Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anonymous
Musafir
Vizitor

Ç'thonë mjekët për të jetuar me shumë?! Empty Ç'thonë mjekët për të jetuar me shumë?!

17th March 2008, 18:52
Ç'thonë mjekët për të jetuar me shumë?!
E kush nuk do të dëshironte të jetonte plot një shekull, apo ndoshta edhe më shumë. Përveçse 100 viteve të jetës, ajo çfarë ka më shumë rëndësi, është mënyra se si kanë jetuar, si janë ushqyer, si e kanë mbrojtur organizmin e tyre dhe, mbi të gjitha, nëse është gjenetike apo jo një jetë e gjatë. Të gjitha këto pikëpyetje të njerëzimit, që duket ta kenë zanafillën që para 4 mijë vjetësh në Mesopotami me "Epin e Gilgameshit",

kohë në të cilën hyjnitë kërkonin pavdekësinë, por që vite më vonë, të bindur për realitetin, kërkimet nisën të përqendroheshin në jetëgjatësinë. Të gjitha këto gjejnë shpjegime në suplementin e sotëm të gazetës, gjithashtu ai përmbledh 118 të rejat më të fundit nga shkenca. Studime të kryera në laboratorët më të mirë amerikanë dhe gjermanë, rekomandime për një jetë të gjatë dhe të shëndetshme. Lajmi më i mirë nga këta laboratorë hedh poshtë jetëgjatësinë e trashëguar. Shkencëtarët theksojnë se jetojnë gjatë ata, të cilët e kurojnë ditë pas dite organizmin e tyre, me të gjitha vitaminat, karbohidratet, yndyrnat e nevojshme, pa abuzuar me alkool, duhan, dhe, mbi të gjitha, ata që heqin dorë nga bashkëjetesa me ambiente e ndotura.
Në suplemntin e sotëm do të gjeni rekomandimet më të fundit për jetëgjatësinë, këshillat për një jetë pa strese, kujdesi që duhet të tregoni në përditshmëri për trupin tuaj, ushqimet që nuk duhet t'i mungojnë organizmit¸ lidhjen midis trurit dhe shëndetit, ushtrimet fizike, e shumë të tjera si këto. E në fakt Shqipëria duket se ka hyrë në rrugë të mbarë, përsa i përket jetëgjatësisë. Të dhënat më të fundit nga CIA FACT BOOKS, tregojnë se sot një grua jeton mesatarisht 80,12 vite. Shifër kjo tepër e lartë krahasuar me jetëgjatësinë ndër vite, kur mosha mesatare e gruas nuk i kalonte 57,08 vite. Të dhënat janë mjaft pozitive edhe për jetëgjatësinë tek meshkujt, megjithëse shifrat raportohen në nivele pak më të ulëta se sa femrat.

Truri si qendra e kontrollit të Sistemit Nervor Qendror

Truri është pjesa e trupit që gjendet në kokë i mbrojtur nga kafka dhe cipa trunore dhe që shërben për kapjen, përpunimin dhe ruajtjen e njoftimeve të marra, në një nivel të lartë, nëpërmjet organeve shqisore: syve, veshëve, etj. për t´i shndërruar në lëvizje që janë mjeti i ndërveprimit me mjedisin e jashtëm. Truri është qendra e kontrollit të sistemit nervor qendror. Ai është një organ tejet i ndërlikuar, pasi përbëhet nga më shumë se 100 miliardë neurone, secili i lidhur me mëse 10.000 të tjerë. Por në tru mund të lindin një sërë çrregullimesh neurologjike. Paraliza cerebrale shënon një grup çrregullimesh neurologjike që ndikojnë në aftësinë e trurit për të kontrolluar muskujt. Ky çrregullim ndodh për shkak të dëmtimeve të trurit ose anomalive në zhvillimin e trurit para, gjatë ose pas lindjes. Ajo mund të variojë nga një shkallë e lehtë në një më të rëndë dhe mund të krijojë vonesa të lehta ose të rënda mendore, probleme të dëgjimit, shikimit, defekte në gjuhë dhe në të folur, epilepsi dhe çrregullime të sjelljes.

9 këshilla për të mbajtur trurin të freskët që nga vitet e pjekurisë

1. Le të kujtohemi se truri është plastik: për të mirë dhe për të keq. Në qoftë se ai nuk stimulohet, mund ta humbasësh. Me pak fjalë rrëgjohen fuqitë dhe aftësitë e tij.
2. Që në moshë të mesme, kur jemi ende të shëndoshë, nuk mendojmë se pleqëria nuk ka lidhje me ne. Prandaj duhet të filloni të merreni me gjimnastikën tuaj fizike dhe mendore.
3. Kujtesa është një dritare për shëndetin e trurit tonë. Kur fillon të marrë goditje le ta mbajmë të gjallë trurin duke i stimuluar aftësitë njohëse të tij.
4. Stresi ka rrjedhoja shumë negative mbi trurin. Le të përpiqemi të jemi të qetë, pa kërkuar "maksimalen" ndaj trupit dhe mendjes sonë.
5. Rutina dhe zakonet e përditshme e vënë në gjumë trurin, prandaj duhet kërkuar variacion në praktikën e përditshme, duke futur ndonjë ndryshim të vogël në jetën tonë.
6. Është mirë që të fillojmë me kohë një hobi që na pëlqen, do të jetë e vështirë të fillosh diçka të tillë në moshën e tretë. Në qoftë se nuk lexoni një libër sot, vështirë se do ta bëni kur të keni "shumë kohë të lirë".
7. Forca e mendjes varet nga ajo e trupit. S'duhet ta lejoni veten të shëndosheni shumë, të mos bëni një jetë shumë statike dhe mundohuni të praktikoni gjithmonë një aktivitet të matur fizik.
8. Ushqimi i gatshëm nuk i bën mirë trupit dhe as mendjes. Mbrohuni duke përdorur një dietë të bazuar në yndyrna "të mira" dhe me substanca antioksiduese, duke mos përdorur shumë pije alkoolike.
9. Izolimi shoqëror është një faktor rreziku për të moshuarit sepse është e vështirë të lidhësh shoqëri në moshën e tretë. Prandaj ruajini shoqëritë e vjetra.

Rregulla për një dietë që respekton trurin

Pini shumë ujë, të paktën 6 gota në ditë. Mundohuni të shmangni konsumimin e tepërt të kafes ose përdorini pak kafeinë. Edhe alkooli është i dëmshëm por konsumimi i verës së kuqe 1 deri në 2 gota në ditë është i dobishëm. Herë pas here është e këshillueshme që të shmanget përdorimi i tepërt i ujit pasi do të shkaktonte një tepri lëngjesh në organizëm.

Mos përdorni fast-food-et. Ushqimet e fastfood-ve nuk janë të rrezikshme vetëm për mbipeshën, por mund të shkaktojnë edhe kancer. Sipas një studimi amerikan, ushqimet e fastfood-ve mund të shkaktojnë kancer në 67 për qind të rasteve. Për të ulur këtë rrezik mjekët këshillojnë që njerëzit të hanë ushqime të fastfood-ve një herë në muaj.

Përdorni më tepër ushqime të pasura me antioksidantë: fruta, fruta pylli, zarzavate, çaj. Përdorini por më rezerva ushqime që përmbajnë të tilla, si: margarina, vaji i lulediellit, vaji i misrit, patate të skuqura etj. Perimet dhe frutat përmbajnë përbërës natyralë të papërpunuar të cilat i japin organizmit lëndët e duhura ushqimore.

Hani ushqime të pasura me yndyrna Omega-3 ose siç quhen ndryshe yndyrna "të mira", që kanë përqendrim të lartë të Omega-3, të cilat janë: vaji i ullirit, vaji i Linit, peshku: salmon, sardele, troftë, ton; arra etj. Dieta e pasur ushqimore përfshin jo vetëm frutat dhe perimet, por edhe mishin, peshkun, vezën, fibrat, etj. për të qenë një dietë e pasur dhe e larmishme.

Pakësoni ato ushqime që janë të pasura me Omega-6 ose siç quhen ndryshe yndyrna "të këqija", që kanë përqendrim të lartë të Omega-6, ku hyjnë: mish qengji, gjalpi, djathëra të yndyrshme, qumësht i paskremuar, majoneza, etj. Disa ushqime të pasura me yndyrna, qoftë edhe ato të përpunuara, mund të ndikojnë në rritjen e nivelit të kolesterolit, të quajtur kolesteroli i keq.

Zvogëloni sasinë e kripës, hani pak spec djegës dhe piperna të yndyrshme. Po ashtu mundohuni edhe të reduktoni sasinë e sheqerit të përdorur. Konsumimi në sasira të mëdha i kripës dhe sheqerit do të shoqërohet me çrregullime në organizmin tuaj. Sasia e lartë e sheqerit në gjak do të shkaktonte probleme me mëlçinë, tensionin e gjakut, diabet, etj.

Ndiqni një dietë të rregullt, mos u ndikoni nga stresi, duke përdorur shumë vakte që "të ngushëllojnë". Nuk është e thënë që duhet të hani vetëm tre vakte në ditë. Pas një dite të lodhshme dhe stresuese trupi ka nevoje për energji. Lëngjet, vitaminat, disa ëmbëlsira mund t'iu bëjnë të ndiheni më energjikë. Përdorni ndonjëherë edhe një integrator multivitaminoz.

Për të mbajtur trupin dhe mendjen të freskët, gjatë viteve të pleqërisë, duhet të ndiqni sa më shpejt që të jetë e mundur një stil jete të përshtatshëm për të ruajtur aftësitë e trupit, për të nxitur trurin dhe për të ruajtur funksionet e mendjes. Për këtë është i këshillueshëm si aktiviteti fizik, ashtu edhe ai mendor: meditimi, bisedat e qeta, shëtitjet, etj.


"Observer"
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi