Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
CLICHE
CLICHE
Anëtar i rregullt
Anëtar i rregullt
Regjistruar : 31/12/2007
Postime : 433
Points : 40
Reputacioni : 29
Medalje Medalje2 Medalje3

Historia, stafetë fatkeqsish njerëzore Empty Historia, stafetë fatkeqsish njerëzore

9th March 2008, 13:43
Historia, stafetë fatkeqsish njerëzore

Para 9 viteve, Prof. Sami Repishti, shkroi volumin “Pika e Lotit” (tregime burgu, Shkodër, 1997), nën përkujdesin e Shtëpisë Botuese “At Gjergj Fishta”, ku në hyrje gjendet i skalitur përkushtimi: “Gruas shqiptare, fisnikërisë së kryqzueme pa faj! Bashkëshorteve, nanave, bijave e motrave tona, vuetja dhe përkrahja e të cilave i dhanë lëvizjes demokratike shqiptare përmesën e saj ma njerëzore.” Ky libër ka qëndruar në dorëshkrim për shumë vite. Kujtimet e para i shkroi në tetor 1960 në Zagreb e shkrimin e fundit më 1977. Ato u botuan mbas 27 vjetëve në vendlindje.
Në Shkodër më 1997, dëgjoheshin krismat e pushkëve në emër të askujt e kundër askujt. Ishte viti i zi, që përfshiu Shqipërinë e lodhur edhe herë të tjera nga lëvizjet regresiste bolshevike. Ato ditë, lexoja kujtimet e burgut të Prof. Sami Repishtit e diskutoja me mbas me miqtë e tij Tomazin Sheldinë, ish-bashkëvuajtës i Dr. Repishtit. Pika Loti Nën Hijen e Rozafës, do ta quaj librin e dytë me Narrative të jetueme. Të dy librat, kanë pika lidhje me njera tjetrën, jo se flasin për qytetin e Gentit e Teutës së lashtë, por se janë përshkruar me origjinalitet vuajtjet, që fare lehtë mund t’i ballafaqosh me Arkivat e Shtetit në Tiranë. Ato i janë ngjizur thellë kujtesës, gjatë vitëve të paharruara. Pozitive, janë për Samiun, koha e fëmijërisë e rinisë, ku liria e dashuria për shkollën e shokët asnjëherë nuk u shkëput, ndonëse me kalimin e viteve, ngjarjet precipituan me shpejtësi… E veçanta e librit të ri, qëndron në stilin joshës, të ëmbël e fin; me një gjuhë gegnishte të përpunuar me kujdes, plot pasuri shprehjesh autentike vendase, ndonëse prej shumë dekadash jeton e punon në Amerikë.
Ai, librin e ka konceptuar në formën e “romani”, me nuanca të thekshme dramaciteti origjinal. 32 pjesëve e epilogut, nuk i ka vënë asnjë emertesë, por vetëm shifra numerike romake, që vijnë në rritje njera mbas tjetrës brenda 340 faqeve. Përpara se të paraqitet tek lexuesi, autori, ka gdhendur përkushtimin e narrativeve të jetuara: “Dëshmorëve të lirisë dhe viktimave të tiranisë, të të gjithë vendeve e të të gjitha kohëve. Mendjeve fisnike, që transformojnë tragjedinë tonë kolektive, në nji kryqëzatë kundër Torturës, në çdo vend e në çdo kohë, me mirënjohjen ma të thell”

Vuajtjet e mbijetesa

Vepra jetësore, hapet me një hyrje për lexuesin, duke përshkruar periudhën e vitëve 30-40 të shek. XX, kur rrëbeshi i egër fashist e komunist siamezë zbresin rrëmbyeshëm mbi kontinentin plakë të Europës, në morsën e së cilës egërsisht u gjend e mbërthyer edhe Shqipëria. Asokohe, Samiu, ishte një adolishent i brishtë, që koha po e piqte me shpejtësi, duke u gjendur para enigmave të udhekryqit, se nga duhet të shkonte. Gjithsesi, rreziku i jetës ishte një rrisk që po rritej. Ai vendosi: “Atëherë, i thashë “JO” diktaturës e mora rrugën që nuk kishte fund, nji lundërtar në detin e gjanë, pa brigje. Akti rebel që pothuajse më vrau, më çliroi njëkohsisht. Jam dëshmitar okular i jetës në ferrin fashist e komunist në Shqipni, jo si “politikan”, “personalitet” i makropolitikës shqiptare, por si student, si i ri që u ndërgjegjsova për rolin tim, në atë kohë dhe në atë vend, nga dashuria për atdhe dhe dëshira për liri; thjeshtë, si nji i ri me sensibilitet të theksuem, besnik i vetvetes, i jetës me dinjitet. Gjatë udhës, takova dhe njofta ma mirë “njeriun”, krijesën fisnike, të etshme për liri, të djegun për vllaznim e njikohsisht, të aftë me zbritë poshtë, në botën ku mbretnon çnjerëzimi ma i plotë e vdekja ma e frikshme. Në këtë botë të nëntokës përqafova viktimën dhe e deshta me pasion. Kjo dashuni për “njeriun” mundi edhe kërcënimin e vdekjes.” (Repishti, f. 7)
Autobiografi, filloi udhëtimin drejt rretheve të Ferrit, të ndërtuar në praktikë nga diktatori manjak mishngrënës E. Hoxha. Janë jo pak, por 10 vjet burg, ku ai kaloi rininë e papërsëritshme. Në një ambient të tillë, u brymos tek shpirti i tij urrejtja e hakmarrja ndaj rregjimit të hienave; u kalitën në kullën e jetës së përvujtur shpirtrat e zjarrtë të të rinjve shqiptarë nga e gjithë vendi, përfaqësuesit e së nesërmes; forcohej e ardhmja e bijve të nacionit, që gjithnjë vuajtën mes skamjes e frikës, që ishin copë e bukës së përditshme.
Me të drejtë i mbijetuari i lukunisë së hienave thotë, se komunizmi në Shqipëri e zhveshi shqiptarin nga rrobet e trupit e shpirtit. Këtu qëndronte sfida e madhe e ish të Burgosurve Politikë. “Në ato ditë fatale, nji mendim i frikshëm mbizotëronte: sot jemi “skllavë” të rregjimit të kuq; nesër, kur të vijë “dita e lirisë”, a do të ishim “të lirë”, të aftë e të gatshëm me marrë në dorë fatin tonë? A do të kishim ende vullnetin për nji ringjallje morale të vërtetë? A do të ishim në gjendje me thellue besimin tonë në shenjtërinë e jetës së njeriut dhe, bindjen tonë në lirinë, dinjitetin, e të drejtat e të gjithëve, fqiut, shokut edhe kundërshtarit, pavarësisht nga plagët e marruna në trup e shpirt? A do të ishimm në gjendje sidomos, me rikrijue nji bashkësi vllaznish e motrash, të lirë, të ndërgjeshëm për rolin e tyne në shoqni e kryesisht, të liruem nga frika e persekutimit të organizuem shtetnor… të “shtetit tonë”?” (f.9)
Ai, bën një analizë rregjimit e shoqërisë së deformuar nga terrori i saj, ku qytetarët ishin kthyer në “njeriu i ri socialist”, një krijesë hibrite, që ishte gati të vriste vëllanë e vet, për ideale boshe e primitive të demagogëve Marx, Engles, Lenin, Stalin e mostrës përvese E. Hoxha. Qysh në bankot e shkollës, Repishti, zgjodhi alternativën që i kushtoi shumë vuajtje e gjak atij e brezit që i përkiste, rrugë nderi, me luftu pa kompromis fashizmin e komunizmin, me mbrojtë Kosovën e refuzu duartrokitjet servile ndaj diktatorit. Ai, si brez e kreu detyrën me nder e guxim qytetar. Në përleshjen me të keqen, që sundoi prej 1944-‘90, ai pranoi aktin sublim, që nuk mund të fitohej përballë shtazarisë së makinës shtypëse proletare, që flisnin në emër të popullit, kundër popullit.
Përvoja dhe eksperienca e jetës se re, plot liri mendimi e veprimi në Amerikë (ndryshe nga sa kaloi në kampet e burgut në Atdhe), sot i bënte hapel, se heshtja ndaj krimeve është një e keqe pasive. Në një Promemorie, që Profesori, i dërgon Presidentit Z. A. Mosiu, i rikujton: “Ajo mbron errësirën, mospërfill padrejtësinë që e sjell, mohon detyrimin tonë për ndëshkim të fajit dhe fajtorit. Me heshtje krijojmë atmosferën e nevojshme për dhunë e padrejtësi. Me heshtje pranojmë mbrapshtësinë morale të dhunuesit, që sjell vetëm vuajtje dhe mjerim, pranojmë përmbysjen e së “mirës”, së drejtës, së lirës e të çdo gjaje njerëzore. Me heshtje jetojmë të zhytun në moçalin e mëkatit që refuzojmë të njohim, si veçori e jetës sonë, tashma të pasinçertë. Me heshtje para së “keqes”, na kryejmë aktin e vetëvrasjes sonë morale.” (f.11)
Jetëshkruesi këmbëngul, se një vendi i shqiponjave po jeton në vakumin e madh, që duhet mbushë, mbasi për fat të keq ende jetohet në dhum, sepse ende nuk ka shenja të spastrimit ligjor të paligjshmërisë komuniste, që sundon në “demokracinë” e importuar si model nga Katovici. I shqetësuar në atë se çfarë vijon të ndodh në vendlindje, bën APEL, se botëkuptimi komunist është ngjizur thellë, në frymën, mentalitetin, metodat dhe shprehjet e tij helmuese, nuk janë çrrenjosë. “Ata vazhdojnë të derdhin helm në shoqni. Edhe sot, Shqipnia ndjek shembullin e ish-Bashkimit Sovjetik, vendin ku trashëgimia bolshevike mbijeton në çdo burokrat, që vepron si me qenë ligji vetë dhe, ku qytetari dorëzohet para autoritetit arbitrar.”

Ngjallnjyes mbi mbretërinë e Djallit

Dr. Repishti, i qëndroi besnik idealeve të shokëve kundërkomunistë. Ai kujton me respekt kushëririn e vet Zyhdi Repishtin, viktimë e terrorit nazist, respektin pa rezerva për traditën, që i kushtoi jetën babait të tij ish-deputetit Hafiz Ibrahim Repishtit, nënës Hava Bushati (Repishti), viktimë e përsekutimit komunist, shokut të vuajtjeve Qamil Nikshiqi, vëllaut Vehbi Repishtit, motrës, të rinjve të Organizatës së Rinisë Demokratike, Fahri Rusi, Elez Troshani, Qamil Nikshiqi, Ndoc Gjoka, Matilda Gjoka, Xhevat Meta, Eqrem Rusi, Sulejman Qehaja, këshilltari i tyre At Dr. Gjon Shllaku O.F.M., mikut në vendlindje e Amerikë Prof. Arshi Pipa etj., të cilët, në unison pranuan vuajtjen e vdekjen, duke fituar kënaqësinë shpirtërore të luftëtarit për liri e ngjallnjyen mbi mbretërinë e djallit.
Sot dëshmitarit okular, i kanë mbetur kujtimet, me të cilat, rikujton miqtë dhe shokët e paharruar, që sot prehen në tokën e amshimit, kujtimet e burgjeve dhe kampeve të punës së detyruar, ku u dergjën të rinjtë idealistë, legjioni i gjimazistëve të Shkodrës dhe qytete të tjera të Shqipërisë, që pa pretendime treguan vendosmërinë stoike, për të kundërshtuar murtajën e kuqe.
Sërisht 81-vjeçari Dr. Repishtit, i kanë mbetur kujtimet e intelektualëve guximtarë, që refuzuan të “këndojnë” bashkë me Neronin, ndërsa Roma digjej flakë, të qytetarëve dhe katundarëve të zhgënjyer e të varfëruar, të malësorëve kryelartë e të dërrmuar, të pleqëve pashpresë mbijetese në burgje, të sëmurëve që vdiqën çdo ditë, pa asnjë mjekim, kujtime e një mase të tërë burgosurish, pa asnjë shpjegim. Profesori i Adelphi University në New York, ka kujtime të freskëta, për komunitetin e pafajshme të burgosurve politikë, “…të burgosun me plotësue “forcën punëtore” të planeve të çmenduna pesëvjeçare…!”
Ndërsa nga ana e tjetër, ai vë përballë viktimës xhelatët më mizorë, që do të kishte zili edhe Duçja e Hitleri, Polpoti… e Luciferri. Ai, i ka grumbulluar lukuninë e babzitur të hienave, mbi të cilët përjetësisht, rëndon akuza e krimeve kundër njerëzimit. “Ky ka qenë “material i zgjedhun” për burgosje, torturë, punë të detyrueshme dhe ekzekutim. Xhelatët e tiranisë së kuqe, si: Zoi Themeli, Fadil kapisyzi, Lefter Lakrori, Nesti Kopali, Nesti Shkurti, Abdyl Hakiu, Idriz Çoba, Ali Xhunga, Kasem Troshani, Xhemal Selimi, Xhevdet Miloti e çeta e nënoficerëve dhe gardianëve, drejtorët e burgjeve dhe kampeve (që njoha unë), të gjithë ata që e banë jetën tonë Ferr mbi Tokë, kanë qenë kriminelë ordinerë, vrasës me pagesë, që duhet të dalin para gjyqit, për krime kudër njerëzimit. Vetëm atëherë, bota do të besonte të pabesueshmen e do të kuptonte sa poshtë ka ra shqiptari “fashist” e “komunist”, në trajtimin e shqiptarit pa ngjyra…e vlla! Këto mostra me fytyrë njeriu, përfaqsojshin tipin e ri kriminel komunist, gjakpirës, që planifikon e ekzekuton krimin me gjakftohtësi. Për hir të karrierës, këta kriminelë ordinerë merrshin inisiativën e veprimit në qelitë e errta të burgut, larg syve të botës, e ekzekutojshin me dorën e tyre, viktimën pa mbrojtje. Ishin bisha të egra, bisha të egra…” (f. 14-15)
Mbi 100 burgje e kampe të punës së detyruar (27 në Shkodër) e qindra kampe e pika internimi në Shqipërisë. Studiuesi i faktografisë Agim Musta, në librin: “Burgjet e shtetit – burg”, saktëson: “Për motive politike u ekzekutuan 5037 burra e 450 gra; u dënuan me burgime 26.788 burra e 7367 gra; u internuan 48.217 burra e 10.792 gra; u dëbuan nga qytetet kryesore e zonat kufitare 11.536 familje. Të njëjtin fat pësuan edhe qindra shtetas të huaj. Prej tyre u pushkatuan e vdiqën në burgjet shqiptare 64 vetë; u dënuan me burgim 1215 burra e 38 gra. Po ashtu u pushkatuan 950 kosovarë, që ndodheshin në Shqipëri ose të ardhur nga Kosova e disa mijëra të tjerë vuajtën dënime të rënda në burgje e kampe të posaçme internimi.”
Ndërgjegjja e freskët e popujve liridashës nuk mund të harrojë 20 milion të vdekur si pasojë e terrorit komunist në ish-BRSS, 6.5 milion në Kinë, 1 milion në Vietnam, 2 milion në Kamborxhia, 1.5 milion në Europën Lindore, 150 mijë në Amerikën Latine, 1.7 milion në Afrikë, 1.5 milion në Afganistan, pra sipas studiuesit Stephane Courtois mbi 100.000.000 njerëz janë zhdukur nga ideologjia komuniste, ku kryesojnë terroristët diktatorë, si: Mao Ce Duni, Pol Poti, Lenini, Stalini, Ho Shi Mini, Kimi II Sungut, Fidel Kastro, Enver Hoxha, Çaushesku etj., e disa diktatorë afrikanë.
CLICHE
CLICHE
Anëtar i rregullt
Anëtar i rregullt
Regjistruar : 31/12/2007
Postime : 433
Points : 40
Reputacioni : 29
Medalje Medalje2 Medalje3

Historia, stafetë fatkeqsish njerëzore Empty Re: Historia, stafetë fatkeqsish njerëzore

9th March 2008, 13:45
Biri i Rozafës nën hijen e saj

Sami Repishti (1925), lindi në Shkodër, në lagjën Dudas, ku ndoqi mësimet e para të ABC-së në shkollën fillore “Oso Kuka”. Po në Dudas, kam mbaruar edhe unë ciklin e lartë të shkollës 8-vjeçare, e rrethuar me shtepi të vogla karakteristike shkodrane, mes aromës së luleve të shtëpive, frytave të bahçeve e shokëve të fëmijërisë, me të cilat luaja futboll në rrugica. Samiu fëmijë, nga mësuesit e shkollës gjatë piknikut niset drejt kështjellës 3000-vjeçare të Rozafës, ndërsa në vitet e mia, mësuesja pëlqente të na mbante brenda mureve e shtonte orët e edukatës morale politike me fletushkën “Ze(h)ri i Popullit”…
Njerëzit e mirë e të dashur të shkollës, Repishti i mban mend e i kujton me respekt. Atij i kujtohet Asllani, kujdestari plak i shkollës e zilja që tingëllonte në mbarim të çdo orë mësimi, këngët e reja që mësonin në klasë, përsëritja e saj plot krenari e galdim në klasë e shtëpi. Me të bashkohet Manushi, shoku i klasës e i bankës, që ishte shumë i sëmurë. Ai ndërroi jetë shpejt... Jeta e brishtë e Manushit, i bashkohet engjëllit në lumnin e pasuson, duke i shtuar keqardhjen me pika loti. Samiu, kujtonte vitet e ditët e bukura me balona, buzë liqenit, në kala të Rozafës, duke thënë plot dhimbje: “E shkreta nanë!”…
Jeta kalon si pa u ndier. Vogëlushi, hyn në dyert e gjimnazit. Lënda që e tëhiqte më sëshumti ishte letërsia shqipe, temat epike, aty ku i bëhej thirrje ndjesive luftarake të një populli, që i nevojitej qëndrese për mbijetesë. Kontakti me librat, revistat, perkthimet e pakta asokohe, përpiqej që t’i kalonte nëpër duar, duke lexuar pjesë të këndshme të tyre. Lexonte me kureshtje çdo prodhim të ri, sidomos poezinë vendase, me të cilat ndihej krenar… Rrugët e qytetit e shkolla, merrte një pamje festive e adolishentët e ndjenin më sëshumti afrimin e festës së Flamurit, Ditën e Pavarësisë 28 Nëntor 1912, ku plaku i urtë mjekërbardhë Ismal Bej Qemali, shpalli Mëvetësinë e Shqipnisë nga kthetrat e egra të Perandorisë barbare Turke. Asokohe, Samiu, nuk ishte më shumë se 12 vjeç. Ishte veshur me rrobat më të mira për festë. Me krenari thoshte “Rroftë Shqipnia!”…, fjalë të cilat, nuk do t’i shkëputen edhe sot 81 - vjeçarit në New York….
Pak kohë më vonë, gjatë rrugës i bie në dorë një letër e shkruar, përmbajtja e së cilës e këshillonte vëmendje e paralejmëronte rrezik. Atë e mbante në çantë dhe priste me padurim të mbaronte ora e mësimit për të parë letrën. Ai u step që në rreshtat e parë, me përshkrimet e mjerimit e thirrje për revoltë. Në fund qëndronte nënshkrimi “Grupi i të Rinjve Komunistë!”. Adolishenti, mendonte: “Atëherë kuptova ka përfaqësojshin ata, që flitshin aq shpesh dhe me aq kambëngulje, dhe pse i gjithë ky grup kishte nji unitet pikëpamjesh. Kuptova, se ishte fjala për diçka të orkestrueme mirë nga elementët jashtëshkollorë, e u zhgënjeva.” Tashmë ai po hynte para kohe në moshën e pjekurisë.

Unë nuk jam DEBATIK-as

Pushtimi fashist i Atdheut, do t’i lë gjurmë të thella, tek ndiente revoltën e kryengritjeve mbarëshqiptare. “7 Prill 1939. Ende pa zbardhë drita, nji gjamë e largët topi na zgjoi para kohe. Toka shqiptare po rrihej me tërbim. Luftanije e aeroplanë luejshin aktin e parë të një drame të përgjakshme që filloi atë ditë. Nji ushtri moderne shkeli tokën tonë. Filloi pushtimi i huej! Nga dritoret e hapuna të dhomës, hynte krisma e artilerisë, ndërsa në qiellin e pambrojtun, fluturojshin bombardierët italiën…”.
Vitet kalojnë. Një ditë 17-vjeçari, gjendet para një të papriture. Çfarë i kishte ngjarë? Le ta shohim me kujdes. Një shok i tij, e kishte ftuar, pa e lajmëruar se ishte mbledhja e të rinjve...
“Pa shumë formalitete, u ulëm rreth tryezës. I ardhuni na shikoi me vrejtje të gjithëve, vuni mbi tryezë dy bomba dore e nji revolver, e nxori nga çanta nji paketë letrash plot shënime. Të gjithë heshtëm. Jashtë shtëpisë dëgjoheshin hapat e rregullt të rojes. Kësaj rradhe, po jetojsha atmosferën e një veprimtarie të rrezikshme.
“Shokë!”, filloi ai me një ton urdhnues, por me za të ulët. “Siç e kemi zakon ne komunistët, duhet të caktojmë rendin e ditës, të mbajmë referatet përkatëse, e të fillojmë diskutimet.”
Fjala “komunist”, më gjeti të papërgatitun. E ndërpreva:

Me leje, shok!
Fol”, më urdhnoi.
Asht kjo nji mbledhje e komunistëve?
Po! – përgjegji i ardhuni. – Nuk e dije?
Jo. – i thashë. Ai u shqetësue, e me nji za të egër kërkoi:
Të ngrihet në kambë shoku që e ka sjellë këtu!
Njeni nga shokët e mi u ngrit pa hezitim.

I ke tregue shokut, që kjo është mbledhje komunistësh?
Jo, shok.
Ke bërë shumë gabim, shok! – E tue u kthye kah unë shtoi:
Po të duash, mund të shkosh.
Po, -përgjegja, - Dua të shkoj!
Pa tjetër shkëmbim fjalësh, u ngrita, nuk përshëndeta njeri, e dola nga dhoma. Roja më shoqëroi deri në portën e jashtme, me porosi të preme: “Je i ndaluem të flasësh për këtë takim. E kupton?”
Po, - i thashë, - E kuptoj.”
CLICHE
CLICHE
Anëtar i rregullt
Anëtar i rregullt
Regjistruar : 31/12/2007
Postime : 433
Points : 40
Reputacioni : 29
Medalje Medalje2 Medalje3

Historia, stafetë fatkeqsish njerëzore Empty Re: Historia, stafetë fatkeqsish njerëzore

9th March 2008, 13:46
Fitues i një burse studimi në Firence

Jeta shkollore vazhdon. Me mbarimin e provimeve të maturës, 28 shokët e klasës e ekipin pedagogjik fiksohen në fotografi. Jeta e re, ishte një furtunë e madhe në detin plot tallaz, duke qëndruar si timonier stoik e ngjallnjyes deri në fund. Karaktere të ndryshme, ide e pikëpamje të larmishme, të majtë e të djathtë, indiferentë e liberalë, përbënin grupin e të rinjve, me të cilët, u përballua në vitet e gjimazit i riu Repishti. Në Tiranë, niset për të marrë pjesë në një konkurs, për shkollën e lartë jashtë shtetit. 112 kandidatura, konkuronin për 28 bursa studimi të profesioneve të ndryshme. Mbas 2 ditëve, ai merr vesht se ka fituar një bursë studimi pranë Universitetit të Firencës në Itali. Gjatë vjeshtës përgatitet për të udhëtuar drejt Italisë. Me një anije mallrash, kaloi ujërat e kaltra të Detit Adriatik e u afrua pranë portit të Brindizi-t. Tashmë për te shfaqet një botë e re kulture, që do t’i zgjeronte horizontin, duke i hapur dyer të reja të panjohura e formuar personalitetin e dinjitetin e njeriut, me dije të reja përparimtare. Samiu, mori pjesë në takimin e parë politik në Itali, në kohën kur qeveria fashiste kishte pushtuar vendin e shqiponjave… Më shumë se 200 studenta shqiptarë, u mblodhën në sheshin “Michelangelo”, duke demostrauar para syve të policisë fashiste vendase. Shpalosja e flamurit kuq e zi dhe këndimi i himnit nacional ishte kulmi i tubimit. Edhe në dheun e huaj, shqiptarët ishin të përçarë në nacionalistë e komunistë. Vendasit jetonin nën thundrën e fashizmit. Italianët, prisnin që lufta të mbaronte sa më shpejt, mbasi shkatërrimi rëndonte mbi xhepat e popullit italian.
Shpejt miqësohet me një italian e sëbashku dëgjonin raporte nga BBC-ja e Londrës, për situatën e Luftës II Botërore. Miqësia midis Samilut dhe të riut italian ishte e sinqertë, ku ai e njohu me shumë vende historike të Italisë. Një ditë ai ftohet për drekë nga shoku i vet në familjen e tij. Bujaria e italianëve, shprehet në ndihmën që ata i afrojnë shqiptarit në rast rreziku, ndonëse kishte vendosur që të kthehet në Shkodër, sapo të mbaronte provimet vjetore. Mbi 500 udhëtarë shqiptarë, që po ktheheshin në vendlindje humbën jetën në ujërat e Detit Adriatik.
Ripushtimi i Shqipërisë nga nazistët gjerman, do të gjej Samiun, si gjithnjë neutral ndaj erërave të egra politike të kohës. Por kjo nuk do të thoshte se ai nuk e njihte mirë zhvillimin e ngjarjeve në vend e më gjërë. Një shije të hidhur i linin bashkëmoshatarët komunistë, që ishin bashkuar rreth një dogme që as ata nuk e dinin se ku t’i denglediste një ditë. Verbëria e tyre me reagimet patetike për idetë komuniste, kishte bërë që ata të binin viktimë e mashtrimeve. Mbas shumë viteve, disa prej tyre do ta mësonin më mirë kur arrestohen dhe mbushin qelitë e burgjeve të ftohta.
Autori, gjendjen e rëndë që kishte pllakosur vendit e vendlindjen e jep me përshkrimin komçiz: “Çdo ditë sillte diçka të re. Në kaosin e qytetit, shumë të rij ishin dalldisë mbas jetës së luksit të siguruem nga fitimet e mëdha në tregti e spekullimet e ndryshme. Shumë të reja u përfshinë në vorbullën e qytetit që nuk flinte ma. Shkujdesja e pabesueshme ishte ba normë për shumë bashkëqytetarë, që nuk dëshirojshin me dijtë për asgja, veç dëfrimeve të jetës së tyne të shthurun… Qyteti i im, ishte i shqetësuem edhe ma shumë nga numri i “partizanëve” jugosllavë, që kishin infiltrue në Lëvizjen Nacional-Çlirimtare në qytetin tonë, dhe pozitat komanduese që kishin marrë. Tue pasë parasysh të kaluemen e marrëdhanieve shqiptaro-serbe e malazeze, prania e tyne në Shkodër, ngjallte dyshim e frikë.” (f.88-89)
Qytetari kujton ditën 28 nëntor 1944, ku aty-këtu dëgjoheshin krima pushke, duke festuar ditën e largimit të pushtuesit gjerman nga Shkodra. Një re e zezë e Lindjes bolshevike po kanoste qytetin e gjithë Shqipërinë. “Po ngrinte kokën organizimi i ri shtetnor, i mbështetun mbi forcën e hekurit e zjarrit, ashtu sikurse kisha dyshue dy vjetët e fundit. Fjalime pambarim, parulla të përsërituna, arrestime masive, “djallëzimi” i kundërshtarit, që paraqitej e trajtohej si “armik” e, kërkesa revolucionare për luftë pa mëshirë. Ekzekutimi publik ishte përfundimi tragjik!… Çdo ditë përgatitej nji “shfaqje” publike, për diskreditimin e “anmiqve të popullit”. Nji ditë janari, kaloi me zhurmë nji grup malësorësh të lidhun me pranga e litarë, krah për krah, ndërsa rreth e rrotull tyne, grupe të rijsh e gra histerike, përsëritshin në kor: “Plumbin ballit! Plumbin ballit! Vdekje trathtarëve! Vdekje trathtarëve!…” (f.102-103)
Pushteti i ri serb, i manjakëve të gjakut arbëror e thirri Repishtin si nëpunës në Seksionin e Rindërtimit, duke filluar punën rutinë si zyrtar pa entuziazëm. Ai e fillonte punën në orët e para të mëngjezit e delte nga “zyra” në orët e vuna të natës. Aleatët perëndimore (UNRRA), filloi ndihmat ndaj pushtetit komunist, duke e ditur se ata erdhën dhunshëm në pushtet përmes Luftës Civile. Ekipi i zyrës së Samiut, përbëhej nga elementë “indiferentë” në politikë, por “zyrtarë” të rregullt. Fryti i punës së tyre dukej qartë, në rindërtimin e urave të vogla, shtrimin e një rruge të demtuar ose përmirësimin e ndërtesave qeveritare.
Në prill 1945, u organizua në Shkodër një demostratë para ndërtesës së prefekturës. Parakaluesit, bërtisnin si histerikë “poshtë” filani e “lart” tjetri. Ata mbanin parulla të udhëheqësve jugosllavë, sovjetikë e ndonjë shqiptarë e kërkonin antarësimin e Shqipërisë në OKB dhe aneksimin e Triestes së Italisë drejt oreksit të Jugosllavisë së Titos.
Samiu, kujton: “Shfrytëzimi i fjalës “popull”, i vullnetit, dëshirës dhe aspiratave të tij, në një mënyrë kaq banale, lëkundi besimin e ushqyem në aksiomën e mendimit tim se, duhet mendue, folë e veprue “në emen të popullit”, nëqoftëse kërkohet justifikimi moral e ligjor i veprimtarisë sonë politike e qytetare. Atë ditë, me trajtimin e popullit si kafshë pune e manipulimin e tij të paturp, unë pashë nën dritën e Diellit, fytyrën groteske e të zbulueme të diktaturës së kuqe, që na imponohej dhe e urrejta me fuqi.”
Në brendinë e tij, ndiente një rritje të pandalshme frymëzimi për përpjekje, për ballafaqim e liri. Thirrja për aksion të rrezikshëm, do t’a çlironte njëkohshit edhe nga prangat që e copëtojshin. 20-vjeçari shtrengonte dhëmbët e dhimbjes për të vrarët me revolten që si lëmsh i zjarrtë i digjte gjoksin. Disa ditë më parë, vargje të gjatë me kosovarë, të mobilizuar nga “Jugosllavia e Titos”, kaluan nëpër rrugët e Shkodrës, të kontrolluar nga gardianë jugosllavë në tokën shqiptare. Ata që mundën të shpëtonin nga masakra kolektive, treguan për ekzekutimet në një gropë të përbashkët. Ja një argument i fortë për krime kundër njerëzimit, që meritojnë Gjyqin e Hagës.
Ekzekutimet pa gjyq në zonat malore të Mbishkodrës me gjyq e pa gjyq, u bënë skena të përditshme, që mbështetej fuqishëm nga papagallët e media e sekretarët e partisë, që për histerizmin e treguar në rini, sot marrin tituj nderi e dekorata “trimeria” apo “nderi i kombit” (nga Ramiz Alia (1991), Sali Berisha (1992-1997), Rexhep Mejdani (1997-2002), Alfred Mosiu (2002 e sot).
Samiu, përfshihet në grupin kundërkomunist që verpronte në Shkodër. Gjatë muajit maj 1946, u zhvilluan demostratat e para kundërkomuniste, të qeta, spontane, nën sytë e vëzhgimit të Sigurimit. Ishte momenti i funeralit të Aqipeshkvit katolik Imzot Gaspër Thaçit, ndërsa mbahej në gjendje arresti në shtratin e vdekjes. Proçesioni mortor elektrizoi Shkodrën nga Kathedralja e Shën Shtjefinit deri tek vorrezat e Rrmajit. Turma të mëdha njërëzit të ekzaltum katolikë e muslimanë ndiqte arkivolin, në heshtje e dinjitet, kundër dikturës së hurit e litarit.
Komunistët sundonin me parrullat lenino-staliniste: “Me ne ose kundër nesh!”, “Ju (“reaksionaret”), nuk keni vend këtu!”. Kur forcuan juntën, bënë thirrje për terror: “Armiqtë e popullit në litar!”, “Merrni sopatën e bjerini në kokë cilitdo që guxon të flasë…!” (pra, nënshtrim ose vdekje). Sërisht më 9 shtator 1946, katundarët e Postribës (disa milje afër qytetit), që mbronin tokat e tyre nga shtetëzimi i dhunshëm i “pushtetit” komunist, sulmuan me guxim qytetin, kazermat ushtarake, ndërtesat qeveritare por pa sukses. Lëvizja e Postribës la shumë viktima, që do të vijojnë deri më 1990. Ajo nuk u organizua mirë, nuk pati mbështetje nga trupat “kunderkomuniste” aleate, që vepronin në Detin Mesme…

Arrestimi i 20-vjeçarit
dhe rrymë elektrine në organet gjenitale

Ishte data 22 tetor 1946, kur në vendin e punës mbërrijnë forcat e Sigurmit dhe marrin nën pranga të riun Sami Repishti. Shokët e shikonin me keqardhje, por nuk kishin mundësi t’a ndihmonin. Në kuesturën komuniste fillon dhuna fizike. “Nga tryeza ku rrinte, hodhi me të gjithë fuqinë e krahut një zile metalike që mori nga tryeza e që me kaloi pranë veshit të majtë. I pakënaqun, tue më kërcënue me të gjitha llojet e torturës, u afrue e më dha nji shuplakë, që më errësoi sytë. “Shpirtin do të marr, qen bir qeni”, më tha “ose trego gjithçka e nuk të torturojmë!”. Një llampë e vogël varej në qelinë ku e plandosën të prangosurin. Ai nuk kishte asgjë përveç mureve të akullta e të errëta. “I këputun nga nga lodhja, i lagun e i uritun, u ula në çimenton e qelisë, me të dy këpucët nën vete. Ftohtësia më ngrinte trupin edhe ma shumë e, më dukej sikur uji i shiut ishte kthye në akull. Dhambët kërcitshin papushim. Fërkoja duart e lidhuna me hekura kuajsh e hukatsha pa ndërpremje, por pa dobi. “Nuk mund të vazhdoj kështu deri në mëngjez…”, mendova “do të vdes!”… në mesnatë u hap dera ime: “Ngrehu, derr”, më tha roja. Më zgjidhi prangat e kambëve e më urdhnoi me vrapue: “shpejt, shpejt, derr!”. Në zyrën e hetuesit, gjeta tre oficerë Sigurimi. Më pyetën si quhem. U përjigja me za të ulët, që dridhej nga të ftohtit e frika. Me naivitetin tim, shporesojsha se informatat e tyne ishin të gabueme. Doli e kunderta! Kjo ishte nji taktikë që bante të mundun me fillue torturën, që në takimin e parë kundër “kokëfortëve”. Me grushtet e parë e shkopijtë, përgatitej terreni për hetuesi ma të rregullt, ma vonë. Porsa dhashë përgjigjen, një breshën shuplakësh, grushtesh e shqelmash, më dërmuen trupin. Në gjendjen time, kjo batare mjaftoi. Rashë nga karriga në shesh, si nji lamsh. Gjoksi e kërcijt e kambëve ishin të ekspozueme për shkelma e përsëri shkelma, që më jepnin, sa njeni, aq tjetri. Fillova me rënkue, e sytë m’u mbushën me lotë. “nuk i njoh zoti kapiten!”, thashë me nji za lutës, “Ju betohem! Nuk i njoh.” – ata qeshën. “kemi fakte prova, dëshmitarë që ti i njeh mirë, e ke bashkëpunuar me ta.” – E keni gabim! – përgjegja unë. – Nuk i njoh! Atëherë, kapiteni, nji shkurtabiq me trup, por muskuloz, mori nji dru që mbante mbi tryezë, e filloi të më bjerë pandërpremje, sidomos në gjoks e në kofshë. Për çdo goditje, hidhesha nga dhimbjet. U luta të më besojshin, se flitsha të vërtetën. Por asnjeni nuk përgjigjej…i shtrimë në shesh, me duer e kambë të lidhuna, pashë nji roje që hyni në dhomë. Pa folë fare preu me thikë pantallonat e mia. Para oficerëve ishin të zbulueme organet gjenitale. Nuk kuptojsha gja. Dy fije telefonike shtrënguen organet e, para se të kisha mundësi me folë, nga nji aparat telefonik doracak, korrenti elektrik më tundi nga vendi. Tronditja e parë më krijoi nji ndjenjë zjarri të brendshëm, shtrëngova dhëmbët që më kërcitshin, sytë më nxirrshin xhixha, e muskujt e fytyrës u deformuen. Sa herë që vinte korrenti, shtrëngohesha me vete, e koka ngrihej e mandej përplasej mbi dysheme, pa kontroll… e në atë kohë dera e zyrës u hap. Nji burrë, që nuk e pashë, deklaroi se ishte takue me mue e zhvillue bisedime kundër pushtetit. Kur mbaroi, i dhanë urdhën me u largue.” (f.128-129)
Çdo qelizë e trupit të tij ishte një pikë dhimbje e padurueshme. Për 14 muaj, Samiu iu nënshtrua hetimeve intensive. Qëllimi i Sigurimit nuk ishte e vërteta, por procesi i detyruar, me pranu atë që nuk di, duke plotësuar planet e parapërgatitura të diktatorit. Gestapoja e shtetit, i kishte venë qëllim vehtes me nxjerrë për show, para publikut një “organizatë armike”, të “zbulueme” nga “vigjilenca e popullit dhe Partisë”. Skenari i tyre përmbante gënjeshtrën e kthyer në sistem, të cilës, i vinte në ndihmë tortura e frika, gjyqet e pushkatimet, që i vinin kapakun.
Njeriu robot i krijuar për dhunë, pranonte difatën e brendshme të pushtetit të pushtave, duke iu drejtuar të burgosurit Repishti: Pse ke marrë pjesë në proçesionin e varrimit të Arqipeshkvit Imzot Gaspër Thaçit? Xhelati, shtoi: “Të kujtohet Revolucioni Francez? Revolucionarët francezë ishin kundër aristokracisë, jo kundër klerit”, vazhdoi ai monologun. “Por, kur kleri refuzoi të ndahet nga aristokracia, atëherë populli tha: ‘Le të digjete dhe kleri’ Historikisht kleri katolik i ka shkaktue vehtes, damet që pësoi. Ashtu si dje, ashtu edhe sot. Ata Native American sulmojnë, na mbrohemi…- Ju të gjithë besoni në superioritetin ushtarak të Amerikës…Bomba atomike? Ha! Mos u shqetësoni! Brenda pak kohe, Bashkimi Sovjetik do të ketë bombat e veta, ma të mëdha, ma të fuqishme… Ndërkaq, tash për tash do ta evitojmë konfliktin, por do t’a provokojmë kur të ndjehemi të fortë nga pozita të favorshme, në kohën dhe në vendin ma të përshtatshëm për ne… Ne do të fitojmë luftën finale…”
CLICHE
CLICHE
Anëtar i rregullt
Anëtar i rregullt
Regjistruar : 31/12/2007
Postime : 433
Points : 40
Reputacioni : 29
Medalje Medalje2 Medalje3

Historia, stafetë fatkeqsish njerëzore Empty Re: Historia, stafetë fatkeqsish njerëzore

9th March 2008, 13:46
Të “krijohet” faji e të denohet “fajtori” pa faj!!!

Në botën e nëntokës, që sundoi në Shqipëri prej 1944-1990, torturat, dëshmitë e rreme, fyerjet, dhuna fizike, psikologjike, morale, vrasjet, “vetëvrasjet”, hedhjet nga ditarja të burgosurve, helmosja, zhdukja pa gjurmë e të dënuarve, zhytja e mbytja në gropat e ujërave të zeza të qindra njerëzve enciklopedistë e të pafajshëm, përbënin rrethin dantesk të nëntokës. Dhoma e qelisë së ftohtë, pranë Kuvendit Françeskan në Shkodër, ku qendroi Samiu, kishte një shtrat fjetje. Aty më parë kishte fjetur një frat i Kishës Katolike, por që nga plumbat e togës së pushkatimit kishte përfunduar në murg. Ai qëndroi i lidhur në këmbë, kurse duart ia zgjodhën. I burgosuri i ri filloi të ëndrronte, për bukurinë e natyrë së vendlindjes e cila nga patenzotët e kishte groposur ose privuar t’a shijonte për së gjalli.
Mbas disa orëve të gjumit të rëndë nga mundimet e plagëve që pikonin gjak, sërisht kërciste dera e Ferrit dhe hynte xhelati, për të bërë ritin e zakonshëm me tortura fizike e psikologjike. Çdo ditë kishte metoda të reja torture sfilitëse. Akuzave të Sigurimit dhe kapitenëve xhelatë, Samiu, u jepte përgjigjen mohuese. Sërisht përtokë në kolaps, para se vdekja ta merrte në krahët e saj. Por, Zoti, kishte vendosur, që Samiu duhet të mbijetojë për të dëshmuar të djeshmen e gardianëve, që shfrynin urretjen mbi viktimat e sistemit komunist. Për shumë kohë, nuk i lejuan të marrë ushqime dhe rrabat që sillte nëna e motra nga shtëpia.
Kur të burgosurin, e dërguan në një ndertësë të madhe të Sigurimit, mësoi një lajm të hidhur, se shoku i tij Qemali, kishte vdekur nga dhimbjet e mëdha. Shkaku? Ai duke qenë plotësisht koshient, se mund të shpëtonte ekzekutimit, kishte kryer me ndërgjegje vetvrasje. Gjatë kthimit në qeli në Kuvendin Franceskan, sillte ndër mend karakterin e fortë të Qemalit, qëndresën, vitet e jetës shkollore.
Sipas një zkuze të parafabrikuar: “Sami Repishti, ishte përpjekur për të rrëzuar pushtetin popullor me focë”, në lidhje me “agjentët e fuqive të huaja”. Shumica e akuzave ishin fallcifikime, që nuk kishin lidhje me te. Akuzat më e “rrezikshme”, sipas Sigurimit, ishte se S. Repishti, paraqiste rrezikshmëri, e me veprimtarinë e tij kishte “dëmtuar rëndë miqësinë vllazërore me Jugosllavinë e shokut Tito”!!!

“Trathtarë! Trathtarë!
Plumbin ballit! Plumbin ballit!

Grupi i të burgosurve, ku qëndroi S. Repishti, kishte 22 vetë, të lidhur me zinxhirë dy e nga dy, e të rrethuar nga dy rreshta roje partizanësh të armatosur. Dy të parët ishin klerikë: një fraçeskan katolik dhe një hoxhë imam. Të tjerët ishin katundarë, tregtarë, dy studentë e një ipeshkëv katolik shqiptar. Sapo dolën në rrugë, turma histerike e përgatitur nga partizanët çirrej: “Trathtarë! Trathtarë! Plumbin ballit! Plumbin ballit!
Gjyqi u zhvillua në sallën e kinemasë së Shkodrës. Tashmë në vendin ku dikur qëndronte orkestra frymore e qytetit, kishin vendosur 22 karrige për të pandehurit dhe pak më larg qëndronin “avokatët”, që nuk kishin të drejtë të takonin klientët e tyre.
Aktivistët vullnetarë të së keqës, kishim mbuluar sallën e gjyqit dhe me britma kafshësh lehnin: “Poshtë trathtarët! Kriminelët në litar!”. Për çudi, sot mbas 60 vjetëve, një pjesë prej tyre kanë fituar azil politik si të “persekutuar” dhe jetojnë kohën e pensionit pa i vrarë ndërgjegja. Dhe ku jetojnë në zemër të Amerikës në New York, që dikur për t’a ishte vendi, ku “borgjezia ka ngritur luksin dhe mizeren e vet”, sikurse do të shkruante rreth 27 faqe një “bilbil” i letrave, i përkthelur i rregjimit komunist. O Krishti ku Je!!! Prokurori pritej me brohoritje frenetike nga aktivistët e baltës e si lukuni ujqërish, lëshonin thirrje për gjak: “Pushkatim! “Varje në trekëndsh!” “Plumbin ballit”, “Ti mbysim armitë!”, “T’u shypim kokën!” etj. Në narrative e jetueme të Dr. Repishtit, lexojmë:
“Skenari ma i dhimbshëm, u përjetue me aktakuzën e Ipeshkvit të Zadrimës. Krejtësisht i pafajshëm, kleriku i naltë u përgjigj me guxim, e mohoi çdo akuzë që iu drejtue, atij ose Kishës katolike. Në një moment ballafaqimi të ashpër, kur kryetari e pyeti me përbuzje:

Cili je ti që flet kështu?”, prelati katolik u përgjigj me za të plotë: “Jam Ipeshkëv i Kishës Katolike Apostolike Romane Shqiptare.
Salla ra në heshtje të plotë për disa sekonda. Kryetari u gjet i papërgatitun, e prokurori me nji za të fuqishëm ia ktheu: “Ti je nji trathtar! Ja cili je ti, nji anmik i betuar i popullit!”
Ipeshkvi nuk u përgjigj. Fjalët e prokurorit, u ndoqën me thirrje të çmenduna të shikuesve në sallë: “Poshtë trathtarët! Poshtë trathtarët! E mandej, si me një urdhën, turma filloi të këndoj kangë partizane. Në sallë u ba nji rrëmujë e madhe. Para mikrofonit, ipeshkvi i patundun, shikonte trupin gjykues që lejonte nji manifestim publik në sallë, e heshte. Prokurori, që qëndronte në kambë, e shijonte plotësisht këtë manifestim “spontan” popullor. Rojet tona qeshnin. na ishim ngri në karriget tona nga qëndrimi burrëror i Ipeshkvit, nga manifestimi skandaloz i gjykatës e kthimi i procesit gjyqësor në nji komedi politike, me gjithë elementin tragjik, që e përshkonte atë anembanë.”
Dhe rezultati i burgut ishte skandaloz. Nga 9 të akuzuar, duke përfshi edhe Ipeshkvin trim, u dënuan me vdekje-pushkatim. Të tjerët, morën dënime prej 15 vjet heqje lirie deri në burgim të përjetshëm. Qytetari shkodran Sami Repishti, dënohet nga pretenca e gjyqit me 15 vjet heqje lirie.
Më 28 nëntor 1947, ditë shiu, i lidhur me zinxhir dërgohet në burgun e madh. Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, e gjente me pranga (xhevrekë siç i thonë shkodranët) ndër duar drejt dhomës monotone #7, e më mbas 9. Gjendja e dobët fizike nuk do të prekte të pashpirtët gardianë dhe bossët policor të krimit në pushtet. Ai dërgohet mbas disa kohe në spitalin e burgut. Për gjendjen e tij shëndetsore, familja ishte shumë e shqetësuar… Sërisht në burg, takohet dhe bisedon me ditë të gjatë me At Ciprijan Nikën (1900-1948), njeriun diturak, zotërues i disa gjuhëve të huaja dhe shumë bujar e finsnik në shpirt. Atij i ka mbetur e ngulitur në kujtesë burrëria e fratit të patundur të idealeve të shenjta Fe-Atdhe: “Biri im, me vrasjën time, komunistët duen me vra të vërtetën!”

Pushkatimet e të rinjve

Sa herë që Samiu transferohej në qeli tjetër, shihte se shumë prej të dënuarve kishin ndërruar jetë, disa ishin liruar e ndonjë që kishte bërë tentativë të arratisej nga burgu i madh i Shqipërisë ishte risjedhë në qeli. Këshu ai mban mend Bardhoshin, një student të ri plot enërgji, me ëndrra për liri, sikurse bashkëmoshatarët në botën Perëndimore. Ai kujton: “Megjithë lëkundjet që kisha pësue, që në ditët e para të tiranisë së kuqe, kur lexojsha listat e gjata të personave të ekzekutuem, ose ndigjojsha në orët e para të mëngjezit krismën e thatë të mitralozit mishngranës, prapë se prapë, vrasja e djaloshit të ri më erdhi si grushti i fundit që thërrmoi bindjen time në “shenjtninë” e tokës amtare!… Tashti e mbrapa, për mue Atdheu do të ishte vetëm vendi i lirë, që ushqen e rritë rininë e vet, e jo ai që i han për së gjalli, si lugati i tregimeve të Vjetërsisë. Oh, në moshën tuej, o djelmosha shtatëmbëdhjetë vjeçarë e të pajetë, nuk lëshohen breshnitë e plumbave të mitralozit mishngranës… ashtu siç ngjet sot në Shqipninë komuniste!”
Samiu, ishte dëshmitar i një ngjarje të trishtueshme. Një ditë, një grup rojesh hynë në oborrin e burgut e u drejtuan tek qelia e izolimit. Ata përpiqeshin me kontrollu të bërtiturat e një të burgosurit. Policët i binin me egërsi e ai me zë të lartë u kundërpergjigjeve shkopijve të bishave, qe kerkonin ta çveshnin lakuriq e i hidhnin kova me ujë të ftohtë mbi trup. Plaku i dërmuar nga të rrahurat e shpejtoi hapin e nisi të vrapojë duke sharë katilat. Rojet qeshnin. Më në fund viktima u ul në gjunjë, e me duart të lidhura me zinxhir shau përsëri derisa lëvizjet e rrufeshme të gardianëve e shtrinë përdhe pa ndjenja. Rojet sërisht qeshnin. Gjithë natën, plaku jetonte në grahmat e fundit të jetës së tij tek jepte shpirt.
Një polic, që njihej shumë mirë në kamp, sepse i kishte djegur synin një të burgosuri me cigare, filloi të ulërijë me fjalë fyese:

Ç’ke qenë ti, derr? – pyeti të burgosunin nji ditë.
Armen, i ardhun në Shqipni,- u përgjigj viktima.
Armik i ardhur në Shqipni? O derr i derrit, u tërbue roja e, pa nji, pa dy, i vuni cigaren e ndezun në sy.
Viktima lëshoi nji britëm therëse, e me nji za plot urretje, i tha:
O, Aristidh Karrabeci! Edhe Zotin mund ta harroj, por jo fytyrën e emrin tand! (f. 224)
Lirimi nga burgu dhe varfëria e tejskajshme

Mbas lirimit nga burgu, Samiu niset në qytetin e lindjes me një makinë të rastit. Shkodra, tashmë ishte kthyer në qytet mjerimi, ku afishet e propagandës komuniste gjendeshin kudo. Kur hyri në shtëpi, motra e njoftoi se banonin në një dhomë përdhese dhe pjesa tjetër e shtëpisë ishte e zënë nga qeraxhij, të vendosur aty nga qeveria. I gëzuar me lot ndër faqe, se gjendej pranë familjes, ai nuk u merzit se ku banonte. Pasuria e gjithë familjes ishin 3 krevatë, një tryezë, disa karrige e divani. Vëllai i Samiut prej disa kohe ishte arratisur nga Shqipëria., ndërsa vëllai tjetër ishte me shërbim ushtarak. Nëna e motra, shikonin Samiun, por nuk flisnin. Me kokë të ulur poshtë, nëna tha: “Nuk kemi bukë… nuk kemi triska… e motra nuk gjen punë…!”
Të nesërmen Samiu, doli për të kërkuar punë. Ai shkoi tek Zyra e Punës e ata i thanë se duhet të shkonte në Ndërmarrjen e Ndërtimit. Edhe këtu, ai ndeshet me një harbut prej Peshkopie, që i tha që të shkonte në stadium, ku do të pastronte barin e keq të pistës së vrapimit. Dr. Samiu, shkruan: “Punojsha për bukën e gojës, e isha i gatshëm me punue për atë copë bukë edhe në sketerrë…!” Javën e dytë e caktojnë të punojë në kanalizimin e tokave të Qendrës Zooteknike. Kështu e gjeti edhe viti 1956. Atmosfera politike në Shqipëri ishte rënduar shumë.
Në Europën Lindore lëvizjet antikomuniste kishin gritur krye. Kështu në Hungari shpërtheu revolucioni, që kërkonte përzënien e forcave pushtuese ruse, rrëzimin e diktaturës komuniste, vendosjen e demokracisë dhe marrëdhënie me botën Perëndimore.
Sigurimi në vend kishte hartuar lista të reja arrestimesh, të elementëve që dyshoheshin se mund t’i shkaktonin trazira. Në listë figuronte edhe qytetari Sami Repishti prej Shkodre. Lajmi i papritur krijoi tek Samiu një ndjenjë paniku. Duhet menduar diçka, se për ndryshe ai sërisht do të binte në kthetrat dhe burgjet e rregjimit të hienave. Ai, gjithnjë i shmangej provokimeve të kasnecëve të sigurimit, duke preferuar të përdor armen e heshtjes dhe gjakftohtësisë. Ai caktohet si punëtor në ndërtimin e Teatrit “Migjeni”. Motra e viziton në punë e i thotë se policia kishte ardhur në shtëpi për t’a kërkuar, duke lënë porosinë që të paraqitej në Policinë Qendrore brenda ditës. Mbas pak u nis dhe oficerët mbasi i panë adresën e vendbanimit që nuk kishte ndryshuar e lanë të lirë të kthehej në shtëpi.
“Çdo ditë e ma shumë ksha përshtypjen se, eksperienca komuniste në Shqipni, kishte marrë karakterin e aventurës, që shkelmonte logjikën e përfundimet logjike. Megjithë pretendimet fisnike se “ata” frymëzoheshin nga dëshira e largimit të miliona viktimave nga vuejtja e vorfnia, eksperienca komuniste tregonte se ata i afroheshin vuejtjes e vorfnisë, ma shumë. I mbyllun brenda burgut tragjik të komunizmit stalian, edhe nga nji mur i dytë i përpunuem me duert e veta, komunistët e pashkollem shqiptarë kishin hy në nji rrugë pa dalje. Shqipnia vorfnohej çdo ditë e ma shumë!” (f.309)

22 gusht 1959:
Lamtumirë nënë e vendlindje!

Ishtë dita fatale për Samiun, atdhetarin e zjarrtë të vendlindjes e Shqipërisë. Me një revolver e dy bomba dore, ai sëbashku me shoqëruesin u nisën drejt kufirit. Ai nuk mendonte më për rrugën e kthimit mbrapa, por përpara dhe vetëm përpara drejt shtigjeve të lirisë me çdo çmim. Nëna, kjo krijesë e përsosur e botës njerëzore, e ndiente thellë në shpirt se edhe Samiu do të largohet nga folesa e vogël e shtëpisë, ashtu sikurse kishte bërë djali tjetër para tij.
“Por zemra e nji nëne nuk gënjehet lehtë; ajo ishte ma e ndjeshme se ftohtësia e trupit tim. Ajo dyshoi, që unë nuk kisha “nji punë në katund” e u frikësue shumë. Po e lejsha vetëm përsëri, mbas dhjetë vjet burgimi e sidomos tashti, në ditën e pleqnisë. Pa lëshue za, më shikoi drejt në sy, e frikësueme e plot lotë. Me trupin e lodhun nga mosha e që mezi mbahej në kambë, u lëshue krejtësisht në krahët e mi, pa shqiptue as edhe nji fjalë të vetme, që në këtë çast suprem, do të më kishte lëndue edhe ma shumë, ose dobsue vendosmeninë time me u largue. Për nji çast, nanë e bir ishim nji e të pandamë, ndërsa motra, e dërmueme nga ajo pamje e dhimbshme, mbuloi fytyrën e njomun me lotë… Nji tërheqje magjike më shtynte me vështrue ledhet e kalasë, e dukej sikur më shikojshin me pakënaqësi e më qortojshin: Largohu, largohu nga unë, o biri im, që nuk pranon sundimin tim mijëvjeçar. Largohu në botën përtej, ku unë nuk të shoh përsëri… Por do të ndjesh thellësisht mallin që mundoi bashkëatdhetarët tuej, akoma të lidhun me mue. Megjithatë, nëqoftëse asht liria ajo që fitoi mbi magjinë time shekullore, shijoje tanësisht, me të gjithë gjoksin e mbushun nga frymëzimi i saj. E, mos anko kur, në kulmin e galdimit që shpreson se të pret, nji fshamje e thellë, e dhimbshme, do të sjellë mendimin tand kah unë, kah këto ledhe të harrueme. Atëherë, ma shumë se kurrë, do të kuptosh si duhet sa randë peshoj unë në zemrën tande, që nuk pranon shkëputjen ma shumë se shuemjen time…!” (f.325-326)


Prof. Sami Repishti (1925). Në vitin 1959 arratiset nga Shqipëria në Jugosllavi, e mbas shumë vuajtjesh, emigron në ShBA (1962), ku jeton edhe sot me familjen. Ka plotësuar studimet e larta në New York e Paris. Më 1977 mbron doktoraturën për gjuhën e letërsinë franceze. Për 25 vjet me rradhë, ka dhënë mësim në college-t amerikane e në Universitetin Adelphi, si pedagog i jashtëm. Më 1991 ka dalë në pension, ku si aktivist i të Drejtave të Njeriut punon pa u lodhur. Është bashkëautor i shumë veprave me profil historik të Shqipërisë Lindore, për të cilin ka vuajtur në burgjet komuniste. Ka botuar 100 artikuj e studime mbi çështjen shqiptare e të Drejtat e Njeriut, në shtypin shqiptar e të huaj. Ai është pjesëmarrës aktiv në jetën e komunitetit shqiptaro-amerikan e qysh prej vitit 1965, ka dëshmuar vijueshmërisht për çështjen shqiptare, para Kongresit Amerikan, duke mbajtur lidhje me Departamentin e Shtetit e Shtëpinë e Bardhë. Bashkëthemelues e zyrtar i disa klubeve shoqërore shqiptaro – amerikane, ka drejtuar Këshillin Shqptaro-Amerikan (1996-1998). Është dekoruar disa herë nga qeveritë shqiptare e amerikane për veprimtari patriotike e akademike. Është i martuar me Dianën e kady fëmijë një djalë e një vajzë me nipa e mbesa.
Sponsored content

Historia, stafetë fatkeqsish njerëzore Empty Re: Historia, stafetë fatkeqsish njerëzore

Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi