- AlboAnëtar aktiv
- Regjistruar : 05/02/2008
Postime : 186
Points : 294
Reputacioni : 20
Historia e vllehëve në Shqipëri
25th January 2016, 21:28
Historia e vllehëve në Shqipëri
Si u bënë njerëz të shquar të kulturës, politikës dhe patriotizmit
NAUM PRIFTI
Meqë prej disa kohësh në shtypin shqiptar po vazhdojnë diskutimet për etnitetin e vllehëve, për numrin dhe shtrirjen e tyre, historinë, origjinën dhe kryesisht për të drejtat elementare që vazhdojnë t’u mohohen, e quaj të arsyeshme të jap ndihmesën time, me shpresë të shpërndaj sadopak mjegullën e mbledhur rreth këtij problemi. Nuk e rendit veten etnolog apo historian të popullsisë vllahe, por me keqardhje vërej se diskutimet pasionante dhe emocionante janë tepër larg fakteve dhe të vërtetave historike të njohura. Para dyzet vitesh, më 1964, kryeredatori i revistës “Ylli,” Qamil Buxheli, më ngarkoi të shkruaja një reportazh për vllehët. Nuk e di si i lindi kjo ide, apo kush ia sugjeroi, por subjekti m’u duk interesant. Nga e si kishin ardhur në vendin tonë vllehët? Meqë për ta s’dija asgjë, shkova në Bibliotekën Kombëtare me shpresë të gjeja diçka për ta. Gjeta më shumë sesa prisja.
Lexova librin “Arumunët e Shqipërisë” të një etnologu italian, një studim mono-grafik të një dijetari rumun, që erdhi në Shqipëri në vitin 1906-1908, me mision nga qeveria rumune për të mbledhur vllehët nomadë në atdheun mëmë, në Rumani. Ai shkoi mal më mal, kudo ku kishte bashkësi vllehësh dhe u ofronte atyre tokë, shtëpi, shkolla për fëmijët e tyre, me kusht të ktheheshin në Rumani. Vllehët e dëgjonin pa u zënë besë premtimeve të tij, madje dyshonin se ishte kurth, sapo shihnin se shoqërohej nga një xhandar turk. Libri më interesant ishte “Vllehët e Pindit” nga dy arkeologë anglezë. Sikurse shkruanin në parathënie, autorët ishin nisur drejt Thesalisë në fund të shekullit të XIX, me qëllim të zbulonin mbishkrime të vjetra greke. Në Selanik pajtuan një kafshar për mbartjen e plaçkave të tyre dhe për ta patur si udhërrëfyes. Rrugës e pyetën kafsharin: “Grek?” “Jo,” u përgjegj ai. “Shqiptar?” “Jo,” kundështoi ai. “Maqedonas?” “Jo.” “Po çfarë jeni?” “Jam vëllah,” i sqaroi ai. Ky etnitet krejt i panjohur ngjalli kureshtjen e anglezëve. Pasi u bindën se kërkimi i mbishkrimeve të lashta në atë zonë ishte i kotë, filluan të hulumtonin për vllehët e Pindit. Qëndruan me muaj në Samarinë, në atë kohë qendra shpirtërore e vllehëve dhe pastaj dy vjet me radhë u endën nëpër Shqipëri, Maqedoni dhe Greqi, duke qëmtuar gjithçka që u dukej me interes rreth kësaj popullsie. Në Angli botuan një libër mjaft voluminoz, gati 600 faqe, për historinë e vllehëve, për ritet e lindjes, fejesës, martesës, vdekjes, zakonet, gjuhën, folklorin, veshjet. Sipas dëshmive historike, popullsia e ka origjinën prej Vllahisë, pjesa më veriore e Rumanisë, prej nga emri vëllah, vllehë. Dialekti i tyre njësohet nga më të hershmit e rumanishtes. Për shkakun e shpërnguljes dhe për rrugët e ardhjes së tyre në jug të Gadishullit Ballkanik, historianët kishin mendime të ndryshme. Për herë të parë përmenden në histori në shekullin XI. Midis trekëndshit të Pindit, ku përfshihen toka të Greqisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë, jetonin rreth një milion vllehë, kryesisht nomadë. Kjo shifër, për arsye të kuptueshme, nuk mbështetet në ndonjë regjistrim a statistikë zyrtare. Në fund të shek.XIX, vllehët bënë përpjekje të krijonin një shtet të pavarur, mirëpo kërkesa e tyre nuk u përkrah nga Fuqitë e Mëdha, të cilavet Ballkani u dukej mjaft i fragmentarizuar edhe pa këtë mikroshtet. Greqia, Serbia dhe Turqia ishin tërësisht kundër.
“ÇOBENJTË” E SHQIPËRISË
Në Shqipëri njihen dy degëzime të vllehëve të ngulitur: frashëriotë dhe grabovarë. Vllehët e hershëm u vendosën kryesisht në luginat e lumenjve Devoll, Seman dhe Vjosë, si edhe në qytetet Korçë, Elbasan, Berat, Durrës, Fier, Pogradec, Kavajë. Llaqi Jani, historian “amatorë” dhe kryetar i shoqatës së vllehëve, mbron tezën se ata kanë ardhur në Shqipëri nëpërmjet Romës dhe si argument sjell vendosjen e tyre anës lumenjve. Po ndërkohë ky është vetëm një nga variantet e supozimit të itinerarit të tyre. Dijetarë të tjerë pohojnë se ata erdhën në Ballkan nëpërmjet rrugës tokësore. Akoma nuk dihen me saktësi motivet e shpërnguljes së tyre masive nga Vllahija, krahina më veriore e Rumanisë. Sidoqoftë, ka plot fakte që vërtetojnë se ata janë vendosur herët në fshatrat dhe qytezat e Shqipërisë mesjetare. Disa nga familjet e njohura vllahe u bënë pjesë e elitës së qyteteve si nga fama, ashtu edhe nga pasuria. Në Korçë, ata ndërtuan kishën e tyre, e cila njihej si kisha e vllehëve, diku pranë kinemasë “Majestik”, sot e rrënuar. Janë me dhjetëra familje të nderuara me origjinë vllahe në Korçë, Durrës, Fier, Kavajë e gjetkë. Nuk besoj se përbën mëkat pohimi se shkrimtari i shquar Jakov Xoxa, i përkiste një familjeje me origjinë vllahe, po ashtu sikurse këngëtarja e shquar Eli Fara, piktori i talentuar Llambi Blido, humoristi Niko Nikolla e dhjetëra të tjerë. (Partiakëve të Korçës nuk u falet shembja e kishës së Shën Gjergjit që ndodhej para Muzeut të Arsimit, një nga faltoret më të bukura të qytetit, ndërtesë kapitale me vlera arkitekturale. Qoftë edhe për faktin historik se atje u shugurua dhespot Imzot Noli, duhej shpallur e mbrojtur si monument kulture. Komunistët i vunë kazmën, me justifikimin se aty do të ngrihej biblioteka e re e qytetit, sikur nuk mund ta ndërtonin pak më lart, a pak më poshtë, kudo që të vinin gishtin. (Duket se fasada me gurë të skalitur e kishës dhe kupola e saj me kryq, u vriste sytë ateistëve të vetëshpallur.) Voskopoja arriti të bëhej qendër e rëndësishme kulturore, mbasi ishte nyje e dy rrugëve të rëndësishme Berat-Selanik dhe Prizren-Janinë. Kishat e saj të shumta të zbukuruara me afreske nga dora e ikonografëve më të shquar, Akademia (shkolla e mesme) dhe shtypshkronja dëshmojnë lulëzimin ekono-mik të qytetit. Cilësohet edhe si kryeqyteti shpirtëror i vllehëve, ngaqë një pjesë e popullsisë ishte vllahe. Intelektualët e saj më të shquar Kavaljoti dhe Haxhi Filipi punuan me përkushtim për kulturën shqiptare. Në regjistrimet e popullsisë së kazasë së Kolonjës gjatë kohës së Turqisë, krahas emrit të fshatit ishte kolona, ku specifikohej numri i familjeve myslimane, ortodokse dhe vllahe. Ky fakt tregon se etniteti vllah njihej zyrtarisht dhe prandaj mirrej në konsideratë. Vllehët janë të krishterë ortodoksë, por nuk njësoheshin as me ortodoksët shqiptarë, as me ortodoksët grekë. Në Myzeqe, popullsia vendase ndahej në dy kategori: “lalë” dhe “ço-benj.” Lalët janë myzeqarët autoktonë, kryesisht bujq, ndërsa çobenj thirreshin vllehët sedentarë. Deri vonë, ata përdornin vllahishten ndër familjet e tyre. Si shembull po sjell lagjen Stan të Divjakës, e banuar më se 90% prej “çobenjve”, arumunë. Nuk duam të pohojmë kurrsesi se pas dhjetë shekujsh ata nuk janë autoktonë.
VLLEHËT NOMADË
Vllehët e ngulitur nëpër qytete dhe fshatra u asimiluan ngadalë nga popullsia shqiptare më e madhe në numër, ndërsa vllehët nomadë, duke jetuar të veçuar në komunitete të vogla prej 10-15 familjesh, me ose pa lidhje gjaku midis tyre, e ruajtën më gjatë identitetin. Fejesat lidheshin me ndërmjetësinë e prindërve dhe martesat kryeshin kurdoherë mes etniteteve të tyre. Në krye të çdo bashkësie ishte “çelniku”, pronari i kopeve të dhenve, të kafshëve të ngarkesës, kuaj e mushka. Pasuria si dhe titulli trashëgohej brez pas brezi. Çelniku ishte kryetar i përjetshëm i komunitetit, ai blinte kullotën verore dhe dimërore, firmoste kontratën me pronarët ose kryepleqësitë, shlyente detyrimet dhe taksat me para të thata në dorë, ose me mallra në natyrë, djathë, lesh, mish, ndërsa blegtorët e tjerë mbaheshin me pagesë prej tij. Çelnikët zotëronin kope të mëdha nga 3.000 deri 8.000-15.000 kokë dhen e dhi, ndërsa familjet e tjera nga 30-40 kokë bagëti, sa për të mbuluar nevojat e ngutshme. Drithin e blinin në pazar me para në dorë. Organizimi shoqëror i vllehëve nomadë qe tipik feudal mesjetar, ku sundonte blegtorobëria. Paguheshin keq dhe meqë nuk arrinin t’i mbulonin shpenzimet e familjes, gjithmonë futeshin borxh te çelniku. Borxhet shkonin nga një brez te tjetri dhe ata gjithmonë mbeteshin të ndërvarur prej çelnikut.
Vllehët nomadë të Shqipërisë veronin në kullotat e maleve të Pogradecit, Vithkuqit, Korçës, Kolonjës, ndërsa në dimër zbrisnin në vërri, në zonat e buta të bregdetit Jon, kryesisht Sarandë, Delvinë. Dalloheshin menjëherë nga veshja dhe gjuha. Shqipen e flisnin me “rr” të forta dhe tinguj grykorë. Thirreshin vllehë, çobenj mali (për t’i dalluar nga çobenjtë e fshatrave), arumunë, aromenë, sarakaçanë, cinxë. Fjala cinx apo cinxë nuk ka lidhje me fjalën cinxar (dorështrënguar), por me tingujt “c” dhe “x”, që në gjuhën e tyre dëgjohen shpesh. Kontaktet me popullatën vendase i kishin të rralla. Takoheshin në treg, te mullinjtë ku bluanin drithin dhe më rrallë te kishat. Vllehët nomadë nuk kishin priftërinj, as libra fetare, prandaj shërbesat i kryenin shqip ose greqisht. Ata vinin në kishë njëherë në vit, ditën e Shën Mërisë, më 15 gusht. Madje, dhe atë ditë, vllakat dhe fëmijët e vegjël, që kungoheshin, mbushnin kishat, ndërsa burrat nuk u ndaheshin kopeve në kullotat alpine. Pagëzimin e fëmijëve e kryenin në kishë, ndërsa ceremonitë fetare të martesës te kalivet e tyre në mal. Kalivet karakteristike me kashtë thekri dhe thupra ahu, i ndërtonin të reja për çdo vit, duke sjellë lastarë ahu nga pyjet, ndërsa kashtën e blinin nga fshatarët. Deri një metër mbi tokë kalivet i veshnin përbrenda me baltë që të mbroheshin nga e ftohta. Vllakat i endnin vetë të gjitha rrobat e tyre, që nga të linjtat e tyre deri te cibunët, rrobat e burrave dhe të fëmijëve. Në mal a në fushë, ndenjur a duke ecur, kërrusur nën barrët e rënda, ato do t’i shihje me bosht e furkë nën sqetull duke tjerrë lesh. Edhe sot ato janë artiste të mrekullueshme të qilimave, kuvertave, endjeve me grep, thurjeve me shtiza dhe punimeve me dorë. Sa do të ruhet kjo traditë? Nomadët nuk i shquante ndonjë ndjenjë patriotizmi as ndaj Greqisë, as ndaj Shqipërisë ose Maqedonisë, sepse ata kudo e ndienin veten të huaj, prandaj përpiqeshin të rrinin larg ngatërresave politike dhe luftërave midis klaneve, partive a shteteve. Ndërkohë, donin ose nuk donin, ata ishin strehë e jatak për firarët dhe kaçakët gjatë pushtimit osman, për komitët gjatë zgjimit kombëtar, për partizanët gjatë pushtimit fashist, për të arratisurit, dezertorët dhe, domosdo edhe për cubat dhe hajdutët. Pushteti popullor, pasi shtetëzoi pyjet, malet, kullotat, burimet e ujit, çifliqet, dekretoi shtetëzimin e tufave të mëdha të bagëtive. Reforma i zhveshi pronarët e kopeve nga pasuria e tyre, blegtoria. Shtetëzimi zhduku klasën e çelnikëve, zotëruesit e kopeve, dhe njëkohësisht shpejtoi shkrirjen e nomadëve të fundit të Shqipërisë. Më 1947-48, tufat kaluan në zotërimin e shtetit dhe vllehët u kthyen punonjës të Ndërmarrjeve Blegtorale Shtetërore. Nëpër stanet u hapën shkolla fillore verore. Askujt prej vllehëve nuk iu besua ndonjë detyrë, a përgjegjësi, pavarësisht nga aftësitë profesionale. Kopetë kaluan në duart e lebërve, zotërve të rinj. Fodullëku dhe arroganca e lebërve ishte po aq e ashpër sa ajo e çelnikëve, që kishin patur mbi krye. Kudo i trajtonin me përçmim si qytetarë të dorës së fundit dhe pozita e tyre shoqërore u keqësua. U detyruan t’u largohen kopeve, të braktisin mjeshtërinë e tyre shekullore dhe të vendosen nëpër fshatrat e Korçës, Kolonjës, Përmetit, Gjirokastrës, Sarandës, kudo ku mund të gjenin strehë dhe punë.
FSHATI "ANDON POÇI"
Në Lunxhëri, pranë Hundëkuqit, u ngrit një fshat i ri, ku u vendosën rreth tridhjet familje vllehësh nomadë. E pagëzuan “Andon Poçi”, për të përjetësuar kujtimin e një dëshmori nga vllehët nomadë. E vërteta është se vllehët nomadë e ruajtën paanësinë aq sa kishin mundësi. Pak prej tyre u rreshtuan në radhët partizane, po ndërkohë edhe ata pësuan raprezalje nga fashistët. Disa herë ua dogjën kasollet me pretekstin se strehonin partizanët. Sikurse më rrëfeu Kosta Loli, në atë kohë kryetar i kooperativës, Andoni u grind keq me çelnikun për çështje pagese. Ai e akuzoi si shfrytëzues, gjakpirës dhe pasi u arratis nga kalivet verore, u bashkua me partizanët. Besohej se Andoni ra nën ndikimin e emisarëve të Partisë Komuniste që predikonin liri dhe barazi, prandaj u ndërkrye kundër pronarit. Në Lunxhëri dhe ndoshta në gjithë Shqipërinë është fshati i vetëm ku flitet ende vllahisht. Në fshatrat e tjera të jugut, vllehët janë pakicë, e vetëm mes tyre komunikojnë vllahisht.
Asimilimi i vllehëve po kryhet para syve tanë me shpejtësi të madhe për shkak të mungesës së shkollave në gjuhën e tyre, të ndryshimit të strukturës ekonomike dhe të presionit që ushtron zhvillimi shoqëror dhe artistik. Shifrat që servirin disa përfaqësues të zellshëm të etnitetit vllah, janë aq të zmadhuara, sa nuk kanë përqasje me realitetin demografik të vendit. Nuk ka shtypje a përçmim për vllehët e ndërfutur me kohë në të gjitha strukturat e shoqërisë shqiptare, aq sa nuk dallohen më. Sa për vllehët nomadë, që u kthyen sedentarë në pesë dekadat e fundit, ata s’ngrehin asnjë peshë në asnjë drejtim. A duan shkolla në gjuhën e tyre? Le t’i kenë, është një e drejtë që u takon, po praktikisht dialekti i tyre nuk kuptohet as nga rumunët. Shekulli XX po rrafshon me furi identitetet e pakicave kombëtare. Me përjashtim të ciganëve, asnjë etnitet tjetër nuk po mundet të rezistojë me sukses. Më keq se kudo janë vllehët e Greqisë, të cilëve u mohohet e drejta të njihen si etnitet arumun. Në greqishten popullore epiteti “vllakë” ka kuptim pejorativ, kokëtrashë, e paditur, e pagdhendur. Ndërkohë që Greqia mburret si shtet demokratik, mohon me kokëfortësi ekzistencën e kombësive të tjera, pavarësisht prej fakteve historike, etnografike dhe gjuhësore. Në Ballkan nuk ka asnjë shtet plotësisht homogjen.

Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi