Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Kristaq Shabani
Kristaq Shabani
Anëtar i vjetër
Anëtar i vjetër
Regjistruar : 19/11/2015
Postime : 733
Points : 1430
Reputacioni : 5
Medalje Medalje2 Medalje3
http://www.pegasiworld.com

 ”Gjuha, mjeti universal i ndërkëmbimit të vlerave” nga Mg. Klodiana Kullolli, poete  Empty ”Gjuha, mjeti universal i ndërkëmbimit të vlerave” nga Mg. Klodiana Kullolli, poete

10th July 2021, 17:05
Gjuha, mjeti universal i ndërkëmbimit të vlerave”
Nga Mg. Klodiana Kullolli, poete


          Popuj të ndryshëm flasin gjuhë të ndryshme, por kjo nuk i bën ata të ndryshëm e as më pak të afërt. Studimet gjuhësore kanë vënë në dukje se gjuhët rrjedhin nga njëra - tjetra,  ose kanë elemente të përbashkëta. Sipas këtyre pikpamjeve “struktura e nëndheshme e gjuhës ëshë universale dhe e përbashkët për të gjithë njerëzit”.
       Ndoshta, pikërisht, për këtë fakt gjuhët arrijnë t’i flasin njëra-tjetrës dhe ta kuptojnë njëra-tjetrën. “Gjuhët nuk janë të huaja për njëra-tjetrën, por apriori dhe jashtë çdo lidhjeje historike kanë ngjashmëri në atë që duan të thonë.”
Në këtë këndvështrim gjuha, më shumë se sa mjet dallimi mes popujve, mund të interpretohet si rrugëtim historik drejt një rrënje të përbashkët, aty ku është fillesa jonë.                                                                                   
           Gjuha ka qenë dhe vazhdon të jetë baza e komunikimit ndërnjerëzor. Ajo është kodi më i madh, më i rëndësishëm e më vendimtari në bashkëjetesën  njerëzore. Vetëm nëpërmjet saj njeriu mund të materializojë idetë dhe mendimet e veta.
      Por përveç funksionit komunikues gjuha luan edhe rol shprehës. Në këtë pikë letërsia është shfaqja më absolute e realizimit të këtij funksioni.
      Letërsia është një lloj i veçantë gjuhe, apo një përdorim i veçantë i saj. Kështu, si sistem letërsia mbetet pikëtakimi i gjuhëve.
      Gjuha, parë si element i përbashkët njerëzor, si aftësi e lindur dhe e mësuar (për t’u folur e për t’u shkruar) shërben si mjet i komunikimit të disa vlerave që lidhen me përjetime të përbashkëta, pavarësisht dallimeve gjuhësore midis njerëzve. Letërsia, si sistem vlerash të përbashkëta që krijohet përjetimeve e përvojave të përbashkëta njerëzore, sendërtohet e përçohet nëpërmjet gjuhës.
       Kështu p.sh. mjafton të shohim të shkruar një poezi  (fragment në prozë, apo një tekst dramatik) në gjuhë të ndryshme nga ajo e jona dhe vetëm përmes formësimit të saj gjuhësor në një strukturë të caktuar (varg, rresht apo me elementet e tekstit dramatik) arrijmë të perceptojmë një formë të caktuar të shkrimit letrar.
        Të njëjtën gjë mund të themi për tekste të tilla të dëgjuara. Përvoja dhe ndjesi të tilla si, malli, dhimbja, frika etj, apo të rrëfyerit, të dialoguarit dhe forma të tjera të shprehjeve letrare përçojnë përjetime të njëjta te dëgjuesi, pavarësisht gjuhës në të cilën janë formësuar.
      Por përtej kësaj që mund të interpretohet si prani e shenjave të veçanta në veprat letrare, shenja  që qëndrojnë përtej gjuhës, e të përbashkëta brenda llojeve të unifikuara historikisht, një ndërkëmbim më i plotë (ndoshta asnjëherë përfundimtar) i vlerave letrare, por jo vetëm, realizohet vetëm nëpërmjet përkthimit.
       Arti, me mesazhet universale që përcjell, bëhet pjesë e trashëgimisë kulturore  e shpirtërore botërore. Ai ka shumë disiplina, të cilat procedojnë me anë të kodeve të ndryshme në përcjelljen e mesazheve. Piktura e skulptura, artet pamore kanë kodin e tyre të komunikimit dhe artikulimi i tyre artistik është universal. Po ashtu muzika ka një gjuhë universale. Ndërsa letërsia, si një art i pëzëvendësueshëm, por i receptueshëm vetëm nëpërmjet gjuhës, e ka domosdoshmëri përkthimin për realizimin e komunikimit ndërkombëtar, e të bërit universale të mesazheve që përçon.
Përkthimi luan rolin kryesor në ndërtimin e një shoqërie bashkëkohore e me vlera. Historia na e ka dëshmuar këtë.
        Në çëshjen e përkthimit ka pasur e vazhdon të ketë diskutime nga më të ndryshmet.
Ajo që gjithmonë është parë si një problem kyç ka të bëjë me raportin që krijohet mes veprës letrare origjinale dhe përkthimeve të saj.
A është vepra letrare tërësisht e përkthyeshme?
A kemi të bëjmë me të njëjtën vepër si në origjinal dhe në përkthim?
A arrin të transmetohet në tërësinë e vet vepra letrare, si një produkt ndjesor, përgjatë kalimit nga njëra gjuhë në tjetrën?
       Këto janë disa nga pikat e nxehta të diskutimeve në lidhje me përkthimin letrar.
Nëse iu referuam më sipër ngjashmërive që kanë gjuhët midis tyre, në diskutimin mbi përkthimin mund të themi se është pikërisht përkthimi ai që na vë në dukje afërsinë midis gjuhëve.
        “Por në të vërtetë afërsia e gjuhëve në një përkthim dëshmohet shumë më thellë dhe më spikatur sesa në ngjashmërinë sipërfaqësore dhe të vagullt midis dy veprave letrare.”
E megjithatë, pavarësisht nga diskutime të tilla, ajo që nuk mund të mohohet është fakti se përkthimi (jo vetëm ai letrar) mbetet rruga e vetme e komunikimit të vlerave letrare ndërkombëtare, ura lidhëse e gjuhëve.
        Antonio Paz thekson rolin specifik të përkthimit letrar në letërsi.
“Stilet kalojnë nga një gjuhë në tjetrën; veprat, secila e rrënjëzuar në tokën e vet unikale gjuhësore, janë unikale, por jo të izoluara; gjithsecila lind dhe jeton në lidhje me të tjerat, të ngjizura në gjuhë të ndryshme.”
         Mjafton të përmendim rolin historik të një aradhe përkthyesish që kanë dhënë e vazhdojnë të japin një kontribut të pazëvendësueshëm në ndërkëmbimin e vlerave midis kulturave.
       Po përmendim këtu kontributin që kanë dhënë në fushën e përkthimit autorët shqiptarë. Vendimtar në lindjen dhe zhvillimin e letërsisë shqipe është roli i autorëve të letërsisë filobiblike, i përkthimeve të tyre fetare dhe rolit të këtyre përkthimeve në shkëmbimin e vlerave.
Përkthimet mjeshtërore të Fan Nolit, Lasgush Poradecit, Vexhi Buarasë, Gjon Shllakut, Robert Shvarcit e të shumë autorëve të tjerë kanë kontribuar në sjelljen e vlerave letrare botërore në një shqipe të admirueshme.
          Vlerat estetike të gjuhës shqipe janë dëshmuar që herët. Mjafton të përmendim Naimin, Mjedën, Konicën, Poradecin, Kadarenë e shumë e shumë shkrimtarë që me veprën e tyre, dhe në mënyrë specifike me krijimtarinë poetike (duke qënë se poezia është forma më elitare e përshfaqjes së funksionit estetik të gjuhës), flasin për një gjuhë të pasur e me vlera të rralla.
Në këtë kontekst përkthimi letrar duhet parë në dy aspekte:
- përkthimi nga gjuhët e tjera në gjuhën shqipe
- përkthimi nga shqipja në gjuhët e tjera.
        Përkthimi në të dy rastet luan një rol thelbësor. Në rastin e parë nëpërmjet përkthimit veprat letrare, si përfaqësuese të letërsive të ndryshme, bëhen pjesë e pandashme e letërsisë sonë (përkatësisht e gjuhës, në të cilën përkthehet). Në rastin e dytë letërsia jonë mund të njihet në përmasa më të gjera dhe afrohet e ballafaqohet me vlerat e e letërsive të tjera.
       Për të dëshmuar gjerësisht vlerat e gjuhës sonë, sendërtuar këto në formën më të lartë të saj, letërsinë, “është i domosdoshëm një organizim i mirëfilltë i shkrimtarëve dhe përkthyesve letrarë, një vetëdijësim i mirëfilltë për rëndësinë e përkthimeve letrare, që mund të përmbushet në rrafshin e duhur vetëm në bashkëpunim midis institucioneve letrare, shkrimtarëve dhe përkthyesve letrarë”. 
       Dua të citoj këtu edhe mendimin e Rudolf Panvici-t, i cili në shkrimet e tij Kriza e kulturës evropiane, thotë: “Përkthimet tona, edhe ato më të mirat nisen nga një parim i gabuar, ato duan të gjermanizojnë indishten, greqishten, anglishten në vend që të indianizojnë, greqizojnë, anglizojnë gjermanishten”.
Ndoshta në këtë pikë këtë duhet të bëjnë edhe përkthyesit tanë me gjuhën shqipe.
       Së fundmi theksoj se, pavarësisht diskutimeve mbi përkthimin dhe çështjeve që lidhen me të si proces specifik, roli i tij është thelbësor në universalizimin e vlerave letrare.
Përkthimi letrar është “jo vetëm një mjet thelbësor komunikimi ndërkulturor mes popujve, por edhe mjet ndërtimi për vetë kulturën”.
       Por, nëse letërsia është në radhë të parë prodhim gjuhësor dhe letërsitë e popujve të ndryshëm përfaqësohen me anë të gjuhëve të ndryshme, ajo pra, letërsia, në të njëjtën kohë, është edhe një gjuhë e veçantë, është një kod universal. 
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi