Forumi Zëri YT!
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
nardlushnja
nardlushnja
Anëtar i vlerësuar
Anëtar i vlerësuar
Regjistruar : 05/02/2008
Postime : 1232
Points : 16
Reputacioni : 14
Medalje Medalje2 Medalje3

Historia e Shqipërisë - Pushtimi Turk Empty Historia e Shqipërisë - Pushtimi Turk

21st February 2008, 18:13
Historia e Shqipërisë - Pushtimi Turk






Rënia e Kalave të Fundit
Pasi shtiu në dorë Krujën, sulltan Mehmeti i II, dërgoi menjëhere në Shkodër bejlerbeun e Rumelisë Daut Pashën dhe atë të Anadollit Sulejman Pashën së bashku me ushtritë e tyre, të cilët e rrethuan menjëherë kështjellën. Sulmet turqve filluan më 22 qershor 1478. Më 2 korrik erdhi edhe pjesa tjetër e ushtrive turke bashkë me sulltan Fatihun, i cili e vendosi kampin në fushën e Shtojit. Shkodra si dhe më parë Kruja, ishte e rrethuar tashmë nga të katër anët nga një ushtri e madhe turke që numëronte lart nga 200 mijë vetë. Turqit derdhën në vend një numër të madh topash "përbindsha " siç i quajnë kronistët turq, njëri prej të cilëve hidhte gjyle prej 600 kg. Kalaja e Rozafatit u bombardua pa ndërprerje, më tepër se një muaj. Deri më 27 korrik kundër saj turqit hodhën 506 gjyle. Nën efektin e predhave, kalaja u ça në mjaft vende dhe turqit mundën të depërtonin deri brënda në muret. Por mbrojtësit, duke luftuar gjoks me gjoks, i zprapsën. Krah për krah me burrat, për mbrojtjen e kalasë luftuan edhe gratë e qytetit.
Aty nga fundi i korrikut. sulltani dha urdhër që të ndërmerrej me të gjitha forcat një sulm i madh dhe i përgjithshëm. Sulmi zgjati gjithë ditën dhe u kushtoi turqve 12 mijë të vrarë, por nuk u dha fryt.
Pas dështimit të këtyre sulmeve, Fatihu vendosi të pushtonte tri kalatë që siguronin krahët e Shkodrës, Lezhën, Drishtin dhe Zhabjakun, me qëllim që ta izolonin dhe ta detyronin Republikën e Venedikut të tërhiqej. Së pari turqit iu drejtuan kalasë së Zhabjakut e cila u dorëzua pas një qëndrese të shkurtër. Pastaj ata iu drejtuan Drishtit ku banorët e qytetit bënë një qëndresë të rreptë. Në fillim të shtatorit turqit e shtinë në dorë këtë kala të dytë. Banorët e Drishtit u shpunë të gjithë nën muret e Rozafatit dhe aty u therën për të demoralizuar mbrojtësit trima të Shkodrës. Pastaj ushtritë turke iu drejtuan Lezhës, të cilën e morën me lehtësi pasi komandanti venedikas e braktisi pa luftuar duke i vënë zjarrin qytetit. Sulltani e shtërngoi edhe më tepër bllokimin e Shkodrës, duke ndërtuar anës lumit, prej nga ajo komunikonte fshehurazi, kulla të fortifikuara.

Me afrimin e vjeshtës gjëndja e turqve po bëhej më e vështirë. Një ushtri kaq e madhe nuk mund të dimëronte në fushë të hapur. Nga viset e rrethit të Shkodrës po shtoheshin për ditë sulmet e malsorëve. Në këto kushte sulltani vendosi të largohej nga Shkodra. Më 7 shtator 1478, ai u nis së bashku me pjesën kryesore të ushtrisë duke lënë në Shkodër Ahmet Bej Evrenozin që ta vazhdonte rrethimin edhe gjatë dimërit.

Shkodranët i kërkuan ndihma në armë, ushqime dhe njerëz senatit të Venedikut. Por republika e tregëtarëve të Venedikut duke parë se vazhdimi i luftës i kushtonte shtrenjtë dhe nuk kishte asnjë shpresë fitimi, shpejtoi bisedimet për paqë me sulltanin. Më 25 janar 1479 u nënshkrua më në fund në Stamboll paqa turko-venedikase, në bazë të së cilës Shkodra, Lezha e Drishti i kalonin Turqisë, kurse Durrësi, Ulqini e Butrinti i mbeteshin si dhe më parë republikës.

Kështu Shkodra e cila vazhdonte të mbrohej heroikisht, u detyrua të dorëzohej kundrejt së drejtës që mbrojtësit e saj të largoheshin lirisht, me armët dhe kamjen e tyre. Për të mos rënë nën skllavërinë e urryer të turqve, banorët e fundit të qytetit, braktisën atdheun dhe mërguan në Venedik.

Mbrojtja heroike e Shkodrës pati një jehonë të gjërë në vendet e ndryshme të Evropës. Ajo u përjetësua në një varg kronikash dhe veprash artistike të kohës. Piktori i madh i Rilindjes, Paolo Veroneze, i kushtoi "Mbrojtjes së Shkodrës" një nga kryeveprat e tij që ndodhet në pallatin e dikurshëm të dogjëve, në Venedik..

Me përjashtim të Durrësit dhe Ulqinit, qytetet e Shqipërisë ranë më në fund në duart e Fatihut, i cili e kaloi gjithë jetën e tij në luftë kundër shqiptarëve. Ky vend shënon kronisti turk Idriz-i Bitlisi që i pa i shkaktuar kaqë brenga dhe mundime Fatihut, qysh ditën që hipi në fron u bë më në fund, nga mbarimi i jetës së tij, krejt tokë turke. Megjithatë, Shqipëria nuk ishte pushtuar akoma krejtësisht nga turqit. Krahinat malore vazhdonin të ishin gjithnjë të lira. Këtu rezistenca shqiptare akoma nuk ishte shtypur.
nardlushnja
nardlushnja
Anëtar i vlerësuar
Anëtar i vlerësuar
Regjistruar : 05/02/2008
Postime : 1232
Points : 16
Reputacioni : 14
Medalje Medalje2 Medalje3

Historia e Shqipërisë - Pushtimi Turk Empty Re: Historia e Shqipërisë - Pushtimi Turk

21st February 2008, 18:17
Regjimi i Timareve

Me pushtimin e qyteteve të fundit të Shqipërisë dhe pasi siguruan paqen me venedikasit, turqit filluan të rivendosnin në krahinat e nënshtruara rishtas regjimin e tyre të timarëve. Para së gjithash ata bënë një organizim të ri administrativ në Shqipëri. Pranë sanxhakut të Vlorës dhe të Elbasanit, u krijua edhe një sanxhak i ri me qendër në Shkodër, në kufijtë e të cilit, u përfshinë viset Shqipërisë veri-perëndimore (krahina e Shkodrës, Lezhës dhe Malsisë së Madhe). Më 1499 sanxhakut të Shkodrës iu dhanë edhe krahinat e Malit të Zi që ishin pushtuar prej turqve katër vjet më parë. Në fillim të shek. XVI sanxhakut të Shkodrës iu dhanë edhe krahinat Kosovës e Rafshit të Dukagjinit. Kruja me Matin dhe krahinat lindore të Shqipërisë u përfshinë në sanxhakun e 0hrit. Me këtë organizim, sundimtarët turq hoqën dorë nga politika e mëparëshme për t'i grumbulluar të gjithë krahinat shqiptare në një sanxhak të vetëm. Në vend të sanxhakut të dikurshëm të Shqipërisë, tani teritoret shqiptare u ndanë midis 4 sanxhaqeve të ndryshëm.

Megjithatë turqit nuk mundën të vendosnin dot autoritetin e tyre në të gjitha krahinat e vendit. Krahinat malore të Pultit, Dukagjinit, Pukës, Mirditës, Himarës, etj. mbetën edhe këtë radhë jashtë kontrollit të tyre.

Pas riorganizimit administrativ eminët turq kryen brënda viteve 1482-1485 përsëri regjistrimin e tokave në regjistrin e hollësishëm. Ky regjistrim bëhej për të parën herë në viset e sanxhakut të Shkodrës dhe në disa krahina të sanxhakut të Ohrit. Turqit me anën e garnizoneve të shumta që mbajtën në Shqipëri, e vendosën regjimin e tyre feudal ushtarak, në pjesën më të madhe të vendit.

Megjithatë, turqit osmanllij nuk e vendosën dot plotësisht regjimin e tyre të timareve në krahinat e nënshtruara. Ata ndeshën këtu në rezistencën e fshatarëve, të cilët në disa raste as nuk i lejuan eminët turq të bënin regjistrimin e tokave të tyre. Në disa fshatra ku turqit e bënë regjistrimin me anën e forcës ushtarake, fshatarët i dëbuan spahijtë sapo u larguan ushtritë turke. Rezistenca e gjatë që vazhdoi në këto krahina, i detyroi turqit të hiqnin dorë përkohësisht nga përpjekjet e tyre për t'i kthyer fshatarët malsorë në raja. Për të mos e acaruar urrejtjen e këtyre malsorëve trima, qeveritarët turq i deklaruan ata fshatarë-jyrykë, duke i ngarkuar vetëm me pagesën e haraçit në dobi të sulltanit. Malsorët e Kelmendit, të cilët refuzuan për 12 vjet me radhë të lejonin regjistrimin e tokave, u ngarkuan më 1497 të paguanin "kuturum" për çdo fshat, njëmijë akçe në vit haraç për spahiun dhe një mijë akçe haraç në vit ispenxhë për sanxhakbeun. Por edhe këto detyrime fshatarët nuk pranuan t'i paguanin. Ata i dëbuan spahijtë dhe u bashkuan me luftën që malsorët e krahinave të lira e vazhduan edhe pas rivendosjes së pushtimit turk.
nardlushnja
nardlushnja
Anëtar i vlerësuar
Anëtar i vlerësuar
Regjistruar : 05/02/2008
Postime : 1232
Points : 16
Reputacioni : 14
Medalje Medalje2 Medalje3

Historia e Shqipërisë - Pushtimi Turk Empty Re: Historia e Shqipërisë - Pushtimi Turk

21st February 2008, 18:17
Espedita Turke në Otranto

Sulltan Mehmeti i II, pasi shtiu në dorë kalatë e fundit në Shqipëri dhe siguroi paqen me Republikën e Shën-Markut, po atë vit (1479), ngarkoi gjeneralin e vet Gjedik Ahmet Pashën, të cilin e kishte nxjerrë nga burgu, të fillonte përgatitjet për të realizuar ëndërrën e tij të vjetër, pushtimin e Romës dhe të Italisë. Bazë e përgatitjeve për ekspeditën në Itali u caktua sanxhaku i Vlorës. Që këtej, pas një viti përgatitjesh dhe me ndihmën financiare të Venedikut, në pranverën e vitit 1480, rreth 10 mijë ushtarë turq, me Gjedik Ahmet Pashën zbarkuan në Itali kundrejt Vlorës, në tokat e Mbretërisë së Napolit, dhe pas një rrethimi të shkurtër, më 11 gusht 1480 pushtuan keshtjellën e Otrantos. Zbarkimi i turqve në Itali, tronditi gjithë Evropën e krishterë. Per t'i bërë ballë rrezikut turk, u formua nën kryesinë e mbretit të Napolit por pa pjesëmarjen e Venedikut, një koalicion evropian.

Ekspedita turke në Itali, vuri në lëvizje dhe shqiptarët, të cilët të organizuar në çeta filluan të sulmonin garnizonet dhe karvanet e turqve. Gjatë vjeshtës së atij viti kur Gjedik Ahmet Pasha me gjithë përpjekjet e tij, nuk mundi të pushtonte kështjella të tjera dhe kur ushtritë e koalicionit filluan veprimet ushtarake kundër turqve të rrethuar në Otranto, shqiptarëve u lindi shpresa për t'u çliruar nga zgjedha otomane. Nga ana tjetër, mbreti i Napolit, Ferdinandi, aleati i vjetër i Skënderbeut, filloi të interesohej për rritjen e lëvizjes së armatosur në Shqipëri, pasi kjo ndodhej në prapavijat më të afërta të ushtrive turke. Rifilluan kështu kontaktet midis shqiptarëve dhe Mbretërisë së Napolit.

Gjatë dimrit turqit përgatitën një ushtëri të re për ta dërguar në Itali sapo të vinte pranvera e vitit 1481. Por në maj, vdiq sulltan Mehmeti i II, dhe në Turqi plasi lufta për fron, midis dy djemve të tij, Bajazitit dhe Xhemit. Nga kjo luftë e brëndëshme, ekspedita në Itali u pezullua. Pasi siguroi fronin, Bajaziti, e ktheu vëmendjen nga Italia. Këtë radhë si komandant i ekspeditës, u ngarkua bejlerbeu i Rumelis Sulejman Pashë Eunuku.

Shqiptarët përfituan nga kriza politike që shpërtheu në Turqi. Ata u ngritën në masë, rrethuan qytetet dhe vunë në rrezik garnizonet turke në Shqipëri. Kjo e detyroi Sulejman Pashë Eunukun që të përdorte një pjesë të ushtrive të tij për të forcuar mbrojtjen e qyteteve. Por veprimet e shqiptarëve, me gjithë sukseset që arritën qenë të paorganizuara dhe të palidhura midis tyre. Kryengritësit ndjenin nevojën për një udhëheqje të vetme. Sytë e shqiptarëve u drejtuan te Gjon Kastrioti, si trashëgimtar legjitim i Skënderbeut
nardlushnja
nardlushnja
Anëtar i vlerësuar
Anëtar i vlerësuar
Regjistruar : 05/02/2008
Postime : 1232
Points : 16
Reputacioni : 14
Medalje Medalje2 Medalje3

Historia e Shqipërisë - Pushtimi Turk Empty Re: Historia e Shqipërisë - Pushtimi Turk

21st February 2008, 18:18
Kthimi i Gjon Kastriotit


Gjon Kastrioti, qysh se mërgoi i vogël nga Shqipëria, ndodhej në Itali, në Mbretërinë e Napolit, pranë feudeve që Ferdinandi i kishte dhuruar Skenderbeut; më 1480, kishte hyrë në radhët e ushtrive napolitane dhe luftonte kundër ushtrive turke në Otranto. Një delegacion shqiptarësh nis në Napoli dhe iu lut mbretit Ferdinand ta lejonte dhe ta ndihmoníe Gjon Kastriotin të kthehej në Shqipëri. Dhe kështu nga fundi i korrikut 1481, Gjon Kastrioti, i shoqëruar prej disa kapedanësh dhe pak ushtarësh të tij, bashkë me armë, mjete lufte dhe me katër galere që i vuri në dispozicion Ferdinandi, zbarkoi në jug të Durrësit. Në Shqipëri, Gjoni, sapo zbriti, u njoh nga kryengritësit shqiptarë, si udhëheqës dhe princ i tyre. Me ardhjen e tij, kryengritja u përhap edhe më tepër. Për të shtypur levizjen, Sulejman Pashë Eunuku, i cili me cilësinë e tij si bejlerbej i Rumelisë, kishte ardhur në Vlorë me ushtri të shumta për luftë kundër Italisë, nisi kundër Gjon Kastriotit, disa reparte ushtarësh turq, por në përpjekjen që u zhvillua midis Vlorës e Durrësit, ushtarët e pakët të Gjon Kastriotit u thyen keq.

Disfata ia lëkundi këtij besimin në suksesin e kryengritjes, prandaj vendosi të kthehej në Itali. Por masa e kryengritësve sikurse shënon një kronist i këtyre ngjarjeve, nuk e la. Rreth tij u grumbullua një ushtri e madhe shqiptarësh prej 6.000 këmbësorësh dhe 400 kalorësish, në krye të tyre Gjon Kastrioti, në një ditë të gushtit 1481 u doli përpara turqve dhe korri kundër tyre një fitore të shkëlqyer.

Luftime u zhvilluan edhe në bregdetin Shqipërisë. Pasi zbarkuan Gjon Kastriotin dhe ushtarët e tij, të 4 galeret napolitane nën komandën e stradiotit (Stratiot, quheshin kalorësit e lehtë shqipëtarë e grekë, të cilët për të shpëtuar nga zgjedha turke, kishin mërguar nga vëndet e tyre dhe kishin hyrë në shërbim të fuqive evropiane që ishin armiq të turqisë) arbëresh nga Moreja, Krokondil Kladaj, filluan veprimet gjatë bregdetit në drejtim të Vlorës deri sa arritën përpara Himarës. Me dukjen e tyre përpara bregdetit, himarjotët nën udhëheqjen e Kostandin Muzakës sulmuan turqit dhe së bashku me galeret rrethuan nga toka e nga deti kështjellën e Himarës e të Sopotit (Borshit).

Në ndihmë të ushtrive turke të rrethuara në Himarë, u nis vetë Sulejman Pashë Eunuku, bashkë me 3.000 ushtarë. Por rrugës turqit u shpartalluan krejtësisht, duke lënë 1.000 vetë të vrarë e robër, midis robërve ishte edhe vetë Suljeman Pashë Eunuku, të cilin më vonë himariotët ia dhanë si plaçkë të vyer lufte Gjon Kastriotit dhe ky nga ana e tij ia dhuroi mbretit të Napolit. Pas fitores më 31 gusht 1481, Himara u çlirua, disa ditë më vonë u çlirua edhe kështjella Sopotit. Më 10 shtator 1481, dhjetë ditë pasi u çlirua Himara, ushtritë e dukës së Kalabrisë , duke përfituar nga telashet e turqve në Shqipëri, ua morën atyre Otranton.

Me këto suksese, shqiptarët dhanë një kontribut në dëbimin e turqve nga Italia dhe njëkohesisht çliruan një pjesë të madhe të Shqipërisë. Viset e çliruara e njohën si princ Gjon Kastriotin. U rimëkëmb kështu pjesërisht principata e lirë shqiptare.

Principata shqiptare e mëkëmbur ishte shumë e dobët. Vendi i rënuar nuk kishte burime për ta mbajtur në këmbë luftën e vazhdueshme. Qytetet e Shqipërisë qenë të gjitha në duart e garnizoneve turke e venedikase. Veç kësaj, Perandoria Otomane, me ushtrinë e saj të madhe, ishte shumë më e fuqishme se principata shqiptare e dërmuar dhe e copëtuar, pa një ushtri të organizuar, pa mjete lufte. Sulltani futi pastaj në veprim dhe feudalët renegatë shqiptarë të lidhur pas turqve, për të mbjellë përçarje në radhët e shqiptarëve. Më 1482 kryengritja në Shqipërinë e jugut duket se u shtyp, pasi këtë vit turqit ribënë edhe nje herë regjistrimin e tokave të sanxhakut të Vlorës, me përjashtim të krahinës së Himarës. Në vitin 1483, Mbretëria e Napolit bëri paqë me turqit dhe populli shqiptar mbeti përsëri i izoluar pa një aleat të jashtëm. Kështu tërë pesha e ushtrive turke të grumbulluara në Shqipëri ra mbi popullsinë shqiptare. Ushtritë turke i vazhduan operacionet gjatë viteve 1482-1485, pas luftimesh të ashpëra arritën të ripushtonin në verën e vitit 1484, kështjellën e Himarës, kurse sundimin në krejt Shqipërinë mundën ta rivendosnin vetëm në vitin 1485. Edhe Gjon Kastrioti u detyrua të largohej nga Shqipëria dhe të vendosej përsëri në Itali. Më 1485 turqit bënë gjithashtu edhe regjistrimin e tokave të sanxhakut të Shkodrës.
nardlushnja
nardlushnja
Anëtar i vlerësuar
Anëtar i vlerësuar
Regjistruar : 05/02/2008
Postime : 1232
Points : 16
Reputacioni : 14
Medalje Medalje2 Medalje3

Historia e Shqipërisë - Pushtimi Turk Empty Re: Historia e Shqipërisë - Pushtimi Turk

21st February 2008, 18:19
Kryengritja e Himarës (1472)


Megjithëse kryengritja u shtyp, turqit ndeshën, gjatë regjistrimit të tokave, në rezistencën e armatosur të malsorëve shqiptarë. Në disa nga këto krahina, rezistenca mori përpjestime të mëdha. Njëra nga këto, ishte krahina e Himarës. Krahina e Himarës, përfshinte në shek. XV, viset jug-perëndimore të Shqipërisë, krahinat e sotme të Himarës, Kurveleshit dhe Tepelenës, një zone prej afërsisht 50 fshatrash, në pjesën më të madhe fshatra malore. Pasi nuk mundën ta thyenin rezistencen e himarioteve, sundimtarët turq u munduan t'i nënshtronin ata me anën e bujarëve shqiptarë renegatë. Një nga këta renegatë, Komjan Arianiti, ndodhej në oborrin e Sulltanit dhe pretendonte të vendoste sundimin e vet në viset e dikurëshme të Arianitëve, nën hijen e sulltanit. Sulltani e dërgoi këtë renegat në Himarë me titullin sanxhakbej, por himariotët nuk e pranuan dhe në fillim të vitit 1486, pasi e kapën të gjallë, e vranë dhe filluan kështu kryengritjen e armatosur.

Për të shtypur kryengritjen sulltani nisi atë vit për në Shqipëri ushtri të reja turke, nën komandën e dhëndërit të tij, Sinan Pashës, por ky nuk mundi ta shuante lëvizjen. Më 1488 kryengritja u përhap edhe në Shqipërinë e mesme. Këtë vit, në luftime me turqit, shqiptarët korrën disa fitore të rëndësishme dhe çliruan një pjesë të madhe të vendit. Për t'i grumbulluar krahinat e çliruara në një principatë, kryengritësit shqiptare dërguan përsëri një delegacion në Itali për të thirrur Gjon Kastriotin. Për ardhjen e tij në Shqipëri këtë radhë, burimet historike nuk janë të sigurta. Kryengritja vazhdoi deri më 1492. Gjatë këtyre viteve kontrolli i turqve u kufizua vetëm rreth kështjellave ku ndodheshin garnizonet ushtarake.

Në verën e vitit 1492 ushtritë turke të kryesuara nga vetë sulltan Bajaziti i II, u nisën nga Sofia në drejtim të Shqipërisë dhe duke kaluar përmes Manastirit dhe luginës se Shkumbinit, u vendosën në krahinen e Tepelenës, Gjirokastrës dhe Sarandës. Njëkohësisht flota turke arriti në brigjet e Himares. Synimi i turqve ishte t'i merrnin Venedikut ishullin e Korfuzit dhe pastaj të zbarkonin përsëri në Itali, si më 1480, në tokat e Mbretërisë së Napolit. Por Venediku dhe Napoli morën masa të shpejta dhe sulltan Bajaziti u detyrua të hiqte dorë nga synimet e tij dhe të përsëriste paqen e mëparëshme me to.

Me ardhjen e ushtrive turke, himariotët filluan sulmet kundër tyre, sidomos kundër karvaneve që furnizonin ushtrinë turke. Sulltan Bajaziti vendosi që para se të kthehej në Stamboll të nënshtronte me anën e një operacioni ushtarak popullsine e kësaj krahine që vazhdonte të mos e përfillte autoritetin turk.

Sulmi i turqve filloi në korrik të vitit 1492. Pasi shtinë në dorë kështjellat e Himarës dhe Sopotit, pashallarët e sulltanit kërkuan të hynin në viset e brëndëshme duke shfarosur himariotët. Por himariotët, sikurse vepronin gjithnjë në raste të tilla, i lanë vendet e pambrojtura dhe bashkë me pleqtë, gratë dhe fëmijët u grumbulluan në malet e Labërisë. Që nga lart ata lëshonin mbi ushtarët turq shkëmbinjtë e malit. Armët e tyre ishin shtizat në trajtën e gjuhës së gjarpërit, të cilat i hidhnin me dorë, dhe harqet të punuara në dru, me të cilat lëshonin shigjeta me majë të hekurta, të mprehta e të helmatisura.

Pas sulmesh të vazhdueshme, turqit i detyruan himariotët të përqëndroheshin në dy maja mali. Njëri grup me gjithë rezistencën heroike u shtërngua të dorëzohej. Turqit pranuan marrëveshjen për t'i lënë himariotët të lirë të iknin. Por marrëveshjen e shkelën dhe mbi himariotët e dorëzuar bënë kërdinë, burrave ua prenë këmbët e duart dhe pastaj i hodhen tatëpjetë malit. Gratë e fëmijtë që gjetën në atë mal, afro 8.000 vetë, i nisën si skllevër për në Vlorë.

Turqit u përpoqën të asgjësonin edhe rezistencën që vazhdoi në malin tjetër. Luftimet vazhduan deri në fund të gushtit i pa asnjë rezultat për turqit. Afrimi i vjeshtës dhe shpenzimet e mëdha që kryente perandoria për të mbajtur një ushtri të madhe në këmbë kundër një pakice shqiptarësh e shtërnguan Sulltan Bajazitin e II, të kërkonte një marrëveshje me himariotët. Në fillim himariotët pranuan pasi ky u premtoi atyre një sërë privilegjesh të njohura nga tradita me emrin "venome". Në bazë të marrëveshjes, sulltani do ta linte autonome këtë krahinë dhe nuk do të dërgonte qeveritarë turq, himariotët fitonin të drejtën të qeverisnin vendin e tyre, si edhe më parë, në bazë të kanuneve tradicionale, të krijonin gjyqet e tyre dhe të mbanin lirisht armët. Si shpërblim himariotët zotoheshin të mos ngrinin krye dhe të paguanin vetëm haraçin si shënjë bindjeje.

Marrëveshja e lidhur me Sulltanin ishte në favor të himariotëve. Me venomet që morën, ata larguan rrezikun e vendosjes së qeveritarëve turq dhe të sistemit të timareve e zameteve në krahinën e tyre.

Venomet që u njohu himariotëve, sulltani nuk i respektoi gjithnjë. Por sa herë që turqit i cënonin ato, himariotët rrëmbenin armët dhe hidheshin në kryengritje, turqit detyroheshin përsëri t'u akordonin privilegje të cilat kishin gjithnjë si bazë kushtet e caktuara në marrëveshjen e vitit 1492. Nga ana e tyre edhe himariotët, pagesën e haraçit, megjithëse e premtuan shpesh herë nuk e paguan ose kur e paguan ua dhanë turqve në sheshin e jataganit që do të thoshte se ata nuk ishin raja por të nënshtruar duke ruajtur të drejtën t'i mbanin armët në krahë. Këto venome himariotët i ruajtën për shekuj me radhë.

Pas marrëveshjes me himariotët, sulltani me një pjesë të ushtrisë së tij u largua nga Shqipëria, pjesa tjetër zhvilloi luftime në krahinat e ndryshme të vendit dhe arriti më në fund të rivendoste sundimin turk. Por rivendosja e këtij sundimi qe përsëri e përkohëshme.
nardlushnja
nardlushnja
Anëtar i vlerësuar
Anëtar i vlerësuar
Regjistruar : 05/02/2008
Postime : 1232
Points : 16
Reputacioni : 14
Medalje Medalje2 Medalje3

Historia e Shqipërisë - Pushtimi Turk Empty Re: Historia e Shqipërisë - Pushtimi Turk

21st February 2008, 18:20
Kryengritja e viteve (1494-1506)


Në fund të shekullit XV, marrëdhëniet midis Turqisë dhe shteteve evropiane u keqësuan përsëri. Turqia gjithnjë e më tepër përpiqej të zgjeronte sundimin e saj drejt Evropës qëndrore e perëndimore. Për të përballuar këtë rezik, shtetet evropiane, përpiqeshin të organizonin ekspedita të mëdha ushtarake kundër perandorisë otomane. Në kuadrin e këtyre ngjarjeve ndërkombëtare, Shqipëria zinte një pozitë me rëndësi të posaçme si një vend nga ku kalonin rrugët më të shkurtëra midis Lindjes dhe Perëndimit. Turqia kërkonte të nënshtronte krejtësisht këtë vend dhe ta kishte si urë kalimi kundër Italisë. Shtetet evropiane, nga ana e tyre, piqeshin t'i shfrytëzonin kryengritjet e shqiptarëve jo vetëm për të penguar përgatitjet ushtarake të turqve kundër Italisë, por edhe për të lehtësuar ekspeditat që ato projektonin të kryenin kundër Turqisë duke zbarkuar në Shqipëri.

Kjo rrethanë pati pasoja të rënda për popullin shqiptar. Nga njëra anë turqit përdornin çdo mjet për të qetësuar vendin duke i shkaktuar dëme të mëdha ekonomisë së Shqipërisë. Nga ana tjetër, shtetet evropiane i nxitnin popullsitë shqiptare të shpërthenin në kryengritje, u premtonin ndihma materiale e politike, por pastaj o nga paqja që bënin me Sulltanin o nga mosmarrëveshjet që lindnin midis tyre, hiqnin dorë nga projektet dhe premtimet dhe kështu i tradhëtonin kryengritësit shqiptarë, mbi të cilët shpërthente pastaj më me furi reaksioni turk.

Më 1494 inisiativën për të zbarkuar në Ballkan e mori mbreti i Francës, Karli i VIII, i cili bashkë me ushtritë e tij zbriti në Itali dhe në fund të atij viti mori Napolin. Përgatitjet e Karlit të VIII ngjallën entusiazëm në popujt e shtypur të Ballkanit dhe qenë një nxitje për shqiptaret që të rrëmbenin persëri armët kundër turqve.

Kryengritja që filloi në Shqipëri mori përpjestime të mëdha veçanërisht në krahinën e Himarës dhe në rrethin e Durrësit. Në kuvëndet e tyre, kryengritësit vendosën të sulmonin turqit, të përkrahnin zbarkimin e ushtrive frënge dhe t'u bënin thirrje princave shqiptarë të mërguar në Itali që të ktheheshin dhe të viheshin në krye të kryengritjes. Për t'i ftuar princat e mërguar dhe për të marrë kontakt me Karlin e VIII, u nis për në Itali kryepeshkopi i Durrësit Martin Firmano. Por, kur kthehej nga Italia, gjatë rrugës, Martini u kap në det nga Venedikaisit, të cilët nuk e shikonin me sy të mire as ardhjen e ushtrive frënge në Itali, as zbarkimin e tyre në Ballkan dhe as kryengritjen në Shqipëri në një kohë kur Republika e Shen-Markut ishte në paqe me Turqinë. Kundrshtimet që gjeti në Itali e detyruan Karlin e VIII të hiqte dorë nga ekspedita dhe të kthehej në France më 1495. Me largimin e rrezikut frëng, në verën e vitit 14955, disa sanxhakbejlerë u mblodhën në Vlorë dhe që këtej filluan ekspeditat ndëshkimore kundër shqiptarëve për të rivendosur sundimin e tyre në krahinat e kryegritësve. Por edhe me këto ekspedita lëvizja e armatosur në Shqipëri nuk u shtyp.

Më 1497 Turqia hyri në luftë me Poloninë. Njëkohësisht ajo filloi përgatitjet për të sulmuar Italinë, për këtë qëllim turqit filluan të ndreqin rrugë përmes Greqisë e Shqipërisë në drejtim të Adriatikut dhe të ndërtonin një flotë të madhe.

Synimet turke, veçanërisht ndërtimi i flotës, këtë radhë e tronditën Republikën e Shën-Markut, e cila filloi të mos i lëshonte pe Turqisë. Më 1498 marrëdhëniet midis tyre u acaruan edhe më tepër. Venediku tani kishte nevojë për kryengritjen e shqiptarëve prandaj filloi t'i nxiste që të rrëmbenin armët kundër turqve. Për këtë qëllim Republika nxori nga burgu Martin Firmanon dhe në qershor të vitit 1499 e nisi për në Shqipëri duke e shoqëruar me emisarët e saj.

Por kësaj radhe republikës nuk i vajti mbarë puna në Shqipëri. Midis krerëve shqiptarë dhe emisarëve venedikas lindën mosmarrëveshje në lidhje me qëllimet, vendin dhe përpjesëtimet e kryengritjes. Republika nuk donte një lëvizje të përgjithëshme. Ajo kërkonte të provokonte një kryengritje lokale në Shqipëri që ta përdorte si presion kundër turqve dhe ta përqëndronte në rrethin e Lezhës, ku përgatitej të zbarkonte. Perkundrazi shqiptarët kërkonin një kryengritje të përgjithëshme që synonte çlirimin e vendit. Mosmarrëveshjet midis emisarëve venedikas dhe krerëve shqiptarë u çfaqën në mbledhjen që u bë në gusht të 1499 në shtëpinë e Martin Firmanes në afërsi të Durrësit. Krerët shqiptarë bashkë me Martin Firmanon nuk i pranuan kushtet e Venedikut. Mosmarrëveshjet u acaruan në atë shkallë sa republika, me anën e bajlit të saj, e helmoi Martin Firmanon.

Një muaj më vonë, në shtator 1499, në rrethet e Lezhës shpërtheu kryengritja e shqiptarëve kundër garnizoneve turke, rrugët përmes Shkodrës e Dukagjinit u prenë, funksionarët turq u dëbuan. Si dhe më parë, kryengritësit thirrën nga mërgimi pasardhësin e Skënderbeut, që të vihej në krye të lëvizjes. Këtë radhë, në vend të Gjon Kastriotit që ishte i sëmurë, iu drejtuan birit të këtij, Gjergj Kastrioti, të mbiquajtur Skënderbeu i ri.

Për të futur princin Kastriotas nën influencën e vet Senati i Venedikut shpalli se merrte përsipër organizimin e ekspeditës që do të sillte Gjergj Kastriotin në Shqipëri, dhe e ftoi atë në Venedik ku e mbajti me premtime e mashtrime të ndryshme më tepër se një vit.

Repubika e nisi Gjergjin në Shqipëri vetëm në pranverë të vitit 1501 kur Durrësi, që ishte nën zotërimin e saj, u rrezikua seriozisht nga sulmet e ushtrive turke. Qëllimi i Senatit ishte që të acaronte kryengritjen e shqiptarëve në rrethin e Lezhës për t'i detyruar Turqit të largonin ushtritë e tyre nga rrethimi i Durrësit. Ekspedita e përbërë prej 150-200 stadiotësh e kryesuar nga Gjergji i ri dhe e shoqëruar nga një proveditor (qeveritar) venedikas, zbarkoi më 5 mars 1501 në ishullin e Lezhës të cilën e kishin çliruar kryengritësit shqiptarë. Por ndihmat venedikase që ai pruri me vehte ishin mjaft të pakta. Në përpjekjen e parë që patën me turqit, ushtarët e Gjergj Kastrioit u thyen keq. Veç kësaj midis proveditorit venedikas që mbronte synimet e republikës dhe Gjergjit që mbajti anën e krerëve të kryengritjes shqiptare, filluan të lindnin mosmarrëveshje, të cilat sollën si rezultat rënien e hovit të kryengritjes. Kjo u dha rast turqve të dëndësonin sulmet e tyre. Pas disa muajsh ushtritë turke të komanduara nga sanaxhakbeu i Elbasanit pushtuan më 13 gusht 1501 Durrësin. Për të evituar humbjen e Lezhes, Ulqinit e Tivarit, Venediku filloi bisedimet me turqit, me të cilët, më 14 dhjetor 1502. nënshkroi marrëveshjen e paqes.

Me nënshkrimin e paqës, Senati i Venedikut i braktisi fare kryengritësit shqiptarë. Pak më vonë, nga fundi i shkurtit 1503, Gjergj Kastrioti, pas dy vjet qëndrimi në Shqipëri u largua në Itali. Turqit i vazhduan përpjekjet e tyre për t'u shkëputur venedikasve Ishullin e Lezhës dhe zotërimet e tjera që kishin në Shqipëri.

Pas shumë presionesh turqit e shtinë në dorë më 1506 Lezhën dhe rrethin e saj. Zotërimet e Venedikut në Shqiperi u kufizuan vetëm në Ulqin dhe në Tivar.

Me shtypjen e kësaj kryengritje mori fund lufta e madhe shqiptare-turke që vazhdoi më tepër se 60 vjet. Në Shqipëri u forcuan pozitat e pushtuesve turq dhe të regjimit të tyre feudal-ushtarak. Filloi kështu periudha e gjatë dhe e rëndë e zgjedhës turke, periudhë gjatë së cilës shqiptarët e vazhduan në formën e kryengritjeve lokale luftën e tyre për çlirimin e vendit nga zgjedhja e huaj.
nardlushnja
nardlushnja
Anëtar i vlerësuar
Anëtar i vlerësuar
Regjistruar : 05/02/2008
Postime : 1232
Points : 16
Reputacioni : 14
Medalje Medalje2 Medalje3

Historia e Shqipërisë - Pushtimi Turk Empty Re: Historia e Shqipërisë - Pushtimi Turk

21st February 2008, 18:21
Rrënimi i Vendit


Ekspeditat e shumta turke i shkaktuan Shqipërisë mjerime të mëdha. Luftat e gjata që u zhvilluan midis shqiptarëve dhe turqve dhe në mënyrë të veçantë masakrat në masë që kryen ushtritë e tërbuara të osmanllijve,e kishin pakësuar në një shkallë të konsiderueshme popullsinë e vendit. Bashkë me çfarosjen në masë të popullsisë trime, turqit i shkaktuan një rrënim të plotë dhe ekonomisë së vendit, veçanërisht të atyre krahinave ku u zhvilluan luftime të shpeshta. Një përmbysje të madhe pësuan edhe qytetet. Kur ranë në duart e turqve, ato në fakt u rrënuan dhe popullsia e tyre u dëbua ose iku vetë për t'i shpëtuar kthimit në skllavëri. Disa prej tyre, si Drishti, Deja, Shurdhahu, Spinarica, Shirgji nuk u rimëkëmbën më. Qytetet e mëdha e të lulëzuara si Durrësi, Shkodra, Berati, Kruja, Lezha u kthyen në fshatra. Në Krujë, Vlorë e Lezhë puthuajse nuk mbeti asnjë nga banorët e mëparshëm, në Durrës e Shkodër, nga banorët e shumtë të dikurshëm, tani nuk kishte veçse disa dhjetra familje. Në këto qytete tani kishte kryesisht garnizone ushtarake. Në qytete nuk kishte më zejtarë dhe tregëtia pothuajse ishte e paralizuar. Në fshatrat e zvogëluara ose të mbuluara nga gërmadhat, sipërfaqe të mëdha tokash kishin mbetur djerr, të cilat u mbuluan dalëngadalë nga pyjet dhe nga moçalet.

Veç kësaj me vendosjen e pushtimit turk u vështirësuan marrëdhëniet tregëtare dhe kulturale që Shqipëria kishte zhvilluar për shekuj me radhë me Evropën perëndimore dhe me ato vende fqinjë, të cilat mbetën jashtë kufijve të Perandorisë Otomane. Anijet e huaja nuk guxonin më t'i afroheshin bregdetit të Shqipërisë. Shqipëria tani ishte një vend i izoluar dhe popullsia e rrënuar u detyrua t'i përballonte nevojat e veta me ekonominë e saj të shkatërruar. Këto rrethana ndikuan në forcimin e ekonomisë natyrore të fshatarëve dhe të malsorëve dhe vonuan në këtë mënyrë zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendit.

Dëm të madh pësoi populli shqiptar edhe në pasuritë e tij të artit e të kulturës. Vala shkatërrimtare e hordhive turke, bashkë me qytetet rrënoi edhe veprat më të bukura të arkitekturës, si kështjellat, kathedralet, kishat, manastiret, pallatet e fisnikëve dhe ndërtesat publike të trashëguara nga shekujt e kaluar. Bashkë me to u shkatërruan ose humbën veprat e piktorëve e të skulptorëve. U dogjën ose u prishën dokumentat dhe dorëshkrimet me vlerë të pazëvendësueshme. Nga gjithë ky rrënim, vetëm një pjesë e vogël e monumenteve të artit mundi të shpëtonte.

Pushtimi Turk

Rënia e Kalave të Fundit
Regjimi i Timareve
Ekspedita Turke në Otranto
Kthimi i
Gjon Kastriotit
Kryengritja e Himarës
Kryengritja 1494-1506
Rrënimi i Vendit
Mërgimi i Shqiptarëve
Rënia Kulturale
nardlushnja
nardlushnja
Anëtar i vlerësuar
Anëtar i vlerësuar
Regjistruar : 05/02/2008
Postime : 1232
Points : 16
Reputacioni : 14
Medalje Medalje2 Medalje3

Historia e Shqipërisë - Pushtimi Turk Empty Re: Historia e Shqipërisë - Pushtimi Turk

21st February 2008, 18:22
Mërgimi i Shqiptarëve


Invazioni i turqve osmanllij detyroi qindra mijë shqiptarë, kryesisht nga banorët e qyteteve dhe të fshatrave të rënuara ose të kërcënuara të mërgonin në vende të huaja, në krahinat e ndryshme të Italisë dhe pjesërisht në qytetet e Dalmacisë të cilat nuk kishin rërë nën sundimin turk.

Mërgime të tilla drejt gadishullit italian ndodhën në masë të kufizuar, qysh nga fundi i shek, XIV, kur turqit shkelën për të parën herë shqipërinë. Por mërgimi më i madh ngjau pas vdekjes së Skënderbeut (1468), dhe kur ranë qytetet e fundit të Shqipërisë në duart e turqve (1478-1479). Në këto vite u shpërngulën në masë me dhjetra mijë familje. Mërgime të mëdha ndodhën veçanërisht në vitet 1481, 1492 dhe 1506. Ato vazhduan në masë më të kufizuar edhe në shekujt e mëvonshëm.

Pjesa më e madhe e shqiptarëve të mërguar u strehua në krahinat e Mbretërisë së Napolit, pasi në këtë kohë Italia e jugut, e rënuar nga luftrat feudale, kishte nevojë për prodhues bujq që të mbushnin zotërimet feudale të çpopulluara. Veçanërisht në krahinat e Kalabrisë dhe të Siçilisë u strehuan më tepër se njëqindmijë shqiptarë të ardhur në pjesën më të madhe nga Shqipëria e jugut dhe e mesme dhe krijuan aty rreth njëqind fshatra me popullsi arbëreshe. Në vitet l530-1535 në Siçili u vendosën edhe disa dhjetra mijë shqiptarë të tjerë të ardhur nga Moreja (Peloponezi) kur turqit i dëbuan përfundimisht spanjollët nga ky vend. Në fund të shek. XV, që nga Venediku deri në Siçili, burimet arkivale përmendin në qytetet italiane dhe në rrethet e tyre bujqësore, shqiptarë me shumicë. Mjaft prej tyre, të varfër, pa ndihmë e pa përkrahje, të mbetur rrugëve, u kthyen në lypës ose vdiqën nga uria e sëmundjet. "Nuk mund t'i shohë njeriu - i shkruante papa Pali i II Filipit, dukes së Burgonjës pa derdhur lot këta refugjatë nëpër limanet e Italisë, të uritur e të zhveshur, të shpërngulur nga vatrat e tyre, që rrinë anës së detit, e ngrenë duart në qiell, e qajnë e vajtojnë në një gjuhë që s'ua marrim dot vesh". Me kohë të mërguarit që u vendosën në Dalmaci dhe në Italine qëndrore dhe verilindore u asimiluan. Vetëm në Italinë e jugut shumica e madhe e shqiptarëve të mërguar, duke qenë më kompakt, si në Kalabri e Siçili, e ruajtën ,për shekuj me radhë gjuhën amtare dhe shpresën për t'u kthyer një ditë në atdheun e tyre. Edhe sot në këto dy krahina ka akoma; komuna me popullsi arbëreshe.

Numri i të mërguarve llogaritet të ketë arritur në rreth dyqindmijë veta, gati një e katërta e popullsisë së vendit. Mërgimi i kësaj mase fshatare, veçanërisht i popullsisë qytetare, e pakësoi numrin e krahëve prodhues dhe e boshatisi Shqipërinë nga mjeshtrit zejtarë si dhe nga njerëzit e kulturuar. Nuk është e rastit që shqiptarë, të cilët u shquan në fund të shek. XV dhe në pjesën e parë të shek. XVI, për kulturën dhe njohuritë e tyre shkencore, qenë të gjithë të mërguar dhe asnjeri prej tyre nuk banonte më në Shqipëri.

Shumë nga banorët e krahinave të pambrojtura që nuk kishin mundur të mërgonin në dhè të huaj, kishin braktisur vendbanimet e tyre dhe ishin strehuar në bjeshkët e Shqipërisë së brendëshme malore, me shpresë se aty do t'i shpëtonin hakmarrjes dhe zgjedhës së turqve. Ky shtegëtim vazhdoi edhe pas vitit 1479. Me mijëra fshatarë u shpërngulën nga bregdeti i Himarës dhe u vendosën në malsitë e Kurveleshit, nga Myzeqeja në malsitë e Beratit e Skraparit, nga fusha e Tiranës dhe e Durrësit në malsitë e Bendës, Tamadhiese, Matit e Krujës, nga rrethi i Shkodrës e i Lezhës si dhe nga Kosova në thellësitë e brendëshme të malsive veriore e verilindore. Në vendbanimet e reja malore, ku tokat nuk u mjaftonin as banorëve të mëparshëm, fshatarët u detyruan të merreshin më tepër me blegtori duke u zhytur në një varfëri edhe më të thellë.
nardlushnja
nardlushnja
Anëtar i vlerësuar
Anëtar i vlerësuar
Regjistruar : 05/02/2008
Postime : 1232
Points : 16
Reputacioni : 14
Medalje Medalje2 Medalje3

Historia e Shqipërisë - Pushtimi Turk Empty Re: Historia e Shqipërisë - Pushtimi Turk

21st February 2008, 18:23
Rënia Kulturale


Pushtuesit turq jo vetëm shkatërruan vlerat artistike dhe kulturale të Shqipërisë, por edhe e penguan zhvillimin e kulturës shqiptare.

Për këtë arsye dokumentet më të vjetra që kanë mundur t'u shpëtojnë vandalizmave turke janë gjetur jashtë Shqipërisë dhe nuk janë më të lashta se shek. XV. Ato, si duket, u morën me vehte nga shqiptarët që mërguan në këte shekull. Nga këto, dokumenti më i lashtë deri më sot është gjetur ne bibliotekën Laurenciana të Firences. Eshtë një formulë pagëzimi, shkruar në një letër qarkore latinisht më 1462 në kishën e Trinisë së shenjtë të Matit prej peshkopit të Durrësit Pal Engjëllit, një nga bashkëpuntorët e Skënderbeut. Një dokument tjetër i shkruar shqip është pjesa e ungjillit që këndohet në kishë natën e Pashkëve. Ndryshe nga formula e pagëzimit e shkruar me alfabetin latin, ky dokument ishte shkruar me alfabetin grek, ishte pa datë dhe besohet të jetë shkruar gjatë shek. XV, ndoshta nga fundi i këtij shekulli.

Sundimi turk u vendos në Shqipëri në një kohë kur në Itali dhe në vendet e tjera të Evropës po zhvillohej arti dhe kultura e re humaniste, e njohur nën emrin e "Rilindjes" (Rinashimento) e cila shënoi "një kthesë progresive dhe madhështore në historinë e njerëzimit). Shqipëria e shtypur nga zgjedha turke, me një ekonomi të mbyllur në guaskën e regjimit të timareve, pa qëndrat që patën lulëzuar gjatë mesjetës, pa institucione kulturale, arsimore e artistike dhe e izoluar nga kontaktet e lira me vendet e përparuara të Evropës, nuk pati mundësi as të zhvillonte kulturen e saj, as të merrte pjesë në lulëzimin e shkëlqyer të Rilindjes që përfaqësonte në esencë ideologjinë e re borgjeze në fushën e letërsisë, artit, dhe pedagogjisë.

Në këtë morën pjesë vetëm ata mendimtarë shqiptarë që mërguan jashtë vendit, sidomos në Itali. Nga radhët e tyre dolën një varg humanistësh që u shquan në lëmin e shkencave, letërsisë, filozofisë dhe kulturës të cilët, ndonse mërguan nga Shqipëria, veprimtarinë letrare ia kushtuan atëdheut të tyre të robëruar. Njëri nga këta qe Anonimi Tivaras, që mendohet se është autori i veprës "Historia e Gjergj Kastriotit të quajtur Skënderbe" shkruar latinisht dhe botuar në Venedik më 1480. Marin Barleti i lindur rreth mesit të shek. XV dhe vdekur pas vitit (1512). mori pjesë në luftimet e vitit 1473 për mbrojtjen e Shkodrës (1479) kaloi në Venetik ku më 1505 botoi veprën "Mbi rrethimin e Shkodrës" dhe në Romë ku botoi midis viteve 1508- 1510 veprën e tij të pavdekëshme "Historia e jetë dhe e trimërive të Skënderbeut, Princit të Epirotëve", e cila si një vepër me vlera të posaçme historiografike dhe letrare u përkthye gati në të gjithë gjuhët e Evropës. Marin Beçikemi (1468-1526) lindi gjithashtu në Shkodër, me rënien e qytetit në duar të turqve, mërgoi me familjen në Itali dhe u bë profesor i oratorisë në universitetin e Padovës, qe një humanist dhe njëkohësisht një orator i shquar, ka lënë shkrime latinisht, në disa prej tyre ai flet si shqiptar për mjerimet e atdheut të shkelur nga hordhijtë turke.
Sponsored content

Historia e Shqipërisë - Pushtimi Turk Empty Re: Historia e Shqipërisë - Pushtimi Turk

Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi