Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Mary
Mary
Anëtar elitë
Anëtar elitë
Regjistruar : 04/02/2008
Postime : 4917
Info : a good sense
Points : 51
Reputacioni : 50
Medalje Red Medalje Blu Medalje Green
https://zeriyt.albanianforum.net

Elvira Diamanti në 36 shkronja Empty Re: Elvira Diamanti në 36 shkronja

2nd March 2008, 16:40
Elvira Diamanti në 36 shkronja

Elvira Diamanti në 36 shkronja Elvira10Elvira Diamanti vendos të kthehet në skenë. Jo në teatër, as dhe në ndonjë rol si ai i "Marigosë" në film. Aktorja ka vendosur të bëjë këtë herë diçka krejt ndryshe nga arti. Të merret me politikë. Prej disa ditësh është emëruar shefe e Protokollit në Presidencë, një detyrë e lartë zyrtare që shumë pak lidhje ka me aktrimin. Por gjithsesi Diamanti do të dijë të shkelë edhe në këtë fushë si në skenë. Madje janë jo të paktë ata që thonë se tashme në Presidencë ka një diamant, duke ju referuar jo vetëm mbiemrit, por edhe talentit tashmë të njohur të aktores.


A. Aktore. Për të gjithë ata që janë rritur me filmat shqiptarë, Elvira Diamanti është një nga aktorët më të njohura të skenës shqiptare.

B. Bamir Topi. Presidenti i vendit tashmë do të jetë dhe eprori i artistes Elvira Diamanti. Prej pak ditësh, Diamanti është shefe e protokollit në Presidencë.

C. Cilësimi më i mirë për Elvira Diamantin ka qenë ai i aktores së roleve të mëdha. Në teatër dhe në kinema, Diamanti ka lënë mjeshtërinë e saj në interpretim.

Ç. Çelësi i suksesit në kinema për Diamanti ka qenë vetëm puna. I është dashur që në moshën 17-vjeçare të angazhohet në role kryesore, por kjo gjë ka kërkuar shumë mund dhe shumë punë.

D. Drini. Është emri i bashkëshortit dhe njeriut më të dashur të Elvirës. Është njohur me të kur ishte 23 vjeç dhe ishte në fillimet e karrierës së saj si aktore kinemaje.

DH. Dhurata. Në jetë i ka arritur pak a shumë të gjitha, megjithatë dhuratën më të çmuar cilëson familjen e saj.

E. Elitë. Bënë pjesë në elitën e artistëve shqiptarë. I përket brezit të viteve 1980 që sollën në skenë bukurinë e femrës shqiptare.

Ë. Ëndrrat. Veç aktrimit, një tjetër pasion që mund të ishte dhe profesioni i saj, ka të bëjë me pikturën dhe letërsinë. Dy pasionet që nuk i braktisi edhe kur u largua paksa nga skena.

F. Familja. Është padyshim gjëja më e shtrenjtë për Diamantin. Është e martuar me Drinin dhe ka dy fëmijë. Edrën, studente për Mjekësi dhe djalin Marko, i cili vazhdon gjimnazin.

G. Gëzim Kame. Një nga regjisorët që ka bashkëpunuar më shumë gjatë jetës artistike Elvira Diamanti. Bashkë me të ka vënë në skenë disa drama në bashkëpunim me shoqërinë teatrore “Publimedia”.

GJ. Gjirokastër. Është qyteti i origjinës së saj dhe një nga romanet më të preferuara të saj është ai i Ismail Kadaresë për këtë qytet, “Kronikë në gur”.

H. Hapi i parë në rrugën artistike ka qenë filmi “Radiostacioni”. Ishte vetëm 17 vjeç atëherë dhe interpretimin në rol e bëri pa kaluar nga kinoprovat.

I. Interpretimi i saj më i mirë, përveç Marigosë, cilësohet roli kryesor në dramën “Kush e Solli Doruntinën”

J. Jeta e re e aktores duket se nuk do të ndryshojë shumë nga daljet e saj në skenë me përgatitjen për ceremonitë e numrit një të shtetit.

K. Kukullat. Prej disa vitesh Elvira Diamanti ka qenë drejtoreshë e Teatrit të Kukullave.

L. “Lady Makbeth” është roli skenik që i ka mbetur peng në karrierën e saj në teatër. Për një rol të tillë, Diamanti edhe mund t’i rikthehet përsëri skenës.

LL. Llafet. Një ves që vet Diamanti e urren, por që shpesh e vënë në qendër të llafeve dhe thashethemeve.

M. Marigoja. Roli që i dha famën dhe e bëri aq të dashur për publikun shqiptar është ai i Marigosë te filmi “Përrallë nga e kaluara”.

N. Ndërkombëtar. Elvira Diamanti ka një famë që i ka kaluar kufijtë e Shqipërisë. Filmat ku ka interpretuar ajo kanë marrë çmimin në disa festivale ndërkombëtare.

NJ. Njihet veç profesionit të saj si aktore dhe si një nga vajzat më të bukura të Tiranës gjatë viteve 1980. Padyshim bukuria ishte një nga armët më të forta në karrierë.

O. Organizatore. Një cilësi që do ta ndihmojë në punën e saj të re. Diamanti është organizatore mjaft e mirë dhe ka treguar se di të punojë dhe në administratë.

P. Politika. Mund të thuhet se është profesion i ri i Elvira Diamantit, pas suksesit në teatër dhe në film.

Q. Qesh dhe qaj. Dy gjendje emocionale krejt të ndryshme që Elvira Diamanti ka arritur t’i përcjellë me mjeshtëri në rolet e saj në komedi, por edhe në drama.

R. Roli i saj i ri nuk është më në një film apo në një vepër skenike. Diamanti do të zbulojë tani talentin në një tjetër fushë, atë të marrëdhënieve zyrtare dhe protokollin e Presidencës.

RR. Rregulli i saj më parë ka qenë të qëndruarit larg politikës. Por këtë herë duket se i është afruar paksa, duke marrë një post që është afër “rrëmujës” politike.

S. Spektakli. Nuk ka pasur sukses vetëm në filma, por edhe në botën e spektaklit, siç ishte rasti i Festivalit të 45-të të Këngës në TVSH, ku Elvira ishte prezantuesja.

SH. Shtatë janë filmat e saj ku Elvira Dimanti ka pasur rolet kryesore dhe që cilësohen si më të arrirët. “Dasma e Sakos”, “Muri i gjallë”, “Përrallë nga e kaluara”, “Dasma e shtyrë”, “Shokët”, “Në prag të lirisë”, “Liri a vdekje”.

T. Teatri është një tjetër gjini e aktrimit, ku Diamanti ka dhënë shkëlqimin e vet. Në komedi dhe drama si “Shi në plazh”, “Mësuesi i Letërsisë”, “Shtëpia e Bernarda Albës”, “Kush e solli Doruntinën”, “Vdekja e Dantonit” etj.

TH. Thjeshtësia. Është një tjetër tipar i Elvira Diamantit. Edhe pse një nga aktoret më të mira me një karrierë të pasur artistike, Diamanti ka një thjeshtësi befasuese në sjelljen e saj.

U. Universiteti, e ka mbaruar në Akademinë e Arteve për aktrim

V. Veshja. Është ndër artistet më elegante, që bie në sy për lukun e saj asnjëherë të tepruar. Ngjyrat që përdor më shpesh janë blu, bezhë dhe e bardhë.

X.Xixëllimin e bliceve Elvira Dimanti nuk ka preferuar ta shijojë shpesh. Preferon të bëjë një jetë të tërhequr dhe larg vëmendjes së mediave.

XH. Xhevdet Ferri. Është aktori që ka luajtur më shumë role me Diamantin. Suksesi ishte me “Përrallë nga e kaluara”, por niveli i dy aktorëve nuk ra dhe me filmin e fundit, “Dasma e Sakos”.

Y. Yll i skenës. Jo vetëm se ka mbiemrin Diamanti, por për shkak të artit të saj ajo është një yll i skenës së artit shqiptar.

Z. Zvicra. Në vitin 1990 Elvira Diamanti u largua nga Tirana gjatë kohës kur kishte nisur ndryshimi i sistemeve. Me bashkëshortin e saj shkoi në Zvicër, ku qëndroi për tre vjet.

ZH. ZHGËNJIM. Elvira Diamanti nuk është zhgënjyer me artin, ka arritur të ketë sukses mjaftueshëm. E njëjta gjë duket se do jetë dhe në profesionin e saj të ri, atë të zyrtares së lartë shtetërore.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi