Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Mary
Mary
Anëtar elitë
Anëtar elitë
Regjistruar : 04/02/2008
Postime : 4917
Info : a good sense
Points : 51
Reputacioni : 50
Medalje Red Medalje Blu Medalje Green
https://zeriyt.albanianforum.net

Barut mbi shtetin Empty Barut mbi shtetin

16th March 2008, 14:40
Barut mbi shtetin

Ky shkrim mund të shkruhej dhe rishkruhej dhjetëra herë gjatë pasdites së djeshme. Informacionet që vinin nga Gërdeci i zhdukur nga harta, i jepnin rregullisht një formë të ndryshme këtyre rreshtave, që janë gjithsesi të zbehta përballë realitetit tragjik që rrethon në këtë moment jetën shqiptare. Ngjarja e rëndë e Gërdecit ka zhvlerësuar me forcën e saj brutale të barutit, gjithçka që mbushte jetën tonë deri dje në orën 12:00. Tashmë e vetmja gjë që ka rëndësi është jeta njerëzore, ashtu siç ndodhi tetë ditë më parë në Farkë, kur një varkë me gra e fëmijë u përpi nga ujërat e një liqeni, pak kilometra larg tuneleve të Gërdecit në vijë ajrore. Dy tragjedi, të ngjashme në bilancin e tyre tragjik, por thellësisht të ndryshme për nga shkaqet dhe burimi i tyre.
Ka vetëm një metër për ta matur dhe peshuar këtë që po jetojmë në këto momente. Ky metër ka të bëjë me indinjatën dhe protestën ndaj absurditetit dhe papërgjegjshmërisë që ka sjellë vdekje e plagosje masive, shkatërrim biznesesh e shtëpish, tronditje të thellë të banorëve në zemër të Shqipërisë.
Tani po jetojmë momentin e bilancit të tragjedisë dhe të ndihmës ndaj të personave të lënduar, të cilët janë tragjikisht shumë. Është e drejtë që e gjithë shoqëria të ndjehet e përfshirë dhe e përqendruar në këtë proces delikat, që kërkon reagim qytetar dhe përkrahje totale për autoritetet që merren me këtë detyrë të vështirë e komplekse. Një polemikë në nivelin politik e institucional do të hapet rreth ngjarjes. Kjo është e pashmangshme e padyshim dhe e nevojshme. E tepërt të kujtohet në këto kushte se akuza do të bjerë mbi një, dy apo dhjetë zyrtarë të të gjitha niveleve e gradave. E tepërt të kujtohet gjithashtu se është e drejtë që të paguajë ai që ka përgjegjësi konkrete dhe direkte mbi ngjarjen, por është gjithaq e nevojshme të sqarohet se fajtorët e vërtetë të Gërdecit nuk janë vetëm ata që do të paguajnë sot apo nesër. Jo, nuk janë vetëm ata fajtorët, ose më mirë nuk janë të vetmit fajtorë. Kjo është e sigurt. Sepse tragjedia e Gërdecit ka në fakt një fajtor të madh e të gjithëpushtetshëm: INDIFERENCEN. Një nocion ky i shtrirë e gjithëpërfshirës në rrafshin kohor dhe atë personal e politik, një nocion që ngërthen horizontalisht të gjithë historinë tonë të re, që na ndan nga rënia e komunizmit dhe hyrja në sistemin pluralist.
Indiferenca e një shteti (dhe shumë qeverive) që lejon/lejojnë për vite me radhë që popullimi i dhunshëm të shpërfillë jo vetëm ligjet urbane, por edhe zonat ushtarake e objektet e tjera sensitive, indiferenca që lejon të kryhen operacione kaq delikate në një mjedis ku gjendet shumica e popullsisë dhe bizneseve, indiferenca që lejon që armatime kaq të rrezikshme të akumulohen për vite me radhë kaq pranë fshatrave, fabrikave dhe arterieve të komunikimit rrugor e ajror – kjo indiferencë ka bërë që Shqipëria e sotme të jetë një vend i ndërtuar keq, një vend ku gjithçka funksionon shtrembër dhe jashtë standardeve, një vend ku dhe mbrapshtitë më të mëdha lejohen dhe tolerohen nga shteti dhe ligji, një vend që vijon të vuajë një tranzicion postkomunist të egër, artizanal dhe folklorik. Tani po mësojmë se një milion e gjysmë shqiptarë kanë jetuar vite me radhë me një bombë nën shtrat, tani po zbulojmë se kaq pranë kryeqytetit shqiptar një grusht njerëzish kryenin një veprimtari që normalisht duhej të kryhej diku në Bizë, në Malin me Gropa apo në tunelet e Skraparit. Shumë vonë po marrim vesh me një çmim tragjik, se trashëgimia e Luftës së Ftohtë mund të na godasë pa mëshirë dhe në mënyrë absurde.
Pas pak javësh presim të marrim ftesën për në NATO. Një detaj gjithsesi i pavlerë përballë momentit që jetojmë, pas asaj që ndodhi në Gërdec. Porse një lajm që gjithsesi ka peshën e tij, përtej shock-ut dhe traumës kolektive që po përjetojmë. Paska qenë e thënë që Aleanca Atlantike të na e japë ftesën për në NATO, duke na adresuar paraprakisht ngushëllimet për një ngjarje tragjike, të rëndë dhe të lidhur në një mënyrë a një tjetër me ëndrrën tonë kolektive për të hyrë në këtë organizëm që ka si simbol sigurinë dhe stabilitetin, e jo këtë lloj mynxyre që po përjetojmë. Paska qenë e thënë gjithashtu që ky proces historik dhe jetik për fatet e Shqipërisë dhe të të gjithë shqiptarëve, të vijë përmes një mijë e një vështirësish, lojërash të fatit dhe kurthesh gjithfarësh, që nga debati absurd mbi emrin e Maqedonisë, e deri tek kjo tragjedi e evitueshme dhe e tepërt. Është e kotë të përqeshim sot standardet me të cilat po i afrohemi NATO-s, ato flasin vetë me gjuhën e barutit që shpërtheu në Gërdec. Në tunelet e Gërdecit përmblidhet rënia e shtetit shqiptar, e këtij farë shteti që kemi mbajtur mbi shpinë duke e votuar dhe duke i paguar të gjitha llojet e haraçit. Mijëra njerëz qajnë sot të afërmit e tyre të vrarë ose të lënduar. Miliona të tjerë kanë të drejtë të jenë të shokuar dhe të kenë frikë për atë që ndodhet jashtë pragut të derës. Sepse ata që duhet të na sigurojnë për këtë, sot kanë kapitulluar të gjithë. Pa asnjë përjashtim.

Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi