Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Fllad
Fllad
Anëtar i vjetër
Anëtar i vjetër
Regjistruar : 05/02/2008
Postime : 995
Points : 53
Reputacioni : 53
Medalje Red Medalje2 Medalje3

Ligji i te drejtes se autorit Empty Ligji i te drejtes se autorit

24th April 2008, 23:42
LIGJIN PËR TË DREJTAT E AUTORIT
DHE TË DREJTAT E TJERA TË PËRAFËRTA


I. DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
1. Objekti i ligjit
Neni l
Ky ligj përcakton:
1.1. Të drejtat e autorit që, në bazë të pronës intelektuale, u takojnë autorëve përkitazi me
veprat e tyre në lëmin e letërsisë, shkencës dhe artit (në vijim: e drejta e autorit);
1.2. Të drejtat që, në bazë të pronës intelektuale, janë të afërta me të drejtën e autorit
(në vijim: të drejtat e afërta ) dhe u takojnë:
a). interpretuesve përkitazi me interpretimet e tyre;
b). prodhuesve të fonogrameve përkitazi me fonogramet e tyre;
c). producentëve të filmit përkitazi me videogramet e tyre;
d). organizatave të radios e të televizionit (Transmetuesve) përkitazi me emisionet e
tyre;
e). prodhuesve të bazave të të dhënave përkitazi me bazat e tyre të të dhënave
f). botuesve përkitazi me botimet e tyre;
1.3. Administrimin e së drejtës së autorit dhe të drejtave të afërta;
1.4. Mbrojtjen e së drejtës së autorit dhe të drejtave të afërta;
1.5. Zbatimin e këtij ligji ndaj personave të huaj.
2. Parimet e zbatimit
Neni 2
Masat administrative, inspektimi, mbrojtja juridiko-civile dhe penale, të përcaktuara me
këtë ligj, zbatohen në përputhje me rregullat e përgjithshme të procedurës administrative,
kundërvajtëse, civile dhe penale.
3. Marrëdhënia midis së drejtës së autorit dhe të drejtave të afërta
Neni 3
3.1. Mbrojtja e parashikuar në këtë ligj për të drejtat e afërta nuk prek dhe nuk ndikon në
asnjë mënyrë në mbrojtjen e së drejtës së autorit.
3.2. Dispozitat e këtij ligji lidhur me elementet e së drejtës së autorit, me supozimin e
autorësisë, me bashkautorët dhe autorët e veprës së gërshetuar, me përmbajtjen e të
drejtave ekonomike të autorit dhe të drejtën në kompensim të veçantë për reprodukim
privat ose tjetër vetjak, me marrëdhënien midis së drejtës së autorit dhe së drejtës së
pronës mbi ekzemplarin e veprës, me kufizimet e së drejtës së autorit (përfshirë edhe
sigurimin e kufizimeve), me llogaritjen e fillimit dhe efektin e mbarimit të kohëzgjatjes
së mbrojtjes të së drejtës së autorit, si dhe kalimin e së drejtës së autorit, zbatohen
ngjashëm dhe sa u takon (mutatis mutandis) edhe ndaj të drejtave të afërta.
4. Përkufizimet
Neni 4
Në këtë Ligj vlejnë këto përkufizime:
a. “Punë audiovizuele”përfshin punët e filmit (punët kinematografike dhe ato të TV-së)
dhe punë të tjera audiovizuele.
b. “Transmetues” ka kuptimin e personit fizik apo juridik, i cili ka përgjegjësi editoriale
për përmbajtjen e shërbimeve programore radio-televizive që duhet të pranohen nga
publiku i përgjithshëm dhe që ato t’i transmetojë, apo që i ka transmetuar të tëra dhe të
pandryshuara nga pala e tretë.
c. “Asociacione kolektive” do të thotë asociacionet e formuara në pajtim me pjesën IV,
për të kryer aktivitetet e administrimit të të drejtave të autorit.
d. “Të drejtat e autorit” do të thotë të drejtat e bazuara në pronën intelektuale, të cilat u
përkasin autorëve lidhur me punën e tyre në fushën letrare, shkencore dhe artistike.
e. “Baza e të dhënave” do të thotë grumbullimi i punës së pavarur, i të dhënave apo
materialeve të tjera në çfarëdo forme, të radhitur në mënyrë sistematike apo
metodologjike, të cilave mund t’iu qasemi individualisht në mënyrë elektronike apo
përmes mënyrave të tjera, ku marrja, verifikimi apo paraqitja e përmbajtjeve të tyre
kërkon investime të konsiderueshme kualitative dhe/ose kuantitative.
f. “Shpalos” do të thotë kur një vepër e mbrojtur me të drejta të autorit apo material me të
drejta të afërta i është vënë në dispozicion publikut me pëlqimin e bartësit të së drejtës.
g. “Të drejtat morale” kanë kuptimin e kompetencave ekskluzive personale me të cilat
mbrohet pacenueshmëria e veprave të mbrojtura me të drejtat e autorit dhe personaliteti i
autorit.
h.“Zyrë” do të thotë zyra për të drejtat e pronës intelektuale që duhet të krijohet në pajtim
me nenin 169.1 të këtij Ligji.
i. “Vepra origjinale” do të thotë pikturat origjinale, kolazhet, vizatimet, tapiceritë,
skulpturat, veprat në qeramikë dhe qelq, fotografitë dhe vepra të tjera origjinale të artit.
j. “Fonogram” do të thotë incizim i zërit ose sekuencave të zërit në bartësin e zërit.
k. “Posedues” do të thotë personi fizik apo subjekti juridik i cili posedon të drejtën e
autorit.
l. “Publik” do të thotë një numër më i madh i njerëzve të cilët janë jashtë rrethit të
zakonshëm të familjes apo rrethit të zakonshëm të njerëzve që i njihni personalisht.
m. “Botim” do të thotë kur një sasi e mjaftueshme kopjesh e veprës së mbrojtur me të
drejtë të autorit apo e ndonjë materiali me të drejta të afërta është botuar dhe i është
ofruar publikut apo është shpërndarë me pëlqimin e bartësit të së drejtës.
n. “Të drejta të përafërta” do të thotë të drejtat e bazuara në pronën intelektuale që janë
të lidhura me të drejtën e autorit.
o. “Videogram” do të thotë incizim i një sekuence të fotografive pa ose me zërin
shoqërues në bartësin e fotografisë ose në bartësin e fotografisë dhe të zërit.

PJESA II
E DREJTA E AUTORIT
Kapitulli 1
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 5
Autorët e veprave në lëmin e letërsisë, shkencës dhe të artit gëzojnë mbrojtjen lidhur me
veprat e veta dhe shfrytëzimin e tyre, në përputhje me këtë ligj.
Neni 6
6.1. E drejta e autorit është e drejtë e posaçme, e cila i takon autorit si subjekti të pronës
intelektuale mbi veprën e vet.
6.2. E drejta e autorit përmban:
a). autorizimet ekskluzive personale për të mbrojtur pacenueshmërinë e veprës së
autorit dhe personalitetin e autorit (në vijim: të drejtat morale të autorit);
b). autorizimet ekskluzive ekonomike për të mbrojtur interesat ekonomike te autorit
(në vijim: të drejtat ekonomike të autorit);
c). autorizimet tjera të autorit (në vijim: të drejtat tjera të autorit).

Neni 7
7.1. E drejta e autorit i takon autorit me vetë faktin e krijimit të veprës.
7.2. Për të gëzuar mbrojtjen e së drejtës së autorit nuk kërkohet plotësim paraprak i
çfarëdo formaliteti administrativ.
Kapitulli 2
VEPRAT E AUTORIT DHE KUSHTET E MBROJTJES
1. Veprat e mbrojtura
Neni 8
8.1. Vepra të autorit janë krijimet intelektuale origjinale në lëmin e letërsisë, të shkencës dhe
artit, që janë të shprehura në çfarëdo mënyre, nëse me këtë ligj nuk parashikohet ndryshe.
8.2. Vepra të autorit konsiderohen sidomos:
a). veprat gojore, siç janë fjalimet, leksionet, tregimet dhe vepra të ngjashme të
shprehura gojarisht;
b). veprat e shkruara siç janë tekstet në libra, broshurat, gazetat ditore dhe tekste të
tjera në lëmin e letërsisë, të literaturës shkencore e profesionale, si dhe programet
kompjuterike;
c). 3)veprat muzikore, me ose pa tekst, pavarësisht a janë të shënuara përmes notave
apo në ndonjë mënyrë tjetër;
d). veprat teatrore, teatrore-muzikore dhe të kukullave, përfshirë edhe radiodramat;
e). veprat koreografike dhe pantomimore;
f). veprat filmike (kinematografike dhe televizive) dhe veprat e tjera audiovizuele (në
vijim: veprat audiovizuele);
g). veprat fotografike dhe veprat e bëra ngjashëm procesit fotografik, siç janë
fotografitë artistike, fotomontazhet, fotoafishet, fotografitë e reporterëve, etj.;
h). veprat e artit figurativ në lëmin e vizatimit, të pikturës, grafikës, skulpturës;
i). veprat e arkitekturës, siç janë skicat, planet, maketat dhe objektet e ndërtuara të
veprave arkitekturore dhe të inxhinierisë nga fusha e arkitekturës, urbanizmit,
arkitekturës së peizazhit dhe rregullimit të enterierit;
j). veprat skenografike;
k). veprat e artit aplikativ, si dhe të dizajnit industrial e grafik;
l). veprat kartografike (hartat, planet, skicat, demonstrimet tredimensionale ) në
lëmin e gjeografisë dhe topografisë;
m). prezantimet e natyrës shkencore, edukative a teknike (vizatimet teknike,
grafikonet, tabelat, ekspertizat, demonstrimet tredimensionale).
2. Elementet e veprës së autorit
Neni 9
9.1. Vepra e autorit e pambaruar, pjesët përbërëse të veprës si dhe titulli i veprës së autorit,
që janë vetvetiu krijime intelektuale origjinale, gëzojnë mbrojtje si edhe vetë vepra.
9.2. Nuk është e lejueshme që për titull të veprës së autorit të merret një titull që më parë
është përdorur për ndonjë vepër të autorit të llojit të njëjtë, nëse titulli i tillë shkakton ose
do të shkaktonte huti lidhur me autorësinë e veprës.
3. Veprat e prejardhura
Neni 10
10.1. Vepër e autorit konsiderohet edhe vepra e prejardhur (e përpunuar ose e formësuar)
nëse i plotëson kushtet nga paragrafi (1) i nenit 8. të këtij ligji.
10.2. Vepra të prejardhura janë përkthimet, përshtatjet, aranzhmanet (orkestrimet)
muzikore dhe përpunimet e tjera të një vepre tashmë ekzistuese apo materialit tjetër.
10.3. Mbrojtje gëzojnë edhe përkthimet e teksteve ligjore, të vendimeve gjyqësore dhe të
akteve administrative, me kusht që përkthimet e tilla të mos jenë bërë për botim zyrtar
dhe të mos jenë botuar si të tilla.
10.4. Të drejtat e autorëve të veprave tashmë ekzistuese nuk mund të cenohen me
përpunimin e veprave të tyre.
4. Koleksionet e veprave
Neni 11
11.1. Vepër e autorit konsiderohet edhe koleksioni i veprave ekzistuese të autorit ose
materialeve të tjera që, për nga përzgjedhja, përshtatja apo bashkërenditja e përmbajtjeve
të tyre paraqet krijim origjinal intelektual, përkatësisht vepër të pavarur (enciklopeditë,
antologjitë, përmbledhja e citateve, e poezive apo e veprave në prozë, përmbledhja e
shprehjeve folklorike, e dokumenteve dhe vendimeve gjyqësore, etj).
11.2. Konsiderohet koleksion edhe baza e të dhënave të veprave të mëvetësishme, të
dhënave ose materialeve të tjera, të rregulluara në mënyrë sistematike ose metodike dhe
që mund të qasen veç e veç me mjete elektronike apo mjete të tjera.
11.3. Mbrojtja sipas këtij neni nuk zbatohet ndaj programeve kompjuterike të përdorura
për bërjen apo funksionimin e bazës elektronike të të dhënave.
11.4. Me ngërthimin e veprave tashmë ekzistuese në koleksion nuk mund të cenohen të
drejtat e autorëve të këtyre veprave; me ngërthimin në koleksion materiali ekzistues nuk
bëhet vepër e mbrojtur.
5. Krijimet pa mbrojtje
Neni 12
Mbrojtja juridike e të drejtave të autorit nuk përfshinë:
a). idetë, parimet, udhëzimet, procedurat, zbulimet ose konceptet matematikore si të tilla;
b). ligjet zyrtare, aktet nënligjore dhe rregullativat e tjera;
c). materialet zyrtare dhe botimet e organeve parlamentare, qeveritare dhe të
organizatave tjera që kryejnë funksione publike;
d). përkthimet zyrtare të rregullativave dhe materialeve tjera zyrtare, si dhe të
marrëveshjeve ndërkombëtare dhe instrumenteve të tjera.
e). parashtresat dhe aktet e tjera në procedurat administrative ose gjyqësore;
f). materialet zyrtare të botuara për informim të publikut;
g). shprehjet folklorike;
h). lajmet e ditës dhe informacionet e ndryshme që kanë karakter të raportimeve të
rëndomta të shtypit.

Kapitulli 3
AUTORI
1. Personi fizik
Neni 13
Autor është personi fizik i cili e ka krijuar veprën.
2. Supozimi i autorësisë
Neni 14
14.1. Personi, emri i të cilit, përkatësisht firma, pseudonimi apo shenja e tij është shënuar
ne ekzemplarin e veprës ose është theksuar me rastin e publikimit të veprës, supozohet
autor i veprës, respektivisht titullar i së drejtës, derisa nuk provohet ndryshe.
14.2. Të drejtat e autorit në veprat e botuara, autori i të cilave është i panjohur ( vepra
anonime dhe vepra e botuar me pseudonim apo shenjë ), supozohet se është i autorizuar
t’i realizojë botuesi, përderisa nuk zbulohet identiteti i autorit, Po qe se edhe botuesi
mbetet anonim, supozohet se është i autorizuar t’i realizojë personi që ka bërë
publikimin e veprës.
14.3. Zbatimi i paragrafit paraprak 2 pushon po qe se provohet identiteti i autorit. Bartësit
e së drejtës se supozuar të autorit ia përcjellin autorit përfitimet përkatëse, nëse me
kontratë nuk parashikohet ndryshe. Të drejtat që paraprakisht i kanë fituar personat e tretë
mbeten në fuqi.
3. Koautorët
Neni 15
15.1. Nëse vepra e autorit që përbën tërësi të pandashme është krijuar në bashkëpunim të
dy a më shumë personave, ata konsiderohen koautor të veprës së tillë.
15.2. E drejta e autorit mbi veprën e koautorëve u takon bashkërisht të gjithë koautorëve
dhe administrohet me pëlqimin e të gjithë atyre, nëse në këtë ligj ose me kontratë nuk
parashikohet ndryshe.
15.3. Koautori nuk mund të kundërshtojë pa ndonjë arsye dhënien e pëlqimit të vet për
publikimin ose shfrytëzimin e veprës. Në mungesë të marrëveshjes, asnjë nga koautorët
nuk mund t’i administrojë ndaras të drejtat..
15.4. Marrëdhëniet e koautorëve përkitazi me pjesët e tyre në ndarjen e përfitimit
ekonomik nga shfrytëzimi i veprës përcaktohen në përpjesëtim me kontributet e secilit
prej tyre në krijimin e veprës, nëse me kontratë nuk parashikohet ndryshe.
15.5. Nëse ndonjëri nga koautorët heq dorë nga pjesa e tij në përfitimet ekonomike,
shtohen pjesët e koautorëve të tjerë në përpjesëtim me madhësitë fillestare.
4. Autorët e veprave të gërshetuara
Neni 16
16.1. Nëse dy a me shumë autorë bashkojnë veprat e tyre me qëllim të shfrytëzimit të
përbashkët ose për disa forma të shfrytëzimit (p.sh. muzika e teksti, muzika e
koreografia, veprat e shkruara dhe ilustrimet etj.), secili prej tyre gëzon të drejtën e
autorit lidhur me kontributin e vet.
16.2. Marrëdhëniet midis autorëve të veprave të gërshetuara rregullohen me kontratë.
16.3. Dispozitat e paragrafëve 3 deri 5 të nenit 15 të këtij ligji, zbatohen në mënyrë
analoge (mutates mutandis), edhe ndaj autorëve të veprave të gërshetuara.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi