Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Mary
Mary
Anëtar elitë
Anëtar elitë
Regjistruar : 04/02/2008
Postime : 4917
Info : a good sense
Points : 51
Reputacioni : 50
Medalje Red Medalje Blu Medalje Green
https://zeriyt.albanianforum.net

Shqiptarizimi i “Moulin Rouge” Empty Shqiptarizimi i “Moulin Rouge”

6th May 2008, 16:58
Shqiptarizimi i “Moulin Rouge”


Ne Tirane ndodhi e anasjellta e Parisit. Euforia dhe optimizmi i "La Belle epoque", bene qe nga fundi i 1800-ës të hapej teatri “Moulin Rouge”. Këtu, më 2008-ën, në fillim u bë spektakli me të njëjtin emër e më pastaj erdhi gëzimi. Po të njëjtët që e përgatitën dhe e ekzekutuan, po ata dhanë edhe vlerësimet për veten, për shfaqjen, për gjithçka. Si masë bindëse e cilësisë, edhe kësaj radhe gjithkund u mor numri i spektatorëve, duartrokitjet, brohoritmat. Vitet e fundit në Tiranë, jo vetëm spektaklet e kapshme nga populli (ku futet edhe music-hall), por edhe opera dhe teatrot po mbushen. Mjaft që të thuhet se është hera e parë dhe t’i bëhet reklamë shndritëse. Tashmë, ndër ne, është krijuar një shtresë e mesme, e cila ka dëgjuar se përveç mobilieve italiane, njerëzit e kulturuar duhet të shkojnë në teatër e në opera. Shprehi tepër shpresëdhënëse, pasi kur do dëgjojnë se koncertet simfonike janë një fazë akoma më e lartë e shijes muzikore, do vërshojnë edhe atje. Me kalimin e viteve do mësohen të mos shkruajnë sms gjatë shfaqjes, pastaj të mos mërziten, e pastaj edhe ta kuptojnë. Nuk e pati këtë fat muzika xhaz, të cilën pas dyndjes fillestare para nja dy vjetësh, e lanë, por në mos ky brez, një tjetër do t’i rikthehet.
Ndër ato që u lartësua si risi, ishte se “Moulin Rouge” ishte përkthyer e tëra (edhe këngët). Por ajo që e çoi në paroksizëm ngazëllimin kolektiv, ishte se “foli shqip”, siç u shkrua nëpër tituj e nëpër titra. Përkthimi i veprave skenike nuk është ndonjë gjë edhe aq e re. Gjatë socializmit u përkthye gjithçka: Verdi, Puçini, Çajkovski, Bizeja, në mënyrë që të kapeshin nga masat. Risia e vërtetë që po vihet re në skenat tona, është shqiptarizimi: edhe i personazheve, edhe i frymës, edhe i stilit, edhe i atmosferës, edhe sjelljeve, edhe i gjesteve, edhe i të folurës.
Shtratin e epshit të heroinës kryesore, një soubrette pariziane, e kishin mbuluar me një copë, e cila nga salla ngjante si ato bezet e kuqe në qendrat e votimit të Frontit Demokratik. Natyrisht askush nuk priste 1308 diamantet e vërtetë të varëses së Nicole Kidman-it në të njëjtin rol, por një vrap deri tek tregu çam për një çikë velur apo tafta (qoftë edhe false), që të feksnin deri atje tej edhe mund ta kishin bërë. Ndofta ishte më drejtë kështu, pasi përçohej më mirë dekadenca e epokës. Gjatë gjithë shfaqjes, njëri nga personazhet u paraqit me tatuazhe anekënd krahëve, imazh të cilin në Francë a kudo qoftë, e sheh vetëm nëpër veprat që ambientohen nëpër burgje, apo nëpër portet e shkarkimit të mallrave. Disa vajza tundeshin sikur gjendeshin në ndonjë lokal lacash, ndërsa një tjetër i dëbonte dashnorët nga dhoma me një harlisje që më shumë se Parisin e asaj kohe të kujton Çolen në Vlorë. Tjetër veçori e të “folurës shqip” ishte se në skenë këngëtarët nuk këndonin. Më saktë, ata kishin kënduar…diku… dikur… në studion e regjistrimit…. Ka shumë që e demonizojnë këtë praktikë, duke pohuar se ajo fishk emocionet dhe anemizon komunikimin. Por, harrojnë se përmes saj shpëtohen njerëzit nga shumë tortura të veshit, sidomos kur këngëtarët, kryesisht ata që s’janë mësuar me live, më e pakta zënë e stonojnë, u gërvishtet zëri, apo u ikën fare. Kjo duhet të jetë dhe arsyeja përse ky marifet po përhapet me shpejtësi (ndonjë është orvatur edhe në dasma).
Nëse ky shqiptarizim i gjithçkaje është spontan e ndodh ngaqë s’mund të dilet nga vetja, apo është rezultat i një meditimi të gjatë estetik, akoma nuk dihet. Noli, kur bëri Hamletin të flasë shqip, e la ashtu siç ishte: princ dhe danez. Nuk e bëri as Mic Sokol dhe as Rrapo Hekal. Ka mundësi që edhe Noli si shumë të tjerë të konsiderohet demode dhe arkaik, andaj duhet zëvendësuar me të tjera qasje konceptuale. Për momentin këto janë në fazë eksperimentimi. Është vetëm çështje kohe, sa të kristalizohen, të piqen e të rrezatojnë.


Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi