Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Mary
Mary
Anëtar elitë
Anëtar elitë
Regjistruar : 04/02/2008
Postime : 4917
Info : a good sense
Points : 51
Reputacioni : 50
Medalje Red Medalje Blu Medalje Green
https://zeriyt.albanianforum.net

PERSE VETEVRITEN SHQIPTARET Empty PERSE VETEVRITEN SHQIPTARET

22nd March 2008, 13:14
PERSE VETEVRITEN SHQIPTARET

  • VELEDIN DURMISHI



Përcjell një kronikë vetëvrasjeje dhe mundohem të gjej arsyet e kësaj ndodhie, ndërsa më irriton jo pak emocioni më të cilën vishet ky lajm, që për fatin tonë të keq, jepet e jepet në të gjitha hapësirat e lajmeve, për gjithë ditën. Ka në këto vetëvrasje të rinj, të reja, adoleshentë, gra-nëna, burra – familjarë, të cilët, arsyet e vërteta të asaj vetëvrasjeje nuk i marrin të gjitha me vete. Ata ikin, ndërsa të tjerët, të afërmit, shoqëria duhet të ngacmojnë pak ndërgjegjen e vet për të evidentuar arsyet e kësaj fatkeqësie.

Një ditë, kur Shqipëria u hap me botën, atëherë u lëkundën zakone, tradita, u thyen tabu, u prek kontuiniteti i shoqërisë. Shoqëria pësoi transformime të mëdha; u prek thelbi i saj, jo rrallë ajo u ndesh me të reja të panjohura që e tronditën atë nga themeli, u prekën raporte që kohë më parë ishin të palëkundura e familja shqiptare ka pësuar ndryshime të mëdha, të cilat jo gjithnjë kanë mundur të gjejnë shtratin e vet e që dalja nga ky shtrat, jo vetëm i humbi vlerën e mirëfilltë të qenies së saj, por ka sjellë edhe pasoja tragjike. Diku padituria, më tej paragjykimet, më tej pamundësia për të gjetur rrugën e jetës e nga kjo mori faktorësh shoqëria jonë mbeti aq e pambrojtur. Sindroma e dhunës, që ne e përjetuam aq gjatë, hyri në familjet tona e preku kështu atë që është edhe qelizë e shoqërisë. Familje ku dhuna kërcënon edhe ekzistencën e vet ka jo pak në Shqipëri. Papunësia, shpresa e fikur, mungesa e besimit ndaj njëri-tjetrit te bashkëshortët, dhuna, thashethemet e kjo mori faktorësh e bëjnë familjen tonë të jetë e rrezikuar, të pësojë të çarë, të nxisë strese, të sjellë divorce, por që edhe shërimi i tyre është i vështirë.

E reja dhe e vjetra, e mira dhe e keqja, qyteti e fshati janë pleksur në këtë shoqëri së cilës po i ikën ndjeshmëria për t’u ndalur gjatë e thellë te rrethanat që “e detyron” njeriun e kësaj shoqërie të dorëzohet para tyre duke i dhënë fund jetës. Të zbulosh ata faktorë që janë përtej atij çasti tragjik, jashtë asaj dhome ku u krye një vetëvrasje; të gjesh faktorët shoqërorë, moralë, psikologjikë të asaj sjelljeje çmendurie, është pjesë e moralit shoqëror, pjesë e detyrimit që shoqëria e civilizuar ka ndaj individit, ku, ky i fundit, i dorëzohet fatit të vet e që kërkon të zgjidhë nyjën a atij fati me një vetëvrasje. Sa histori vetëgjyqësie ndodhin në Shqipëri? Të jetë fajtor ai që zgjodhi atë fund për jetën e vet?! Të shpiesh jetën drejt fundit të saj me duart e tua, nuk është e lehtë. “Ç’mëkat” e “ ka detyruar” atë njeri që e ka çuar veten te ai kular litari a te një shkrepje arme? A ndien shoqëria pak më të rënduar ndërgjegjen e vet, ndërsa përcjell një korte, ku i vdekuri u gjend i varur në një degë peme? Sigurisht, syulur, qytetari thotë fjalën ngushëlluese, por ca pyetje duhet t’i bëjë vetes, tjetrit në krah, një të zgjedhuri nga qytetari, një mediaje që jep e jep tri herë atë kronikë. Përse ky refleks çmendurie, përse ky instinkt aq banal e aq jashtë kontrollit po shpie dhjetëra qytetarë drejt vdekjes?! A nuk do të meritonte një fenomen i tillë me tepër vëmendje, një ulje këmbëkryq nën atë tra, ky një ditë më parë tundej kufoma e një njeriu? Pra, le të përmendet litari njëherë në shtëpinë e të varurit; shoqëria, familja, media të trajtojnë seriozisht, gjerësisht e thellë këtë dukuri e cila po trondit jo pak shoqërinë tonë. Faktorët janë të shumtë; janë familjarë, shoqërorë, moralë. Të gjithë i dimë, por askush nuk e ngre zërin, ndërsa shteti nxjerr statistika pa menduar se ky fenomen po merr përmasa shqetësuese, të frikshme, ku i riu a e reja është gati të vetëflijohet, edhe nëse babai nuk i jep leje të shkojë në një pub! Kjo e tatëpjetë morale, tregon fatalitet, tregon varfëri të madhe shpirtërore, mungesë force e vullneti për të dalë tej vetes, tej hallit e fatkeqësisë. Në këtë mori faktorësh së shumti janë ata ekonomikë, ku mungesa e bukës në sofër sjell të parën shkallë ku stresi nis e shtresohet që ditën tjetër, ditën tjetër kërcënon, atëherë familja humbet ekuilibrin; veten e sheh të zhveshur e të rrethuar nga një pasiguri pa qenë në gjendje të hedhë atë hap që do të ndryshonte diçka në jetën e tij familjare. Mungesa e punës u heq këtyre njerëzve kuptimin e jetës, i mbërthen ata në kufijtë e saj dhe qytetari është gati të bëjë edhe marrëzi... Është gati të sulmojë “malet e vdekjes” drejt Greqisë, të kërkojë një gomone edhe pse e di mirë se mund të mos e prek dot bregun e Italisë. Ai ndihet qytetar i lirë, por te dera e ambasadës nuk e pret kush t’i thotë qoftë edhe një fjalë, ndërsa një natë më parë u trumbetua se ka një lehtësinë trajtimesh për një vizë. Dikush i thotë se, që të komunikosh me ambasadën, duhet të lidhet më parë me 0900...! Këmbët sërish e çojnë te tregu i punës ku një herë në javë “mund ta ngjyesh kotheren me ujë”, të nesërmen mësyn njëherë andej nga ministria me të njëjtin emër si të hallit të tij, por atje dëgjon për shifra papunësie të cilat e trembin dhe ai nuk di më si t’i japë udhë hallit të tij. Si të mos mjaftonin hallet tona, del dhe një “Gërdec”, ku në mes të qytetërimit çmontohen mijëra tonalata municion e për turpin tonë, në këtë punë mungonte edhe siguria më minimale. Një gjendje “shoku” përjetoi krejt Shqipëria e kjo gjendje u pasua me dhjetëra viktima, qindra të plagosur, mijëra të pastrehë e kjo ngjarje i shtoi edhe një arsye tjetër për të thënë se jeta në Shqipëri është aq e pavlerë! E shoqëron një ndjenjë pasigurie qytetarin, kërkon të grindet, por nuk di me kë. Fajëson qeverinë që premton më shumë se sa mund të bëjë, grindet me veten që iku nga vendlindja ku mund të siguronte të paktën një mbijetesë me ndonjë lopë e pak tokë. Deziluzioni po bëhet mbizotërues në shpirtin e tij. Dikush i thotë se do t’i prishin shtëpinë të cilën e ka pa leje, KESH-i i preu energjinë, pasi i la një faturë sa dyfishi asaj ndihme – lëmoshë që merr në bashki. Dikë e kërcënojnë me vendin e punës... Çmimet e këtij dimri gati u dyfishuan dhe ai ka frikë të shkojë në një derë dyqani, por që fëmijët presin bukë nga prindërit. Kjo gjendje që i sulmon psikikën e tij nga të gjitha anët e me densitet të lartë, e çarmatos qytetarin dhe “shpëtimin” ai e gjen te ... vetëvrasja. Kjo është plaga më e madhe e shoqërisë sonë e cila duhet të tërheqë vëmendjen e qeverisë e cila në politikat e veta të zhvillimit, strategjinë e punësimit, të jetë dominues zbutja e krizës së papunësisë; ajo të kërkojë mjetet e duhura politike të cilat e bëjnë shtetin tonë të jetë më social. Ndërsa gjendja në familjet e varfra tregon se reagimi i saj është i pandjeshëm. Shih të ardhurat për frymë të shqiptarëve dhe pastaj ndërto politikat!

Një politikë e orientuar drejt progresit e që përfaqëson vlerat e vërteta të një shoqërie të hapur e demokratike, duhet të sjellë medoemos një përparim nga koha në kohë, nga zgjedhja në zgjedhje, e të dëshmojë se po lë mbrapa hijet e një politikëbërje të pamoralshme e që po mban aq gjatë në tranzicion shoqërinë shqiptare. Kjo politikëbërje duhet të jetë pasojë e një mendimi racional dhe tolerant dhe jo produkt i konfrontimit, krizave e intolerancës. Qytetar nuk të bën vendi ku e ke shtëpinë, apo se jeton mirë; qytetar të bën niveli i lartë edukativ e kulturor, virtyti familjar që të ngre në nivelin standard të të menduarit, kuptuarit, konceptuarit. Kjo betejë e madhe, betejë e rrënjosjes së qytetarisë në familjet tona po tregon se ne këtë betejë e kemi humbur. Vetëm vetëvrasjet e këtij fillimviti kanë dëshmuar se nuk kemi mundur dot të mbrujmë elementët parësor të një qytetarie, e cila do të hidhte bazat e krijimit të një familjeje të shëndoshë si bazë e një shoqërie të shëndoshë. Përse ky agresivitet; burri ndaj gruas, prindi ndaj fëmijës së vet? Përse kjo dhunë në familjet shqiptare që së shumti e ka bazën te fukarallëku, te tradhtia bashkëshortore apo te dashuria e re e vajzës të cilën prindi nuk arrin ta kuptojë dot? Ku e ka burimin kjo dhunë që po shton të vdekurit në familjet tona? Të këpusësh rrënjët e dhunës në Shqipëri qenka e vështirë. Është e vështirë kur edhe politikanët në tribuna përdorin një sintaksë që së shumti zënë vend fjalët dhunë, banda, gjak e që poshtë s’ka tjetër përkthim.

Befas një tjetër ngjarje trondit shoqërinë, këtë herë aq absurd. Një vajzë tradhtohet nga i dashuri dhe vajza, që e sheh veten në udhëkryq, bën harakiri pa iu dridhur dora aspak. Këta qytetarë, me këtë akt, dëshmojnë se nuk kanë mundur të gjejnë vendin e tyre në këtë shoqëri, ndërkohë që edhe ajo nuk u ka afruar gjë. Edhe intelektualët, psikologët, analistët nuk impenjohen aspak; asnjëherë nuk venë në fokus të punës e ditës së vet këtë fenomen i cili po bëhet aq kërcënues. Kjo ka ulur së tepërmi çmimin e jetës së qytetarit shqiptar, ndërsa shteti, si të ishte prej druri, s’ka ndjeshmëri, ndaj numëron të vetëvrarët për statistikë. Vërtet shoqëria jona mban ca fije lidhur me të vjetrën, por ato fije kurrsesi nuk janë aq determinuese sa të sundojnë familjet tona në tërësinë e vet unike. Qytetari ynë, ndërsa përjeton ende dhimbjet e së shkuarës, ai sheh të ardhmen me frikë, e rrethon pasiguria e, duke mos gjetur dot veten, është gati të ikë nga kjo botë aq qetësisht. Shoqëria jonë që ka pësuar jo pak trauma, sigurisht ka pësuar edhe deformime, të cilat janë “prita” që i bëhen qytetërimit e integrimit të shoqërisë sonë në parametrat e një shoqërie të hapur, e cila njeh pak dhunë, më pak vrasje e aq më pak vetëvrasje.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi