Vlera në besnikërinë e përsjelljes dhe e paraqitjes së prozës popullore
25th August 2024, 01:44
Vlera në besnikërinë e përsjelljes dhe e paraqitjes së prozës popullore, kontribut në përpjekjen për ruajtjen e saj , si dhe në krijimin e një vizioni të ri për kohën, periudhën, në të cilën u krijua kjo pasuri.
Përsiatje e shkurtër për librin“ MOTRA E DIELLIT” prozë popullore e Prof. Bexhet Asanit
Nga Prof. Kristaq F. Shabani
Gjirokastër, korrik 2024
Përsiatje e shkurtër për librin“ MOTRA E DIELLIT” prozë popullore e Prof. Bexhet Asanit
Nga Prof. Kristaq F. Shabani
Studiuesi zellmadh, Prof. Bexhet Asani paraqitet para studiuesve, lexuesve me një vepër hulumtuese të titulluar “MOTRA E DIELLIT (PROZË POPULLORE NGA RAJONI I STRUGËS). Paraprakisht, duhet theksuar se, studiuesi, qysh në fillesë të studimeve të tij, ka qenë i pasionuar ndaj hulumtimit dhe kërkimit të prozës popullore. Falë këtij synimi, ai arriti të krijojë këtë libër interesant, ku rrëfyesi popullor transmeton ndodhi, ngjarje të vyera. Të përshtypëzon fakti si studiuesi me shumë vullnet ka grumbulluar këtë prozë, ka ruajtur me fanatizëm dhe aftësi mënyrën e përcjelljes së saj, duke ruajtur tërësisht elementët rrëfyes. Këtu qëndron edhe merita dyplanshe e “vjeljes” dhe e përcjelljes reale , pa deformacione. Këto tekste sjellin prova të gjendjes së gjuhës në epoka, kohë të ndryshme si dhe, duke realizuar metodën krahasimtare, arrihet edhe në përfundime gjuhësore, leksikografike, sintaktore, morfologjike, semantikore e tjera.
Kjo vepër shpalos, pasqyron dhe ndriçon një krijimtari të pasur të trevës së Strugës, e krijuar nga një botë shpirtërore, e cila tashmë është inekzistente, por, duke e pasqyruar në vepra të tilla, merr frymë. Qëllimi kryesor është që të tregohet si me aftësinë gojore të transmetimit është arritur deri në lartësinë e prozës së sotme popullore.
Meritë, padyshim, e studiuesit Bexhet Asani është vijimi edhe mbledhja e folklorit, vjelja e një pasurie popullore, e cila është krijuar në shekuj dhe, kjo metodë efikase e përdorur dhe e shkruar në libra, sjell një të mirë të madhe” evidentimin e saj, para se ajo të marrë rrugën e pashmangshme të zhdukjes, fenomen ky tronditës dhe që ndodh gjithmonë, në rast moskushtim vëmendjeje, duke humbur kështu perla të prozës popullore .
Ndaj, duhet evidentuar fakti që, autori – studiues, Prof. Bexhet Asani, është një nga këta studiues, i cili materialet e mbledhura e të grumbulluara i ka sistemuar ndër vite në vijueshmëri dhe, si rrjedhojë e punës së tij sistematike, sjell këtë libër me krijime popullore origjinale. Nëpërmjet një leximi të kujdesshëm të substratit të tyre, kjo prozë është befasuese, është pasqyruese e një bote shpirtërore , e një këndvështrimi, i cili sot është inekzistent. Tipike është se, një pjesë e këtyre krijimeve të befasojnë me bukurinë e tyre, mënyrën shprehëse, trajtuese dhe objektivin e “goditjes” së tyre. Gjithashtu, shprehin dhe filozofinë e jetës ekzistente, e cila ka shkallinën e saj në periudha të ndryshme jetësore.
E padiskutueshme merita për atë çka tregojnë për kohën, personazhet, lidhjet, ndërlidhjet, fenomenet prezente, format e monologimit dhe të dialogimit. Në shumë prej tyre ka rrëfime ”elegante për kohën, ka sarkazëm, humor dhe personifikime tipike që hedhin dritë në proceset socile të kohës. Duke e lexuar këtë kohë me këto ndodhi e ngjarje reale, apo të krijuara mbi to, njeriu mediton dhe jeton me atë kohë dhe bën krahasime të ecurisë jetësore. Dallohet mirë kjo ecje, e cila klasifikohet apo emërtohet moderne. Pse duhet të paraqitet dhe të mos lejohet të zhduket kjo prozë popullore? Parasëgjithash, janë elementët e njohjes, rruga e përshkuar nga e djeshmja e largët deri në ditën e sotme, duke nxjerrë në dritë faktorë, rrugë të ecurisë, pra nga jemi nisur dhe ku kemi mbërritur... Kjo tregon sa e efektshme është për brezat kjo përcjellje.
Natyrisht, që lexuesi i sotëm i kësaj proze e ka vështirë krijimin e një përfytyrimi të qartë për këto epoka të kaluara, që bëjnë fjalë substratet e këtyre pjesëzave, ndaj është i nevojshëm shpjegimi, recensionimi, biseda konstruktive për të lëshuar dritë dhe për të përvetësuar brendinë e tyre...
Ky libër krijon atmosfera të bindshme, zgjeron përfytyrimin, tregon dhe intelektin e asaj kohe në paraqitjen e problemeve, fenomeneve dhe jep zgjidhjet e dhëna për situata të ndryshme.
Në këtë libër janë përfshirë 64 krijime në prozën popullore, të cilat kryesisht janë rrëfime të shkurta, histori, anekdota, nga Struga dhe rrethinat e saj, të cilat shprehin katërcipërisht urtinë popullore dhe japin këshillime po të urta për situatat e caktuara jetësore.
Në këtë paraqitje ka histori reale si dhe personazhe të vërteta, të njohura, por duhet evidentuar dhe theksuar se, një pjesë është krijuar nga imagjinata, fantazia popullore, e cila me aftësinë e saj rrëfyese, ka krijuar modele rrëfimi. Po kështu, tendenca e tyre është: Dhënia e mesazheve jetësorë domethënës për të ndriçuar mendjet e njeriut dhe shoqërisë së kohës .
Studiuesi, në paraqitjen e kësaj proze, ka bërë ndonjë ndërhyrje të vogël, në ndonjë rast, për të rritur kuptueshmërinë narrative, por pa prekur strukturën dialektore, grupin e caktuar shoqëror.
Në këtë prozë popullore, nëse ndalesh, gjen fjalë të rralla, madje dhe të tilla, të cilat nuk gjenden në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe. Ka dhe ndonjë shpjegim përkatës, për ta bërë tekstin paraqitës sa më të shpjegueshëm. Po kështu, çdo shkrim, në fund, ka dhe personin rrëfyes, vendin, ku është marrë dhe kohën e “vjeljes” së materialit.
Duke u nisur nga fakti që Letërsia gojore, ndryshe quhet edhe letërsi popullore, duhet të ritheksojmë se, kjo letërsi ka qenë prezente në kohën, kur njerëzit akoma nuk dinin shkrim dhe lexim. Si rrjedhojë, mund të shprehemi që, gjërat e shkruara kanë qenë të rrëfyera gojarisht. Një metodë kjo e “të shkruarit” të lashtë. Vetkuptohet që, kjo është krijimtari shpirtërore, e cila na jep një pasqyrë të gjallë nëpërmjet të folurës, të jetës shpirtërore të një populli, duke e këndvështruar atë në disa aspekte apo plane: shoqërore, ekonomike, familjare, mitologjike, kanunore, ndërnjerëzore dhe morale, por, ndonjëherë, përdoret dhe trillimi i “thekur” i krijuar me zgjuarsi të përligjur (zanat, orët, sibilat, etj).
Është paksa çudi që, edhe pse njerëzit e asaj periudhe kishin standart apo kuotë të vogël intelektuale, kanë arritur të krijojnë një jetë plot pasuri shpirtërore dhe të mbushur me përfytyrim të mirë artistik.
Duke “mbretëruar” për një kohë shumë të gjatë historike, kjo prozë nuk ka nxjerrë në pah përfaqësuesit e vet krijues, por motivimi i tyre ka qenë “anonim”.
Duke e parë këtë prozë, të paraqitur në këtë libër, me një sy analitik vërehet: optimizmi, çiltërsia, predominimi i shpresës , i së Mirës, besimi në transformim, tentativat për eliminimin e dhimbjes, vuajtjes, skllavërimit, tendenca për lumturim, dashuri, mirësi e tjera.
Kryesorja e kryesoreve është se këta krijues të prozës popullore janë tërësisht besnikë të paraqitjes së realitetit dhe dhënës të kontributit të një vizioni të ri për kohën, periudhën.
Pra, si përfundim, duhet të theksojmë se, dhe proza popullore e paraqitur në këtë libër nga krijuesit e saj, ka patur gjithmonë tendencën e pasurimit, e ndreqjes, e përshtatjes e plotësimit e tjera. Pra, materiali gjithmonë ka kaluar në një një proces përpunues për t’iu afruar sa më shumë realitetit kohor.
Nga rrëfimi i parë “Bariu e gjarpri” e deri te “Kaosi dhe vëllezërit” është një “mozaik” i veçantë dhe i qenësishëm i prozës përfaqësuese popullore të Strugës e përzgjedhur prej autorit në këtë vepër , e cila është një ndihmesë edhe për studimin e saj në shkollat e të gjitha rangjeve.
Urime autorit për këtë libër, i cili e përcjell të moçmen në të sotmen dhe jep kontribut në mosharresë të kësaj proze në disa gjini të saj! Ky libër del në një kohë, kur LNPSHA “PEGASI” ALBANIA, ka intesifikuar përpjekjet për një pasqyrim real edhe të prozës popullore, folklorit, por edhe të Fjalësve semantikorë, në të gjithë hapësirën e Kombit tonë.
Gjirokastër, korrik 2024
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
|
|