Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Mary
Mary
Anëtar elitë
Anëtar elitë
Regjistruar : 04/02/2008
Postime : 4917
Info : a good sense
Points : 51
Reputacioni : 50
Medalje Red Medalje Blu Medalje Green
https://zeriyt.albanianforum.net

Tetë objekte drejt restaurimit Empty Tetë objekte drejt restaurimit

20th March 2008, 11:25
Tetë objekte drejt restaurimit

Korçë/ Një fond i veçantë për objektet e trashëgimisë kulturore

Kishat dhe afresket, xhamitë shumëshekullore dhe monumentet e kulturës, urat historike dhe godinat e pazarit të vjetër karakteristik të Korçës, nuk do të jenë më në mëshirë të fatit. Harta e monumenteve të kulturës me një shtrirje të gjerë, jo vetëm në qytet, por edhe në zonat rurale, ku janë të pozicionuara me dhjetëra monumente me vlerë, do të përfitojë këtë vit nga fondet dhe restaurimet. Që nga xhamia e vjetër e Iljaz Bej Mirahorit dhe deri te ndërtesat dhe hanet e pazarit në qytet, përtej kësaj shtrirjeje investimet do të prekin edhe kishat e Mborjes, por edhe urat në Voskopojë e Vithkuqit. Lajmi se këtë vit do të ketë ndërhyrje në të paktën tetë monumente të rëndësishme të kulturës, bëhet i ditur nga drejtori i degës në Korçë, Dhori Theodhori. Ai ka deklaruar se këtë vit ka një fond të akorduar nga ana e shtetit për të bërë ndërhyrje efektive për të ruajtur vlerat që i përkasin trashëgimisë sonë kulturore dhe në të cilat nuk është kryer ndërhyrje në vitet e fundit. Ai ka thënë se do të ketë rifreskim të afreskeve në disa nga kishat e vjetra, që do të thotë se këtë vit do të ndjejnë dorën e restauruesve që do të prekin afresket e dëmtuara që janë pikturuar në muret e hershme të kishave historike. Një tjetër investim i rëndësishëm për këtë vit, siç deklaron Theodhori, do të jetë edhe restaurimi i ndërtesave të pazarit karakteristik të qytetit, që është i shpallur monument kulture i kategorisë së parë. "Janë parashikuar ndërhyrje me investime dhe restaurime për të paktën tetë nga objektet e shpallura monument kulture për rajonin e Korçës. "Këtë herë, investimet që janë akorduar me një fond prej 14 milionë lekë për restaurimin e këtyre objekteve do të shtrihen edhe në zona që më parë nuk janë prekur nga investimet, siç janë urat e Voskopojës në Shën Prodhomë, restaurimi i afreskeve të Kishës së Ristozit, por edhe investimi i rëndësishëm për minaren e xhamisë së vjetër gjashtë shekullore. Ndërhyrje do të ketë jo vetëm në qytet, por edhe në një pjesë të shtëpive muze, por më tepër do të përqendrohemi në zonat rurale me impakt turistik dhe tërheqës për vizitorët. Deri vjet është folur për restaurimin e minares së xhamisë që është 35 metra e lartë, por nuk ka pasur sinjale konkrete. Tashmë që janë akorduar fondet nga buxheti i shtetit, objekte të shumta me vlera të rralla për trashëgiminë dhe kulturën dhe që janë shpallur si monumente në vite, do të kenë edhe mundësinë për të pasur ndërhyrje që çojnë në ruajtjen e këtyre pasurive dhe rifreskimin e vlerave që ato kanë për të mos qenë të rrezikuara nga shkatërrimet", ka thënë Dhori Theodhori, drejtori i Degës së Monumenteve të Kulturës në Korçë. Vetëm për ndërtimin e minares së shkatërruar nga shembja gjatë dy tërmeteve, sipas tij do derdhen 6 milionë lekë, duke e konsideruar edhe investimin më të rëndësishëm për këtë vit që do të kryhet në një monument kulture që është edhe objekti i kultit mysliman nga më të vjetrit në rrafshin ballkanik me konstruksion me kube. Edhe pse për këtë është hasur një vështirësi gjatë vitit të kaluar, pasi duhen specialistë që të kryejnë konstruksionin e një minareje të lartë 35 metra sipas origjinalit, këtë vit kjo mund të bëhet e realizueshme, pasi siç thotë drejtori i Monumenteve të Kulturës janë thirrur edhe specialistë dhe arkitektë të huaj të këtyre konstruksioneve të veçanta. Krahas xhamisë së Iljaz Bej Mirahorit, për qytetin është parashikuar brenda këtij fondi prej 14 milionë lekësh edhe rikonstruksioni i ndërtesave në pazarin e vjetër karakteristik. Sipas Theodhorit, në këtë monument kulture të kategorisë së parë do të ndërhyhet për të bërë restaurimin e fasadave të godinave dhe haneve të vjetra shumëvjeçare, por rikonstruksioni do të jetë këtë vit i pjesshëm, pasi është përcaktuar edhe një fond i kufizuar për to. Ai thotë se për godinat e pazarit sipas preventivit është caktuar një fond prej 1.5 milionë lekësh dhe kjo do të shërbejë në fazën e parë për ndërhyrjet në fasada. Përtej qytetit, që ka një numër të madh monumentesh, por që këtë vit do të kenë një ndërhyrje me restaurime vetëm në zonat më të vjetra dhe që janë identifikuar si më të domosdoshmet për investime, këtë vit brenda fondeve është parashikuar që të kryhen punime edhe në zonat rurale, ku gjenden monumente të kulturës dhe trashëgimisë sonë. Sipas Theodhorit, janë disa nga kishat e vjetra dhe manastiret që ndodhen në fshatra, që kanë edhe interes të madh turistik, që do të ndiejnë për herë të parë edhe restaurime. Ai përmend afresket e Kishës së Ristozit në fshatin Mborje, urën e Manastirit të Shën Prodhomit në Voskopojë, Kishën e Shën Mëhillit në Vithkuq, por edhe atë të Shën Mërisë në ishullin e Maligradit në Prespë. Këto të fundit nuk kanë pasur restaurime në afresket dhe pikturat murale. Ato, të pozicionuara në periferi, edhe pse kanë tërhequr vëmendjen e turistëve të huaj, kanë mbetur si relike të së shkuarës. Për t‘i rigjallëruar dhe për të mos lejuar më dëmtimin e tyre që ka ndodhur në fakt në vite nga shkatërrimet, por edhe kushtet e motit, krahas dëmtimeve për shkak të pakujdesisë njerëzore, që kanë qenë edhe faktorët dëmtues, këtë herë do të mundësohet që ato të jenë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë me faktin se do të ndiejnë investime. "Shumë nga këto monumente janë shkatërruar dhe kanë pësuar dëmtime të shumta. Edhe për shkak të pozicionit të tyre nuk janë bërë në to investime, ndërsa këtë vit janë përfshirë në fondet që janë dhënë për këtë qëllim, pasi janë pjesë e rëndësishme e pasurisë sonë kombëtare dhe kanë një numër të madh vizitorësh vendas dhe të huaj. Kështu, është edhe Kisha e Shën Mërisë në ishullin e Maligradit, ku janë dëmtuar në vite afresket, por edhe Kisha e Ristozit në Mborje dhe ajo e Shën Mëhillit në Vithkuq. Këtu puna do të përqendrohet më shumë tek afresket apo pikturat murale që janë specifike për këto monumente kulture dhe janë pjesë e pasurisë sonë kombëtare. "Nisur edhe nga fakti se janë tepër të vjetra dhe specifike për zonën juglindore të vendit duket se në 2008-ën do t‘i hapet drita jeshile investimeve në monumente të rralla që dallojnë nga karakteristikat e veçanta nga zonat e tjera.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi