Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Mary
Mary
Anëtar elitë
Anëtar elitë
Regjistruar : 04/02/2008
Postime : 4917
Info : a good sense
Points : 51
Reputacioni : 50
Medalje Red Medalje Blu Medalje Green
https://zeriyt.albanianforum.net

Mediu: Dikush fshihet pas Ramës Empty Mediu: Dikush fshihet pas Ramës

27th April 2008, 15:23
Mediu: Dikush fshihet pas Ramës

Ish-ministri i Mbrojtjes akuzon kryeprokuroren: është tendencioze



Fatmir Mediu, pas takimeve të njëpasnjëshme dy ditët e fundit kokë më kokë me shefin e qeverisë Sali Berisha, i është kundërpërgjigjur dje Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, mbi qëndrimin e kësaj të fundit lidhur me tragjedinë e Gërdecit. Ish-ministri i Mbrojtjes e ka cilësuar hetimin e deritanishëm për Gërdecin, tendencioz dhe të njëanshëm. "Hetimi është i njëanshëm dhe tendencioz, si nga mënyra e veprimeve dhe qëndrimeve publike të Prokurores së Përgjithshme, ashtu edhe nga thelbi i kërkesës", tha Mediu. Kreu i republikanëve ka bërë me dije se ka deklaruar që në fillim se është pro hetimit të tij deri në zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje. "Që kur kam dhënë dorëheqjen si ministër i Mbrojtjes, e kam bërë të qartë pozicionin tim se nuk fshihem pas imunitetit. Madje i kam theksuar Prokurores së Përgjithshme angazhimin tim për t‘u përgjigjur sipas Kodit të Procedurës Penale, neni 289, edhe pse kisha imunitet të shkoja dhe të dëshmoja në prokurori", tha ai. Mediu foli për dikë që po përdor Ina Ramën për ta ngarkuar kreun e republikanëve me përgjegjësi ligjore, por nuk ka preferuar të vendosë gishtin mbi emra konkretë. Duke deklaruar se deri tani është i vetmi që ka dhënë dorëheqjen, Mediu u shpreh se "nëse flasim për përgjegjësinë, të gjithë ne që kemi firmosur, patjetër që duhet të jemi në prag të dorëheqjen për sa kohë ka ndodhur një tragjedi, për të kuptuar përgjegjësitë tona në kuptimin moral dhe njerëzor. Pastaj përgjegjësitë penale i përcakton prokuroria". I pyetur për faktin se në këtë rast bëhej fjalë edhe për Kryeministrin Berisha, Mediu u shpreh se "nuk besoj që Kryeministri ka firmosur akte që kanë të bëjnë me demontimin". Ish-shefi i Ministrisë së Mbrojtjes ka bërë me dije se "ka dhënë dorëheqjen si ministër i Mbrojtjes, i detyruar vetëm nga morali im dhe dhimbja për tragjedinë e ndodhur, por nuk do të lejoj askënd, që përgjegjësinë time morale të tentojë ta kthejë në përgjegjësi ligjore, në funksion të çdo interesi tjetër që nuk ka të bëjë me ligjin. Arsyet pse Mediu shprehet që përgjegjësitë morale, po kthehen në përgjegjësi ligjore ka preferuar t‘ia lërë kohës. "Uroj dhe shpresoj që hetimi të jetë korrekt dhe në rregull të plotë, sepse të gjithë kemi luftuar për një drejtësi normale, e cila të funksionojë sipas ligjit dhe jo sipas raporteve ligjore", tha ai. Kryeprokurorja Rama, një ditë më parë, ka kërkuar imunitetin e ish-ministrit të Mbrojtjes, duke bërë thirrje që Fatmir Mediu të ndiqet penalisht për shkak se shpërdoroi detyrën dhe shpërfilli rregullat. Disa nga qëndrimet e prokurorisë për të cilat shefi i republikanëve i citon si të njëanshme lidhen me faktin se prokuroria asnjëherë nuk ka kërkuar që ai të dëshmojë rreth kësaj çështjeje. Faktet që e shtyjnë Mediun të mendojë se Prokurorja e Përgjithshme është kundër tij janë mënyra sesi po procedohet lidhur me aspektin ligjor.

"Aspektet e tjera pastaj mbetet që t‘i provojë koha. Uroj dhe shpresoj që Prokurorja e Përgjithshme të orientohet vetëm në zbatim të ligjit dhe detyrës së saj si Prokurore e Përgjithshme. Nuk kam asnjë përfundim politik dhe nuk hodha asnjë insinuatë politike. Mënyra e trajtimit juridik, problemi thashë së më duket tërësisht i njëanshëm dhe tendencioz", tha ai.

Kreu i republikanëve: Jam i vetmi që jam dorëhequr. Ka emra të tjerë që duhet të më pasojnë


Ish-ministri shfajëson veten. Fajin e kanë ushtarakët


Ish-ministri i Mbrojtjes ka nxjerrë dje në një konferencë të posaçme për shtyp emrat e parë që lidhen me përgjegjësinë e tragjedisë së Gërdecit. Duke e cilësuar dorëheqjen e tij si akt moral dhe të pafajshëm në të gjithë këtë strumbullar që mban emrin "Gërdec". "Disponoj dokumente që vërtetojnë pafajësinë time", u shpreh Fatmir Mediu. Kreu i republikanëve në akuzat që i ka bërë Prokurorisë së Përgjithshme për hetime të njëanshme ka lënë të kuptohet se kreu i akuzës po mundohet të shpëtojë ushtarakët e ministrisë dhe të burgosë civilët e saj. "Ministri nuk është ushtar, nuk është nënoficer, as oficer. Ministri është autoriteti civil në Ministrinë e Mbrojtjes dhe sipas rregullores së Ministrisë së Mbrojtjes, në mënyrë absolute dhe vendimi i Këshillit të Ministrave, Kushtetutës, ministri është njeri politik. Nëse mendohet se ministri bën dhe përpilon urdhrin, dhe po të shihni të gjitha urdhrat janë iniciuar nga nivelet e poshtme, qoftë civile dhe qoftë ushtarake, mendoj që çdo ministër vepron po në një logjikë të tillë, në çdo vend të botës. Kreu i republikanëve është shprehur se urdhrat janë iniciuar nga nivelet e poshtme, duke vënë drejtpërdrejtë gishtin mbi shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe ushtarakët e tjerë, funksionarë të Ministrisë së Mbrojtjes.

Por në gjykimin e Mediut, nëse po përpiqet prokuroria të shpëtojë ushtarakët e ministrisë dhe të burgosë civilët e saj, këtë çështje ai ka sugjeruar që t‘ia lëmë Prokurorisë me hetimin e saj, duke pritur në përfundimet që ajo do të nxjerrë. "Nëse flasim për përgjegjësinë, të gjithë ne që kemi firmosur, patjetër që duhet të jemi në prag të dorëheqjes për sa kohë ka ndodhur një tragjedi, për të kuptuar përgjegjësitë tona në kuptimin moral dhe njerëzor", tha Mediut, duke shtuar se do të jetë Prokuroria e Përgjithshme ajo që do të përcaktojë përgjegjësitë penale.


Dyshimet e Mediut


"Ja kush fshihet pas Ina Ramës"


I kanë ardhur krejt të papritura deklaratat e Prokurores së Përgjithshme pasditen e së premtes në lidhje me çështjen famëkeqe të Gërdecit. Ish-ministri i Mbrojtjes është informuar vetëm nëpërmjet medias mbi qëndrimin e prokurorisë lidhur me kërkesën që atij t‘i hiqet imuniteti për t‘u ndjekur penalisht. Këtë fakt, shefi i republikanëve e ka konfirmuar edhe në fjalitë e para të konferencës së djeshme për shtyp. Mediu e ka cilësuar hetimin si tendencioz, duke hedhur dyshime se pas Prokurores së Përgjithshme fshihen emra të tjerë, që synojnë ta veshin atë me përgjegjësi ligjore. Ai ka përjashtuar rastin se mund të jetë Berisha ai që kërkon veshjen e Mediut me përgjegjësi ligjore, duke e lënë Kryeministrin jashtë tabelës së fajtorëve për tragjedinë e Gërdecit. "Nuk besoj që Kryeministri ka firmosur akte që kanë të bëjnë me demontimin", tha ai, i cili e ka vënë gishtin e fajtorit tek ushtarakët, por nuk ka guxuar të shkojë më tej për të nxjerrë emra të tjerë të cilët fshihen pas numrit një të Prokurorisë së Përgjithshme, Ina Ramës.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi