Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Mary
Mary
Anëtar elitë
Anëtar elitë
Regjistruar : 04/02/2008
Postime : 4917
Info : a good sense
Points : 51
Reputacioni : 50
Medalje Red Medalje Blu Medalje Green
https://zeriyt.albanianforum.net

NATO, LARG DHE AFËR Empty NATO, LARG DHE AFËR

14th March 2008, 13:35
NATO, LARG DHE AFËR



Grupi i Adriatikut, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia në një mënyrë apo tjetrën e shikojnë veten në destinacionin e shumëpritur. Ndërsa, Kroacia thuajse e ka prerë biletënpër në Samitin e Bukureshtit, Shqipëria nga ana e saj e ka shtuar dozën e optimizmit për arritur këtë objektiv. Por, ndryshe nga këto dy vende, Maqedonia ndodhet në udhëkryq. Si të thuash po ngec në telin e hollë akrobatik: të rrëzohet, apo të ecë më tutje deri në Bukuresht- kjo është dilema që mban të mbërthyer shtetarët, qeveritarët dhe politikanët në Maqedoni. Nëse deri më tani kemi rënë dakord se problemi i Maqedonisë është konteksti i emrit me Greqinë, në kushtet aktuale një tjetër problem po aq madhor do ta koklavisë situatën.


Kriza qeveritare ka çoroditur edhe ata pak optimistë të cilët gjykonin se megjithatë Maqedonia ashtu me paterica mund të mbërrijë deri tek pista që të dërgon automatikisht në Nato. Pra, pas kontekstit të emrit me Greqinë, një tjetër shtrëngatë e ka mbërthyer shtetin e brishtë. Verifikimi i qëndrimit të mëtejshëm në qeverisje i partisë shqiptare në pushtet (PDSH) ka shtuar kokëdhembjet e kryeministrit maqedonas i cili ka në duart e tij "çelsin";të hapë portat dhe t'i drejtohet Samitit të Bukureshtit, ose t'i mbyllë ato dhe të krijojë një situatë tejet të rrezikshme që e ka emrin krizë multidimensionale. Me pak fjalë, për t'i paraprirë krizës së thellë, Gruevski duhet të marrë në konsideratë ofertën e fundit të Thaçit për vazhdimin e bashkëqeverisjes, në të kundërt kriza është e pashmangshme.

***

Gjashtë janë kërkesat që Menduh Thaçii ka adresuar kryeministrit Gruevski, si kusht që partia e tij të mbetet edhe më tej pjesë e koalicionit qeveritar: Ligji për gjuhën shqipe, ai për ish-pjesëtarët e UÇK-së, njohja sa më e shpejtë e pavarësisë së Kosovës, Ligji për flamurin, mbyllja e rasteve të Hagës dhe punësimet proporcionale të shqiptarëve. Mosgatishmëria e kreut të qeverisë, për të marrë në konsideratë kërkesat e partnerit të tij, të çojnë drejt një rrugë pa kthim; krizës së thellë qeveritare, politike dhe institucionale. Parë nga ky këndvështrim, shteti problematik nga pikëpamja ndëretnike mund të rriskojë deri në vetëpërjashtim nga Grupi i Adriatikut.


Së këndejmi, me të drejtë shtrohet pyetja, pse mungon vullneti për zgjidhjen e problemeve në këto rrethana delikate? Për hir të së vërtetës, në Maqedoni ende zhvillohen politika meskine dhe primitive. Pjesa dërmuese e politikanëve nuk shohin përtej klisheve të përfitimit ditor. Kjo qasje irracionale dhe miope e lidershipit politik maqedonas, reflekton negativisht në situatat dhe rrethanat e reja historike. Ende sot e kësaj dite nuk kemi një harmonizim të qartë qëndrimesh në nivelet shtetërore dhe institucionale, akoma pozita dhe opozita krijojnë distanca të panevojshme në kuptimin e marrjes së vendimeve të mëdha. Bie fjala, çështja e emrit po përdoret si instrument për të krijuar secili në hesap të vet profilin e nacionalistit. Sikurse qëndrimet për njohjen e shtetit të Kosovës janë krejtësisht infatile dhe aspak korrekte.

Ndërkaq, nga aspekti ndëretnik, një pjesë e ekzekutivit maqedonas nuk ka gatishmëri të ndërtojë kohezionin e brendshëm, i cili arrihet vetëm përmes barazisë mes dy etnive më të mëdha. Një tjetër problem po aq i rëndësishëm dhe tepër i dhimbshëm është tendenca në vazhdimësi e opozitës maqedono- shqiptare, e cila përpiqet të përfitojë nga karambolet mes partnerëve të koalicionit duke zhvilluar politikë fasadash.

***

Nga e gjithë kjo histori Maqedonia ndodhet e zbuluar dhe është krejtësisht e panevojshme të hyjmë në arteriet e teorive të konspiracionit. Presidenti Branko Cervenksovki, i cili kryen edhe funksionin e rregullatorit nën hije të opozitës, po luan me dy standarde. Teorikisht ndërton teza proevropiane, ndërkaq praktikisht kërkon t'i ngjitet qerres së pansllavizmit. Deklarata e tij e fundit, lidhur me njohjen e shtetit të Kosovës bie ndesh me përcaktimet tashmë të njohura të shteteve perëndimore. Nga ana e tij, kryeministri Gruevski në kuadër të ndërtimit të profilit të tij politik, harron se ka detyrën e promotorit të proceseve dhe në mënyrë naive shkakton ngecje të panevojshme. Pjesa tjetër po aq e rëndësishme e bllokut politik dhe intelektual maqedonas preferon rolin e spektatorit.

Marrë në tërësi, maqedonasit me vetëdije krijojnë telashe; së pari, inatin e problemit të identitetit e shfryjnë tek qasja irracionale ndaj kushtit shqiptar. Pra, politika maqedonase nuk po e pranon se partneriteti i sinqertë me shqiptarët është i vetmi ilaç për ndërtimin e kohezionit të brendshëm. Së dyti, elita politika maqedonase nuk është divorcuar nga paranojat, steriotipet dhe frustracionet. Së treti, antagonizmat brenda llojit sa i përket orientimeve janë të thella. Se katërti, mungesa e vizionit për të ardhmen e vendit të tyre, shkaktojnë ngecje të proceseve dhe kryesorja, mosgatishmëria për të ndërtuar shtetin e se drejtës, konform kushtetutës dhe Marrëveshjes së Ohrit përbën precedentin e radhës ... Kjo mendësi refraktare e palës maqedonase , plus problemi me Greqinë lidhur me emrin na çon drejt prognozës; Maqedonia ndodhet shumë larg Bukureshtit. Megjithatë të mos ngutemi, konkluzioni i mësipërm është produkt i performancës së brendshme të shtetit maqedonas, sepse parë nga një tjetër dritare, Maqedonia ndodhet shumë afër Samitit të Natos , paçka se është e plagosur.


Bazuar në referencat e ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të Natos, tek deklaratat e përfaqësuesve të SHBA-ve, duke marrë në konsideratë aspektin gjeopolitik dhe gjeostrategjik, Maqedonia megjithatë është afër Natos. Fundja, Maqedonia më mirëe plagosur dhe në Nato, sesa vagon shtesë i bllokut pansllavist. Më mirë në Nato, sesa të përfshihet nga epidemia vdekjeprurëse në aspektin e relacioneve ndëretnike. Por, prapë se prapë, e ardhmja e shtetit fqinj është në pikëpyetje, për sa kohë që mendjet e dalldisura elitare maqedonase nuk do të marrin guximin të pranojnë publikisht dhe praktikisht, se ky shtet ndërtohet dhefortifikohet përmes linjës së barazisë.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi