Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Mary
Mary
Anëtar elitë
Anëtar elitë
Regjistruar : 04/02/2008
Postime : 4917
Info : a good sense
Points : 51
Reputacioni : 50
Medalje Red Medalje Blu Medalje Green
https://zeriyt.albanianforum.net

Qeveria, përgjegjëse për katastrofën Empty Qeveria, përgjegjëse për katastrofën

17th March 2008, 11:09
Qeveria, përgjegjëse për katastrofën

Qeveria, përgjegjëse për katastrofën Gerdec11
Ish-presidenti Moisiu: është shkelur çdo rregull ushtarak. Meta: Dihen fajtorët


Vendimi i qeverisë me numër 138, datë 14 mars të vitit të shkuar, detajonte rolin e Ministrisë së Mbrojtjes në procesin e çmontimit të municioneve. Objekti kryesor i tij është trajtimi i armëve, të teknikës, pajisjeve dhe municioneve të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi dhe procedurat që zbatohen. Kur armët, teknika, pajisjet e Forcave të Armatosura nuk mund të shiten për qëllime, ushtarake ose joushtarake, ato i nënshtrohen procesit të çmilitarizimit dhe çmontimit dhe të shiten për skrap me ankand. Në paragrafin katër flitet konkretisht për shitjen për çmontim dhe çmilitarizim të municioneve. Ministria e Mbrojtjes, në funksion të reduktimit të stoqeve të vjetruara të municioneve të kalibrit të vogël, të nxjerra nga përdorimi dhe armatimi, mund të realizojë shitje për qëllim çmontimi dhe çmilitarizimi. Ky proces përfshin shitjen e municionit, mbikëqyrjen e procesit të çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve dhe të nënprodukteve, të rrjedhura prej tyre. Komisioni i Miratimit të Çmimeve, në Ministrinë e Mbrojtjes, përcakton çmimin për shitjen e municioneve për çmontim dhe çmilitarizim. Në përcaktimin e çmimit për këtë kategori municionesh, komisioni mban parasysh edhe koston për çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve për elementë të tilla, si investimi, kosto faktike e punës së bërë, metoda e përdorur, ndikimi në mjedis etj., si dhe vlerën e nënprodukteve të përfituara nga çmontimi e çmilitarizimi i municionit. Sakaq, procedurat e shitjes së municionit për çmontim dhe çmilitarizim kryhen nga ndërmarrja MEICO në bazë të kontratave. Në lidhjen e kontratave me subjekte të ndryshme të mbahen parasysh: përvoja e ofertuesit në fushën e armatim-municioneve, kapacitetet teknike, lloji i teknologjisë së përdorur në procesin e çmilitarizimit e çmontimit, afatet, ndikimi në mjedis, respektimi i masave të sigurisë gjatë procesit të çmilitarizimit e të çmontimit dhe çmimet e miratuara. Procesi i çmilitarizimit e çmontimit të kryhet nën mbikëqyrjen dhe sigurinë ushtarake të reparteve të Forcave të Armatosura, duke regjistruar me hollësi të dhëna për regjimin, lëvizjen dhe sasinë e municioneve të dorëzuara dhe të atyre të çmontuara e të çmilitarizuara, si dhe të produkteve të tyre, pas çmontimit dhe çmilitarizimit. Pas heqjes nga armatimi e përdorimi, armët, teknika, pajisjet, municionet dhe lëndët eksplozive të FA u nënshtrohen vlerësimit dhe përcaktimit të çmimit të tyre për shitje. Në Ministrinë e Mbrojtjes, me urdhër të ministrit, krijohet Komisioni i Miratimit të Çmimeve, me ekspertë të fushave përkatëse të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ekspertë të financës, juristë, ekonomistë e të tjerë. Shitja e armëve, teknikës, pajisjeve, municioneve dhe lëndëve eksplozive të FA-së realizohet nëpërmjet ndërmarrjes MEICO.


"Pronari i fabrikës erdhi në Shqipëri në 2007-ën për të firmosur kontratën e shtyrjes"



Berisha: Firma, kontratë të rregullt


Firma amerikane ka një kontratë të rregullt me Ministrinë e Mbrojtjes. Kështu është shprehur dje kreu i qeverisë, Sali Berisha, menjëherë pas deklaratës së drejtuesit të firmës amerikane, i cili u shpreh se kontrata ka përfunduar që më 7 dhjetor 2007. "Pronari i fabrikës ka bërë kërkesë zyrtare për zgjatjen e kontratës dhe ka ardhur direkt nga vendi i tij për të firmosur kontratën e shtyrjes. Pra, sipas autoriteteve zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes, kjo është absolutisht e pavërtetë, pasi kontrata nuk ka përfunduar. Ka qenë një kontratë e rregullt me kompaninë amerikane", theksoi Berisha. Lidhur me firmën shqiptare nën kontraktuese, kryeministri pohoi se gjithçka do i nënshtrohet hetimit. "Por a është firmë nën kontraktuese, apo janë punëtorë, të cilët i ka trajnuar kompania e huaj, kjo do të sqarohet. Në çdo rast, qoftë kontraktorë, qoftë të punësuar, trajnimi i tyre ka qenë një detyrim i kompanisë së profilizuar në çmontimin e armatimeve. Sipas deklarimeve, trajnimi i punëtorëve është bërë, por, nëse është bëri trajnimi i të gjithë punëtorëve, kjo mbetet çështje hetimi dhe do të hetohet", tha ai. Berisha ka treguar edhe sa ka përfituar shteti shqiptar, duke ia kaluar çmontimin kompanisë së huaj. Nëse çmontimin e bën vet, materialin e përfitojmë ne dhe e shesim me ankand. Në këtë proces, shpenzimet, nëse marrim parasysh donacionet dhe paratë e buxhetit tonë, janë mbi 60 milionë dollarë. Ndërsa në rastin e dhënies së tyre kompanive private, këto të fundit, paguajnë diçka për materialin, por nuk të japin asgjë, e marrin vet materialin. E vërteta është që ligji i parë dhe më kryesor është të çlirohemi sa më parë nga ky material. Ky është imperativi ynë më kryesor", tha ai.

Moisiu: Janë shkelur të gjitha rregulloret ushtarake



Ish-kreu i shtetit analizon shkaqet e katastrofës


Ish-kreu i shtetit shqiptar është shumë i pezmatuar për katastrofën njerëzore që ndodhi në fshatin Gërdec, shumë afër Tiranës. Gjeneral Alfred Moisiu, i cili përveç përvojës së tij si burrë shteti, është dhe një nga ushtarakët më të shquar të vendit, edhe pse rezervohet për një analizë të gjerë të tragjedisë, nuk i kursen fjalët për ngjarjen e rëndë dhe përgjegjësit e saj. Duke folur për "Shqip" nëpërmjet telefonit, ish-presidenti i Republikës deklaron prerë se komenti i parë dhe i qartë i ngjarjes është se janë shkelur të gjitha ligjet dhe rregulloret ushtarake për shkatërrimin e armatimit dhe municioneve. "Unë do të flas më gjatë pas reagimit dhe qetësimit të situatës, por gabimi më i rëndë për mua është se janë shkelur të gjitha rregullat ushtarake për shkatërrimin e municioneve dhe armëve ushtarake", deklaron Moisiu për "Shqip", i cili pyetjes se si duhej vepruar sipas rregullave, i përgjigjet shpejt: "Sipas rregullave, shkatërrimi i municioneve dhe armëve dhe përpunimi i tyre duhet të bëhet jo më pak se 20 km larg zonave të banuara". Më pas, ish-kreu i shtetit shqiptar, i cili shprehet shumë i prekur, por edhe i revoltuar nga ndodhia e kësaj katastrofe me përmasa gjigande, i referohet shkrimeve në media, ku është shkruar për kontratat e Ministrisë së Mbrojtjes me kompanitë për të kontraktuar shkatërrimin e municioneve dhe armatimit. Sipas Moisiut, e gjithë kjo që ka ndodhur e ka emrin "papërgjegjshmëri", të cilin një nga ushtarakët më të shquar shqiptar e cilëson të rëndë, sepse nuk janë zbatuar rregullat përkatëse, të cilat sidomos në fushën ushtarake, e aq më keq për armatimin, janë strikte dhe kërkojnë zbatimin me fanatizëm të tyre. "Gjithçka është bërë me një mendjelehtësi të pashoqe. Duhet të merremi me ata që kanë qëllime të mbara dhe jo qëllime të mbrapshta", tha për "Shqip" ish-presidenti i Republikës, i cili drejtoi shtetin shqiptar për pesë vjet rresht, por që ka një përvojë shumë të gjatë në poste të larta, si ministër dhe zv.ministër i Mbrojtjes.

Gjeneral Moisiu nuk e pranon edhe justifikimin që po bëhet nga autoritetet shtetërore, sipas të cilave kemi të bëjmë me një rrezik të madh siç janë shkatërrimi i sasisë së pafund të municioneve që Shqipëria trashëgon nga regjimi komunist. "Këto justifikime janë pavend, bota zbërthen të gjitha armët dhe municionet. Me teknologjinë e sotme po zbërthehen madje edhe armët bërthamore. Këto janë gjëra normale në industrinë ushtarake, prandaj të mos frikësojmë njerëzit dhe t‘i demonizojmë gjërat", thekson për "Shqip", ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu. Ai bën të ditur se po e ndjek situatën me vëmendje dhe po shikon se cili do të jetë reagimi i shtetit shqiptar. Administrimi i armatimit dhe shkatërrimi i tyre është vërtet një çështje shumë me përgjegjshmëri, për të cilën ministria mund të këshillohet me njerëzit më të shquar të saj, të cilët kanë dhënë prova se i kanë shërbyer shtetit me devotshmëri.


Ilir Meta: Faji bie mbi qeverinë "Berisha"



"Nuk duhet ta fshehim kokën si struci, pasi përgjegjësia kryesore i takon qeverisë, i takon Kryeministrit Berisha". Kjo ishte deklarata e djeshme e kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Sipas ish-kryeministrit duket qartë edhe nga informimi që kanë edhe mediat se Kryeministri ka qenë në dijeni të një vendimi për të realizuar këtë lloj aktiviteti pikërisht në një zonë shumë të koncentruar me banorë. "Kështu unë mendoj se këtu duhet të fillojë përgjegjësia kryesore dhe i takon atij që të ketë përgjegjshmëri të paktën në këtë rast", theksoi Meta. Ish-kryeministri shton se kjo është një tragjedi që të gjithë duhet të reflektojnë, të nxjerrin përgjegjësitë edhe të të tjerëve, por përgjegjësitë kryesore Berisha duhet t‘i marrë vetë. Ai kërkoi nga qeveria që të rrisë shkallën e transparencës për atë që ka ndodhur dhe në radhë të parë pasojat e saj njerëzore. "Pasojat e dëmeve materiale janë shumë të mëdha, njerëzit kanë humbur pronat e tyre, që në pjesën më të madhe janë të pariparueshme, që do të thotë se këto familje me të ardhurat e tyre nuk kanë mundësi t‘i riparojnë këto dëme", nënvizoi Meta. Ndaj qeveria, shtoi ai, përveç shpejtësisë për të pasur realisht nën kontroll situatën, sepse nuk kemi ende një bilanc të qartë për numrin e viktimave, numrin e të humburve dhe për shkallën e dëmtimit të këtyre shtëpive, ajo duhet të rakordojë një projekt të veçantë për riparimin dhe kompensimin e këtyre familjeve. Kreu i LSI-së, këmbënguli se qeveria duhet të kërkojë edhe një ndihmë ndërkombëtare për këtë tragjedi në radhë të parë nga OKB-ja, Bashkimi Evropian dhe të gjitha vendet e tjera. Kryetari i LSI-së ka përshëndetur në mënyrë të veçantë përkushtimin dhe pasqyrimin korrekt të mediave nga vendngjarja, duke krijuar një transparencë që i mungoi qeverisë shqiptare për të gjithë atë tragjedi që përfshiu dje popullin shqiptar. Pas vizitës në Spitalin Ushtarak, Meta, së bashku me drejtuesit e tjerë të LSI-së, ka shkuar në fshatin Gërdec, në vendngjarje, ku ka vizituar banorë të këtij fshati, të afërm dhe familjarë të njerëzve të humbur, si dhe Forcat e Armatosura në detyrë.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi