Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Mary
Mary
Anëtar elitë
Anëtar elitë
Regjistruar : 04/02/2008
Postime : 4917
Info : a good sense
Points : 51
Reputacioni : 50
Medalje Red Medalje Blu Medalje Green
https://zeriyt.albanianforum.net

Agron Llakaj: Nga "Portokallia" në një serial humori Empty Agron Llakaj: Nga "Portokallia" në një serial humori

25th March 2008, 22:15
Agron Llakaj: Nga "Portokallia" në një serial humori

23/03/2008 E pranon që "Portokallia" nuk është spektakël i përsosur. E megjithatë nuk ka si të mos pohojë se me të kanë lidhur jetën e tyre, mundin, e se në fund të fundit kanë arritur që njerëzit t'i shohin me ëndje. E tanimë janë kthyer sërish. Porse këtë radhë do të "lëvizin" në të tjera "shina". E rëndësishme është që të bëhen "pjesë e tavolinave" shqiptare me humorin e tyre. Duke pohuar se në "Portokalli" mund të ketë dy-tri thinja mes flokëve të zinj, Llakaj megjithatë thekson se ata janë "më të rritur" se në fillim.

"Më vjen mirë që 'Portokallia' të paktën në këtë sezon e fillon me një trysni dhe një presion të publikut dhe spektatorit: kur do të filloni? Uroj dhe këtë ia kam thënë edhe trupës: uroj të mbetemi nxënës gjithë kohën, të kemi ç'të mësojmë për të dhënë më të mirën", thotë për "Metropol" Llakaj, ndërsa flet edhe për të "ashtuquajturin" banalitet në humor. Ka shumë për të rrëfyer mbi punën e bërë në këtë sezon të ri, apo problemet e humorit. Por ai nuk lë pa zbuluar edhe një pjesë të projekteve edhe jashtë "Portokallisë". I tillë është edhe ai i shfaqjes së një telenovele të humorit në repartin e një policie...

Ka vetëm pak që ka filluar sezoni i ri i "Portokalli"-së. Në ç'mënyrë i keni konceptuar të vijnë elementët e rinj të shfaqur në këtë spektakël dhe "ndryshimet" me sezonin e kaluar?

"Portokallia" gjithmonë është një spektakël me portë të hapur. Për personazhe të rinj, talente të reja të cilët kanë dëshirë dhe në njëfarë mënyre e kalojnë atë provimin me publikun dhe gjejnë vendin e duhur në "Portokalli", në çdo sezon ne gjithmonë e kemi pasur një dritare të hapur. Për njerëz që vijnë dhe gjejnë veten. Veç kësaj, transformimi i figurave, personazheve nga një në një tjetër është edhe kjo një risi e këtij sezoni. Duhet quajtur një sezon me bollëk personazhesh. Ka prurje. Veç të tjerash, nuk mund të mos përmend rikthimin e Evis Pupës, me personazhet e tij Avdiun apo Ninin. Apo rikthimin e Besit-Gjinit. Ndërkohë një prurje e re e suksesshme është Alban Prodani (djali i Aleko Prodanit) me rolin e kamerierit. Edhe prestidigjitatori i ri është elegant, simpatik. Të tjerët natyrisht lëvizin në korsinë e shënuar, por kuptohet që brenda limiteve, suksesit, kërkesës për nivel artistik, etj. Pra, tani elementi bazë tek ne qëndron, të themi vetëm te forma, lëvizja në formë. Janë personazhe të suksesshme dhe natyra e publikut është e tillë që kërkon të dijë çfarë të reje do të sjellin. Kështu që asgjë tjetër veç humorit nuk do të sjellë "Portokallia".

Ç'mund të thoni për largimet, rikthimet apo "eksperimentimet" e një pjese të këtyre personazheve të hershëm të spektaklit?

E rëndësishme është që do të jemi të pranishëm çdo të diel në ekran, gjithmonë me synimin dhe ambicien për të qenë pjesë e "tavolinës shqiptare". Pas katër vjetësh, ndjehemi krenarë që kemi qëndruar me gjithë këtë ngarkesë, trysni, këtë ritëm të jashtëzakonshëm, dhunë artistike. Për katër ditë, të dalësh në skenë përgjatë katër vjetëve, këtë e quaj meritë edhe të rritjes së djemve dhe vajzave që janë në "Portokalli". Tani ata bëhen pjesë e debatit për ide, për krijimtari. E në fund të fundit, dinë shumë mirë të shkruajnë një material dhe të udhëheqin personazhin e tyre nga fillimi deri në fund të sezonit. Personazhet, siç dhe thashë, do të kthehen në rrethana të tjera. Lëvizja do të jetë në formë. Personazhi ka qenë i suksesshëm dhe nuk ka ikur për shkak të dështimit, por kanë ikur për shkak të interesave të tyre, kuptohet në marrëveshje me ne. Tani janë kthyer dhe ne si staf mendojmë gjithmonë se cilat mund të jenë shinat që ata të lëvizin përsëri po suksesshëm, duke mos përjashtuar nivelin që ata kanë.

"Portokallia" është kritikuar shpesh për një lloj banaliteti në humor...

Në fund të fundit duhet kuptuar një gjë: unë nuk mendoj se "Portokallia" është një spektakël i përsosur. Nuk mund të përjashtoj që në ndonjë moment mund të ketë dhe ndonjë gjë që mund të ketë shpëtuar. E thashë jo për të justifikuar "për shkak të rripit", por në përgjithësi ne jemi jashtëzakonisht rigorozë në këtë raport dhe në këtë marrëdhënie me publikun. Po ta marrim nga fakti moral, ne e kemi cilësuar që spektakli nuk lejohet të shikohet nën moshën 16 vjeç. Por ne e dimë mirë se ka audiencë edhe poshtë kësaj moshe, deri edhe në fëmijë 5 vjeç që e ndjekin "Portokallinë". E duke pasur parasysh familjen që na ndjek, natyrisht jemi munduar të jemi më të kontrolluar. Dikush mund ta kundërshtojë këtë, por nëse do të shohë spektakle të natyrës së tillë në Itali apo në Greqi, të jetë i sigurt se kjo e jona do të duket jo e pastër por puritane. Nuk është qëllimi ynë vajtja te banaliteti për të shitur të qeshurën; të marrim një të qeshur për të qeshur. Në fund të fundit, mund të ketë situata komike që nuk ofrojnë asnjë lloj morali. Por mendoj se "Portokallia" e ka përçuar një mesazh të madh te njerëzit. Ne kemi qenë koherentë qoftë në realitetin politik, ekonomik, social. Nëse e shikojmë kështu, në përgjithësi mund të ofrosh shumë gjëra të mira. Por në një moment kur në flokët e zinj të del një thinjë, ajo që shikohet është thinja. Unë do të thosha: mos shikoni këto dy-tri thinja që mund të ketë në "Portokalli", se nuk arrin dot nëpërmjet banalitetit të qëndrosh gjatë në skenë. Kështu, baza dhe thelbi për ne është ajo e mira dhe pozitivja. Më vjen mirë që "Portokallia" të paktën në këtë sezon e fillon me një trysni dhe një presion të publikut dhe spektatorit që pyet: kur do të filloni? Uroj, dhe këtë ia kam thënë edhe trupës në mesazhin e takimit, që të mbetemi nxënës gjithë kohën, të kemi ç'të mësojmë për të dhënë më të mirën. Karakteri më i mirë tregues është ky: të shikojmë zhvillimin politik në Shqipëri. Ngaqë Shqipëria i ka të gjithë politikanët profesorë, është çorap muhabeti. Po të kishte një nxënës, ndoshta Shqipëria do të ishte ndryshe. Prandaj dhe "Portokallia" do të ketë filozofinë e të qenit gjithmonë nxënës.

Nëse do të viheshit në vend të spektatorit, si dikush që thjesht "shijon" "Portokallinë", çfarë do të ndryshonit në këtë spektakël?

Ka dy lloj përgjigjesh. Në momentin e parë që i thua mjekut: “Nëse do të bëhesh pacient, çfarë do t'i ndryshosh mjekut?”, mundohem që t'i ofroj publikut me këtë shou atë çka është më e mira. Dhe duhet kuptuar që "Portokallia" nuk është një shou thjesht për t'u argëtuar. Do të më vijë shumë mirë që të vijë ajo ditë që të jetë kështu. Por është një shou me të cilin njerëzit përpiqen më shumë t'i largohen stresit, presionit dhe dhunës së ditës, pafuqisë ekonomike, varfërisë së tejskajshme, rrokopujës politike dhe mungesës së dritës, atij "tunelit" ku nuk dimë ku jemi e nga po shkojmë. Në gjithë këtë rrezatim, njerëzit natyrisht ndiejnë një lloj ngushëllimi duke ndjekur humorin. Ata kanë nevojë të qeshin, si puna e furrës së bukës. Di të them se është një investim që në fund të fundit kërkon cilësi. Me "Portokallinë" kam lidhur atë pjesë të jetës që po e quaj "bukë e gojës". Më fal, por po e them: Nuk ka ardhur njeri këtu për të shitur mend.

Si e shihni situatën për sa i përket aktorëve të humorit sot, në Shqipëri, në lidhje me ekzistencën e trupave teatrore, trajtimin e tyre, etj?

Në përgjithësi ka një vakuum. Unë i përcjell dhe i ndjek, por në qoftë se i keni vënë re në vite, në "Portokalli" ne gjithmonë kemi afruar aktorë të trupave të ndryshme nga estradat që kanë mbetur, ato që i kemi quajtur "humori i nostalgjisë". Nuk ka jetë të gjallë artistike. Në përgjithësi ka një mungesë vëmendjeje. Kam mendimin se vetë koha dhe vetë sistemi e ka prurë një lloj reagimi të kësaj natyre. Në momentin kur njerëzit do të kthejnë sytë nga teatri, që unë do të them komedia, estrada, vjen ai moment kur njerëzit të paktën kanë zgjidhur deri diku problemet ekonomike, nevojën për bukën, etj. Kurse për sa i takon pjesës që mendoj ndikon jashtëzakonisht në etikën dhe edukimin qytetar, është pjesë e investimit tonë veç të tjerave. Jo vetëm e "Portokallisë", por e gjithë trupave që bëjnë humor. Mendoj se shteti duhet të ketë kujdes. Në fund të fundit ne gëlojmë këtu ku gëlojmë, ngaqë jemi në një kompani private dhe është biznes i dikujt që investon në këtë drejtim. Kurse në këtë mes, mendoj është shteti që duhet të investojë më tepër, jo për t'i shkrirë dhe abandonuar. Në fund të fundit, nuk mund të ndihet askush artist kur nuk është në gjendje t'ju përgjigjet kushteve dhe nivelit që kërkon koha. Duhet kuptuar se për vite e vite të tëra artistët e humorit në Shqipëri punojnë vetëm për bukën e gojës. Kjo është më banalja nga të gjitha; kjo është pjesa që më dhemb më shumë. Ne jemi munduar që kjo lloj vlere të mos humbasë, kjo është ajo që unë e quaj investim kombëtar. Duhet të kuptojmë se me humorin nuk identifikohet X apo Y. Me humorin identifikohet një komb i tërë.

Së fundmi, mund të zbuloni ndonjë projekt tuajin krahas "Portokallisë"?

Në pushimin e "Portokallisë", kur mbaron sezoni, kemi një projekt me korin e policave. Kemi idenë e ndërtimit të një reparti policie, ku do të mundohemi që me një lloj risie t'i ofrojmë publikut një tip telenovele në qendër të së cilës të jenë këta shtatë personazhe, këta shtatë policë në një pikë policie diku në një provincë. Hë për hë, mund të them vetëm kaq...

Bisedoi: B.Goce

Detajet e një figure...

Për të nuk ka ditë jave. Java fillon të hënën dhe mbaron... po të hënën. Ritmi i punës për Llakajn është i tillë që mezi e lë "të marrë frymë". Shumë kërkesë, këmbëngulje, punë për të arritur e ndoshta... edhe nuk arrin. E thekson se e gjitha është një luftë për të arritur atë që do. E megjithatë, me gjithë momentet e pakta të "lirisë", e gjen kohën për familjen. Nuk mund të rrijë pa vrapuar drejt mbesës së tij të vogël, e cila pohon se ia ka mbushur ditët me lumturi, atij, gjyshit 48-vjeçar. Porse "pushimi" është vetëm në ditët e para të javës, kryesisht pasditeve, për të qenë kokë e këmbë i zhytur në punë gjatë fundjavës. Duhet të llogarisë edhe "zënien" e të dielës, pasi shpesh ka shfaqje ku duhet të shkojë e të sakrifikojë për hir të nevojave financiare. E krahas këtyre, sërish ajo që nuk i mungon është humori. Humor që e "gjen" kudo tek njerëzit që takon përditë, familja, prindërit, vëllezërit, motrat dhe shoqëria. E që pastaj i jep formë në personazhe, si: xha Temja, Aneja, Kania, Jorgaqi, Sali Berisha, Moisiu, etj.

"Një personazh nuk mund të jetë abstrakt, i krijuar thjesht si pjellë e fantazisë së artistit. Për shkak të moshës dhe kohës në të cilën ndodhem besoj se kam një lloj bagazhi jetësor, kështu të gjitha në një lloj mënyre kthehen në atë lloj produkti që e ka emrin humor", shprehet artisti i humorit, ndërsa shton se vërtet ka luajtur shumë personazhe, por realisht tek secili prej tyre ka investuar dhe është munduar t'i japë shpirtin dhe t'i jepet edhe fizikisht. Por jo të gjithë këto figura "ngjisin" njëlloj te publiku. Dhe në këtë drejtim Llakaj mund të veçojë figurën e xha Temes, "që krijoi një lloj autoriteti humoristik te publiku".

Gazeta Metropol
Mary
Mary
Anëtar elitë
Anëtar elitë
Regjistruar : 04/02/2008
Postime : 4917
Info : a good sense
Points : 51
Reputacioni : 50
Medalje Red Medalje Blu Medalje Green
https://zeriyt.albanianforum.net

Agron Llakaj: Nga "Portokallia" në një serial humori Empty Re: Agron Llakaj: Nga "Portokallia" në një serial humori

25th March 2008, 22:20
Agron Llakaj: nje nga humoristet me te mire dhe me te talentuar Shqiptar.
nardlushnja
nardlushnja
Anëtar i vlerësuar
Anëtar i vlerësuar
Regjistruar : 05/02/2008
Postime : 1232
Points : 16
Reputacioni : 14
Medalje Medalje2 Medalje3

Agron Llakaj: Nga "Portokallia" në një serial humori Empty Re: Agron Llakaj: Nga "Portokallia" në një serial humori

25th March 2008, 22:45
Te them te drejten Mary
Portokallia e suksesshme e A.LLakaj nuk me pelqen fare
Eshte kthyer ne nje porno humor
Sigurisht qe LLakaj eshte i talentuar,por ske ce do .
duam humor te paster
Mary
Mary
Anëtar elitë
Anëtar elitë
Regjistruar : 04/02/2008
Postime : 4917
Info : a good sense
Points : 51
Reputacioni : 50
Medalje Red Medalje Blu Medalje Green
https://zeriyt.albanianforum.net

Agron Llakaj: Nga "Portokallia" në një serial humori Empty Re: Agron Llakaj: Nga "Portokallia" në një serial humori

25th March 2008, 22:51
E nje mendje me ty jam dhe une Nardi....
Sponsored content

Agron Llakaj: Nga "Portokallia" në një serial humori Empty Re: Agron Llakaj: Nga "Portokallia" në një serial humori

Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi