realizuara në kuadrin e festave në Tiranë, "Grand Ballo", e huazuar nga tradita vjeneze e ballove ofron ambient mondan. Fustane klasike dhe të hijshëm për damat dhe kostume shik për shoqëruesit. Balloja i përmbahet traditës. Skenografia e realizuar nga Bledar Gërxhalliu krijon një komunikim të natyrshëm mes artistëve dhe publikut. Protagonistët e mbrëmjes janë trupa e baletit e TKOB-it, të cilët interpretojnë koreografi të realizuara nga Enada Hoxha, Manjola Hasani, Evis Nallbani. Programi përbëhet nga pjesë të shkëputura nga repertori i Schtrausit, por edhe Moxartit e Glinkës, si nga veprat "Lakuriqi i natës", "Danubi blu", "Marshi i Radeckit", "Kiss me Kate", "Dasma e Figaros", etj. Pjesët ekzekutohen nga orkestra e TKOB-it, nën drejtimin e dirigjentëve Zhani Ciko, Edmond Doko dhe Alqi Lepurit. Ashtu si edhe vitet e shkuara, në paradën e kostumeve, gjatë mbrëmjes së 30 dhjetorit nuk do të mungojnë as ushtarët e Gardës. Ndryshe nga herët e tjera, biletat për këtë mbrëmje kushtojnë 1000 lekë të reja.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi