Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Kristaq Shabani
Kristaq Shabani
Anëtar i vjetër
Anëtar i vjetër
Regjistruar : 19/11/2015
Postime : 733
Points : 1430
Reputacioni : 5
Medalje Medalje2 Medalje3
http://www.pegasiworld.com

"MIKPRITJA ARBËRESHE  apo   TAKIM PAS  550 VJETËSH" nga Prof. Bexhet Asani Empty "MIKPRITJA ARBËRESHE apo TAKIM PAS 550 VJETËSH" nga Prof. Bexhet Asani

18th July 2021, 14:39
FlagMIKPRITJA ARBËRESHE
 Apo
 Takim pas 550 vjetësh
                   Mikpritja te shqiptarët është llogaritur, pothuaj, si e shenjtë. Mikpritja shqiptare është mjaft e njohur edhe nga të huajt. Për mikpritjen populli ynë ka krijuar një numër të madh fjalësh të urta. Do të shënoj vetëm një tregim dhe një fjalë të urtë: “Shtëpia e shqiptarit e mikut dhe e shtegtarit”. Në kohën e Perandorisë osmane e kanë zënë një kryengritës shqiptar dhe e kanë dënuar me varje, me litar. Në çastin e ekzekutimit e pyet ekzekutuesi: “A ke qenë ndonjëherë më ngushtë se sot!?” Pa u menduar, trimi përgjigjet: “PO”.
“Kur ke qenë?”
“Kur më ka ardhur miku në shtëpi dhe unë, nuk kam pasur bukë për t’i dhënë!”
                Lirisht, mund të konstatojmë se mikpritja shqiptare ka qenë e shenjtë për shqiptarët. Prandaj mikpritja arbërore – shqiptare është e kodifikuar në Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe në Kanunin e Skënderbeut.
               Kam marrë disa ftesa nga motrat dhe vëllezërit e mi arbëreshë nga Kozenca e Kalabrisë, nga Hora e Arbëreshëve të Sicilisë, nga Kremona në Itali etj. Një motra ime arbëreshe nga Catanzaro më shkruante një ditë: “Profesor, keni ardhur në Firmozë, e nuk më kërkuat të më takonit..?!”
Ky mesazh më ra si bombë! Fët e fët i shkrova motrës sime: “ E nderuar (M.C.) nuk e di se kush ju ka informuar gabimisht, se unë kam qenë në Kozencë, nuk dua të them se ju ka gënjyer, por unë nuk kam qenë asnjëherë as në Kalabri, as në Sicili..! Rroj me shpresë se një ditë do t’ u vizitoj!”
U sqaruam më në fund. Natyrisht, se edhe unë kam ftuar mjaft motra e vëllezër arbëreshë.
 
 Nga e majta në të djathtë Afërdita Asani, Bexhet Asani, Elena Busciacco dhe bashkëshorti i saj.
(Për drekë te shtëpia e saj, më 19 gusht 2019)
                Para disa muajve më erdhi një ftesë, jo nga Kalabria, as nga Sicilia, por nga Pensilvania, këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ishte një ftesë, e thjeshtë, por që kishte përbrenda një çiltëri të jashtëzakonshme. Gjatë kohë vramë mendjen me time shoqe Afërditën: “Të shkojmë, të mos shkojmë?!” Na dilnin shumë arsye që të mos shkonim! Mijëra arsye të tjera që të shkonim! Zemrat na thoshin se duhej t’ i përgjigjeshim ftesës…
               Dorën në zemër, unë nuk kisha marrë guximin të udhëtoja aq larg, as edhe gjer te bija ime, Nita e dhëndri Minir, të cilët jetojnë po aq larg, sa jeton dhe motra jonë Elena Busciacco (Bushako) me familjen e saj. “Prej frikës iket, prej turpit s’ iket,- i them Afërditës,- duhet të shkojmë!”
 Ishte si njëfarë ultimatumi! Në të tilla raste, nuk ma prish: “Shkojmë!” Dhe po tha shkojmë, as plumbat nuk e ndalojnë! Gjallë apo vdekur do të ishim atje!
                Mëngjesi i 19 gushtit 2019, mëngjesi i ditës së hënë erdhi. U bëmë gati. Vura adresën në telefon dhe çamë rrugëve të Nju Xherzit e të Pensilvanisë. Çudi! Rruga nuk na u duk aq e gjatë, sa e mendoja unë!... Ishte diçka e ndjeshme, ishte diçka e brendshme, ishte në pyetje gjaku jonë i shprishtë! Gjaku jonë arbëror, Shpirti arbëror. Shpirti i Arbërit nuk vdes kurrë! Ishte në pyetje ndarja, një ndarje 550 vjeçare, një ndarje tmerrësisht e padrejtë!
  I them time shoqes: “Edhe 4 minuta dhe mbërrimë te Elena. Afër qenkemi!... Ç’ m’ u desh që fola! Dreq o punë! Çdo të bëjmë tani?!” “Çfarë u bë?” – pyeti Afërdita.
“S’ ka valë telefoni,” i them.
Pas dy tre manovrimesh, të shkoj këndej, të shkoj andej… Aha, nuk aktivizohet telefoni. U ndala. Iu afrova portës që ishte aty afër dhe që i pyeste shoferët se nga shkonin!?  Iu drejtova një zonjës që ishte si portiere, me atë anglishten time: “Më falni, ku gjendet kjo adresë?” dhe ia tregova.
“Këtu, – tha.- Ky është Bushkilli”.
Bushkill është katundi, ku jeton familja e Elenës.
“Faleminderit shumë!”
 E gjetëm. Nga aty nga hyrja e kompleksit kishte edhe plot 4 minuta. U nisëm. Shikonim numrat në anën e djathtë, se andej na tregonte GPS – i shtëpinë. E gjetëm numrin.
 Elena Busciacco dhe Bexhet Asani (Më 19 gusht 2019)
                 Një shtëpi e bukur dhe e rregulluar mirë e me shije. Dielli shndrite. Vapë e durueshme. U afruam te dera. I rashë ziles. Doli Elena. Me një buzëqeshje tipike arbërore – shqiptare.
“Mirë se vini, motra ime dhe vëllai im!”
Na mori të dyve në grykë. Na përqafoi fort. Një ndjenjë drithëruese ma përshkroi shtatin. Një takim me gjakun tonë, pas 550 vjetësh.
Erdhi bashkëshorti i Elenës, erdhi e bija, Sara, na përshëndetën përzemërsisht. Një burrë fjalëpak e me zemër të madhe. Biseda filloi me urimet e përshëndetjet,  si në kohë të Skënderbeut. Të përmallshëm 550 vjet, bëmë një oqean me muhabet!
           Dilema: sesi do të merreshim vesh, si do të kuptoheshim, iku sakaq! Iku menjëherë! Elena e fliste arbërishten, gjuhën e mëmës dhe tatmadhit  (gjyshit) mrekullisht bukur edhe pse kishin kaluar tridhjetë e gjashtë vjet që nuk kishte pasur mundësi në Amerikë të komunikonte në arbërisht.
                Shtëpia e saj vezullonte nga pastërtia. Çdo gjë në dhomën e ndenjes ishte sistemuar në mënyrë të përsosur. Domosdo, në kënd do të qëndronte flamuri kuqezi me shqiponjën dykrenare, si në Motin e Madh të epokës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, stolisur me fotografitë e saj të nusërisë.
 Nga e majta në të djathtë Elena Busciacco (Bushako) dhe Afërdita Asani (Më 19 gusht 2019)
                 “Jeni lodhur nga udha, do të hami e do të pimi!”
 E shtroi tryezën me të gjitha të mirat. Ato ushqime që kishte përgatitur Elena, me aq dashuri e përkushtim, na dukeshin sikur vinin nga thellësitë e shekujve, nga Moti i Madh!
E uruam për mikpritjen madhështore që na bëri. E uruam për dasmën e djalit dhe dasmën e vajzës! Tani e kemi më se të qartë: Pse populli ynë ka aq shumë fjalë të urta për mikpritjen? Ajo me të vërtetë qenka e shenjtë. Elena, bashkëshorti dhe e bija e tyre, na pritën me të vërtetë me çere (çehre), plot mirësi e dashuri.
          Ne shkuam me gjithë të mirat, por dhuratë më e çmuar për atë familje intelektuale ishin librat e mi. Në faqet e të cilave vend të merituar zënë arbëreshët në përgjithësi e “Biltë e Firmozës” dhe Elena në veçanti. Elenës iu duk sikur ia dhashë Arbërinë (Shqipërinë) matanë detit!…
                 “Rrënjët tona nuk janë ati (Kalabri), rrënjë tona janë atij, në Albani”. Këtë fjali Elena e shqiptoi me zemër, me dashuri dhe po me aq dhembshuri.
       Ç’ është ky mall, ç’ është kjo dashuri,
       Për tokën e të parëve, për ty, mo, Arbëri!?
          Bëmë dhe fotografi, për të mos u harruar kurrë ai takim. Bashkë me Elenën i recituam 4 vargjet e poezisë së Zef Serembes “Vrull” (Rrutullup):
    Arbëria matanë detit na kujton,
    Se ne të huaj jemi te ky dhe!
  Sa vjet shkuan! E zemra nuk harron,
  Që ne turku na la pa mëmëdhe.
                 Shpesh e ndërpriste bisedën për shkakun tim dhe për këtë më vinte keq po s’kisha ç’t’i bëja!… Të tillë jemi ne krijuesit, ne studiuesit, asgjë nuk ia lëmë rastësisë!.. Unë merrja shënime te notesi im, mbase kjo dhe e bezdiste Elenën motrën tonë, po këtë situatë mbase të “pakëndshme”, e tejkalonte me buzëqeshjen e saj. Mora të gjitha shënimet. Dukej sikur i përpija fjalët arkaike të Elenës, si i eturi për ujë. E folmja e saj të kujton të folmen e Gjon Buzukut, me trajtën e shkurtër të përemrit vetor U (Unë). Në pamundësi, tani për tani, t’i shënoj të gjitha fjalët arkaike të arbërishtes, do të shënoj vetëm disa prej tyre si: mburthonj për tregoj, Nëng kam mot për nuk kam kohë, vjefër për vjehrra – vjehrri (Im vjefër – Ime vjefër), vetëm përemri ka gjini! Është pjakë murga! A ka më shqip se kjo!?
                 Na prezentoi me veshjen arbëreshe, me kostumin e saj të preferuar. Na prezentoi një për një dobësinë e saj grupin karakteristik të këngëve dhe valleve arbëreshe – shqiptare “Biltë e Firmozës”. Ky është vëllai im Giovanni (Xhovani) Buono Busciacco (Bushako), ky është koci i grupit “Biltë e Firmozës”. Si? Çfarë? Çfarë është koci? E çoi dorën lartë, dhe preku kokën. Xhovani është koci (koka) e grupit.  Koka e grupit, udhëheqësi i grupit. U kuptuam. Sa me dashuri fliste për ta. Çdonjërin prej tyre në fotografi e mëkonte me mall dhe me dashuri motre.
                Ora kishte vajtur 5 e pasditës, pa e diktuar. U ndamë nga motra jonë Elenë, me mbresat më të mira dhe me dëshirën e flaktë që të takohemi sa më shpejt, përsëri te jona shtëpi.
Këngë arbëreshe nga Elena Busciacco.
Ja vetëm këto tri vargje të këngës i janë kujtuar!...
Kështu ndodh, kur gjuha, adetet dhe zakonet përcillen te brezi i ri gojë më gojë!...
Gjuha, po nuk u shkrua, ajo për një kohë do të zhduket!...
Gjuha është si (toka) ara, po nuk u punua, mbetet djerrë pa prodhim...,pa ardhmëri...!
Këto vargje janë mbijetoja të arbërishtes sonë që po na shkon para syve tanë!...
 
Oi kush, ia tha sat ëme!?
E kush, ia tha sat ëme!?
Kush, ia tha sat ëme!?
Se të dua shumë...!

 
Këngë popullore arbëreshe apo vjershë arbëreshe për sonte shkruan Elena Busciacco.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi