Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Kristaq Shabani
Kristaq Shabani
Anëtar i vjetër
Anëtar i vjetër
Regjistruar : 19/11/2015
Postime : 733
Points : 1430
Reputacioni : 5
Medalje Medalje2 Medalje3
http://www.pegasiworld.com

"Veprimtari e shkëlqyer nga LNPSHA “PEGASI” ALBANIA" nga Dr. Nuri Dragoj Empty "Veprimtari e shkëlqyer nga LNPSHA “PEGASI” ALBANIA" nga Dr. Nuri Dragoj

13th March 2020, 16:20
Veprimtari e shkëlqyer nga LNPSHA “PEGASI” ALBANIA
Nga Dr. Nuri Dragoj
Në 7 mars ishin të ftuar në një veprimtari mbresëlënëse nga “Pegasi” Albania në Gjirokastër. Një qytet i magjishëm, dikur i quajtur Pyrrhi-Castra, që ka kuptimin kështjellë apo kamp ushtarak. Grekët e kanë quajtur Pirru-Haraks. Ka mendime se qyteti Pirrokastra është themeluar nga Pirro i Epirit, në shekullin III para Krishtit.
I shtrirë rrëzë malit të Gjerë, Gjirokastra, në çdo hap është një muze, për këdo që e viziton. Një qytet i gdhendur në gurë, pjesë e pandarë e faqes së malit, të mahnit me pamjen e tij, me kalanë madhështore, me hershmërinë e ndërtesave, heroizmat dhe njerëzit e shquar. Tërheqin vëmendjen banesat karakteristike të Çabejve, Zekatëve, Kadareve. Kushdo që shkon në atë qytet nuk mund të rrijë pa vizituar muzeun etnografik, apo muzeun e armëve brenda kalasë. Duke kaluar nëpër Qafën e Pazarit, njeriu e imagjinon veten, në një udhëtim fantastic nëpër historinë e largët, por dhe në atë të ditëve të sotme. Kjo sepse Gjirokastra ka një gërshetim të mrekullueshëm të së kaluarës me të sotmen, në ndërtime, histori e banesa.
Stacionin e parë e kishim te biblioteka e qytetit. Prof. Kristaq F. Shabani, president i LNPSHA “Pegasi” Albania, na uron mirëseardhjen dhe bën prezantimin e të pranishmëve. Çeljen e veprimtarisë e bëri znj. Majlinda Shabani, e cila u shpreh se ky takim, në këtë ditë të gëzuar dhe shumë të çmuar, e njohur për ne si “Dita e Mësuesit”, është mjaft mbresëlënës. Takimin e kemi emërtuar: “Gjuha shqipe dhe biblioteka”, dhe po e zhvillojmë në mjediset e bibliotekës “Apostol Meksi” të Gjirokastrës, pasi duam të japim një mesazh për gjuhën shqipe, për ruajtjen dhe pasurimin e saj. Jemi në një mjedis mbushur me libra, ku marrin pjesë studiues, shkrimtarë e poetë të mrekullueshëm. Takime të tilla janë të nevojshme, pasi siç shkruan Rozhers: “Njeriu mëson përmes leximit dhe shoqërimit me njerëz të mirë”. Për më tepër, Lidhja Ndërkombëtare e Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pegasi” Albania i kushton shumë rëndësi përhapjes së librit dhe pasurimit të bibliotekave me to. Librat e autorëve që bëjnë pjesë në këtë Lidhje, janë të pranishme në shumë biblioteka të botës, ku punojnë dhe jetojnë shqiptarë. Por, ne mendojmë se ka ardhur koha që librat të kontrollohen mirë, pasi ka shumë botime me gabime të pafalshme drejtshkrimore. Kjo ndodh, sepse shtëpitë botuese shohin interesin ekonomik dhe nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për mallin që hedhin në treg, duke e dëmtuar seriozisht gjuhën shqipe.
Pastaj e mori fjalën drejtuesja e bibliotekës së qytetit të Gjirokastrës, znj. Arminda Mevlani, e cila shprehu shqetësimin për cilësinë e dobët të botimeve që hidhen në treg nga shumë autorë, në mënyrë të veçantë për shkeljet e mëdha drejtshkrimore. Mangësi të tilla vërehen jo vetëm në librat e botuara nga individ, por edhe në ato që mbajnë siglën e shtëpive botuese, madje edhe në librat e autorëve të huaj, të përkthyer në gjuhën shqipe, cilësia e të cilëve le për të dëshiruar. Nëse përkthimet e autorëve të huaj, para vitit 1990, lexuesi nuk i lëshon nga dora, përkthimet e viteve të fundit, lexuesi nuk i zë me dorë.
Në takim merrnin pjesë: drejtuesit e LNPSHA“Pegasi” Albania; përgjegjësja e bibliotekës “Apostol Meksi”znj. Arminda Mevlani; studiuesit Prend Buzhala nga Kosova dhe Nuri Dragoj nga Tirana; shkrimtari dhe studiuesi Hekuran Rapaj Tiranë; Muharrem Blakaj, që vinte nga Zvicra; Vjollca Koko mjeke; Flutura Maçi piktore; Ira Kurti, Isa Maloku krijues e Murat Këraj skulptor; Aristotel Petro, Alpo Tv Gjirokastër; Aristotel Gushi kirurg; Vera Çato poete Durrës; drejtori i Tv Fontana, Zeqir Mehmetaj, Xhevahire Dulja, pedagoge Universiteti Kamwz; gazetari Tv Elbasanit, Altin Draga etj.
Të pranishmit dhuruan disa nga botimet e tyre për bibliotekën, pasi ajo mbahet vetëm me libra të dhuruar. Nuk ka fonde për të blerë, as për botimet më me vlerë. Dhe siç shkruan Elbert Hubbard: “Një shtet nuk mund të jetë i civilizuar, kur shpenzon më shumë para për çimçakiz, sesa për libra”. Qytetarët duan të thellojnë dijet, pasi shkolla nuk është e mjaftueshme, ajo vetëm të mëson për të lexuar. Albert Kamy thotë se “pasi profesorët kanë bërë më të mirën për ne, vendi ku duhet të marrim njohuri, janë librat”.
* *
*
Kalojmë në një prej mjediseve të shtëpisë muze të Kadaresë. Përballë portës së hyrjes është një pus, prej të cilët Kadarejt merrnin ujin e nevojshëm për familjen. Tërheqin vëmendjen gurët në mure, punuar me shije nga gurdhendësit gjirokastritë. Në çdo hap ndesh me krijimtarinë e Kadaresë: “Kronikë në gur”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Qyteti pa reclama”, “Kështjella”, “Pallati i ëndrrave”, “Pasardhësi”, “Dialog me Alen Bosket”, “Ura me tri harqe”….
Ngjitemi në katin e dytë. Në korridor shohim ekspozitën e shkëlqyer të piktores Flutura Maçi, njëkohësisht kryetare e stafit drejtues të LNPSHA “Pegasi” Albania. Hyjmë te dhoma e miqve. Bien në sy punimet me dru, divanët e 80 viteve më parë, me jastekët e mbulesat e tyre, oxhaku karakteristik i odave, sixhadet e shtruara përtokë, gjithçka.
Kritaq F. Shabani mbajti temën “Gjuha dhe arti i fjalës”, ku vuri në dukje nevojën e përpunimit të fjalës, e cila në varg ngjason me lëngun limfatik të gjakut. Shkrimtari dhe poeti i zgjedh me kujdes fjalët dhe i laton ato, duke i vendosur në harmoni me njëra tjetrën, për t’i dhënë vargut muzikalitetin e nevojshëm. Për Shabanin, nuk ka fjalë të reja e fjalë të vjetra, sepse të gjitha fjalët kanë vlerë. Është tjetër gjë shqipërimi i tyre, largimi nga fjalori i shqipes të fjalëve që kanë mbetur nga gjuhët e huaja të kombeve pushtuese. Shkrimtari duhet të ketë bagazh të madh fjalësh dhe të luajë rol pozitiv në pasurimin e gjuhës, ashtu siç kanë vepruar: Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Fan S. Noli, Faik Konica, Branko Merxhani, Ismail Kadare, Dritëro Agolli etj. Procesi i pastrimit të gjuhës shqipe nga fjalët e huaja, nisur 40 vite më parë, duhet të vazhdojë.
Profesor Begzad Baliu, studiues e pedagog në Universitetin e Prishtinës, kishte përzgjedhur temën interesante: “Gjuha shqipe duhet të mbrohet me ligj”. E shqetësonte çështja e basardimit të gjuhës. Banalitet rreth saj, por dhe nevoja e mbrojtjes së drejtshkrimit me ligj, sepse arsimi është i lidhur ngushtë me kulturën, nivelin vetiak e shoqëror, me cilësinë e gjuhës së shkruar e të folur.
Aty u fol për veprën e shkrimtarit Muharrem Blakaj, i cili bën kujdes që vepra e tij të marrë karakter universal.
Shkrimtari Prend Buzhala u ndal në problematikën e shkrimit të sotëm, gabimet drejtshkrimore dhe pasojat që rrjedhin prej tij, duke i shoqëruar vërejtjet e tij me shëmbuj konkret të trajtuara në veprat e veta.
Studiuesi Nuri Dragoj foli për hershmërinë e gjuhës shqipe, të dhënat e shumë autorëve të huaj rreth kësaj çështje dhe nevojën e mbrojtjes së gjuhës shqipe. Sipas tij, do të ishte mirë të ndalohej me ligj botimi i veprave të radaktuara dhe pa marrë miratimin e shtëpive botuese, ndalimin e emërtimeve të huaja në emisione televizive, lokale e mjedise të tjera.
Piktorja Flutura Maçi, mjeshtre e portretit të çastit, në pak minuta kompozoi një sërë portretesh të shkrimtarëve të pranishëm, duke i befasuar të gjithë për shpejtësinë me të cilën punonte dhe cilësinë e portreteve të paraqitura.
“Pegasi” Albania,në kuadrin e vlerësimeve vjetore të quajtur “FESTANIADA E TITUJVE” nderoi z. Muharrem Blakaj me titullin “Shkrimtar i vitit 2019”; Vjolla Koko u cilësua “Intelektualja e vitit 2019”; Rexhep Rifati “Krijues i shquar i Pegasi Albania”; Nuri Dragoj, “Studiues i vitit 2019”; Klubi i shkrimtarëve dhe artistëve të Klinës në Kosovë, për PEGASIN është “Klubi i shkrimtarëve dhe artistëve i vitit 2019”; Afërdita Selimaj “Gazetare radiofonike e vitit 2019”; Ira Kurti “Veprimtare e shquar kombëtare”; Biblioteka e Gjirokastrës, “Biblioteka e vitit 2019”. Titullimet u ndanë në mënyrë ceremonial ,madje çdo i vlerësuar, krahas falëndërimit për AKADEMINË ALTERNATIVE PEGASIANE, ishte përgatitur , sipas profesionit në diskutim të shkurtër për gjuhën shqipe. Tërhoqi vëmendje kumtesa e shkurtër interesante e përgatitur nga Dr. Vjollca Koko me objekt:“ GJUHA SHQIPE DHE MJEKËSIA” .
Çfarë po ndodh me gjuhën shqipe?
Në kuadër të propozimit të miratimit të një ligji për mbrojtjen e gjuhës shqipe, mund të japim disa mendime për nevojën e hedhjes së një hapi të tillë. Nëse shohim shkresat zyrtare të periudhës së mbretërisë së Ahmet Zogut, do të vemë re që ato shkruheshin me shumë kujdes dhe u kushtohej rëndësi, pavarësisht nga niveli i ulët arsimor i administratës së kohës. Më pas, gjatë viteve të sistemit njëpartiak, shkresat janë shkruar edhe më me kujdes. Pas viteve 1990, me fillimin e sistemit pluralist, shkresat zyrtare janë keqshkruar, nuk respektohen rregullat e drejtshkrimit, ka shpesh fjali e fraza të pakuptimta, mungon shkronja “ë”, nuk përdoret gërma “ç” ,e cila njëhësohet me shkronjën “c”, e shumë mangësi të tjera.
Natyrisht, punët nuk zgjidhen me fjalë të njërit dhe të tjetrit. Këtu duhet të veprojë ligji. Do të ishte normale që të bëhej një ligj për gjuhësinë dhe të kërkohej me çdo kusht që në televizione, radio dhe gazeta, të mos flitet dhe të mos shkruhet asnjë fjalë e huaj. Po kështu në administratën shtetërore, në Parlament, në korrespodencën midis institucioneve etj. Madje të ketë dhe masa ndëshkuese. E njëjta gjë duhet thënë edhe për emërtimet e dyqaneve. Të paktën 80 për qind e emërtimeve, janë në gjuhë të huaj. Emra qytetesh, njerëzish, lumenjsh, a ku di unë, nga të katër anët e botës. Dhe askush nuk merakoset. Vetëm një ligj mund ta zgjidhte këtë problem. Mjafton që të dyfishohet taksa për tabelat në gjuhë të huajë dhe do të shohim që tregtarët do t’i kthehen shqipes. Kjo praktikë është zbatuar dhe në vende të tjera. Por ky ligj kërkon përkushtim të politikës, pasi nga ana gjuhëtarëve janë bërë përpjekje për të ndërgjegjësuar krerët e shtetit për një domosdoshmëri të tillë. Madje, do të ishte normale që kjo çështje të kthehej në një debat dite. Televizionet të thërrasin në studio gjuhëtarë, gazetarë, politikanë, ligjvënës, bashkiakë etj, dhe të debatohej me ditë kjo temë. Është nga temat më të rëndësishme të jetës sonë, nga temat madhore të kombit shqiptar.
Madje, do të ishte mirë të shihnim edhe ndonjë protestë akademikësh, mësuesish dhe nxënësish para ndërtesave qeveritare, për të rritur presionin ndaj shtetit, i cili të marrë masa të shpejta për të përmirësuar gjendjen në drejtim të gjuhës amtare, të folur dhe të shkruar. Por kjo kërkon emancipim të shoqërisë, guxim, dituri, atdhetari, sakrificë. Them saktificë, sepse politika shqiptare ka gjithçka në dorë, të vendos dhe të heq nga puna, kur të dojë. Dikasteret janë të varura nga politika dhe drejtoritë arsimore janë pjesë e saj.
Dy shekuj më parë, këtë problem e ka patur dhe Gjermania, por e stabilizoi brenda dy vitesh. Ligji e disiplinoi gjuhën zyrtare, pasi edhe ishin rreth 40 dialekte. Në Gjermani, nëse një gazetar përdor fjalë të huaja merr gjobë. Kërkesa të rrepta kanë dhe francezët. E njëjta gjë ndodh edhe me fqinjët. Në Greqi i kushtojnë shumë rëndësi pastërtisë së gjuhës.
Kongresi i Drejtshkrimit, i cili u mblodh në nëntor të vitit 1972, në Tiranë, si forumi më i lartë shkencor mbarëkombëtar, mori vendime me rëndësi jetike për gjuhën tonë letrare të njësuar dhe drejtshkrimin e saj. Një ndër vendimet që mori ai kongres është edhe parimi fonetik, si një nga parimet themelore të drejtshkrimit të shqipes, d.m.th: fjalët të shkruhen ashtu siç lexohen.
Mendojmë se është urgjente që Kuvendi i Shqipërisë të nxjerrë një ligj, ku të përcaktohen ndëshkime të posaçme në gjobë, për të gjithë ata njerëz publikë apo institucione e biznese, që shpërfillin fjalën shqipe dhe deformojnë gjuhën pa qenë nevoja.
Këshillat bashkiake të kërkojnë që emërtimet e shëtitoreve dhe institucioneve të tjera në varësinë e tyre, të kthehen në shqip, kurse emërtimi në gjuhët e huaja të shkruhet në kllapa, për të orientuar miqtë apo turistët e huaj të ardhur në tokën tonë.
Kam pasur rastin të dëgjoj disa biseda televizive apo forume të ndryshme, të shtrohen argumentet pse duhen shkelur rregullat e vendosura nga Kongresi i Drejtshkrimit. Nuk e vë në dyshim që edhe ato rregulla kanë nevojë për ndryshime, por kjo nuk mund të bëhet sipas shijeve e tekave të secilit. Për një çështje kaq madhore mund të rimblidhet një kongres i ri me pjesëmarrjen e të interesuarve nga të gjitha trevat shqiptare, ku të vendosin shkencërisht rregullat të reja të detyrueshme për të gjithë, pa bërë fjalë për ndryshime në themel. Në qoftë se politikanët tanë e kanë sadopak për zemër këtë komb dhe këtë identitet kombëtar, që të parët na e lanë trashëgim, duhet ta tregojnë këtë me marrjen e masave urgjente, serioze dhe vazhdimisht të kontrollueshme nga komisione të posaçme e të paregjistrueshme.
Gjatë këtyre dy muajve, si përherë, janë venë re shumë çrregullime gjuhësore. Një folëse në një stacion kryesor televiziv, pa qenë nevoja të përdorim emër, pasi janë të gjithë njëlloj, kur u shpreh se “në audiencë” merrnin pjesë… Fjalën “audiencë” ka shumë shqiptarë që nuk e kuptojnë, pasi është fjalë që i përket një gjuhe të huaj. Shqip, thuhet “në pritje” merrnin pjesë…. Dëgjon dendur fjalën “negociator”, “negociatë”, kur mund të thuhet “ndërmjetës”. Tërë ditën flitet dhe shkruhet “mazhoranca” dhe ngurohet të thuhet “shumica”. Do të kërkojmë dhe “konsulencë” të huaj, kur mund të shprehet “këshillim”. Gjetkë dëgjon shprehjen: “Performanca” e saj ishte e përsosur, kur mund të thotë “paraqitja…”. Politikanët bëjnë fjalë për komisionin “ad – hock), kur mund të thonë “komision i përkohshëm”. Disa vite flitej për një komision “bi partizan”, kur duhej thënë “mbi palët”.
Gazetarja flet për analizën e një libri dhe shprehet: Tani po lexojmë një “pasazh” prej tij, se duket që nuk e njeh fjalën “fragment”. Vetëm në një lajm mund të hasësh më shumë se 5-6 fjalë të huaja. Bisedat që zhvillohen në studio apo telefonatat në radio, në të cilat dëgjon dendur fjalën angleze “OKEJ” dhe përfundojnë të gjitha me shprehjen italiane “Ciao, Ciao!”. Dhe kjo “ciao, ciao” gjendet tërë ditën në rrugë, shkollë, kafene, zyrë, kudo. A mund të më thuash, se ç’do të thotë përdorimi i këtyre fjalëve në media, zyra të shtetit, kafe dhe rrugë? Shko në ndonjë institucion dhe dëgjo bisedat midis nëpunësve apo në telefon dhe do të bindesh që fjalët “OKEJ” dhe “CIAO” do të përdoren disa herë brenda një minute. Në këtë luftë antigjuhë amtare nuk mund të quhet surprizë edhe një kurs i përshpejtuar gjuhe me gazetarët e shtypit të shkruar e viziv, madje edhe një ndëshkim me gjobë të atyre që e prishin këtë normë.
Instituti i Gjuhësisë duhet të japë alarmin në Ministrinë e Arsimit që të venë dorë sa më parë. Vetë ministrja e Arsimit shprehet: Këtë ligj mendojmë ta abrogojmë, atë tjetrin ta amendojmë dhe nuk thonë p.sh. se do të kërkojmë “shtesë ligjore”. Kur folësi në televizion thotë tani do të “lançojmë” dhe jo “japim”, ata bënë “apel” dhe jo “thirrje”, “aprovoj” dhe jo “miratoj”, “asistoj” dhe jo “marrë pjesë”, nuk është e lehtë, pasi kjo kërkon qilizëm. Diku e bëjnë që të duken se dinë, gjetkë ngaqë nuk gjejnë dot fjalën e përshtatshme në shqip, pasi pak e njohin gjuhën. Dëgjojmë ministrat të thonë “bodigardi im” dhe jo “truproja”, “bord” privatizimi apo drejtimi dhe nuk thonë “grup” apo “staf pune”. Ky material është “definitiv” dhe jo “përfundimtar”. Kjo është e drejtë e “donatorëve” dhe jo e “dhuruesve”. Lexojmë emërtime të tilla si “Zyra e emergjencës …”, kur duhet thënë “Detyrë parësore”, të themi ngjarje e madhe dhe jo “eveniment”. Ne edhe zgjedhësve u kemi venë emrin “elektorat”. Dëgjon zyrtarin që thotë, “pasi të mbaroni këtë punë, çojeni në “destinacion”, kur duhet thënë “vendndodhje”. Në dyqan dëgjon shprehjen “ambalazhoj” në vend të paketoj, etj. Është detyrim atdhetar që të merremi më shumë me gjuhën tonë, duke përsëritur në këtë moment thënien e Konicës: “Më jepni një gjuhë të bukur e të punuar, t’ju jap një komb të qytetëruar!”
Ndotësit më të mëdhenj, por edhe bartësit më të mëdhenj të përgjegjësisë, padyshim janë mediat e shkruara dhe ato elektronike. Kjo përgjegjësi vjen nga vetë natyra e punës së tyre, si përçues të komunikimit midis njerëzve. Në media shkruajnë dhe flasin një numër i madh njerëzish dhe filtrimi i fjalëve të lëshuara prej tyre është i vështirë. Por, si autorëve të shkrimeve, edhe të ftuarve në studio, duhet t’u bëhet e qartë se nuk mund të shkruajnë dhe të flasin sipas të dëshirës, por të kenë në vëmendje kërkesat e gjuhës zyrtare. Nëse gjithkush do të shkruante dhe të fliste sipas “gjuhës së vetë”, do të vështirësohej gjithnjë e më shumë komunikimi me njëri-tjetrin.
Nuk duhet të harrojmë thënien e Sami Frashërit, sipas të cilit, shumë gjuhë janë zhdukur vetëm pse nuk kanë qenë shkruar. Ishte ky shkaku që Rilindasit bënë përpjekje të jashtëzakonshme për t’i dhënë gjuhës sonë një alfabet, i cili shërbeu për të botuar në gjuhën amtare, por edhe për ta shtrirë atë në sa më shumë shkolla, pasi “pa gjuhë nuk ka komb”.
Dihet që media është mjeti më i fuqishëm në përhapjen e kulturës korrekte të të folurit dhe të të shkruarit të një gjuhe, si dhe të pasurimit të saj. Ajo u bë nxitëse e nevojës së hartimit të gramatikave dhe fjalorëve gjuhësorë. Në shumë shtete europiane ka emisione të përditshme që rijepen në orare të përshtatshme televizive, qëllimi i të cilëve është ruajtja e gjuhës. Gjuhëtarët u kujtojnë bashkëqytetarëve si t’i përdorin fjalët e gjuhës së tyre, në vend të fjalive të huazuara nga jashtë. Duke qenë mjet i komunikimit masiv dhe i kudondodhur, media, gjithashtu mund të ndikojë në sakatimin e gjuhës, dukuri kjo e ditëve tona.
Për Sami Frashërin, mësimi i gjuhës amtare, përbënte ngutësi për të rifituar kohën e humbur. Shkrimi i saj, krahas të folurës së përditshme, shihej si domosdoshmëri, në të kundërt kombi mund të shuhej. Një gjë të tillë ai e kërkonte jo vetëm për popullsinë që jetonte në trojet shqiptare, por edhe për ata që banonin në shtete, ku shumicën e përbënin kombësi të tjera. Në veprën programore, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, Sami Frashëri bëri radiografinë e identitetit kombëtar, si dhe të lindjes e zhvillimit të gjuhësisë botërore. Ai e vlerësonte gjuhën shqipe, si një nga gjuhët më të vjetra të botës, që kishte ardhur deri në ato ditë “e paprishur dhe e pandryshuar”.
“Shkollat dhe shoqëria duhet të shpëtojnë shqipen letrare”
Krahas fjalorit zyrtar të Gjuhës Shqipe, ka hartuar një të tillë dhe studiuesi Mehmet Elezi. Nuk do të ishte keq që ai të bëhej objekt diskutimi, në radhë të parë nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, nga Instituti i Gjuhësisë, të ishin ndërmarrë iniciativa diskutimi edhe në studio televizive, ku të merrnin pjesë akademikë, gjuhëtarë, studiues, gazetarë, shkrimtarë e të tjerë. Sado mangësi të ketë Mehmet Elezi në punën e tij për hartimin e kësaj vepre, me gati 1800 faqe, ai ka zbuluar indirekt edhe punën e përciptë që është bërë më parë, por njëkohësisht edhe gjerësinë dhe thellësinë e gjuhës sonë, e cila nga shumë studiues vlerësohet si një prej gjuhëve më të vjetra në Europë. Mbase brenda tij gjenden fjalë dhe shprehje që mund të bëhen pronë e gjuhës zyrtare shqipe, por kjo mbetet të thuhet nga specialistët.

Hershmëria e gjuhës shqipe dhe debatet rreth saj
Nga Dr. Nuri Dragoj
Gjuha shqipe është e lashtë sa dhe vetë kombi shqiptar, ndaj dhe fqinjët kanë bërë gjithçka për ta shuar. Hershmëria e gjuhës shqipe, ndikimi i saj te gjuhët e tjera, është një çështje që duhet parë me kujdes. Ka shumë autorë të huaj, që e shohin atë, si zhvillim në mijëvjeçarë, vijim të gjuhës autoktonte, gjuhës ilire. Lidhur me këtë temë, studiuesi Shaban Demiraj thotë se, shpjegimi i elemenëve para ilir, që shqipja i ka trashëguar nga paraardhësja e saj, mbetet detyrë me rëndësi për studiuesit e mëvonshëm, që të zbardhin historinë e gjuhës shqipe, gjuhën e ilirëve të lashtë, që vazhdon të flitet nga shqiptarët e sotëm.
Malte Brun e cilëson shqipen ndër gjuhët më të vjetra të botës. Rrënjët e saj duhen parë në lashtësinë e thellë, në kohën kur nisën të formoheshin gjuhët e para. Edhe Prof. Eqrem Çabej ka pohuar se, në greqishten e vjetër, ka disa fjalë që mund të shpjegohen vetëm me anë të shqipes. Madje, ai shkon edhe më tej, kur thotë se një degë e shqipes është egjeane, ndonëse nuk e zhvillon këtë mendim të shprehur. Mbase edhe ai me fjalën egjeane ka nënkuptuar gjuhën ilire, apo pellazge. Gjithsesi, Çabej thotë se gjuha shqipe, me një zhvillim të brendshëm të pandërprerë, në marrëdhënie të jashtme me gjuhë të tjera, me ndryshime shkallë shkallë në mijëvjeçarë, ka marrë një ndërtim dhe sistem tiparesh, që në tërësinë e tyre, përbëjnë atë që ne e quajmë gjuhë shqipe. Me historinë e shqiptarëve janë lidhur një sërë problemesh, një varg çështjesh të mëdha e të vogla, nga të cilat disa janë zgjidhur, disa i janë afruar një zgjidhjeje, disa presin edhe sot që të sqarohen.
Sami Frashëri, në veprën programore, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, bëri radiografinë e identitetit kombëtar, si dhe të lindjes e zhvillimit të gjuhësisë botërore. Ai e vlerësonte gjuhën shqipe, si një nga gjuhët më të vjetra të botës, që kishte ardhur deri në ato ditë “e paprishur dhe e pandryshuar”. I vëllai i tij, Naimi, e cilësonte shqipen të lashtë e të shenjtë.
Jozef Riter Fon Ksilander njihet si studiuesi i parë që, veç karakterit indoeuropian të gjuhës shqipe, e përcakton atë shumë të vjetër dhe të pavarur prej trungut indoeuropian. Ai arriti në përfundimin se rreth 1800 fjalë në gjuhët greqisht, latinisht, gjermanisht, sllavisht dhe turqisht, janë shumë të ngjashme me gjuhën shqipe. Sipas tij, një numër i madh prej fjalëve të gjuhës shqipe kanë ngjashmëri me persishten dhe sanskritishten, duke e renditur atë “në gjuhët nëna më të lashta”. Ai shprehet se gjuhët që janë folur fillimisht në Europë, sado të kenë pësuar ndryshime, nuk mund ta kenë shuar fillesën e tyre. Ato mund të kenë ndryshuar nga vëllimi, struktura dhe forma, por në asnjë mënyrë nuk mund të jenë shuar plotësisht. Për më tepër, gjuha shqipe nuk ka lindur nga ndonjë përzierje mekanike e gjuhëve të ndryshme romane, por është degë e pavarur e gjuhëve indogjermane. Franc Bop analizoi numërorët dhe përemrat e shqipes dhe arriti në përfundimin se gjuha shqipe ka karakter indoeuropian. Ndërsa filozofi Gotfrid Vilhelm Lajbnic, i quajtur dhe “Aristoteli i kohëve moderne”, shkruante se gjuha shqipe është gjuha e ilirëve të lashtë.
I pari studiues që flet për historinë e kombit më të lashtë të Ballkanit, është Johan Erih Tunman. Ai pohon se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve, tezë kjo që në ditët tona përfaqëson një të vërtetë historike. Ndërsa Herder thotë se shqiptarët dhe vllehët janë fis i vjetër europain dhe një nga kombet më kryesore. Xylander, duke bërë fjalë për shqiptarët, si pasardhës të ilirëve të vjetër, i cilëson të afërt me një prej fiseve të familjes së lashtë të thrakëve.
Johan Georg von Hahn trajtoi momente të rëndësishme nga kultura dhe historia e shqiptarëve. Ai argumentoi autoktoninë e shqiptarëve, prejardhjen e tyre ilire dhe vijimin e gjuhës shqipe nga ilirishtja. Sipas tij, epirotët dhe maqedonasit përbënin bërthamën e trungut të popujve tireno-pellazgjikë, ndërsa ilirët më të fismit e tyre. Hahn shpreh mendimin se fenikasit kanë qenë njerëz të ditur dhe të qytetëruar, pasi njihnin mirë bujqësinë dhe detin dhe varkëtarët e tyre qenë ndër më të njohurit. Ata janë detyruar ta linin vendbanimin për shkak të sulmeve të shumta në shekullin e 13 dhe 12 para erës së re, duke u shpërndarë në disa vende, ku themeluan qendra tregtare në Qipro, Greqi, Shqipëri e deri në Spanjë e Angli.
Ky autor citon Strabonin që, në kreun e parë të librit të tij të shtatë, bënte të njohur se në jug të Istrit (Danubit), ishin ilirët dhe thrakët, me përzjerje të vogla me keltët e popuj të tjerë, që shtroheshin deri në Greqi. Ilirët banonin edhe përreth Adriatikut, nga Pontiku deri në Peleponez. Në Helespont shtriheshin popujt trakë, deri diku të përzierë me skitët dhe keltët.
Për Strabonin, banorët që popullonin territorin rreth Dodonës ishin barbarë, emërtim që u ka mbetur për shkak të mënyrës së jetesës dhe gjuhës së ndryshme që flisnin. Ky autor i lashtësisë i njihte mirë dialektet që fliteshin në atë kohë dhe arrin në përfundimin se e gjithë Greqia ka qenë tokë barbare, e banuar nga pellazgë që flisnin një gjuhë të pakuptueshme nga grekët.
Jakob Filip Falmerajer bën fjalë për një popull ilir që flet një gjuhë që nuk ka lidhje me gjuhën greke apo atë turke dhe as me dialektet sllave. Kjo gjuhë flitet në pjesën më të madhe të vendeve në jug të Danubit, banorët e të cilëve quheshin shqiptar, ndonëse në histori ata janë njohur me emrat albanier, albanezë, arbanitë dhe arnautë. Ndërsa vendbanimi i tyre është quajtur Albania, Arbania, Arbënia. Gjysma jugore e këtij vendi është quajtur Epir dhe ajo veriore Iliri.
Teodor Mommsen mbështet prejardhjen ilire të shqiptarëve, ndërsa Paul Kretschmer argumentoi se kultura mesdhetare kishte lulëzuar para ardhjes së grekëve, duke provuar njëkohësisht autoktoninë e shqiptarëve në trojet e sotme, si dhe shtrirjen e ilirëve. Ky autor vërtetoi identitetin e gjuhës shqipe, ilirishtes dhe mesapishtes. Hansjörg Frömmer në botimin e tij “Ilirët”, thotë se presioni sllav u shoqërua me zhvendosjen e ilirëve drejt jugut dhe, në fillim të shekulli të 7-të, ata pushtuan Salonën duke rrezikuar venbanimet ilire në Dalmaci.
Studiuesit Enzo Gatti pohon se të dhënat për Ilirinë kanë qenë shpeshherë dashakeqe. Ndonëse dihet mirë që në kohën romake ilirët zotëronin mbarë Ballkanin dhe arrinin deri në Alpe, ndaj dhe romakëve iu deshën 2.5 shekuj luftë për t’i nënshtruar.
Në formësimin e popujve gjuha merr rëndësi të veçantë. Kramer, që është marrë me studimin e gjuhës shqipe, vllahe e bullgare, thotë se afërsinë e këtyre tri gjuhëve dhe bazën e hartimit të tyre, duhet ta gjejmë në strukturën e gjuhës shqipe, në ndikimin e kësaj gjuhe të vjetër europiane, mbi të tjerat. Ksilander e shihte me interes të veçantë thellimin e studimeve për të saktësuar lidhjen e gjuhës shqipe me atë sanskrite. Dhe nëse gjuha shqipe është mbetje e gjuhës thrake, apo vijim i ilirishtes së vjetër, mund të konfirmohet dhe popullimi i gadishullit të Apenineve prej ilirëve, të cilët kanë shkuar atje nga toka dhe nga deti. Sipas Kretschmer, shumë prej emrave të ilirishtes i gjen dhe sot në gjuhën shqipe. Kjo gjuhë, ilirishtja dhe mesapishtja, lidhen ngushtë me njëra-tjetrën.
Françoi Pouqueville e cilëson gjuhën shqipe të vjetër, të ngjashme me frëngjishten në të shkruar. Duke cituar Leibnitz, ai e vlerëson shqipen si gjuhë të rrallë.
Hahn e shihte alfabetin e gjuhës shqipe të ngjashëm me atë fenikas. Janë të shumtë autorët që thonë se banorët e parë të Greqisë kanë folur gjuhë të ngjashme me shqipen. Duke qenë se gjuha shqipe është më e lashtë se ajo greke, kjo e fundit ka huazuar fjalë prej saj. Alfabeti i Naum Veqilharxhit, i vitit 1840, tregon se shqipja është bijë e gjuhës fenikase. Tashmë është provuar që fiset barbare e kanë zotëruar shkrimin para se të vinin grekët. Pellazgët dinin të komunikonin edhe në distancë me njëri-tjetrin, nëpërmjet shenjave, që ishin disa heroglife të ngjashme me ato egjyptiane.
Louis Benlœë thotë se banorët e Dodonës qenë rrethuar nga fise të popujve barbarë: kaonët, atamanët, silionët, kasiopianët. Ndërsa për akarnanët dhe etolianët shprehet se mund të kenë qenë racë e përzierë. Edhe Tuqididi bën fjalë për popullsi barbare, që flisnin të dy gjuhët. Në një dokument të Venedikut, të shekullit të 13-të, thuhet se kontinenti përballë Korfuzit banohej nga arbanenses, pra nga shqiptarë. Ndërsa një shekull më pas, në kronikat e Janinës, shqiptarët i përmendin si elementin e vetëm të qëndrueshëm, që popullonte masivisht Epirin, në një kohë që kombësitë e tjera jepen si grupime të izoluara.
Sipas Herodotit, gjuha pellazge ka ardhur deri në shek.V para e. re. Krestonasit dhe plakieasët ruanin ende gjuhën që sollën atëherë në këtë vend. Georgiev bën fjalë për zhvillimin e një gjuhë pararendëse të trakishtes dhe ilirishtes, që e quan pellazgjisht. Hekateu thotë se shkrunte atë çfarë besonte, atë që e gjykonte të vërtetë. Sipas tij, fjalët e grekëve dukeshin qesharake.
Gjuha ilire ende nuk është indetifikuar, por askush nuk ka të drejtë të thotë që ajo s’ekziston. Në studimin e tij, Tunman thotë se shqiptarët bëjnë pjesë ndër banorët më të vjetër të Europës, që u kanë rezistuar dyndjeve të shumta të grekëve, gotëve, sllavëve, francezëve, italianëve dhe osmanëve. Ndërsa për gjuhën shqipe shpreh mendimin se ka patur ndikim të fuqishëm në formimin e greqishtes. Gjuhëtarë të mëdhenj të Europës, trakishten dhe ilirishten nuk i quajnë gjuhë të veçanta, por dialektë të së njëjtës gjuhë. Historiani anglez, Xhorxh Finlej, thoshte se shqiptarët flisnin sanskritishten e hershme. Edhe Aleksandri i Maqedonisë, kur bisedonte me oficerët e tij, fliste shqip, ndërsa Janis Karabishtis nga Daramari, e cilësonte gjuhën shqipe, gjuhë të parë, “mëmë e gjuhëve të tjera”.
Tashmë është zbuluar se fosilet e lashta të ilirëve gjenden në qytetërimin miken të periudhës bizantine dhe pranohet se vetëm gjuha shqipe është bijë e ilirishtes, pasi ka alfabet të ngjashëm me të. Gjenden mijëra mbishkrime të vjetra nëpër muze, në Egje, Azinë e Vogël, Shqipëri, Istria, në zonat etruske, italike, të sardëve etj., të cilat mund të shpjegohen vetëm me alfabetin e gjuhës shqipe. Hamondi thotë se qyteza të lashta në jug të Shqipërisë i përkasin shekullit III p.e.re. Ai e lidh këtë me pushtimin e Pirros, pasi venia nën kontrollin e Pirros, të këtij territori të gjerë, mund të jetë garantuar me anë të ndërtimit të mureve dhe vendbanimeve të fortifikuara.
Në vitet ’30 të shekullit të 19-të, Ami Boué shkruante se gjuha shqipe flitej nga shqiptarët dhe ishte e vështirë të mësohej nga të tjerë. Ajo ka për bazë gjuhën e vjetër ilirishte dhe ndoshta është gjuhë indo-gjermanike. Boué kishte vërejtur që shumë folje të gjuhës gjermane, korrespondonin me foljet në gjuhën shqipe. Madje, jo rrallë herë, fjalë të gjuhëve të huaja që gjenden në gjuhën shqipe, ndonjëherë janë thuajse të njëjta. Në kohën e luftës për pavarësi të Greqisë, asnjë shqiptar i Argos nuk dinte greqisht. E njëjta gjendje ishte në Atikë, Eube, Megarë, Korinth etj. Gjuhët ndikojnë te njëra tjetra, mund të ketë marrë shqipja prej tyre, por nuk përjashtohet mundësia që ajo të jetë donatore për gjuhët e tjera, si ndër gjuhët më
Natyrisht, popullimi i trojeve shqiptare është i pandarë nga gjuha amtare. Për këtë çështje ka patur debate të shumta poltike e shkencore, pasi i është kushtuar shumë rëndësi gjuhës së shkruar. Në fakt, gjuha nuk mund të shërbejë si provë për racën, pasi ajo ndryshon, madje edhe pa u larguar nga vendbanimi. Gjuha ndryshon edhe pa elementët e përzierjeve. Të shkruarit greqisht në trevat e banuara nga shqiptarë, në kohë të hershme, si dhe gjatë Perandorisë Bizantine, nuk ka të bëjë me racën. Vaso Pasha dhe Patrick Colquhoun tregojnë se dikur në Skoci, gjuhë të popullit ishin galisht dhe anglisht, por si gjuhë zyrtare, për një kohë të gjatë ka shërbyer frëngjishtja. Në Rusi, Suedi dhe Vllahi, dikur gjuha e oborrit ka qenë frëngjishtja. Pra të folurit greqisht në kohën e Aleksandrit, i cili nuk e njihte atë gjuhë, nuk do të thotë që banorët ishin të rracës greke. Atëherë ajo gjuhë ishte e përbashkët në Azi, Afrikë e Itali.
Shkaqet e zotërimit të gjuhës greke, ende nuk janë të qarta. Janë të shumë autorët që mendojnë se nuk mjafton një pushtim për të detyruar një racë të caktuar të lërë gjuhën e vet dhe të përqafoj gjuhën e huaj. Në çfarëdo rrethane gjuha fiton mbi sistemet artificiale, pasi njerëzit, edhe pse mund të nënshtrohen në rrugë zyrtare, në familje është e vështirë ta humbasin gjuhën e tyre. Natyrisht ka gjuhë që zhduken, sidomos kur mungon ndërgjegja kombëtare apo ajo është e zbehtë. Fakti që gjuha shqipe nuk është zhdukur, tregon se shqiptarët janë me vitalitet të veçantë dhe se gjuha shqipe ka rrënjë të thella në histori.
Malte-Brun arrinte në përfundimin se: “Gjuha e ilirëve të vjetër, apo ajo e shqiptarëve të rinj, duhet të jetë e njëjta gjuhë, origjina e së cilës arrin në kohët më të lashta, prej nga vijnë edhe gjuha greke, iberike, kelte, sllave, teutonike dhe gjuha gotike, secila u zhvillua në sferën e saj”. Martin Leake e quan gjuhën shqipe vijuese të gjuhës ilire, e cila ka pësuar ndryshime, në saj të pushtimeve të zgjatura, ashtu si dhe latinishtja dhe greqishtja.
Franc Bop, pasi kreu studime në fushën e gjuhësisë indoeuropiane, në vitin 1855, nxori në dritë punimin “Për shqipen dhe lidhjet e saj të prejardhjes”, ku argumentoi se gjuha shqipe është gjuhë indoeuropiane dhe nuk ka ndonjë lidhje thelbësore me greqishten dhe latinishten. Të gjitha gjuhët kanë pësuar ndryshime, por mendohet se në gjuhën shqipe ndryshimet kanë qenë më të pakta, për shkak të terrenit të fortë malor dhe pamundësisë së ndikimit të madh prej gjuhëve të pushtuesve. Forca e gjuhës shqipe dhe e shpirtit të banorëve të trojeve të populluara me shqiptarë, duket edhe në praninë e saj të një numri të vogël të fjalëve sllave. Për më tepër ajo konsiderohet gjuha më e lashtë në këto zona dhe asnjë gjuhë e hershme nuk ka mundur të provojë se është folur para gjuhës shqipe. Fjalët më të lashta të gjuhës shqipe kanë ngjashmëri të dukshme me gjuhët që rrjedhin nga keltishtja.
Lidhur me këtë çështje, Çabej përmend disa autorë, si Thunman, Kretshmer, Fallmerayer, Hahn, Niebur, Benfy, Miklosiç, Gustav Mayer, Bariç, Ribezzo, por dhe të tjerë, që e konsiderojnë gjuhën shqipe vijim të ilirishtes. Ata e shohin atë si bij të trakishtes dhe shkruajnë se shqipja ka lidhje të afërta me rumanishten. Nga kjo kuptohet që shtrirja e ilirëve ka qenë përtej Danubit. Sipas Çabejt, Jokli ndjek tjetër rrugë, pasi thotë që shqipja është njëlloj e afërt si me ilirishten, ashtu dhe me trakishten. Ndërsa për Thunman, trakët kanë rol me rëndësi në formimin e kombit shqiptar.
Stanislavo Marchianó argumenton se shumë fjalë të gjuhës shqipe gjenden edhe në gjuhë të tjera. Po ky autor thotë se gjuha gjermane është derivat i gjuhës pellazgo - albane, gjurmët e së cilës gjenden në të gjitha gjuhët europiane. Ky fakt lë shteg për të menduar se ajo mund të ketë qenë gjuha e parë e folur në Europë. Duke krahasuar fjalë të gjuhëve europiane me ato të gjuhës pellazgo-albane, dallohet lehtë rrënja e gjuhës së lashtë mëmë. Ishte pikërisht lashtësia e saj që u cilësua barbare nga Platoni dhe Herodoti.
Thuajse, në të gjithë Greqinë, gjuha pellazgo-albane, u shndërrua në gjuhën që flitet sot. Nëse bëhen studime të thelluara, nuk është e vështirë të kuptohet që gjuhët latine, greke e sllave, janë zhvilluar në saj të burimit të madh të gjuhës pellazgo-albane. Lidhur me këtë çështje, Marchianó analizon një mori fjalësh, duke dhënë kuptimin e tyre në shqip, latinisht, greqisht etj.
Abati Banier, shkruan në mitologjinë e tij, se alfabeti i përdorur kohë më parë nga grekët, ishte alfabet pellazg. Nga këto dy gjuhë u formua një gjuhë e vetme. Herodoti shkruan në librin e parë, kreu 56, se pellazgët flisnin një gjuhë të ndryshme. Sipas tij, helenët përdornin një gjuhë të dobët dhe “nga bashkimi i tyre me shumë popuj të tjerë pellazg, ajo zuri të pasurohej, duke ndryshuar nga gjuha e Krestones dhe Plakisë, qytete të ndërtuara dhe të banuara nga pellazgë”.
Gjuha pellazge është folur në Europë shumë kohë përpara pushtimit fenikas, pra, para gjuhës greke. Ajo u quajt barbare, sepse sipas Kadmejve, çfarë nuk ishte greke, ishte barbare. Të tillë u quajtën pellazgët paqësor, që ndërronin vendbanim të detyruar nga sulmet e organizuara nga popuj të tjerë. Marchianó shpreh bindjen se gjuha shqipe është shumë e lashtë. Duke qenë autonome, kuptohet që nuk rrjedh nga gjuhë të tjera. Për të përforcuar këtë mendim, ai citon Platonin, i cili thotë: “Nëse ti nuk e gjen origjinën e emrave grekë, në gjuhën greke, kërkoje atë në gjuhën e barbarëve, nga të cilët grekët kanë marrë shumë fjalë”.
Profesori i letërsisë greke në univestitetin e Palermos, rektor i kolegjit italo-grek dhe njëkohësisht xhaxha i ish kryeministrit të Italisë Françesko Krispi (Francesco Crispi), G. Krispi, pohon se gjuha shqipe është një nga gjuhët më të vjetra në Europë. Sipas tij ajo ka natyrë dhe formë të njëjtë me gjuhën frige dhe gjuhën antike maqedone. Për pasojë, aty i ka rrënjët edhe gjuha greke. Ja çfarë thotë ai shprehimisht: “Unë do të flas këtu për një gjuhë pak të njohur..., një gjuhë e cila, ndonëse ka alfabetin e saj, është ende e papërcaktuar dhe e pafiksuar”. Ajo është shumë e përhapur në zonat e Lindjes dhe flitet në një numër të madh provincash. Emri i gjuhës albane, vjen nga emri Albania, ku ajo dominon. Në Epir emërtohet “gjuha epirote”, si dhe në Maqedoni, përveç vendeve të tjera si Rumeli, mbretërinë e Serbisë, në një pjesë të Bullgarisë, Dalmaci, Napoli, Sicili etj.
Të ruajmë të pastër gjuhën shqipe
Një tjetër problem me rëndësi është ruajtja e pastërtisë së gjuhës shqipe. Naimi e ruajti gjuhën shqipe jo vetëm për shqiptarët, por për krejt botën, si gjuhë mëmë e gjuhëve të tjera. Ai u bë poeti i kërkesave kombëtare shqiptare, por si pasojë e shtypjes turke dhe përndjekjes nga ana e Patrikanës greke, u pengua lulëzimi saj. E njëjta gjë duhet thënë për Gjergj Fishtën e dhjetra shkrimtarë e poetë të tjerë. Mbase për këtë arsye Porta e Lartë i ndaloi gjithë botimet në gjuhën shqipe dhe mbylli shkollat, të cilat mundën të hapeshin vetëm pas kryengritjeve shqiptare të viteve 1911-1912. Megjithatë, forca e fjalës së poetit kombëtar, u bë shkak për hapjen e shumë shkollave dhe mësimin e vargjeve të tëra përmendësh, duke i orientuar shqiptarët drejt një gjuhe letrare. Ende kemi nevojë për t’u ballafaquar me vargjet e Naimit: Gjuha jonë, sa e mirë / Sa e ëmbël, sa e gjerë / Sa e lehtë, sa e lirë / Sa e bukur, sa e vlerë!
Ndërsa Sami Frashëri këshillonte se e para është gjuha; s’mund të ketë Shqipëri pa shqiptar, s’mund të ketë shqipëtar pa gjuhë shqipe, pa shkronja shqipe e pa shkolla, në të cilat të mësohet shqipja… Çdo komb që do të ruajë kombësinë e tij, është të shkruarët’ e gjuhës së tij, edhe prandaj ata që duan ta humbasin e ta rofitin’ atë komb, këmbëngulin t’i ndalojnë të shkruarët e gjuhës së tyre... Sot çdo komb, për të ruajtur kombërin’ e gjuhën’ e ti, ka nevojë të hapnjë sytë, të ketë mendjen të mbledhur, të shpjerë gjuhën e ti përpara e të kujdeset shumë që të mos e han’ e ta copëtojnë kombet fqinjë. Në kombëritë s’ka miqësi, si s’ka në lodrët; cilido vështron të fitonjë vetë e të hajë shoknë. Kombet janë si peshqit, që hanë njëri tjatrin. Mjerë kush ësht’ i dobët.
Naimi e ngrinte në qiell gjuhën amtare, e quante gjuhë perëndie. Kujdesej që ajo të mos prishej, duke futur midis saj fjalë nga gjuhët turke, greke, perse, arabe etj. Sot gjuha shqipe është braktisur zyrtarisht, nga vet shteti dhe institucionet e tij.
Së pari, gjuha zhvillohet nëpërmjet shkollës, duke thelluar dijet në të gjitha fushat e shkencës. Sami Frashëri, në librin e tij “Shqipëria, ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, shkruan: “Në do të korrësh mbas një viti, mbill grur; në do të korrësh pas një shekulli, ndërto shkolla”. Pra shkolla është themeli i dijes. Sot ne kemi hapur shumë shkolla, por në to nuk bëhet mësim, pasi ka degjeneruar sistemi arsimor.
Së dyti, në ditët tona, si politika dhe media, duket sikur janë venë në garë, kush mund ta baltosi më shumë gjuhën shqipe. Politikanë e gazetarë përdorin pa vend fjalë, që nuk bëjnë pjesë në fondin e saj, për të treguar që dinë gjuhë të huaja, apo ngaqë nuk dinë mirë shqip. Nuk është fjala për terma teknikë, produkt i zhvillimit të vrullshëm të shkencës. Ato janë të paevitueshme. Por sot ndeshim emisione të shumta televizive, emërtime kafenesh, restorantesh, dyqanesh e më gjerë, kryesisht në gjuhë të huaj. Ndeshim me shkresa zyrtare me mangësi të dukshme, sa është e vështirë të orientohesh, nëse janë shkruar në gjuhën shqipe, apo me aliazh gjuhësh, pasi gjen shumë fjalë të huaja dhe shkronjat shqip deformohen: gërma ç shkruhet c, shkronja ë njësohet me e, e të tjera. Shteti thuajse është inekzistent. Nuk dëshiron ta frenojë këtë maskaradë, kur mund të përcaktojë me rregulla e ligje ruajtjen e gjuhës. Ashtu si drejtuesi i mjetit, që nuk e shkel semaforin se gjobitet, edhe media të vihet para ligjit, pasi i ka mundësitë të gabojë më pak, apo të detyrohet me ligj të mos gabojë. Pra, janë harruar tërësisht këshillat që jepte Naim Frashëri: Shqip të flisni përherë / thjesht‘ e të papërzjerë / Rroftë e qoftë Shqipëria / Dhe kombi e gjuha jonë / Lulëzoftë dituria! / Edhe ndihmës paçim Zonë! Për gjeniun e gjuhës amtare, ne s’jemi asgjë pa shqipen? Pa shihni ç’gjuhë e mirë!/ Sa shije ka e hije, / Ç'e bukur' edh'e lirë, / Si gjuhë perëndie...
Ja edhe Gjergj Fishta çfarë thotë: Qoftë mallku, ai bir Shqiptari, / Qi këtë gjuhë t’Perëndisë, / Trashëgim q’ia la i Pari, / Trashëgim s’ia lenë fëmisë. Janë të shumtë shqiptarët emigrantë që nuk iua kanë mësuar fëmijëve gjuhën shqipe. Të tjerë ua mësojnë atë me mangësi. Thirrje për ruajtjen e gjuhës nuk ka bërë vetëm Naimi e Fishta. Nuk është e tëpërt të kujtoj vargjet e Ndre Mjedës: Përmbi za që lëshon bylbyli, / Gjuha shqipe m’shungullon, / Përmbi erë, qi nep zymbyli, / Pa ‘da zemrën ma ngushllon. / Gegë e toskë, malësi, jallia, / Janë nji komb, m’u ‘da s’duron, / Fundë e majë, nji asht Shqipnia, / E nji gjuhë t’ gjith na bashkon.
Tiranë, më 10 mars 2020
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi