Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Kristaq Shabani
Kristaq Shabani
Anëtar i vjetër
Anëtar i vjetër
Regjistruar : 19/11/2015
Postime : 733
Points : 1430
Reputacioni : 5
Medalje Medalje2 Medalje3
http://www.pegasiworld.com

"Skulpturat lëvizëse të poezive:"  nga Dr. Moikom Zeqo Empty "Skulpturat lëvizëse të poezive:" nga Dr. Moikom Zeqo

16th November 2016, 02:54
Skulpturat lëvizëse të poezive
 
 Nga Dr. Moikom Zeqo
 
 
Profili i një njeriu ftillëzohet nga përvojat e rastësishme, shpesh shumë enigmatike të jetës dhe veprimtarisë, pavarwsisht kronologjisë dhe ritmit matematikor të kohës. E kam menduar shpeshherë këtë gjë, pa mundur ta qartësoj dot deri në fund.
Nëse duhet të shkruaj diçka për profilin e një miku, ai do të më shfaqet përmes koleksionit të imazheve, imazhe që shumfishojnë, por ndonjëherë edhe asgjësojnë njëri - tjetrin. Habitërisht një gjë e tillë më ndodh edhe me mikun tim të vjetër, Haxhi Kallucin, me të cilin kam udhëtuar më shumë se njëqind maratonomakë së bashku, nëpër grykat e kanionet, në cërkat dhe shpellat, pyjet, lumenjtë, qytetet antikë, mes kishave mesjetare, nëpër fshatrat e trojeve tona, mes njerëzve të panjohur, nëpër gosti të improvizuara, mes dashurive popullore dhe njerëzore, ku kemi kënduar netëve, deri në zbardhje të mëngjesit,  për hir të së vërtetës duhet të them se, Haxhiu është një këngëtar i lindur dhe i veçantë, kurse unë e shumta vetëm mund t’i mbaj iso.
Një vepër e Platonit quhet “Banketi”. Shëmbëlltyra e njerëzve rreth njëri - tjetrit për t’u shprehur dhe filozofuar ka qenë edhe është thelbi i tërë aventurave lëvizëse të Haxhiut me mua, ku njohja e ndërsjelltë shkëlqen nga një ind popullor pa kufi. Kështu unë skicoj dhe përafërsoj zanafillën e poezive të shkruara nga Haxhiu, në këto njëzet vjetët e fundit, herë pranë mrekullive të bregut të Jonit, herë duke parë cjepët viganë dhe legjendarë të Skraparit dhe, herë, duke u mahnitur nga përshkëndritja e lofatave magjike. Pikërisht, lofatat m’i ka zbuluar vetëm një njeri, në këtë botë dhe i jam mirënjohës dhe, ky është Haxhi Kalluci. Dhe një gjë tjetër të pabesueshme: Haxhiu improvizonte dhe i shkruante poezitë duke m’i dërguar me sms. Shumë nga këto poezi ishin pas mesnatës dhe, kur i lexoja, më largonin gjumin. Kjo është e vërteta se kështu ka ngjarë. Tani poezitë janë mozaikuar në një libër që përbën një sintezë edhe të librave të mëparshëm të Haxhiut.
 Haxhi Kalluci është një artist i lindur. Ai është shquar si një nga skulptorët më të talentuar të gjeneratës së tij. Admirues i madh i Odise Paskalit, Haxhi Kalluci ka modeluar skulptura me shije të hollë artistike. Çdo skulpturë e tij ka një poetikë, por, dhe kur lexon poezitë e tij, ndjen diçka skulpturore te fjalët. Ç’lidhje kanë skulptura dhe poezia te Haxhiu? Për mendimin tim kanë shumë lidhje. Skulpturat e këtij artisti respektojnë një arketip klasik të traditës, por ndërthuren në një improvizim të guximshëm të detajeve. E njëjta gjë ndodh me poezitë. Poezitë janë të përjetuara thellë. Janë poezi të natyrës në lëvizje. Ndjehet në gjenezën e tyre diçka nga baladat popullore të shekujve. Kjo gjë i përcakton edhe strukturat e vargjeve. Por  vesku dhe tharmi modern i poezive, përbëhet nga detajet. Këto detaje janë zbulimi i botës dhe i shpirtit.
 Poezitë e Haxhiut janë poezitë e dashurisë për njeriun. Ai iu kushton miqve dhe shokëve me devotshmëri poezi të ndjera dhe këto poezi janë si skulptura të vogla për ta. Ndonjëherë, nga poezitë spikat një lloj hirnosje, madje shkëlqejnë vetëtima ironie dhe humori. Ka një dashuri të parrëfyer për vendlindjen, por edhe për kombin shqiptar në tërësi. Në një poezi tregon një fakt nga fëmijëria e tij: Kur ishte i vogël e ka goditur në nofull me patkua një kalë i shtëpisë. Këtë fakt nuk mund ta shpikësh dot. “Hë, mor Xhikja im! - i them shpesh. -Kjo goditje ka qënë fati yt, sepse të ka goditur patkoi i një Pegasi. Sa mirë do të ishte të të kishte goditur dhe një herë tjetër!”
Natyrisht kjo nuk është një shaka e ngazëlluar. Poezia vërtetë është kur njeriu ndjen prekjen, deri në dhimbje të realitetit, për të mos qenë i plogët, për të mos u përgjumur, në mënyrë që imagjinata e tij të ketë fuqinë e gjithpushtetshme të fluturimit. Realiteti është edhe paradoksal. Ndaj titulli metaforik i librit “Kollare akulli” është duke e vazhduar dhe shtjelluar edhe më metaforën, një rrufe akulli. Për të kuptuar ditët e sotme, ku lufta midis të mirës dhe të keqes, midis artit të madh dhe artit kitch, midis ndershmërisë dhe korrupsionit, midis poezisë dhe antipoezisë, duhet të vështrojmë dhe të kuptojmë midis mrekullive njerëzore edhe tjetërsimin, edhe të kundërtën e së bukurës.
Libri poetik i Haxhi Kallucit është një libër ideal, jo nga fjalët, thjesht dhe në mënyrë formale; është diçka e pashmangshme si teshtima, por një teshtimë e ndritur e shpirtit. Ky libër është ditari i tij i përsiatjeve me njerëzit dhe universin.
Mua më ka pëlqyer shumë ky libër, ndonëse që të gjithë e dinë që unë jam një skeptik i madh dhe nuk kënaqem lehtë. Skulptura dhe poezia janë arte të mëvetëshme. Lexuesi i nderuar le të mendojë diçka të tretë; diçka midis substancës materiale të skulpturës dhe kuptimeve të padukshme të metaforave. Atë që e ngacmon skulptura e fiksuar, e bën të lëvizshme si një udhëtim të pandërprerë, pa fillim dhe pa fund, poezia. Ajo që është e thjeshtë, është njëkohësisht e komplikuar dhe ndërsjelltas.
 Duhet ta mbyll këtë shënim nga një bisedë që kam bërë në skype me vajzën time Arnisën, që punon si historiane arti, në Amsterdam. Arnisa qe kuratore e ekspozitës së skulptores së famshme franko-amerikane, Luise Bourgeois-sës. Kjo skulptore i quante poezitë “skulptura lëvizëse të fjalëve”.
Kjo që thashë tani, shpjegon gjithçka që thashë më sipër, por ravijëzimi i profilit të Haxhi Kallucit, gjithmonë ka dhe do të ketë diçka të pambaruar.
 Sepse i pambaruar në vetvete është edhe arti.
 
Fier, 06. 06. 2015
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi