Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Kristaq Shabani
Kristaq Shabani
Anëtar i vjetër
Anëtar i vjetër
Regjistruar : 19/11/2015
Postime : 733
Points : 1430
Reputacioni : 5
Medalje Medalje2 Medalje3
http://www.pegasiworld.com

"ARBËRORËT FILLUAN TË FLASIN"  shkruajnë: Prof. Dr.Myrvete  Prof. Dr.  Begzad Baliu, Prishtinë Empty "ARBËRORËT FILLUAN TË FLASIN" shkruajnë: Prof. Dr.Myrvete Prof. Dr. Begzad Baliu, Prishtinë

16th November 2016, 02:52
ARBËRORËT FILLUAN TË FLASIN

Shkruajnë: Prof. Dr.Myrvete  Prof. Dr.  Begzad Baliu, Prishtinë

Atë Antonio Belushi

 
 

Më shumë se shtatë shekuj më parë një murg francez, nën vellon e të cilit fshihej misioni politik dhe madje ushtarak i princave francezë, i njohur me emrin Monakus Brokardus, kishte kaluar detin dhe kishte hyrë në Ballkanin Perëndimor. Ndonëse shënimet e tij për shqiptarët dhe kulturën e tyre janë të pakta dhe, madje, të relativizuara disa herë, për ne sot janë dëshmi të veçanta të kësaj periudhe.
Po kaq shekuj më vonë, një murg shqiptar, nën veladonin e priftit kalonte detin për të kujtuar dhe për të gjurmuar po ato relikte tash gojore, për të cilat fliste Brokardus, disa prej të cilave kishin mbetur te paraardhësit e tij në trojet e moçme arbërore.
Ashtu si në kohën e Brokardit, murgu i ri i gjakut shqiptar, me emrin Antonio Belushi, më 1965 kaloi Adriatikun dhe hyri në vatrat stërgjyshore, duke fshehur nën vellon e tij fetare misionin e tij prej atdhetari: për gjuhën dhe reliktet e saj, etnografinë, etnologjinë etj.
Misioni i tij tash ishte i shumëfishtë, jo vetëm për atë vijë gjaku, që vazhdonte të gjallonte në koloninë arbërore të Italisë, jo vetëm për rrënjët e tyre ndër trojet stërgjyshore të Greqisë së vjetër, por edhe për trungun e përbashkët të tyre etnik shqiptar në atdheun amë: Shqipërinë.
Në rrethet etno-kulturore, kërkimore dhe shkencore, ky mision për kohën, dukej i pabesueshëm dhe i pamundshëm. Në kohën, kur këto kërkime pengoheshin nga qeveria greke, (koha e korronelve, - sikur shprehej Atë Belushi), madje, edhe për studiues të shteteve perëndimore dhe Amerikës, Antonio Belushi, nën petkun e klerikut, nisej për të mbledhur visare kulturore, historike, etnografike dhe gjuhësore, për t’i botuar ato më pastaj në disa dhjetëra artikuj dhe vepra të rëndësishme për arbërorët dhe albanologjinë, si: “Ricerche e studi tra gli Arberori dell’ Ellade - Da radici Arbereshe in Italia a matrici arberore in Grecia (Testi e documenti), - Kërkime dhe studime ndër arbërorët e Helladhës, Centro Ricerche socio-culturali “G. Castriota”, Cosenza, 1994; Gli arberori-arvaniti un popolo invisibile (Ricerche etnografiche nell’Ellade (1965-2000): Arbërorët - arvanitë një popull i padukshëm – Kërkime etnografike në Elladhë (1965-2000), Centro Ricerche Socio-Culturali G. Kastriota Frascineto (Cosenza), 2004; Dizionario fraseologici degli albanesi d’Italia e di Grecia (Testo originale nella parlata albanese. Traduzione in lingua italiana, inglese e francese.) – Fjalor frazeologjik i arbëreshëve të Italisë dhe të Greqisë (1989) Centro Ricerche Socio - Culturali G. Kastriota Frascineto (Cosenza), 2004 etj.
Ky është sfondi historik i misionit të Antonio Belushit, prift katolik i ritit bizantin nga Kolonia e arbëreshëve të Italisë, të cilin, sikur shprehej vetë ai, me arbëreshët e Italisë e lidh vendlindja e tij, me arvanitasit e Greqisë e lidh prejardhja patërore, me Shqipërinë e lidh prejardhja matërore, ndërsa me Kosovën dhe viset shqiptare në ish-Jugosllavi e lidh ideja e shqiptarizmës. Rreth gjysmëshekull, pas udhëtimit të tij të pare, ndër arvanitasit e Greqisë (1965-2004), Atë Antonio Belushi, nisi një mision të ri. Zërin gjysmë të shurdhër të arbërorëve të harruar në Greqi, zërin e ninullave, të këngëve e të vajtimeve të vdekjes, e bëri të zëshëm dhe të dëgjuar edhe në Kosovë.

Arvanitët: “Ju na lini të flasim ne!”


Në shtator të këtij viti, nën patronatin e Ministrisë së Kulturës dhe Çështjeve Rezidente, në Prishtinë, u mbajt Java e kulturës arvanite. Për emrin e arvanitasve, përgjithësisht, kishim mësuar nëpër libra, si për emrin dhe historinë e kulturën e një pjese të popullit shqiptar, të fjetur në njërën prej shtresave etnokulturore dhe gjuhësore të Greqisë mesjetare, ashtu sikur kishim mësuar për kulturën e Trojës së Greqisë së lashtë. Në shekullin XX, si nga një thellësi e tepër e largët e qendrës së tokës, vinte ndonjë këngë me fjalë arkaike të shqipes së moçme, me ndonjë antroponim të heroit epik, apo me ndonjë ojkonim, tashmë të zëvendësuar të administratës së re greke. Në të vërtetë, historia na dëshmonte, se si ngjarjet për të cilat flitej ashtu edhe emrat e heronjve dhe vendbanimet e tyre, vinin kryesisht nga gjysma e parë e shekullit XX dhe shkonin deri në mesjetën e vonë, nëse përjashtohen legjendat, të cilat përudheshin dhe bashkëjetonin me vetë mitet e antikitetit greko-romak, por politika nacional-romantike greke ishte treguar shumë e ashpër dhe shumë e kujdeshme që të përjashtonte apo të fshinte me forcë çdo gjë që ishte shqiptare në brigjet mesdhetare, ndërkohë që, ne shqiptarët ishim treguar, jo më pak mospërfillës ndaj trashëgimisë sonë. Pjesëmarrja e arvanitëve, sikur do të dëgjohet, pas ardhjes së tyre në Prishtinë, nuk ishte e plotë dhe nuk ishte e zgjedhur. Apo thënë më saktë, pjesëmarrja nuk ishte ashtu, sikur dëshironin të vinin arvanitët. Kishin ardhur drejtues shoqatash dhe disa intelektualë, të cilët, kryesisht, zotëronin një shqipe sa për t’u përshëndetur, por jo edhe intelektualë, studiues, politikanë e klerikë me ndikim në jetën shpirtërore, kulturore dhe politike, madje jo vetëm të arvanitëve në Greqi. Në Kosovë nuk kishin mundur të vinin, sipas zërave të përulur, shumë profesorë universiteti, shumë drejtues të lartë shtetërorë, shumë artistë, shumë klerikë të lartë në hierarkinë kishtare, shumë biznesmenë, shumë drejtues institucionesh informative, e shumë drejtues shoqatash me koncepte europiane. Duke ardhur në Kosovë, duke bërë një veprimtari, sado të vogël të karakterit nacional në frymën e origjinës, shtetarët, profesorët, klerikët, mësuesit e fshatit e të qytetit, aktivistët e sindikatave, artistët, biznesmenët, gazetarët etj., do të humbnin në Greqi edhe atë që nuk e kishin humbur, kur publikisht kishin deklaruar origjinën arbërore të tyre. Ata, mund të bëheshin objekt i identifikueshëm për pushtetin, si njerëz të dyshimtë, ndërsa familjet dhe sidomos fëmijët e tyre objekt i diferencimit nga moshatarët e tyre grekë. Prej tregimeve të tyre nuk ishte vështirë të kuptoje se, në Greqi ,ende nuk kanë filluar të zbatohen konventat e Bashkësisë Europiane. Në të vërtetë, më pare, se sa të zbatoheshin konventat europiane mbi të drejtat e komuniteteve, në Greqi siç duket, ende nuk ka arritur fryma panevropiane e njohjes dhe mbrojtjes së trashëgimisë gjuhësore, kulturore dhe etnike e komuniteteve vendore. Këtë e dëshmonte edhe belbëzimi i arvanitasëve për veten, më parë se sa shqiptimi i mendimit të plotë për të drejtat e tyre të dala nga konventat europiane. Këtë e dëshmojnë edhe një varg karakteristikash të dala nga aktivitetet e tyre, të cilat më parë se sa konceptet bashkëkohore të tyre për avancimin kulturor, etnolinguistik dhe historik, sillnin një glorofikim tipik të rilindjes ballkanike të shekullit XIX, bazë e të cilave është: miti, historia, kulti i gjuhës, heroi si viktimë etj. Mendja ballkanike, si duket, edhe për një kohë të gjatë vështirë të pjellë koncepte dhe vlera të tjera.
Me anëtarë të shoqatave arvanite, të cilave u printe Atë Antonio Belushi, ishin edhe një numër, dukshëm i madh i emigrantëve të rinj shqiptarë, të cilët, me sa dukej, punonin shumë në fushë të identifikimit të vlerave kulturore, gjuhësore dhe referencave të tjera etnike, të identitetit kombëtar të arvanitasve në Greqi. Pa praninë e tyre, besojmë nuk do të ishte i mundshëm aktiviteti kulturor i arvanitëve në Prishtinë. Prania e tyre, ndoshta, më së mire, shprehej nga një kërkesë e një pjesëmarrësi në tribunën shkencore. Kërkesës së drejtuesit të tribunës shkencore për t’iu përmbajtur kohës së caktuar të ligjërimit, ai iu përgjigj: “Ju mund ta respektoni kohën e kumtesës suaj, sepse ju mund ta thoni shkurt atë, që keni shkruar, ndërsa ne kemi për të thënë shumë, prandaj duhet të na lini të flasim ne! (Pasi ky shkrim nuk ka për qëllim vlerësimin e aktivitetit të Javës së kulturës arvanite në Prishtinë, këtu duam t’i theksojmë vetëm disa karakteristika të shfaqura gjatë këtij aktiviteti).

Tribuna shkencore: 900 fshatra arvanite në Greqi

Duke hapur studimin e tij për kontaktet gjuhësore në Greqi, gjuhëtari Pitër Tradgil (1975), shkruante: “Shumëkush nuk e di se, në pjesën dërmuese të fshatrave në rajonin e Athinës, jeton më shumë popull me prejardhje shqiptare se greke. Këta njerëz nuk janë emigrantë të kohës së fundit, por pasardhës të shqiptarëve që kanë hyrë në këtë vend në kohë të ndryshme, shumica në mes të shekullit XI dhe XV. Këta shqiptarë të Greqisë ka një kohë të gjatë që i përkasin qartë një identiteti etnik të veçantë, por ky identitet gradualisht po pëson erozion. (...) Ata po ashtu bëjnë përpjekje t’u shpjegojnë të huajve se jo vetëm që janë arbëresh të Greqisë por edhe grekë. (...) Karakteristika kryesore, ndoshta e vetme, e identifikimit të shqiptarëve të Greqisë tani është gjuha e tyre”.
Sikur ky studim, nga studimet e pakta por shumë të çmuara për gjuhën e arbërorëve në Greqi, të ishte i vetëm dhe i harruar në sirtarët e botimeve akademike, përfaqësuesi i zyrës së Greqisë në Prishtinë në fjalën e tij përshëndetëse mezi belbëzoi një numër simbolik vendbanimesh arbërore në Greqi, gjë që e bëri të reagojë nga foltorja Atë Antonio Belushin: “Jo zotëri, në Greqi arbërorët jetojnë në pesëqind vendbanime ku flitet gjuha arbërore, kam qenë vetë atje, që në kohën e korronelve, janë edhe 200 vendbanime ku më shumë apo më pak dëgjohet dhe ndjehet identiteti arbëror, dhe ende dëgjohet ndonjë frazë shqipe. Janë edhe 200 vendbanime të tjera ku shenja të jetesës shqiptare mund të gjenden vetëm po të gjurmosh toponiminë dhe patroniminë familjare, ndoshta edhe reliktet e lindjeve, të dasmave dhe të vdekjeve”.
Në një atmosferë interesimi, glorifikimi të historisë, krenarisë për të kaluarën dhe dyshimit për të ardhmen, gjuhëtari arbëror që në këtë simpozium përfaqësonte emigracionin e diasporës arvanite në Gjermani, Niko Stylos, shqiptoi disa probleme të gjendjes së ndjenjës së identitetit të arvanitëve në Greqi, me të cilat mund të thuhet se në tribunën shkencore solli mendimin kritik. Asnjëherë nuk na ka munguar vetëdija kombëtare dhe sidomos dashuria për gjuhën arvanite, - tha Stylos. Institucionet shtetërore, arsimore dhe madje fetare kanë bërë shumë për të na e shuar këtë ndjenjë, dhe për fat të keq edhe kur nuk ia kanë arritur plotësisht, sikur është fjala për gjuhën, ia kanë arritur pjesërisht kur është fjala për identitetin nacional. Unë mbaj mend, kur isha fëmijë në shkollën greke, (sepse në Gjermani jetoj vetëm këto 30 vjetët e fundit), megjithëse e dinim se nuk duhej të flisnim në gjuhën arvanitase, ne “gabonim” dhe e përdornim atë për ndonjë të sharë mes vete, barcoletë, kompliment për vajzat etj., ndërsa si dhuratë, nga mësuesi i fshatit merrnim disa shkopinjë të nxehtë duarve. Tani gjendja e identitetit kombëtar e arvanitëve në Greqi është mjaft e ndërlikuar. Ata ende nuk po arrijnë ta ndajnë konceptin kombëtar nga koncepti fetar. Duket se kisha greke ka investuar shumë, sidomos gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, kur emri shqiptar dhe Shqipëri u bënë sinonim i së keqes, izolimit, dhunës etj. Gjendja nuk ndryshoi as pas rënies së komunizmit në Shqipëri. Kaosi që përshkoi Shqipërinë postdiktatoriale pati ndikim të keq edhe ndër arbërorët e Greqisë. Kjo mungesë e ndjenjës nacionale ndër arvanitët u lëkund për të mirë vetëm gjatë Luftës së Kosovës (1997-1999), por edhe atëherë nuk mund të thuhet se u fitua. Shumë arvanitas, në emër të ortodoksisë, gjatë luftës së Kosovës mbajtën anën serbe, sepse luftën në Kosovë, si rezultat i propagandes serbe në Greqi, e kuptuan si luftë të karakterit fetar ndërmjet muslimanëve dhe të krishterëve!
Ndonjëri nga të pranishmit në tribunë, shkoi edhe më tej, kur tha: Nuk e kuptoj deri kur do të vazhdojmë të dëgjojmë mendimin e studiuesve të shekullit XIX, për të ashtuquajturën vendosje të shqiptarëve në mesjetën e vonë në More dhe përgjithësisht në Greqi. Lini librat dhe urdhëroni në vendbanimet e moçme ku kanë jetuar dhe jetojnë arbërorët në Greqi. Do të shihni se atje ata jetojnë para grekëve! Lexoni toponimet, dëgjoni këngët, ritet e lindjes, të dasmave e të vdekjes, prejardhjen familjare të heronjve, miteve, legjendave, ngjarjeve historike dhe madje etimologjinë e shumë fjalëve.
Duke i dëgjuar të gjitha dhe duke dëgjuar sidomos diskutimet për kërkimet e deritashme kulturore dhe shkencore në fushë të albanologjisë ndër arbërorët dhe arkivat e tyre, se si na u kujtua rrëfimi i Sadri Llukës nga Peja, bërë përfaqësueseve të Kryqit të Kuq Amerikan në Shqipëri, gjatë kohës që ata po e vizitonin në Malet e Shalës, më 1922: “Këto të gjitha janë shumë të moçme dhe asnjë nuk shkruhet në libër, ndaj janë të vërteta. Unë jam plak dhe kam parë se kur burrat zbresin në qytet për të mësuar se ç’ka në libra, ata kthehen me përbuzje për urtësinë e etërve të tyre dhe, duke harruar çdo gjë flasin marrëzira, fjalët që nuk kanë lidhje me njëra - tjetrën. Por gjërat që një njeri i di, ngaqë i ka parë vetë, gjërat për të cilat ai mendon kur gjendet në udhë dhe kur rri ulur pranë zjarrit, ato gjëra janë të shëndosha. Pastaj kur njeriu është i vetmuar, ai u gjen fjalë atyre gjërave e fjalët bëhen këngë dhe kënga mbetet ashtu siç është, në kujtesën e atyre që e dëgjojnë. Si kënga e Malit të Sharrit. Ndaj, këto këngët tona janë të sakta, se unë di shumë këngë për shumë gjëra, por nuk di këngë që thotë se kënga tjetër është e rrejshme”. (Rose Wilder Lane, Majat e Shalës, 1923, 140)

Etnonimi arbanit dhe miti i origjinës

Ditën e parë të Javës së kulturës arvanite në Kosovë, u shafaq një film dokumentar në të cilin na bëri përshtypje teksti i përkthyer në gjuhën shqipe. Shumë nga ata që kishin sadopak njohuri për etnonimin arvanit tekstin e shënuar disa herë gjatë përkthimit e mori për gabim korrekture. Në vend të emrit të shqiptuar arvanitas nga folësi i gjuhës greke, përkthyesi e shënonte në fund arbanitas. Vetëm në fund, në tribunën shkencore dhe në diskutimet e rastit, kuptuam se disa nga përfaqësuesit e arbërorëve kishin arritur në përfundimin se shpjegimi i etnonimit arvanitas nga etnonimi i hershëm arbër (mbi parimet e fonetikës historike të greqishtes, sipas së cilës b < v) nuk ishte i saktë. Sipas tyre arbërorët e Greqisë nuk kishin të bënin me kurrfarë shpërnguljesh, prandaj ishin autoktonë edhe me emrin e vjetër të tyre: arbëror. Kështu, fondit të pasur të etnonimeve për emrin e popullit shqiptar e të gjuhës shqipe, si: arbër, arbën, arbëresh, arbënesh, arbënuer, shqiptar, kosovar, Arbëri, Arbëni, Shqipëri, Kosovë, Iliridë, çam, çamëri, Albansis, albanese, Albaner, albanci, arnaut, arvanit, raban, rabani, kësaj radhe iu shtua edhe një sinonim: arbanitë.
E kuptueshme.
Ndërsa lëvizja kulturore e arbëreshëve të Italisë, duke iu përmbajtur konventave evropiane mbi të drejtat kulturore dhe arsimore të komuniteteve minoritare, interesat e saj i sendërton pa kompleksin e prejardhjes historike, pa nevojen e glorifikimit të saj, duke e parë madje historinë vetëm si nevojë për njohjen e vetvetës, lëvizja e arvanitase në Greqi, niset atje ku është ndaluar procesi i ngritjes së vetëdijes kombëtare, në fillim të shekullit XIX.
Deri sa arbëreshët e Italisë, (duke u mbështetur në ligjin e miratuar falë konventës evropiane për evidentimin e të drejave të komuniteteve minoritare) prijnë në përgatitjen e mësuesve në gjuhën shqipe, brenda shkollave italiane ku mësojnë arbërorët e Italisë, këta të Greqisë as që presin edhe për një kohë njohjen dhe avancimin e kësaj të drejte nga qeveria vendore, e cila shkarkoi ministrin e saj, sepse ai pati guximin që publikisht të deklarojë prejardhjen e tij arvanite.
Derisa arbëreshët e Italisë diskutojnë çështjen e përdorimit të standardit në shkollë dhe dialektit në kishë, gjithnjë për arsye pragmatike të komunikimit, arbërorët e Greqisë as nuk mund ta diskutojnë përdorimin e gjuhës së tyre në kishë dhe e shohin larg ditën kur qeveria greke do të përkrahë nxitjen e përdorimit të arbërishtes ndër shkolla shtetërore, si një vlerë të rëndësishme të kulturës së përgjithshme në vend.
Kjo ka bërë që arbërorëve të mos u mjaftojë historia për njohje, atyre historia u nevojitet për referencë, në të vërtetë ata duke jetuar mes mitit dhe realitetit janë bërë vetë historia. Në Ballkan, përgjithësisht të gjithë popujt jetojnë mes miteve dhe konstruktimin e miteve e kanë njërën prej dhuntive më të suksesshme. Madje më shumë se popujt, mitin e tyre e kanë ndërtuar bashkësitë e ndara më shumë apo më pak nga trungu i tyre, si: miti i prejardhjes nga Aleksandri i Maqedonisë (maqedonët), miti i Luftës së Kosovës (serbët), miti i origjinës (arbërorët e Greqisë) etj. Mirëpo, miti i arvanitëve, i rikonstruktuar tash së voni, do të mund të thuhej se është i veçantë dhe një shembull i mirë për rrethanat historike dhe hapësinore të Evropës Juglindore. Miti i tyre ndërtohet jo mbi racën dhe urrejtjen e tjetrit, jo mbi hapësirën etnike dhe shtytjen e tjetrit, jo mbi konceptin fetar dhe mosdurimin ndaj tjetrit, por mbi kultin e gjuhës - një prej frymëzimeve emblematike të Rilindjes Kombëtare.

Kulti i gjuhës ose “gjuha si prestigj i fshehur”


Në jetën e një populli a të një bashkësie, sado të ketë pasur trysni gjuhësore, kulturore, fetare, ekonomike etj., gjithmonë gjenden disa shenja të fshehura thellë në genin e tij, të cilat reagojnë sa herë rrezikohet humbja e kufirit të fundit të identitetit kombëtar. Ato shfaqen zakonisht si kujtesë e strehuar thellë në ndërdijen e çdo individi dhe njëkohësisht mbrenda kolektivitetit, prandaj kuptohen si përbërës të etnolinguistikës, por në thelb do të duhej të studioheshin brenda psikolinguistikës. Kështu ka ndodhur edhe me bashkësinë arbërore në Greqi.
Ka ndodhur që në brezat nga gjyshi deri tek nipi, për shkak të zhvillimeve të caktuara brenda shoqërisë greke, janë humbur shumë veçori të sjelljes dhe të veshjes. Nëse gjyshi ka mbajtur një kostum më të theksuar me elemente kombëtare arbërore, kjo ka ndyshuar jo në drejtim të marrjes së elementeve të etnosit grek, por në drejtim të ndryshimeve të përgjithshme bashkëkohore në artin e veshjes moderne. E megjithatë shenjat e kostumit brenda familjes janë ruajtur: në lindje, në dasma, në vdekje etj. Kur edhe këto janë ezauruar në një përmasë të caktuar, si rezultat i martesave ndërmjet bashkësive, janë ruajtur disa shenja të fshehura brenda strukturës së besimit pagan, kryesisht te gjinia femërore: shenja për ruajtjen e fëmijës nga mësyshi, të dhëndrit nga e keqja e natës së parë, e amanetit të të vdekurit në varr etj.
Ashtu si me etnologjinë, ka ndodhur edhe me gjuhën. Në kushte të caktuara, të një shkretine të pafund, por gjithsesi të mbyllur, sidomos me gjuhën amë, sikur ka ndodhur me arbërorët, ajo është rrudhur dhe në shumë përmasa të tjera dhe duket sikur ka humbur mundësinë e shprehjes. Në ndonjë rast edhe ka ndodhur, prandaj brezi i fundit ankohet se njëra prej arsyeve pse nuk e përdorin gjuhën arbërore, ndonëse ia njohin shejtërinë, është pamundësia për të shprehur në nivel sa më të lartë mendimin e tyre. Prej, studimeve më të thella nuk është vështirë të shihet se si në shumë raste sintaksa e mendimit është bjerrë kaq shumë, mendimi i tyre i shprehur në gjuhën arbërore nuk është veç se një rend leksikor. E megjithatë, edhe ato kanë përmasën e tyre historike. Në qoftëse një arbëror mendimin e tij më të lartë për një problem e shpreh më drejt dhe më saktë në gjuhën greke, në gjuhën arbërore, mund të radhisë një leksik të rrallë e të moçëm duke treguar barcoleta, përralla, pjesë të trupit, dhe më në fund një fjalorth të rrallë eufemizmash, të cilat nuk i gjen dot në fjalorin e sotëm të banorëve të atdheut amë.
Por, ja, ndodh të jenë shkrirë të gjitha, sintaksa, leksiku, përrallat, barcoletat, eufemizmat dhe madje leksiku pezhorativ, pra kur hapësira e gjuhës së tyre nuk është veç se një krra-krra, mbrenda gjuhës tjetër (tash gjuhës greke) shkon e ruhet një shenjë që nuk ka të bëjë me përmasa të jashtme, por të brendshme, psikologjike, fiziologjike, gjenetike: theksi. “Shumë arbëreshë kanë theks të arbërishtes, kur flasin greqisht”, konstatonte Tradgil, në vitet ‘70. A mjafton kjo që gjuha arbëreshe të mos quhet vetëm “prestigj i fshehur” (deri në fund të shekullit XX) apo gjuhë amë e të gjitha gjuhëve (sikur përpiqet të glorifikohet sot), por thjesht, gjuhë e zakonshme dhe gjuhë e komunikimit të përditshëm në Europën e bashkuar.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi