Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Kristaq Shabani
Kristaq Shabani
Anëtar i vjetër
Anëtar i vjetër
Regjistruar : 19/11/2015
Postime : 738
Points : 1445
Reputacioni : 5
Medalje Medalje2 Medalje3
http://www.pegasiworld.com

“Qefti dhe e folmja e tij”     NJË MONOGRAFI E THUKËT E ME VLERA PËR SHKENCAT ALBANOLOGJIKE Empty “Qefti dhe e folmja e tij” NJË MONOGRAFI E THUKËT E ME VLERA PËR SHKENCAT ALBANOLOGJIKE

18th July 2021, 14:16
“Qefti dhe e folmja e tij”
 
 NJË MONOGRAFI E THUKËT E ME VLERA PËR SHKENCAT ALBANOLOGJIKE
                         Më 19 qershor 2019, më erdhi një mesazh nga një vëlla arbëresh e ai është Mario Massaro nga katundi Qefti të Italisë. Një mesazh i shkurtër, por tepër domethënës: “Mirëmbrëma, profesor! Në mëngjes ju kam dërguar me postë librin. I duhet disa kohë për të arritur. Mirupafshim!”
U gëzova pa masë. E dija se të paktën i duhej librit dy javë të udhëtonte nga Italia gjer në Amerikë, por ashtu si pa vetëdije shkoja te kutia postare e hapja dhe libri nuk ishte, ky ritual pothuaj vazhdoi çdo ditë pune! Duke i numëruar edhe ditët e pushimit, të dielat e festat, libri udhëtoi rrumbullak 19 ditë. Më 8 korrik 2019 librin e kishte marrë nipi im, Pleurati, sa erdha në shtëpi:
                         - Gjyshi ja ky është libri juaj!
Dhe nuk kishte lejuar as ta preknin e ku më ta hapnin librin e paketuar nga duart e vyera të prof. Mario Massaro. Një pritje e gjatë, por ia vlente. E hapa librin me padurim. Lexoj titullin: “Chieuti e la sua parlata arbëreshe – Qefti dhe e folmja e tij” – 2013. Nëntitulli më kënaqi, sepse libri ishte në italisht dhe në arbërisht, kështu do ta kisha shumë më lehtë për ta lexuar e për ta studiuar. Mirëpo monografia është mjaft voluminoze 560 faqe dhe sikur të ishte dhe në gjuhën shqipe do të kishte 1120 faqe, megjithatë ka mjaft shkrime në arbërishten e lashtë të Qeftit dhe kjo jo vetëm që ma lehtëson punën, por edhe më ndihmon që të njihem me arbërishten arkaike, me arbërishten e epokës së lavdishme të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
         Prof. Mario Massaro nga Qefti
                         Aty për aty iu falënderova prof. Mario Massaro: “Faleminderit prof. Mario Massaro! Sot mora librin tuaj studimor “Chieuti e la sua parlata arbëreshe – Qefti dhe e folmja e tij”. Një gëzim, e një ndjenjë rrënqethëse më përshkoi trupin dhe shpirtin tim. Një dhuratë e çmuar për mua në veçanti dhe një vepër e çmuar për shkencat albanologjike në përgjithësi. Duke e mbajtur në duar librin dhe duke e ledhatuar, për një çast e ndjeva veten se jam në epokën e lavdishme të kryeheroit tonë Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Prof. Mario, sot është ditë e vrënjtur, por ju me librin që më dërguat, ma bëtë ditën diell. Libri ka 560 faqe. Së shpejti një recension për të! Prof. Mario nga zemra ju uroj shëndet, jetë të gjatë dhe krijimtari të begatshme! Ju përgjërohem! Me nderime B. A.”.
                     Pasi e postova në Facebook këtë falënderim, vëllai ynë arbëresh, Franco Vasto nga Firmoza, shkroi: ”Nëse gjithë katundet arbëreshe shkruajnë nga një libër, siç e shkroi prof. Mario Massaro, do të ishim të begatë vërtetë”. E ka thënë bukur apo jo?! Një mendim të ngjashëm për librin e prof. Mario Massaros, ka edhe prof. Agostino Giordano, drejtor i revistës “Jeta arbëreshe”: “Një libër si ky doj botuar te çdo katund arbëresh. Doj shprishur te çdo shpi e katundit. Doj dhënë ndër duart e çdo arbëreshi. Se t’ i kujtonij të djeshmen e t’ i buthtonij (tregojnë) të nesërmen”.
                     Katundet dhe qytetet arbëreshe sot po kalojnë një situatë shumë të vështirë. Arbëreshët po bëjnë përpjekjet e fundit dhe përpëlitjet e fundit për të ruajtur gjuhën arbëreshe që siç thonë ata “s’ duhet të birret!” ( të humbet), për ta ilustruar këtë, do të sjellë dy mendime brilante të prof. Agostino Giordanos: “Kur një katund arbëresh s’ flet më gjuhën arbëreshe, historia zë e mbëllin librin e saj, zakonet zënë e veshken, kujtimet e shpresat zënë e thahen, gjaku zë e teret. Fjalët nëng përputhen më me mendimet, zëmëra bier udhën e mallit, shpitë nëng foljën më njëra me jetrën, ndë gjitonitë nëng huhet (nuk është më e përshtatshme), ndër rugat nëng këndohen më vjershe”. Te këto fshatra fëmijët, nuk lujnë më arbërisht, nuk këndojnë më arbërisht, nuk zihen më arbërisht, nuk shajnë më arbërisht..! E dhimbshme, me të vërtetë e dhimbshme!
                       “Qefti e buar (humbi) ritin bizantin, po mban shtrënguar gjuhën arbëreshe, zakonet e të gjitha. S’ i lypset mosgjë për të jetë i thërritur “katund arbëresh”. Ka gjallërinë e duhur. E për fat të mirë, ka edhe kush e do mirë”. E ai është pikërisht prof. Mario, i cili punon ditë e natë për t’ ua mësuar arbërishten të rejave e të rinjve Qeftiotë. Edhe pse rëndojnë vitet mbi të ai vigjilon. Le të shikojmë për një çast, sesa çmohet e vlerësohet puna e tij nga bashkëkohësi i tij Agostino: “Mario Massaro arbëresh i vërtetë, e do mirë Qeftin; do mirë gjuhën arbëreshe më shumë se gjithsej. E pat fatin, e motin të mbjith (mbledhë) dokumente historikë  e material gjuhësor, leksikor e folklorik të vlershëm të katundit të tij. E me këtë libër ja ngrëjti, me të vërtetë, një monument kulturor të math katundit tij”. I nderuar prof. Agostino, më bëhet sikur m’i keni marrë të gjitha mendimet, në vlerësimin që i bëni veprës dhe figurës së “Mësuesit të Popullit” Mario Massaro.
                Prof. Mario Massaro në monografinë e tij “Chieuti e la sua parlata arbëreshe, Qefti dhe e folmja e tij” ka përdorë edhe aparatin shkencor bibliografinë, gjë që, në këto raste, është i domosdoshëm. Një kapitull të veçantë i  kushtohet linguistikës së Qeftit – Chieutit, nga prof. dr. Imri Badallaj “Particolarita linguistiche della parlata di Chieuti” -  “Veçoritë gjuhësore të folmes së Qeftit”. Një kapitull që ia shton vlerat shkencore krestomacisë së prof. Mario Massaros. Duke u mbështetur në veçoritë gjuhësore të Qeftit, nuk është vështirë të konstatojmë se arbërishtja, nuk është asgjë tjetër pos një nga dialektet e trungut të shqipes.  Monografinë “Qefti dhe e folmja e tij” në fund e shoqëron një fjalorth, i cili është më se i domosdoshëm në libra të tillë dygjuhësh
 
 
.
                        Monografia e prof. Mario Massaro është një studim i thukët për Qeftin. Autori bën fjalë për Chieutin që nga parahistoria gjer në ditët tona. Ai  shkruan edhe për ritin bizantin në Qefti, ilustron me fotografi ritin e pagëzimit të fëmijëve nga prifti në kishë si dhe të gjitha festat fetare: “Festa e Sënd Vitit”, “Shëmbria Madhe”, “Shëmbria Matregracjes”, “Shëmbria Rruzarit” etj. Ilustrime të tilla me fotografi, pothuaj ka në tërë monografinë, këto fotografi etnografike veç asaj që ia shtojnë vlerën, e bëjnë më interesante dhe më tërheqëse për lexuesin librin “Qefti dhe e folmja e tij”.
                         Në libër janë përfshirë kostumet dhe traditat popullore të Qeftit. Autori veçon zakonin e garave me kuaj dhe tërheqjen e qerreve me qe, te arbëreshët e Qeftit është e njohur si “Të rrjedhurit e qerrëvet”,  pastaj riti i përgatitjes së kurorës së djathit, e cila peshon 70 kilogram dhe mënyrën tradicionale të përgatitjes së ushqimeve arbëreshe... Në monografi një vend të merituar zënë: shkolla, sporti, bujqësia në Qefti, që në mugëtirë të shekujve etj. Komuna e Qeftit (Chieutit) në emblemë ka shqiponjën e Skënderbeut.
                     Shtrohet pyetja, si i ruajtën arbëreshët për 550 vjet gjuhën, veshjen, adetet, zakonet dhe si mbajtën të gjallë figurën e Skënderbeun!?
                     Arbëreshët si duket u izoluan, u mbyllën në vetvete, për 550 vjet. Priftërinjtë meshën e mbanin në gjuhën shqipe, le të përmendim këtu “Gjella (jeta) e Shën Mërisë Virgjër” të Jul Varibobës. Arbëreshët i kishin të ndaluar martesat me të huaj gjer nga gjysma e shekullit të XX-të, me ligje të pashkruara! Prof. Mario Massaro ka arritur  të shënojë një këngë popullore, e cila bën fjalë për martesën:
 Ti mëmë, çë më rrite me hajdhi, (gëzim)
 Tata  do më nxjerrë te ki dhe!   
  (babi dëshiron të më më largojë, nga këtu)
Do më martonj me një derk lëti,  (derr latin)
  Po u dua një trim arbëresh gja ne...
Apo:
 Do këndonj, do këndonj:
 Mëma tija do të martonj!
  Ngë të jep një derk lëti,
  Të jep një arbëresh me vreshtë e shpi!
 Në këngë shihet qartë se favorizohen martesat me arbëreshë dhe jo me “derrat lëtinë”, dhe se nëna lakmon që të bijës së saj t’i japë për burrë një arbëresh me vreshtë e shtëpi, pra një burrë të pasur, nga shtresa e lartë shoqërore. Arbëreshët kanë gjetur forma dhe mënyra të ndryshme për të ruajtur identitetin kulturor e kombëtar.
Autori na del edhe mbledhës dhe studiues i pasionuar i folklorit arbëresh për të vilin ka një dashuri të jashtëzakonshme, kështu ai ka mbledhur Fjalë të urta, Përralla, Tregime popullore, vajtime, mallkime, këngë dasme, këngë dashurie, etj.
 Kanë kaluar 550 vjet, megjithatë gjejmë disa këngë të ngjashme me këngët popullore që janë shënuar në trojet etnike shqiptare, le të marrë si shembull këngën popullore “Tri bijat”:
  Çë burrë do ti bija ime?
 Dua burrin uapun. (Të lartë)
 Piethi po të ditën bije? (Pyeti)
  Çë burrë do ti, bija ime?
Dua burrin sbirrë. (Tregtar)
 Piethi të tretën bije:
  Çë burrë do ti, bija ime?
  Dua burrin masar. (Bujk - çifçi)
                  Në variantin shqip, të shënuar në Strugë nga B. Asani dhe botuar te libri “Zura trëndafil me vesë” (Krijimtari popullore nga rrethi i Strugës) 2003, kemi:
  Shkon plaka malit-ë,
 Me tri të bijat-ë.
 Thotë e madhja më marto.
 Thotë e mesmja: - Ç’ burrë do?
Unë dua burrë kasap.
 Të më yshqe me qebap.
 ...Thotë e mesmja më marto.
 Thotë e vogla: - Ç’ burrë do?
  Dua burrin dyqanxhi.
  Të më yshqe me leblebi.
Thotë e vogla më marto.
 Thotë e ëma: - Ç’ burrë do?
 Dua burrin çifçi.
 Të më yshqe me lajthi,
 Të më mbajë gjithë natën në gji.
        Një vend të rëndësishëm, 32 faqe, në librin e prof. Mario Masaro “Qefti dhe e folmja e tij”, zënë Fjalët e urta, frazeologji dhe nëmët (mallkimet). Në vazhdim do të sjellë disa fjalë të urta, frazeologji dhe disa mallkime, të cilat janë përcjellur brez pas brezi, gjer në ditët tona, qoftë te arbëreshët qoftë te shqiptarët:
*Dita e mirë duket çë menaten (Dita e mirë duket që në mëngjes).
*Ngë mund rrahëç adhjurin e rreh samarin ( I bie samarit të dëgjojë gomari).
*Peshku i madh ha të voglin (Peshku i madh e ha të voglin).
*Të rrita si lule (Të rrita si lule).
*Gjithë lehen meshkulle, po pak bëhen burra (Të gjithë lindin meshkuj, po pak bëhen burra).
*Djali pa jëmë si nata pa hënëz (Djali pa nënë si nata pa hënë).
*Mos ngul hundën te shpia e tjervet (Mos i fut hundët, atje ku s’ duhet).
*Kush u dogj me ujë të nxehtë, i trëmbet edhe ujit të ftohtë (Kush digjet nga qumështi, i fryn edhe dhalltit).
 *Çë të raft pika! (Të raftë (rëntë) pika!). *Ka trutë gja një pulë (Ka tru sa një pulë), Gjaku ngë bëhet ujë (Gjaku s’ bëhet ujë).
*Si bën shtratin ashtu ngjan këmbët
(Sa e ke jorganin shtri këmbët).
*Gur, gur bëhet mur (Gur, gur bëhet mur).
*Kushullo pak e duzullo shumë ( Fol pak e dëgjo shumë).
*Kush ngë ka koçë ka këmbë (Kush nuk ka në këkë ka në këmbë).
*Më mirë të diç e jo të keç (Më mirë të dish, se të kesh).
*Ai u le me këmishën ( Ai ka lindur me këmishë) etj.
         Vepra e prof. Mario Massaro “Qefti dhe e folmja e tij” është një libër, sa historik, sa gjuhësor po aq etnografik, i cili i kushtohet vendlindjes së tij, Qeftit (Chieutit). Kjo vepër ka vlera të çmuara për shkencat albanologjike. Libri “Qefti dhe e folmja e tij” është kënga e mjellmës për prof. Mario Massaron dhe vepër monumentale për Qeftin në veçanti dhe kulturën arbërore - shqiptare në përgjithësi. Me këtë vepër prof. Mario Massaro, Qefti dhe arbërishtja e tij do të mbeten të pavdekshëm. Librin “Qefti dhe e folmja e tij” duhet ta kenë në shtëpi çdo bijë e bir arbërori e shqiptari.
Nju Xherzi, më 18 korrik 2019
 
RILINDËSI I FUNDIT I KIEUTIT

Mario Massaro u lind më 10 shtator të vitit 1940 në Qefti (Kieuti) apo Chieuti (Foggia), siç e quajnë italianët. Ai lindi, jetoi dhe jeton sot e kësaj dit në katundin e tij të lindjes në Qefti (Kieuti) edhe atë në adresën Via del Mare nr. 4.
Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në vendlindje. Fakultetin Pedagogjik e mbaroi më 28 qershor të vitit 1968, në Universitetin Urbino, në këtë Universitet me sukses e mbaroi tezën “Kieuti, koloni shqiptare”.
Pas përfundimit të studimeve u punësua në shkollën e mesme të Kieuti. Në këtë shkollë ligjëroi lëndët: gjuhë italiane, gjuhë latine, histori dhe gjeografi. Punoi në këtë shkollë gjatë, derisa doli në pension. Si profesor në shkollën e mesme. Mario Massaro, ka organizuar shumë aktivitete kulturore. Ka mbajtur kursin e gjuhës arbëreshe për nxënësit dhe mësimdhënësit arbëreshë e italianë të interesuar. Në fund të vitit shkollor, me nxënësit organizonte shfaqje të ndryshme teatrale. Me dashuri të madhe ai ligjëronte për gjuhën dhe kulturën arbëreshe jo vetëm në Qefti, në vendlindjen e tij, por edhe në Kazallveq, një fshat ky arbëresh, si për të rinjtë ashtu edhe për mësuesit.
Ka mbajtur fjalimin mbi pesëqindvjetori e vdekjes së Skënderbeut në Kieuti. Prof. Mario ka dhe një meritë të veçantë, sepse ai është më meritori që i dha emrin e Skënderbeut sheshit kryesor të fshatit i tij Qeftit.
Ka krijuar Shoqatën kulturore arbëreshe dhe Grupin folklorik “Gjaku i shprishur” me veshje tradicionale dhe ka qenë kryetar i saj për shumë vjet dhe është sot e kësaj dite. Ka nxitur në Kieuti kuvendin kombëtar mbi Mbrojtjen dhe legjislacionin e pakicave gjuhësore në Itali. Ka ndihmuar marrëdhëniet kulturore, jo vetëm midis fshatrave arbëreshe, por edhe me Ansamble të Këngëve dhe Valleve nga Tirana (Shqipëri). Ka marrë pjesë me grupin folklorik “Valle arbëreshe” në Kalabri dhe ka organizuar festat e Vëllazërisë në Kieuti.
Ka qenë pjesëmarrës në Seminarin ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën shqiptare në Universitetin e Prishtinës (Kosovë) për gjashtë vjet. Në këtë seminar ka mbajtur disa ligjerata për historinë, gjuhësinë, etnologjinë, folklorin dhe kulturën e arbëreshëve. Prof. Mario Massaron tri herë rresht, tre mandate populli e ka zgjedhur Kryetar të bashkisë së Kieutit.
Ka qenë përgjegjësi i Sportelit gjuhësor të Bashkisë së Kazallveqit dhe të Kieutit për shumë vjet dhe bashkëpunëtor në Sportelin gjuhësor Provincial të Foxhës e për këtë ka përgatitur edhe një libër të vogël “Udhëzues turistik” për fshatrat, në të cilat ruhet gjuha e minoritetit arbëresh në Kapitanatë (Prov. Foggia).
Është autor i një Monografie mbi Kieutin “Qefti dhe e folmja e tij” 2013, fq. 560, i një “Fjalor krahasues të të folmeve arbëreshe të Kazallveqit dhe të Kieutit”. Ai shkroi dhe një “Abetare” për t’u lexuar dhe shkruar arbërishtja, një monografi mbi Kazallveqit “Arbëreshët e Kazallveqit”, dhe ka gati për të botim librin nga folklori i pasur arbëresh “Lëtërsia popullore arbëreshe e Kieutit”.
Ka marrë pjesë me referime personale në mbledhje të shumta, për mbrojtjen dhe pasurinë gjuhësore - kulturore të arbëresheve që janë mbajtur në Itali. Ka qenë recensues i disa librave si p. sh.: “Arbëreshët e Portkanunit” i mjeshtrit Michele Flocco, “Fjalor arbëresh i Mulizit” i Pignoli Maria Luisa e Tartaglione Guido, “ Fjalor i Shën Marxanit” i prof. Gallo etj.
Për shumë herë ka përkujtuar jetën dhe veprën e Gjergj Kastriotit Skanderbeut si dhe me rastin e 550 përvjetorit të heroit tonë të madh, veç kësaj ka folur edhe për praninë e arbëreshëve në Kapitanatës të provincës së Foxhias (Prov. Foggia). 

Organizon për çdo vit, në muajin gusht, “Koncertin e verës” me grupin e Shoqatës “Gjaku i shprishur”, jo vetëm në Kieuti, por edhe në katundet tjerë arbëreshë. Mban çdo vit një kurs gjuhe për të ruajtur gjuhën amëtare të Kieutit. Është duke përgatitur një komedi me motive arbëreshe “Si bëhshi parëndati paja” për sivjet 2020 ose për vitin e ardhëshëm 2021.
Prof. Mario Massaro ka pasur një aktivitet të gjatë dhe të dobishëm, qoftë si njeri, qoftë si mësimdhënës në shkollë, qoftë si administrues i kujdesshëm, i zgjuar, i ndjeshëm i Kieutit, për tre mandate në administratë, të gjitha punët i ka kryer në mënyrë serioze e tepër profesioniste, me zemër e i dashur për të gjithë. Brazda që ka shënuar është e rëndësishme, sepse ka lënë gjurmë të thella, jo vetëm me botimin e Fjalorit krahasues, që mbledh një pasuri fjalësh të mrekullueshme, të çmueshme, i cili u lihet trashëgim brezave të ardhshme, trashëgim si një arkë plot thesare. Mbi të gjitha këto, kryevepra e prof. Mario Massaros është monografia “Kieuti dhe e folmja e tij”, e cila është një krestomaci e vërtetë, e cila përfshin historinë, gjuhën, folklorin, etnologjinë dhe kulturën e katundit të tij.
 
Ajo përfaqëson edhe historinë njerëzore dhe kulturore të autorit, që ka përfunduar një udhëtim të gjatë jetësor e tepër origjinal, gjuhësor dhe kulturor, një rrugë personale, familjare dhe përgjithësisht, që e ka ndihmuar ta pasurojë dhe ta kuptojë se ishte zotërues i një begatie të jashtëzakonshme, që ka ruajtur, dhe trashëguar brez pas brezi fshati i tij i lindjes Qefti. 
Kjo ka qenë dëtyra që ai ka marrë përsipër dhe që i ka sjell gëzim. Një besim origjinal i tij, një fat i zakonshëm që ka ushtruar në familje, me të shoqen arbëreshe, e dashur për të gjithë, e cila shquhet si mikpritëse e shumë shqiptarëve nga trojet etnike shqiptare dhe me të bijtë që e kanë adhuruar dhe e kanë përkrahur në punën e tij titanike. këtë pasion dhe vlerë njerëzore prof. Mario nuk ua përcolli vetëm fëmijëve të tij, por edhe nxënësve dhe të gjithë njerëzve në rrethin dhe ambientin, në të cilin jetoi, jeton dhe vepron, kaq vjet, pa u lodhur.
Profesor Mario Massaro, edhe pse në pension, s’ resht së punuari. Ai me tërë qenien e tij njerëzore është angazhuar që të hulumtojë për historikun e Kieutit të tij të dashur. Dhe ia ka arritur qëllimit. Në vjeshtën e këtij viti (2020) do të organizojë festën e madhe të 550 vjetorit të themelimit të fshatit të tij Kieuti (1470-2020), me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të Kryetarit të Bashkisë së Klosit (Shqipëri), banorët e të cilit vend kanë ikur në Itali dhe kanë themeluar fshatin e Kieutit. 
Jam i sigurt se, për këtë përvjetor kaq të rëndësishëm për banorët e Kieutit në veçanti dhe për shqiptarët në përgjithësi, prof. Mario Massaro do të bashkëpunojë edhe me Qendrën e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët në Tiranë.

Marrë nga libri "ZJARRI ARBËROR  I PASHUAR"  I  ATORIT BEXHET ASANI 
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi