Poezi nga poetja dhe gazetarja Bardha Mançe
1st November 2018, 19:40
Bardha Mançe ka lindur dhe është rritur në Tiranë, ku edhe ka studiuar Filozofi në Fakultetin e Shkencave Politike Juridike të Universitetit Shtetëror të Tiranës, sudime të cilat i ka përfunduar me rezultate të shkëlqyera. Për 15 vjet ka dhënë mësim, si Lektore e Historisë së Filozofisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Mbas një specializimi të gjatë pasuniversitar në Universitetin e Filozofisë në Athinë , lidhur me Filozofine dhe Kulturën në Greqinë e lashtë, në vitin 1993, ka vazhduar të jetojë dhe punojë në Athinë si gazetare dhe drejtuese e Programit në Gjuhën Shqipe, në Radion publike "Athina984". Në gjithë punën e saj është mbështetur në vlerat më të mira të kulturës shqiptare të krijuara nga bashkatdhetarët tanë në Trojet Shqiptare dhe në mbarë Diasporën Shqiptare duke i promovuar ato dhe duke punuar për të rritur rolin e programit në gjuhën Shqipe, për të mbajtur gjallë dhe zhvilluar gjuhën kulturën dhe traditat tona Kombëtare. Njëkohësisht ka drejtuar Lidhjen e Shoqatave Shqiptare në Greqi dhe ka qenë mjaft aktive në mësimdhënien vullnetare të Gjuhës dhe Kulturës Shqiptare te studentët Shqiptarë që studiojnë në Universitetet e Greqisë. Ka dhënë mësime të gjuhës angleze, njëkohësisht, për bashkatdhetarët tanë në Greqi, në shkollën " Porta Shqiptare". Ka dhënë mësimin e kulturës Greke në shkollën “PCEA” në Greqi. Mban titullin Ambasadore e Paqes për Greqinë dhe Suedinë, dhënë nga “World Institute forvPeace(Vip), titullin "Gazetare-Veprimtare e shquar në Diasporë " , Fituese e çmimit "Kongresi i Manastirit, në poezi si edhe shumë çmime dhe tituj të tjerë. Është organizatore e shumë veprimtarive kulturore dhe letrare prestigjioze që promovojnë vlerat e kulturës dhe të vëndit tonë. Zotëron mirë, veç gjuhës amëtare Shqipe edhe gjuhët: angleze, ruse, greke dhe atë italiane.
Poezi nga Bardha Mançe
Ligësi
Çfarë forme!
Çfarë trupi!
Çfarë ecje e dredhje ka ligësia!
Si e gjen rrugën
E futet të bëjë viktimë
Edhe ëndrrat e mia?
Tinzare, e hollë
Apo e trashë dhe ziliqare?
Kush dorë e mbolli atë farë,
Në ca trupa qeniesh
Aq të shëmtuara vallë?
Përbindësha pa kokë
Me duar grabitqarë,
Instikti i bishës
I sjell ata vërdallë,
Ca të shkurtër, si të shtypur,
E ca të trashë ,
Ca si skile e ca si djall
Do të kenë jetë
Ata, akoma vallë?
Lulearta
(Kushtuar shoqërisë tonë shumëvjeçare)
Lule mes lulesh,
Shoqja ime e mirë,
Shpirti yt i bukur,
Dritë në errësirë.
Luleartë të thanë,
Lule dhe ar të dy,
Lule të deshën pranë,
Ar derdhur mbi ty.
Aromë të artë,
Shpërndan në eter ,
Vetëtimë e zjarrtë ,
Ndezur përherë .
Shpirti yt i bukur,
Mirësi pa fund ,
Miqësinë tonë,
S’ka stuhi ta tund!
Athinë 11 shtator 2018
Hipokrizi në shkaĺlë të lartë
E provova hipokrizinë në shkallë të lartë ,
Si shfaqet kaq lehtë, pa asnjë brengë vallë …
Një shpirt i sëmurë, sëmurë për vdekje,
Merr pamje të gjalli kamuflon të madhen brejtje.
Skërmitet gjithë etje për viktimën e radhës,
Ka preferencat e tij, sa më shumë mirësi,
Atë ka objekt ta mposhtë, ta sfidojë ka kënaqësi…
Shpirtit të sëmurë truri në ndihmë i vjen,
Merr pamje të butë si skile,
Hidhet përdridhet gjithë hile,
Betohet, harrohet, merr qindra fytyra,
Nën petkun e hedhur dallohet mynxyra...
BOTË HIJESH
Sa shumë hije në këtë botë ,
Silueta të trishta që tundojnë shpirtëra,
Të vijnë vërdallë me valle të shfrenuara,
Aty, ku gjejnë portë dëlirësie hapur,
Hedhin hapin e çmendur ,
Deri në paradhomat e zemrave ulërijnë,
Mbështjellin pabesisht çdo gjë me vello ironie
Dhe nënqeshen me të mirën,
Shkelmojnë ankthshëm
Çdo ind dhe neuron mendor,
Me instikte përbindshash, pa formë e përmbajtje
Të duket gjithçka si marrëzi e paralojë e stërkequr,
Lëshojnë jehona ogurzeza,
Më kot mundohesh t’i prekësh,
Pak mirësi t’ua ndalë shfrenimin,
Ato janë hije
Që nuk kanë përmasë tjetër ,
Vetëm një shtrirje zie …
A thua hijet do të mbulojnë botën?!
Aty
Mal ,
Fushë,
Det,
Unë,
Dhe ti,
Aty
Ngërthyer,
Ngazëllyer,
Shpirtin,
Rrëfyer ,
Tallaze,
Stuhi,
Unë
Dhe ti,
Aty
Rrëzuar,
Rrokullisur,
Dërmuar,
Prapë
Ngritur,
Unë
Dhe ti,
Aty Bota
Ngatërruar,
Shkatërruar,
Halle
Ngarkuar,
Unë
Dhe ti ,
Aty
Me botën
Flasim,
Qeshim…
Plasim
Unë
Dhe ti
Aty
Kërkojmë
Paqen ,
Duam
Ta kapim
Unë
Dhe ti Aty .
- Manifestimi : “100.000 Poetët e Botës për Ndryshim”në Athinë, nga Bardha Mançe, gazetare ,koordinatore e LNPSHA "PEGASI" ALBANIA
- Poezi Tradhetie jo poezi dashurie!
- PËRSHËNDETJE SIMPOZIUMIT NGA POETJA GREKE IRO HRISANTHI ALEKSANDRAKI
- Filmi: Rruge te bardha
- Gazetarja e CNN në Tiranë: “Panama Papers” – qeveritë e korruptuara do të bien
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi