Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

nardlushnja
nardlushnja
Anëtar i vlerësuar
Anëtar i vlerësuar
Regjistruar : 05/02/2008
Postime : 1232
Points : 16
Reputacioni : 14
Medalje Medalje2 Medalje3
10032008
"Nora, me ty deri në vdekje!"
Mar, 05 Shkurt 2008
Indrit Sinanaj


Ne foto: Parrulla per te cile flitet ne kete shkrim ne autostraden Tirane-Durres. Fotoja eshte realizuar nga GG Bongo dhe derguar ne redaksi nga lexuese Indrit Sinanaj



Në autostradën Tiranë-Durrës, në një nga ato urat që ndajnë të dy buzët e rrugës, në rreth 4.80 metra lartësi, mund të shihet një parullë e shkruar shkoqur dhe pa nënkuptime: "Nora, me ty deri në vdekje!". Autori i saj e ka shkruar me ndonjë nga ato bombolat spray të bojërave, që zakonisht përdoren edhe për grafitë subversive nëpër mure metrosh, edhe për luftë guerilase nga revolucionarë të majtë, edhe për lajmërime të tipit "Lavazh, 30 metra". Ka bërë kujdes që t'i varë në të dy anët e copës dy guralecë, që parulla të mos luajë nga era, dhe e ka varur në një mënyrë të dukshme, ashtu që Nora, kur të kthehet nga Tirana në Durrës, ta shohë qartë se në këtë botë është dikush, i cili do (që) të qëndrojë me të deri në vdekje.

Të gjithë ne, jemi të mësuar prej kohësh me mure e ura të zëna nga slogane politike kandidatësh a reklamash të çfarëdollojshme. Parullat në Shqipëri nuk janë gjë e re. Madje një nga regjisorët tanë më të mirë, Gjergj Xhuvani, bëri një film mbi këtë temë, ku shkrimi me tulla nëpër kodrina i parullave në sistemin jo edhe aq të largët komunist, paraqitej herë si favorizim e herë si ndëshkim. Parullat e shkurtra ("Lavdi PPSH!") u jepeshin bashkëpunëtorëve të partisë dhe shtetit; ato të gjatat e, për pasojë, më të lodhshmet, ("Imperializmi amerikan është një tigër prej letre") u jepeshin kryengritësve. Por edhe në atë film, në rast se ju kujtohet, një shprehje e ngjashme dashurie ngjau; detaji ku mësues Andrea ia shpreh dashurinë z'jushës së bukur të frëngjishtes, duke e ndihmuar të ndërtonte parullën e saj kilometrike, me metafora politike tigrash imperialistë.

***

Parullat e atëhershme ishin energjike, flisnin në sipërore, urdhërore dhe në vetën e parë shumës. "Parti-Enver, jemi gati kurdoherë!", "Të jetojmë, të mendojmë dhe të punojmë si në rrethim", "Lart frymën revolucionare!", "Revolucioni - jo dëshirë e aspiratë, por çështje e shtruar për zgjidhje!" etj., etj. Parullat ishin krijuar për çdo fushë të jetës, ushtri, arsim, industri, art, sport. Parullat ishin agjinore duke iu drejtuar barazi, si burrave, ashtu edhe grave. Më kujtohet, vite më vonë, kur më ra në dorë një revistë "Shqiptarja e re" e '76 sesa shumë më pat bërë përshtypje që kopertina e saj hapej me sloganin: "Ta duam armën si fëmijën". Në mendjen time, pati aty disa përkëmbime fort të çuditshme tytash dhe thithash, me gra që mëkonin kallashnikovë, e fëmijësh që funksiononin me shula e shqekëza.

***

Me kalimin e kohës dhe rënien e sistemit komunist, parullat u zëvendësuan me disa të tjera: të vetës së dytë shumës: më pluraliste, më me ngjyra; parulla që ngjallnin shpresë për të ardhmen. Nuk ishin aq shpirtërore, me përjashtim ndoshta të njërës, vënë diku afër Qukësit, pro kandidatit për komunë, e cila shkruante: "Duam Ruzhdiun me çdo kusht". E sidoqoftë, një gjë është e sigurt: në Shqipëri, parullat e të gjitha kohërave ishin parulla të angazhuara. Në një mënyrë apo një tjetër, të drejtë apo të gabuar ato paraqitnin frymën e kohës dhe interesat politike. Ndërsa "Nora, me ty deri në Vdekje!" është e pakohë. Dhe njëkohësisht, kaq shpresëdhënëse… Na vjen kjo parullë tamam në këto kohë të trazuara, kur Atdheu ka plot çështje të rëndësishme për të zgjidhur; kur pavarësia e Kosovës është urgjencë me gjithë rezistencat retorike dhe joretorike të përtej-kufijve; kur interesat ekonomike që fshihen mbas, duket se do e lënë pa zgjidhje punën e ish-pronarëve; kur listat e rimbursimit i përngjajnë menysë eklektike të strehës vorfnore; kur edhe Maqedonia na mbylli dyert e ne ende lutemi të kemi shi, që të kemi drita; kur konfliktet në Lindjen e Mesme po i hapin botës dekubituse të frikshme; e Irani vazhdon me planet për pasurimin e Uraniumit; kur bota është ngërthyer e gjitha me frikën e ngrohjes globale, kur akullnajat thuhen se do të shkrijnë plotësisht pas 50-të vjetësh, kur niveli i papunësisë po bëhet alarmant, kur Kastroja nuk është më ai i pari dhe fytyra e Çe Guevarës stampohet kudo, përfshi edhe rrobat e banjës; kur gjithmonë e më tepër Ilirët po bëhen Kristo, e Teutat Ksanthipi; kur ende nuk jemi pajisur me kartat e identitetit; dhe ja! Krejt papritur e pa paralajmërim na del ky emër, fare i përgjithshëm, i një vajze të thjeshtë që nuk quhet as Zhuljeta e as Desdemona por vetëm, vetëm Nora, shkruar gjithë puls nga një djalë i dashuruar që nuk quhet as Romeo, e as Othello. E pra, në këtë pikëprerje soc-politike është ky njeri, halli i vetëm i të cilit është që Nora t'ia hedhë sytë asaj shpalljeje dashurie që valëvitet në erë, e mos t'ia çajë zemrën si kokërr lajthie. Është ky njeri, që gjen kohën që m'u këtu para nesh të bjerë në dashuri dhe të na e mësojë edhe njëherë, këtë mësim të madh shprese.

Dashuria do e shpëtojë njerëzimin. Dhe ajo parullë, e varur në 4.80 metra lartësi, është Lumë Shprese. Për të gjithë ne.



Shenim nga nardlushnja Me vjen keq qe nuk munda tju sjell edhe foton e ketij shkrimi
Share this post on:reddit

Komentet

No Comment.

Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi