Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Kristaq Shabani
Kristaq Shabani
Anëtar i vjetër
Anëtar i vjetër
Regjistruar : 19/11/2015
Postime : 733
Points : 1430
Reputacioni : 5
Medalje Medalje2 Medalje3
http://www.pegasiworld.com

Cikël poetik nga vëllimi poetik:  "Kumritë prej deltine" i poetit prodhimtar, Adem Zaplluzha, Kosovë Empty Cikël poetik nga vëllimi poetik: "Kumritë prej deltine" i poetit prodhimtar, Adem Zaplluzha, Kosovë

25th November 2016, 22:00
Veçim
Cikël poetik nga vëllimi poetik  "Kumritë prej deltine" i poetit prodhimtar, Adem Zaplluzha
Një përfundim logjik:
Një poezi, e cila ka dalë nga “mitra” e kreativitetit,  nëpërmjet një vëzhgimi të mençur. Poeti nuk shtrëngohet të lindë krijimin e tij, pasi e ndihmon spontaneiteti i lindjes.Asqë mund të flitet për prezencë sempliste, rakitizëm apo proleksitet, sikundërse , tashmë, gjen në çdo varg te krijuesit e tjerë. E përtheksoj këtë, pasi kjo strukturë  duhet të evidentohet dhe të përthitet për të krijuar fizionominë e krijimit origjinal.  
Ky cikël poetik, i marrë në një botueshmërinë e tij në përmbajtjen e një vëllimi poetik"Kumritë prej deltine" dallohet për “organogramën”  e tij, për arkitekturën, për pasurinë figurative , si dhe për dukuritë e tij  në operacionin kirurgjikal të së djeshmes dhe të sotmes si dhe për pasurinë e fondit ngjyror poetik.Kjo poezi duket e ngjeshur; brenda saj gjen moralin, pazazhin, peisazhin real dhe peizazhin mendimor.   
  Një poezi e meditimit , e cila jep mesazhe dritëse me origjinalitet dhe individualitet”.
                            Kristaq F. Shabani








 
 

 
Cikël poetik nga vëllimi poetik:  "Kumritë prej deltine" i poetit prodhimtar, Adem Zaplluzha, Kosovë C:\DOCUME~1\PERDOR~1\LOCALS~1\Temp\msohtmlclip1\01\clip_image002
Adem Zhaplluzha
 “Kumritë prej deltine”
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
BRENDA DHOMËS DËGJOHEJ LEHJA E NATËS
 
Jashtë fërshëllen murrlani,
Një shtrezë e mykur
Qante mes tavolinave,
Dritat e neonit
Ngritën dolli me vetminë.
 
Një tablo surrealiste,
Pandërprerë zgërdheshej,
Zgërdheshej,
Me një karrikaturë lakuriqe,
Brenda dhomës dëgjohej lehja e natës,
Sa ishte i gjymtë portreti i shëmtuar i fjalës.
 
Më duket se, atë çast, kishte zbritur sterra
Ose nuk ishte asgjë për të cilin
Do shkruaja vetëm një fjalë,
Ti ishe një hije e zverdhur
Që paloseshe si nusja në gjerdek.
 
Por çdo gjë u shndërrua në heshtje,
Hesht edhe ylli im polar
Një fjalë e shëmtuar
Dhe një copë druri akoma më i shëmtuar
Ngritën dolli ,
Për ligështinë e lagështisë së mureve.
 
 
ÇFARË TË BËJË ME DUART E TUA
 
Sa shpejt u klonuan fjalët
Nga dhëmballët e dyllta
Dhe kundërmuese,
Si një spinë e kalbur, këputet gjuha,
Këputen meteorët si pemët e kalbura.
 
Të thashë largohu nga kjo lojë,
Por ty t’u kishte gurëzuar shpirti...
Ishte gurëzuar aq shumë,
Sa që nga xhelozia u plandose,
Pranë sëmundjes tënde të keqe.
 
Çfarë të bëjë me patologjinë tënde?
Ku t’i vari këto pak fjalë që m’i the,
Por aq ishin të rënda,
Sa që s’pata takat t’i bart,
Si ti mëkatet e tua...
 
Ndoshta ishte mëkati yt i sëmurë,
Ose i imi,
Mbase ti ishe
Vetë mëkat i mëkatit,
Por gjithsesi ishte diçka e pashpjegueshme,
Mes mëkatit dhe kryqit tënd të dyshimtë.
 
 
 
 
 
PËRRETH TAVOLINAVE TË DEHURA
 
Si rrapëllimën e teneqesë së ndryshkur,
Dëgjova zërin tënd,
Kakarisja e natës s’pushonte,
Ethet e dehura, si asnjëherë më parë,
Ia shëmtuan rropullitë celularit.
 
Përreth tavolinave të dehura,
Grumbuj zogjsh të lagur në shi,
Vera e prishur
Kundërmonte si turshi lakre,
Muret tërë trishtim,
Vidhnin rropullitë e një këndesi të infektuar.
 
Jashtë, mureve të dhomës,
Dëgjohej gjëma e veriut,
Nesër burrat e lagjes do t’i grithin fytyrat,
Kurse ti, si një këndes i zgërlaqur,
Ende qëndron i përhumbur,
Mbi plehun e fjalëve të tua të papërtypura.
 
Ishe dhe je, si gjithmonë,
Gjaku im i prishur,
Ky det i çmendur i kësaj nate,
Me lopata prej mjegulle
Llamburit si i babëzitur,
Llamburit nëpër motet e ligshta të fëmijërisë.
 
NJË KOHË E VRARË SILLET VËRDALLË
 
Si një kryq i braktisur,
Shtrihet nëpër varret e vithisura
Pa emër,
Nam e nishan,
Një etje e lashtë njeriu
Rrokulliset rrugëve të vrara, kaherë.
 
Nuk dua ta kujtoj harresën,
Atë nocion të kohës,
Mjegullat dhe pluhuri i verdhë
Mbetën peng,
Mbetën si sisa e një gruaje,
Nëpër muranat e lashtësisë.
 
Sa herë erdhën, po aq herë edhe ikën
Nga ky truall kalorësit e mallkimit,
Furtuna i la eshtrat peng,
I la peng shalat dhe kuajt e plagosur,
Sa që ende sot,
Hingëllon fushëbeteja e trishtimit.
 
Nëpër lagje të braktisura,
Dëgjohen lehje qensh,
S’ndalen as mjaullimat e maceve,
Një kohë e vrarë sillet vërdallë,
Kurse një tjetër kohë,
Më e egër se bisha e sëmurë
Me padurim pret të kthehet,
Për ta shuar mallin e së keqes.
 
KALOJNË ME FYTYRA TË SHËMTUARA
 
Nëpër trotuare shoh skile të sëmura,
Njerëz me nga një shqisë të dëmtuar,
Ecin  mes kolonadave,
Parakalojnë zogjtë e sëmurë të një kohe.
 
Procesion pas procesioni,
Ecin njerëzit duke i reklamuar gjymtyrët,
Kalojnë me fytyra të shëmtuara,
Kalojnë maskat e thyera të një maskarade.
 
I zhveshur deri në asht,
Me një shpirt nudo zvarritet dita,
Pas hapave të saja të ndryshkëta,
Si kujtesa përbirohet ëndrra e përgjumur.
 
Çdo gjë sonte ishte lakuriqe...
Sa shumë u ngjanin gjërat fjalëve të tua,
Ngjanin aq shumë, sa që
Nuk të dallova ty nga asnjë e keqe.
 
 
EMRI I CILIT GUR NGA KËTO VARRE...
 
Lejleku i plagosur,
Mbi një oxhak të vetmuar,
Shikonte në një mënyrë të pakuptimtë
 Nocionin e një largësie,
Shikonte në shpatullën e këndesit,
 Ardhmërinë, e cila s’dukej askund.
 
Pas shpine,
Po ndizen disa lloje zjarresh,
Njerëzit pashpresë,
Kishin harruar nocionin e bashkëjetesës,
Rrugëve, pa asnjë dalje,
I ngjanin tunelit të verbër,
Pa dritë, si në fillim, po ashtu edhe në fund.
 
Në anën tjetër të Lumëbardhit,
Me qindra ditë e javë,
Nuk kishte rënë asnjë pikë shiu...
Pjesa tjetër e qytetit
Vuante nga ethet e zeza,
Morti ishte ngjizur me eshtrat e njerëzve.
 
Varrmihësit e gjymtuar
S’dinin shkrim – lexim, në asnjë gjuhë.
Kush mund t’i lexojë këto epitafe të lashta?
Emri i cilit gur nga këto varre,
Nesër do vendoset diku në ndonjë mur?...
 
NËPËR RRUGË SHOH NJERËZ
 
Zogjtë paskan mbetur vetëm,
Shkretim pendlash,
Noton hapësirës blu,
Në horizont vajton një varr pa kryq.
 
Qan edhe guri i vetmuar,
Askush nuk ngre dolli me askënd.
Çfarë brirësh të ashpra paska kjo kohë
Që po e shpon parzmën e tokës?!
 
Nëpër rrugë shoh njerëz,
Me nga një trastë në shpinë,...
Sa është e rëndë barra e pikëllimit!
 
Nga të katër anët e dynjasë,
Vijnë e shkojnë zogj të nakatosur,
Fluturojnë plot shpresë
E kthehen të plagosur në shpirt.
 
DIMRI SIVJET KA NJË TJETËR PAMJE
 
Si divi i njëmijë e një netëve,
Tashmë jemi mbyllur në një shishe,
Shikojmë thellësinë e detit
Në grushtet e erës,
Zgërdheshet rëra e mykur.
 
Thellë ndjejmë metamorfozën e dhimbjes,
Peshqit na përkundin,
Si përherë, në djepin e trishtimit,
Një mjellmë e zezë
Thur rrjetën e merimangës.
 
Nëpër zgërbonja lisash,
S’ndalen erërat e çmenduara,
Në kafkat e rrapeve fërshëllen veriu,
Dimri sivjet ka një tjetër pamje,
Njësoj  duket si ariu i tërbuar polar.
 
 
 
E HERË U NGJANË METEORËVE
 
Një ditë ecim vertikalisht,
Kurse ditën tjetër si bretkosa,
Marrim frymë horizontalisht...
U ngjajmë zvarranikëve parahistorikë,
Sa që na thyhen eshtrat e brinjëve.
 
Të nesërmen, domosdo,
Presim një tjetër stinë më të mirë.
Ciladoqoftë, mirë se ardhtë!
Në lëkurën tonë të regjur,
Duam ta ndjejmë ndërrimin e moteve.
 
Kur afrohet mbrëmja,
I këpusim gjethet e njoma
Të pjergullës së verdhë,
Nga nerenxa shtrydhim lotin e rrënjëve,
Qeshim si të babëzitur, deri në mëngjes.
 
Dikur vonë, kah agullima,
Shikojmë në heshtje lindjen e diellit,
Herë na duket si kalorësit e apokalipsit
E herë u ngjanë meteorëve,
Pa asnjë shenjë drite në brendinë e tij.
 
 
I TILLË ISHE GJITHMONË
 
Vonë kuptova se ti ,në murin e pikëllimit,
I kërkon mëkatet e tua,
I kërkon ato të bëma
Që nuk i përkasin asnjë njeriu.
 
Por çfarë të bëjmë...
Njerëzit lindin tepër të uritur, 
Nuk ngopet syri i zbrazët,
Nuk ngopet as me një grusht dhe.
 
I tillë ishe gjithmonë,
Po ashtu do të  jesh edhe nesër.
Sa shumë dallojmë nga njëri – tjetri,
Sa që asnjëri nuk e njeh vetveten!
 
Kur isha i uritur, ti i gjuaje kafshatat,
Në kontejnerin e shpirtit tënd,
Kurse kur isha i ngopur,
Nga xhelozia ,
Qëndroje pranë drurit të pikëllimit.
 
 
 
SHPIRTI I BALSAMOSUR I ERËS
 
Gur i shpuar,
A zgërbonjë lisi i tejshpuar,
Me nëntë plagët e Gjergjit dergjet atdheu,
Furtunë e sfilitur a degë e thyer,
Shpirti i balsamosur i erës.
 
Nën flamujt e trishtimit,
Një merimangë e zezë endte hartën e grisur.
Hingëllimë kuajsh në log të mejdanit,
Bejlegu i papërfunduar në horizont,
Merr frymë si i sëmuri i Bosforit.
 
Aq të mëdha ishin etjet,
Sa që gjelbërimi,
Ka kohë që është tharë.
Asnjë fluturim i kumrive, 
Nuk duket mbi kopshtet e djegura!
 
Qenkan tharë rrënjët e shkulura
Të pjergullave të kuqe,
Një sëmundje e zezë
Rritet dhe lëshon shtat,
Në imazhet e verdha të imagjinatës...
 
ATDHEU IM, HERË I NGJANTE KUMRISË
 
Gjërat që na dukeshin, si atdheu,
Ishin mashtrime optike.
Nga bebëzat e rritura shikonim
Përtej pasqyrës së sëmurë,
Se si lëngonte deti i tërbuar i kujtesës.
 
Atdheu im herë i ngjante kumrisë,
E herë zebrës së plagosur,
Një ditë fluturonte me tërë krenarinë
E tij të madhe,
Kurse ditën tjetër dukej si hartë e grisur.
 
Nuk krahasohej me asgjë,
As me vetveten,
Nocioni atdhe për ne ishte vetëm një kujtim,
Kurse ne, si drurët halorë,
Rriteshim në furtunën e jetës.
 
Atdheu, mollë e ndaluar,
Që rritej në shtatë kopshte,
Rritej e ne e shikonim me tejqyrë,
Shikonim se si ia rrjepin të huajt lëkurën,
E arnuar nga luftërat e pandërprera.   
 
 
 
MBRËMJA, ATË NATË,  ISHTE LAJKATARE
 
Me qindra herë,
Desha të fshihem nën gjuhën time,
T’i harroj dhimbjet që shpojnë gurin,
Por, secilën herë, mbërrija,
Deri te portat e mbyllura.
 
Një ditë i fsheha duart,
Kurse ditën tjetër fjalët, nën tehun e thikës,
Lulet qanin, si foshnjat,
Qanin edhe pemët e ngrira në kopsht,
Por thika e topitur ngulej e ngulej në asht.
 
Kur desha të dukem pakëz më ndryshe,
I ndërrova qindra pasqyra,
Por secila prej tyre i ngjante thikës,
Dhe tehut të fshehur nën gjuhë,
Mbrëmja atë natë ishte lajkatare.
 
Luante edhe sterra me duart e erës,
Asgjë nuk qëndronte në vendin e vet,
Aq shumë kishin ndryshuar gjërat pranë nesh,
Sa që nuk ishim në gjendje t’i dallojmë,
Gjymtyrët tona mes degëve lakuriqe.
 
DËGJONIM EDHE MJAULLIMAT E MACEVE
 
Ju thashë se te nënkresa e djersitur,
I fshehëm ëndrrat,
Fjalët e thëna dhe ato të pathëna,
Fshehëm çdo gjë,
Çfarë mund të fshihej mes viteve...
 
Ishin motet e dimrave të acarta,
Ngrihej gjaku në damar,
Tkurreshin drurët në mal,
Për një ëndërr të mirë,
Si kokrra e bostanit, fluturonte koka.
 
Por ne ëndërronim pranverën,...
E si mos të ëndërrojmë, kur jetonim në dimër?!
Acari na i verbonte sytë,
Nëpër qoshet e çative të rrënuara,
Dëgjoheshin vetëm këlthitjet e ullukëve.
 
Dëgjonim edhe mjaullimat e maceve
Dhe palljet e stinëve,
Dimrat ishin të bardhë,
Por, për dallim nga bardhësia, acari dukej
Si një qiri që ndizej e nuk bënte dritë.
 
NGJAJNË ME LAJMËTARËT E ERRËSIRËS
 
Nuk më kujtohet...
A thua, vallë, nën maskat
E zeza,
Mund të fshihej ndonjë fytyrë njeriu?
Por gjithsesi ato ishin maska...
 
Njëherë pashë se, nën tehun
E thikës së ndryshkur,
Çmendurisht luante era;
Luante lojën e bixhozit të lashtë,
Ku përherë fituesit ishin xhandarët.
 
Netët ishin të pafundme,
Të gjata,
Si zinxhirët e robërisë,
Kurse loja e zezë vazhdonte,
Vazhdonte,
Që të mos përfundoj asnjëherë.
 
Ende, qenka dimër,
Mbi çatitë e rrënuara s’duken lejlekët,
Patat e zeza, si përherë,
Ngjajnë me lajmëtarët e errësirës,
Orë e çast fluturojnë
Fluturojnë monopateve të kujtesës.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi