Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Kristaq Shabani
Kristaq Shabani
Anëtar i vjetër
Anëtar i vjetër
Regjistruar : 19/11/2015
Postime : 733
Points : 1430
Reputacioni : 5
Medalje Medalje2 Medalje3
http://www.pegasiworld.com

Bota kreative e një fenomeneje , përfaqësuese tipike, e feminilitetit inteligjent  Empty Bota kreative e një fenomeneje , përfaqësuese tipike, e feminilitetit inteligjent

18th November 2021, 09:59
Prof. Kristaq F. SHABANI
 shkrimtar, poet, studiues, estet
President i LNPSHA “PEGASI” ALBANIA
 
 
Bota kreative e një fenomeneje , përfaqësuese tipike, e feminilitetit inteligjent
                                          Elena Gjika (Dora D’ISTRIA)
Hyrësi
 
Pa minimizuar të tjerët dhe pa maksimilizuar Elena  Gjikën, doja  që, në këtë paraqitje profilore,  të prekja një çështje të madhe, e cila ka të bëjë me aftësinë kontributative të një krijuese shumëdimensionale dhe shumëplanshe, me një fizionomi kreative shumë të pasur.
Nëse gërmojmë në historinë e femrës kreative ndër shekuj, e kam fjalën “kyçe” për rolin e  femrës shqiptare, do të hasim ilustrime të forta e tipika befasuese.
Le  t’u referohemi disa të dhënave kokëforta, të cilat vijnë guximshëm nga  rrugëtimi ynë historik dhe le të sigurojmë burimin rrjedhës të kësaj gjallie të epërme.
 
Etapore (Krenimi ynë)
Historike, përvojë madhore
Një nga studiuesit, i cili që i ka kushtuar studime të veçanta botës ilire ishte francezi Pierre Cabanez. Nga dëshmitë epigrafike të Dodonës së Butrintit, që i përkasin shekujve VI-I para erës sonë në Iliri, gruaja kishte të drejta të barabarta me burrin, e në disa raste gëzonte më shumë të drejta se ai.
Nga dokumentet e ndryshme del në dritë se, statusi i gruas në Iliri ishte krejt tjetër nga ai i gruas greke, e cila duhej t’i nënshtrohej, gjatë gjithë jetës, autoritetit të padiskutueshëm të burrit. Të dhënat historike përshkruajnë gratë ilire që angazhoheshin nëpër beteja luftarake, ishin të afta të mbanin pushtetin politik dhe ushtarak dhe merrnin pozita udhëheqëse. Mbishkrimet në pllakat e dyllit tregojnë se, gratë angazhoheshin në transaksione të rëndësishme financiare të niveleve të lartë, duke shtuar peshën në pikëpamjen se gratë kanë pasur status të barabartë me burrat në Ilirinë e lashtë.
*
Ashtu, sikundërse e kam shprehur  dhe në poemën time “Mbretëresha Eklips”(Mbretëresha Teutë)  është i qartë kalendari i veprimeve luftarake të Mbretëreshës, gjatë mbretërimit të saj të shkurtër, por lavdiplotë; është e qartë strategjia e ndjekur  dhe pushteti i saj në të gjithë mbretërinë, është i qartë triumfi i saj dhe marrëdhëniet me fqinjët si dhe kundërveprimi ndaj romakëve, që e shndërroi këtë trime në një Kryekapedane dhe të lakohej në të gjitha rasat  dhe të kallëzohej në të gjitha mënyrat dhe trajtat e kahjes sipërore  të pozitivitetit dhe të shëmbëlltyrës, si një nga dhjetë femrat trimëresha  më të forta të kohërave
Përkufizimi: dinjitet në përballje, simbol në liri, trime në plan vetjak, duke e mbartur te komandantët dhe ushtarët e saj ilirikë; manifestim i një shpirti të vendosur dhe një krenimi madhështor, por jo hiperbolik,  e shndëroi Mbretëreshën e Ilirëve në një mit…
Marrarendëse janë  rrëfimet e mëtejshme të legjendës për Kryelegjendën ilire dhe shpërthejnë pyetjet retorike për fundin e saj: “A mund të vdesë një kryetrimëreshë e tillë, kur shëmbëlltyra e saj u përcoll si bëmë heroike dhe te  shumë femra ilire dhe shqiptare? (Kujtoni gruan trime të mbretit Olimp, e cila u hodh nga Kalaja e Labovës së Kryqit  për të mos rënë në dorë të armiqve (ende kuqon gjaku i saj në shpellën, ku u hodh); sillni ndërmend Argjiron e famshme, e hedhur  nga kështjella me gjithë djalin e saj, për të mos rënë pre e turqëve (dhe sot ajo metaforisht është shëndruar në gur, i cili çuditërisht “rritet “ përvitshëm) apo heroika e grave krutane, mirditore, zhulaqote, ndodhive në Kosovë, Iliriadë e tjerë)… Hedhje këto të trimta e të përsëritura gjatë gjithë historisë sonë kombëtare, në të gjithë hapësirën e shtrirjes së Gadishullit Ilirik dhe në shekujt e  quajtur “modernë”….).
Për ta plotuar këtë nisje le të ndalemi te  shpalosja e  emrave të femrave më të forta të Botës,  dekalogut trimëror të kohërave,  që në të, merr pjesë e fuqishme, Teuta, mbretëresha e pazbutshme e ilirëve. Kështu përmenden emrat e të fortave : Boudicca, mbretëresha kelte që luftoi ndaj romakëve; Grace O Malley, Mbretëresha pirate e Irlandës ; Cartimandua, mbretëresha e fisit Brigantes, mike me Romën; Penthesilea, Mbretëresha  Amazonase, racë legjendë femre luftëtare; Ching Shih, nga një femër e zakonshme  e shndërruar  në një lorde pirate; Zenobia, mbretëresha luftëtare e Palmirës, në Siri; Jeanne de Clisson, Luanesha e Britanisë ; Gruaja e tërbuar franceze, Jeanne de Clisson dhe  Nefertiti, mbretëresha e Nilit. A nuk është ky një pasqyrim meritë ?
Gjatë gjithë historisë ka pasur shumë gra të forta të shquara   dhe me kontribut  të jashtëzakonshëm në lëmin e kulturës, të arsimit dhe të prosperitetit, sikundër kanë qenë motrat Qiriazi, Sevastia dhe Parashqevia, apo në shekujt e mëvonshëm e shquara nNënë Tereza…, Nobelistja jonë.
Shquarja  dhe veçanësitë e Elena Gjikës
 
  Një rrugëtim dinamik i Elena Gjikës në planin arsimor dhe kulturor
Në historinë e Kombit tonë spikat eruditja e përmasave ndërkombërtare, Elena Gjika (Dora d’ Istria)
Elena Gjika u lind më 22 janar 1828, në Bukuresht të Rumanisë. Ajo ishte e bija e Mihal Gjikës (1794 - 1850), vëllait të Princit të Vllahisë, Grigor Gjika IV dhe e Katarina Gjikës, lindur Faca (1809-1853).  Krahas rrjedhës familjare shkallinore të origjinimit,  ajo kishte një nënë të arsimuar, Katarina (Katinka).   Fakti që, nëna e saj ka përkthyer në gjuhën rumune librin "De l'éducation des enfants" (Edukimi i fëmijëve - 1839), i cili është shkruar nga mësuesja franceze Henriette Campan, e tregon më së miri nivelin e saj e përftesën  kulturore .
Ajo filloi të  shquhej e të shndriste qysh e vogël. Kështu, duhet ngulitur mirë: Në moshën 10 vjeçare  Elena  fliste 9 gjuhë, kurse në moshën 14 vjeçare, çuditërisht,  filloi përkthimin e “Iliadës” së Homerit nga gjermanishtja, ndërsa në moshën 16 vjeçare  ekspozoi pikturat e saj në Dresden. Duhet theksuar se, qysh në moshë të re, Elena Gjika udhëtoi me prindërit dhe vizitoi oborret e Vjenës, të Dresdenit dhe të Berlinit. Falë talentit të saj të spikatur nga njëra anë dhe bukurisë së saj të pakrahasueshme  u adhurua  në kulm. Elena  bëri një rrugëtim të bukur arsimimi: Studioi letërsi në në Dresden (Gjermani), më vonë  në Vjenë (Austri), Venedik (Itali) dhe së fundi në Berlin,  ku u diplomua  në fushën e letërsisë së vjetër greke te profesori gjerman Alexander von Humboldt. U mbrujt me arsimim  dhe  kulturë të gjerë perëndimore në shkollat më të mira të Evropës. Studimi në këto vende të arsimit të epërm, lidhësia me personalitete të mëdhenj të kohës, martesa me dukën rus  krijoi një profil të vetin të spikatur. Ajo u martua me dukën rus, Aleksandër Kolstov-Massalski, dhe jetesa e saj u përqëndrua për ca kohë në Rusi (Petërburg), por kurrë nuk u pajtua me teorinë dhe diplomacinë nacionaliste ruse, as me fanatizmin ortodoks  despotik të perandorit Nikolla . Si rrjedhojë e përkeqësimit të shëndetit, ajo i dha “lamtumirën” Rusisë dhe u divorcua me dukën rus, udhëtoi në Greqi, i shtyrë dashuria për këtë vend, si rezultat i studimit të letërsisë së lashtë greke, mandej në Turqi , Zvicër dhe së fundi u vendos në një vilë në Firencë. Por udhëtimet e vijueshme të Elenës vijonin Francë, Irlandë dhe Shtetet e Bashkuara.
 
Eliminimi i hipotezave për origjinën dhe dritësimi i saj
Për historinë  dhe rrjedhat e familjes së vet, Dora d’Istria botoi një vepër prej 455 faqesh me titull: “Gli Albanesi in Rumenia”. Storiadei principi Ghica nei secoli XVII, XVIII e XIX”, Firenze, 1873 (Shqiptarët e Rumanisë. Historia e princërve Gjika në shekujt XVII, XVIII dhe XIX).
Ky studim, pasi u botua në revistën “Europea”(1871-73), në vitin 1873, u botua edhe si vëllim i veçantë, i përkthyer në italisht, nën përkujdesin e Bartolomeo Çeçetit  (Bartolomeo Ceccheti, 1838-1889).  Në këtë përmbledhje studimesh trajtohet, midis  të tjerash, edhe prejardhja dhe pema gjenealogjike e   familjes Gjika. Qartësisht  shprehet se, Gjikajt kanë prejardhje shqiptare, duke shmangur  e  eliminuar   hipotezat  synuese,  të cilat kishin, si objekt, shtrembërimin  e origjinës së kësaj familjeje.
Këtu,  në këtë libër,  ajo rezervohet  për të përcaktuar  saktë se nga cila zonë e Shqipërisë është familja e saj dhe cila ka qenë arsyeja kryesore  e emigrimit të  të parëve të   Gjikajve të shpërngulur  në Azi të Vogël.
Ndaj, gjithmonë, Elena Gjika  shfaqet krenare për rrënjët e origjinës së  saj shqiptare. Pra, ajo asnjëherë s’i harroi rrënjët shqiptare. Elena Gjika iu përkushtua  afirmimit të çështjes kombëtare shqiptare dhe dha  kontribut të madh, veçanërisht në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Ishte një studiuese e zjarrtë e folklorit shqiptar dhe u bë e famshme për studimet e saj në shumë fusha  të kulturës e të traditës  dhe spikat në këtë fushë,  veçanërisht me studimet: “La nationalité albanaise d’après les chants populaires” (“Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore”, 1866), “Les ecrivains albanais de l’Italie Méridionale” (“Shkrimtarët shqiptarë të Italisë Jugore”, 1867), “Gli albanesi in Rumenia” (“Shqiptarët në Rumani”, 1873) etj. Shihet qartë përkushtesa ndaj çështjeve shqiptare.
Elena Gjika, kryemodel i femrës krijuese, rrallësi  në shumëplanshmërinë e saj kreative: publiciste, shkrimtare, piktore,  etnologe, kompozitore,  alpiniste, veprimtare e shquar shoqërore dimensionale, pjesëmarrëse  ekzistenciale  gjallërore në lëvizjen kulturore përparimtare të Evropës, si kundërshtare e sundimit despotik monarkist dhe e shtypjes Kombëtare, si rrjedhojë, për këtë kontribut, është e radhitur  në mes të 10 femrave më të ngritura intelektualisht në botën e asaj kohe.
(Një koincidencë e fortë: Mbretëresha  Teuta e rreshtuar me 10 femrat më të forta të Botës dhe  Princesha Elena e tillë  në kohën e saj për ngritjen intelektuale!)
Veprimtaria e saj është rrokur në Enciklopedinë e përgjithshme të Francës, ku, për Elena Gjikën, ndërmjet tjerash, thuhet: “Princesha Elenë njihte thellë italishten, anglishten, gjermanishten, frëngjishten, rumanishten, greqishten(e vjetër dhe moderne), latinishten, rusishten dhe shqipen”.
Njohja e këtyre gjuhëve dhe e kulturave të popujve, që i flisnin gjuhët e sipërthëna, i mundësoi që të pajiset me një kulturë të gjerë, ndaj dhe studiuesi spanjoll Iriarte e quajti “Enciklopedi e gjallë”. Falë kësaj shkalle njohësie, ajo mundi të shprehë konceptet, nocionet, bindjet, arsyetimet në fusha të ndryshme me autoritet njohës dhe shumëllojshmëri idesh, si dhe të prezantonte talentin e saj të madh. Pra, kishte hapësirë të madhe prezantimi.
Si publiciste dhe shkrimtare (kryesisht në frëngjisht), Elena Gjika u bë e njohur në vitin 1855. Pra, vetëm në moshën 27 vjeçare Elena u bë e njohur me pseudonimin e saj magjistar “ Dora d’ Istria” . Ajo i shkroi veprat e saj, kryesisht, në frëngjisht, por ajo ishte njohëse e shumë gjuhëve, pra  e një  “deti” gjuhësh. Ajo shkruante me emrin Dora D'Istria. Gjika botoi një numër shkrimesh që tregonin, jo vetëm njohjet e gjuhëve, por edhe njohuritë e saj në fushën e shkencës, fesë, politikës, si dhe talentin për të paraqitur pikëpamjet e saj.
 
Disa nga  veprat e saj:
 
Vepra e saj e parë ishte “La vie dans l'Eglise monastique Orientale”- "Jeta monastike në Kishën Lindore" (Bruksel 1855; Bot. II-Paris 1858). Një vepër e pjekur, paçka se e parë, ku thirronte për shfuqizmim e urdhërave manastiriale. Mandej, vijoi me librin e saj “La Suisse allemande - "Zvicra gjermane" (Gjenevë 1856, 4 Vëllime, gjermanisht; Bot. II, Zürich 1860, 3 Vëllime), ku realizonte  një përshkrim  konstruktiv profesional të Zvicrës dhe temperamentit  të  popullit të saj. Madje, këtu, me shumë aftësi, ka treguar dhe aftësinë e saj alpinistike  duke treguar “odisejadën” e një përshkrimi të një ngjitje në malin Monk.
Pra, ajo ishte një alpiniste dhe kjo e ndihmojë edhe në rritjen e saj në të gjitha drejtimet. Poeti Agim Shehu këtij “kulmimi të saj alpinistik” i ka përkushtuar një  poezi:

Elena Gjika mbi majën   4000 m të  Zvicrës

 
Ç’kërkoi Ajo te kjo lartësi,
si të zgjaste dorën në yje e planete?
!
Vetë qe aq e bukur, sa qiejve
asnjë bukuri s’u lypte për vete.

Gazetarët poshtë shkruan me kureshtje
për Zonjën e bukur
që vinte nga larg…
Ajo aq lart bisedonte

me Perënditë pellazge,
për kombin e saj pel
lazg.
 
( Duhet evidentuar se, në kohën kur, Elena  Gjika “pushtoi” majën më të lartë të Evropës, atje s’ekzistonin kushtet e sotme për ngjitje. Kjo ekspeditë e saj, sikundërse janë shprehur specialistët, sot merr edhe kuptim simbolik).
Tema e gruas dhe universialiteti i saj, zbulimi i botës së feminilitetit, i universialitetit të kësaj bote  të madhe  ishte një nga prioritetet e saj madhore, në të cilën Elena arriti suksese të padiskutueshme. Arriti të zbulojë universin femëror nëpërmjet udhëtimeve të saj të shumta dhe e “fotografoi” në të gjitha detajet, nëpërmjet shkrimeve të saj të shumta që i botoi në revistat më prestigjioze të kohës. Kjo temë e saj ishte sa e gjerë,  aq dhe hapësinore, sa e prekshme , aq dhe me  labirinte,  me  dukurinë dhe  padukurinë e saj. Ajo nuk dëshironte kurrsesi që, kjo botë të mbetej e paeksploruar… Është një shembull i madh për krijueset e tjera të kohëve. Në shkrimin e saj    “Les femmes en Orient” - "Gratë në Orient" (Zürich 1859, 2 Vëllime), është përshkrues tipik i këtij arsyetimi  për emancipimin e grave në Levant (Mesdheu Lindor), ku, me penelata të gjalla, jepet, në një pasqyrë të ndritshme, aftësia hulumtuese, përshkrimi tipik  dhe real;  në një shkrim tjetër të kësaj fushe  “ Des femmes, par une femme  "Rreth grave, nga një grua" (Bot. II, Bruksel 1869, 2 vëllime), ajo përdorte me metodën krahasimtare  gjendjen e grave në Evropën latine, me ato në Gjermani, dhe kërkonte me aftësi dhe me formë të drejtë apelore  trajtim të barabartë të gjinive, jo predominacë të gjinisë maskile. Pra, gratë duhet të pozicionoheshin në vendin që iu takonte në shoqëri.
Duhet theksuar se, një nga botimet e saj  tipike dhe tepër inteligjente, që e zgjeronin gjeografinë e mendimit dhe të hapësirës,  ishte libri i veçantë: “Ekskursions en Rouméllie et en Moree” – ( "Ekskursione në Rumeli dhe More" (Zürich 1863, 2 Vëllime). Në këtë libër, ka shumë frymëmarrje, ku ballafaqoheshin kohët, krahasohehen ato dhe dilet në një përfundim konkret, duke qenë Elena njohëse e thellë Greqisë së lashtë, demokratizmit të parë të saj, ku nxjerr në pah detyrën e   njëjtë  civilizuese, si  Gjermania e kohës së saj.
 
Sa bukur ka depërtuar në këtë botë ballafaqësuese dhe evidentuese vlerash!
 
Si tregimtare dinjitoze, me këndvështrim të spikatur dhe e rrokjes  me pëlqesë të kontureve relievore, ajo botoi tregimin “Au bord des lacs helvétiques: - "Lundrim në liqenet zvicerane" (Gjenevë 1861),  si dhe  dha kontribut në fushën e madhe të gjinisë letrare, sikundërse është romani, duke prezantuar romanet “Fylétia e Arbenoré prej Kanekate laoshima” (Livorno 1867), “Gli Albanesi in Rumenia”,  një histori e princave Gjika, nga familja e saj, në shekujt e 17-të deri 19-të (Bot. II, Firenze 1873), dhe “La poésie des Ottomans” (Bot. II, Paris 1877) e tjerë.
Por, jeta kreative e Elena Gjikës ishte shumë e pasur me shkrime të temave të ndryshme shqetësuese  që përfshijnë gjini e fusha të ndryshme të  teorisë dhe historisë së  letërsisë, poetikës, çështje të ndryshme të aspektit  politik, shoqëror, fetar, të artit, të kulturës, të etikës,  etj. Kjo seri shkrimesh u botuan  në revista të mirënjohura franceze (sidomos në “Revue des Deux Mondes”), belge “Libre Recherche”, italiane “Diritto”, “Antologia nuova”, “Rivista europea” etj. dhe revista zvicerane, greke, rumune dhe amerikane. Pra, një punë e palodhur, tipike inteligjente, parashtruese, novatore e Elena Gjikës, shembull i kreativitetit, i altruizmit intelektual. 
Pas ndarjes me të, më 1855, u shpërngul dhe vajti në Zvicër. U bë e para grua që ngjiti Malin Jungfrau.
Elena Gjika ishte gjithashtu piktore. Ajo ishte anëtare e shumë shoqërive të studiuesve, të tilla si Akademia italiane, ajo u emërua edhe qytetare nderi nga parlamenti grek dhe shumë qytete italiane.
 
Kontaktimet e Elena Gjikës
 
Duke qenë se kishte gjak princëror, nuk e kishte të vështirë të vendoste kontakte të shumta me rrethet intelektuale, shkencore, politike dhe letrare të Evropës. Fama e Elenës  fisnike u përhap shpejt  në mbarë Evropën, por edhe përtej kontinentit të vjetër.
Merita të saj: Elena mori pjesë gjallërisht në lëvizjen kulturore përparimtare të Evropës si kundërshtare e sundimit despotik monarkist dhe e shtypjes Kombëtare. U radhit në mes të 10 femrave më të ngritura intelektualisht ne botën e asaj kohe. Përkrahu nxehtësisht Rilindjen Kombëtare Shqiptare, mbajti lidhje të ngushta me veprimtarë të shquar të saj, si: Jeronim de Rada, Dhimitër Kamarda, Zef Jubani, Zef Serembe, Thimi Mitko etj. Ajo diskutoi, shtroi, debatoi, arsyetoi, dha mendime për organizimin e lëvizjes kombëtare, sidomos në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në një varg studimesh: “Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore” (La nationalité albanaise d'après les chants populaires, 1866), “Shkrimtarët shqiptarë të Italisë Jugore” (Les ecrivains albanais de l'Italie Méridionale, 1867),” Shqiptarët në Rumani” (Gli albanesi in Rumenia, 1873), etj., ajo vuri në dukje, nëpërmjet këngëve popullore historike, evidentoi  luftën shumëshekullore të popullit shqiptar kundër sundimit osman. Në shenjë mirënjohjeje, për ndihmesën e dhënë në njohjen e çështjes dhqiptare nga opinioni publik botëror, patriotët rilindës, arbëreshë të Italisë e të Greqisë i kushtuan librin me titull : “Dora d'Istrias-Shqiptarët (A Dora D'Istria - Gli Albanesi, 1870), një përmbledhje vjershash patriotike, ku nxirrnin në pah profiling e kësaj gruaje të spikatur , trime dhe inteligjente, e cila po linte gjurma të mëdha në Historinë e një Kombi.
Natyra e saj ishte natyrë e diskutimit, e debatit, e kontaktit dhe, si e tillë, ajo kishte kontakte me personalitete të njohura të kohës. Kështu, mund të përmendet njëri nga themeluesit e shkencës së albanologjisë, albanologun gjerman, diplomat në shërbim të Austrisë Johan Georg fon Hahn (1811-1869),  po kështu me  një nga figurat më të  shquara për çlirimin e bashkimin e Italisë, gjeneralin Xhuzepe Garibaldi (Giuseppe Garibaldi, 1807-1882), me Adam Volfin etj. Ishte një mike e poetit romantik amerikan Henri Uodsuwrth Longfelou (Henry Wadssworth Longfellow, 1807-1882), autor i poemës romantike me emër  “Skënderbeu” (1873). Ishte ndikimi i Dora d’Istrias, që Lonfelou shkroi poemën romantike “Skënderbeu” (1873), me temë kthimin e heroit në Krujë, pas betejës së Nishit. Kryetrimin poeti e ka paraqitur, si një kryehero legjendar. Duhet theksuar se, kjo poemë në vitin 1916  u shqipërua mjeshtërisht nga poeti, përkthyesi, një nga  figurat më të  shquara dhe më  shumëplanshe të  letërsisë, kulturës, jetës fetare dhe të  politike shqiptare, nga i madhi  Fan S. Noli (1882-1965).
Elena Gjika mori pjesë, pra,  në lëvizjen kulturore të Evropës e klasifikuar  si një luftëtare e madhe e mendimit të lirë dhe si një  kundërshtare ekzigjente  e sundimit despotik monarkik dhe e shtypjes kombëtare. Kjo për vetë faktin se edhe e kishte provuar mbi shpatullat  e saj. Pra, ishte kundërshtare e regjimeve monarkike dhe diktatoriale. Përkushtimi i pareshtur i saj ndaj aspiratave të pakicave kombëtare në Perandorinë Austro-Hungareze, ndaj barazisë së gruas dhe dhënia parësi e diskutimit në favor të saj, si  dhe ndaj arsimimit të popujve, e bëri  Elena Gjikën , mjaft të njohur në gjithë Evropën. Një veprimtare e rëndësishme e lëvizjes kyçe  kulturore evropiane si dhe kundërshtare e sundimit despotik dhe e shtypjes së popujve, disa studiues e kanë quajtur, klasifikuar  edhe motivuar, me plot të drejtë, atë  “Pioniere e Evropës së bashkuar. Ja pra, ku janë shkëndijat e kësaj ideje dhe jo ngarkimi i tyre te të tjerë  të mëvonshëm.
Po kështu ajo mund të quhet  edhe si e para personalitete  që hodhi tezën , apo idenë mbi një federatë ballkanike,  ku do të hynin të gjitha vendet e Ballkanit.
 
Veçanësi që princërojnë
 
Princesha Elena Gjika ishte e afirmuar si shkrimtare, publiciste dhe shkencëtare e një niveli botëror. U bë veçanërisht e njohur me veprën “Femeile in Oriente” (“Gratë e Orientit”, Paris, 1860). Shkrimet i publikonte në 6 gjuhë evropiane.
Studiuesit bashkëkohorë të saj, me të drejtë  e renditën në radhën e personaliteteve më të shquara të Evropës së asaj kohe, sikundër  ishin shkrimtarja franceze Zhorzh Sand*(Amandine-Lucie-Aurore Dupin, 1804-1876) dhe kontesha d’Agu (Maried’Agoultn Flavigny, 1805-1876).  Ajo arriti kulmin e lavdisë “ vendosjen e spektrit triumfues, kur,   princi i Rumanisë Karoli I, i dërgoi “Urdhrin e shkallës I”(Bene Merenti), vlerësim ky  sipëror që në Perëndim u jepej  vetëm dijetarëve meshkuj, por Elena , po e thyente këtë  rregull.
 
Duhet evidentuar
Në saje të udhëtimeve dhe të shtegtimeve të shpeshta, në vende të ndryshme, ajo krijoi  dhe shkroi një sërë artikujsh publicistikë, duke sjellë mbresa nga udhëtimet. Shkrime të  shumtë  të saj janë publikuar  në gazeta dhe revista të ndryshme si: “Ilustration” i Parisit, “Le Jour” i Triestes etj.
Në “Larousses”, vëllimi VI, f. 1107, Paris 1870, thuhet se, Dora d’Istria ishte “kampione e palodhur e çështjes së kombësive, e së ardhmes politike dhe shoqërore të popujve, për një jetë moderne”. Këtu tregohet këndvështrimi i saj i moderuar.
Në kërkimet  e saj shkencore, të cilat i realizoi  në Venecie, Elena Gjika flet për marrëdhëniet intime dhe të gjata të kësaj pjese të Evropës me Shqipërinë, madje, edhe për një bashkë-vëllazëri shqiptare. Ajo ka qenë shumë e drejtpërdrejtë: ishte për përgatitjen e një kryengritjeje shqiptare me armë. Një kryengritje të këtillë e mbështeste edhe gjeneral Garibaldi, i cili Elena Gjikës i drejtohej me fjalët “Motër heroike”. Natyrisht, për një rinjohje të thelluar  të jetës dhe veprimtarisë së Elenë  duhet të lexohet vepra (punimi) voluminoze e ish drejtorit të arkivave veneciane, Bartolomeo Çeçeti (BartolomeoCecchetti, 1838-1889), ku, sidomos, bibliografia e punimeve të saj, e ndarë në disa pjesë, të befason.
Bëjmë një paraqitje për ngulitje të bibliografisë :
Në pjesën e parë janë përfshirë:  studime,  punimet letrare mbi poezinë popullore, portrete letrare të gadishullit Ballkanik e më gjerë, studime të poezisë indiane dhe të popujve të tjerë, kritika letrare etj.
 Në pjesën e dytë të bibliografisë: punimet mbi jetën në manastiret fetare, që e bënë Dora d’Istrian të famshme në Evropë.
Në pjesën e tretë: trajtohen problemet shoqërore të femrave si dhe çështjet që kanë të bëjnë me luftën.
Pjesa e katërt ndërlidhet me ekonominë politike dhe me agrikulturën.
Ndërsa në pjesët e tjera: artikujt me karakter politik, histori dhe udhëtime.
Dhe në  fund të përfshira romancat dhe shkrime të tjera.
* * *
Portretizimi i saj natyral
 
E konsideruar : Modele  e bukurisë së femrës shqiptare.
Shumëllojshmëria kreative: poete, piktore, publiciste e pasionuar, mbledhëse dhe studiuese e folklorit;  poete, prozatore.
Studim niveli:  “La nationalité albanaise d’aprèsleschants populaires”(Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore), botuar në vitin 1866 në revistën letrare të Parisit “Revuedes deux mondes”, luajti rol të rëndësishëm në lëvizjen kombëtare shqiptare të periudhës së Rilindjes. Në studimin shkruan: “Dashuria për atdhe ka qenë gjithmonë veçoria më kryesore e shqiptarit. Shqipëria në të gjitha kohët ka qenë vendi i heronjve. Shqiptarët janë një popull i fuqishëm, porsi shkëmbinjtë ku jetojnë”.
Ky studim u përkthye  në gjuhën shqipe  nga filologu dhe folkloristi arbëresh Dhimitër Kamarda(1821-1882) me titullin “Fyletia e arbenore prej kanekatelaoshima”, Livorno, 1867. Ai e motivoi  Elenën: “Unazë që lidh qytetërimin e Lindjes me atë të Perëndimit”.
Duke qënë një figurë e këtyre përmasave  dhe për t’i  shprehur mirënjohjejen për ndihmesën e dhënë në njohjen e çështjes shqiptare nga opinioni publik botëror, atdhetarët rilindës dhe arbëreshët e Italisë e të Greqisë  shkruan vepra dhe poezi që ia përkushtuan asaj. Vetë Dhimitër Kamarda botoi një përmbledhje poezish atdhetare kushtuar Dora d’Istrias, me titullin: “A Dora d’Istria gli Albanesi”, Livorno 1870  (Dora d’Istrias, shqiptarët). Kjo antologji poetike përmbante poezi nga poeti e kleriku Preng Doçi (1846-1917),veprimtari e ideologu i Rilindjes Kombëtare Zef Jubani (1818-1880), veprimtari i Rilindjes Kombëtare, folkloristi Thimi Kostë Mitko(1820-1890), figura më e shënuar e Lëvizjes kombëtare Shqiptare, katalizatori i ndërgjegjes kombëtare shqiptare Jeronim De Rada(1814-1903), shkrimtari me talent origjinal, autori i së parës dramë të shkruar në gjuhën shqipe Françesk Anton Santori (1819-1894), poeti lirik Zef Serembe (1844-1901) etj.
Duhet theksuar se pasuria  letrare eshkencore e saj është   vlerë të jashtëzakonshme dhe sidomos ka vlerë edhe   korrespodenca (letërkëmbimi) e saj me rilindësit shqiptarë. Kjo vërehet  në epistolarin e saj, tashmë të njohur dhe të publikuar, vërehet tipikja e   ndihmesës së saj të madhe në luftën për pavarësinë e Shqipërisë, një nga objektivat më madhorë  të drejtimit të saj. E shquar në këtë letërkëmbim  me poetin e madh De Radën, më 1859, i cili  është konsideruar  si pishtari i romantizmit shqiptar  prej saj, ku, në një letërkëmbim me të, shprehej: “Populli shqiptar, një nga më të vjetrit e Evropës, meritonte të ishte i lirë dhe në liri të zhvillonte më tej aftësitë e veta krijuese”.
 
 Ide origjinale…
Duhet theksuar se, vepra historike  interesive  për shqiptarët janë: “Studimi për Bushatlinjtë e Shkodrës”(1868) si dhe “Studimi për Ali Pashë Tepelenën”(1870) me titullin e përbashkët “Shqiptarët myslimanë”, botuar në revistën “NuovaAntologia” të Firencës.
Kishte ide origjinale: Ishte për krijimin e një akademie shqiptare në Kalabri, sipas shembullit të Akademisë Franceze të Risheljesë, e cila do të merrej me hartimin e një enciklopedie kombëtare, e cila do të bëhej shpirt i popullit shqiptar. Jo më kot, Elena Gjikën,  për këtë rol   të  çmueshëm në çështjen e çlirimit kombëtar të shqiptarëve, atdhetarët shqiptarë e quajtën “Ylli i Shqipërisë”.
Elena Gjika dha kontribut të padiskutueshëm edhe për lidhësinë  midis Rumanisë dhe Kombit shqiptar. Kjo është një meritë e pakontestueshme dhe  një veprimtari e nivelit, e cila është  elidhur me dashurinë që duhet të kenë popujt njëri me tjetrin…
*

Të mos ketë më gegë, as toskë, as lebër, as çam, por vetëm Shqiptarë, bij të devotshëm që të marrshojnë, si një trup i vetëm, nën flamurin e Aleksandrit të Madh,të Pirros, dhe të Skënderbeut” 

               Elena Gjika

A nuk do të ishte me interes që, në të nderohej, kjo intelektuale e madhe, e cila ka prodhuar me energjitizëm gjithë këtë pasuri inteligjente dhe, një nga titujt e nderimit të Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës,  të mbante emrin e saj?! Le të shihet ky propozim.

Vepra dhe shkrime të Elena Gjikës *

*La vie monastique dans l'Église orientale - 1855), (Jeta monastike në Kishën Lindore).
*Les femmes en Orient, 1859-1860, (Gratë në Lindje).
*Des femmes par une femme - 1864, (Për gratë nga një grua).
*La nationalité albanaise d'après les chants populaires - 1866, (Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore).
*Les Albanais des deux côtés de l'Adriatique - 1866, (Shqiptarët e të dy brigjeve të Adriatikut).
*Les écrivains albanais de l'Italie Méridionale - 1867, (Shkrimtarët shqiptarë të Italisë Jugore.)
*Fylétia e Arbenoré prèj Känekate te laòishima (1867).
*Exquises albanaises - 1868, (Skica shqiptare).
*Gli Albanesi Musulmani - 1868 - 1870, (Shqiptarët myslimanë).
*Marco Polo, il Cristoforo Colombo dell'Asia - 1869, (Marko Pollo, Kristofor Kolombo i Azisë).
*Affaire de l'Albanie - 1872 (Çështje të Shqipërisë).
*Gli storici della letteratura tedesca - 1872, (Historianë të letërsisë gjermane).
*Gli albanesi in Rumania - 1873, (Shqiptarët në Rumani).
*L'epopea persiana - Il Schah Nameh, 1873 - 1874, (Epopeja persiane - Shahnameja).
*Rousseau sul lago di Bienne - 1888, (Rousseau në Liqenin e Bienës).
*Sipas WIKIPEDIA (Enciklopedia e lirë)
Cilat janë disa nga veprat  e botuara me objekt personalitetin e Elena Gjikës, të cilat kanë lojtur dhe rolin bibliografik ?
***
*Krijime dhe shkrime të caktuara të Elena Gjikës janë përkthyer dhe janë botuar edhe në shqip. Shumë studiues shqiptarë kanë shkruar për të dhe për veprën e saj një numër të madh artikujsh shkencorë, publicistikë si dhe një sërë monografish.
*“Gra të para nga një grua”, shtëpia botuese “Elena Gjika”, Tiranë 2003;
*Elena Gjika, “Letra drejtuar Jeronim de Radës”, shtëpia botuese Bargjini 2004;
*Elena Gjika, “Fyletia arbënore nga kanekatelaoshima”, përkthyer nga DhimitërKamarda, Livorno 1867.
***
*Vehbi Bala, “Jeta e Elena Gjikës (Dora d’Istrias”, MihalDuri, Tiranë 1967;
*Vehbi Bala, “Jeta e Elena Gjikës (Dora d’Istrias)”, Rilindja, Prishtinë 1970;
*Koli Xoxi, “Zvicra dhe Dora d’Istria”, Tiranë, Alta 1995;
*Koli Xoxi, “Erazmi i Roterdamit dhe Helena Gjika”, Marin Barleti, Tiranë 1994;
*Koli Xoxi, “Franca sipas Dora d’Istrias”, Tiranë 1997;
*Ahmet Kondo, “Dora d’Istria për çështjen kombëtare shqiptare”, Flesh, Tiranë 2002;
*Kristia Maksutoviq, “Elena Gjika dhe shqiptarët e Rumanisë”, Çabej, Tetovë 2001.
*Kristia Maksutoviq, “Un nume pe nderpetuitat: Dora d’Istria” (Një emër i harruar me të padrejtë: Dora d’Istria), Ararat, Bukuresht 1997;
*Kristia Maksutoviq, “Dora d’Istria, Kriterion”, Bukuresht 2004 etj.
Një bum i madh vlerësimesh të cilat marrin karakter epokal  dhe hapësirë shumë të gjerë  dhe anëtare përfaqësuese në shumë shoqata me emër :
·            Anëtare e disa akademive prestigjioze: Akademia e Italisë, e Francës, e Greqisë, e Turqisë evropiane, e Azisë së Vogël, e Austrisë.
 Anëtare nderi e Shoqatës arkeologjike të Athinës (28.05.1860); anëtare e Shoqatës së gjeografëve të Francës (19 janar 1866); anëtare korrespondente e Universitetit të Venecias (8.03.1868); anëtare nderi e disa akademive italiane (1868-1873), ndërmejt  të cilave edhe e Akademisë Fizio-Medistatika të Milanos (18 qershor 1868); anëtare nderi e Minervës të Triestes; anëtare nderi e Sillogut të Athinës (maj 1867); anëtare nderi e Sillogut të Kostandinopolit (8.08.1870); Presidente nderi e Shoqatës “Elikona” të Smirnës (17.03.1871); Anëtare e merituar e Akademisë Mbretërore “Rafaelo” nga Urbino (17.12.1871); anëtare letrare e Shoqatës për nxitjen e teatrit në Itali, Firence (21.01.1872); Zëv/presidente nderi e Shoqatës së grave greke për institucionalizimin femëror (11.09. 1872); anëtare e Akademisë së Konsultës (Quiriti) në Romë (shkurt 1873); anëtare nderi e “Paransios” të Athinës (28.02.1873); anëtare nderi e Akademisë së Pitagorës të Napolit (24.05.1873); korrespondente e huaj e Akademisë Kombëtare të Letërsisë dhe të Shkencave të Barcelonës (Spanjë); korrespondente e huaj e Institutit Arkeologjik të Buenos-Airesit (30.05.1873); Presidente nderi dhe kujdestare e shoqatës “Chark” të Kostandinopolit (20.04.1873) etj. Në vitin 1867 u bë qytetare nderi e Athinës. Ky titull përpara saj iu dha vetëm Lord Bajronit.
Përmbyllje nderuese :
Dhe kishte të  drejt Martin Taperi, që shkruante në ditarin etij energjik: “nulla dias sine linea” (asnjë  ditë , pa asnjë rresht).
A nuk  parabolizon metaforikisht edhe kryeprotagonisten  Elena kjo parabolë? Ajo nuk rreshti, asnjë çast së shkruari, por me objektiv, me synime, me drejtime të caktuara  dhe për prosperitet dhe progres të madh social…
Jeta fizike e Elena Gjikës përfundoi në vitin 1888, në shtëpinë e saj, në Firence, Itali. Në kujtim të saj, veprës së saj madhore, një rrugë e Firences mban emrin e saj. Aty gjendet edhe pllaka, në të cilën është theksuar dhe origjina e saj shqiptaro-rumune.
Ne nderojmë veprën e saj kolose përfaqësuese e inteligjencës së shkallës së epërme, veprimtaria e saj është “ARKITEKTURË INTELIGJENTE”, ku duhet të përkulemi me respekt.
Nderimi ndaj saj: Kujtesa e përhershme. Gjithërespekti për Majat!
Gjirokastër Albania, shkurt 2021
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi