Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Admin
Admin
Administrator
Administrator
Regjistruar : 25/12/2007
Postime : 5043
Points : 2624
Reputacioni : 226
Medalje Medalje2 Medalje3
http://www.zeriyt.net/

Vdes Kosta Trebicka deshmitari kyc i GERDECIT Empty Vdes Kosta Trebicka deshmitari kyc i GERDECIT

13th September 2008, 22:07
KORCE - Kosta Trebicka, biznesmeni i cili denoncoi trafikun e armëve që shkonin nga Gërdeci në Afganistan, vdiq sot rreth orës 15.30. Lajmi i vdekjes së Trebickës është perhapur me shpejtësi teksa, nëpër televizione ende vijonin të shfaqeshin minutazhet speciale në kujtim të 10 vjetorit të vrasjes së Azam Hajdarit

Shkaku i vdekjes së tij besohet të jetë një aksident automobilistik. Sipas të dhënave të para të policisë që ka shkuar në vendngjarje, aksidenti ka ndodhur pranë fshatin Lekas të Korcës, një zonë e thellë malore ku besohet se biznesmeni Trebicka shkonte për gjah.

Biznesmeni besohet të ketë qenë i vetëm në makinën e tij tip Nisan Patrol me targë TR 88 43J.
Policia është njoftuar nga dy punëtorë, të mirëmbajtjes së rrugëve të cilët kanë parë aksidentin dhe kanë njoftuar policinë. Në makinë janë gjetur dokumente me emrin e Kosta Trebickës, ndërkohë që ky kishte vdekur.

Sipas dëshmive që kanë dhënë punëtorët që kanë parë skenën e aksidentit, makina ka bërë salto në ajër dhe viktima mund të ketë pësuar plagë të rënda në kokë si rezultat i përplasjeve të forta. Dëshmitarët thonë se biznesmeni ka hyrë në makinë dhe ka tentuar ta ndezë atë. Sipas tyre, fuoristrada e tij, Nisan nuk i është ndezur. Personi në makinë ka tentuar të bëjë mbrapa, por në këtë moment, sipas dëshmitarëve, makina ka bërë edhe saltot që besohet se mund të kenë sjellë edhe aksidentin tragjik. Trupi i pajetë eshte gjetur disa metra larg makinës.
Pranë trupit të Trebickës eshte gjetur edhe arma e gjahut.

Mësohet se Kosta Trebicka frekuentonte zonat e thella të Korcës për gjah. Një grup prokurorësh dhe familjarë të biznesmenit janë nisur nga Tirana pë të bërë identifikimin e viktimës dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes. Policia ndodhet në vendngjarje për të zbardhur motivet e aksidentit.

Deri tani nuk ka akoma një version zyrtar të policisë lidhur me shkaqet që kanë sjellë vdekjen e Kosta Trebickës. Nuk përjashtohet mundësia që aksidenti të mos jetë shkaku i vërtetë i vdekjes. Vetë Kosta Trebicka ishte shprehur gjatë një interviste televizive se ndihej i kërcënuar. Megjithatë, pritet një komunikatë zyrtare e organeve të rendit për të hedhur dritë mbi enigmën e vdekjes së dëshmitarit kyç të hetimeve për tragjedinë e Gërdecit.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta policie dhe ekspertët e hetimit kanë udhëtuar me helikopter nga Tirana drejt zonës së thellë të qytetit juglindor. Gazetarët e “News24” thotë se policia nuk ka lejuar që ata të afrohen në vendin e ngjarjes duke i mbajtur ata larg perimetrit të hetimit. Sipas njw njoftimi paraprak te policise se Korces, arma e gjahut që Trebicka mbante, u gjet brenda makinës së tij. Këto pohime bien ndesh me ato që tregojnë pamjet filmike nga vendngjarja, ku arma e tij e gjahut gjendet rreth

1.5 metra larg trupit pa jetë të Trebickës. Ekzaktësisht, arma e gjahut shihet të jetë në krahun e majtë të trupit pa jetë. I kontaktuar me telefon nga Gazeta Shqiptare, drejtori i pergjithsshem i policise së Korçës, Emri Vata tha se trupi i viktimës nuk është lëvizur nga vendi prej atyre që e gjetën. Një pohim i tillë kontradikton njoftimin e përhapur nga policia e Korçës, në të cilin thuhej se arma gjendej në makinë.
Nga dëshmia e familjarëve të dhënë policisë mësohet se Trebicka ka udhëtuar mbrëmë drejt qytetit të Korçës ndërkohë që ende nuk dihet se ku ka qëndruar gjatë orëve të natës.
Sipas gazetares së “News24” Albana Çakshiri në vendin e ngjarjes ndodhen: zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit Agron Kuliçi, zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, Rasim Boriçi, drejtor i Krimeve të Rënda, Tonin Voci, një prokuror i çështjes së Gërdecit, kryeprokurori i Korçës, Përparim Vukaj, një ekspert kriminalist, një ekspert mjeko-ligjor dhe një ekspert autoteknik.

Kosta Trebicka, i konsideruar dëshmitar kyç për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit, vdes në një moment kur hetimet e prokurorisë shqiptare kanë hyrë në një faze kritike. Dje, ish ministri i mbrojtjes, Fatmir Mediu u pyet për të dytën herë rrjesht nga grupi i prokurorëve shqiptare në cilesinë e personit nën hetim për ngjarjen. Po dje, kongresi amerikan kushtëzoi ratifikimin e marrjes së ftesës nga Shqipëria për t’u anëtarësuar në NATO me zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona të pafajshëm dhe u plagosën mbi 300 të tjerë.
Mary
Mary
Anëtar elitë
Anëtar elitë
Regjistruar : 04/02/2008
Postime : 4917
Info : a good sense
Points : 51
Reputacioni : 50
Medalje Red Medalje Blu Medalje Green
https://zeriyt.albanianforum.net

Vdes Kosta Trebicka deshmitari kyc i GERDECIT Empty Re: Vdes Kosta Trebicka deshmitari kyc i GERDECIT

15th September 2008, 22:56
sa keq qe e vrane.....
Admin
Admin
Administrator
Administrator
Regjistruar : 25/12/2007
Postime : 5043
Points : 2624
Reputacioni : 226
Medalje Medalje2 Medalje3
http://www.zeriyt.net/

Vdes Kosta Trebicka deshmitari kyc i GERDECIT Empty Re: Vdes Kosta Trebicka deshmitari kyc i GERDECIT

15th September 2008, 23:34
Lexoni me poshte intervisten e dhene per Shekullin nga Kosta Trebicka lidhur me aferen e armeve. Ne kete interviste ai ka treguar gjithçka mbi aferat korruptive te qeverise ne shitjen e armeve dhe tragjedine e Gerdecit


Trebicka: Presioni mafioz për armët në Afganistan

Biznesmeni Kosta Trebicka, i cili denoncoi aferën korruptive të MEICO-s me kompaninë amerikane që furnizonte me armë ushtrinë aleate në Afganistan ka pranuar dje të tregojë gjithë historinë.

Në një intervistë për "Shekullin", Trebicka ka rrëfyer takimet me Ylli Pinarin, Mihal Delijorgjin dhe Shkëlzen Berishën, por edhe bisedat e shumta me pronarin amerikan të kompanisë, Efraim Diveroli. I pyetur për kërcënime të mundshme gjatë këtyre dy ditëve, kur historia e tregtisë armëve ka dalë në skenë, Trebicka përgjigjet: "asnjë lloj shqetësimi.

Kam pasur disa telefonata, jo ndonjë kërcënim konkret, por ishin më shumë telefonata shqetësuese".

Zoti Trebicka, cili ishte roli juaj kontratën që kompania AEY kishte me MEICO-n për furnizimin me municion të ushtrive aleate në Afganistan?


Mua më ka marrë në telefon përfaqësues i firmës amerikane AEY në fillim të prillit 2007 dhe më thotë që më kishin zgjedhur mua si nënkontraktor për të paketuar materiale, të cilat do të dërgoheshin në Afganistan. Tenderi 300 milionë dollarë është fituar qeverinë amerikane nga "BETA" kompani që ia ka dhënë më pas AEY si nënkontraktore, për të blerë municion në vendet e lindjes.

Pasi u kontaktuat nga kompania amerikane, cilat janë kontaktet tuaja me Ylli Pinarin?

Pasi u përzgjodha nga amerikanët në bazë të të gjithë dokumentacionit, ky dokumentacion përfshinte në radhë të parë prokurën e përfaqësimit, domethënë, që unë ta përfaqësoja kompaninë në marrëdhënie me MEICO-n. Zotit Pinari i vajta me prokurorë në dorë nga AEY, për të paketuar municionet, të cilat ishin fishekë kallashnikovi për t'i çuar Afganistan. Nga ana e tij, zoti Pinari më paraqiti një kontratë, ku unë duhet të firmosja për të dy kompanitë: për "AEY inc" dhe "EVDIN". Unë nuk mund të firmosja për kompaninë qipriote, për të cilën unë nuk e kisha kontaktuar. Unë firmosa vetëm në emër të AEY-së. Që nga ai moment, unë paraqita të gjithë dokumentacionin përkatës në lidhje me fuqinë punëtore, pra paraqita të gjitha certifikatat e lindjes të punonjësve, të cilët do të hynin me leje te posaçme aeroportin e Rinasit.

Kur e zbuluat se kompania amerikane, AEY po blinte municion dyfishin e çmimit që e shiste MEICO?

Në momentin që unë me Pinarin po diskutonim për "EVDIN", Pinari më paraqiti mua një dokument ku kjo kompani i blinte "MEICO- s" nje sasi municionesh prej 100 milionë fishekësh kallashnikovi, me një vlerë prej 22 dollarësh për 1000 copë, ndërsa momentin tjetër i shitjes nga "EVDIN" tek AEY", unë nuk dija absolutisht asnjë lloj detaji. Në momentin që filluam punën, pas një periudhe 3 ose 4 ditore, zoti Pinari filloi të na pengonte me furnizimin me materialet përkatëse, të cilat ne duhej ripaketonim brenda një periudhe 3- mujore, sepse kjo ishte kontrata, brenda 3 muajve ne duhet të çonim 100 milionë fishekë në Afganistan. Në këtë kohë, unë vihem në kontakt me presidentin, të cilin unë nuk e njihja personalisht. Ishte zoti Diveroli dhe në bisedë e sipër, i tregoj zotit Diveroli për elementin e kontratës ndërmjet MEICO- s dhe EVDIN, e cila përmbante elementin e çmimit 22 dollarë për 1000 copë fishekë. Në këto momente, zoti Diveroli u irritua dhe nisi të më tregonte se " EVDIN" po ia shiste kompanisë AEY me dyfishin e çmimit. Kjo kompani me qendër në Qipro e blinte materialin me 22 dollarë nga MEICO dhe e shiste me 40 dollarë tek AEY.

A jeni në dijeni se me kë e ka lidhur kontratën MEICO, me AEY apo me EVDIN, kompani kjo që përfaqësohej nga Henri Tomei?


Sa për mua, kontratën e kam lidhur me Diverolin. Asnjë kontratë nuk kam me Henri Tomein. Unë di që kontrata ndërmjet MEICO dhe AEY është bërë nëpërmjet një komisioneri, që është paraqitur si përfaqësues për kontratën që quhet Henri Tomei. Jo përfaqësues, por komisioner.

Ç'ndodhi pasi Efraim Diveroli mori vesh se po e blinte municionin dyfishin e çmimit, pas futjes në të komisionerit?

Kjo e detyroi zotin Diveroli të më kërkonte mua ndihmë, të hyja në kontakt me zotin Pinari me zotin Mediu, për të sqaruar situatën, pasi nga ana tjetër po krijoheshin shumë pengesa me furnizimin me armë. Unë kontaktova zotin Pinari dhe e pyeta sesi është problemi që Diveroli ishte tepër i pakënaqur nga mënyra sesi zhvilloheshin transaksionet. Pinari më tha mua që nuk duhej të ngatërrohesha me këto gjëra, pasi janë forca madhore. Duke dyshuar tek ndërgjegjja e zotit Pinari, unë kërkova të takohem me zotin Fatmir Mediu. Pasi i shtrova problemin, Mediu u tregua shumë indiferent, mospërfillës, shumë përbuzës dhe më thotë që kjo është një çështje civile dhe nuk varej nga ai, por direkt nga MEICO. Mediu më tha që MEICO ka autorizim të pakufizuar dhe mund të veprojë si të dojë. Unë mbeta i shtangur. Që në këtë moment lajmërova Ambasadën Amerikane dhe sektorët përkatës të kësaj ambasade dhe i vë në dijeni për gjithçka. Gjithashtu vura në dijeni edhe presidentin e kompanisë AEY, zotin Diveroli. Mbas 2-3 orësh vë në dijeni edhe Pinarin. Përgjigjja e tij ishte e prerë dhe agresive, duke më thënë që nuk do të më furnizonte, pa një urdhër të dytë nga ministri. Pas kësaj përgjigjeje u habita, pasi këtu diskutohej furnizimi me materiale ushtarake i një fuqie aleate, siç është NATO në Afganistan. Atëherë, zoti Pinari e ndërpreu kontratën dhe nuk na furnizonte më me municione për t'i ripaketuar në aeroportin e Rinasit.

Kur u bllokua kontrata dhe çfarë ndodhi më pas?

Kontrata u ndërpre rreth datës 10-15 maj. Faktikisht, kontrata ligjërisht nuk u ndërpre, por Pinari nuk furnizonte më. Mbas kësaj periudhe, mesa kam marrë vesh, Pinari kërkoi që Efraim Diveroli, pronari i AEY-së të vinte urgjentisht në Shqipëri, për t'u takuar me të dhe për të diskutuar për një kontratë direkte ndërmjet MEICO-s dhe AEY-së. Kur Diveroli erdhi në Tiranë, nga data 17, në aeroport e priti Pinari. Ky e kishte udhëzuar që unë të mos shkoja në aeroport. Diveroli më lajmëron për të gjitha këto elemente dhe unë pranoj të mos vij në aeroport dhe të mos takohem me zotin Diveroli.

A mund të na tregoni atë pjesë të Diverolit në Tiranë, ku dyshohet se ai është takuar me Pinarin, Delijorgjin dhe me një djalë që mendohet se është Shkëlzen Berisha?

Pinari e merr zotin Diveroli nga aeroporti bashkë me përfaqësuesin e AEY-së në Tiranë, Aleks... njëkohësisht punonjës i forcave aleate të NATO-s. Shkojnë në një rrugë, e cila është një rrugë diku mes Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Drejtësisë. Zotin Diveroli e çojnë në një apartament së bashku me Aleksin, ku Pinari u prezanton Delijorgjin dhe një person tjetër të moshës 27-30 vjeçare. Këta dy u prezantuan si shefa të Pinarit dhe i kërkuan Devirolit të firmoste një kontratë direkte me MEICO-n dhe tani e tutje, të gjitha materialet do të shiteshin me çmimin 26 dollarë për 1000 copë fishekë, ndërsa çmimi tjetër prej 14 dollarësh, do t'i paguhej kompanisë së Delijorgjit, në mënyrë që të plotësohej totali i 40 dollarëve, të cilat AEY-së po i merreshin nëpërmjet "EVDIN".

Kush ishte djali i ri, që shoqëronte Delijorgjin në këtë takim?

Nuk e di! Pikërisht mbas kësaj, kur zoti Diveroli dhe zoti Aleks ishin në zyrat e Delijorgjit, atëherë Aleks, që e njihte Delijorgjin, nuk e lejon zotin Diveroli që të firmosë një kontratë të tillë mafioze dhe nga arsyetimet që do të vinin një ditë, sepse natyrshëm u frikësuan. Ju thoni që nuk e dini kush ishte i riu.


Pse u takuat atëherë me Shkëlzen Berishën?

Me Shkëlzen Berishën jam takuar, pasi e kam kërkuar unë Shkëlzenin që të takoheshim, pas zërave që qarkulluan. I thashë që emri i tij ishte përdorur në këtë takim, por zoti Shkëlzen më tha që nuk ishte takuar me asnjërin prej personazheve. Aty ndodhi që Shkëlzeni më kërkoi ballafaqim qoftë me Diverolin, qoftë me Aleksin, sepse ishte i sigurtë që ishte i pafajshëm. Unë e besova që ishte i pafajshëm dhe nuk i rashë mbas këtij muhabeti.


Gazeta Shekulli
Mary
Mary
Anëtar elitë
Anëtar elitë
Regjistruar : 04/02/2008
Postime : 4917
Info : a good sense
Points : 51
Reputacioni : 50
Medalje Red Medalje Blu Medalje Green
https://zeriyt.albanianforum.net

Vdes Kosta Trebicka deshmitari kyc i GERDECIT Empty Re: Vdes Kosta Trebicka deshmitari kyc i GERDECIT

19th September 2008, 19:06
Dëshmia: Trebicka nuk shkoi për gjah
Ka kaluar rreth një javë nga vdekja e mistershme e Kosta Trebickës dhe për pjesën më të madhe të miqve të tij, versioni aksidental është i pabesueshëm.


Genci Sulejmani thotë se në këta 4 vjet, Trebicka nuk ka shkuar kurrë vetëm për gjah. “Më tha se po shkonte për punë dhe qenin e kishte marrë për shoqëri me vete”

MALIQ- Ka kaluar rreth një javë nga vdekja e mistershme e Kosta Trebickës dhe për pjesën më të madhe të miqve të tij, versioni aksidental është i pabesueshëm. Një ndër miqtë që e konsideron krejt të pabesueshme vdekjen aksidentale të Trebickës është edhe pronari i hotelit në Maliq, Genci Sulemani. Pikërisht nëkëtë lokal, në të hyrë të qytezës, Trebicka ka qëndruar rreth 20 minuta, ku i ka thënë Sulemanit që do të shkonte drejt Leskovikut. Genci thotë se Kosta Trebicka ishte mik i tij prej katër vitesh. Sa herë që biznesmeni shkonte për gjah në këto anë, natën e kalonte në hotelin e tij. “Ishte hera e parë që e kam parë vetëm në këto anë”,-thotë Genci, i cili nuk e ka kaluar pa e vënë në dukje këtë fakt. Për “Shekullin”, pronari i hotelit rrëfen takimin me Trebickën dhe dyshimet për ndryshimin e destinacionit të tijnga Leskoviku në Voskopojë.

A është e vërtetë që Kosta Trebicka ka qëndruar në hotelin tuaj, këtu në Maliq, para se të shkonte në Voskopojë?

Po. Ekzaktësisht nuk e mbaj mend sa ishte ora kur erdhi, por mund të them se sa kishte rënë mbrëmja dhe po errësohej. Kur Kosta hyri nëhotel, po merresha me punët në guzhinë dhe i lashë menjëherë, pasi Kostën e njihja prej vitesh.U bënë rreth katër vjet që ai vjen shpesh në këto anë për gjah, po më bëri përshtypje se këtë herë ishte vetëm. Po kështu, me të nuk ishin as miqtë e tij që unë e di mirë që i ka nga kjo zonë. Atë natë, Kosta ishte vetëm dhe mbaj mend që edhe e kam pyeturpër këtë fakt, që më bëri përshtypje.

Çfarë biseduat konkretisht?

E pyeta nëse ishte rikthyer për të dalë për gjah. Me vete kishte vetëm Xhinën, zagarin e tij, por nga veshja nuk dukej se ishte nisur për gjah. Mbaj mend se kishte veshur pantallona të bardha dhe triko, megjithatë ngaqë pashë zagarin, e pyeta nëse kishte dalë në këto anë për gjah. Më tha se jo, por qenin e kishte marrë vetëm për shoqëri. Nga ajo bisedë që bëmë për rreth 20 minuta, nuk besoj se ka ndenjur më shumë në hotelin tim, tha se do të nisej drejt Leskovikut.Aty e prisin disa miq për punë. Madje e saktësoi, kur unë e puna nëse kishte dalë për gjah, duke thënë se ishte këtej vetëm për punë.

Ju thatë se ka ndenjur rreth 20 minuta. A vutë re ndonjë shqetësim tek ai?

Jo. Ishte si gjithmonë, madje kemi bërë edhe shaka për punë të ariut, sepse në zonën tonë ka shumë arinj dhe Kosta i kishte tmerrësisht frikë. Asgjë të veçantë nuk kam vënë re veç faktit që ai ishte vetëm. Gjithmonë këtu ai vinte o me shokët e tij, ose me rojen e shtëpisë, Gencin. Gjatë kësaj kohe që Kosta ka hyrë dhe ka fjetur në hotelin tim, nuk ka ndodhur kurrë që ai të ishte vetëm.

Bisedë tjetër a bëri në hotelin tuaj?

Kur tha se do të shkonte në Leskovik për punë, për të parë për disa gurë dekorativë për një tregti të mundshme me Greqinë, hyri në muhabet me një inxhinier që fle në hotelin tim. Biseda e tyre ishte thjeshtë për cilësinë e gurit në këto anë. Pastaj tha se po ikte. Ka pirë vetëm një gotë ujë të freskët dhe u nis për rrugë. Më tha se nuk donte asgjë tjetër, veç ujë për të dhe zagarin. Duke qenë se ishte errësuar, unë i thashë të qëndronte në hotel, por nuk pranoi. Tha se ishte për rrugë dhe do të bënte mirë që të nisej.

Kur e mësuat vdekjen e Trebickës?

Nga lajmet dhe ende e kam të pabesueshme çfarë ka ndodhur. Së pari, për mua është shumë i dyshimtë vendi ku thuhet se ka ndodhur ngjarja. Unë dija që Kosta ishte nisur drejt Leskovikut, të paktën këtë më tha atë natë dhe ngjarja ndodh në Voskopojë. U tha se ishte për gjah dhe unë vetë e pyeta një natë më pare, por ai e mohoikëtë fakt. Ishte në këto anë për punë dhe më tha se në Leskovik e prisnin miqtë e tij.

A e dinit ju se kush ishin miqtë e tij?

Ata për të cilët tha se do të takonte, jo. Unë njoh vetëm miqtë e tij që ka në Maliq dhe më bëri përshtypje se për herë të pare, nuk ishte në shoqërinë e tyre. Përgjatë kësaj kohe që unë e njoh, nuk e kam parë asnjëherë Kostën vetëm, ndaj dhe kam shumë dyshim mbi atë çfarë ka ndodhur. Nuk di c’të them më tepër. Kjo është e gjitha e vërteta që unë di.

Këtë dëshni a e keni bërë në polici?

Po. Dy ditë më parë. Më thirrën dhe shkova në Korçë me vullnetin tim, sepse jo vetëm se e njihja Kostën, por për çdo njeri që do të kishte një vdekje të tillë, e ndieja për detyrë të dëshmoja aq sa unë di. Dhe nga ajo sa tha vetë i ndjeri Kosta,nuk kishte ardhur në këto anë për gjah. Tjetër unë nuk di ç’të them. Këtë thashë në polici dhe këtë ua tregova dhe ju. Është gjithçka që unë di, megjithëse ende është e pabesueshme se si ai njeri ka vdekur.


REAGIMI

Mjeku ligjor: Presim analiza të tjera

KORÇË- Mbledhja në fillim të javës së ardhshme e ekspertëve të Insitutit të Mjekësisë Ligjore pritet të plotësojë ekspertizën mbi vdekjen e Kostra Trebickës. Mjekuendokrinolog, Hasan Laho, i cili ka marrë pjesë në grupin e mjekëve-ligjorë që bënë autopsinë thotë se ka firmosur procesverbalin paraprak. Nga ajo sa i kanë parë sytë, eksperti i Mjeksisë Ligjore thotë se është i bindur që vdekja është shkaktuar nga politrauma, e ngjashme kjo me rastet e vdekjeve aksidentale.

Megjithatë, Laho shton se përfundimi i analizave specifike do të hedhë më shumë dritë mbi motivin e vdekjes së biznesmenin, e deri në përfundimin e tyre, mjeku endokrinolog nuk preferon të komentojë ngjarjen. Pistat e ndryshme të hetimit duket se ka lënë gjurmë edhe tek mjekët që kanë bërë autopsinë e trupit të Trebickës, ndaj edhe ata vetë presin ekspertizat e tjera, për të rikonfirmuar autopsinë e firmosur prej tyre.


“Më telefonoi për të më thënë se do të shkonim për gjah, dy ditë para vdekjes”

Gjahtari: Dyshimet e mia për vdekjen e Trebickës

KORÇË- Gjuetarë të vjetër në Maliq, të cilët kanë shoqëruar shumë herë Trebickën për gjah shprehen të habitur mbi atë që ka ndodhur, por më shumë për faktin se ai ishte nisur i vetëm drejt Voskopojës. Zona në të cilën shkohet për gjah në ato anë është fshati Marian. Kosta e njihte mirë këtë fshat, pasi kishim qenë herë të tjera bashkë, ndaj më duket e çuditshme që ai ka vdekur në momentin që po kthehej në Voskopojë. Koha që nga dalja prej hotelit deri në momentin kur është gjetur i vdekur nuk është e mjaftueshme për gjueti”,-thotë një i njohur i Trebickës, i cili e kishte shoqëruar atë disa herë në udhëtimet e gjuetisë.

Sipas tij, vendi ku është gjetur i vdekur nuk njihet prej tyre si zonë ku gjuhet, e madje as Lavdari, ku Trebicka është parë rreth orës 11.30 duke gjuajtur. Udhëtimi i vetëm në këtë zonë është një tjetër pikëpyetje për gjuetarin 60- vjeçar. “Tre ditë para se të ndodhte ngjarja, më ka telefonuar për të më lajmëruar se do të vinte në Korçë. Do të dalim për gjah dhe do të takoj -më tha.Sa herë që vinte këtu, unë e shoqëroja, pasi ishim miq shtëpie, por kur erdhi nuk më mori në telefon dhe pas vitesh të tëra miqësie, kjo ishte hera e parë që nuk më telefononte. Nuke di se me kë do të dilte për gjah, por vetëm jam shumë i sigurt që jo”-rrëfen 60- vjeçari. Ndërkohë, ndryshimi i itinerarit të lëvizjeve është një tjetër dyshim për gjahtartin, sipas të cilit vdekja e Trebickës, vetëm nga aksidenti që nuk është shkaktuar.


--------------------------------------------------------------------------

Kevin Teter nga Virxhinia, ekpert për rindërtimin e skenave të aksidenteve. Niset sot drejt Korçës

Makina e Trebickës, mbërrin eksperti i parë nga SHBA

TIRANË- Ka mbërritur në Shqipëri eksperti i shumëpritur amerikan, i cili në bashkëpunim me specialistët shqiptarë do të kryejë ekspertizës auto-teknike të makinës së biznesmenit Kosta Trebicka. Ky lajm u konfirmua nga burimet zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat pohuan me anë të një njoftimi zyrtar se me ardhjen e ekspertit amerikan, Kevin Teter, me detyrë ekspert i aksidenteve automobilistike dhe i rindërtimit të skenave të aksidenteve, do ‘t’i bashkëngjitet ekspertëve shqiptarë për të filluar ekzaminimin e makinës që prej mëngjesit të sotëm. Mësohet se eksperti nga shteti i Virxhinias në SHBA do të nisë menjëherë nga puna, duke analizuar shkaqet e daljes nga rruga të makinës tip “NISSAN” kabriolet me targa TR 8843 J, ku edhe gjeti vdekjen dëshmitari kryesor i aferës së trafikut të fishekëve në drejtim të Afganistanit.

Sipas akuzës, makina e Trebickës tashmë është bllokuar dhe mbahet e izoluar në ambientet e drejtorisë së Policisë së Korçës, në kushte të rrepta sigurie, nën ruajtjen e forcave policore. “Makina është e mbyllur në një garazh, e dyllosur dhe e kyçur me çelësat që i disponon prokuroria. Asnjë person nuk është i autorizuar të hyjë në vendin ku mbahet e mbyllur makina, deri në ardhjen e ekspertit të SHBA-së”,-thuhet nga prokuroria.

Kjo makinë është bllokuar pas diskutimeve me ekspertët amerikanë, për të sqaruar në mënyrë të specializuar dhe shkencore rrethanat në të cilat ky mjet ka përfunduar në një distancë të largët nga trupi i viktimës, kushtet teknike që ka pasur në momentin e rrëzimit, shpejtësinë dhe trajektoren e përshkruar në bazë të kësaj shpejtësie, të cilat do të krahasohen me provat që janë siguruar nga vendi i ngjarjes, nga dheu, por edhe nëpërmjet matjeve topografike e fotografive dhe pamjeve filmike që janë kryer në vendin ku u gjet viktima”-thuhet nga burimet zyrtare të prokurorisë.

Makina me të cilën udhëtonte Kosta Trebicka në momentin kur humbi jetën është konsideruar si prova kryesore për të zbardhur këtë vdekje të mistershme. Prokurorët që kanë drejtuar hetimin kanë qenë dakord me zhvendosjen e saj nga fshati Lekas në drejtorinë e Policisë së Korçës, por nuk kanë lejuar asnjë ekspert shqiptar të kryejë eksperimente me të. Me mbërritjen e ekspertit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pritet të sqarohet edhe kjo pikë e errët për grupin hetimor.

Veterinerët dorëzojnë raportin në prokurori: Qeni i gjahut nuk ka asnjë dëmtim

Qeni i Trebickës, krejt i padëmtuar

TIRANË- Veterinerët e Korçës kanë dorëzuar pranë Prokurorisë akt-ekspertimin e përfunduar ndaj qenit të gjahut dhe qimeve të gjetura në trupin e biznesmenit Kosta Trebicka, pasditen e datës 12 shtator. Sipas këtij raporti të administruar tashmë në dosjen hetimore, qeni i gjahut që u gjet pak metra larg trupit të Trebickës dhe makinës së dëmtuar nuk kishte pësuar asnjë dëmtim fizik. “Kafsha e gjetur pranë makinës së biznesmenit Kosta Trebicka është ekzaminuar në mënyrë të hollësishme dhe ka rezultuar se nuk kishte pësuar asnjë frakturë në trup, as në gjymtyrë dhe as shenja të brendshme hematomash, plagë këto të cilat i shkaktuan vdekjen pronarit të tij, Kosta Trebicka”,-thuhet në raport.

Sipas burimeve zyrtare të akuzës, qeni u gjet vetëm pak metra larg vendngjarjes, ndërkohë që ndodhej brenda makinës së bashku me Trebickën gjatë udhëtimit. Disa nga hetuesit shfaqin dyshime se ashtu sikurse Trebicka, edhe qeni i tij i gjahut duhet të reflektonte plagë prej përmbysjes së makinës. Ndërkohë, pritet që në ditët në vazhdim të përfundojnë edhe disa nga 14 ekspertizat e caktuara për t’u bërë nga Prokuroria e Korçës, e cila tashmë ka regjistruar procedimin penal të vdekjes së biznesmenit Trebicka.

Nga burimet e akuzës mësohet se ka përfunduar edhe ekspertimi i lëngjeve të stomakut të Kosta Trebikcës, ku ka rezultuar se brenda 6 orëve ai nuk kishte konsumuar ushqim dhe pije të tjera. Ndërsa sot pritet që prokuroria e Tiranës, për llogari të asaj të Korçës të rimarrë në pyetje bashkëshorten e Kosta Trebickës, për të sqaruar disa nga detajet e tjera të dala pas dëshmisë së saj të parë.



Marre nga Gazeta Shekulli[b]
Sponsored content

Vdes Kosta Trebicka deshmitari kyc i GERDECIT Empty Re: Vdes Kosta Trebicka deshmitari kyc i GERDECIT

Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi