Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anonymous
Musafir
Vizitor

Nga krijuesit tane - Faqe 12 Empty Re: Nga krijuesit tane

19th March 2008, 01:36
Pa

Kafe pa kokrra,
rrugë pa kalldrëm.

Qartësi pa dyshim,
ditë pa shi.

Vera pa ujë,
dimri pa dritë.

Qiell pa re,
besim pa hije.

Tualete pa karrige,
pula pa kokë.
Anonymous
Musafir
Vizitor

Nga krijuesit tane - Faqe 12 Empty Re: Nga krijuesit tane

19th March 2008, 01:37
Rrotat e trenit

Më të besueshme se burrat
qenkan rrotat e trenit.
Edhe ato të thërrasin, tërheqin:
"eja këtu, le të të marrim me vete!
Së tepërmi paske vuajtur,
sa keq na vjen,
tani e tutje s'do të vuash më!"

Janë ato rrotat të vetmet që mbajnë
besën e mprehtë të teknologjisë.
Mirë e mbajnë premtimin. Shumë mirë:
këtë e dëshmojnë copat e përgjakura
që i derdhen në xham lokomotivistit.
Anonymous
Musafir
Vizitor

Nga krijuesit tane - Faqe 12 Empty Re: Nga krijuesit tane

19th March 2008, 01:37
Saranda Saranda

këndohet në det këndohet në mal
jehohet në gjoks jehohet në krahë
Saranda Saranda

lirinë e duam lirinë e kërkojmë
lirinë e kapim lirinë s'e largojmë
Saranda Saranda

në Veri pregatiten në Veri armatosen
lirinë të na marrin vdekjen të na japin
Saranda Saranda

vdektë ligji që është robërim
vdektë besa që është zvetënim
Saranda Saranda
Anonymous
Musafir
Vizitor

Nga krijuesit tane - Faqe 12 Empty Re: Nga krijuesit tane

19th March 2008, 01:39
Shigjeta

Jo. S'do të jem
si ata që hakmerren
me shigjeta të rrumbullakëta mineralesh.

Jo. Shigjetat e mia janë
herë blu, herë të zeza, rrallë të kuqe.
Mjerë ata që e plagosin
shigjetaren që qëllon me vjersha.

Mjerë. Nga ato shigjeta nuk shpëtohesh
se në furrnaltë metaforash janë farkuar.
Në fluturim aq bukur tingëllojnë në vesh

sa fjalët e tua.
Anonymous
Musafir
Vizitor

Nga krijuesit tane - Faqe 12 Empty Re: Nga krijuesit tane

19th March 2008, 01:40
Sirena

Dallgët e zbritën në port
sikur mbeturinat nga turistët dhe tragetet
në portin tonë e zbritën dallgët.

U ngrit dhe filloi së ecuri
sirena e vërshuar në portin tonë:
për në qytet! në vatër! në bardhësi!

Në portin tonë nënqeshën minat
në shtegtimin e saj të bardhë, të lehtë
në portin tonë minat e grisën

në mijëra copë
si shkëndija deti
gazetarët i filmuan
tregtarët i shitën

dhe unë
fët-fët ia kapa syrin dhe
e futa në xhep.
Anonymous
Musafir
Vizitor

Nga krijuesit tane - Faqe 12 Empty Re: Nga krijuesit tane

19th March 2008, 01:40
Toka

Më e rrumbullakët jam se koka jote.
Vallen time e hedh ditë e natë
së bashku me hënën, e cila bën
që detet rreth meje të rrotullojnë.

Po më kanë prerë ata që veç prej miqësie
i shëtisja nëpër asgjësinë e gjithësisë.
Më kanë lakmuar. Më kanë prerë. Më kanë plagosur
duke më zbrazur nën lëkurë.

Po jam dhe mbetem Toka, dhe ata
kurrë s’do të më njohin zjarrin më të thellë.
Do ta ruaj dhe me mllef e vrer do ta ushqej

derisa një ditë të qetë do te kërcas poshtë tyre,
t’i përvëloj me lavë në vorbullin e kiametit,
dhe kockat e vockla do t’ua tres.

Pastaj dielli do të më marrë ne orbitën e tij,
do të më ngushëllojë, lotët do të m’i ngurosë –

por kot së koti, se kurrën e kurrës
as dielli i dashur s’më bën të harroj.
Anonymous
Musafir
Vizitor

Nga krijuesit tane - Faqe 12 Empty Re: Nga krijuesit tane

19th March 2008, 01:41
Varrezat

më në fund
ja varrezat
me pisha shqiptare dhe bredha gjermanë

varrezat e valleve dhe fluturimeve
varrezat e miqve dhe miqësive
të buzëqeshjes dhe shkëlqimit pa hije

Të gjitha i kam varrosur unë.
Por unë nuk jam shtrirë. Po eci
me një kokë të vdekur, tjetrën të gjallë.

Me duart pa gishta do t'i varros
dhe dyzet vdekjet e Sarandës.
Anonymous
Musafir
Vizitor

Nga krijuesit tane - Faqe 12 Empty Re: Nga krijuesit tane

19th March 2008, 01:41
Veç një gjë

Sa i gjerë është horizonti i pandarë!
Sa shkëlqen rruga pa njeri –

veç një gje është për t'u penduar:
çasti i fundit
pa asnjë emër që të shkon ndër mend
pa asnjë emër fare
për ta klithur

për t'i dhënë çastit të fundit
njerëzisht dhe me pasion
edhe një nuancë
melodramatike.
Anonymous
Musafir
Vizitor

Nga krijuesit tane - Faqe 12 Empty Re: Nga krijuesit tane

19th March 2008, 01:42
Silke BUMBACH


Born in 1970 in Gotingen (Germany). Poetess and prose writer. Nevertheless she is born German, she is devoted totally to the Albanian language and literature. She has published poetry collections in Albanian, such as Forty deaths in Saranda; The Sunk Carvel, etc. she lives and works in Saranda
Anonymous
Musafir
Vizitor

Nga krijuesit tane - Faqe 12 Empty Re: Nga krijuesit tane

19th March 2008, 01:42
Silke BUMBACH


E lindur më 1970 në Gotingen (Gjermani). Merret me poezi dhe prozë. Ndonëse me përkatësi etnike gjermane, ajo tërësisht i është përkushtuar gjuhës dhe letërsisë shqiptare. Është autore e disa librave si: Dyzet vdekje në Sarandë, Karavela e fundosur etj. Jeton dhe punon në Sarandë.
Anonymous
Musafir
Vizitor

Nga krijuesit tane - Faqe 12 Empty Re: Nga krijuesit tane

19th March 2008, 01:43
silvie blumbach

bora

Binte borë. Për herë të parë në këtë dimër këputeshin kristale të mëdha nga retë shtatzëna, retë që e pillnin dimrin, Kërshëndellat, Vitin e Ri, kushërirat në Greqi. Vjet retë e dimrit kishin sjellë një kushërirë të re nga Greqia, e vogël si kukull, por e shëmtuar fare, që brohoriste më shumë se televizori sepse bebes nuk i iknin dritat.
Mborja e mbështeti faqen në pëllëmbë dhe vëzhgonte rënien e borës këtu në Mborje. Mbuloheshin shtëpitë, fshiheshin rrugët, mbështillej kisha e vogël ku Mborjes – vajzës, jo fshatit – gjatë verës i pëlqente të ulej, të këpuste fijet e barit dhe të gumëzhinte me zë të ulët, me kurrizin e mbështetur në murin shumëshekullor.
Mborja nuk besonte tek Babadimri siç e parafytyronin prindërit. Ndoshta Babadimri jetonte diku në Greqi, mbi ndonjë mal, ndoshta mbi Olimpin e shumëfolur në shkollë, ku ai do ta kishte borën që Babadimri e çmonte aq shumë. Babadimri duhet të jetonte ne Greqi sepse kushërirat e mëdha merrnin gjithmonë më shumë dhurata sesa ajo. Këtu në Shqipëri, në Mborjen e Mborjes, retë përgjigjeshin për dhuratat dimërore. Retë e borës kishin si specializim kushërira greke. Gati çdo vit paraqisnin një foshnje tjetër të zhurmshme.
Përveç kësaj, dhe kjo patjetër ishte më e mira, retë i sillnin pushimet. Tani Mborja i priste plot gëzim ditët e lira, kur të vinin kushërirat nga Greqia me lodra të shumta dhe kur të gjitha do të uleshin në një rresht në borë, në natën e Vitit të Ri, për të bërë pipi së bashku.
__________________
Anonymous
Musafir
Vizitor

Nga krijuesit tane - Faqe 12 Empty Re: Nga krijuesit tane

19th March 2008, 01:44
--------------------------------------------------------------------------------

silvie blumbach

Një vit pas vdekjes sim
Sot po mbushet një vit që kam vdekur. Ditë e madhe është. Unë tërë jetën kam adhuruar dhe kremtuar me sa fantazi kisha, mbushjet e viteve. Tani mund të shtoj se edhe tërë vdekjen do ta mbaj këtë zakon. Si ta quaj këtë ditë? Ditëvdekje? Dikur, në jetë, në atë kohë ose në atë formë të ekzistencës, çdo gjë kishte emrin e vet dhe gjendej ashtu e gozhduar në mendje. Por vdekja është modi i paemër, i pafjalë. Nuk do të duhej të ishte kështu. Njeriu mund të sajojë dhe ka sajuar emra për çdo gjë. E kam dëgjuar me veshtë e mi, që tashmë me siguri e kanë pasuruar kuzhinën e ndonjë krimbi. Njeriu sajon një gjësend dhe menjëherë pastaj ia nget emrin, sikur të ishte lakuriqe gjëja pa emër. Ose sikur të mos ekzistonte fare. Sikur të ishte tamam e vdekur si unë në këtë ditë madhështore. Për ta mos nxjerrë pa dashje vdekjen në jetë, njerëzit nuk pranojnë asnjë gjë të paemër si mysafir, qoftë edhe populli më mikpritës që njoh dhe që dikur e kisha në gjak, në lëkurë, në tru, në zemër. Tani, pa gjak, pa lëkurë, pa tru, pa zemër, ku e kam tani Shqipërinë time? E kam në festat e krisura. Ato në mbretërinë time, e cila është mbretëri vetëm për ju të gjallët, që nuk keni as haber as emër për rrethanat tona, duken absurde – „from the other side“. Kështu afrohet, për gëzimin tim të madh, ditëlindja e vizitës sime të parë në Sarandë, ku edhe tani kam prirje të kthehem vazhdimisht, ashtu si vajza e xhaxhait kombëtar kthehej gjithmonë tek vila e thjeshtë; vetëm që tani askush nuk më sheh, askush nuk më flet, askush nuk më përqafon, sepse dhe sarandjotët e mi nuk kanë shqisa për të më vërejtur mua në formën time aktuale pa formë; dhe kjo më dhemb dhe do të me dhembë edhe më shumë më 10 janar. Kështu lëkundem midis ditëvdekjeve dhe ditëlindjeve, dhe paradoksi më i madh i gjendjes sime është që vdekja dhe jeta i kanë shkëmbyer kuptimet sikur të ishin konfuze në Korfuz, sepse vdekja për mua është reale, ndërsa jeta, irreale. Prandaj vdekja e sotme i ngjan jetës së djeshme nga gjallëria që do të thotë „këtej“; kurse jeta e sotme i ngjan vdekjes së djeshme, që të dyja përbëjnë një „andej“. Duke pasur parasysh pa sy këtë kaos kaonik, mua më ndodh aq shpejt se nuk i dalloj dot më të dy binjakët e pandashëm brenda çdo krijese, vdekje, jetë; dhe kjo ka qenë surpriza ime më e madhe pas tranzicionit të madh: se kritere absolute për t’i dalluar nuk ka më. Se jeta më është bërë vdekje dhe vdekja, jetë; se kriteret, që përpara dukeshin aq të qarta, i kam marrë me vetë në anën tjetër dhe vazhdoj t’i përdor si përpara – sepse çdo gjë varet nga pikëpamja, dhe ne, qofshim njerëz ose krijesa pa emër dhe jashtë shqisave, gjithmonë mbesim me mendjen tonë, që na burgos në perspektivë.
Anonymous
Musafir
Vizitor

Nga krijuesit tane - Faqe 12 Empty Re: Nga krijuesit tane

19th March 2008, 01:44
silvie blumbach-Dashuri në kohën e kromit

--------------------------------------------------------------------------------

Dashuri në kohën e kromit
silvie blumbach

Akull Ua kishte kthyer shpinën ndërtesave vigane, kishte hyrë në pyllin pa gjethe, kur para tij u paraqit një liqen. Ajri i ftohtë ia kafshonte hundën dhe ia skuqonte veshët derisa nuk i ndiente më. Nën hapat e tij, dëbora lëshonte psherëtitje të veçanta. Vajti edhe ca hapa përpara dhe e arriti buzën e liqenit.I vetëm. Të tjerëve u ishte arratisur, njerëzit nuk i duronte më. Këtu, vetëm pak hapa larg viganëve guri, nuk dëgjoheshin më. Nuk dëgjohej më asgjë, asnjë makinë, asnjë zog, asnjë gjethe në erë. Të vetmen zhurmë kishin bërë të ecurit e tij, por tani u ndalua duke iu përshtatur në mënyrë të përsosur heshtjes.I heshtën edhe mendimet. Nuk kishte rëndësi më a kishte filluar ai të gjitha punët prej idealizmi naiv ose prej egoizmi të verbër. I lodhur ishte. Këtu dikur do të ishin gjelbëruar, bile lulëzuar pemët. Dikur liqeni duhej të ishte një liqen i vërtetë me peshq dhe vala, me njëmijë shkëndija dielli dhe hëne. Dikur me siguri do të kishin pëshpëritur gjethet tani e pagjetshme, dikur valat do të kishin treguar përralla që fëmijët edhe të dashurit do të kishin dëgjuar me sy të rrumbullaktë prej habie. Dikur jeta do të kishte qenë edhe në këtë vend të vdekur, të cilin e kishte kërkuar tamam sepse vendi ishte aq i vdekur saqë e lehtësonte.Asgjë ai nuk mund ta sillte më përpara, si dikur, si në fillimin premtues. E gjente veten të mbyllur në luftëra të rëndomta pa kuptim, që nuk jepnin asnjë rezultat përveç t'ia siguronin jetën, luftëra rituale ku të gjithë pjesëmarrësit visheshin me maska për të mos i treguar armikut se nën maskë fsheheshin fytyra njerëzish. Zotërimi i përsosur i kësaj loje maskash i kishte sjellë sukses.Fshiu pak dëborë prej sipërfaqes së liqenit. Nën qiellin e vrenjtur akulli ishte i trashë dhe i errët. Nuk pasqyronte. Nuk i jepte atij asnjë përgjigje përveç heshtjes. Asgjësia filloi t'i pësonte, i ngjante peshës së rëndë që prej vitesh mbante mbi supe, pa kuptuar se kaq rëndë mund të pësonte vetëm asgjësia; dhe ne po atë asgjësi të bardhe, të akullt, të ngrirë në ftohtësi vrasëse u dallua vetëm lëvizja e këmbës, që liroi një pjesë të liqenit nga bora.Një cep i shtrembur gjendej i ngrirë brenda akullit, gjysmëhapur, pa kokë dhe pa sy. Pak më larg, ca pena të zeza. Ai u çudit dhe vazhdoi ta hiqte borën. Penat formonin një rreth të rregullt në mes të të cilit renditeshin cepi dhe dy thonj të ngulur. Çudia ia depërtoi peshën e asgjësisë dhe ia përshkoi këmbët dhe veshët e ngrirë. Si rezultat i një rituali i dukej, një ritual magjik i egër. Nguli sytë derisa t'i dhembën.Kush ishte ai, që i shikonte pjesët e zogut të vdekur? Ndonjëri dikur i suksesshëm, po. Një njeri i mirë, këtë nuk e dinte. Ndoshta e dinin gruaja dhe fëmijët, ndoshta e dinin miqtë. Atyre u jepte, i ndihmonte me para, me punë, me përkrahje pa kushte, jepte bujarisht sepse kjo ishte e vetmja mënyrë komunikimi që e njihte. Jepte nga vetja, por nuk e jepte veten. Kur e pyesnin të tregonte kush ishte, atëherë përsëriste të dhënat që mund te lexonin në çdo biografi oficiale: datëlindja, vendlindja, studimet, emri i gruas, mosha e fëmijëve.Po i pëlqenin udhëtimet. I adhuronte. I donte. Çdo mundësi për të udhëtuar e shfrytëzonte, kështu që të gjitha vendet në perëndim i kishte vizituar edhe Australinë, që ishte perëndimi i jugut. Udhëtonte nën ndikimin e një impulsi që as nuk definohej as nuk shpjegohej dot.Udhëtonte në kërkim të ndonjë gjëje pa forme dhe pa emër. Më në fund ky kërkim e kishte sjellë në bregun e këtij liqeni akulli në skaj të termometrit.Në po atë moment mbulesa e dendur e reve u hap pak. Papritur pemëve u shkëlqyen degët me bardhësi të mprehtë. Edhe në akull mbi të mbeturat e zogut të vrarë filluan të vezullonin shkëndija drite.Atij iu mjegulluan sytë. Bëri një hap përpara, edhe një, vazhdoi të ecte prapa dritave të vockla mbi liqenin. "Më në fund", i shkoi ndër mend, "ja momenti kur çdo gjë është e mundur."Me kaq u përzjeu në hapat e tij mbi dëborë një zhurmë tjetër, e ulët së pari, e cila u shtua, u rrit; megjithatë ai vazhdonte për në dritë pa ditur cili akull po jepte këto krisma. 1998
Anonymous
Musafir
Vizitor

Nga krijuesit tane - Faqe 12 Empty Re: Nga krijuesit tane

19th March 2008, 01:45
silvie blumbach - Dashuri në kohën e kromit

--------------------------------------------------------------------------------

Kjo është një këngë e vjetër dashurie nga Bulqiza.“Pse të duash një njeri kur mund të kesh krom të shkëlqyer?Ki parasysh se qyteti ynë është një qytet pa këngë dhe pa pendë. Diku Skënderbeu ka marrë me vetë të gjitha shqiponjat kurse Athina ka marrë me vetë të gjithë bufat. Ja ku kemi mbetur ne, fëmijët e pluhurit nën diellin metalik të kromit. Këtu asgjë nuk është mirë. Është „majr“ më së shumti.Dashuria është mjet për të hapur tregje të reja. Muaji i mjaltit shërben për të rritur bleta, që përbëjnë një industri të fuqishme, që ndonjë ditë mund t’i bëjë konkurrencë kromit tonë të shenjtë. Edhe me ty mund të hap një biznes të mirë.Të them të drejtën, e dashur – dhe mos harro se këtë fjalë e përdor vetëm sepse është zakon i vjetër -, unë nuk kuptoj përse më do. Si është e mundur të më duash mua? Si mund të duhen djemtë tanë, që kanë të gjithë një copë krom në gjoks dhe që megjithatë gjejnë gjithmonë ndonjë çupë që u bie pre?Edhe ti më ke rënë pre vullnetarisht. E dashur, çfarë të bëj me ty? Në qytetin tonë nuk mësohet se si dashurohet. A nuk e ke parë pluhurin në sytë e mi? A nuk di se ne të gjithë i kemi mushkëritë plot me pluhur të shkëlqyer dhe që për këtë arsye ne pimë duhan që nga mëngjesi i parë deri natën vonë?Por vajzat që arrijnë në qytetin tonë nuk lidhen me të gjitha këto gjëra. Ato vijnë të gjitha nga jashtë, sepse vajzat tona na njohin, dhe për të pasur një jetë të mirë ikin. Ikin në rrafshet e jugut.Pse ke ardhur ti? Çfarë do? A mos tallesh fshehurazi me ne burrat e mjerë me zemra kromi? A mos bën ndonjë kërkim shkencor për të ditur se si jetohet me një zemër të tillë? Të them që në fund nuk jetohet aq keq. Kursehesh nga ngarkime të rënda psiqike, që mund të shkaktojnë sëmundje vdekjeprurëse. Jeton më gjatë dhe është më lehtë të bëhesh i pasur.Më lejo të bëj diçka për ty dhe për biznesin tënd. Le të themelojmë një shkollë private për gjuhë të huaja. Do të kemi mësues të tjerë, ti do të jesh vetëm administratore dhe do t’ia japësh firmës emrin tënd. Investimet do t’i bëj unë. Ti di se do të bëja çdo gjë për ty.Atë fshat turistik ku shkuam bashkë, ku e pamë fluturën, do ta rinovoj sepse më përket mua. Ujin e përroit do ta shesim në qytet në verët e thata, ndërsa fshatit do t’i ngjis emrin tënd, dhe do t’i bëjmë reklamë me fotot e tua. Mirë?Megjithatë nuk di çfarë do dhe pse më do. Vajzat tona, që ikin të gjitha në rrafshet jugore, thonë se neve jemi helm. Nuk di çka të them. Veç një: ti këndon bukur. Bravo.Dhe kjo këngë që dëgjuam në radio atë ditë kur shkuam në fshat – a të kujtohet? Një këngë e vjetër dashurie, thonë pleqtë, disa prej të cilëve kanë ngulur këmbë të mbajnë një zemër nga mish dhe gjak. Dhe këta tinguj arkaikë më kanë prekur në një vend prapa copës së kromit në gjoksin tim ...

__________________
Anonymous
Musafir
Vizitor

Nga krijuesit tane - Faqe 12 Empty Re: Nga krijuesit tane

19th March 2008, 01:46
LETËR NGA SILKE - LIRIA BLUMBACH

Gjermani

Jam një njeri midis botëve -
një femër në mes botëve të fjalëve...!

Unë Silke - Liria Blumbach e lindur më 13 dhjetor 1970 në Gottingen, Gjermani.
Emigrova 32 vjet më vonë në Ballkanin Shqiptar,
sëpari në Kosovë, pastaj në Sarandë, Shqipëri ku jetoj.

Jam përkthyese dhe interpretuese. Ndërtoj ura gjuhësore midis kulturave të ndryshme.

Qëllimi i jetës sime është të themeloj në Sarandë një qendër dhe një bashkësi spirituale.Një pjesë e rëndësishme do të jetë ndikimi shërues i artit dhe kriimtarisë, sidomos të shkrimit krijimtar.

Në Gjermani isha anëtare aktive e shoqatës letrare ''LitOff'' (Ofansiva letrare ) në Heidelberg. Botova tregime dhe poezi në antologji dhe revista dhe mbajta dy recitime pesonale.

Në botën shqiptare kam botuar dy vëllime me poezi :

Dyzet vdekje në Sarandë, Tiranë, Naim Frashëri , 1999 dhe
Karavela e fundosur , Tetovë, Ditët e Naimit, 2002

jam i vetmi anëtar i huaj i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Jam nderuar me shpërblimet :

2001 - Çmimi '' Qiriri i Naimit '' nga Festivali i poezisë '' Ditët e Naimit'', Tetovë,
2003 - Çmimi '' Flaka e Janarit '', Gjilan, Kosovë
2005 - Çmimi i krijimtarisë '' Naji Naaman'' në Liban.

Shkruaj në të gjitha gjuhët që flas dhe mësoj sidomos në shqip dhe gjermanisht.
Anonymous
Musafir
Vizitor

Nga krijuesit tane - Faqe 12 Empty Re: Nga krijuesit tane

19th March 2008, 01:46
Silvie - Liria Blumbach


KARAVELA E FUNDOSUR

poezi

Tetovë , 2002




Albánország

Kurrë s'do të më bjerë nga zemra
dallgëzimi i barërave në Pusztën e gjerë
dhe mishi im gjithherë do të ketë jehonën
e kuajve në vrapin e entuziazmuar

por kurrë nuk do ta kthej kokën prapa


Ti, Duna e shkëndijave të vajzërisë sime,
asnjëra nga anijet prej letre ose prej druri
s'do t'ua sjellësh më urave të pafund
pranë rrudhave të ngurta demokracie

se kur më thërret bregu, Dunës i them lamtumirë


Sytë do t'ia mbyll dritës së shtëpive ngjyre portokalli
dhe në veshët një mur do t'ua ngre lumenjve të qemanes
por zemrën do ta hap aq gjerë sa Puszta dhe aq madhështore
sa Duna vetë, që më këndoi ditën e parë

ndërsa ditën e fundit malet vetëm dhe deti do gjëmojnë
Anonymous
Musafir
Vizitor

Nga krijuesit tane - Faqe 12 Empty Re: Nga krijuesit tane

19th March 2008, 01:47
Bernau

Kot e kërkon këtu portën e famshme
nën karrocën me ata kuaj qesharakë.
Austria dhe Hungaria shkrihen të ngrira
në Sheshin e Miqësisë Nënborësore.
Rruga e Vdekjes pret tashmë me kalorifer
në Tiranën e Re me shtëpi ekologjike
nga fjalë të shkumta dhe lekë të pistë.
Pislekë.

Bernau këtë e injoron. Vetëm ta dish
drejtleximin e çdo mbiemri në çdo shekull,
sidomos të mbretërve dhe maskarenjve.
Kush gabohet, humb syrin ose gjirin.
Ose të dy.

Kot e kërkon portën e Lirisë së pamurosur në Bernau.
Kot e kërkon veten në Shqipëri.
Anonymous
Musafir
Vizitor

Nga krijuesit tane - Faqe 12 Empty Re: Nga krijuesit tane

19th March 2008, 01:54
Dibra

Ishin e s'ishin një plakë dhe një plak
në dimër në Dibër
kurrë gjithmonë e ndonjëherë
në mjegullën e bardhe
si në të gjitha përrallat e ndara –

hajde në Dibër hajde në Dibër
prindërit e mi
do të të duan si fëmijë
kalamajtë e mi
ditë e natë flasin për ty

Ishin e s'ishin një plakë dhe një plak
në Shqipëri Maqedoni pa kufij
në fushat dimërore dibërore
në furtunën e bardhë në të cilën
fundosen të gjitha qytetet e ndara –

hajde në Dibër hajde në Dibër
prindërit e mi
i sajova në ndonjë kurs në Angli
kalamajtë e mi
i harrova në ndonjë plazh në Greqi
Anonymous
Musafir
Vizitor

Nga krijuesit tane - Faqe 12 Empty Re: Nga krijuesit tane

19th March 2008, 01:54
Silke - Liria Blumbach

Dy amazone

Dy amazone
kalërojnë
nëpër oazën dioniziake të poezisë.

Dy amazone motra
të dashuruara
si Meduza.

Kalërojnë me kuaj madhështorë robër
jo të parmendës a të kalorësisë së llahtarshme
por të kufirit të këtij kozmosi të pakufishëm

në oazën dioniziake dehëse çmenduese marramendëse të poezisë
me puse të helmuara
jetëdhënëse.

Nëpër oazën e poezisë
kalërojnë të magjepsura
dy amazone mbijetuese.
Anonymous
Musafir
Vizitor

Nga krijuesit tane - Faqe 12 Empty Re: Nga krijuesit tane

19th March 2008, 01:55
Gjykim

Ti
kurrë s'do të vraposh
nëpër pllaja detare.
Së paku jo
me çizmet e ëndrrave.
As nuk vrapon e mrekulluar
në stuhinë e shpendëve të egër.
Në asnjë mënyrë nuk vrapon
e veshur me rroba përrallore.

Këmbëzbathët do të vraposh
dhe zemërzbrazët,
me xhinsat e grisur të qytetit,
në qoftë se megjithatë
ndonjë ditë shputat e tua të shpejta do prekin
pllaja të largëta në hapësirë dhe në kohë.

Sidoqoftë do të vraposh
me të dy duart e zbrazura,
me të dhjetë gishtat e hapura
për detin dhe diellin.
Sponsored content

Nga krijuesit tane - Faqe 12 Empty Re: Nga krijuesit tane

Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi