“Asnjëherë dhe nga askush më parë nuk është marrë guximi për të shkruar një vepër të tillë”
13th February 2016, 10:50
“Asnjëherë dhe nga askush më parë nuk është marrë guximi për të shkruar një vepër të tillë”
“Asnjëherë dhe nga askush më parë nuk është marrë guximi
për të shkruar një vepër të tillë”
(Mendim kritik)
nga Viktor Dervishi, studiues
Rencensë për librin “Intelekt 2001…” 1
Mbajtur në muajin Tetor 2001 në qytetin e Durrësit në prezantimin e këtij libri para anëtarëve të Shoqatës Atdhetare – Kulturore “Çajupi”, Dega Durrës).
Jam i preferuar sot para jush të parashtroj disa konsiderata e mendime për një nga librat e shkrimtarit tashmë të talentuar, të afirmuar e të nderuar zagorit, Kristaq F. Shabanit. Është fjala për vëllimin e parë të librit “Intelekt 2001…”, botim i Lidhjes së Krijuesve “Pegasi” Gjirokastër. Është bërë traditë në degën tonë që të promovojmë libra të shkruar nga zagoritët dhe anëtarë të Shoqatës sonë Atdhetare – Kulturore “Çajupi”. Pas promovimeve të dy vëllimeve me poezi, të shkruara nga anëtarja e degës sonë Eftimi Mile dhe të një vëllimi me poezi të z. Peço Kagjini, të cilin gjithashtu do ta quanim anëtar të Degës sonë, poezi të shkruara me shpirt, plot ndjenjë, embëlsi zagorite, i vjen radha të flasim sot edhe për “Intelekt 2001…”
Analizën time do ta filloj me një mënyrë të pazakontë.
Kopertina, Revanshi kohor “2001…” dhe kontrasti ideor
Ju ftoj të shihni kopertinën e librit; kam arsye të forta ta filloj me të. Vallë cili komision i kualifikuar do ta zgjidhte për “MISS” atë vajzën e bukur me veshje karakteristike zagorite? Shiheni me vërejtje dhe do të më jepni të drejtë. Megjithëse ka një pozicion në profil mund të dallohen mirë fytyra e saj e ëmbël, e bukur, sytë e saj nga ku mund të lexohen mendimet, që venë e vinë në kokë, goja e saj, vetullat, hunda e saj si dhe veshja edhe portretizimi i saj, gjithë trupi i saj, ashtu dhe veshja dhe portretizimi i saj, të gjitha këto mendoj se personifikojnë bukurinë, virgjërinë, ëmbëlsinë, mençurinë, zgjuarsinë, dashurinë dhe intelektin zagorit. Pra, ato përkojnë me virtytet fizike, morale, intelektuale zagorite. Nuk më kundërshtoni dot se ashtu është. Po tani ju ftoj të shihni në fund të kopertinës. Mos u nxitoni të thoni se etimologjia e fjalës Zagori vjen nga sllavishtja “Prapa mali” edhe pse vende të tjera e kanë këtë fjalë. Ata po mund ta kenë nga sllavishtja, por ne kurrë. Zagori vjen nga bashkimi i dy gërmave të para të togfjalëve zall + gorricë + rripë. Ky bashkimi togfjalëve na kujton ashpërsinë e krahinës, vështirësitë, mundimet, rropatjet e përjetshme të asaj zone, deri egërsitë që vinë në pajtim me natyrën e ashpër të vendit. Dhe ashpërsitë dimërore që favorizojnë rritjen e gorricave, jo të dardhave, fatkeqësisht, janë manifestuar edhe në bëmat e zagoritëve, pra në veset e tyre. Mos u çuditni, e vërteta është tamam kështu. Zagoritët, krahas veprave të mira që i vlejnë krahinës dhe Atdheut e që janë dhe i përshtaten natyrës zagorite, janë me siguri të huaja. Megjithatë mos u shqetësoni; autori nuk është marrë aspak në mënyrë direkte me këto paudhësira të zagoritëve. Mënçuria e autorit, intelekti i tij, stili i përdorur, dashamirësia për të shmangur dhe konfliktet më të vogla, ato veprat e shëmtuara nuk na i thotë direkt, por na i lë t’i nënkuptojmë. Kjo është një nga meritat e tij më të mëdha në këtë vepër. Duke lënë mënjanë shumë shumë meditime për kopertinën, ju ftoj të mos harrojmë idenë bazë: Duke parë atë, na bie në sy se midis bukurisë fizike të vajzës zagorite bashkë me revanshin kohor 2001… që qëndrojnë lart, me të cilat personifikuam virtytin e intelektin zagorit dhe nga ana tjetër zalleve, gorricave, rripave që qëndrojnë në fund dhe me të cilat personifikuam prapësitë e padëshiruara të zagoritëve, qëndron djepi zagorit me të dhjetë fshatrat me drejtimin VP – JL, në të cilën u mendën, u përkundën, u ushqyhen dhe u burrëruan zgjuarsia, mençuria, dashuria, trimëria e mbi të gjithçka intelekti zagorit. Mund të zgjatesha më shumë për të zbuluar në kopertinën e librit edhe shumë gjëra të tjera që, sipas meje, simbolizojnë përmbajtjen e tij. Pra mund të meditonim për të parë më tej, duke bërë një krahasim, me gjërat e mahnitshme që shohim në sfondin e veprave të Rembrandit apo të thithnim atë mesazh, që na vjen nga honet e thella të shekujve nëpërmjet isos së këngës labe. Sigurisht këtu mund të shohin dhe të dëgjojnë ata, që kanë sy të shohin dhe mund të dëgjojnë ata, që kanë veshë të dëgjojnë.
E ndjej se nuk ëhtë e plotë kjo që thashë, por autori dhe ju të më falni që do të mjaftohem vetëm me kaq. Dua t’i them autorit: “Të lumtë mendja për kompozimin e kopertinës, për kontrastet ideore të saj, për meditimin kohor 2001.. dhe jo 2000, e sa e sa të tjera…, si dhe për fotografitë e punimet e piktorit, për pasqyrimin saktë dhe profesional të kësaj ideje, që unë mendoj se është dhe ideja bazë e këtij libri.
Mesazhet e këtij libri me mjaft vlerë për Zagorinë e më gjerë
Dhe tani le të them dy fjalë ç’përmban e ç’mesazh na jep ky libër. Nuk e kemi të vështirë ta nxjerrim. Autori na përgatit që në fillim se atje ka histori, kulturë, traditë, arsim, aktualitet, art skenik, reflektim, imnformim, jurisprudencë, letërsi, anketim, art kulinar, studim, intervistë, reportazh, portret, ekonomi, humor, këngë, kritikë, horoskop, art ushtarak, psikologji, pedagogji, replikë, ilustrim dhe me një fjalë çdo gjë e prodhuar dhe e nxjerrë nga mendja zagorite në këto fusha, dhe siç e shihni nuk janë të pakta. Asnjëherë dhe nga askush më parë nuk është marrë guximi për të shkruar një vepër të tillë. Falë brumit të zgjedhur të trevës, burim që ka prodhuar e prodhon shumë, seri e botimeve të tilla mund të vazhdojë në disa vëllime. Dhe merreni me mend do të fitonim një vepër me të vërtetë madhore, që pa nguruar do ta quanim: “ENCIKLOPEDI E INTELEKTIT ZAGORIT”, enciklopedi pa kronologji alfabetike, por me një kronologji të brendshme historiko – kulturore. Me vëllimin e parë autori e ka nisur këtë rrugë. Ne e mbështesim, ne jemi gati ta ndihmojmë, me ato që dimë dhe hulumtojmë, po ta ndjejë të nevojshme.
Nuk duam të hyjmë në komente të veçanta, sepse fushat e shkrimeve, siç treguam, janë të ndryshme dhe po ta nisim kështu do të futeshim në një labirint që do të ishte vështirë për të gjetur perin e daljes me një promovim të thjeshtë, siç është ky që bëjmë sot.
Por nja dy fjalë që e bëjnë këtë libër kaq me vlerë e që meritojnë të përmenden do t’i themi. Sigurisht nuk do të analizojmë shkrimet apo pjesë të veçanta të librit. Ato janë kompozuar në përputhje me mendimin subjektiv të autorit apo të autorëve të veçantë dhe ne nuk kemi të drejtë të prekim këtë fushë. (Ç’është e vërteta s’ka asgjë për t’u prekur nga ana letrare, gjuhësore, sindaktike) veçse, në ndonjë rast, kur devijohet kuptimi dhe përmbajtja historike apo shkencore). Atëhere le të fillojmë duke i përmbledhur në pika kryesore:
1. Të bie në sy se protagonistët e këtij libri janë masa e gjerë e zagoritëve, i çfarëdo rangu kulturoro – arsimor dhe që kanë shfaqur e demonstruar zgjuarsinë dhe intelektin zagorit; sigurisht jo vetëm në Zagorie, por kudo në Shqipëri e në botë. Atje do të gjejmë emrat e tyre që kontribuan e vunë gurë themeli në thesarët arsimorë, kulturorë, shkencorë e profesionalë në Shqipëri e në shtete të tjera, gjer tek ai punonjësi i thjeshtë zagorit që bëri, shfaqi e demonstroi një punë a një mendim intelekti me vlerë.
Pra, atje gumzhit intelekti zagorit, që nga ai i sferave të larta me vlera kombëtare e botërore, gjer tek mendimi i zgjuar e i mençur i atij fshatarit të thjeshtë. Atje bashkëjetojnë në harmoni të plotë, duke ruajtur individualitetin e sferave të tyre gjuhëtari, juristi, punonjësi i administratës, shkencëtari, piktori, oficeri, shkrimtari, muzikanti, këngëtari, inxhinieri, arsimtari, punonjësit e artit kulinar, poeti, aktori, bujku, çobani e tjerë, e tjerë. Shkurt atje përshkruhet me origjinalitet që nga ikonografitë me çmime botërore të piktorit Dhimo Dhima, gjer tek dylbitë e Kallo Qirjaqit, që nga studimet filologjike e gjuhësore të Filip Shabanit gjer te poetët popullorët “burri i vogël, moj kërcure, hidhe moj në djep e tunde…”i Lushit të Nakaj, që nga paketat ligjore të juristit Jorgji Çako, Perikli Shabanit e tjerë gjer tek avokati popullor Ndreko Deshe; që nga Nënkryetarët e Lidhjes së Prizrenit Mihal Harito e Jorgji Çako gjer tek kryetari i Komunës; që nga artistët e Artit Kulinar Dhimosten dhe Perikli Konomi gjer tek petanikët dhe ngastrat me dhallë të gruas zagorite; që nga oficeri i shkolluar në Akademinë “Modena” të Italisë Spiro Zheji gjer tek i shkolluari në akademi shqiptare Dhimitër Joanidhi; që nga krijuesi i administratës së gjendjes civile shqiptare Sokrat Dervishi gjer tek administratorët e thjeshtë të komunës; që nga kapedani Kiço Vlashi gjer tek kapedani trim intelektual Themo Vasi, që nga poeti dhe shkrimtari i madh Rilindjes Çajupi gjer tek shkrimtari i ditëve tona, autori i librit që promovojmë sot Kristaq F. Shabani e tjerë. Dhe krahasimet mund të vazhdonin pa mbarim. M’u desh t’i theksoja këto për të kuptuar se autori na përmend një mori pa fund figurash zagorite, disa prej të cilëve do të ishin të denja të zinin vendet plotësisht të merituara në “Fjalorin Enciklopedik Kombëtar”. Por siç e keni parë, janë harruar, janë injoruar, janë mohuar. U janë lënë shteteve të tjera të shkruajnë në enciklopeditë e tyre për ta, kurse në atë tonën, ose nuk shkruhet, pra janë mohuar këto vlera kombëtare ose për ndonjë në është shkruar, është shkruar aq keq, sa nuk e bëjnë dhe ata më keqdashësit e Shqipërisë. E theksoj këtë se në atë enciklopedi ka dhe zagoritë, që kanë shkruar duke u bërë autorë dhe bashkautorë të mohimit të këtyre vlerave. Më jepet rasti t’u them se ne presim që ata të reagojnë sot nëse e ndjejnë, përndryshe mbeten militantë të asaj se historia fillon kur lindi Partia… Por le të shpresojmë për më të mirën.
2. Tani natyrshëm vimë te pika që sapo përmendëm. Autori na e pasqyron shumë qartë se historia e mendimit intelektual zagorit është e lashtë, shumë e lashtë. Ajo nuk ndahet siç u bë këto 50 vjet: në atë para formimit të Partisë dhe në atë pas formimit të saj. Nuk përshkruhet me tendencën klasore dhe parimin shkatërrues të luftës së klasave. Intelekti e intelektualët e vërtetë nuk njohin klasa në armiqësi. Armiqësia dhe lufta ndaj njëri – tjetrit janë pjella të injorancës dhe të geneve kainiciane. Po të flisnim drejt në bazë të fakteve historike ai simbol figurativ i shqiptuar në kapakun e librit “zallet” “gorricat” dhe “rripat” do të simbolizonin mirë këtë periudhë të fundit, por nuk është momenti të flasim për këtë. Autori është treguar inteligjent që këto momente historike na i ka paraqitur me kulturë të lartë, duke gjetur pikat e përbashkëta të afrimit dhe tolerancës, duke na i lënë t’i nënkuptojmë të tjerat. Duke qenë se që në fillim informohemi me fjalën e parë se libri përmban “histori” dhe me që dhe ato “gorrica”, janë pjesë e historisë sonë, personalisht do të isha i mendimit që edhe ato duhet t’i përshkruajmë, të mos i kemi për turp t’i themi. Brezat duhet t’i dinë dhe nuk duhet t’i harrojnë se historia është filozofia e të mësuarit nga shembujt. Shembujt e shëmtuar në historinë e një vendi është mirë të mos ndodhin, por kur ndodhin, ngandonjëherë, sipas rastit, japin leksione shumë më të mira e shumë më të vlefshme se shembujt pozitivë.
3.Shkrimtari dhe publicisti i dëgjuar Henry James (1843 – 1916) ka thënë se: “Për të prodhuar një tregim të vogël duhet të merret një sasi e madhe lëndë nga historia”.
Z. Kristaq në veprën “Intelekt 2001…” më duket se e ka zbatuar këtë porosi me zotësi profesionale, thuajse në të gjitha shkrimet. Në renditjen e tregimeve dhe copëzave të veta apo të autorëve të tjerë, njëkohësisht qëllon në dy shenja: në atë historike dhe atë letrare e edukative. Ndonjë mund të kundërshtojë me argumentin se një vepër letrare nuk mund të pretendojë të citohet si një argument i një vepre të mirëfilltë zagorite. Ashtu është. Dhe konkretisht për veprën që prezantojmë sot mund të hapej një debat i gjerë në favor të asaj që një vepër letrare nuk mund të jetë e besueshme si një vepër historike, edhe pse përmban dhe është bazuar në këtë të fundit. Por unë në rastin konkret mendoj ndryshe dhe, jo vetëm kaq, por gjithë veprën, duke përfshirë edhe legjendat, guxoj t’i quaj një panflet historik të mendimit zagorit. Pa u zgjatur do të mundohem ta argumentoj me një shembull se edhe vepra letrare mund të përdoret për vlerat historike. Autori Kristaq Shabani përmend një ngjarje të vërtetë të pjesëmarrjes së juristit Jorgji Çako në konkursin e Akademisë franceze për përpilimin e paketës ligjore të administrimit juridik të kolonive franceze në Afrikë, në përshtatje edhe me traditat zakonore të tyre. Veprën ia përcjell Akademisë me një letër, të cilën e përfundon pak a shumë kështu: “Të nderuar zotërinj!… Ju lutem, të më falni, në se konstatoni ndonjë gabim në frëngjishten “time”… S’kam jetuar asnjë ditë në Francë…”. Akademikët mbetën të çuditur me këtë njeri që në këto kushte e dinte aq mirë frëngjishten me termat juridike, letrare, sindaktike, ndoshta dhe më mirë se shumica e intelektualëve e profesionistëve të shquar francezë. Prandaj dhe meritoi çmimin e parë.
Kësaj historie, të cilën z. Kristaq e njeh, besoj prej meje, nëpërmjet kujtimeve të babait tim që e kishte njohur të nderuarin Jorgji Çako personalisht dhe për të cilin më ka treguar disa ngjarje, i ka bërë një përpunim letrar dhe një kombinim historik, edhe me ligjin e turizmit të shtetit grek të hartuar nga juristi zagorit Perikli Shabani. Këto ligje, në të dyja vendet janë në fuqi dhe sot. Pra me që thelbi historik nuk humbet, ky tregim letrar mund të pranohet pa hezitim dhe për informacion historik.
Kështu është ndërtuar e gjithë vepra dhe kjo është një nga meritat e autorit, që na e bën këtë vepër kaq të ëmbël dhe të dashur. Kur një zagorit e merr në duar këtë libër për ta lexuar, nuk ndahet dot prej tij deri në fund. Jo vetëm mëson shumë gjëra, por sikur flet personalisht me gjithë zagoritët, të kulturës së lartë gjer tek ai më i thjeshti.
4. Kjo vepër, pra, “Intelekt 2001…”, sheh dritën e botimit në një periudhë që unë e mendoj se është shumë e trazuar dhe kritike, lidhur me mohimin dhe diskretitimin e disa figurave potenciale kombëtare. Këto figura janë ato që mbartin tradita shumë të rëndësishme të identitetit kombëtar. Gjatë pothuajse 60 vjetëve, pa përjashtuar edhe periudhën në të cilën jetojmë, të ashquajtur “tranzicion”, u qëllua rëndë nacionalizmi shqiptar. Ai u mohua duke qëlluar figura përfaqësuese kolosë të kombit si: Gjergj Fishta, Konica, Mit’hat Frashëri, Sejfulla Malëshova, Patër Anton Arapi, Lefter Nosi, Ali Asllani, Lasgush Poradeci, akoma e sfumuar figura e Çajupit, e shumë e shumë të tjerë. Kjo flamë antikombëtare erdhi deri në trevën tonë duke mohuar e persekutuar figura të tilla si: Jorgji Çako, Aristidh Ruci, Petro Harito, Kosta Marko, Dhespoti i Hoshtevës, Sokrat Dervishi, Spiro Zheji e sa e sa të tjerë. Nuk e tepëroj po t’ju them se sot në Shqipëri ka shpërthyer një valë antikombëtare, në injorim dhe minimizim të veprës së ndritur të disa kolosëve të Kombit shqiptar. Kështu p.sh. Nolin na e përshkruajnë si një shkatërrues të shtetit dhe të institucioneve shtetërore, si një komunist, si një nxitës e udhëheqës i revolucionit bolshevik në Shqipëri, si një njeri që ka shitur interesat e Kombit tek Italia Fashiste për pesë kacidhe, si hajdut veprash, si një person antikanonik në krijimin e kishës Autoqefale Shqiptare, si një person që ka vlerë vetëm si prift. Për Luigj Gurakuqin, pasi vënë në dyshim figurën morale të tij, shkruajnë dhe thonë se vlera e tij qëndron vetëm si arsimtar, pra si mësimdhënës. Për Bajram Currin thonë se ka vlera vetëm si luftëtar, veç të tjerave. Ndërsa për Isa Boletinin është si njeri i lidhur me jugosllavët, Avni Rustemi cilësohet si atentator e vrasës, e tjera. Të tilla shkrime kobzeza sot janë me okë. Populli shqiptar, që për 50 vjet është mbajtur në errësirë për të njohur të vërtetat e tij historike, është çorientuar dhe çoroditur për identitetin e tij kombëtar. Qëllimi është i qartë: çkurorëzimi i Shqipërisë nga kolosët e tij të mendimit, mbytja dhe fshirja e ndjenjës nacionale me qëllim çpersonalizimi të shqiptarëve, rezultat e të cilëve sot, fatkeqësisht, nuk është vështirë t’i kuptosh menjëherë. Tema është shumë e gjerë dhe nuk dua të zgjatem më tej; vetëm dua t’ju them se nacionalizmi që ata të djeshmit dhe këta të sotmit e quajnë mëkat, është shkencë dhe rruga e shkencës është e vetmja rrugë e së vërtetës dhe përparimit. E ashquajtura shoqëri civile është vetëm një aspekt i kësaj shkence pa të cilën mbetet një çorbë bajate, e rrezikshme, çorientuese dhe e dëmshme. Që nga flamuri i çdo kombi dhe gjer tek elementët e shoqërisë civile, të gjitha pa përjashtim, janë pjesë të asaj shtylle kurrizore që quhet nacionalizëm.
Na u desh t’i thoshim këto që t’ju tregoj se, Z. Shabani duke vjelë nga treva e Zagorisë legjenda, histori, art, kulturë, mendime e punë serioze në shkencë, ushtri, në profesione të ndryshme, në mendimin filozofik, juridik, tradicional zakonor, sociologjik dhe duke na i dhënë ato si prodhime të një mase të gjerë zagoritësh me emra konkretë, s’ka bërë gjë tjetër, veç ka ngjallur e ka ngritur lart ndjenjën e nacinalitetit tonë, krenarinë për vendin tonë, dashurinë për të. Në këtë mënyrë ai ka vënë një gur të çmuar në atë murin tashmë të rrënuar, në atë shkencën e quajtur nacionalizëm, të cilën disa sharlatanë të shitur duan të na i paraqesin si karakatinë të dëmshme të një epoke të kaluar. Këtyre pseudomodernëve do t’u sugjeroja të studionin mirë këtë shkencë që merr fillimin e vetë që kur të tre bijtë e Noes zbritën nga varka e tyre, mbas përmbytjes së madhe dhe u përhapën me nacionet dhe gjuhën e tyre në të gjithë Botën. Që atëherë kanë kaluar mijëra vjet dhe kjo shkencë ka përballuar kohën dhe ka kaluar provat. Ajo është shtylla kurrizore e qëndrimit në këmbë të çdo kombi, ndryshe vendi kthehet në një plastelinë që e shtyp, e deformon dhe e copton kushdo. Mirëpo tradhtarët dhe sharlatanët nën emrin e “modernes” duan të mohojnë në Shqipëri, në një kohë që askush në botë nuk e bën këtë. Askush nuk e pranon që shkencat vjetërohen, vdesin, Jo! Ato vetëm zhvillohen, përparojnë dhe pasurohen me elementë dhe ligje të reja dhe Z. Shabani e ka dhënë këtë kontribut. Për një vepër të tillë edhe në aspektin, që sapo treguam duhet ta falenderojmë Z. Shabani.
Të nderuar zonja e zotërinj! Mund të vazhdoja me analiza më të gjata dhe më të hollësishme për veprën se ajo ka një brumë të tilla që sado të flasim, prapë mbetet, diçka për të thënë. Veç kësaj vepra është ndërtuar në një mënyrë të tillë që të lë shtigje për të analizuar nga shumë drejtime. Unë zgjodha më të pëlqyer këtë, që po parashtroj e mendoj se kam prekur ato që janë më kryesoret.
Disa gabime dhe mungesa që duhen eliminuar
Le të themi edhe për nja dy gabime e mungesa që unë mendoj se bien në sy dhe nuk duhet të kishin ndodhur.
Në faqen 43 thuhet se Evien Peri është nga Sheperi. Nuk është ndonjë gabim i madh, por fundja edhe Sheperi në Zagorie është, por për saktësi e vërtetësi historike, e vërteta nuk është kështu.
Ndërsa në faqen 84 të librit shkruhet: “Andrea Marko, apo Kostika i famshëm evidentohet si një nga diamantet e fushës ekonomike me origjinë nga Hoshteva. Ai ka qenë Ministër i Financave në Qeverinë Kuislinge. Deri këtu kemi të bëjmë me një të vërtetë histroike. Po më poshtë autori vazhdon: ”Në kohën e mëpastajme është aktivizuar nga qeveria e Shehut për probleme ekonomike në sajë të profesionalizmit dhe të teknicizmit të tij në fushën ekonomike”. Kjo thënie është jo vetëm një falsitet historik, por për rregjimin e Hoxhës edhe të Shehut, gjithë përmbajtja e kësaj fraze është një “nonsens”. Besoj jeni të bindur, pa qenë nevoja të japim shembuj, që janë me mijëra se Shehu po ta kishte gjetur gjallë Kostikën do ta piqte në hell si Ali Pasha Caush Hormovën, e jo më ta aktivizonte për probleme ekonomike në sajë të profesionalizmit e teknicizmit të tij. Por Kostika ishte me fat se vdiq më 1943, duke ia bërë të gjitha nderimet dhe nuk arriti dot të “shijonte” frutet e profesionalizmit dhe teknicizmit të tij nga Shehu dhe rregjimi i tij. Ali Qopeku i parë, siç thotë Noli, ishte nga një soj i veçantë qeni (qopek, turqisht, do të thotë qen) që nuk i duheshin njerëzit e ditur dhe të aftë, por ata që ishin besnikë të Partisë. Madje të aftit e të shkolluar në Evropë të viteve ‘20-30 e 40 Hoxha dhe Shehu i eliminuan, i burgosën ose i mbështetën diku fermave. Ua dontë puna që çobanin e dhive të Kalivaçit, ta bënin ministër dhe jo modelet e Kostikës, që vërtet ishin brilante, por u vrisnin sytë, se vetë vinin nga honet e errësirës. Shembuj të tillë ka me mijëra, ndaj të cilëve historia jonë hesht.
Zoti Shabani me një “deus ex machina” të tillë, mbase kërkon të na bindë për një vazhdueshmëri të “butë” për një preferencë të atij pushteti ndaj aftësive profesionale dhe kulturës, por e vërteta historike nuk ëhtë kështu. Gjëja e fundit që analizohej e që mund, në ndonjë rast, të merrej në konsideratë ishin kultura dhe aftësia profesionale. Jo rrallë herë këta faktorë i hanin kokën dhe atij që i kishte. Shkruesi i këtyre radhëve i ka hequr në kurrizin e vet, gjer në ndalimin e të drejtës së ushtrimit të profesionit. Ja dhe pse vendosja e titullit ireal “Kandidat i shkencave kimike” m’u duk një shaka e neveritshme e pështirë. Ne ishim të privuar nga tituj të tillë. Kriteri i parë dhe bazë për të merituar një titull ishte kredia politike. Ne duhet të punonim dhe me punën tonë të titulloheshin të tjerë. I përmenda këto që, kur të lexoj ndonjeri historinë e të ndjerit Kostika, apo të ndonjë tjetri të ngjashëm, të mos krijojë iluzione.
Kur 2000 vjet më parë Jezusi propagandonte fjalën e Zotit te njerëzit, në sheshe dhe sinagoga, thoshte: “ Mençuria është provuar e drejtë nga veprat e saj (Mateu, Ilia). Nuk besoj se ka zagorit që të ketë minimumin e pragut të mençurisë dhe të mendojë se veprat tona i kemi bërë gjithmonë të mira. Përkundrazi! Ja pse në historinë e vërtetë janë të domosdoshme të thuhen edhe “zallet” edhe “gorricat” edhe “rripat”. Ne ia sugjerojmë z. Shabani t’i ketë në konsideratë këto të dhëna, kur të shkruaj volumet e tjera.
Më në fund është edhe një vërejtje e vogël: Shumë figurave e të cilëve përmenden në ndonjë ravijizim të zbehtë të dimensionit të tyre intelektual, kulturor dhe profesional, do të ishte mirë t’u portretizohej mirë figura, ndërkohë, p.sh. që mund të mos ishte e nevojshme në këtë libër që, figura e Filip Shabanit, të mbulonte rreth 1/3 e librit. Ndoshta për figura të tilla, ku vlera intelektuale merr dimensione më të mëdha, monografitë do të ishin më të përshtatshme. Megjithatë, jam i bindur se e drejta e shkrimeve të autorit nuk mund të diktohet.
Një sentencë përfundimtare
Më në fund kam dëshirë ta përfundoj fjalën time me një thënie të filozofit Bacon: “Njerëzit dinakë i përçojnë studimet, njerëzit e thjeshtë i admirojnë ato, ndërsa njerëzit e mençur i përdorin ato” dhe unë ju them: “Merreni në dorë librin “Intelekt 2001…” dhe lus të bëni pjesë në kategorinë e njerëzve të mençur.
Të faleminderit, Kristaq F. Shabani!
Ju faleminderit edhe juve që më dëgjuat!
- Askush më nuk është i sigurt nga hakerët kinezë
- Kur është bërë inçizimi i parë i fjalës shqipe?
- Bojken Abazi: kush është shqiptari i parë që u cilësua “non grata” nga qeveria e Prishtinës
- Bota eshte me ngjyra, por realiteti eshte bardhe e zi.
- Fat madhor që Letërsia shqiptare ka një krijues të tillë përmastor … nga Kristaq F. Shabani
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
|
|