"DITËT E ZOGUT TË ZI" poemth mitik nga Kristaq F. Shabani
1st February 2024, 18:46
POETIKA MITIKE...
Kristaq F. Shabani ALBANIA
Miti aktron në akt” BLOZE”
"DITËT E ZOGUT TË ZI"
Poemth mitik
28 janar, në mbrëmje ogurzezë...
1.
Sinoptika në kulm “soli”:
Ngricë, akull në fuqi të gjashtë,
Stalagtitet dhe stalagmitet
ulur në fron skeptri akulli ...
trushpëlarë ...
2
Pendëbardhi u dridhka
nga temperamenti dimëror “Janar” ,
Eleganti zog i shpërfillur,
s’e përmban dot veten
nga dridhjet makabre ,
kuisur si kone...
Një strofkë kërkon me sybukurin ,
teksa në kor pushton
hapësirën klithma e zogjve ...
Ku të mbrohet
nga të ftohtit e ashpër
të Kryedimrit në lebetitje “akullnore” ?! ...
Dikush në qoshengrohtën
harliset me flautin,
Një tjetër shkrep të qeshurën
me rënie violine...
Një çift i "marruar” nga dashuria
Në prezencë e për inat të akullit puthet...
duke ofshuar : "Plas...
Ne, për inat tënd,
do të puthemi
e do të pasputhemi...
Plas!"
Çfarë kontrasti të pëlqyer nga Qiejt...
3
Në sytë e tij dhimbje -lot zogu,
në shpirtin e tij -zog
dridhje për frikim
të mosekzistencës...
Pak më tutje, një kortezh
përcjell dhimbjen e trullosur...
Ç’fat i keq pllakosur,
në këtë dramë- ngricë,
ku po ngrihet perdja e akullt
për nisjen e skenës së parë
të aktit triditësh:
“NGRICË-AKULL”
“AKULL - NGRICË
me personazhe tipikë dimri”
dhe me regjisor tromaksës të planetit mental ...
Konturohet " qyteti" i akulltë, si i zbritur nga Antarktida ...
4.
Lufta ekzistenciale nis rrjedhojën,
Kërkon të ruajë bardhësinë,
lezetshmërinë ,
kryebukurinë,
në kalvarin e projektuar nga Dimërimi...
Sa e vështirë qenka
të ruhet ekzistencialja
e të mos transformohet
në mosekzistencë...
Të mbetet në të përpjetë,
i shtrirë përtokas
kujtimi....- 6...
5.
Eh , Janus, e nunëzove
me emrin tënd “Janarin”...
O Janus,
rojtar
i Dyerve ,
Pragjeve,
Portave, brohërimëpritëse,
fillesë simbolike
e çdo formë kalimi!
Janus "Dyfytyrësh",
një rast epokal për njerëzimin,
(Na e mbolle dyzimin në këtë
rokopujë lindjeje pazakontësie)....
O Janus, perëndia e kalimit
dhe e fillimeve,
Pajisur me një aftësi
të veçantë vizuale:
Shikim dykahësh:
para dhe prapa,
kjo e rrjedhuar
nga gjendja “dyfytyrëshe”.
Një paraqitje e tillë befasuese
krijesë e një mundësi potenciale:
zotërim elegant njohurish
për të kaluarën "e paikur",
aftësi vitale parashikuese,
dritë tërësisht jeshile
profetike në parashikim të së ardhmes "fetus" kohe .
Bjeri , asaj trompare, me sa fuqi ke ,
Të shpërngulen retë e hardisura
të nxitura nga zegali
Dhe qielli ta ndjejë veten QIELL...
Dhe njeriu ta ndjejë aromatikën
e ndenjës së ringjalljes ,
për të shporrur gargalitësit me parallakët...
Përmastive drejt qiellit një kurorë gjigante arre...
Në" ombrellën" e saj haptronditësit e valleve...
6.
Janusi kundron Pendëbardhin elegant,
parashikon stacionimin e tij, ndjek itinerarin
rrugëtues shpëtues :
Papritmas, një oxhak,
teksa nxjerr tym nga të dy bulçitë,
instikti e drejton tek ai ballazi ,...
Pendëbardhi pa bëzajt
hyn triumfator brenda në oxhak,
strehë “Bloza”...
Ndjen ngrohtësinë në deje zogu,
Asqë do t’ia dijë
për praninë e blozës, kurrsesi...
Vetëm shpëtim
nga e keqja e madhe e mosjetimit... ,
paçka ajër i bloztë.
7.
Kishte Pendëbardhi ëndrrashumë,
t’i zbardhonte edhe më pendët e bardha ...,
t’i kthente në pendëarta!
8.
Ngrica, akulli ,
të ftohtit merreshin vesh
me fjalorin e tyre të përbashkësisë:
Grupime tingujsh stuhish...
Pendëbardhi mbyllte sytë i tejngrohur,
s’donte t’ia dinte më për aktin:
“NGRICË- AKULL,
AKULL-NGRICË..."
në Amfiteatrin e Rrojsisë...
9.
... Dhe në ditën e tretë
Aktit dramatik i ra sipari...
Pendëbardhi e nuhat ndryshimin...
Erdhi çasti fatlum i daljes nga oxhaku:
Priste Pendëbardhi
të dilte ashtu, sikundërse kishte qenë ,
Por, çudia u ul këmbëkryq:
Pendëbardhi në tri ditë,
i shndërruar në Pendëzi...
Betejën për ekzistencë e kishte fituar,
Por, humbur bardhësinë ...
Kryekëput
dridhet një lulkë manushaqeje...
10.
Ah, bloza në tri ditë
arriti të ngjyrosë
me ngjyrën e saj pikë të zezë
pendët e bardha , (gjendjen e sinqertë),
të cilat, sapo dolën në ajri,
nisën të këndojnë
këngën e fluturimit të zogut pendëzi!....
" Si ishe e si je?!"
Ç'të ishte kjo Tromaksirë?!
11.
Tri ditë në “Perandorinë e Blozës”,
Tri ditë të pas njëzet e tetës së Janarit,
të konsideruara ditëfundmet e tij,
hodhën vulën e zgjatjes
dhe tri ditë të Janarit zgjataruk...
Bardhë-zezë- bardhit...
Tri ditë të quajtura
“DITËT E ZOGUT TË ZI”.
Dhe qysh atëherë,
s’ka ndryshuar asgjë, kurrsesi!...
Mos ngatërrestojmë ngjyrimet?!
12
Vetëm, qysh atëhere,
shprehet kaladibrançe miti:
"Janari u rrit në tri ditë...
Sot ishte 29,
Ditë e parë e Zogut të Zi !
Nesër 30,
Dita e dytë e Zogut të ZI!
Pasnesër 31,
Dita e tretë e Zogut të Zi...
Trumba zogj të zinj
do të dalin pasnesër nga oxhaqet ...
Kujtohuni , mos harroni
të kundroni mitin,
Legjendën e Zogut të Bardhë
shndërruar në Zog të Zi...
***
Janë tri ditët e Blozës , ...
Kujdes, o njerëz, se Bloza
qenkërka e parashikueshme:
Të tualetizon me ngjyrim të Zi...
Dhe qenkërka “brenda” në shtëpi!
Ah , o PENDËBARDHË,
I shndërruar sot në PENDËZI!...
Janusi strehuar në fabul...
28 Janar 2023
Marrë nga vëllimi poetik i autorit “AKTI MANIFESTUES I QENIES” 2023
- "Oaz" poemth nga Kristaq F. Shabani
- KRISTAQ F. SHABANI "KURIMI I SOMNAMBULVE" ( SHKOLLA E FJALËS) poemth
- "GJUHA JONË , GJUHË MJALTI… " poemth nga KRISTAQ F. SHABANI
- Perëndimi pranon Zotat! poemth eklips nga Kristaq F. Shabani
- Letersia moderne shqipe KRISTAQ F. SHABANI:“MËSHTEKNA E BARDHË”NË ALFABET SHKRONJASH A-ZH" POEMTH
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi