Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Kristaq Shabani
Kristaq Shabani
Anëtar i vjetër
Anëtar i vjetër
Regjistruar : 19/11/2015
Postime : 733
Points : 1430
Reputacioni : 5
Medalje Medalje2 Medalje3
http://www.pegasiworld.com

     PETRIT PEÇI    “Ritet, këngët dhe vallet  ceremoniale të dasmës në krahinën e Zagorisë” studim ,     Empty PETRIT PEÇI “Ritet, këngët dhe vallet ceremoniale të dasmës në krahinën e Zagorisë” studim ,

24th August 2023, 23:05
Flag
                       PETRIT PEÇI
 
                 
 
         “Ritet, këngët dhe vallet
ceremoniale të dasmës në krahinën e Zagorisë”
                        studim
 
 
                       Zhej 1984
 
Martesa është një nga çastet më të rëndësishme në jetën e njeriut. Ajo shënon pikën më kulmore në jetë. Për këtë arsye, njerëzit e kanë parë dhe shohin si momentin, ku kryqëzohen dhe përmblidhen çastet më të rëndësishme të jetës dhe përmbajtjes së saj. Në komunitetin primitiv ishte diçka e ligjshme që motra të ishte grua e vëllait dhe vëllai të merrte motrën për grua.
Edhe në Zagori ka patur raste të pakta, kur një burrë merrte dy gra. Kjo gjë vetëm, kur gruaja e parë s'lindte fëmijë ose lindte vetëm vajza. (Se vajza ishte bukë e botës dhe s'linte bina).
Gruaja zagorite ishte e detyruar t’u bënte ballë punëve në bujqësi dhe blegtori, se ato ishin burimet kryesore për shtimin e ekonomisë familjare. Me prodhimet bujqësore dhe të ardhurat blegtorale, zagoritja do të mbante shtëpinë dhe do të rriste fëmijët. Prandaj edhe në Zagori, kur kërkonin nuse për djalë, kushti i parë ishte që ajo të ishte në moshë dhe e shëndetshme. Këtë na e thonë bukur vargjet:
Nuk dua nuse për sisë,
Po për punët e shtëpisë!
Koncepti popullor i bukurisë, ka, në vetvete, si kriter të parë, shëndetin. Poeti i madh popull e ka ironizuar zakonin e vjetër të martesës në moshë të vogël të djemëve në këtë këngë:
“Burri i vogël, moj kërcure,
As e lidh në djep e tunde” .
“Unë e tunda mot –mot,
Në këmbë s'e ngrita dot.
Mot -mot e gjysmë viti
Në këmbë s'u ngrit jeziti .
Mot -mot e gjashtë muaj,
Ecte me këmbë e me duar” .
Hidheni -priteni ,
Nga shkallët vërtiteni ...
Martesat në Zagori, para çlirimit, zakonisht, bëheshin brenda dhe jashtë fshatit, por brenda zonës. Për këtë shikohej në radhë të parë që familja e djalit, ku do të shkonte vajza, të ishte me shtëpi të mirë, me ara, me vreshta, me bagëti etj. Në Zagori, marrëdhëniet familjare martesore trajtoheshin kryesisht sipas normave të së drejtës zakonore. Rolin vendimtar e luanin interesat e shtëpisë.
Për të gjetur nusen e djalit, kujdesej i zoti i shtëpisë. Në të kaluarën, pak njihej termi “fejesë”. Në vend të tij përdorej fjala "zënie", ose shprehjet: "Zumë duart", "premë fjalën", "dhamë fjalën" etj. Mosha për zënien e vajzës ishte, kur ajo të mbushte 14 vjeç e lart dhe djali 16-18 vjeç. Zënia e vajzës ishte një marrëveshje ndërmjet prindërve të të rinjve për lidhjen e martesës së ardhshme. Nga ana e djalit dërgohej një i tretë i afërt, që të kërkonte vajzën.
Kur krushqitë bëheshin brenda fshatit dhe familjet njiheshin nga afër me njëra-tjetrën, zënia e vajzës quhej zënia e duarve midis kërkuesit dhe të zotëve të shtëpisë së vajzës. Pëlqimin e vajzës dhe të djalit nuk e kërkonin fare.
Kur krushqitë do të bëheshin jashtë fshatit, përgjigjja, nga ana e babait të vajzës, do të jepej për 15 ditë ose për një muaj. Po nuk binin në ujdi, nga ana e vajzës jepej aty për aty përgjigjja: "S'kam vajzë për të martuar! "
Zakonisht, ndërmjetësinë për zënien e vajzës, e merrnin njerëzit e familjes ose një i tretë, përsëri i afërm. Iniciativën për kërkesë e merrte gjithmonë pala e djalit. Kur fejesat bëheshin jashtë fshatit, një rol të madh luanin vajzat e martuara, të cilat bëheshin ndërmjetëse për martesën e motrës, kushërirave etj.
Në shumicën e rasteve, përgjigjja për zënien nuk jepej menjëherë. I zoti i shtëpisë do të pyeste për zënien e vajzës vëllazërinë dhe farefisin, të cilët, të gjithë së bashku, hetonin për shtëpinë dhe pasurinë e djalit.
Pasi jepej pëlqimi, caktohej dita e fejesës. Në Zagori për martesën e vajzave, ndiqej radha. Në fillim më e madhja dhe pastaj me radhë ...
Ndodhte, që, kur djali po të kishte motra, nuk martohej para tyre, edhe pse mund të ishte më i madh.
Që vajza të quhej e zënë, duhej, pa dyshim, të zhvillohej ceremonia e rastit, e cila  bëhej në shtëpinë e saj. Në fejesë dhëndri nuk shkonte, por, edhe vajza nuk u dilte përpara njerëzve të djalit. Njerëzit më të afërt të djalit i shpinin një unazë ose varëse floriri, lidhur në një shami dore.
Po nga ana e vajzës, atë ditë, me njerëzit e tij i dërgohej djalit një unazë floriri e lidhur në shami dhe disa karamele. Ky zakon quhet ai i "shkëmbimit të nishaneve".
Fejesat, zakonisht, bëheshin në pranverë dhe qëndronin të fejuar 6 muaj ose 1 vit. Por, në Zagori ka patur raste që qëndronin edhe 2-3 ose 5-vjet, kur djali kishte shkuar në kurbet. Gjatë gjithë kohës, kur rrinin të fejuar, ata, jo vetëm që s'i flisnin njëri-tjetrit, por vajza i shmangej edhe ndonjë takimi nga ana e djalit.
Djali, rrallëherë, i shoqëruar nga i ati ose e ëma shkonte për vizitë në shtëpinë e vajzës, por ajo nuk u dilte në sy. Gjatë periudhës qëndronin të fejuar, djali i dërgonte nuses një lambadhë (qiri )që ta ndizte në kishë për Pashkë të Madhe.
Në fejesë do të shkonin gjithmonë tek. Në rastet, kur numri ishte çift, merrnin dhe një djalë të vogël të bëhej tek. Po ashtu edhe dollitë ishin tek (3-5 ) ose 7 dolli. Këngët që këndonin këtë ditë lavdëronin nusen .Psh :
Kush ta hodhi ty sevdanë,
Moj lule beharit –o,
Babai që të kish pranë,
Të zgjodh nuse për evlanë .
ose :
Florinë që të dërgova
Moj çupë fodulleja,
Më thanë s'e begenise
Mblodhe shoqet më qesëndise .
 
Në ditën e shkëmbimit të nishaneve, caktohej edhe dita e dasmës. Dasmat zakonisht liheshin për në vjeshtë. Në atë kohë, njerëzit kanë mbaruar punët bujqësore, kanë mbledhur prodhimet e vitit dhe mishërat janë më të majmë. Dasma fillonte në javë dhe mbaronte në javë. Sinjali i dasmës ishte një e shtënë pushke, nga të dyja palët .
Të Dielën e parë, nga ana e djalit vinin 3 ose 5 gra dhe i çonin nuses mjetet e tualetit: sapun fytyre, pasqyrë, krehër, karfica ,vathë, varëse dhe ndonjë stoli tjetër. Me këto nusja do të përgatitej dhe stolisej gjatë gjithë javës, deri të dielën e ardhshme, kur do të dilte nga shtëpia e saj. Kënga popullore jep thjesht, qartë dhe bukur ceremoninë e kësaj dite:
“A e more ç'të dërgova
Hanko lule -verdhës -o ?”
“Unë e mora ç'më dërgove,
Babait i lumtë dora!
Nënës i lumtë dora!”
 
Çdo mbrëmje, nga e hëna deri të enjte, pasi dëgjonin sinjalin e pushkës, fshati vinte dhe uronte si te djali dhe te vajza dhe këndonin veç burrat dhe veç gratë. 
Këngët që këndoheshin ishin nga më të ndryshmet. Ato janë epike, të thjeshta dhe emocionale, janë një thesar i shkëlqyer që populli ynë i ka trashëguar brez pas brezi.
Ja si i këndohej djalit ditën e fillimit të dasmës :
“Pse je verdhë e bërë ftua,
O djalë more?”
“Vajzë nga hallet e tua,
Vajzë o lule !”
“Pse s'martohesh të març grua,
O djalë more?”
“Grua me mardha nuk dua,
Vajzë o lule !”
“Vre tim zot e merrëm mua,
O djalë more!”
 
Ndërsa në shtëpinë e vajzës këndohej:
“Vajzë, të erdhi koha,
Të martohesh –o”.
“Dale, bandill, dale,
Jam e vogël –o...
Jam e vogël shumë,
Turpërohem –o.
Sa të vë të bardhë,
Të zbardhohem -o .
Sa të vë të kuqtë,
Të kuqohem –o!
Dale bandill dale,
Jam e vogël –o!”
Ose :
Lule ti, lule jot ëmë,
Lule-lule moj lule!
Xhevahir kush të ka bërë
Hasha -hasha në t’u ndafsha,
Si lisi në mal u thafsha
Më çafshin më bëfshin ashra,
Më bëfshin sënduq për vasha!
Më çafshin më bëfshin dhoga,
Më bëfshin sënduq për zonja!
 
Të hënën në mëngjes, nga ana e djalit niseshin dy kafshë të ngarkuara me grurë që të bluanin në mulli. Nga mielli i bluar do të gatuheshin dy kuleçë. Hanin ata që ishin në mulli dhe u jepin nga pak dhe kë gjenin rrugës, derisa vinin në shtëpi.
Në kohën që shkarkonin grurin, gratë këndonin:
Lumthi, ti, more mulli,
Bluan grurë e kutruli,
E bluan për hairli!
 
Duke filluar nga e hëna deri të shtunën të afërmit dhe fshati i vinin vajzës me kulaç, vezë, arrë, mjaltë e tjerë. Vajza, gjatë gjithë javës, duhet të hante ushqim të thatë. Madje, dhe ditën e shtunë që thernin e piqnin mishërat për darkën e saj, ajo s’vinte gjë në gojë. Ditën e enjte, në mbrëmje, nga pala e djalit zihej brumi dhe këndohej kënga:
Tarna- nana brumët-o,
Me mjaltë e me qumësht-o!
Kush e ka gatuar-o,
Të lyejmë dhëndrin-o,
Të na trashëgohet-o!
Të lyejmë dhëndrin-o,
Të na trashëgohet-o!
 
Ashtu, sikundërse thuhet edhe në vargjet e këngës, me atë brumë nuni lyente dhëndrin, që në shtëpinë e tij gjitha jeta t’i shkonte me bollëk. Dasma ndihej më me forcë nga ana e djalit.
 E enjtja ishte dita e druve. Gratë zagorite shkonin për dru të thata me kafshë në mal, por ngarkoheshin edhe vetë. Në pyll prenin edhe një degë lisi dhe e zbukuronin, kur vinin në shtëpi të dhëndërit. Sajonin dhe një kukull dhe i hipnin dhe i shkisnin mbi shtëpi duke kënduar:
 
Hipi lisi mbi shtëpi,
Kokërr vogla lajthi.
Nëma, baba, darovinë,
Se të thyejmë shtëpinë.
Në mos ke, o derdimen,
Vure plakën rehem!
 
Në mbrëmje, kur mblidheshin njerëzit “nusen kukull” gratë e çonin në dhomën e burrave dhe i këndonin këngën;
Darovitna nusen-o, zoti ynë...
Ose: Darovitna nusen-o, o xhaxhi ynë...
Me këtë siguronin disa të holla për gratë që organizonin lojën.
Të premten, si te vajza dhe te djali, mblidheshin uronin e këndonin 2-3 orë dhe secili shkonte në shtëpinë e tij. Aty, këndoheshin këngët e zakonshme të dasmës si:
 
Këndon një bilbil në portë,
Mbani vesh se ç’këngë thotë,
I zoti i shtëpisë rroftë,
Dasma me hair na qoftë,
Me gjithë miq e me gjithë shokë
Dhe gazi iu trashëgoftë!
 
Ose:
Më rrite baba , më rrite,
Erdhi koha dhe më shite
Më shite, more i “mjerë”,
Kësmet më patën të tjerë!  
 
Ose:
Moj e vogëla një çikë, e vogël-o,
Rritu, rritu, mos ki frikë, e vogël-o.
Kemi lindur në një ditë, e vogël-o.
Në një ditë kemi lerë,
Dielli me ylyberë, e vogël-o!
 
Ose:
Moj unaza me tre gurë,
 Ti s’e kishe shtirë kurrë,
Të merrje të tillë burrë!
Të merrje të tillë djalë,
Tri lira i ka një fjalë!
Tri lira një napoleon
Surrat shkruara si zonjë!
 
Të shtunën, ditën, nga ana e djalit, shpihej paja e nuses. Kur dasma bëhej brenda fshatit në grupin e grave dhe burrave  që çonte pajën ishte dhe një djalë i vogël 12 vjeç, i cili mbante mbi kokë gjithë rrugës kanistrën me rrobat  e nuses.
Nusej i çohej  kostumi vënçe, këpucë, çorape, shami koke, xhoke, rrip  mezi (brez), ombrellë e të gjitha ndërresat e brendshme. Në çuarjen e pajës vinin rreth  10 burra e 2-3 gra të moshuara. Bëheshin 5-7 dolli. Në këtë ditë merrte pjesë dhe  nuni dhe prifti i fshatit. Nuni  kryesonte dollinë. Nuna e djalit nga dhoma e grave i dorëzonte një nga një gjithë rrobat  e pajës nunës së vajzës. Ceremonia është e njëjtë me atë të fejesës. Nga të dy palët këndoheshin këngë, ku lavdëroheshin  nusja  dhe dhëndri.
Shembull:
“Ç‘ të dërgoi babai tynë,
Lirë, o lirë, o pendolirë...”.
“Më dërgoni fustan të mirë,
Më dërgoni fustan të mirë,
Më dërgoi shami të mirë,
Më dërgoi shami të mirë”.
 
Pas dollive krushqit e pajës, iknin. Të shtunën, te shtëpia e vajzës  vinin sigjenia e saj që ishin ftuar për darkë. Sipa zakonit,  sillnin me vete dhe bukët e dasmës. Gjithashtu dhe nga një darovë. (Të holla ose veshëmbathje). Në këngët që këndojnë këtë darkë përshkruhen ato çaste mallëngjyese, kur të nesërmen vajza do të ndahej nga prindërit, nga të afërmit e saj dhe i vjen mall për fshatin, për shtëpinë, për njerëzit.
Ja disa vargje:
 
“Kur u rrite u bëre kaq,
Xhan- xhan, moj manushaqe!
Në këto malet e larta,
Hëngre bukë a s’hëngre fare...”.
“Hëngra bukë e piva verë...
Fryjti një e madhe erë...
Më hodhi në proto derë...”.
 
Ose:
“Ç‘punë më punove sot,
Nuse, tumba borzilok?”
“Sot e gjithë javën-o
Qep e qendis pajën –o!”
 
Ose:
Moj e holla si zinxhiri,
Të gënjeu djalë veziri,
Me një rreth e rreth floriri,
Me një  rreth e rreth unaze,
Unaza thyhet vetë,
Po djali me ty, shkon jetë.
 
Ditën e shtunë  vinin edhe të ftuarit me mish nga ana  e djalit si: xhaxhallarët, motrat, vëllezërit, dajëllarët e tjerë. Në ballë shkonte dashi i nunit e pastaj të tjerët me berra në këmbë (të patherur)
 
 Dëgjohej kënga:
 
Erdhi nuni me peshqesh
Dhe na solli dy-tre desh,
Erdhi dajua me peshqesh
Dhe na solli dy-tre desh...
E kështu me radhë...
 
Por, për të ftuarit me mish edhe nga ana  e djalit përgatitej darkë të shtunë mbrëma. Përdorej fjala “hua”, domethënë “T’ua shpërblejmë në derën Tuaj!”
Ditën e diel dasma arrin në pikën më kulmore. Vajzës, e cila këtë ditë është veshur me rrobat e nusërisë dhe do të niset nuse, vijnë dhe e darovitin me të holla a me sende të ndryshme të afërmit, fshatarët, shokët dhe shoqet e saj. Çaste shumë mallëngjyese. Këngët që i  këndohen nuses këto çaste janë  të bukura dhe shumë të goditura. Nëpërmjet këtyre këngëve, ata e porositin vajzën që të sillet mirë në shtëpinë e burrit të jetë e dashur dhe e bindur.
 
Ik, o vajzë e të bësh mirë,
Të mos turpërosh njerëzinë,
Nënën e babanë e mire.
Ne, atje, kur të vimë,
Me nder ta pimë rakinë.
Kur të vimë, ndonjëherë,
Me nder ta pimë kafenë!
 
Ose:
 
Në shaminë tënde, tri pika të kuqe,
Si s’të erdhi keq, moj xhane,
Kur dole me të te shkalla,
Ç‘u këput një yll nga hëna,
U nda bijëza nga nëna!
 
Ndonjë  nga pala e krushqve  ia merrte:
Harro përkëdheljet-o, o nusja jonë,
 Se te ne s’të shkojnë, o nusja jonë!
Kemi babanë huqelli, o nusja jonë,
E mban shkopin në avlli, o nusja jonë.
Kemi nënën xanxare, o nusja jonë,
E mban thuprën në kamare, o nusja jonë.
 
Edhe nga ana e djalit, qysh në mëngjes bëheshin përgatitjet për të marrë nusen. Dy nuse të reja shkonin dhe mbushnin ujë të freskët në krua për të rruar dhëndrin.  Atë e qethte dhe e rruante një djalë që kishte baba, nënë, motra dhe vëllezër. Ulja e dhëndrit në karrike, shoqërohej me këngë nga burrat dhe gratë:
 
Berberi që rroi mbrenë,
Erdhi rroi dhe Mitro benë.
Ku e ka briskun e argjentë?
S’qenka  berber për të qenë!
Ç‘t’u bëjmë berberët drekë?
Byrekun me dyzet petë.
 
Legenin në fund e merrni disa fëmijë dhe e shëtisnin duke kënduar:
 
 Revani- reshedi,
Nuni ynë një flori,
Xhaxhai ynë një flori.
O jalla,  ia paçim hua
Me dasmë e poganik...
 
Që të gjithë sa qenë  atje, hidhnin ne legenin me ujë të holla dhe këto i merrnin fëmijët. Pasi rruhej, qethej e lahej, dhëndri vishej për t’u nisur për të marrë nusen.

Zhvish rrobat e djalërisë,
Hidhi nga fundi i shtëpisë,
Vish ato të dhëndërisë,
Se djalë s’të thonë burrë,
Se ju thonë grua e burrë.
 
Dhëndri, në fillim, do të takonte të zotët e shtëpisë nunin dhe gjithë të ftuarit. Në prag të derës së shtëpisë i vihej një enë me ujë që ai para se të dilte, i binte me këmbë dhe e derdhte. Në krye të krushqve që shkonin për të marrë nusen, ishte nuni. Në ato moment, në pragun  e portës thernin dashin e nunit dhe këtë dhëndri e kapërcente dy herë.
Kur dasma bëhej brenda fshatit, shkonin me këmbë. Po të ishte në fshatra të tjerë shkonin me mushka, duke i stolisur me të gjitha të duhurat në veçanti atë të djalit, nuses, nunit e tjerë. Nisja e dhëndrit për të marrë  nusen bëhej me këngë dhe të shtëna pushkësh:
 
Uratë të kesh , o bir,
Sa lule në Trebeshinë,
Aq të mira të kesh tine!
Sa lule që ka çairi,
Aq urata, o Gjergj çairi!
 
Kur afroheshin krushqit pranë shtëpisë së nuses këndonin:
 
Ku e ka krushku shtëpinë?
Te porta me llambarinë,
Te ballkoni me dafinë.
Prina, mollë e kuqe, prina,
Se vjen Mitro beu me trima!
 
Ose:
 
Jemi nisur që prëmë,
Nuse zerdeli argjentë,
Matëm rrugëm me pëllëmbë
Shtëpinë e krushkut s’e gjejmë.
Krushkut mos t’i vijë rëndë
Se s’i erdhëm për të ngrënë.
Të marrim njeriun tënë...
Ç‘ka sokaku që gjëmon,
O lejmon, more  lejmon?
Djali unë dhëndër shkon,
O lejmon, more lejmon.
Udhë e mbarë e gjer në vend,
Të shkeltë  këmba argjend,
Udhë e mbarë gjer në shtëpi,
Të shkeltë këmba në flori!
Gjithë të ftuarit e vajzës dilnin në oborr dhe prisnin krushqit duke thënë: “ Mirësenaurdhëruat, o krushq!” Përgjigja: “Të trashëgohen!” Hynin burrat në dhomën e tyre, gratë te nusja dhe bënin vetëm tri dolli. Dollia  e parë e çiftit, e dyta e njerëzve të djalit, e treta e njerëzve të nuses. Gjatë kohës që ngriheshin dollitë e çiftit, nuni dajua, ndonjë nga xhaxhallarët shkonin në dhomën e grave për të parë nusen dhe darovitnin me ndonjë flori, varse, kryq a sende të tjera.
Në këtë kohë krushqit këndonin:
 
Erdhi nuni e të pa,
“Broj mashalla! “ - të tha.
Moj, vallë, ç’të daroviti?
Ç‘të daroviti , moj zonjë,
Të vari pendolironë!
 
Në kohën, kur ngrihej dollia për shëndetin e prindërve të vajzës, nuni i djalit hidhte një napoleon flori. Gjithë dollia dhe muhabeti kalonin në këngë:
 
Më rrite, baba, më rrite,
Erdhi koha dhe më shite,
Më  rrite , more i mjerë,
Kismet patën të tjerë!
 
Në dasmë u këndohej dhe përgatitjeve  të trapezës:
 
Kjo sufraja veseli, veseli,
Ç‘na ujdisi kjo krushqi,
Të dy palët okllaxhinj,...
Mezet lloji – lloji,
Krushkat na bëjnë timinë,
Të gjitha në këmbë na rrinë.
Të bukurat nikoqire
Kanë therur cjap me zile.
 
Në krye të trapezes, si te vajza dhe te djali, ishte dhe prifti.
 Në kohën që krushqit dilnin në oborr, nusen e sillnin tri herë rrotull tavolinës që ishte shtruar për krushqit. Te pragu i derës i vinin një  tas me ujë që ta derdhte kur të dilte.
Udhë e mbarë, moj bijë,
Të bëhesh e mirë,
Mos bëhesh si bota,
Se s’të qas te porta.
Udhë e mbarë e gjer në vend,
Të shkeltë këmba argjend!
 
Ose:
 
“Dil moj dil, apo s’të lënë,
 sos je yll e sos je hënë,
sos je mollë për të ngrënë”.
“Mollë jam, por nuk më hanë,
se më ruajnë për pashanë!”
 
Ngre nuse obrellën ngre,
Bëju selam krushqëve,
Shoqeve selam t’u thuaç
Të të thonë : “U trashëguaç!”
E kur shikonin që nusja s’po dilte akoma këndonin:
Dil, moj dil, të plastë koka,
Se mbetën krushqit te porta.
Dil, moj dil, të plastë xhani,
Se mbë’udhë të pret karvani.
Vajzën e nxirrte nga shtëpia xhaxhai ose ndonjë nga të afërmit e tjerë si vëllezër, kushërinj e tjerë.
Ata e përcillnin deri te vendi i caktuar, në të dalë të fshatit.
Krushqit këndonin:
 Gjer këtu e ke lezenë,
O babai i nuses-o!
Në daç eja dhe me ne,
o babai i nuses-o.
Merre, moj, babanë prapa,
Ta nisim çoban me pata.
 
Në këtë kohë, pala e nuses u përgjigjej:
O krushq mos t’u marrë data,
Se ne s’iu rrimë nga prapa.
Do të përcjellim njerinë,
Gjer ku kemi kadiminë!
Te vendi i caktuar, vajza takohej me prindërit dhe të afërmit dhe, e shoqëruar nga një grua, u dorëzohej krushqëve, të cilët, po të ishte rruga në fshat tjetër, e hipnin në mushkën  që kishin përgatitur për të. Sipas zakonit, tani, krushqit, që kishin marrë nusen duhej të ndryshonin udhën, domethënë të kalonin nga një udhë tjetër. Kur në mes të rrugës takonin dy palë krushq, krushqit më të afërt u lironin rrugën krushqëve më të largët. Krushqit, kur i afroheshin fshatit, përsëri shtinin me armë, sinjal ky që arritëm me nuse dhe shkonin në kishë për të vënë kurorë. Nëse, për ndonjë arsye, krushqia do të prishej, përsëri heqja e kurorës do të bëhej në kishë në prani të nunit dhe të prindërve të djalit dhe të vajzës. Kurorën e vinte nuni i djalit, prandaj dhe kënga thotë:
Nuni që vuri kurorë,
Pagëzoftë dhe me dorë!
Nuni, sipas zakonit do të pagëzonte me dorën e vetë dhe fëmijët që do të lindte çifti i ri. Pasi dilnin nga kisha, rruga buçiste përsëri:
 
 Ç‘ka që po na gjëmon sokaku,
Djalë e nuse si bajraku!
Dilni, moj mëhallë e madhe,
Djali zog, nusja sorkadhe
Ju në mos besoni,
Dilni dhe shikoni,
Djalin dhe nusenë,
Dy zogj në ombrellë.
 
Ose:
Vërtet vamë dhe u munduam,
Po ditëm se ç’nuse suallmë.
Muarrmë nuse sheperjote,
Të bukur , porsi suljote.
 
Dil , moj nënë, dil,
Dile e bëj sehir,
Seç të bie djali,
Një thëllëzë mali,
Një zogëz behari.
 
Kur i afroheshin  shtëpisë këndonin:
 
Dil, o baba, nga shtëpia,
Se po të vijnë fëmija,
djalin me nusen e tija.
 
Kur hynin në oborr, dhëndrit dhe nuses u hidhnin mbi kokë grurë ose oriz të përzier me lesh të grirë e sheqer, se në këtë mënyrë do të shtoheshin si fijet e leshit dhe nusja do të  ishte e ëmbël me njerëzit e shtëpisë.
 Sipas zakonit, kur të hynte te pragu i portës, nusja do të hidhte  këmbën e djathtë të parën dhe i këndonin:
Ku hodhe këmbën e parë,
Të rënçin dhëmbë dhe dhëmballë!
Te pragu i derës së shtëpisë nusen e prisnin nuna e djalit e gra  të tjera me një filxhan me mjaltë në dorë. Nusja i fuste gishtrinjtë në mjaltë dhe lyente derën e shtëpisë në formë kryqi. Gratë këndonin:
 
Lyeji duart me mjaltë,
O Xhiko nuse,
Të mëlcosh brenda e jashtë,
O Xhiko nuse.
 
Pas këtij riti i hidhnin mbi kokë një peshqir të bardhë dhe i vendosnin nën sqetull dy bukë të grynjta që nusja të ishte e bindur ndaj prindërve, gojëëmbël, të plakej në atë shtëpi dhe të ishte këmbëmbarë. Kur hynte në shtëpi,   ajo takonte të zotët e shtëpisë, u merrte dorën dhe pastaj do të nusëronte në dhomën e grave. Nusja do të ulej vetëm me urdhër të krushqëve dhe do të ngrihej në këmbë, sa herë hynte apo dilte njeri  nga dhoma e grave. Nga dhoma e burrave fillonte dollia. Bëheshin atë darkë  3,5 deri në 7 dolli, sipas numrit të të ftuarve. Gjithë muhabeti shoqërohej me këngë. Dhendri do t’u serviste rakinë, do t’u jepte ujë sa herë që të kërkonin krushqit, domethënë do të qëndronte në këmbë gjatë gjithë muhabetit.
Këngët nuk pushonin si nga dhoma  e burrave dhe e grave:
 
Pse m’i mban sytë përdhe,
Moj faqja portokalle,
Turp të vjen apo frikë ke?
Ti mos as turp as frikë,
Ne s’të marrim për një ditë,
Të marrim për jetë  gjithë!
 
Ose:
 Dola një ditë në lëmë,
Bëja sehir gjithë vëndë,
Djali yll e nusja hënë,
Se kishin veshur takëmnë,
 Që në kokë e gjer në këmbë.
Gjoksin me gjerdanë zënë
Dhe  një çikë që kish lënë,
Zbardhte si hëna në lëmë!
 
Ose:
Manushaqe e prillit
Në mes të dëborës,
Si lum  kush e mori,
Selvinë e Topovës!
 
Pasi mbaronte dollia, shtrohej buka; zakonisht përdoreshin si gjellëra: paçaja, kaurmaja, jahni me mish  dhe në fund mishi i pjekur. Pas burrave, hanin  gratë dhe fëmijët në dhomën e tyre. Shumë interesante më pas ishte zënia e nuses dhe dhëndrit në valle. Vallet, në këtë rast, shoqëroheshin me këngë. Nusja do t’ia mbante dhëndrit, dhëndri nuses e kështu të gjithë të afërmit do të kërcenin vënçe dhe vallen do t’iu mbante nusja.
Djalit i këndonin:
 
Mengadale vallen- o, more  Mitro,
Se na ngrihet pluhur-o, o more Çelo,
Pluhuros kostumet-o, o more Çelo!...
 
Ose:
Gjerdani mirë me lira,
Nga oxhaku del e mira.
Çupë e sojme, çupë fisi
E hollë si qiparisi
Tetëqind lira më bastisi!
 
Ose:
Vrenjtur e po bie shi,
Më rri e mira karshi,
Them, ta marr, ta zë në valle,
I ra zali e mbeti fare.
Pse të ra zali, o lumë?
Sikur s’jemi pjekur kurrë.
Ne pjekur kemi qenë
Bukë bashkë kemi ngrënë.
 Pasi mbaronte dhe zënia e nuses dhe dhëndrit në valle dhe heqja e valles nga të gjithë, të afërmit shpërndaheshin për të fjetur. Të ftuarit e largët i merrnin për të fjetur  fisi i dhëndrit, mëhalla e tjerë. Të hënën në mëngjes do të vinin përsëri në shtëpinë e dhëndrit dhe, në kohën që nusja u jepte llokumen, e darovitnin me të holla, sipas dëshirës. Nusja dhe dhëndri nuk do të harronin të shkonin për të mbushur ujë në krua. Në enët që
mbushnin me ujë të freskët hidhnin dhe disa monedha dhe me këtë ujë, ajo do të gatuante kulaçin. Nga ky kulaç, i cili  quhej i nuses do të hanin nga një kafshitë të gjithë. Po të hënën, në darkë, të zotët e shtëpisë shtronin darkë për akçinjtë  dhe  për të   gjithë të afërmit që kishin vajtur me mish.  Ditën e hënë ditën vinin për të parë vajzën njerëzit e nuses dhe sillnin edhe sënduqin me pajën e saj. Përveçse rrobave të saj që i kishin bërë prindërit apo farefisi i saj, ajo kishte përgatitur  me duart e saj rroba leshi si: çorape, bluza, triko, fusta prej leshi dhe me duart e saj  ua jepte peshqesh njerëzve të dhëndrit dhe fëmijëve të shtëpisë.
Ditën e shtunë djali me nusen, me prindër e ndonjë nga motrat a vëllezërit do të shkonte  në “të parë” në shtëpinë e vajzës. Dhëndrin e nderonin më tepër duke i vënë përpara një kokosh të zier të pandarë dhe një kulaç, të cilin do ta thyente e t’ua ndante të gjithëve.Kur iknin, me vete u vinin një bukë furre dhe një shpatull me mish të pjekur. Kjo bëhej për të këmbyer bukën dhe quhej: “ Bukë e embël e pandarë”.
 
Në këtë mënyrë i jepej  fund gjithë ceremonialit të dasmës.
Zhej më 17.02.1984
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
Petrit Koço Peçi
 
Lindi në Zhej të krahinës Zagori, Gjirokastër, në vitin 1948. Mbaroi shkollën shtaëvjeçare në Zhej dhe mandej vijoi shkollën pegadogjike  në Vlorë. Pas përfundimit të studimeve të mesme,  vijoi studimet  në Institutin dyvjeçar “Aleksandër Xhuvani”, në Tiranë, fakulteti Gjuhë – Letërsi.
Gjatë kësaj periudhe, falë talentit të tij në përdorim të instrumentave muzikore,  kreu kursin për fizarmonikë pranë Pallatit të Kulturës Tiranë. Pas përfundimit të studimeve,   u emërua mësues në shkollën 8 vjeçare në  Suhë, Gjirokastër, në vitin shkollor 1968-1969. Petriti këtu  i dha nxitje veprimtarisë kulturore - artistike   të shkollës  dhe organizatës së  saj  të rinisë. Pas këtij viti shkollor, u transferua në shkollën 8 vjeçare “Pano Xhamballo” në Zhej, ku ushtroi profesionin, deri në largimin e tij të parakohshëm  nga jeta, në cilën u shqua si mësues niveli. Gjatë kësaj kohe, përfundoi studimet e larta në Universitetin e Shkodrës, pa shkëputje nga puna.
Po kështu, gjatë kësaj periudhe, ai ndërmori hulumtime, studime për folklorin zagorit, pasi kishte  një pasion  të madh dhe prirje në grumbullimin e  pasurisë folklorike të trevës. Si rrjedhojë e kësaj pune pasionante, ai grumbulloi mjaft pasuri folklorike  si: këngë, bejte, gjëegjëza, përralla, thënie të moçme  e tjerë. Rëndësi e veçantë ishte puna e tij për traditat, doket, zakonet e trevës. Synimi i tij ishte botimi i një libri të veçantë me këtë pasuri, por, ai u largua shpejt nga jeta  dhe disa nga punimet e tij u përdorën pa kriter nga të tjerët. 
Në librin “Larg e afër...”  të vajzës së tij, Majlinda (Marina) Peçi, në shenjë respekti e nderimi të punës së tij,  është pasqyruar një pjesë e kësaj pune vitale  të këtij studiuesi e titulluar:  “Ritet, këngët dhe vallet  ceremoniale të dasmës në krahinën e Zagorisë” studim, Zhej 1984, shoqëruar me një përsiaje dinamike.
Do të bëhet çmos që, në të ardhmen, të gjenden punimet e tij kontributive  dhe t’i ofrohen lexuesve dhe pasionantëve të folklorit, një shërbesë kjo e spikatur kualitative për pasurimin e thesarit zagorit me punimet e të këtij studiuesi. 
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi