- ProgonAnëtar aktiv
- Regjistruar : 20/02/2008
Postime : 140
Points : 300
Reputacioni : 21
Takim mbas pushkatimit.
22nd September 2016, 14:55
Takim mbas pushkatimit.
Mos me vra te lutem, jam nje vella mbas gjashte motrave, ata qe vrate pak përpara ishin axha dhe daja im.
Mos me vra te lutem.
Përjashta një shi i ftohtë sikur e kishte ftohur më shumë atmosferën në atë makinë ushtarake që me zor merrte
të përpjetat e asaj rruge të lodhur që mbaronte te qafa e të vdekurve afër një humnere.
Nik Vladi shikonte i trishtuar tre viktimat e radhës që pa dalë as në gjykim
po shkonin për ti pushkatuar. Një trishtim i shkonte dhe vinte nëpër ndjenja kur shikonte fytyrën e njërit
prej tyre që akoma s’i kishte mbushe të
shtatëmbëdhjetat. Heshtja e varrit qëndronte pezull në atë natë dimri ku drita e mëngjesit me zor po mundohej
të dilte.
– Oh zot! Ishalla prishet kjo makinë mortjeje që pothuajse çdo muaj ngjitej në këtë të përpjetë, nuk dua
të vras fëmijë, djalli e marrtë këtë komunizëm.
Si arritën afër vendit të pushkatimit i zbritën të lidhur në pranga dhe i nisën në të përpjetë të kodrës. Poshtë
humnerës së thepisur dëgjohej vajtimi i zakonshim i lumit,i vetmi deshmitar i përjetshëm i të pushkatuarve. Iu
dhanë lopatat që të hapnin varrin e përbashkët.
Agimi një shok shkolle i Nikës i hodhi një vështrim tërë inat dhe iu afrua afër veshit duke i pëshpëritur me të
madhe.
– Po të dhimbsen armiqtë e popullit, të gjithë në plumb do ti çojë kjo Parti, kulakët e dreqit.
Nika nuk bëri zë. I hodhi një vështrim tërë inat dhe u nis drejt të dënuarve.
– Ku po shkon o Nikë?
– T’iu heq prangat se me duar të lidhura do të vonojnë shumë të hapin varrin dhe është gjynah ti pushkatojmë ashtu.
– Jo, jo ktheu të thashë.
Ashtu të vuajnë minutat e fundit
të jetës maskarenjtë e komunizmit…
– Eshtë gjynah o të vrafte zoti!
Ha ha ha! – qeshi me të madhe Agimi, – ku është zoti o Nik, apo ka ardhë andej nga fshati juaj? !… Nik Vladi nuk u ndal. Shkoi tek ata dhe nisi t’iu hiqte
prangat kur dëgjoi një krismë dhe një fishek i fluturoi afër tij. Ktheu kokën kur pa se shokët e tij ishin ulur në
pozicion luftimi dhe i thirrën me forcë.
– Mos ia hiq prangat se do të vrasim dhe ty bashkë me ta se na ikin dhe ec të gjejmë vrimë ku të futemi.
Nika u step disi dhe nisi t’iu flasë me zë të lehte të treve të cilët e vështruan tërë dhembshuri në minutat e fundit
të jetës me shpresë të kotë se ndoshta shpëtonin.
– Më vjen keq, por… nuk mundem. Ju do te vdisni pa dalë dielli, ndaj kur unë t’i afrohem atyre, kush të mundet të hidhet në humnerë, të vdekur se të vdekur
jeni provojeni fatin e fundit.
– Në rregull! – bërtiti Nika me të madhe dhe u nis drej togës së pushkatimit, – mos qëlloni se nuk po i zgjidh.
Sa hap e mbyll sytë u dëgjua një zë korbi që u bashkua me krismat e panumërta që u lëshuan drejt tyre.
Një mjergull e hollë si me porosi erdhi dhe në atë majë mali çdo gjë e mbuloi trishtimi. Më pas ra një heshtje varri,
Agimi e rimbushi pushkën dhe u nis drejt të pushkatuarve. Kur u afrua afër gropës të mbushur tërë gjak, mes rënkimeve të të vrarëve që jepnin shpirt nisi të qëllojë përsëri kur në një moment u shtang. Në gropë ishin vetëm dy veta. Hodhi një vështrim habie dhe iu bërtiti me forcë shokëve.
– Ejani shpejt, ejani shpejt.
Toga e pushkatimit iu afrua varrit ku trupat e dy të vrarëve me një shenjë lutjeje për jetë kishin vdekur me
sy të hapur. Nika i shikoje tërë dhembshuri dhe shau vehten se pse dreqin kishte zgjedhur atë zanat.
– Më mirë bari në fshat se sa të pushkatosh njerëz, – i foli vehtes, – por është tepër vonë sepse nuk ka më
kthim prapa. Çdo pendesë, dhimbje për kulaket apo kthim prapa shpërblehet me një plumb pas koke.
Ashtu duke menduar dëgjoi një zë si thikë pas koke.- Luaj vendit or dreq, ta kërkojme kulakun se na ka
ikur.
Iu afruan humnerës por ajo ishte shumë e thepisur sa të tërëve iu morën mendët.
– Nga na iku! – bërtiste tëri inat dhe ironi Agimi, – apo e mori zoti yt Nik Vladi!
– Mbylle gojen, maskara me kë tallesh ti!
– Me zotin tënd, por mos u mërzit një ditë do të të kem edhe ty në vend të tyre.
Nika i inatosur mbushi pushkën dhe i bërtiti me të madhe.
– Mos luaj o Agim Karadaku! Në djall do shkosh dhe ti!
– Mosss Nikë, më fal, mos më qëllo, të hëngsha m…,po bëja shaka, jemi shokë shkolle e pune.
Shokët e tjerë iu afruan dhe e qetësuan situatën. Si ra një paqe e lehtë mbuluan të vraret dhe u nisën në kërkim të të tretit që as vetë nuk e dinin se nga kishte ikur.
Nika kaloi nga Shtegu i Dhive. Pas një shkurreje shikoi një njeri që dridhej. Iu afrua, kur pa vocërrakun që në
momentin e pushkatimit ishte hedhur në humnerë.
– Mos më vrit të lutem, jam djalë i vetëm pas nëntë motrave…
– Jo, jo nuk do të vras!
Nika iu afrua dhe i hoqi prangat.
– Rri këtu sa të bjerë nata pastaj kalo lumin dhe pas atij mali do të arrish në Selitë ku në të majtë të Lakut të
Krojit është një fshat dhe ka një kullë të madhe. Eshtë e Bushpepajve aty shko dhe thuaj se më ka dërgu Niku i dajës Zef. Merr njërin nga djemtë e tyre dhe nisu për Lurë. Atje do të të ndihmojnë dhe ik nga Shqipëria. Në rregull!
– Po po! – foli me gjysëm zëri Mark Gega që dridhej nga të ftohtit dhe nga frika . U nis pa marrun frymë drejt një kaçubeje të madhe që as ujku nuk kishte
mundësi të hynte…
Hapja e derës së kafes bëri që Nik Vladi të kthente kokën pas. Nga larg dalloi një burrë disi të shëndoshë që po afrohej drejt tij tavolines ku po rrinte me Gjonin.
Si jeni !- i përshëndeti ai shqip.
– Mirë, – ja ktheu Gjoni.
– Gjon cfarë kemi ndonjë të re?
– Asgjë për tu shënuar. Po pret ndokënd apo do ulesh
me ne.
– Jo askënd, po ulem.
– Çfarë do të pish.
– Një kafe.
– Çfarë kafje?
– Ekspres!
– Sigurisht, kjo është një kafe e fortë, kafe për ne shqiptarët që mijëra vjet kemi luftuar me vdekjen e prapë gjallë jemi.
Hynë ngadalë mbrenda kafes e u ulën.
Si vështruan njeri-tjetrin në sy një habi u qëndronte të dyve pezull.
– Ke kohë në Florida? – theu heshtjen Marku.
– Nja dy vjet.
– Si ka mundësi që nuk të kam parë? Këtu e pin kafen?
– Rrallë shumë rrallë sepse këtu vijnë ca shqiptarë nga ato që duan të zgjidhin hallin e politikës shqiptare pas rrëzimit të diktaturës komuniste ku një pjesë e
baballarëve të tyre i kanë lyer duart me gjak.
– Pse ti nuk i do shqiptaret?
– Eh more bir, si nuk i dua a jam edhe unë shqiptar? A nuk duhet ta dua vetëvehten por koha që shkoi na ka
lënë shumë probleme .
– E di ishte kohë e tmerrshme, komunizmi që e përgjaku Shqipërinë e ndërroi shumë edhe shqiptarin.
– Po ti si quhesh? – s’iu durua Nikës dhe e pyeti me një frymë.
– Mark.
– Ta gëzosh.
– Faleminderit.
– Mark kush?
– Mark Gega. Po ty sikur të kam parë diku.
– Ndoshta.
– Ç’farë ke punuar në Shqipëri?
– Vrasës!
– Ç’farë?
– Pushkatar. Vrisja njerëz me gjyq e pa gjyq.
Mooosss! – bërtiti Marku me të madhe ti je ai që më ke shpëtuar jetën kur më pushkatuan dajën dhe axhën
tek Shtegu i Dhive, oh zot kot s’kanë thanë se mali me malin nuk takohen ndërsa njeriu me njeriun po…
Kur nata e zezë pus mbuloi tërë bjeshkën Marku duke u dridhur nga të ftohtit doli nga kaçubja dhe u nis drejt lumit. Si piu ujë mirë e mirë hyri në të dhe kaloi në anën tjetër.
U ngjit ngadalë në majë të malit dhe sa kaloi Lakun e Kroit shikoi një dritë të lodhur që vinte nga kulla që i kishte thënë polici.
Duke ecur tërë frikë u nis drejt kullës.
– Si t’ia them! – nisi të belbëzojë me vehte, – më dërgoi
Zefi i dajës dhe…
Pa e ditur kishte arritur para derës shekullore të kullës ku një kryq i gdhendur sikur ia treti frikën. Iu afrua afër dhe trokiti në derë.
– A doni miq o burra.
– Mirësevjen dhe mirë se të pruni zoti!
Një plak i Bushpepajve me krenarinë e bjeshkëve hapi ngadalë derën me një kandil të vogël të ndezur në dorë.
– Eja ore bir mbrenda se qenke bërë si lugat.
– A keni besë se…
– Bushpepajt s’kanë pre askënd në besë tash sa shekuj e jo të presin një fëmi.
– Faleminderit në besën tuaj dhe të zotit.
U ul në krye të oxhakut në një post deleje. Ngrohtësia e shtëpisë e bëri ta merrte vehten. Si i bënë një kafe, i
sollën për të larë duart dhe e ulën në sofër për të ngrënë.
– Ç’e mirë të solli në këtë natë në mes të bjeshkëve e të ujqve.
– Më ka dërguar një njeriu juaj, më tha t’iu them se ishte djali i dajës Zef dhe të më dërgoni sa më shpejt në Lurë.
Si mesoi hallin e tij, plaku i Bushpepajve mori pushkën dhe bashkë me djalin e tij dhe Markun u nisën nëpër
natë për në Lurë…
– Po në Lurë ku shkove? – e ndërpreu Markun Nika.
– Nuk e di emrin, mbiemrin më duket e kishte Vladi, por… Si kaluan Kurbneshin dhe u nisën luginës së Krejës për
në Lurë një kokrrizë bore ia nisi të binte. I ftohti mundohej të na lodhte por malësorët gjithmonë e kishin trembur të ftohtin dhe armikun. Pak pa dalë drita arritëm në një fshat të Lurës.
– O i zoti i shtëpisë, – bërtiti plaku i Bushpepajve, – a doni miq.
– Eja dhe mirë se ju pruni zoti në këtë natë me borë që edhe vetë nata lodhet dhe kërkon ndonjë shpellë të rrije disi ma ngrohtë.
Si hynë mbrenda i zoti i shtëpisë iu lëshoi kutinë e duhanit. Pa vonaur shumë erdhi një grua e vogël por
me një fytyrë të rreshkur dhe na solli katër kafe.
– Ç’farë e mire të solli kaq herët or mik? Na e kena ndarë ditën për dasmën e vajzes, a mos jeni penduar?
– Jo ore i pari i Vladit, tjetër hall më ka sjellë sonte ndaj kam marrë edhe dhandrin tand me vehte. Unë e di
Kanunin por kur hyn besa e burrit dhe e zotit kanuni gjithmonë thotë je në rregull.
– Po more, vazhdo, si e keni hallin.
Plaku i Bushpepajve nisi të flasë ngadalë dhe i tregoi fill
e për pe historinë e këtij fatkeqi.
Si hëngrën mëngjesin lanë Markun aty dhe u nisën nga kishin ardhur…
– Mark! – ia ndërpreu kujtimet Nika, – gëzohem që je gjallë, ajo ish një ëndërr e keqe që na lodhi shumë.
– Ajo ishte jeta ime që falë teje dhe besës së shqiptarit që sot nuk jam në gropë si daja dhe axha por kam familje dhe fisi i Gegajve ka pesë djem.
– I paç me jetë.
– Faleminderit, por zoti i madh të solli ty këtu sepse kam kërkuar shumë në Shqipëri dhe e di se ka vdekë plaku zemërmirë dhe i besës i Bushpepajve por nuk di asgjë për plakun e Vladit e as për një djalë nga Kacorri i cili për të më shpëtuar mua, u arratisëm bashkë.
– Edhe plaku i Vladit ka shumë vite që ka vdekur…
– Ashtu? – tha me keqardhje, – ku e di ti?
– Sepse ishte babai im!
Marku iu hodh në qafë dhe niste të qante. Lotët nuk i ndalonte dot saqë të gjithë kthyen kokën të shikojnë se
ç’farë po ndodhte.
– Qetësou sepse jeta kështu është, me lindje, dashuri,
të papritura, vdekje trishtim.
– E di por nuk do ta kisha besuar kurrë që në Florida do të takohesha me ty pas pushkatimit, që ti më dërgove tek gjaku yt për të më shpëtuar. Por jeta është jetë që
duhet jetur, ndaj jetoj me dhimbje në shpirt që për faj të një diktatori komunist për shumë vite shqiptarët nuk
e shijuan dot jetën dhe mijëra të tjerë i vranë.
Jashtë një erë e lehtë u duk jo vetën si dëshmitar i këtij takimi por sikur edhe asaj iu rrënqeth trupi nga kjo histori
e dhimbje jete.
Lek Gjoka
Marre nga libri me tregime
“Përroi i Djallit”
Tiranë 2013
Foto Urim Gjata
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi