Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Kristaq Shabani
Kristaq Shabani
Anëtar i vjetër
Anëtar i vjetër
Regjistruar : 19/11/2015
Postime : 740
Points : 1451
Reputacioni : 5
Medalje Medalje2 Medalje3
http://www.pegasiworld.com

MAJLINDA (MARINA) PEÇI          LARG E AFËR...              POEZI, KËNGË, RITUALE Empty MAJLINDA (MARINA) PEÇI LARG E AFËR... POEZI, KËNGË, RITUALE

20th August 2023, 22:03
MAJLINDA(MARINA) PEÇI
      
[size=32]      LARG E AFËR... [/size]
 
                       POEZI, KËNGË, RITUALE
 
 
 
                                        “Botimet Barleti”
                                          TIRANË 2023 
 
 
Majlinda (Marina) Peçi
 
Larg dhe afër...
Poezi, këngë, rite
 
 
Redaktor : Prof. Kristaq F. Shabani
Recesent: Dr. Hekuran Rapaj
Art grafik: Dritan Kardhashi
Kopertina : Autorja
Copyright Majlinda (Marina) Peçi
 
Libri u botua nën kujdesin e LNPSHA “PEGASI“ ALBANIA në kuadrin e nismës pegasiane : “Të ruajmë si sytë e ballit traditën popullore“.



                         Përkushtesë
Ky libër  le të jetë: Një dedikim shpirti, i veshur me mallin dhe dhimbjen e zemrës për prindërit e mi të shtrenjtë dhe vëllain tim binjak.
Për nënën time fisnike, të palodhur, nikoqire si ajo, mikpritëse dhe të mençur,duarartë dhe punëtore, por që iku aq shpejt ...
 Për babain tim të dashur, mësuesin dhe prindin model, gojëmjaltë me të gjithë. Atë njeri, i cili  dinte të falte buzëqeshje, mirësi, dashuri te të rriturit dhe fëmijët, të njohurit dhe të panjohurit . Njeriun me zemër të madhe dhe shpirt të bukur! Për vëllain binjak, me të cilin u lindëm dhe u rritëm bashkë, por   që, padrejtësisht, iku në lulen e rinisë!  Për gjyshërit e mi të dy krahëve, të cilët mbajtën të ndezur  fisin tonë dhe dhanë kontribut në vendlindje kudo...
Një përshpirtje për të gjithë njerëzit tanë të dashur, të cilët  jetojnë në zemrat tona, përjetësisht!
 Një përmbledhje vargjesh modeste, ku brenda tyre fshehin mallin, nostalgjinë, dhimbjen dhe gëzimin për vendlindjen time: Për fshatin, për kroin, për shkëmbin, për gurët e udhës.... Për njerëzit e mi të dashur, të afërm,miq edhe shokë...
 Një buqetë këngësh zagorite, për të kujtuar,ruajtur dhe trashëguar brez pas brezi, traditën, kulturën, doket dhe zakonet zagorite, të cilat kanë ndritur e do të ndritin, kanë shkëlqyer e do të shkëlqejnë  në jetë të jetëve.
Kujtesa dhe përsjellja e produktit mendimor  është shpërblesa më e madhe që mund të bëjmë ne të gjithë për origjinën tonë dhe krenarinë që mbart kjo origjinë.
E ndërmora këtë nismë  për të respektuar  të djeshmen, të sotmen dhe për të përgatitur, si duhet dhe sa duhet, të ardhmen...
Libri im i titulluar “ Larg dhe afër...” i ndërtuar me një kompozicion risi, do të gëzojë, sadopak, ata, ato që më njohin  dhe do të rritë njohuritë tek ata, ato që duan të njohin shpirtin e pasur të njerëzve të trevës sonë të shquar, Zagorisë...
Po lë dhe unë një “shenjë” në Panteonin e Përsjelljeve krijuese.
                   Me dashuri dhe respekt
                               Autorja



 
Shpirti i pasur krijues shpërthen në ngjyrëshmëri natyre dhe shpirti
 
Përsiatje për vëllimin e veçantë “ Larg e afër...” të autores Majlinda (Marina) Peçi, në tri veçanti të qenësishme
Nga Prof. Kristaq F. Shabani  shkrimtar, poet, studiues, estet, Anëtar i IWA (OHAJO) SHBA
Kandidat për Çmimin “NOBEL” për Paqen Viti 2017, propozuar nga IWA SHBA
“Njeriu i Vitit 2011”  nga ABI,  SHBA
*
Hyrësi
Ndjenja, në një shpirt të pasur, shpërthen si “eksplozicion” në krijimet lirike dhe epike vetjake,  por edhe në   arsenalin:  këngët e dasmës, erotike, epike… Kjo siguron “aeditizmin” shëtitës në trevë dhe gjetkë, në simotrat, lidhësitë shpirtërore, në gjithë etninë si dhe në “përhapjen gjeografike e demografike” duke përsjellë efekt dinamik dhe rinim të përjetshëm  shpërthyes.
Shpirti i pasur, gjithmonë ka sjellë rritjen e dimensioneve dhe sidomos thesari kreativ i lirikës është mbajtur më shumë mend dhe i transmetuar me fanatizëm. Qendra “mentale”  ka pasur privilegj të ketë pasur njeriun e sidomos kryefjalë “vajzën- nuse”  me atë  produktivitet  të qendisur real dhe  figurativ, por pa mënjanuar aspak dhe “djalin - dhëndër”, besën, mallin, humanizmin, mikpritjen, vëllazërimin, lidhësinë e tjerë. Komponentët e krijimit poetik, të  këngës apo të valles të qendisura me “penj mulinë të ngjyrtë emocionalë”, kanë sjellë behar në pasurinë kreatore në tërësi  dhe atë  folklorike zagorite në veçanti. Gazmendi, trishti e  dhimbja,  buzëqeshja tipike dhe  qeshja sarkastike, ovaliteti tundues, ironia e gatuar me brumë vendorë, vargjet rrëmbyese të vetë shpirtit, i cili i prodhon dhe i provon, merr në provim shpirtrat e tjerë, janë prania e disa  prej këtyre  karakteristikave tunduese.  Malli, dashuria dhe  erotika me principe  është sa ndjenjëzim dhe përvëlim, sa pikënisje aq edhe klas, sa e kërkuar aq edhe e mërguar, sa e gënjyer nga nazet, aq edhe e pritur gjatë.
 
Struktura dhe larmiteti tematik
Edhe në këtë vëllim të Majlindës (Marinës),  duet emëror: Maj+ linda,  lindur në një muaj tërësisht ngjyror dhe aromatik, me prezencë trëndafilësh e lulesh  dhe emri tjetër hyjnor “Marinë”,    transformimi i gjendjeve emocionale në krijimet individuale  dhe  të krijuesit popull bëhet herë i shkallëzuar me kurbë ngjitjeje, herë me gradient të “bukur” rënieje të privilegjuar. Kjo është dukuri e një shprehje të guximtë, e cila duron edhe koeficente të “rrezikshme” edhe të sakrificës. Tani hap, pastaj kërcim, pastaj endje, kërkesë për këputje trëndafili, lozje me një luledele - fati provë, tkurrje e një propozimi  dashuror  apo epik, guxim në kërkim të syve të larmë, sakrifikim gjumi, gjumë i “rrezikshëm” me “oda” ëndrrash, të puthura të improvizuara në faqe dhe gushë të simbolizuara, ëndrra, që shkunden dhe bien si petale të thara dhe gjethe të verdha, përpjekje të ekzaltuara për të kaluar një rini në një rasë emërore… Ç’përmbajtje  dhe vitalitet ka krijimi  i kreatorëve zagoritë, por edhe ai i popullit!
Lirshmëria në stisje vargu, aftësia në rimim me një teknikë individuale, e cila të çon në një “këngërim” krijese, tregon, parasëgjithash, se talenti është talent, shpërthesa e ndjenjës vetvetiu është  sugjestionuese dhe krijimi të çon me madhështi  te objekti që ka marrë “zjarrmi”... Për këto krijime ka nevojë  jeta dhe njerëzit.
“I marr erës ngrohtësinë,/ I marr shiut butësinë,/ Përzgjedh  ngjyrat e  ylberit,/  Një nga një , rrezet e diellit!” (“Vjeshtë e artë , e bekuar”).
Peizazhi natyror është plot me frymë. Vetëm një sy, që di të këndvështrojë, mund të rrokë magji të tilla prezente e t’ua përcjellë të tjerëve me klas. Ndaj, syri percepton një dinamikë shndritëse. Kjo tipizohet  në rrokjen e hapësirës, ku fenomenet klimatikë emocionojnë.
Ilustrim  në katër vargje dehëse: “Shiut i vjeshtës butësisht  mbi xhama ,/ Ngadalë – ngadalë,  zë e troket, / Floku i borës  në shpatin e malit,/ Puthet e përqafohet me retë!” (Gëzohu jetës, njeri...).
Poezia peizazhiste vijon  e ndërtuar me “art”
“Detit i  thith kaltërsinë,/Dallgës,  kur vjen, bardhësinë/
Erën lules  në lëndinë.../ Vjeshtës: gjithë bukurinë!” (Vjeshtë e artë, e bekuar);
“Shtruar qetë-qetë , /Mbulove dynjanë,/Si nuse e veshe
Me fustanë e bardhë !” (Dëbora e parë).
Këto krijime kanë simbolikë të bukur dhe aromatizojnë shpirtin dhe hapësirëm.
 Qëllimi poetik është që, në pak vargje, të rrokësh hapësirë dhe fenomene të pëlqyeshme, fanitëse.
Portretizimi dykahësh i gruas zagorite, gruas fenomenale  shprehet e bujshme dhe reale te ngjizja kreative e natyrshme  dhe stoike:Ç‘lezet të kishte fjala,/ Nuri, shtati dhe kënga,/ Kur "sustën" shtruar hidhje,/ Stolisur me xhoket e rënda!”( “Se na lindën ato nëna,...”).
Mallimi për origjinën shprehet  natyrshëm, lirshëm, sikundërse dinë zagoritet dhe zagoritët ta shprehin:
“Zagoria ime,/ Lirë e pendolirë,/ Të jetoj pa ty./ E kam të vështirë !”(Parajsë të tillë, jo, s'do ketë të dytë!”)
“ Dhe ngjitem sokakut,/dikur të "qendisur",/ Hedh sytë me dhimbje,/nga porta në portë,/Çdo gjë më duket e ftohtë ,/ e braktisur, / Si mall i shkretë ,/ si mall pa zot...”. (“Po presin portat , prapë të hapen ...”).
“Doshnicë vërri,/e bukur në gropë/, Me dërrasën, remën /Me ujët e ftohtë!”   (“Rrallësia”);
“Vij pij ujë në ato burime,/I jap jetë, jetës sime/Endem në ato korije,/Dëgjoj fyellin që bie” . (“Bukuri mes bukurisë”).
Ç‘ lidhësi epike, ç’lidhësi e pazgjidhur! Çfarë lidhje e ngushtë  dhe krahasim shpirti!
Ka të drejtë autorja të hiperbolizojë natyrshëm:
 Parajsë të tillë, jo, s'do ketë të dytë!
 Është hiperbolë kjo,  që del nga një shpirt i pasur...
Poezia Majlindës  është  e ndërtuar me ndjenjë të artëzuar dhe mbi bazë të një kujtese “nostalgjike” me tharm: Në mendjet tona,/Në zemrat rinore,/Mbete strehëza jonë,/E gurtë, përrallore!” (“Shkollës në kodrën me qershi”).
Krijimi mbi tematikë fëminore, është prezent, ku personazhet janë fëmijët: “E ëmbël si mjaltë,/Buzëqeshja e Verës,/ Mbledhur  brenda saj,/Ngjyrat e pranverës !” (“Ulur drita e hënës !”)
Poezia akrostike  shfaqet  në një triptik, te “Kënga e shpirtit”.
 
Poezia elegjiake
Elegji (gr. élegos – vajtim, gjëmë) janë  vjersha në të cilat këndohet pikëllimi, malli, dhembja, humbja njerëzore. Majlinda, në këtë cikël, ka disa krijime të këtij tehu  duke qendërzuar: Nënën, babain, vëllain, hallën e saj, njerëz shumë të dashur dhe të afërt të saj. Në këto krijime spikat e shprehet pikëllimi, keqardhja, gjallërimi i kujtimit, malli i paduruar. Shileri e ka përcaktuar  elegjinë si përmallim për idealin e paarritur... Njerëzit vetpërmbahen për vijimin e jetës, nga ndarja fizike e të afërmëve të vet. Femra, nga vetë natyra (bota femërore) e shpreh  pikëllimin dhe hidhërimin e fortë me nota të larta, ndërsa bota mashkullore  e shpreh më  qetë, por me dhimbje. 
Por, duhet thënë se  hidhërimi s’është një pikëllim i pasionuar, patetik ose himnizues, por melankoli e thjeshtë dhe e thellë, e cila i përshkon të gjitha qeniet dhe shpie drejt ndjenjës pesimiste të jetës. Njeriu duhet të gjejë forcën përballuese për të mbajtur vetveten në drama të tilla.
“Sytë edhe zemra,/ nuk ngurrojnë /Dhe qajnë e qajnë,
 pa pushim... /Ah, sikur ky lumë lotësh,/Të të kthente ty, në jetë sërish....”
*”Vajto, moj zemër ,/për atë Nënë,/Që kurrë më,
nuk do ta shoh ...”(“Vajto, moj zemër  për atë Nënë...”).
Te elegjia për vëllanë shprehet:Por ti nuk ke ikur,/I bukuri engjëll./Të mbajmë të gjallë,/ Në mendje e në zemër!”
*
Dukuri të forta të motiveve popullore në krijim vërehet te poezia “Pëllumbesha  e çobanit” e ndërtuar me një teknikë të këtij moduli dhe te krijimet e tjera të kësaj natyre. Duket sikur Majlinda ka një “çelës” magjik  të kësaj gjinie , me të cilin hap porta shpirti:
 “Do të  vij, djalë, natën  me hënë,/Shtroje sharkun  ndënë  tëndë, /Të lozim gjer në të gdhirë  ,/Yjet të na kenë zilinë....”;
“Ngrihi  sytë lart ,/E mos i mbaj përdhe ,/ Fustangjata  veshur, Ngjyrë kadife !” (“Fustangjata veshur, ngjyrë kadife”); “Thëllëzë e Çajupit,/Flutur e Kanikut,/ Ç'më  poqe e më dogje,/ Si vapë  e Korrikut !” (Thëllëzë e Çajupit ).
*
Në këto poezi, më shumë se një cikël, Majlinda shfaqet me individualitetin e saj. Kjo është e rëndësishme dhe e qenësishme për ecurinë e saj krijuese. Ajo, tashmë, jeton me familjen e saj jashtë vendit, në Kavallë, ku me të drejtë shprehet:  “Vendin  tim s’ e harroj, / E kujtoj dhe përlot  sytë,/ Por, dhe ti, Kavallë e dashur,/ M’u bëre Atdhe i dytë!” Nxjerr në pah edhe “fizionominë” apo portretizon  qytetin ku banon : “Kavallë, e bukur Kavallë,/ Sipër mal e poshtë valë,/ Me njerëzit e tu të rrallë ,/ Një jetë  ju qofsha falë!”
Rrugëtim të mbarë librit të titulluar bukur: “Larg dhe afër...”.
Gjirokastër, qershor 2023



 
                                          Vjeshtë e artë, e bekuar
 
Eci rrugës e menduar,
Hidh e prit, çantën në duar,
Me flokë e supe vesuar,
Shkel mbi  "qilimin" e shtruar!
 
I hedh sytë lart në qiell,
Të më “ngrohë” shi e diell,
Me ngjyrat e  vjeshtës së  artë
Bëj gjerdan, e var në qafë!
 
I marr erës ngrohtësinë,
I marr shiut butësinë,
Përzgjedh  ngjyrat e  ylberit,
Një nga një, rrezet e diellit!
 
Detit i  thith kaltërsinë,
Dallgës,  kur vjen, bardhësinë,
Erën  lules  në lëndinë...
Vjeshtës: Gjithë bukurinë !
 

1.


 
1.   Parajsë të tillë, jo, s'do ketë të dytë!
 
Vendlindjes sime
 
Ulur e menduar,
Shoh fotografitë,
Fare, pa kuptuar,
Me lot mbushen sytë.
 
Sa shumë më merr malli
Për ajrin tënd,
Dhe për dhinë e egër
Që rri lart, në shkëmb.
 
Për borën, kur bie
Dhe zë udhë e shtigje,
Për zënë e bilbilit,
Kur këndon me ligje!
 
 
 
Dhe për harabelin
Nën grackën e ngrehur,
Dhe për zonjën ndrikull,
Pas një ferre fshehur.
 
Lofata të çelura,
Lule ngjyra shumë,
Vij dhe iu marr erë,
Veç natën në gjumë.
 
Pa dal në Çajup ...
Oh , ç'më shonë sytë!
Parajsë të tillë,
Jo, s'do ketë të dytë!
Zagoria ime,
Lirë e pendolirë,
Të jetoj pa ty
E kam të vështirë!






 
Po presin portat , prapë të hapen ...
 
               rituale
*
Rënkojnë  portat
                    nga kyçet e rënda,
Kërcasin keq
                      e  s'flasin ' dot
Rrinë mbyllur,
                 bymehen  nga shiu e bora
Dhe presin të hapen,
      një herë në mot !
*
Dhe ngjitem sokakut,
                         dikur të "qendisur " ,
Hedh sytë me dhimbje,
       nga porta në portë,
 
Ç'do gjë më duket e ftohtë ,
                             e braktisur ,
Si mall i shkretë ,
                          si mall pa zot !
*
Dikur sokakët
                     aty gumëzhinin,
Nga zërat tanë fëminorë
Dikur dhe portat prisnin -përcillnin,
Kanatat hapur, për miq,dasmorë !
 
Dhe në sofatet
                  mbrëmjeve  ulur,
Të mirat gjyshe
                 me furkë në dorë,
Djemtë dhe vajzat ,
                      si sorkadhë mali
Shkonin e vinin
                  me këngë në gojë !
 
*
Po presin portat ,
                      prapë të hapen
Të çelin lulet
                        nëpër oborrë,
Të bubullijë
                      zjarri në vatra,
Të dalë tymi ,
                       të ngrihet fjollë!
 
 
 
I.          “Krijimtaria folklorike, pronësi mendore e një shpirti të pasur”
Mbi prurjet hulumtuese të Petrit e Majlinda (Marina)  Peçit
                       Nga      Kristaq F. Shabani
 
*Studuesit, hulumtuesit, apo mbledhësit e traditës, të zakoneve dhe te dokeve  kanë luajtur dhe luajnë një rol të pakontestueshëm në jetën shoqërore, pasi me aftësinë, dashurinë dhe kërshërinë e tyre  marrin pjesë aktive në përpjekjadën titanike të transmetimit  breziv. Kjo veprimtari ka një domethënie të veçantë,  pasi lë e përcjell në breza pasurinë e madhe shpirtërore të krijuara në mijëvjeçarë e shekuj që nga origjina.
Një popull, i cili nuk transmeton këtë pasuri të begatë, këtë përvojë  humbet identitetin, bëhet i “belbët”, “memec”, pasi kjo pasuri është krijuar që të rrijë gjithmonë zgjuar,  të gjallojë, të dritojë, të jetë aktive dhe të pasurohet nga brezi në brez. Në këtë kontekst, edhe hulumtuesit e riteve, të këngëve dhe të ceremonialeve zagorite  kanë ditur, gjatë gjithë kohëve, të jenë të vullnetshëm, të paepur dhe në thundra pushtuesish të grumbullojnë  këtë thesar të florinjtë.
Një ndër më aktivët, më pasionantët, njeri aksionar  ka qenë dhe mësuesi Petrit Peçi, zhejoti, i cili nuk rreshti që të mbajë të ndezur këto rite, t’i zjarrmojë, diamantizojë, t’i florizojë me pranintë  e tyre e t’i bëjë pjesë aktive dhe mbartëse të traditës. Ai ndërmori hapa të sigurt në  mbledhjen e këtyre riteve, duke sakrifikuar me përkushtim vitet e tij të jetës. Një fakt kokëfortë e i qenësishëm është dhe  studimi i tij i mëposhtëm: “Ritet, këngët dhe vallet ceremoniale të dasmës në krahinën e Zagorisë” .
Kontributi i gjithësecilit në mbajtjen në kujtesë të kësaj tradite është një shërbesë e jashtëzakonshme, e cila mban ndezur një traditë të një shpirti të pasur, sikundërse e kemi motivuar shpirti zagorit.
Tashmë është tepër e njohur që, Zagoria është një krahinë mjaft potente në fushën shumëplanshe. Ajo ka një tipikë që në vijueshmëri prodhon “INTELIGJENCË.
 
Lokomotiva folklorike ka tërhequr vagona të “bindura”, por  të risuara,  të transmetuara dhe të krijuara me teknologji shpirti.
Në materialin hulumtues të të dy hulumtuesve të Petritit dhe Majlindës shprehet katërcipërisht një tematikë e larmishme, e cila nxjerr në pah forcën përshkruese, qëndrimin  ndaj proceseve, fenomeneve, mentaliteteve, evokohet dashuria, humanizmi, atdhedashuria dhe spikatja e cilësive, virtyteve të transmetuara duke krijuar  “fondin kreativ popullor”, i cili  është përshkrues i gjallë i gjithçkaje. Ai krijohet jo vetëm për t’u lexuar, por  edhe për t’u kënduar e  transmetuar në formate të gjalla. Forca mëngjesore e transmetimit dhe e mbartjes së këngës specifike, e qëmtimit, e gërmimeve të pasurisë folklorike është e artësuar, e veçantë. Shpirti, që loton nxjerr dufin. Shpirti, që jeton dramën mundohet t’i japë shtysë vetes me këngë dhe këngë problemore. Shpirti që kalon traumat, temperaturën e vëlimit shpirtëror me një thermometer është kryeshpirt. Shpirti, që përpiqet për të dalë nga ndrydhja, vuajtja dhe plasaritja,  terapi ka këngën dhe vallen. Shpirti, që trazohet në momente e situata të qeta, shpërthen më fort nga e zakonshmja që shkon ngadalë. Shpirti i gëzuar e çliron qetë veten jo krejtësisht, por në një përqindje të madhe duke e dhënë të drejtën e kujdesit fatlum. Evenimentet si: akte trimërore, dasmat, erotika, lidhjet shoqërore krijojnë raporte në shfaqje mimike dhe pandomimike të njeriut interpretues! Vetë këngët e dëshmojnë këtë, që janë përmbledhur në  këtë  libër, i cili mund të  vlerësohet si një kontribut në qëmtimet e pronës folklorike zagorite kontribuese aktive në qëmtime dhe paraqitje të folkloristikës zagorite. Në këngët zagorite dalin në pah duke u lidhur me shpirtra të pasur edhe: vonimi i edukuar i gjendjeve tronditëse, për tek ata, që përjetojnë më fuqishëm dhimbjen, për të minimizuar heqjen e siparit të dhimbjes... Shpirti i pasur ka refleksionet në vallet e kënduara, të cilat janë një kompozim i madh, ku “plekset” edhe  aftësia mendore. Ato, që nuk shprehen me tekst, shprehen me lëvizjen e studiuar dhe të ndritshme. Disa nga prurjet në lëmin e hulumtimit të këngës të mësuesit këmbëngulës  Petrit Peçit: ”Fiku i bardhë ndanë lëmit”, “Ç’m’i ke leshtë palë – palë!” , “Mes për mes, baçesë shkova...”, “Dola një ditë nga mali, nga sheshi i sorkadheve...”, “Dal në breg e vështroj fshanë”, “O moj ti, që vete tutje”, “E bukur si trëndafili”, “Kur më shkon sokakut”, “Te guri që buron bleta” , “Në mëngjes, porsa u ngreçë”, “Dola në breg të qershisë”, “Tatëpjetë bregut, kur vije” e tjerë.
 
Prurjet e Majlindës, më të spikaturat :
 
“Është larg, e të zënë ethe!”, “Ç'më mbiu një trëndafile...”, “Lule ti, lule  jot ëmë,...”.”Ç'më cimbisi  milingona”, “Dola në cep të baçesë”,  “Bëje dru në përcëllimë” , “Seç vjen lumi turbull –o”,  Te porta me zavëza“, “Ledhet e kodhelet, o nuse nuri!”, “E hollë si qiparisi”,   “Dil, moj, dil, apo  s'të  lënë ,...” e tjera.
 
Profili i strukturës folklorike
 
Nëse ndërmerr këtë hap, në kuptimin metaforik, befasohesh me kapakun e florinjtë, që i hap një thesari të venë me mend dhe me mund, gjatë gjithë ekzistencës së vet,  etnisë kulturore zagorite. Ai ka kaluar në një proces të spikatur, zinxhiror, me një përcjellësi të zgjuar, temperative, impulsive, impresionante nëpërmjet një stine të shtuar: “Stina e Pestë”, e cila është e shpërndarë në stinat emocionale të gjendjes së shpirtit.
Pasuria folklorike zagorite ka një  jetëgjatësi të madhe, duke kaluar nga lindjet e emocioneve, që nga pasthirrmimet, habitëritë, dëshirimet, lotësitë, lutësitë, shpërthimet, përrallëzimet, baladëzimet, kërkesat jetësore. Ky larmitet e ngjyrim shpirtëror e ka buronjën në gjendjet, gjasitë, transformimet, lëvizjet, ndryshesat, varësitë, në raport me kohërat dhe situatat, gjendjet frymëmarrëse, të cilat shkaktojnë  lëvizje të të kënduarës shpërthyese, të krijuar në një pentagram notësor të çuditshëm melodik, të sjellë në shpërthime të tejtronditura, duke prodhuar Elegjinë e Ikjes dhe të Moskthimit.
 
Substancat e një shpirti
 
              Jo pa qëllim u stacionuam në këtë yllësi të planetit mendimor zagorit, nëpërmjet gjetjeve dhe prurjeve të dy hulumtuesve. Njeriu zagorit me botën e tij të pasur shpalos vlera, të cilat shpërthejnë në një ritual të papërsëritshëm dhe të paimagjinueshëm. Ky shpërthim është urimor dhe ky burim ngjason me  me një ujëvarë, e cila mbledh korda dhe i derdh në një katarakt melodik, madje edhe improvizon pentagrame të pambarimta me nota të habitshme në korda zanore (vokale). Shpërthesat i ngjajnë sytheve që shpërthejnë, por, në dallim nga sythet pemorë që presin pranverën, sythet e krijimtarisë folklorike shpërthejnë gjatë vitit, kohës pa u ganxhuar nga stinët, paçka se ngacmohen nga ato, mjedisi, rrethanat. Takimi, rrokja, pasthirrmimi, gjendjet emocionale, përbetimi, ndjeshmëria tokësore dhe e kupës qiellore me prezencën planetore dhe kostelative, koncertet e cicërimave, elegjimi, vuajtja dramatike, erotika e rrotulluar në një bosht jo statik, por spostues (fillime, tundje - fikje, eklipse ëndrrash, intelekt të dallgëzuar, kënaqësia e krijesës, kënga e mjedisit, kujtesa si një libër mendor i shkruar në parcelat mendimore, divorcimi mendor dhe fizik, trimëria me betim qiellor, amaneti i derdhur me lot, këto e të tjera përbëjnë atë ngacmim gjigand të shpirtit të trazuar zagorit, që ka prodhuar në hojet bletore “këngën lirike dhe epike” dhe kjo e kombinuar me lëvizje të strukturave arkitekturore të këmbëve dhe  të duarve si dhe patetizëm figurativ.
 
 
Simbolika, figuracioni në pasurinë folklorike të trevës
Struktura e ndërtimit të këtyre këngëve të paraqitura, paçka se ç’lloj i përkasin, ka një arkitekturë poetike, e cila të rrëmben, e pajisur po me një dekor të  brendshëm dhe të jashtëm karakteristik, që personifikon, dallon, thur, intrigon bukur, vesh me rekuizitë poetike, duke shmangur rakitizmin, proksilitetin dhe thatësirën.
Këngët dhe vallet e kënduara janë ndërtuar me një stil, i cili u jep frymëmarrje dhe që vendoset me një sakticitet, ku s’ke ç’të zgjedhësh  edhe sikur të duash pa zgjaturina e lulurina të kota. Kjo tregon se sa punohej dhe si daltohej kënga zagorite.
“Zhanret” e këngës janë të pranishme, duke përdorur retorizmin dhe të tjerat, që i numëruam gjatë shtjellimit, por edhe dialogimin, duetin. Nëpërmjet një figuracioni e një simbolike të gjallë, shfaqet gjallëria e jetës me ngarkesat e saj, që nuk mbajnë kufijtë gjeografikë të trevës, por shtrihen në lidhësi me simotrat dhe me vendin, kombin dhe më gjerë.
Dihet që kjo gjerësi dhe thellësi e shprehur ndryshe quhet: Tregues Kulturimi.
 
 
Qëmtimet, hulumtimet:
 Përzënie të harresës, ngulitje kujtese
 
Kujtesa popullore dhe e trevës zagorite ka qenë dhe është befasuese, magjepsëse duke flakur “arteriosklerozën”, humbjen kujtesive. Transmetimi i pasurisë folklorike është realizuar në labirinte trunorë që vetë natyra ka dhuntuar, apo koha i ka përforcuar duke e përforcuar kujtesën. Sipas një kronikani dhe të transmetimit gojor, në trevën e Zagorisë kanë ekzistuar “mendjembajtësit”, të cilët kanë transmetuar pasurinë folklorike. Ekzistonin në çdo grupim, fshat bardët, krijuesit e teksteve të ndiera, që mandej “fshiheshin” me autorësinë “popull”. Qëmtimet, hulumtimet janë pronë të shumë njerëzve të pasionuar në këtë fushë, e cila lindi si domosdoshmëri pasurie ndjenje e transmetimi. Një histori tipike e shkruar me këngë…
Përçapjet për një sistemim të këtij bollëku kualitativ e sasior janë të shumtë.
Por, një kontribut ka dhënë në hulumtimin, mbledhjen e traditave, zakoneve, dokeve edhe mbledhësi i apasionuar Petrit Peçi, i cili,  duke qenë edhe mësues, u veprimua në mbledhjen e këtyre traditave, dokeve dhe zakoneve të trevës, por edhe në mbledhjen e pasurisë së madhe të këngëve, në grumbullimin e fjalëve të urta  e tjerë. Duke qenë i pasionuar, Petriti i kujdesshëmi sistemoi dhe i la trashëgimi për brezat që do të vijnë.
Pa këtë pasuri të hulumtuar të traditës, pa këtë  pasuri folklorike mund të kishte ndoshta dhe asfiksi. Zotësia folklorike krijohet nga një popull filozof dhe inteligjent.  Këtë e dinte mirë edhe Petriti, i cili  iu përvesh me zell vjeljes së kësaj pasurie.
Është detyrë e njerëzve të specializuar dhe të gjithë pasionantëve të botojnë dhe të dritëzojnë këtë perlë, sikurse po vijohet edhe me botimin e këtij libri të veçantë të autores Majlinda (Marina) Peçi .
 Stimulimi i qëmtimit edhe në vendet, ku kanë emigruar zagoritët duhet të jetë i zjarrtë.
 
 
 
   Përmbyllje
Shfaqësitë e mendimeve tona për thesarin foklorik dhe pasuria jonë folklorike e parë në mëvetësi tregojnë se jemi superiorë dhe këtë superioritet duhet ta mbajmë e transmetojmë në mënyrë brezive. Është koha që të vrapojmë në korsitë mendimore, si deri më sot, dhe të tjerët, duke mos na arritur, të reflektojnë dhe të na çmojnë për atë kulturim e impuls të madh shpirti që kemi.
 
Gjirokastër, korrik 2023




Majlinda (Marina) Peçi ka lindur në Gjirokastër, më 20.05.1973. Shkollën fillore dhe atë tetë-vjeçare e kreu në fshatin e saj, Zhej, Zagori  Gjirokastër.
 Qysh atëherë, Majlinda angazhohej në veprimtaritë e ndryshme artistike të shkollës.  Ishte prezantuesja ,këngëtarja dhe recituesja e grupit. Dallohej për hartimet dhe poezitë e bukura të cilat lexoheshin në atë kohë, para shkollës.
Më pas vazhdoi shkollën e mesme në Nivan , Zagori.
Qysh nga viti 1999 jeton bashkë me familjen e saj në Kavallë të Greqisë  dhe nuk rresht së shkruari.
Kohët e fundit, disa nga krijimet e saj janë publikuar jo vetëm në rrjetet sociale, por edhe në revistën “POLEART” të LNPSHA “PEGASI” ALBANIA
”Larg e afër... ”poezi, këngë, ritual  është  i saj i parë .


 


                       PETRIT PEÇI
 
                  
 
         “Ritet, këngët dhe vallet
ceremoniale të dasmës në krahinën e Zagorisë”
                        studim
 
 
                       Zhej 1984




 
Petrit Koço Peçi
 
Lindi në Zhej të krahinës Zagori, Gjirokastër, në vitin 1948. Mbaroi shkollën shtaëvjeçare në Zhej dhe mandej vijoi shkollën pegadogjike  në Vlorë. Pas përfundimit të studimeve të mesme,  vijoi studimet  në Institutin dyvjeçar “Aleksandër Xhuvani”, në Tiranë, fakulteti Gjuhë – Letërsi.
Gjatë kësaj periudhe, falë talentit të tij në përdorim të instrumentave muzikore,  kreu kursin për fizarmonikë pranë Pallatit të Kulturës Tiranë. Pas përfundimit të studimeve   u emërua mësues në shkollën 8 vjeçare në  Suhë, Gjirokastër, në vitin shkollor 1968-1969. Petriti këtu  i dha nxitje veprimtarisë kulturore - artistike   të shkollës  dhe organizatës së  saj  të rinisë. Pas këtij viti shkollor, u transferua në shkollën 8 vjeçare “Pano Xhamballo” në Zhej, ku ushtroi profesionin deri në largimin e tij të parakohshëm  nga jeta, në cilën u shqua si mësues niveli. Gjatë kësaj kohe, përfundoi studimet e larta në Universitetin e Shkodrës, pa shkëputje nga puna.
Po kështu, gjatë kësaj periudhe, ai ndërmori hulumtime, studime për folklorin zagorit, pasi kishte  një pasion  të madh dhe prirje në grumbullimin e  pasurisë folklorike të trevës. Si rrjedhojë e kësaj pune pasionante, ai grumbulloi mjaft pasuri folklorike  si: këngë, bejte, gjëegjëza, përralla, thënie të moçme  e tjerë. Rëndësi e veçantë ishte puna e tij për traditat, doket, zakonet e trevës. Synimi i tij ishte botimi i një libri të veçantë me këtë pasuri, por, ai u largua shpejt nga jeta  dhe disa nga punimet e tij u përdorën pa kriter nga të tjerët. 
Në librin “Larg e afër...”  të vajzës së tij, Majlinda (Marina) Peçi, në shenjë respekti e nderimi të punës së tij  është pasqyruar një pjesë e kësaj pune vitale  të këtij studiuesi e titulluar:  “Ritet, këngët dhe vallet  ceremoniale të dasmës në krahinën e Zagorisë” studim, Zhej 1984, shoqëruar me një përsiaje dinamike.
Do të bëhet çmos që, në të ardhmen,  të gjenden punimet e tij kontributive  dhe t’i ofrohen lexuesve dhe pasionantëve të folklorit, një shërbesë kjo e spikatur kualitative për pasurimin e thesarit zagorit me punimet e të këtij studiuesi. 
Kristaq Shabani
Kristaq Shabani
Anëtar i vjetër
Anëtar i vjetër
Regjistruar : 19/11/2015
Postime : 740
Points : 1451
Reputacioni : 5
Medalje Medalje2 Medalje3
http://www.pegasiworld.com

MAJLINDA (MARINA) PEÇI          LARG E AFËR...              POEZI, KËNGË, RITUALE Empty Re: MAJLINDA (MARINA) PEÇI LARG E AFËR... POEZI, KËNGË, RITUALE

24th August 2023, 22:55
Flag Ju falenderoj per mundesine e publikimit...Por, kaq vite dhe mbetem me kater pike....?!
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi