Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Katoliku
Katoliku
Fillestar
Fillestar
Regjistruar : 05/10/2008
Postime : 11
Points : 2
Reputacioni : 2
Medalje2 Medalje3

Besëlidhja e Re Empty Besëlidhja e Re

5th October 2008, 18:46
Mateu: 1. Breznitë e Jezu Krishtit si njeri

1

1 Breznitë e Jezu Krishtit, të birit të Davidit,

të birit të Abrahamit.

2 Abrahamit i lindi Izaku.

Izakut i lindi Jakobi.

Jakobit i lindi Juda dhe vëllezërit e tij.

3 Judës i lindi prej Tamarës Faresi dhe Zara.

Faresit i lindi Esromi.

Esromit i lindi Arami.

4 Aramit i lindi Aminadabi.

Aminadabit i lindi Naasoni.

Naasonit i lindi Salmoni.

5 Salmonit i lindi prej Rahabës Boozi.

Boozit i lindi prej Rutës Jobedi.

Jobedit i lindi Jeseu.

6 Jeseut i lindi Davidi mbret.

Davidit i lindi prej ish‑gruas së Urisë Salomoni.

7 Salomonit i lindi Roboami.

Roboamit i lindi Abiai.

Abiait i lindi Asafi.

8 Asafit i lindi Jozafati.

Jozafatit i lindi Jorami.

Joramit i lindi Ozia.

9 Ozisë i lindi Joatami.

Joatamit i lindi Akazi.

Akazit i lindi Ezekia.

10 Ezekisë i lindi Manaseu.

Manaseut i lindi Amosi.

Amosit i lindi Jozia.

11 Jozisë i lindi Jehonia dhe vëllezërit e tij në kohën e shpërnguljes në Babiloni.

12 Pas shpërnguljes në Babiloni,

Jehonisë i lindi Salatieli.

Salatielit i lindi Zorobabeli.

13 Zorobabelit i lindi Abiudi.

Abiudit i lindi Eliakimi.

Eliakimit i lindi Azori.

14 Azorit i lindi Sadoku.

Sadokut i lindi Akimi.

Akimit i lindi Eliudi.

15 Eliudit i lindi Eleazari.

Eleazarit i lindi Matani.

Matanit i lindi Jakobi.

16 Jakobit i lindi Jozefi, fati i Marisë,

prej së cilës lindi Jezusi që quhet Krisht.

17 Gjithsej, pra, katërmbëdhjetë brezni prej Abrahamit deri te Davidi; prej Davidit deri në shpërnguljen në Babiloni katërmbëdhjetë brezni; e prej shpërnguljes në Babiloni deri te Krishti katërmbëdhjetë brezni.

Lindja e Jezu Krishtit

(Lk 2, 1 ‑ 7)

18 Lindja e Jezu Krishtit ndodhi kështu:

Maria, nëna e tij, pasi u fejua me Jozefin, para se të banonin së bashku, u gjend shtatzënë për virtyt të Shpirtit Shenjt.

19 Tashti Jozefi, i fejuari i saj, pasi ishte njeri i drejtë e nuk donte ta çnderonte botërisht, mendoi ta linte fshehtazi. 20 Posa në mendjen e vet vendosi të bëjë kështu, ja, iu duk në ëndërr engjëlli i Zotit dhe i tha: “Jozef, biri i Davidit, mos ki frikë ta marrësh Marinë, të fejuarën tënde, sepse foshnja që është zënë në të, u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt. 21 Ajo do të lindë djalë e ti ngjitja emrin Jezus, sepse Ai do ta shëlbojë popullin e vet prej mëkateve të tij.” 22 E gjithë kjo ndodhi që të shkonte në vend fjala e Zotit e thënë nëpërmjet profetit:

23 “Ja, Virgjëra do të mbesë shtatzënë e do të lindë një djalë,

të cilit do t’ia ngjesin emrin Emanuel ‑

që do të thotë: Hyji me ne!”

24 Jozefi, si u zgjua nga gjumi, bëri siç i urdhëroi engjëlli i Zotit: e mori në shtëpi të fejuarën e vet. 25 E, pa pasur marrëdhënie martesore me të, ajo lindi djalin, të cilit ia ngjiti emrin Jezus.
Katoliku
Katoliku
Fillestar
Fillestar
Regjistruar : 05/10/2008
Postime : 11
Points : 2
Reputacioni : 2
Medalje2 Medalje3

Besëlidhja e Re Empty Re: Besëlidhja e Re

5th October 2008, 18:47
Mateu: 2. Vizita e Dijetarëve

2
1 Pasi Jezusi lindi në Betlehemin e Judesë, në kohën e mbretit Herod, ja, prej Lindjes ia behën në Jerusalem disa Dijetarë, 2 e pyetën: “Ku është foshnja e lindur, që do të bëhet mbreti i judenjve. Sepse e pamë yllin e tij duke lindur dhe erdhëm t’i shprehim nderimet tona.”
3 Mbreti Herod, posa i dëgjoi këto fjalë, u shqetësua vetë e me të edhe mbarë Jerusalemi. 4 I bashkoi të gjithë kryepriftërinjtë e skribët e popullit dhe i pyeti se ku duhej të lindte Mesia. 5 Ata iu përgjigjën: “Në Betlehemin e Judesë, sepse kështu ka shkruar profeti:
6 “E ti, o Betlehem tokë e Judës,
ti nuk je kurrsesi më i parëndësishmi
ndër qytetet princërore të Judës,
sepse prej teje do të dalë prijësi,
që do ta udhëheqë popullin tim, Izraelin.”
7 Atëherë Herodi i thirri fshehtazi Dijetarët dhe me kujdes mori hetime prej tyre rreth kohës kur u ishte dukur ylli. Pastaj i dërgoi në Betlehem duke u thënë: 8 “Shkoni dhe bëni me kujdes kërkime rreth fëmijës. Kur ta gjeni, më lajmëroni që të vij edhe vetë e t’i shpreh nderimet e mia.”
9 Ata, si e dëgjuan mbretin, u nisën. Dhe ja, ylli që kishin parë në lindjen e tij, u shkonte përpara derisa zuri vend aty ku ishte fëmija. 10 Ata, kur e panë yllin, u bënë shend e verë. 11 E, si hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marinë, të ëmën e tij, ranë përmbys dhe i shprehën nderimet e tyre. Pastaj hapën thesaret e veta e i dhuruan: ar, kem e mirrnë. 12 Të mësuar në ëndërr prej Hyjit të mos ktheheshin te Herodi, u kthyen një rruge tjetër në vendin e vet.
Ikja në Egjipt
13 Pasi u nisën Dijetarët, ja se, engjëlli i Zotit iu dëftua në ëndërr Jozefit e i tha: “Çohu, merre fëmijën dhe të ëmën e tij e ik në Egjipt. Rri atje derisa të them unë, sepse Herodi do ta kërkojë fëmijën për ta vrarë.” 14 Ky u çua, natën e mori fëmijën dhe të ëmën e tij e shkoi në Egjipt. 15 Banoi atje derisa vdiq Herodi që të plotësohej fjala e Zotit e thënë me gojë të profetit: “Nga Egjipti e thirra Birin tim.”
Vrasja e fëmijëve të pafajshëm
16 Atëherë Herodi, kur pa se e mashtruan Dijetarët, u zemërua së tepërmi dhe urdhëroi të vriteshin të gjithë fëmijët meshkuj që ishin në Betlehem dhe në mbarë rrethinën e tij dy vjeç e poshtë ‑ sipas kohës që me kujdes e mori vesh nga Dijetarët.
17 Atëherë u plotësua fjala e Jeremisë profet:
18 “U dëgjua një klithmë në Ramë
‑ vaj e gjëmë e madhe:
vajton Rakela fëmijët e vet
e nuk do të pajtohet ‑ sepse nuk i ka më!”
Kthimi nga Egjipti
19 Kur vdiq Herodi, engjëlli i Zotit iu duk në ëndërr Jozefit në Egjipt 20 dhe i tha: “Çohu, merre fëmijën dhe të ëmën e tij e shko në dhe të Izraelit, sepse vdiqën ata që kërkonin t’ia merrnin jetën djalit.”
21 Atëherë ai u çua, mori fëmijën e të ëmën e tij dhe shkoi në dhe të Izraelit. 22 Por, si mori vesh se në Jude mbretëronte Arkelau në vend të Herodit, të atit, pati frikë të shkojë atje; dhe i mësuar në ëndërr prej Hyjit, shkoi në krahinën e Galilesë. 23 Si arriti atje, zuri vend në një qytet që quhet Nazaret, për t’u plotësuar fjala që thanë profetët: Do të quhet Nazarenas.
Katoliku
Katoliku
Fillestar
Fillestar
Regjistruar : 05/10/2008
Postime : 11
Points : 2
Reputacioni : 2
Medalje2 Medalje3

Besëlidhja e Re Empty Re: Besëlidhja e Re

5th October 2008, 18:48
Mateu: 3. Predikimi i Gjon Pagëzuesit

3
1 Në ato ditë u duk Gjon Pagëzuesi duke predikuar në shkretëtirën e Judesë 2 e thoshte: “Kthehuni se u afrua Mbretëria e qiellit!”
3 Dhe, njëmend, ky është ai për të cilin parafoli Isaia kur tha:
Zëri i atij që bërtet në shkretëtirë:
përgatitni udhën e Zotit,
rrafshoni shtigjet e tij!
4 Gjoni ishte i veshur me petk leshi deveje e rreth ijëve kishte një rrip lëkure; ushqehej me karkaleca e me mjaltë të egër. 5 Asohere vinte tek ai Jerusalemi, mbarë Judeja dhe e gjithë krahina e Jordanit. 6 E pasi ata i rrëfenin mëkatet e veta, ky i pagëzonte në lumin Jordan.
7 Kur pa se shumë farisenj e saducenj po i vinin në pagëzim, u tha: “Pjellë shlligash, kush ju mësoi t’i ikni zemërimit që po vjen? 8 Bëni, pra, vepra të denja kthimi! 9 As mos t’ju bjerë në mend të thoni në vete: ‘Kemi atë Abrahamin!’ sepse unë po ju them: Hyji mund t’i nxjerrë Abrahamit bij edhe prej këtyre gurëve! 10 Tashmë sëpata u vu në rrënjë të pemëve; çdo lëndë që nuk jep fryt të mirë, pritet e hidhet në zjarr.
11 Unë ju pagëzoj me ujë në shenjë kthimi, porse ai që po vjen pas meje, është më i fortë se unë e unë nuk jam i denjë as t’ia zbath sandalet: Ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin Shenjt e me zjarrr. 12 Ai e ka në dorën e vet terplotën e do ta pastrojë lëmin e vet; grurin e vet do ta mbledhë në grunar, kurse bykun do ta djegë në zjarr të pafikshëm.”
Pagëzimi i Jezusit
(Mk 1, 9‑11; Lk 3, 21‑22)
13 Atëherë erdhi Jezusi prej Galilesë në Jordan te Gjoni për t’u pagëzuar prej tij. 14 Gjoni donte t’i kundërshtonte e i thoshte: “Mua më duhet të pagëzohem prej teje, e ti po vjen tek unë?” 15 Por Jezusi iu përgjigj: “Lëre tani! Sepse kështu na ka hije të kryejmë çdo gjë që përkon me vullnetin e Hyjit.”
Atëherë e lejoi.
16 Menjëherë pas pagëzimit Jezusi doli nga uji. Dhe, ja! Iu hapën qiejt dhe e pa Shpirtin e Hyjit duke zbritur porsi pëllumb e duke ardhur mbi të. 17 Dhe, ja, një zë që vinte nga qielli, tha: “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër!”
Katoliku
Katoliku
Fillestar
Fillestar
Regjistruar : 05/10/2008
Postime : 11
Points : 2
Reputacioni : 2
Medalje2 Medalje3

Besëlidhja e Re Empty Re: Besëlidhja e Re

5th October 2008, 18:49
Message reputation : 100% (1 vote)
Mateu: 4. Jezusin e tundon djalli

4
1 Atëherë Shpirti i Hyjit e çoi Jezusin në shkretëtirë që ta tundojë djalli. 2 Dhe, pasi agjëroi dyzet ditë e dyzet net, në fund u urit. 3 Atëherë iu afrua tunduesi dhe i tha:
“Nëse je Biri i Hyjit, urdhëro që këta gurë të shndërrohen në bukë!”
4 Por Jezusi iu përgjigj: “Shkrimi i shenjtë thotë:
Njeriu nuk jeton vetëm prej buke,
por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit. ’“
5 Atëherë djalli e mori dhe e çoi në Qytetin e shenjtë, e vuri në majë të Tempullit 6 dhe i tha:
“Nëse je Biri i Hyjit, hidhu poshtë, sepse Shkrimi i shenjtë thotë:
‘Për ty Hyji do t’i urdhërojë engjëjt e vet,
dhe ata do të të mbajnë para duarsh, që këmba jote të mos vritet në ndonjë gur!”
7 Jezusi iu përgjigj:
“Porse Shkrimi i shenjtë thotë edhe:
Mos e sprovo Zotin, Hyjin tënd!
8 Djalli e çoi sërish në një mal shumë të lartë, ia dëftoi të gjitha mbretëritë e kësaj bote dhe madhërinë e tyre 9 e i tha:
“Të gjitha këto do të t’i jap nëse bie përmbys para meje e më adhuron”.
10 “Atëherë Jezusi tha:
“Ik, o djall, sepse Shkrimi i shenjtë thotë:
‘Adhuroje Zotin, Hyjin tënd,
dhe shërbeji vetëm Atij!’
11 Atëherë djalli e la dhe, ja, u afruan engjëjt dhe i shërbenin.
Jezusi e fillon veprimtarinë e vet në Galile
(Mk. 1, 14‑15; Lk 4, 14‑15)
12 Kur Jezusi e mori vesh se e kishin burgosur Gjonin, u tërhoq në Galile. 13 E la Nazaretin e shkoi e u vendos me banesë në Kafarnaum, qytet bregdetar në krahinën e fisit të Zabulonit e të Neftalit, 14 që të shkonte në vend fjala që tha Isaia profet:
15 “Tokë e Zabulonit e tokë e Neftalit,
në drejtim të detit, përtej Jordanit,
Galileja pagane,
16 populli që gjendej në errësirë,
pa një dritë të madhe;
atyre që banonin në krahinën e hijes
së vdekjes u lindi drita.”
17 Që atëherë Jezusi filloi të predikojë: “Kthehuni, se Mbretëria e qiejve është afër!”
Jezusi bën nxënës të vet katër peshkatarë
(Mk 1, 16‑20; Lk 5, 1‑11)
18 Ndërsa Jezusi po ecte afër Detit të Galilesë, pa dy vëllezër ‑ Simonin që quhet Pjetër dhe Andreun, të vëllanë e tij, duke hedhur rrjetën në det: ishin peshkatarë. 19 E u tha: “Ejani pas meje e unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish!”
20 Ata menjëherë lanë rrjetat e shkuan pas tij.
21 Duke vazhduar rrugën më tej, pa dy vëllëzër të tjerë, Jakobin e Zebedeut dhe Gjonin, vëllain e tij, në lundër bashkë me Zebedeun, atin e tyre, duke rregulluar rrjetat dhe i thirri. 22 Ata aty për aty lanë lundrën dhe babain e shkuan pas tij.
Jezusi mëson dhe shëron
(Lk 6, 17‑19)
23 Jezusi shkonte prej një vendi në një vend tjetër nëpër mbarë Galilenë, duke mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar Ungjillin e Mbretërisë e duke shëruar në popull çdo sëmundje e çdo pamundësi.
24 E u hap zëri për të anembanë Sirisë; i sillnin tek ai të gjithë ata që i mundonte ndonjë e keqe prej sëmundjesh e ndeshtrashash të larmishme ‑ të djallosur, epileptikë, të shituar; dhe i shëronte. 25 E pas tij shkonte një mori e madhe njerëzish prej Galilesë, prej Dekapolit, prej Jerusalemit, prej Judesë dhe prej krahinës përtej Jordanit.
Katoliku
Katoliku
Fillestar
Fillestar
Regjistruar : 05/10/2008
Postime : 11
Points : 2
Reputacioni : 2
Medalje2 Medalje3

Besëlidhja e Re Empty Re: Besëlidhja e Re

5th October 2008, 18:50
Message reputation : 100% (1 vote)
Mateu: 5. Lumturitë

5
1 Jezusi, kur pa turmën, u ngjit në mal. Kur u ul, iu afruan nxënësit e tij. 2 Atëherë mori fjalën dhe i mësoi duke thënë:
Lumturitë
(Lk 6, 20‑23)
3 “Lum skamnorët në shpirt
sepse e tyre është Mbretëria e qiejve!
4 Lum ata që qajnë
sepse do të ngushëllohen!
5 Lum ata që janë të butë
sepse do ta trashëgojnë tokën!
6 Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi
sepse do të ngihen!
7 Lum të mëshirshmit
sepse do të gjejnë mëshirë!
8 Lum ata që janë të pastër në zemër
sepse do ta shohin Hyjin.
9 Lum pajtuesit
sepse do të quhen bijtë e Hyjit.
10 Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon
sepse e tyre është Mbretëria e qiejve.
11 Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkakun tim, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë! 12 Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell! Jo po, kështu i salvuan edhe profetët para jush!”
Kripa e tokës e drita e botës
(Mk 9, 50; Lk 14, 34‑35)
13 “Ju jeni kripa e tokës. Po qe se kripa prishet, me çka mund të kripet? S’vlen më për asgjë, përveçse të hidhet jashtë e ta shkelin njerëzit.
14 Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur në majë të malit. 15 As nuk ndizet dritëza për ta vënë nën magje, por për ta vënë mbi pishtar për t’u bërë dritë të gjithëve në shtëpi. 16 Ashtu të shndrisë edhe drita juaj para njerëzve, që t’i shohin veprat tuaja të mira e ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell.”
Qëndrimi i Jezusit ndaj Besëlidhjes së Vjetër
17 “Mos t’ju shkojë ndër mend se erdha për ta shlyer Ligjin ose Profetët! Jo, s’erdha të shlyej, por të përkryej. 18 Për të vërtetë po ju them: derisa të jetë qielli e toka, asnjë germë dhe asnjë presje nuk do t’i hiqet Ligjit, por do të zbatohen të gjitha.
19 Prandaj, kushdo që do ta shlyejë njërin ndër këta urdhra, qoftë edhe më të voglin, dhe do t’i mësojë njerëzit të bëjnë ashtu, do të jetë më i vogli në Mbretërinë e qiellit; ndërsa ai që do t’i mbajë dhe do t’i mësojë, do të jetë i madh në Mbretërinë e qiellit.
20 Sepse, unë po ju them: nëse drejtësia juaj nuk do të jetë më e madhe se drejtësia e skribëve dhe e farisenjve, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit.”
Zemërimi
21 “Keni dëgjuar se u qe thënë të vjetërve: ‘Mos vra!’ Kush vret do të jetë përgjegjës para gjyqit.
22 E unë po ju them: Kushdo zemërohet kundër vëllait të vet, do të jetë përgjegjës para gjyqit; e kush t’i thotë vëllait të vet: ‘Budalla’, do të jetë përgjegjës para Sinedrit; kush t’i thotë: ‘I marrë’, do të përgjigjet në zjarrin e ferrit.
23 Pra, nëse e sjell dhuratën tënde për ta kushtuar në lter e aty të bie në mend se yt vëlla ka diçka kundër teje, 24 lëre dhuratën tënde aty para lterit, shko e pajtohu më parë me vëllain tënd e pastaj eja e kushtoje dhuratën tënde!
25 Rregullohu shpejt me kundështarin tënd sa të jesh ende në udhëtim me të, që kundërshtari të mos të të dorëzojë te gjykatësi e ky te rojtari i gjyqit, që të mos të ndryejnë në burg. 26 Për të vërtetë po të them: s’do të dalësh prej andej para se ta paguash edhe paranë më të fundit.”
Mësimi mbi kurorëthyerjen
27 “Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Mos e the kurorën!’ 28 E unë po ju them: kushdo që me dëshirim e shikon një grua, në zemrën e vet e ka bërë fëlligështinë me të. 29 Nëse syri yt i djathtë të çon në mëkat, nxirre e flake larg teje! Është më mirë për ty të humbasësh njërën nga gjymtyrët e tua, se i tërë trupi yt të hidhet në ferr. 30 E nëse dora jote e djathtë të çon në mëkat, preje e hidhe larg teje! Është më mirë për ty të humbasësh një gjymtyrë se i tërë trupi yt të hidhet në ferr.”
Mësimi mbi divorcin
(Mt 19, 9; Mk 10, 11‑12; Lk 16, 18)
31 “Qe thënë edhe: ‘Kush e ndan gruan e vet, le t’ia japë letrën e ndarjes.’ 32 E unë po ju them: kushdo e ndan gruan e vet ‑ përveçse në rastin e fëlligështisë ‑ e bën atë të thyejë kurorën; e nëse ndokush martohet me gruan e ndarë, then kurorën.”
Mësimi mbi betimin
33 “Keni dëgjuar gjithashtu se u qe thënë të vjetërve: ‘Mos e the betimin, por zbato çka i ke premtuar Zotit me betim!’ 34 E unë po ju them: assesi mos u betoni; as me Qiell, sepse ai është froni i Hyjit, 35 as me Tokë, sepse ajo është shtroja e këmbëve të tij as me Jerusalem, sepse ai është qyteti i Mbretit të madh. 36Mos bëj be as në kokën tënde, sepse nuk je i zoti as një fije floku ta bësh të bardhë ose të zezë. 37Fjala juaj le të jetë: Po, po; jo, jo! Çkado që është më tepër se kaq, vjen prej Qoftëlargut.”
Mësimi mbi hakmarrjen
(Lk 6, 29‑30)
38 “Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Syrin për sy e dhëmbin për dhëmb’. 39 Unë po ju them: Mos u kacafytni me të keqin, por atij që të bie shuplakë faqes së djathtë, ktheja edhe të tjetrën. 40 Atij që do të të qesë në gjyq për të të marrë këmishën, jepja edhe pallton. 41 E nëse ndokush të shtrëngon të ecësh me të një milje, ti bëji dy; 42 atij që të lyp, jepi, e atij që të kërkon hua, mos ia kthe shpinën.”
Dashuria ndaj armiqve
(Lk 6, 27‑28, 32‑36)
43 “Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Duaje të afërmin tënd’ e urreje armikun tënd. 44 E unë po ju them: Duajini armiqtë tuaj, lutuni për ata që ju salvojnë, 45 për t’u bërë bijtë e Atit tuaj që është në qiell, sepse Ai bën të lindë dielli i tij mbi të këqijtë e mbi të mirët e të bjerë shi për të drejtët e për të padrejtët. 46 Sepse, po qe se i doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi meritoni? Pse a nuk bëjnë kaq edhe tagrambledhësit? 47 E nëse i përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, çfarë bëni të veçantë? A nuk bëjnë të njëjtën gjë edhe paganët?
48 Jini, pra të përkryer siç është i përkryer edhe Ati juaj që është në qiell!”
Katoliku
Katoliku
Fillestar
Fillestar
Regjistruar : 05/10/2008
Postime : 11
Points : 2
Reputacioni : 2
Medalje2 Medalje3

Besëlidhja e Re Empty Re: Besëlidhja e Re

5th October 2008, 18:59
Mateu: 6. Mësimi mbi lëmoshën

6
1 “Ruajuni të mos i bëni veprat tuaja të mira në sy të njerëzve për t’u parë prej tyre! Përndryshe nuk do të keni farë shpërblimi te Ati juaj që është në qiell.
2 Prandaj, kur të ndash lëmoshë, mos i bjer borisë para vetes, siç bëjnë shtiracakët në sinagoga dhe në rrugë të madhe për t’u nderuar prej njerëzve. Për të vërtetë po ju them: u ndanë me atë shpërblim! 3 Ndërsa ti, kur të bësh lëmoshë, të mos dijë e majta çfarë bën e djathta, që lëmosha jote të jetë e fshehtë, 4 e Ati yt që sheh në fshehtësi, do ta shpërblejë.”
Mësimi mbi lutjen
(Lk 11, 2‑4)
5 “Kur të luteni, mos bëni si shtiracakët, të cilëve u pëlqen të luten në këmbë në sinagoga dhe në sheshe të rrugëve, që t’i shohin njerëzit. Përnjëmend po ju them: u ndanë veç me atë shpërblim! 6 Ndërsa ti, kur të lutesh, hyr në dhomën tënde, mbylle pas vetes derën e lutju Atit tënd që është në fshehtësi; e Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë.
7 E kur të luteni, mos e teproni me fjalë të kota porsi paganët: ata mendojnë se do t’u plotësohet lutja nëse thonë shumë fjalë. 8 Mos bëni si ata, sepse Ati juaj e di mirë se për çka keni nevojë para se t’i luteni.
9 Prandaj lutuni kështu:
Ati ynë që je në qiell,
u shenjtëroftë Emri yt!
10 Ardhtë Mbretëria jote!
U bëftë vullneti yt
si në qiell ashtu në tokë!
11 Bukën tonë të përditshmen na e jep sot!
12 Na i fal fajet tona,
si i falim ne fajtorët tanë!
13 E mos na lër të biem në tundim,
por na shpëto nga i Keqi!
14 Vërtet, në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, edhe Ati juaj qiellor do t’jua falë juve; 15 por, nëse ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj qiellor nuk do t’jua falë juve gabimet tuaja.”
Mësimi mbi agjërimin
16 “Edhe kur të agjëroni, mos u mërrolni porsi shtiracakët, të cilët marrin një hije të rëndë në fytyrë për t’u treguar njerëzve se agjërojnë: përnjëmend po ju them: u ndanë veç me atë shpërblim! 17 Ti, përkundrazi, kur të agjërosh, përeroje kokën tënde dhe laje fytyrën tënde, 18 që të mos e vënë re njerëzit se po agjëron, por Ati yt, që është në fshehtësi. Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë.”
Thesari në qiell
(Lk 12, 33‑34)
19 “Mos grumbulloni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja e ndryshku, ku vjedhësit birojnë muret e vjedhin! 20 Mblidhni për vete visare në qiell, ku s’brejnë as tenja as ndryshku e ku vjedhësit nuk birojnë mure as nuk vjedhin. 21 Sepse, ku është thesari yt, aty do të jetë edhe zemra jote.”
Drita e trupit
(Lk 11, 34‑36)
22 “Syri është dritëza e trupit. Në qoftë, pra, se syri yt është i shëndoshë, i tërë trupi yt do të jetë i ndriçuar. 23 Por në qoftë syri yt i sëmurë, i tërë trupi yt do të jetë i errët. Në qoftë, pra, se drita që është në ty është errësirë, sa terr i madh do të jetë!”
Hyji dhe mamona
(Lk 16, 13)
24 “Askush s’mund t’u shërbejë dy zotërinjve, sepse: ose do ta urrejë njërin e tjetrin do ta duajë, ose do t’i mbështetet njërit e tjetrit do t’ia kthejë shpinën. Nuk mund t’i shërbeni Hyjit dhe pasurisë.”
Kujdesi i tepruar ndaj pasurisë dhe brengosja
(Lk 12, 22‑34)
25 “Prandaj po ju them: mos u brengosni për jetën tuaj se çka do të hani dhe çka do të pini, as për trupin tuaj se çka do të vishni: vallë a nuk është jeta më e vlefshme se ushqimi e trupi se petku? 26 Shikoni shpendët e qiellit! As nuk mbjellin, as nuk korrin, as nuk mbledhin në drithnikë, e Ati juaj qiellor i ushqen! A nuk jeni ju më të vlefshëm se ata? 27E kush prej jush, me gjithë përpjekjet shqetësuese që mund të bëjë, është i zoti ta zgjasë sado pak jetën e vet? 28 E për veshje, përse brengoseni aq? Shikoni si rriten lilat e fushës: nuk heqin keq as nuk tjerrin! 29 E unë po ju them: as vetë Salomoni me tërë madhërinë e vet nuk është veshur si njëri nga ata! 30 Tashti, nëse Hyji e vesh kështu barin e tokës, që sot është e nesër hidhet në furrë, vallë, a nuk do t’ju veshë më me ëndje ju, o fepakët? 31 Mos u brengosni, prandaj, duke thënë: ‘Çka do të hamë?’ e ‘Çka do të pimë?’ ‘Me çka do të vishemi?’ 32 ‑ këto gjëra i kërkojnë paganët ‑ sepse Ati juaj qiellor e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto. 33 Kërkoni, pra, më së pari, Mbretërinë dhe drejtësinë e tij e të gjitha këto do t’ju jepen si shtesë! 34 Prandaj: mos u brengosni për të nesërmen, sepse e nesërmja do të kujdeset vetë për vete. Secilës ditë i del mjaft mundimi i vet!”
Katoliku
Katoliku
Fillestar
Fillestar
Regjistruar : 05/10/2008
Postime : 11
Points : 2
Reputacioni : 2
Medalje2 Medalje3

Besëlidhja e Re Empty Re: Besëlidhja e Re

5th October 2008, 18:59
Mateu: 7. Mos i gjykoni të tjerët

7
1 “Mos gjykoni, që të mos gjykoheni!
2 Sepse me çfarë gjykimi të gjykoni, me atë do të gjykoheni! E me atë masë që matni, me atë edhe juve do t’ju matet.
3 Pse e shikon lëmishten në sy të vëllait tënd, kurse nuk e sheh traun në syrin tënd?
4 Dhe, si mund t’i thuash vëllait tënd: ‘Prit të ta nxjerr lëmishten nga syri yt’, ndërsa ke traun në syrin tënd?
5 Shtiracak, nxirre më parë traun nga syri yt, e pastaj do të shohësh ta nxjerrësh lëmishten nga syri i vëllait tënd.
6 Mos ua jepni qenve gjënë e shenjtëruar as mos i qitni para derrave margaritarët tuaj që, pasi t’i shkelin, të mos kthehen kundër jush e t’ju shqyejnë.”
Lyp, kërko, trokit
(Lk 11, 9‑13)
7 “Lypni e do t’ju jepet, kërkoni dhe do të gjeni, trokitni e do t’ju çelet!
8 Sepse, kush lyp, i jepet, kush kërkon gjen, e kush troket, i çelet.
9 Dhe, a gjendet njeri ndër ju, që po i lypi i biri bukë, i jep gur?
10 Ose, po i lypi peshk, i jep gjarpër?
11 Po ja, pra, nëse ju që jeni të këqij, dini t’u jepni gjëra të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj që është në qiell, do t’u japë gjëra të mira atyre që ia lypin.
12 Gjithçka dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, bëjuani edhe ju atyre! Ja, vërtet Ligji e Profetët!”
Dera e ngushtë
(Lk 13, 24)
13 “Hyni nëpër derën e ngushtë, sepse e gjerë është dera dhe e gjerë rruga që çon në bjerrje e shumë janë nga ata që kalojnë nëpër të!
14 Sa e ngushtë është dera e sa e ngushtë është rruga që çon në jetë e janë pak nga ata që e gjejnë!”
Pema njihet prej fryteve të saj
(Lk 6, 43 ‑ 44)
15 “Ruajuni prej profetëve të rrejshëm, që vijnë tek ju e ju shtiren si dele, kurse përbrenda janë ujq grabitqarë.
16 Do t’i njihni prej fryteve të tyre. A thua vilet rrushi prej ferrave ose fiqtë prej murrizave?
17 Kështu çdo pemë e mirë, jep fryte të mira, kurse çdo pemë e keqe jep fryte të këqija.
18 Një pemë e mirë nuk mund të japë fryte të këqija, as një pemë e keqe nuk mund të japë fryte të mira.
19 Çdo pemë që nuk jep fryt të mirë, pritet e hidhet në zjarr.
20 Kështu, pra, do t’i njihni profetët prej veprave të tyre.”
Unë nuk ju kam njohur kurrë
(Lk 13, 25‑27)
21 “Jo secili që më thotë: ‘O Zot, o Zot!’ do të hyjë në Mbretërinë e qiellit, por ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiell.
22 Shumë do të më thonë atë ditë: ‘O Zot, o Zot, a nuk profetizuam në Emër tënd, a nuk i nxorëm shpirtrat e këqij në Emër tënd, a nuk bëmë shumë mrekulli në Emër tënd?’
23 Atëherë unë do t’u them: Kurrë nuk ju kam njohur! Shporruni prej meje, o keqbërës!”
Dy themelet
(Lk 6, 49)
24 “Kështu, kushdo i dëgjon këto fjalë të mia dhe i vë në veprim, mund të krahasohet me njeriun e urtë, i cili e ndërtoi shtëpinë e vet mbi shkëmb.
25 Ra shiu, u çuan përrenjtë, frynë erërat e u përplasën për atë shtëpi, por ajo nuk u rrëzua, sepse i kishte themelet në shkëmb.
26 Kurse, ai që i dëgjon të gjitha këto fjalë të mia e nuk i vë në veprim, mund të krahasohet me njeriun e marrë, i cili e ndërtoi shtëpinë e vet mbi rërë.
27 Ra shiu, u çuan përrenjtë, frynë erërat dhe u përplasën për atë shtëpi e ajo u rrëzua: rrënimi i saj qe i madh!”
28 Kur Jezusi i kreu këto fjalime, turma e popullit mbeti e habitur nga mësimi i tij,
29 sepse vërtet i mësonte si njeriu që ka autoritet, e jo si skribët e tyre.
Katoliku
Katoliku
Fillestar
Fillestar
Regjistruar : 05/10/2008
Postime : 11
Points : 2
Reputacioni : 2
Medalje2 Medalje3

Besëlidhja e Re Empty Re: Besëlidhja e Re

5th October 2008, 19:02
Mateu: 8. Shërimi i të gërbulurit

8
1 Kur Jezusi zbriti nga mali, iu vu pas një turmë e madhe populli. 2 Dhe ja, një i gërbulur iu afrua, ra përmbys para tij e i tha: “O Zot, nëse ti do, mund të më shërosh.”
3 Atëherë Jezusi e shtriu dorën, e preku dhe i tha: “Dua, shërohu!” Dhe përnjëherë u shërua gërbula e tij. 4 Jezusi i tha: “Ruaju se i tregon kujt! Por shko, paraqitu te prifti e kushtoje flinë që ka urdhëruar Moisiu, t’u vlejë atyre për dëshmi.”
Shërbimi i shërbëtorit të centurionit
(Lk 7, 1‑10; Gjn 4, 43‑54)
5 Kur Jezusi hyri në Kafarnaum, iu paraqit një centurion dhe iu lut:
6 “ Zotëri, shërbëtori im është i shtrirë në shtëpi i paralizuar dhe po vuan shumë.”
7 Jezusi i tha:
“Do të vij dhe do ta shëroj.”
8 Por centurioni iu përgjigj:
“O Zot, unë nuk jam i denjë të hysh nën pullazin tim, por vetëm jep urdhër e shërbëtori im do të shërohet. 9 Sepse, edhe unë që nuk jam tjetër, veçse një njeri i nënshtruar, kam nën urdhrin tim ushtarë dhe unë i them njërit: ‘Shko!’ dhe ai shkon e një tjetri: ‘Eja!’ dhe ai vjen, e shërbëtorit tim: ‘Bëje këtë!’ dhe ai e bën”
10 Jezusi, kur e dëgjoi, u mrekullua dhe u tha atyre që po i shkonin pas:
“Për të vërtetë po ju them: ende nuk e gjeta te asnjë njeri tjetër në Izrael një fe kaq të madhe! 11 Prandaj po ju them: shumë do të vijnë nga Lindja e nga Perëndimi e do të ulen në tryezë me Abrahamin, Izakun e Jakobin në Mbretërinë e qiellit, 12 ndërsa bijtë e Mbretërisë do të hidhen jashtë në errësirë, ku do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh.”
13 Atëherë i tha centurionit: “Shko e le të bëhet ashtu siç besove!”
Dhe shërbëtori i tij u shërua po në atë orë.
Shërimi i shumë të sëmurëve
(Mk 1, 29‑34; Lk 4, 38‑41)
14 Kur Jezusi shkoi në shtëpinë e Pjetrit, pa vjehrrën e Pjetrit të shtrirë me ethe. 15 Jezusi ia preku dorën, atë e lëshuan ethet, u çua dhe i shërbeu.
16 Kur u bë natë i sollën shumë të djallosur. Jezusi me fuqinë e fjalës i dëboi shpirtrat dhe i shëroi të gjithë të sëmurët, 17 që kështu të plotësohej fjala e Isaisë profet që thotë:
“Ai i mori lëngatat tona e i mbarti sëmundjet tona”
Çka lypet për të qenë i krishterë i mirë
(Lk 9, 57‑62)
18 Jezusi, kur e pa turmën e njerëzve që po e rrethonte, dha urdhër të kalojnë në anën tjetër. 19 Ndërkaq u afrua një skrib e i tha:
“Mësues, do të vij pas teje ngado që të shkosh.”
20 Jezusi iu përgjigj:
“Dhelprat kanë strofuj e zogjtë e qiellit çerdhe, kurse Biri i njeriut nuk ka ku ta mbështesë kokën.”
21 Një tjetër nga nxënësit e tij tha:
“Zotëri, më lejo të shkoj një herë e ta varros tim atë.”
22 Jezusi iu përgjigj:
“Eja pas meje e lëri të vdekurit t’i varrosin të vdekurit e vet!”
Stuhia e fashitur
(Mk 4, 35‑41; Lk 8, 22‑25)
23 Si hyri në barkë, pas tij u nisën edhe nxënësit e tij. 24 Dhe ja, në det u çua një stuhi e madhe aq sa valët po e mbulonin barkën; e ai flinte.
25 Atëherë nxënësit iu afruan, e zgjuan dhe i thanë:
“Ndore tënde, o Zot, se u mbytëm!”
26 “Pse po frikësoheni, o fepakët?” ‑ u tha dhe atëherë u ngrit, u urdhëroi erërave dhe detit e u bë qetësi e madhe. 27 Njerëzit të habitur thoshin: “Kush është ky që po i nënshtrohen erërat dhe deti?”
Të djallosurit prej Gadarës
(Mk 5, 1‑20; Lk 8, 26‑39)
28 Sapo kaloi në bregun tjetër ‑ në krahinën e gadarenëve, dy të djallosur që dolën nga varret, i erdhën para. Ishin aq të rrezikshëm, sa që askush s’guxonte të kalonte asaj rruge. 29 Dhe ja, bërtitën:
“Çka do prej nesh, o Biri i Hyjit? A erdhe këtu të na mundosh para kohës?”
30 Jo larg tyre kulloste një tufë e madhe derrash. 31 Shpirtrat e këqij iu lutën Jezusit:
“Meqë po na dëbon, na ço në tufën e derrave!”
32 Ai u tha: “Shkoni!”
Ata dolën e hynë në derra. Dhe ja, mbarë tufa u lëshua me turr e prej greminës ra në det dhe u mbyt në ujë. 33 Barinjtë ikën, e si mbërritën në qytet, treguan gjithçka, veçanërisht për të djallosurit. 34 Dhe ja, mbarë qyteti i doli para Jezusit. Kur e panë, iu lutën të largohej prej krahinës së tyre.
Katoliku
Katoliku
Fillestar
Fillestar
Regjistruar : 05/10/2008
Postime : 11
Points : 2
Reputacioni : 2
Medalje2 Medalje3

Besëlidhja e Re Empty Re: Besëlidhja e Re

5th October 2008, 19:03
Mateu: 9. Shërimi i të paralizuarit

9
1 Jezusi hipi në barkë, kaloi në anën tjetër dhe shkoi në qytetin e vet. 2 Dhe ja, ia sollën para një të paralizuar, të shtrirë në vig. Jezusi, kur e pa fenë e tyre, i tha të paralizuarit: “Guxim, biro! Të janë falur mëkatet!”
3 Dhe ja, disa prej skribëve menduan me vete:
“Ky po blasfemon!”
4 Jezusi, duke i ditur mendimet e tyre, tha:
“Pse mendoni keq në zemrat tuaja? 5 Çka është më lehtë të thuhet: ‘Të janë falur mëkatet’ apo të thuhet: ‘Ngrihu e ec!?’ 6 ‘Por që ta dini se Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkatet mbi tokë ‑ i tha atëherë të paralizuarit ‑ Çohu në këmbë, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde!”
7 I paralizuari u ngrit e shkoi në shtëpi të vet.
8 Kur pa turma, e kapi frika e i dha lavd Hyjit që u dha njerëzve pushtet kaq të madh.
Thirrja e Mateut
(Mk 2, 13‑17; Lk 5, 27‑32)
9 Jezusi, si shkoi prej andej, pa një njeri që quhej Maté, ndenjur në doganë. Jezusi i tha: “Eja pas meje!” Ai u ngrit dhe shkoi pas tij.
10 Dhe, kur më vonë, Jezusi u ul në tryezë në shtëpi, ja se ia behën shumë tagrambledhës e mëkatarë e u ulën në tryezë bashkë me Jezusin e me nxënësit e tij. 11 Farisenjtë kur e panë këtë, i pyetën nxënësit e tij:
“Pse mësuesi juaj ha bukë me tagrambledhës e me mëkatarë?”
12 Jezusi, kur i dëgjoi, u përgjigj:
“Mjeku nuk u duhet të shëndoshëve, por të sëmurëve! 13 Shkoni e mësoni çka do të thotë: ‘Më pëlqen mëshira e jo flia!’ Sepse unë nuk erdha të ftoj të drejtët, por mëkatarët.”
Çështja e agjërimit
(Mk 2, 18‑22; Lk 5, 33‑39)
14 Atëherë iu afruan nxënësit e Gjonit e i thanë:
“Përse ne dhe farisenjtë agjërojmë shpesh, kurse nxënësit e tu nuk agjërojnë?”
15 Jezusi u përgjigj:
“A është e mundur të mbajnë zi dasmorët derisa të jetë me ta dhëndri? Por, do të vijë koha, kur do t’ua rrëmbejnë dhëndrin. Atëherë edhe ata do të agjërojnë.
16 Askush nuk vë arnë pëlhure të re në petk të vjetër, sepse arna e shtrin petkun dhe grisja bëhet më e madhe.
17 As nuk shtihet vera e re në rrëshiqa të vjetër: përndryshe rrëshiqat shpohen, vera derdhet edhe rrëshiqat shkojnë dëm. Vera e re hidhet në rrëshiqa të rinj e kështu ruhen të dy.
Ngjallja e vajzës së kryetarit dhe gruaja që preku kindin e petkut të Jezusit
(Mk 5, 21‑43; Lk 8, 40‑56)
18 Ndërsa Jezusi po ua mësonte këto, ja se iu afrua një kryetar, ra përmbys para tij dhe i tha: “Posa më vdiq vajza. Megjithatë eja, vëre dorën mbi të dhe ajo do të ngjallet.” 19 Jezusi u ngrit dhe bashkë me nxënësit e vet shkoi pas tij.
20 Dhe ja, një grua e cila vuante nga derdhja e gjakut prej dymbëdhjetë vjetësh, iu afrua pas shpine e ia preku kindin e petkut të tij, 21 sepse thoshte në vete: “Do të shërohem nëse ia prek qoftë edhe vetëm petkun e tij! “22 Jezusi u soll, e pa dhe i tha: “Ki besim, o bijë! Feja jote të shpëtoi!” Dhe gruaja u shërua në atë moment.
23 Kur Jezusi arriti në shtëpinë e kryetarit, dhe si i pa ata që u binin fyejve dhe njerëzit që po bënin zhurmë, 24 u tha: “Largohuni se vajza nuk ka vdekur, por po fle.” Ata e përqeshën. 25 Dhe, pasi u qitën njerëzit përjashta, hyri Jezusi, e mori për dore vajzën dhe ajo u ngrit. 26 Lajmi i kësaj mrekullie u përhap anembanë asaj krahine.
Shërimi i dy të verbërve
27 Kur Jezusi u nis prej andej, shkonin pas tij dy të verbër duke bërtitur e thoshin: “Ki mëshirë për ne, Biri i Davidit!” 28 Kur arriti në shtëpi, të verbërit iu afruan e Jezusi u tha: “A besoni se mund ta bëj këtë gjë?” Ata iu përgjigjën: “Po, Zotëri!” 29 Atëherë ua preku sytë e tha: “U bëftë sipas besimit tuaj!” 30 Dhe atyre iu çelën sytë. Atëherë Jezusi i urdhëroi: “Kini kujdes! Askush të mos e dijë!” 31 Por ata, posa dolën, e përhapën zërin për të nëpër mbarë krahinën.
Shërimi i memecit të djallosur
32 Posa dolën këta, ja se i sollën një memec të djallosur. 33 Pasi e nxori djallin, memeci foli. Njerëzit të mrekulluar, thoshin: “Kurrë s’u pa një gjë e tillë në Izrael!” 34 Ndërsa farisenjtë thoshin: “Ai i nxjerr djajtë me fuqinë e kryetarit të djajve.”
Dhembshuria e Jezusit për popullin
35 Kështu Jezusi qarkullonte nëpër të gjitha qytetet e fshatrat. Mësonte në sinagogat e tyre: predikonte Ungjillin e Mbretërisë dhe shëronte çdo sëmundje e lëngatë.
36 Kur e pa turmën e popullit, ndjeu dhembshuri për të, sepse ishte e nëpërkëmbur dhe e lënë pasdore si delet pa bari. 37 Atëherë u tha nxënësve të vet:
“Të korrat janë të mëdha, kurse punëtorë ka pak. 38 Lutjuni, pra Zotërisë së të korrave, të dërgojë korrtarë në të korrat e veta.”
Katoliku
Katoliku
Fillestar
Fillestar
Regjistruar : 05/10/2008
Postime : 11
Points : 2
Reputacioni : 2
Medalje2 Medalje3

Besëlidhja e Re Empty Re: Besëlidhja e Re

5th October 2008, 19:04
Mateu: 10. Dymbëdhjetë apostujt

10
1 Pastaj Jezusi i mblodhi rreth vetes dymbëdhjetë nxënësit e vet e u dha pushtetin të mund të dëbonin shpirtrat e ndytë dhe të mund të shëronin çdo sëmundje e lëngatë.
2 Emrat e Dymbëdhjetë apostujve janë këta: i pari Simoni, që quhet Pjetër e vëllai i tij Andreu; Jakobi i Zebedeut dhe Gjoni, i vëllai; 3 Filipi dhe Bartolomeu; Toma e Mateu ‑ tagrambledhësi; Jakobi i Alfeut dhe Tadeu; 4 Simon Kananeu dhe Judë Iskarioti ‑ ai që e tradhtoi.
Dërgimi i të Dymbëdhjetëve
(Mk 6, 7‑13; Lk 9, 1‑6)
5 Pikërisht këta të Dymbëdhjetët Jezusi i dërgoi dhe i urdhëroi:
“Mos shkoni ndër paganë as mos hyni në asnjë qytet të samaritanëve! 6 Por shkoni më mirë te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit. 7 Gjatë udhëtimit predikoni: ‘Mbretëria e qiellit është afër!’ 8 Shëroni të sëmurit, ngjallni të vdekurit, pastroni të gërbulurit, dëboni djajtë! Falas morët, falas edhe jepni! 9 Mos grumbulloni në brezat tuaj as ar, as argjend, as të holla bakri; 10 as strajcë udhëtimi, as dy palë petka, as sandale, as shkop, sepse punëtori ka të drejtë për ushqimin e vet.
11 Në çdo qytet apo fshat që të hyni, pyetni a është aty ndonjë njeri i ndershëm e banoni tek ai derisa të shkoni më tej. 12 Kur të hyni në shtëpi, uroni paqe. 13 Nëse shtëpia është e ndershme, le të zbresë mbi të paqja juaj; po nuk qe e denjë, paqja juaj le të kthehet tek ju. 14 Por, po qe se ndokund nuk ju pranojnë ose nuk i dëgjojnë fjalët tuaja, dilni prej asaj shtëpie e prej atij qyteti dhe shkundni edhe pluhurin prej këmbëve tuaja. 15 Për të vërtetë po ju them: Ditën e Gjyqit do ta ketë më lehtë Sodoma e Gomorra se ai qytet.”
Salvimet e ardhshme
(Mk 13, 9‑13; Lk 21, 12‑17)
16 “Ja, unë po ju dërgoj porsi dele mes ujqish! Jini, prandaj të mençur porsi gjarpërinjtë dhe të thjeshtë porsi pëllumbat!
17 Ruajuni prej njerëzve: sepse do t’ju padisin në gjyqe, do t’ju frushkullojnë në sinagogat e tyre. 18 Për shkakun tim do t’ju qesin para sundimtarëve e mbretërve, që të dëshmoni para tyre dhe para paganëve. 19 E kur t’ju dorëzojnë, mos u shqetësoni se çka dhe si do të flisni, sepse në atë moment do t’ju jepet çka duhet të thoni, 20 sepse nuk do të jeni ju që do të flisni, por Shpirti i Atit tuaj do të flasë nëpërmjet jush.
21 Vëllai vëllanë dhe babai fëmijën do ta dorëzojë në vdekje; edhe fëmijët do të ngriten kundër prindërve të vet dhe do t’i vrasin. 22 Edhe ju do t’ju urrejnë të gjithë për shkak të Emrit tim, porse, kush të qëndrojë deri në fund, ai do të shëlbohet.
23 Kur t’ju salvojnë në njërin qytet, ikni në tjetrin! Përnjëmend, po ju them: nuk do t’i përshkoni qytetet e Izraelit para se të vijë Biri i njeriut.
24 Nuk është nxënësi më i madh se mësuesi as shërbëtori më i madh se zotëria i tij. 25 Mjaft është për nxënësin të bëhet si mësuesi i tij edhe për shërbëtorin si zotëria i tij. Në qoftë se të zotin e shtëpisë e quajtën Beelzebul, aq më tepër do të thonë për familjarët e tij!”
Kë të druani
(Lk 12, 2‑7)
26 “Mos ua kini, pra, frikën! Sepse nuk ka gjë të mbuluar që nuk do të zbulohet, as të fshehtë që s’do të dihet. 27 Çka ju them në errësirë, thuajeni në dritë, e çka dëgjoni të thënë në vesh, predikojeni nga pullazet!
28 Mos i druani ata që vrasin trupin e nuk mund ta vrasin shpirtin. Kini frikë më tepër nga Ai, që mund t’jua humbë në ferr shpirtin edhe trupin.
29 A nuk shiten dy trumcakë për një aspër? E, megjithatë, asnjë prej tyre nuk bie në tokë pa lejen e Atit tuaj. 30 E ju? Madje edhe të gjitha fijet e flokëve të kresë suaj janë të numëruara! 31 Pra, mos druani! Ju vleni më tepër se shumë trumcakë!”
Për Krishtin ose kundër Krishtit
(Lk 12, 8‑9)
32 “Kushdo, pra, pranon para njerëzve se është imi, edhe unë do të pranoj para Atit tim që është në qiell, se jam i tij. 33 E atij që më bie mohit para njerëzve, edhe unë do t’i bie mohit para Atit tim qiellor.”
Jo paqen, por shpatën
(Lk 12, 51‑53; 14, 26‑27)
34 “Mos mendoni se erdha të sjell paqen mbi tokë. Nuk erdha të sjell paqen, po shpatën. 35 Sepse erdha të ndaj
djalin prej të atit,
vajzën prej s’ëmës,
të renë prej vjehrrës,
36 Njeriu do t’i ketë armiq familjarët e vet.
37 Kush e do të atin e të ëmën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua. Kush e do djalin apo vajzën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua! 38 Kush nuk e merr kryqin e vet e nuk vjen pas meje, nuk është i denjë për mua! 39 Kush do ta ruajë jetën e vet, do ta humbë, e kush do ta bjerrë jetën e vet për shkakun tim, do ta rifitojë.”
Shpërblimi
(Mk, 9, 41)
40 “Kush ju pranon ju, më pranon mua; e kush më pranon mua, pranon Atë që më dërgoi mua. 41 Kush e pranon profetin pse është profet, do të marrë shpërblimin që i takon profetit; kush e pranon të drejtin, pse është i drejtë, do të marrë shpërblimin që i takon të drejtit. 42 Kush ia jep ndonjërit prej këtyre të vegjëlve, madje edhe një gotë uji të freskët, pse është nxënësi im, për të vërtetë po ju them: nuk do t’i humbë shpërblimi!”
Sponsored content

Besëlidhja e Re Empty Re: Besëlidhja e Re

Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi