Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Monroe
Monroe
Anëtar elitë
Anëtar elitë
Regjistruar : 25/02/2014
Postime : 5577
Points : 6230
Reputacioni : 175
Medalje Blu Medalje Red Medalje Green

Historia e Letersise Shqipe - Faqe 4 Empty Re: Historia e Letersise Shqipe

18th March 2016, 08:36
10. RRYMAT E LETËRSISË SHQIPTARE NGA FILLIMI I SHEKULLIT XX DERI MË 1944







10.1 Vështrim i përgjithshëm historik i periudhës së pavarësisë





Pas pesë shekujsh sundimi osman Shqipëria u shpall e pavarur më 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemal bej Vlora (1844-1919), i njohur më pas thjesht si Ismail Qemali, dhe nga një grup prej 36 delegatësh, shumica myslimanë nga Shqipëria e mesme dhe e jugut. U formua një qeveri e përkohëshme, pushteti i të cilës nuk dilte jashtë krahinës së Vlorës. Kryeministër u caktua Ismail Qemal bej Vlora dhe ministër i punëve të jashtme nga 5 korriku 1913 Myfit bej Libohova (1876-1927). U formua dhe një pleqësi prej tetëmbëdhjetë antarësh. Durrësi dhe Tirana mbetën në dorë të çifligarit Esad pashë Toptani (1863-1920), kurse kalaja e Shkodrës, fortesa e fundit turke në Ballkan, vetëm më 22 prill 1913 u braktis nga forcat osmane e iu la në dorë malazezëve, e pastaj iu kalua Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Përveç rrëmujës dhe intrigave të brendshme nga konflikte interesash ndërmjet çifligarëve të ndryshëm feudalë, fiseve dhe grupeve të ndryshme fetare brenda vendit, fqinjët Greqia, Serbia dhe Mali i Zi u përpoqën të gjithë të ushtronin ndikim sa më të madh në Shqipëri. Edhe pse pavarësia e Shqipërisë u njoh de facto më 17 dhjetor 1912 nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, vetëm më 29 korrik 1913, pas Luftës së Dytë Ballkanike e pas zgjidhjes së problemit delikat të Shkodrës, bashkësia ndërkombëtare u mor vesh të mbështeste Shqipërinë si principatë asnjanëse, sovrane dhe e trashëgueshme. Dëtyra si kryetar i këtij shteti të ri të Ballkanit i takoi princ Vilhelm Vidit (Wilhelm zu Wied, 1876-1945). Ky princ gjerman pa të keq, një zgjidhje kompromisi ndërmjet fuqive, mbërriti në portin e Durrësit më 7 mars 1914.

Me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore princi Vilhelm e humbi gjithë mbështetjen ndërkombëtare zyrtare dhe u largua nga Shqipëria më 3 shtator 1914 pas jo më shumë se gjashtë muajsh sundimi të palavdishëm. Ndonëse Esad pashë Toptani ia doli të mbajë pushtetin kryesisht në Shqipërinë e mesme për një farë kohe, një pjesë e mirë e vendit u shkel me radhë nga trupat italiane, greke, serbe, bullgare, malazeze, austriake dhe franceze. Kësaj periudhe të mbrapshtë i dha fund Kongresi i Lushnjës nga 28-31 janar 1920, ku Tirana u shpall kryeqytet i ri i vendit e ku u formua një qeveri e re me Sulejman pashë Delvinën (1884-1932) si kryeministër e me njëzetekatërvjeçarin Ahmet Zogu (1895-1961) si ministër të brendshëm. Në shtator 1920, praktikisht e gjithë Shqipëria ishte në dorë të qeverisë së re dhe më 17 dhjetor të atij viti ajo u pranua në Lidhjen e Kombeve si shtet sovran.

Në vitet më pas u pa ngjitja autoritare e Ahmet Zogut (86), në fillim si ministër i brendshëm e pastaj më 2 dhjetor 1922 si kryeministër. Zogu, i mbështetur kryesisht nga aristokracia e çifligarëve dhe klasa e mesme, u shtrëngua të ikë nga vendi në kohën e Revolucionit të Qershorit 1924, gjatë të cilit peshkopi Fan Noli (1882-1965) e drejtoi vendin për një periudhë të shkurtër prej gjashtë muajsh si kryetar i një qeverie pak a shumë demokratike. Njeri me shkollim amerikan, Noli u hyri ndryshimeve të thella, përfshirë edhe një reformë agrare tepër të domosdoshme në Shqipëri, por pa kaluar shumë kohë, idealizmi i tij do të pësonte disfatë nën peshën e traditës. Me ndihmën e Beogradit e të mbeturinave të ushtrisë ruse të gjeneral Vrangelit, i eturi për pushtet Ahmet Zogu u kthye në Shqipëri dhe mori në dorë vendin me një

__________________________________________________ _________________

86 Për Shqipërinë nën Ahmet Zogun, kr. Fischer 1984 dhe Schmidt-Neke 1987.
__________________________________________________ _________________

grusht shteti më 24 dhjetor 1924. Më 21 janar 1925, Shqipëria, zyrtarisht ende principatë, u shpall republikë me Ahmet Zogun si të parin president të saj. Duke mbytur çdo opozitë brenda vendit e duke luajtur herë me Italinë e herë me Jugosllavinë, Zogu krijoi njëfarë shkalle qëndrueshmërie politike e autoriteti në vitet më pas. Kjo vazhdoi deri në gjysmën e dytë të viteve njëzet, kur varësia ekonomike përherë në rritje e Shqipërisë nga Italia fashiste fqinje e kishte kthyer tashmë këtë vend të vogël të Ballkanit në protektorat italian, sidomos pas përfundimit të Paktit të parë të Tiranës në nëntor 1926. Më 1 shtator 1928, Ahmet Zogu u shpall Zog I, 'Mbreti i Shqiptarvet', me bekimin e Musolinit.

Synimet ekspansioniste të Italisë ndaj Shqipërisë arritën kulmin me pushtimin e vendit të Premten e Pashkëve, më 7 prill 1939. Mbreti Zog, e shoqja hungaro-amerikane Gjeraldinë dhe i biri triditësh Leka u arratisën në Greqi, kurse vendi ra brenda katër ditësh në duart e Italisë. Pas largimit të Zogut, në Tiranë u mblodh asambleja kombëtare e cila, në prani të ministrit të Jashtëm italian Kontit Çano (1903-1944), e shpalli Viktor Emanuelin III (1869-1947) Mbret të Shqipërisë. Shteti shqiptar pushoi së qeni.

Në tetor 1940 Italia fashiste sulmoi Greqinë dhe, me gjithë suksesin e fillimit, shumë shpejt u spraps nga një kundërmësymje e vendosur greke. Sundimi italian u sigurua përsëri në pranverë të vitit 1941 kur Jugosllavia dhe Greqia ranë në dorë të Gjermanisë naziste. Në këto vite të pushtimit të huaj dhe luftës civile Kosova u ribashkua me Shqipërinë. Por Shqipëria vetë u nda thellë nga prania e tre grupeve rivale të rezistencës: komunistët nën Enver Hoxhën (1908-1985), Balli Kombëtar antikomunist nën Mid'hat Frashërin (1880-1949) dhe lëvizja më e vogël monarkiste Legaliteti nën Abaz Kupin (1891-1976). Me kapitullimin e Italisë fashiste më 8 shtator 1943, Ministria e Jashtme gjermane u orvat të krijonte një shtet shqiptar asnjanës e të pavarur për të mbrojtur interesat strategjike gjermane në Ballkan. Administrata e re e ngritur në Tiranë nuk qe në gjendje të ushtronte autoritetin e duhur në të gjithë vendin, i cili po zhytej tani në një luftë civile të përgjakshme. Ndërkaq kur trupat gjermane u shtrënguan të tërhiqen nga Shqipëria në fund të nëntorit 1944, komunistët me Enver Hoxhën në krye morën pushtetin dhe ngritën më pas Republikën Popullore të Shqipërisë.
Monroe
Monroe
Anëtar elitë
Anëtar elitë
Regjistruar : 25/02/2014
Postime : 5577
Points : 6230
Reputacioni : 175
Medalje Blu Medalje Red Medalje Green

Historia e Letersise Shqipe - Faqe 4 Empty Re: Historia e Letersise Shqipe

18th March 2016, 08:36
10.2 Poetë të periudhës kalimtare: Andon Zako Çajupi, Ndre Mjeda dhe
Asdreni.



Çfarë rrjedhimesh pati pavarësia e Shqipërisë mbi letërsinë? Në fillim kurrfarë rrjedhim. Dhjetëvjeçari i parë i pavarësisë nga shpallja në Vlorë më 1912 deri në daljen e Ahmet Zogut në fillim të viteve njëzet u shënua nga trazira politike të skajshme, nga gjakderdhje e vuajtje. Qëllimi politik zyrtar i lëvizjes kombëtare, d.m.th. pavarësia, ishte arritur, e ndërsa shqipja ishte bërë gjuhë zyrtare në vend, rrëmuja e vazhdueshme politike u jepte shkrimtarëve dhe intelektualëve brenda vendit tepër pak kohë për të përsiatur përmasat e reja të kulturës kombëtare. Kultura e romantizmit kombëtar të Rilindjes, e rrënjosur thellë në letërsinë shqiptare, jo vetëm vazhdoi të ndihet, por edhe të ndikojë gjatë gjithë periudhës së pavarësisë. Vazhdimësia e ideve dhe aspiratave të shprehura në shkrimet shqipe do të arrinte brenda pak kohe një nivel shumë më të lartë artistik nga çfarë ishte arritur ndonjëherë në letërsinë e Rilindjes në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë.

Të shkruarit në shqip pushoi së qeni thjesht një akt atdhetarie kundër imperializmit kulturor të huaj, dhe intelektualët shqiptarë filluan, ndoshta për herë të parë, të shohin se mundësitë e zhvillimit letrar e kulturor ishin të pakufizuara. Institucionet shkollore katolike të ngritura në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë nga françeskanët dhe jezuitët në Shkodër dhe pas pavarësisë shkollimi në gjuhën shqipe në mbarë vendin, kishin çarë rrugën për krijimin e një elite në Shqipëri. Ato dhanë frytet e veta në vitet njëzet. Letërsia e krijuar nga kjo shtresë intelektualësh të shkolluar në gjuhën dhe kulturën e tyre u shpreh përsëri kryesisht në poezi, ndonëse praktikisht u shfaqën të gjitha gjinitë letrare. Periudha e pavarësisë dëshmoi lindjen e tre poetëve, krijimtaria e të cilëve pasqyron fuqishëm vazhdimësinë e kulturës së Rilindjes. Ata ishin Andon Zako Çajupi në Egjipt, Ndre Mjeda në Shkodër dhe Asdreni në Rumani.

Andon Zako Çajupi (87) (1866-1930) lindi më 27 mars 1866 në Sheper, fshat në krahinën e Zagorisë së Sipërme në Shqipërinë jugore, bir i një tregtari të pasur duhanesh, Harito Çako, i cili bënte tregti në Kavallë e në Egjipt. Në vogëli Andon Zakoja, i cili më pas pëlqente ta thërrisnin me pseudonimin Çajupi sipas emrit të një mali jo larg vendlindjes së tij, ndoqi shkollat në gjuhën greke në krahinën e lindjes, kurse më 1882 emigroi në Egjipt, ku studioi pesë vjet në liceun francez 'Sainte Catherine des Lazaristes' në Aleksandri. Më 1887 vajti të studiojë për drejtësi në Universitetin e Gjenevës. Përfundoi atje studimet për jurisprudencë më 24 tetor 1892 dhe mbeti në Zvicër për nja dy a tre vjet të tjerë, ku edhe ishte martuar me një vajzë të quajtur Evgjeni, me të cilën pati një djalë, Stefanin. Evgjenia vdiq aty nga viti 1892, humbje tragjike kjo për poetin, dhe Çajupi u kthye në Kavallë për ta lënë të birin në kujdesin e së ëmës Zoica. Rreth viteve 1894-1895 Çajupi u kthye në Egjipt dhe u lidh me një firmë juridike gjermane në Kajro. Por karriera e tij juridike mori fund shpejt për shkak se bëri një gabim strategjik, mbrojti një shoqëri franceze në një konflikt kundër interesave të khedivit (88). Megjithatë, duke mos qenë i varur financiarisht, Çajupi e kaloi këtë katastrofë profesionale pa dhimbje. U tërhoq në vilën e tij në Heliopolis afër Kajros dhe iu përkushtua letërsisë e më pas edhe forcimit të mëtejshëm të lëvizjes së gjallë kombëtare shqiptare në Egjipt. Në vitet pas pavarësisë së Shqipërisë Çajupi vazhdoi të luajë një rol aktiv në bashkësinë shqiptare të Nilit, e organizuar sikundër ishte në klube e në shoqëri të ndryshme atdhetare, që ishin në grindje me njëra-tjetrën për çështje politike. Vdiq në shtëpinë e tij në Heliopolis më 11 korrik 1930. Eshtrat e tij u sollën në Shqipëri më 1958.

Etapa më e rëndësishme e veprimtarisë letrare e kombëtare të Çajupit është nga 1898 deri më 1912. Më 1902 ai ishte anëtar dhe veprimtar i Vëllazërisë së shqiptarëve të Egjiptit dhe po atë vit botoi vëllimin me poezi për të cilin ka mbetur i mirënjohur, Baba-Tomorri, Kajro 1902. Kjo përmbledhje, me emrin e malit Tomorr, Parnasi i mitologjisë shqiptare, përmban lirika, shumica me tema atdhetare, dhe ndahet në tre krerë: 1) Atdheu, 2) Dashuria, dhe 3) Përralla të vërteta e të rreme. Suksesi qe i menjëhershëm. As edhe një përmbledhje tjetër me poezi shqiptare nuk qe bërë kaq popullore ndër shqiptarët brenda e jashtë vendit që me përmbledhjet e Naim Frashërit. Çajupi nuk u mjaftua me mallin romantik të poetëve të mëparshëm të mërgimit si Filip Shiroka. Sigurisht që ai ishte një nacionalist, por ai ishte edhe i vetëdijshëm për realitetin e zymtë të jetës në atdhe. Një nga baladat më të spikatura në këtë përmbledhje, Fshati im, ka në qendër për shembull pabarazitë në shoqërinë patriarkale:


"Maletë me gurë,
Fushat me bar shumë,
Aratë me grurë,
Më tutje një lumë.

Fshati për karshi
Me kish' e me varre,
Rrotull ca shtëpi

__________________________________________________ _________________

87 kr. Gj. Zheji 1966, Shuteriqi 1977, f. 373-417, dhe Dado 1983.

88 d.m.th. princ i Egjiptit nën suzerenitetin osman.

__________________________________________________ _________________

Të vogëla fare.

Ujëtë të ftohtë,
Era pun' e madhe,
Bilbili ia thotë,
Gratë si zorkadhe.

Burrat nënë hie,
Lozin, kuvendojnë,
Pika që s'u bie,
Se nga gratë rrojnë!

Gratë venë nd'arë
Dhe në vreshta gratë,
Gruaja korr barë,
Punon dit' e natë.

Gratë në të shirë
Në të vjela gratë,
Ikinë pa gdhirë,
Kthenenë me natë.

Gruaja për burrë
Digjetë në diell,
Punon e s'rri kurrë
As ditën e diel.

O moj shqipëtarkë,
Që vet' e nget qetë,
Edhe drek' e darkë
Kthenesh e bën vetë;

Moj e mjera grua
Ç'e do burrëzinë,
Që ftohet në krua
Dhe ti mban shtëpinë!"


Edhe pse ky vëllim poetik ishte më i rëndësishmi i viteve të para të shekullit të njëzetë, Baba-Tomorri nuk ishte i vetmi botim i Çajupit. Më 1921 ai botoi 113 fabula të La Fontenit (La Fontaine, 1621-1695) në Përralla, Heliopolis 1920/1921, dhe menjëherë pas atij libri një përmbledhje poezish sanskrite, Lulé te Hindit, Kajro 1922, të cilat i kishte përkthyer nga një antologji frënge e me një përkushtim për Faik bej Konicën (1875-1942). Veprat e tjera poetike të tij mbetën të pabotuara sa qe gjallë. Ndër to janë një poemë satirike me 6000 vargje Dhiat' é vjéter é chfacure, e njohur edhe me titullin Baba Musa lakuriq, e cila u shkrua rreth viteve 1903-1905 mbështetur në ngjarjet e Dhiatës së Vjetër.

Ndonëse me shumë të meta teknike në vjershat, metri tetërrokësh i drejtpërdrejtë që të kujton këngët popullore të Shqipërisë së jugut, idetë e qarta dhe frymëzimi atdhetar i tyre e bënë këtë poezi jashtëzakonisht të përhapur në të rritur e në fëmijë, kurse vetë Çajupin - poetin më të rëndësishëm shqiptar pas Naim Frashërit (1846-1900). Çajupi ishte edhe dramaturg, autor i një tragjedie në vargje për Skënderbeun me titull
P.S (Vazhdon)
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi