Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Kristaq Shabani
Kristaq Shabani
Anëtar i vjetër
Anëtar i vjetër
Regjistruar : 19/11/2015
Postime : 733
Points : 1430
Reputacioni : 5
Medalje Medalje2 Medalje3
http://www.pegasiworld.com

Teatri shqiptar në Amerikë     “GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU ATEROI NË LIBOHOVË DHE GJIROKASTËR”  Nga Xhevat Limani, Artist shqiptar Empty Teatri shqiptar në Amerikë “GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU ATEROI NË LIBOHOVË DHE GJIROKASTËR” Nga Xhevat Limani, Artist shqiptar

31st July 2018, 23:59
Teatri shqiptar në Amerikë
 
“GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU ATEROI NË LIBOHOVË DHE GJIROKASTËR”
Nga Xhevat Limani, Artist shqiptar
 
Teatri shqiptar në Amerikë në datën  23 korrik 2018 shfaqi poemën autoriale dramatike “GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU” të Xhevat Limanit, në Strugë, në Pallatin e Kulturës, nën përkujdesjen e komunës. Në sallën e madhe, gati të mbushur, shfaqja u luajt me një emocion të veçantë dhe u duartrokit disa herë në skenë të hapur. Në përfundim të shfaqjes, gjersa Aktori Xhevat Limani në rolin e Skënderbeut dhe Era Hoxha, soprano, në rolin e Donikës, po përkuleshin me nderim dhe respekt para publikut, në skenë u ngjit Prof. Kristaq F. Shabani poet, romancier, tregimtar, studiues, estet, President i Lidhjes Ndërkombëtare të Poetëve , Shkrimtarëve dhe Artistëve “PEGASI” ALBANIA  dhe njëkohësisht Kryetar i Akademisë ALTERNATIVE PEGASIANE i shoqëruar nga Prof. Bexhet Asani. Kristaqi së toku me Haxhi Kallucin, Enrieta Sinën, Nexhmije Hasanin dhe Nurie Badunin, ishin miqtë e mi pegasianë të ftuar nga Shqipëria.
Ishte kjo surpriza e radhës për mua, meqë akte të tilla nderimi, kisha përjetuar në turnenë e shfaqjes me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së kryeheroit kombëtar  nëpër Evropë si në: Zagreb, Vienë, Luzern, Gjenevë, Paris, Romë, Frasnita, Çifte, Ungra, Kozencë, Shën Gjergj- në Kalabri si dhe në Hora të Arbëreshëve në Sicili, në Shtutgart të Gjermanisë dhe tani, para fillimit të pushimeve në Gjakovë, Tiranë, Krujë, Qafështamë dhe, gjithsesi, nuk mund të rrija i qetë, pa iu përgjigjur ftesës së komunës për të shfaqur projektin që famëron skenave botërore në qytetin tim të lindjes, këtë qytet hyjnor, ku Kadmi dhe Harmonia lindën djalin e tyre, Ilirin, që fluturoi shekujve, si shqiponjë, që Shqipëria të jetë kryezonjë.
          Presidenti i LNPSHA “PEGASI”Albania, pasi na uroi për shfaqjen, u ndal para publikut me një qëndrim Anteu dhe duke u prezentuar emocionalisht dhe furrishëm, sikur perënditë, që shkrepin zemëratën e tyre në Kuvend të Dodonës, si një kryeintelektual na duartrokiti në skenë të hapur dhe në emër të Lidhjes Ndërkombëtare të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve  “PEGASI” ALBANIA , e cila ka në gjirin e saj poetë, shkrimtarë, artistë edhe nga 150 vende  të Botës, Artistit Xhevat Limani i dhuroi Titullin e Lartë “ARTIST I SHQUAR” me motivacionin: “Për kontributin kombëtar dhe ndërkombëtar në artin skenik profesional bashkëkohor, gjatë më shumë se katër dekadave, duke krijuar modelin e vetë Aktrues dhe përfaqësues; për kreativitetin, skenimin, regjinë, autorësinë dhe interpretimin me nivel të poemës dramatike “GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU”, duke materializuar me vërtetësi figurën dimensionale të Heroit Kombëtar. Duke dhuruar këtë titull të lartë-  dekoratë, Presidenti Prof. Kristaq F. Shabani, Njeriu i Vitit 2011 ABI (USA) si dhe kandidat për Çmimin Nobel për Paqe, viti 2017, ftoi publikun të ngrihet në këmbë me ovacione.
Sikur po më dilte zemra jashtë krahërorit, në skenën e qytetit tim, ku isha duartrokitur edhe më parë, por jo i dekoruar as edhe nga një Institucion alternativ dhe e ndjeja veten sa krenar dhe të lumtur, aq edhe disi të poshtëruar, sado që kisha për ngushëllim moral atë thënien profetike se edhe profeti që është profet nuk nderohet në vend të vet. Injoranca kalëron mendjet e sëmura dhe Institucionet pa anatomi kombëtare. Xhelozia dhe smira është cilësi e milingonave dhe nakarmëdhenjëve, të cilën janë në gjendje t’i bëjnë karshillëk nën hije edhe vetë Diellit, i cili që dritëron terrin. Surpriza e dytë ishte ftesa e hapur e Kristaq F. Shabanit që Skenderbeu të aterojë në Libohovë dhe Gjirokastër, tri ditë më vonë. Ftesa u bë publikisht dhe sado që kisha detyrime dhe obligime familjare, pranova ftesën e Pegasit.
          Mëngjesin e 26 korrikut me zonjën time, Lule Limani, ngarkuam pak dekor dhe kostumet në makinë dhe shpejtuam drejt Qafë Thanës me shpresë se nuk do të ketë tollovi në kufi e doganë. Na u lodh shpirti e trupi që nga Shkodra e përtej Shkupi me dogana e kufij, gjersa politikuajtë tanë shpirtmercenarësh notojnë ujërave të ndyrë profiterikë, populli im përjeton Golgotën Ferrpurgatorjane, duke ëndërruar Parajsën në tokë dhe jo në botën tjetër, siç predikojnë të marrët dhe reprezentuesit e marrëzisë. Morëm rrugët gjarpërore të Prrenjasit, Librazhdit, Elbasanit, Peqinit, Rrogozhinës, përmes Myzeqesë dhe, pasi kaluam Fierin, makina frymonte më rëndë kthinave dhe maloreve drejt Mallakastrës Memaliajt, dhe u freskuam në Tepelenë për të përshëndetur Ali Pashanë, luanin e Janinës që hodhi frenqtë në det, atë burrë të madh, pushtues e diplomat, trim dhe me shije të veçantë estetike mbi të bukurën.
Takimin me z. Kristaq F. Shabani e kishim lënë te Sheshi  “Çerçiz Topulli:”,  në Gjirokastër aty, ku qëndron monumentalisht madhështor Çerçiz Topuli. U ndalëm para hotel “Çajupi” te restoranti Sofra. Na priste Kristaq F. Shabani me shumë dëshirë. Sapo rrufitëm kafetë, na njohu me skedën. “Të shpejtojmë, - tha ai,- se na pret Prefekti i Qarkut të Gjirokastrës , z. Astrit Aliaj.
 U ngjitëm shkallëve të gurta drejt Bashkisë dhe Prefekturës , ndërsa mua më zgjoheshin kujtimet rinore, kur kisha lexuar  romanin “Kështjella” dhe “Kronikë në gur” të gjeniut të letrave shqipe, z. Ismail Kadare. Sapo u ngjitëm shkallëve që, dikujt pa kondicionin fizik, mund edhe t’i zihet fryma, sekretarja e prefektit hapi derën me ëmbëlsi dhe na ftoi me shumë finesë: “Prefekti ju pret...”
U futëm në zyrën e Prefektit. Respekti dinjitoz dhe Institucional rrezatonte përtej dekorit dhe dritareve nga dëgjohej cicërima e zogjëve dhe bilbilave. Na gostiti aq sa ish në gjendje të na nxjerrë edhe zemrën në tavolinë. Më ka rastisur me teatrin dhe me xhirrime filmash të kalojë Shqipërinë duke kaptuar fshatra, qyteza e qytete, por kurrë nuk kisha takuar një pushtetar kaq modest dhe konkret,  i cili rrezatonte kulturë, edukatë, informacion dhe atdhetarizëm. Pas shkrepjes të Iphonëve dhe aparateve fotografikë, sa për të lënë gjurmë kujtimesh dhe për të dëshmuar prezencë kronike dhe historike, na përcolli duke na premtuar se do të vijë në mbrëmje në Libohovë. Duke zbritur shkallët mendova se shpërlau gojën, si shumica e politikuajve demagogë.
Hipëm makinave bashkë me anëtarët e grupit Dr. Bexhet Asani shkrimtar dhe studiues, Afrim Shatku piktor dhe arkitekt nga Shkupi si dhe poeti tipik mërgimtar Sami Sherifi. Në ekipin nikoqir, përveç Kristaq F. Shabanit në stacionin e radhës, u ndalëm në Labovë të Kryqit, ku na u bashkuan edhe dy miqtë e Kristaqit, anëtarë të LNPSHA “PEGASI” ALBANIA dhe tanët, skulptori dhe poeti Haxhi Kalluci nga Skrapari, me banim në  nga Fieri si dhe poeti Petrit Nika nga Puka, me banim po në Fier. U futëm në oborrin me kopsht dardhash e qershish. Mirëseardhje na shprehu një burrë që dukej si në moshë të tretë, sikundërse do të thoshin Arbëreshët e Sicilisë, Giorgio dhe Aleksandër Cuccia.
Një burrë vetullngritur dhe syshqiponjë, z. Stefan Miha, ciceron i Kishës së parë Ilirike në Labovë të Kryqit. Ngriti një dolli për shëndetin tonë në një bar që ish në fazën e hapjes. Zonja e lokalit  nxitoi dhe na qiti djathra e salca nga kuzhina tradicionale shqiptare që nuk e kompetitojnë dot të gjitha shtetet e Mediteranit bashkë. Na mbajti z. Stefan një ligjëratë kronike, historike, fetare, kombëtare dhe me nivel akademik, sa në një vizitë më të hershme, kishte lënë pa tekst edhe kryeministrin e Shqipërisë. Zonja ime, Lule, u pataks nga fjala e rrallë  e Stefanit dhe më pëshpëriti me edukatë: “Më duket sikur po flet Ti, Xhevat...”.
Ne i shprehëm falenderim dhe mirënjohje z. Stefan dhe, sipas traditës, aty ku shkel këmba pragun e një objekti para hapjes, duhet lënë diçka për mbarësi, apo siç do të tingëllonte Haxhi Kalluci : “Dora thatë, s’ka uratë”.
Vazhduam vizitën te kisha dhe mësuam aq gjëra dhe informacione, sa një semestër apo vit akademik të hulumtosh bibliotekave dhe arkivave të huaja. Stefan Miha ishte më tepër se Akademik dhe hulumtues.
Dyzetë e më tepër vite e kërkoja këtë kryepersonazh dhe ja që tani e gjeta prototipin e kryeshqiptarit të ditur, urtak dhe atdhetar, njeriu që nuk kish lejuar Janullatosin të mbajë meshë greqisht në kishën e Labovës së Kryqit, para se të mbante meshën shqip dhe fanarioti me bishtin ndër shalë kish lëshuar këtë tempull, i mundur nga një kryeshqiptar. Për një pjesë të madhe të shqiptarëve të Kosovës, Iliridës, Luginës dhe Malësisë së Mbishkodrës që i bëjnë qejfin vetes, kinse shqiptarët e Shqipërisë së Jugut, nuk janë aq të devotshëm dhe dinjitozë, por më tepër rezultojnë si “progrek”, ky ishte leksioni më konkret që këta “kacagjela të fryrë” nga borizanët e agjenturave antishqiptare serbo-greke-turke-sllavomaqedonase dhe neobizantine, se shqiptari është shqiptar në çdo cep të Shqipërisë dhe në tërë viset e saj që ende kanë mbetur të okupuara, në fund të këtij shekulli të fëlliqur, plot hipokrizi e demagogji evropiane.
Pas një vonese të arsyeshme zbritëm rrëpirat e thepat nga Labova e Kryqit deri në xhadetë dhe, pas disa minutash, ngjitëm kodrinat dhe përpjetëzën gjarpërushe të Libohovës, mbi rrëzën e Malit Bureto, nën këmbët e kalasë së Ali Pashait. Grykave përballë fshihet Poliçani ndërsa majave alpine rrëshqet Zagoria, ato vende të bukura që kemi mësuar nga Letërsia e Rilindjes, sidomos nga poezia e Çajupit.
Në shesh të Libohovës na pret Avni Rustemi në bronz, ndërsa një zonjë me buzëqeshjen e ngrohtë na prezentohet vetë: Luiza Mandi, kryetare e Libohovës. Mjeke me profesion. Na ofroi të ulemi nën hijen e Rrapit shekullor. Bashkëpunëtorët e saj që e shoqëronin flisnin sipas hierarkisë dhe respektit institucional. Kristaq “Kapedani” na prezentoi shqipërisht para zonjës së parë. Dukej nga maja e degët e Rrapit se ndjehej krenar dhe i lumtur që, nën “dirigjimin” e “Pegasi” Albania do të ligjëronim në gjuhën e perëndive. Haxhi Kalluci, aty- këtu, ndërhynte me gjetje dhe shije të një niveli aristokratik që rrallë e gjen edhe në mecenet e Evropës plakë. Petrit Nika, poeti pukjan nuk fliste. Heshtja e tij e koduar shqipërisht fliste më tepër. Mëngët e Rrapit ishin lëvarur dhe sikur krijonin një djep nga njëri krah që burrat e rënduar të mbështesnin ndonjë sup, sa për të ruajtur drejtpeshimin. Bëmë disa foto çasti me miq dhe shokë. U vendosëm pranë Bashkisë dhe pas  një kohe filloi programi. U hap mbrëmja me pikturat e z. Afrim Shatku dhe me suport fjale të skulptorit poet Haxhi Kalluci.
Në Libohovë për befasinë tonë të këndshme na priti edhe Prefekti i Qarkut të   Gjirokastrës z. Astrit Aliaj, një personalitet me kod dhe me besë. Pastaj doli në skenë Kristaq F. Shabani që me fjalët e tij të kujton ujëvarat e Niagarës që derdhen mbi shtratin plotë mjegull e shkumbë, ndërsa fjalët e tij plotë muzikalitet dhe tingull kristalor të mbushin mendjen, zemrën dhe shpirtin plotë dashuri e atdhetarizëm. Më ringjall Rilindasit idealistë që shitën pasurinë të bëjnë Shqipërinë. Promovoi librat e Dr. Bexhet Asanit me një elokuencë dhe ritëm të veçantë, sa do t’ia kishin lakmi edhe promotorët e specializuar në Perëndim. Natyrisht, se e ndihmonte me ndërhyrje fragmentar edhe vetë autori Bexhet Asani, si dhe poeti Sami Sherifi. Para se të filloja me disa fragmente të Skënderbeut, z. Kristaq F. Shabani më bëri një prezentim modest, por tepër të veçantë. Surprizoi edhe zonjën time Lule, kur e ftoi të fliste për procesionin tim krijues metafizik e  shpirtëror. Dhe Lulja ime, duke folur me vellon e modestisë shkurt dhe me shije, ua la fjalën të tjerëve. Atëherë, para se të filloja shfaqjen u bëra një deklamim të poezisë kryeperlë të Xhevahir Spahiut “Borxhet e mia”. Pas duartrokitjeve, “qirasa” publikun, derisa të vishja kostumin e mbretit me një “meze” artistike të sopranos Era Hoxha dhe me kompozim të z. Aleksandër Peçi: “Ti Shqipëri më jep nder” libretuar nga Xhevat Limani, sipas vargjeve të bilbilit të gjuhës shqipe, kryeapostullit tim, Naim Frashëri.
Fragmentet e monologjeve u duartrokitën gjatë dhe me respekt artistik.
Luajta kryeheroin me mjeshtëri të tillë, një djegie e brendshme e Aktorit, jo zhurmë për turmë, sa më dukej se më duartrokiste nga sheshi edhe ai burri i madh, Avni Rustemi, që na zbardhi faqen mes Evropës, kur shtriu përdhe tradhtarin. Urimet e përzemërta nga kryetarja e Libohovës dhe Prefektit të Gjirokastrës ishin mbresëlënëse dhe domethënëse. Ata kanë parë dhe dëgjuar kolosët e skenës dhe ekranit shqiptar që nga Naim Frashëri Aktor e deri te Kadri Roshi emblemë. Dhe zëri im me ngjyrime emocionale i shtynte të shtrojnë pyetje vetvetiu në shenjim respekti dhe mburrjeje. E ndjeja veten mirë dhe bukur, para një publiku aq të denjë dhe të dashur. U përula me respektin më të madh ndaj të zgjedhurve i bindur përjetësisht, se nuk ka publik që merr vesh apo s’merr vesh, por ka vetëm Aktorë që dinë apo s’dinë të luajnë.
          Kryetarja Luiza Mandi me shumë elegancë, dinjitet dhe bujari na ftoi për darkë. Biseda vazhdoi deri vonë. Dhe në çastin, kur mendonim se po shkonim në gjumë, atëherë ngriti dollinë poliedriku prometejan Kristaq F. Shabani dhe shprehu dëshirën dhe lutjen e Stefanit të deklamoja një fragment nga “Bagëti e bujqësi” të Naimit. Nuk e refuzoja dot, as Kristaqin e as Stefanin dhe as dëshirën e zjarrtë të të gjithë të pranishmëve, të cilët kishin kurreshtjen e madhe, se si do të deklamoja lirikën himn atdhetarie të Naimit, pas kryeheroit, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Duke përfunduar me një dekreshento Drinorohyjnore, nën pëshpërimën dhe çikërrimën e lotit të dhembjes dhe dashurisë, ula kryet ngadalë si vala që përkëdhel brigjet e Atdheut dhe s’ kish fjalë më e as tjetër gjë. U përshëndetëm para gjumit drejt ëndërrimit për të thyer monotoninë e territ. Kaloi dhe një natë.
          Të nesërmen dola të pij kafenë dhe po ecja drejt Rrapit, në cep të sheshit “Avni Rustemi”. Disa qytetarë që kishin parë shfaqjen më lutën ta pija një kafe me ata në shenjë respekti dhe falenderimi. U ndala nga respekti dhe dashuria për popullin tim. Unë e dua popullin tim dhe vetëm para tij përkulem. Ai është Sovrani im, se të gjithë të zgjedhurit janë të lindshëm dhe të vdekshëm. Vetëm kujtesa dhe bindja e popullit nuk vdes kurrë. Erdhi dhe zonja ime, Lule, dhe bëmë foto kujtimesh në shesh dhe nën Rrap. Personale dhe grupore për të dëshmuar dhe gjurmëruar kohën.
          Pastaj doli në skenë përsëri “gjenerali” Kristaq F. Shabani. Lutjet e tij u përngjajnë urdhërave. Na luti të shpejtojmë se na prisnin tek kryetempulli i dhuntisë së Perëndisë që ngriti namin e Shqipërisë. Fama e tij ec para nesh. Ismail Kadare peshon shumë në sytë dhe bindjet e botës. Dhëntë Zoti ta kuptojnë edhe shqiptarët shpirtmërdhirë që çirren, krrokasin, ulurijnë dhe që shajnë, jo vetëm gjeniun, por edhe vetë Shqipërinë.
Fali, o Zot se nuk dinë se ç’bëjnë... Vetëm në katin e dytë kish disa foto të Ismailit dhe çdo gjë tjetër ishte reliev Shqipërie. Peizazhe dhe portrete me shumë sqimë dhe reflektim anatomik tipik Ilirik. Në fillim i qirasa me një “meze” të Ismailit. Recitova poezinë “MALL”. Kur filloi promovimi i librave të Dr. Bexhet Asani, unë shkova dhe u përgatita për fragmentet e shfaqjes. E luajta qetë dhe gati me bindje e qasje filmike, natyrisht pa cënuar personalitetin e komandantit me butësinë dhe ashpërsinë urdhërore. Pas duartrokitjeve të gjata dhe përuljes sime pranë Oxhakut, aty ku Idhulli ynë ka dremitur mbi libra netëve të shumta, më dukej sikur po dëgjoja zërin e Kryegjerarkut dhe po imagjinoja hapin e tij, duke u afruar të më shtrijë dorën me dinjitet dhe respekt. E ndjeja këtë ngrohtësi Atërore, për faktin, ndoshta pse edhe babai im quhej Ismail. Duke mgjitur kalldërmet e Gjirokastrës morëm lajmin e hidhur për humbjen e madhe, vdekjen e Adem Demaçit, kryeshqiptarit që bëri histori. Jam betuar para ndërgjegjes sime se shfaqjen e radhës në qytetin e Manastirit do t’ia dedikoj simbolit të Rrezistencës, Sakrificës dhe Triumfit, Adem Demaçi.
          Dielli kish çarë e plasaritur retë mbi  kështjellën e princeshës Argjiro dhe sikur na ftonte të nisemi drejt Tepelenës, ku diku pranë Lumit morëm djathtas rrjedhën e Vjosës. U ndalëm në Dragot në një restorant, propopzuar nga Haxhi Kalluci. Restoranti ngrihej mes katesh luleferrishtash dhe përballë kishim fshatin Dragot. Para një jave a dhjetë ditë kish ndërruar jetë aktori Hollyëudian, Sten Dragoti, që la gjurmë në kryetempullin e filmit dhe, sidomos shkëlqeu me projektin “I LOVE NEË YORK”. Shtriva duart për një çast drejt fshatrit Dragot dhe u luta që shpirti i tij të shkoj në Parajsë. Ndoshta, në një  të ardhme të afërt qeveria shqiptare do ta ngrejë një bust në shenjim të artistit që nderoi Shqipërinë, përtej oqeanit.
U nisëm për një kafe në Përmet. Vjosa gjarpërore na printe drejt burimit. Në të djathtë ngriheshin malet e rrepta të Zagorisë, ndërsa majtas nëpër shpatije shtrihej Frashëri dhe Dangëllia, vendparajsa, ku bilbiluan kombndriçuesit: Abdyli,Samiu dhe Naimi. Tre vëllezër, njëri më i madh se tjetri. U jemi shumë borxhli këtyre titanëve të vizionit, të mendimit dhe të fjalës. Përulemi Shqipërisht para kolosëve të këtij vendi zulmëmadh që lindi më shumë personalitetet flamurtarë se çdo komb tjetër përrreth apo edhe më larg. Sheshi i Përmetit na priti me buzëqeshje freskuese. Dielli po perëndonte drejt Lunxhërisë. M’u kujtua regjisori i parë shqiptar, Koto Hoxhi, që vuri në skenë dramën “DASMA NË LUNXHËRI”. Më dukej se po kthehesha nga ajo dasmë e bukur panshqiptare. Le të vazhdojë Dollia.
Le të ngrihen shëndete në katër Vilajete. Vetëm duke ngritur për njëri tjetrin Dolli, ne dëshmojmë Shqipërisht se do të ketë Shqipëri. Dhe gjithmonë do të ketë pranverë. Dhe stinë me pemë do të ketë, gjersa Dielli dhe Hëna të dritësojnë këtë jetë...
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi